Sunday, 17 August 2014

Shega ( Punica granatum L.)


Shega, kjo bukuroshe e kopshteve

“Dashuria më dha një shegë
U stepa nga hidhësira e lëvores
Brenda të hidhurës shijova ëmbëlsinë

 (A. Petrucci)

            Njeriu që nga lashtësia e deri në ditët tona, në mënyrë konstante, shegën e ka shfrytëzuar për zbukurimin e mjediseve rreth banesave, për ushqim dhe si bimë medicinale. Në Shqipëri kultivohej në pjesën ballore të shtëpive: në oborre, në portën kryesore, rrëzë mureve të gurtë rrethues, për një pamje sa më të bukur. Së bashku me shegën, aty rriteshin lule të ndryshme, trandafila e ndonjë ftua apo pjeshkë. Kurora e tyre, të ishte mbi ovorojet[1] e lartë,  vendet ku mbilleshin ngriheshin nga toka 0,5 – 1 m. me mure rrethues të mbushura me pleh dhe baltë. Këtë mënyrë zbukurimi të shtëpive, që të krijonte përshtypjen e një parajse bimore apo, të kopshteve babilonase, e ndeshim në gjithë Lunxhërinë dhe fshatrat e tjera të rrethit Gjirokastër, madje dhe brenda në qytet, që doemos ja shton edhe më tepër  bukuritë dhe vlerat e tij muzealë.
            Në rrugën që të çon në lagjen Palorto, afër gjimnazit “Asim Zeneli”, ishte një shtëpi, e cila i kultivonte këto bimë jo vetëm anës rrethimit të shtëpisë por, edhe në ballkon e tarracën prej betoni. Bimët i mbillnin në fuçi ose në vende të rrethuara me tulla e të mbushura me pleh e baltë. Turistët që kalonin tek kjo rrugë, për  të vizituar shtëpinë e Diktatorit, ndaleshin të befasuar nga pamja me lule dhe fruta të shumta, bënin një mori shkrepjesh me aparatet e tyre fotografikë, duke e vlerësuar si një nga mrekullitë e rralla të këtij qyteti. Poeti Agim Shehu kumton:
“Vetëm një popull i kulturuar mundet që mbi perandorinë e gurit të ngrejë mbretërinë e blerimit”.
            Kjo traditë është e herëshme. Udhëtari turk, Evlija Çelebiu(1611-1684), në udhëtimin e tij në nëntor të vitit 1670, i habitur shkruan për Gjirokastrën e atyre viteve:
“Poshtë qytetit, në Varoshin e madh është pazari i Memi Beut, i  ndërtuar rishtaz . Përbëhet nga 150 shtëpi moderne me çati të pjerrëta, të rrethuara e të zbukuruara në një mënyrë origjinale me pemë dhe hardhi. …”.[2]
            Në fshatrat, ende ruhet dhe ka filluar të ripërtrihet kjo traditë. Mbi të gjitha në këtë dekor unik, dallohet shega, si një bimë e brishtë, bukuroshe e përjetëshme. Gjethet, lulet dhe frutat e saj mjaft të bukura, krijojnë një mjedis bimor tepër tërheqës, nga pravera deri në prag të dimrit. Miku im Polo Mihali me banim familjarisht në Nju Xhersi të SHBA-ve, i malluar për vendlindjen, e ka përshkruar kështu mjedisin karakteristik të qytetëzës lunxhiote:
“..Nuk më hiqen nga  mentë
Qemeri i portave me pezule,[3]
Rrugët shtruar me kalldrëm
Anash trandafilë e lule…”
            Shega mbillej dhe në kopshtet rreth fshatit për ushqim. Nga fëmijëria mbaj mend se në kopshtin që kishim larg shtëpisë, midis bimëve të tjera kishim dhe 4-5 shegë nga të cilat mirrnim mbi 1 kv. prodhim. Këto i ruanim për 2-3 muaj. Një pjesë i këputnim me degë dhe i varrnim në muret e shtëpisë, në odën e miqëve, ne e quanim “oda’”. Ato të shkëputurat i vendosnim në sergjenet rreth e rrotull odait ose divanit, dhe shegët e hapura i vendosnim në kanistra për t’i ngrënë të parat.
Pra, shegët jo vetëm zbukuronin mjedisin jashtë shtëpive por stolisnin dhe odat brenda tyre. Rrallë ndodhete që ti shisnim, sepse nuk kishim mundësi pasi tregu qe larg e kishte konkurentë të tjerë por, i hanim mbrëmjeve dhe shpesh ua bënim dhurata të afërme, miqëve e fëmijeve. Kur sëmureshim nga gripi, apo të ftohtit, prindërit na jepnim të pinim lëng shege. Kështu pak a shumë bënin dhe e vazhdojnë këtë tradite edhe sot të gjitha familjet e tjera të fshatit.             
            Ishin tri lloje shegësh që kultivoheshin në fshat. Shega kokërr madhe me lëvore të kuqe gjaku dhe shega kokërr vogël me lëvore të kuqe më të zbardhur. Shegët kokërr mëdhaja ishin të ëmbëla, ndërsa ato kokërr vogla ishin majoshe. Kishte dhe një lloj tjetër kokërr madhe të ëmbël por, ngjyra e lëvores ishte lehtësisht e kuqe tek bishti dhe e bardhë ose jeshile e zbardhur, keto i quanim “Shegë Lunxhi”.  Lunxhëria ka lloje shegësh “kokërr madhe” cilësisht të mira. Fshatrat që ndodhen përballë qytetit të Gjirokastrës, tradicionalisht  i kanë shitur në tregun fshatar, me përjashtim të një periudha kur Diktatura e mbylli këtë treg. Lunxhëria dhe krejt Lugina e Drinos ka kushte të mira për kultivimin e tyre, janë kultivuar për mijëra vjet në këto anë. Tani prodhimi i shegëve bëhet një burim i mirë të ardhurash për fermerët pasi, janë hapur tregje të reja e të pa fund, dhe si rjedhojë kërkesat janë të mëdha.
Shegët të vendosura në sergjenet e një odai lunxhiot(foto K. Vasili)


