Tuesday 24 February 2015

Bajamia-(Prunus dulcis Mill. / sin. Amygdalus communis L.)



Bajamia, kjo mrekulli që “sakrifikon”
“Ra dielli në bajame, xhan moj bajame!
Ja rritu ja thahu fare, xhan moj bajame…!”
            Popullore
            Këto vargje të kësaj kënge polifonike më sillen ende në mendje edhe pse kanë kalur shumë vite. I dëgjoja shpesh në këngët e trapezeve të burrave me ndonjë gotë rraki përpara, në dasma e gëzime. Këngët e dashurisë janë refleksjone edhe pasqyrime artistike të bukurisë së natyrës ku ato kanë lindur, bukuri që rrezëllehen edhe prej ngjyrave të ylberta të luleve të bimëve. Në këngën e mësipërme krijuesi me filozofinë e pa gabueshme popullore, natyrshëm e krahason bukurine e vajzës, e cila i ka rrembyer zemrën me bajamen e avllisë, bukuri qe ai e ka konstatuar qysh herët dhe  ashtu si një bajame do kohë që të rritet e të zaptojë kopshtin apo oborrin e shtëpisë por, lulet e saj janë të bukura e të bëjnë që të ëndërosh. Në një këngë  tjetër popullore të kultivuar thuhet:
“Rritu moj bajame
 se ta shkoj selvia,
Më morre në qafë moj
Me këto marzira..”
            Në këngët e shqiptarëve bima e bajames është përshkruar si një bukuri e brishtë, delikate. Shpesh këtë bimë populli e quan “naive”, gënjehet shpejt, çel lulet që në muain janar në qoftëse moti ngrohet edhe për një periudhë shumë të shkurtër. Me sa duket ndoshta kjo përbën dhe një problem për kultivimin e saj. Në gjuhën hebrej bajamia quhet “shakad” që shqipërohet “zgjim i nxituar”. Bajamia si një bimë mesdhetare e veçantë i ka tërhequr vëmendjen shkrimtarit dhe filozofit grek me famë botërore, Nikos Kazanzaqis(1883-1957). Në shkrimet e tij ai ka thënë:  “I thashë bajames: mike tregomë diçka për Zotin dhe ajo lulëzoi". Bajamja  çel e para në pranverë, sikur mezi pret të prishi atë monotoninë e zymtësinë e dimërit, akoma bora pa ikur mirë, ringjall shpresën dhe bukurinë e jetës në tokë por, shpesh ngricat ja dëmtojnë lulet dhe ashtu si Krishti sakrifikohet  për të na përcjellë mirësinë e vazhdimësinë e jetës ëngjëllore në tokë.
            Emëri në gjuhën shqipe “bajame” sipas gjuhëtarëve rrjedh nga gjuha turke. Në turqisht bajamia quhet “badam”. Kështu quhet dhe në gjuhët e tjera të Ballkanit(në Bosnjë, kroatisht, maqedonisht, sërbisht, bullgarisht). Me sa duket kultura e bajames nga Lindja e Afërme né Ballkan  ka ardhur së bashku me emërin.  
            Në Shqipëri ka pasur një traditë të lashtë për kultivimin e bajames. Zakonisht ajo mbillej në vreshtat, kopshtet, ledhet e arave, vende të kultit si në manastire e teqe por edhe rreth e rrotull shtëpive. Vështirë që në zonën e ullirit dhe fikut të gjeje një shtëpi ku në kopshtet e saj të mos lulëzonte një bajame dhe jo vetëm në fshatra por shpesh edhe në qytete. Në fillim të shekullit të kaluar bajamet në Çamëri konkuronin me ullirin( R. Osmani). Gjithë bregdeti i Jonit është një zonë me kushte të përshtatëshme për bajamen dhe gjat shekujve është kultivuar më shumë se kudo tjetër në Ballkan. Gjat periudhës së diktaturës në Shqipëri u mbollën edhe në blloqe të veçantë por këto nuk patën efektivitet dhe jetë të gjatë pasi kishin mangësi dhe u lanë pas dore, si dhe u prishën e u dëmtuan gjat perudhës së tranzicjonit në vitet 90-të të shekullit që sapo kaloi.
            Bajamia tradicionalisht nga shqiptarët mbillej kryesisht për të plotësuar nevojat vetiake, për të ngrënë dhe për gatimet e shumta në guzhinë, sidomos për ëmbëlisirat, si dhe për një pamje të hijëshme të oborreve dhe kopshteve. Ne kishim dy bajame në kopshtet e shtëpisë tonë. Mbaj mend nga fëmijëria se sapo fillonte të formohej fruti e deri sa fortësohej guaska, frutin e bajames e hanim me një shije të veçante sa na mpiheshin dhëmbët. Kur nevoitej prisnim dhe ndonjë degë me gjethe si ushqim për bagëtinë. Në trungun e bajames së egër dhe të butë shpesh formohej një masë viskoze si rrëshirë të cilën ne quanim dilimaç. Këtë shpesh e gjurmonim dhe e hanim si çimçakëz, pavarësisht se prindërit na porositënin: - Mos hani se do të ju ngjiten zorrët, - ndërsa disa e mblidhnin për t’a përdorur si ngjitës.  
           Frutat e thata përdoreshin për t’u ngrënë gjat periudhës së dimrit, u bëheshin dhurata fëmijëve, të afërme e miqëve gjat Krishtlindjeve ose ne festa të tjera si dhe në pakot e Vitit të Ri. Me Bajame shpesh nuset gostitënin fëmijët e fisit të dhëndrit ditën e dasmës. Gjithashtu përziheshin me oriz e karamele duke ja hedhur çiftit që martohej para se te hynte në shtëpinë e dhëndrit. Një pjesë e prodhimit  tregëtohesh në qytete.  Në Çamëri bajamia quhet “Mirgladhë”  dhe sipas një tradite: ana e dhëndrit një ditë para dasmës, nuses i shpinin dhuratë stolitë dhe një kanavetë(valixhe) të mbushur me arra, bajame, lajthi dhe karamele, që i quanin “armegane” ose “kokanika”. Këto ndaheshin midis dasmorëve të cilit para se t’i hanin luanin ose vinin baste me tek a çift. Sipas mitologjisë shqiptare fruti i arrës është konsideruar si simbol i pjellorisë, bajamia simbol i bukurisë dhe lajthia simbol i mënçurisë.
            Krahas bajames së kultivuar në ledhet e arave dhe vendet e thepisura, në pjesët shkëmbore, afër rrugëve dhe qëndrave të lashtësisë, rritet spontanisht edhe bajamja e egër, sidomos në pjesën jugore të Shqipërisë si në Gjirokastër, Vlorë, Berat, Fier, Sarandë, etj. Fruti i kësaj bajame nuk haet sepse ështe toksik për njerëzit, madje shkakëton dhe vdekje, por kjo bimë ka gjetur një përdorim si nënshartesë për bajamen e butë. Frutat e saj përdoren për përgatitjen e likerërave dhe pijeve të tjera komerciale, përdoret si aromatike në ushqime të ndryshme, si bimë zbukuruese dhe gjethet e saj çfrytëzohen si ushqim nga bagëtia. Por bota ecën, dhe ecën shpejt! Çfar po ndodh me bajamen sot në botë?