Në Kulturën e Popujve
            Gjatë historisë së saj mijëra vjeçare, shega ka qenë simbol i shpresës, paqes prosperitetit dhe bollëkut, për banorët e çdo pjese të botës ku ajo është kultivuar. Popujt e besimeve dhe kulturave të ndryshme ja kishin diktuar dhe i njihnin mirë dobitë e saj, prandaj u bë simbol për Hyjnorët, udhëheqësit historikë, letrarët dhe artistët e famshëm. Këto i gjejmë të pasqyruara në histori, mite, fe të ndryshme, folklor, artin klasik dhe në veprat letrare e artistike. Po përmendim disa:
            Në Egjyptin e lashtë, 3600 vjet më parë, janë gjetur në varre piktura murale që simbolizonin jetën e përtejme. Mbretin TATU e varrosën me një vazo me shegë. Shtyllat e tempullit të Solomonit në Jeruzalem, ishin zbukuruar me piktura të luleve dhe frutave të  shegës. Monedhat e argjendit të Izraelit( 60-70), kishin të stampuara tri kokrra shegë, si tek tempulli Solomonit. Në traditat e hebrejve shega simbolizon drejtësinë. Persianët (600-700 PK) mbillnin shegë në oborret e tempujve si simbol i përjetësisë, pasi shega kishte gjithë vitin gjelbërim.[1]
            Në mitet e Greqisë së lashtë, shega ishte simbol i pazgjidhshmërisë martesës. Vajzën e Perëndeshës Demetër, Persofonin, e rrëmbeu në ferr Hedes. Ai duke e gënjyer i dha të hante disa kokrra shegë. Ngrënia e shegës e ndalonte të ndahesh nga burri. Zeusi si Kryeperëndi e zgjidhi me një kompromis: Persofoni do te jetonte në ferr me Hedesin një të tretën e vitit dhe dy të tretat me Demetrën. Kthimi Persofonit në ferr bëhet me ardhjen e pranverës. Gjithashtu shega ishte e shenjtë për Perëndeshën e dashurisë Afërditën dhe Perëndeshën e martesës HERA. Për to, fruti shegës simbolizonte çertifikimin e martesës dhe humbjen e virgjërisë femërore.
            Në Romën e lashtë shega gjëndet si element zbukurimi në mozaket e ndërtesave të ndryshme. Gratë e martuara për të treguar statusin e tyre martesor, në publik vendosnin në kokë një degë shege.
        Në Fenë e Krishterë, në Biblë, shega përmendet disa herë. Për artin kishtar ajo simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe premtimin e jetës pas vdekjes. Në pikturat e Sandro Botticelli(1440-1510), Raphael(1483-1520), Filippino Lippi, etj., Shën Maria paraqitet me Krishtin fëmijë i cili mban në duar një shegë. Shega, simbolizon bollëk, shpresë, produktivitet dhe dlirësinë e Virgjëreshës Mari. Në veladonet e rasot e priftërinjëve dhe ikonostaset e kishave janë dizenjuar ose gdhëndur lule e fruta të shegës. Gjat ceremonive të vdekjeve ose përshpirtjeve, kokrrat e grurit të ziera me sheqer që jepen për këto rraste, zbukurohen me disa kokrra shegë anash. Shumë dijetarë hebrej besojnë se “fruti i ndaluar” i Kopshtit Edenit ishte shega.  
            Në fenë Islame shega vlerësohet si një frut i çmuar për ushqim dhe përmendet si sinonim i paqes. Legjendat Islame thonë se çdo kokërr e shegës është një mesazh nga Parajsa. Në  Kuran, Parajsa përshkruhet e përbërë nga katër kopshte me burime e pemë, në mesin e tyre dhe shega. Dinastia Islame Maure(1238-1358), ndërtoi në Granada të Spanjës një pallat madhështor ku në mure, dysheme dhe qemere ishin vizatuar apo ndërtuar mozaikë me lule e fruta shege.
            Në Budizëm tri fruta konsiderohen të shenjta: portokallet, shegët dhe pjeshka. Këto në artin budist, përbëjnë thelbin e ndikimeve të dobishme. Buda predikonte se çdo zakon i keq tek fëmijët shërohet duke ngrënë një kokërr shegë.
            Në kulturën kineze, që nga lashtësitë e deri në kohët tona prodhimet e porcelanit dhe të mëndafshit janë zbukuruar të dizenjuara me lule të shegës.
            Mbreti Anglisë Henri VIII kur u martua me Katerinën e Aragonës, si emblemë të tyre kishin shegën e Granadës. Thuhet se ky ka qenë i pari që e ka mbjellë këtë bimë në Britani.
            Maksimiliani i Austrisë në vitin 1519 zgjodhi dhe vendosi shegën si simbol personal të tij.
            Në vitin 1598 Mbreti Francës Henry IV, përfundoi luftën civile midis katolikëve dhe protestantëve, dhe si heraldikë zgjodhi të kishte një shegë.
            Shkrimtari famshëm Oscar Uilde(1854-1900), shkrojti përallën për fëmijë “Shtëpia e Shegëve”, me mesazhe të fuqishme për të rriturit. Ndërsa për Uliam Shekspirin tek “Romeo dhe Zhulieta”, shega simbolizon dashurinë e ndaluar.
            Ne gjysmën e parë të shekullit të kaluar, shega u bë pjesë e lëvizjeve artistike moderne si: Post-impresionizmit, Fauvismi, Kubizëmi dhe Surealizëmi. Paul Cezanne(1039-1906), Henri Matisse(1869-1954), Picasso(1881-1973), Salvador Dalí(1904-1989), etj., në punët e tyre kanë përfshirë dhe shegën. Edhe kurora që kurorëzon vajzën më të bukur, “Misset” si dhe kurorat e disa mbretërve janë dizenjuar e konceptuar si një lule shege.
            Në Shqipëri shega është mijëra vjeçare. Gjurmët më të vjetra në Trojet tona janë gjetur në Butrint si element dekorativ i mozaikëve, datojnë në shek. IV Para Krishtit. Në shumë punime popullore, si gdhëndjet në dru apo endjet, lulja e shegës është përdorur si element zbukurimi ose dizenjo që në lashtësi. Shega pasqyrohet ose ka lidhje me shumë rite dhe folklorin e trevave të ndryshme të vendit tonë.
            Në traditat dhe ritet e lashta popullore konsiderohet si simbol i fertilitetit. Në Mallakastër, Berat, Dumre, etj., në dasma, karvanit të krushqëve që shkonin për të marre nusen, u printe një flamur ku në majë të flamurmbajtëses(bishtit) vendosej një shegë. Në disa zona të tjera si, Vlorë e Gjirokastër nusja kur shkon tek shtëpia e dhëndrit mer me vete një shegë ose, ja japin për të hyrë në shtëpi më shegë në dorë. Shega për shqiptarët është sinonim i të bukurës në përgjithësi dhe i bukurisë femërore në veçanti. Në këngët popullore të jugut thuhet:
“Moj shegë e kuqe majoshe
Kur më doje pse s’më thoshje…”etj.
Ose:
……….
“Zjarri që ndes dashurinë
Shegë e kuqe flakërimë

Bëj të flë e se mbyll synë…” etj.

Ndërsa në një nga këngët nga trevat e Veriut thuhet:
“Shegë e amël shegë e kuqe
Më shkoj vera pa të këpute
… . . . . . . . . .
Shegë e amël moj sheg Tivari
Të du fort si sytë e ballit”



Ka dhe kenge dasme ku thuhet:
Shegë e kuqe mjaltë e ëmbel
Dil moj se të presin-o

Te porta të presim-o …..

           Shega është bërë  edhe burim frymezimi per shumë krijues: 
“Mblidhuni toskë, e mblidhuni gegë
Mblidhuni bashkë, si kokrrat në shegë”.
Këto janë vargje amanet, të gdhëndura nga pena e shqiptarit të madh, poetit At Gjergj Fishta(1871-1940). Bashkimi shqiptarëve ashtu si kokrrat në një shegë për Fishtën do të thotë: paqe, siguri, prosperitet, bollëk, shpresë. Jo vetëm Fishta, por shume autorë shqiptarë, si Kol Jakova, Adem Demaçi, Hil Mosi, Ndoc Gjetja, Rilindasit e shumë të tjerë, tek shega kanë gjetur frymëzimin për veprat e tyre letrare. Mund të themi se është një nga kulturat bujqësore më të përmendura në art, jo vetëm në Shqipëri por, në gjithë botën, nga lashtësitë e deri në ditët tona.


Etimologji, Onomastikë
            Emeri “Punica” në latinisht është vendosur nga botanisti Karl Line(1707 – 1778), në nderim të kolonisë fenikase(Phoenicia) të Kartagjenës, siç i quanin romakët, dhe të dëgjuar pë kultivimin e shegëve në Mesdheun e lashtë. Ndërsa “granatum” ka lidhje me kokrrat brenda frutit.  Në spanjisht, ferngjisht quhet Granada, Granata, prej nga ka marrë dhe emërin një qytet në Spanjë “Granada”, i shquar për kultivimin e shegëve. Emëri “pomegranate” në anglisht dhe disa gjuhë te tjera evropiane rrjedh nga fjala “pome” që do të thotë mollë dhe “granate” me kuptimin shumë farëra, po ashtu dhe melogranite ne italisht.
            Në Ballkan, bullgarët, sërbët dhe kroatët e quajne shegën “Nar”, që sigurisht rjedh nga turqishtja. Emëri shqip “shegë” nuk ngjason ose të jetë i përafërt me asnjë nga gjuhët evropiane apo të lindjes, ky emër duhet të jetë vendosur nga pellasgët, ose para Ilirët, 2-3 mijë vjet më parë.(Çabej 2006, Xhuveli, 2012). Në shqip fjala “shegë” nuk na jep ndonjë kuptim. Sipas gjuhëtarëve kjo fjalë është huajtur nga një gjuhë Mesdhetare e pa njohur( Çabej St. II 131 & V. Orell 1998). Lidhur me këtë Egjyptianët e lashtë, 3-4 mijë vjet më parë, kanë përdorur lëng shege të përzier me alkol për luftimin e parazitëve të zorrëve të cilën e quaninSchedou”  (Goor & Nurock, 1968)[2], shqiptohet  shedëiu”. Mundet që kjo ndoshta të përbëjë dhe enigmën etimologjike të fjalës “shegë” në shqip!?
            Në Shqipëri fjalën  “shega” e gjejmë si antroponim, emëra dhe mbiemra njerëzish. Po kështu e gjejmë dhe si toponim në emërtimin e tre fshatrave: Një në Qarkun e Elbasanit me emërin “Shega” dhe dy në Rrethin e Fierit, me emërat “Shegas” dhe “Fier Shegan”.


[1] Ne disa vende te ngrohta shega gjat gjithe vitit ka gjelbërim.
[2] “The fruits of the Holy Land” by Asaph Goor & Max Nurock, Israel Universities Press. 1968 (pg. 72)


Dobitë e shegës
            Studimet shkencore te ditëve të sotme po hedhin dritë mbi të vërtetat; përse kjo bimë është bërë kaq e dashur deri mitike nga të gjithë popujt e botës!? Siç e kemi përshkruar më lart, shega është një bimë zbukuruese e pa përsëritëshme që shkon në çdo mjedis. Por, më e rëndësishme është dobia e saj për shëndetin e njeriut dhe si ushqim.
            Që në lashtësi, rreth 3000 vjet më parë, njerëzimi i ka pikasur cilësitë e veçanta të kësaj bime në drejtim të luftimit të sëmundjeve dhe përmirësimit të shëndetit njeriut. Në mjekësinë popullore shqiptare lëngu i përfituar nga zierja e luleve ose lëvores përdorej kundra parazitëve të zorrëve dhe heqjes së barkut(Demiri, 1979; Kokalari 1980). Lëngu nga kokrrat e shtrydhura është përdorur tradicjonalisht kundra sëmundjeve të kraharorit: gripit, kollës, dhimbjeve të fytit, të ftohtit, temperaturës së lartë,  etj.
            Studime shkencore rreth përfitimeve mjekësore nga shega kanë qenë të pakta. Vitet e fundit këto studime janë intesifikuar, shume shkencëtarë po kryejnë kërkime shkencore, të cilat janë në stadin e epruvetave, të provave në kafshë dhe pak aplikime janë bërë në njerëz. Deri tani, shkencëtarët e mjekësisë moderne janë befasuar nga të dhënat e para që kanë zbuluar në drejtim të dobive shëndetsore për njeriun, dhe e kanë cilësuar si një bimë “çudibërese”. Në kokrat e shegës është zbuluar një lëndë që quhet punicalagins, nje antioksidant që e përmban vetëm shega. Qendrat shëndetsore prestigjoze në SHBA e rekomandojnë shegën dhe lengun e saj për disa sëmundje:
1. Parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
2. Parandalimin e Kancerit, veçanërisht kancerin e prostatës dhe të gjirit tek femrat.
3. Për uljen e kolesterolit në gjak.
4. Parandalon mbipeshën.
5. Lufton dëmtimin e qelizave; parandalon degradimin e ADN-së qelizore(Sarmad Hanif, etj. 2008)
            Theksohet se shega ka ndërveprim me ilaçet e ndryshme, prandaj duhen konsultime me mjekun për njerëzit e sëmurë[1]. Shega është e pasur me vlera ushqimore si kripra minerale, Vitamina C, Vitamine K, Vitamina B6, fibër, etj. Sot tregëtohet si frut, lëngje dhe kokteje të ndryshme, prodhohet edhe verë.
            Lëvorja e drurit dhe e frutit është e pasur në taninë dhe përdoret për regjien e lëkurëve(Demiri, 1979). Lëvorja e frutave përdoret për të ngjyrosur leshin  dhe pambukun në ngjyrë kaki ose të zezë. Druri i sheges është i fortë, në lashtësi përdorej për të bërë shigjetat, përmenden persianët.  Druri digjet mirë dhe mund të përdoret për ngrohje.

Origjina, Kultivimi, Prodhimi
            Shega, sipas të dhënave të deritanishme, ka qenë e kultivuar  që nga koha Neolitike (D. Holland & Irit Bar Ya’akov 2008). Origjinën e ka nga shega e egër (Punica granatum L. var. spontanum K.Maly ). Formacjone pyjore me shegë të egra shtrihen ne formën e një brezi nga Azia e Vogël në drejtim të Himalajës. Në brigjet e mesdheut sipas arkeologjisë  thuhet se ka ardhur në periudhen e fundit të bronxit rreth 3 - 3.7 mije vjet më parë, diçka më pas se bima e fikut. Janë gjetur dëshmi arkeologjike në ishullin e Qipros.(de Candolle 1886, K. Krist Hirst, 2006,).
            Pak me vonë ose në të njëjtën periudhë duhet të ketë hyre dhe në siujdhesën e Ballkanit. (Mercure 2007). Grekët e kanë kultivuar shegën shumë kohë më parë se romakët. Përmendet në Këngët Homerike, nga Heredoti, ndërsa Teoftasti e përshkruan tek “Historia e Natyrës”, etj.
            Romakët e kane mare shegën nga kartagjenasit. Në vitin 800 shega qe përhapur në të  gjithë Perandorinë Romake, Spanjë dhe Evropën qendrore. Plini e përshkruan shegën si një frut të rëndësishëm dhe llojet më të mira vinin nga Kartagjena.
            Origjina e shegës në Shqipëri po shqyrtohet nga shkencëtarët evropianë dhe shqiptarë, pasi në territorin shqiptar, në zonën bregdetare, me shtrirje 300 km. veri-jug, veçanërishit në zonën Lezhe – Milot, gjënden formacione pyjore me shegë të egra. Në studimin që ka filluar në vitin 1995, është hedhur ideja se disa lloje të shegëve të buta që kultivohen në Shqipëri e kanë origjinën nga shegët e egra vendase, si rjedhojë e një seleksjonimi të gjatë. (Xhuveli, 2012). Ky studim vazhdon të plotësohet edhe me analizat e testet gjenetike.

            Llojet e shegeve në Shqiperi janë të shumta, mund të ketë lloje vendase por, vazhdimisht lloje të reja kanë ardhur nga vend origjina lindore e tyre, sepse janë lloje me veti e cilësi më të mira, ashtu si arra. Studime te mirfillta për llojet e shegëve të kultivuara në Shqipëri nuk ka pasur.
            Shega depertoi në Kinë e Indi, nga Lindja e Mesme, nëpërmjet rrugës së famëshme të Mëndafshit(138-125 PK)., dhe që ketej në Lindjen e Largme, Indonezi,  Oqeani, etj.
            Rreth viteve 1600-1700 shega eshte futur nga spanjollet në Amerikën Qëndrore dhe Jugore. Në SHBA shega u diktua në vitin 1700 në Florida dhe pas kësaj në Kaliforni dhe Arizona. Sot SHBA-të janë nje nga prodhuesit më të mëdhenj të shegëve në botë.

            Shega futet në grupimin e pemëve frutore të vogla, pak të kultivuara. Në këtë grup bëjnë pjesë specia të pa shfrytëzuara, të lëna pas dore, për shkak të mungesës së marketingut, shkaqeve socjale, komercialë, biollogjikë, historikë, etj. Kohët e fundit shkenca po u jep prëparësi prodhimeve bio, të shëndetëshme e të pasura në vlera ushqimore. Për Shegën dekadën e fundit ka patur një interesim të veçantë. Disa vende të Lindjes, si dhe vendet ku për shegën ka pasur një kujdes dhe vëmendje të veçantë, janë bërë eksportuesit kryesorë dhe kanë siguruar të ardhura të mira. Kjo ka bërë që shega sot të futet në grupimin e frutave të  rëndësishme (Bellini, 2010).
            Organizata e Kombeve të Bashkuara për ushqimin, FAO,  nuk ka të dhëna statistikore për prodhimin botëror të shegëve. Sipas të dhënave të Holland(2008)  pasqyruar në tabelë, prodhimi botëror i shegëve llogaritet deri në 1,5 milion ton në vit, afërsisht sa prodhimi i fiqëve. Gati 90 përqind e prodhimit botëror sigurohet nga tre shtete Irani, India dhe Kina. Shtetet e Ballkanit duke përfshirë  këtu Greqinë e Shqipërinë, importojnë shegë nga vendet e lindjes. Për prodhimin e shegeve në Shqipëri nuk kemi të dhëna në raportin statistikor vjetor të Ministrise së Bujqësisë. Të dhena edhe mund të gjënden ne Derejtorite e Bujqesise së Qarqeve.

Veçorite Botanike dhe Biologjike
            Shega i takon Familjes shegore(Punicaceae), ka vetem nje gjini, atë Shegë(Punica L.). Kjo gjini përmban dy specie, P. granatum L., shega dhe P. protopunika Balf. , një specie e rrallë qe rritet vetëm në arqipelagun e ishujve Socotra në Oqeanin Indian dhe i takon Republikes Jemenit. Shega në gjithë botën ka më shume se 500 lloje kultivarësh, ku futet dhe shega e egër.
            Bima e shegës rritet në formë shkure 4-5 m. e lartë, kur krasitet mund të marri formën e një peme të vogël, me lastarë e degë gjëmbore. Gjethet të kundrejta gjatore. Lulet të kuqe, gjënden zakonisht në shpore në degëza mbi një vjeçare. Zakonisht lulëzon në fund te pranveres, pjalmëzimi bëhet nga insektet.  Frytet janë të rrumbullakta me shumë farëra, rreth 800. Fruti është i mbështjellë me lëvoren ngjyrë të kuqe, jeshile të zbardhur dhe vilet në muain shtator - tetor.  



Veçoritë Agroteknike
            Shega kultivohet për prodhim dhe si bimë zbukuruese. Shega duron temperaturat -12oC, parapëlqen tokat e shpateve gëlqerore, duron e rritet në zona të thata. Do toka të kulluara, në toka që mbajnë ujë preket nga sëmundjet e rrënjës.. Shega rrënjëzohet lehtësisht, ka koefiçent të lartë shtimi.  Shumimi i shegës bëhet me këmbëza të rrenjëzuara. Shega shtohet edhe duke e cunguar në lartesi 25, 35 cm. Lulëzon në vitin e tretë pas mbjelljes dhe futet në prodhim pas vitit të pestë. Shegës i bëhen krasitje për ajërosje të kurorës si dhe i hiqen degët e thata. Në vitet e para pas mbjelljes fidanit i bëhen krasitje formuese.

K. Mosko
Janar, 2013



Luçie Miloti - Shegë e ëmbël Shegë e butë




[1] Ovorua –dialekt. Mur guri i lartë që rrethon shtëpitë  së bashku me kopshtet. Shërbente për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm.
[2] Robert Elsie - Texts and Documents of Albanian History
16th to 18th centuries 1670
Evliya Chelebi:
Seyahatname
A Journey to Gjirokastra.

[3] Pezul – Sofa, vend i ngritur tek portat për të ndenjur ulur.
[1] GHC Global Healing Center, Natyral Health & Organik Center
US National Library of Medicine, National Institutes of Health
http://www.globalhealingcenter.com/natural-health/

Literatuara:
1). “Bimë e egra te dobishme te vendit tone”M. Demiri Tiranë 1979
2). “Bimët Mjekësore në Familje” P. Kokalari, etj Tiranë, 1980
3). “Flora Eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri- Tiranë, 1981
4) Robert Elsie - Texts and Documents of Albanian History
16th to 18th centuries 1670
Evliya Chelebi:
Seyahatname
A Journey to Gjirokastra
5) USDA – Natural Resources Conservation Service
http://plants.usda.gov/java/profile?symbol=PUGR2
6) “The Pomegranate” -  Robert W. Hodgson,  Bulletin Nr 276, University  of California, 1917
7)
Gregory M. Levin “Pomegranate Roads:  A Soviet Botanist's Exile from Eden” Forestville, California-2006
8) “Pomgranates Ancient Roouts to Modern Medicine” by N. P. Seeram. R. N. Schulman, D. Heber- Boca Raton, Florida, 2006
9)
“The fruits of the Holy Land” by Asaph Goor & Max Nurock, Israel Universities Press. 1968
10)
GHC Global Healing Center, Natyral Health & Organik Center
US National Library of Medicine, National Institutes of Health
http://www.globalhealingcenter.com/natural-health/
11)
“The Pomegranate: A New Look at the Fruit of Paradise” by Ed Stover, Eric W. Mercure. Hortscience vol. 42(5) august 2007
12)“Albania, the domestication country for pomegranate (Punica granatum L.)” by Lufter Xhuveli,
 Springer Science+Business Media Dordrecht 2012
13)

”I fruttiferi minori in Italia, una risorsa tradizionale per l’innovazione” by E. Bellini et. al.
Review “Italus Hortus” 17 (1), 2010:
75-90
14)
V. Orel “Albanian etimological Dictionary” Leiden-Boston- Koln, 1998

No comments:

Post a Comment