Mite, tradita
            Bajamja është një nga bimët e para që njeriu ka domestikuar që në lashtësi e cila ka zbukuruar edhe kopshtet e famëshme babilonase. Vetitë e saj si bimë zbukuruese, shëruese ndaj disa sëmundjeve dhe si ushqim për njerezit, ka bërë që të pasqyrohet e të zerë vend në etnokulturën e shume popujve në: mitet, folklorin, legjendat, art, etj.
            Në vendorgjinën e saj Siri, Irak, Palestinë, etj. është përmendur që në shkrimet e lashta si një nga pemët frutore më të mira në e vendit të Kananit, ose “frutat më të mira të tokës në kohën e Jakobit”, si dhe ka shumë referenca biblike për të. Në biblën hebreike bajamia është simbol i vigjilencës dhe premtimit. Shkopi Aronit(vëllai Moisiut), që kishte një fuqi magjike, ishte prej drurit të bajames. Hebrejtë në SHBA edhe sot në muain shkurt festojne “Ditën e Pemëve”( Tu BiShvat) me një degë bajame të lulëzuar në Sinagogat e tyre, ndërsa në Izrael kjo ditë festohet si “Dita Ekologjike” ku aktiviteti kryesor është mbjellja e pemëve.
            Në mitet greke Servius(578–535 PK), mitin mbi vdekjen tragjike nga hidhërimi të Phylisit për shkak të braktisjes nga i dashuri i saj Demophon, e zhvilloj më tej duke thënë se zotat e transformuan Phylisin përjetësisht në një pemë bajame. Pas shumë vjetësh, kur kthehet Demophoni dhe gjeti Memorialin e Phylisit si një peme të mjerrë, pa gjethe e pa lule, ai e përqafoi dhe Phylisi bajame shpërtheu në lulëzim e gjethe. Një emblemë e dashurisë së vërtetë e pamposhtur edhe nga vdekja.
            Në këngët e shqiptarëvet kudo ku jetojnë pema e bajames është përshkruar si sinonim i të bukurës, i bukurisë femërore. Emëri “Bajame” ëshë përdorur shpesh edhe si emër për gratë e vajzat. Kinezët e konsiderojnë bajame si një simbol i përjetshëm trishtimi dhe i  bukurisë femërore.
            Për të krishterët një degë bajame e lulëzuar në ikonat shërben si simbol i virgjërisë së Shën Marisë. Në piktura shpesh paraqitet Jezusi fëmijë me një degë bajame. Gjithashtu fjala "Luz", e cila shfaqet në Bibël, është përkthyer si "kalter", në të vërtetë mund të rrjedhë nga gjuha aramaike ku  “Luz” i thonë bajames. Në arabisht bajames i thonë “laoz”, ndërsa në disa pjesë të Lindjes së Afërme thonë  “Loz”, këto fjalë janë shumë afër me origjinën aramaike. Bajamia përdoret dhe ne ceremonite fetare të përshpirtjeve së bashku me kokrat e grurit.
            Sot në vendet të cilat prodhojnë bajame organizohen “Festivalet e lulëzimit të bajames” të cilat konsiderohen dhe si dita e verës. Festivale të tillë organizohen në: Itali, Gjermani, Marok, Kaliforni SHBA, Spanjë, etj. Në Albufeira të Portogalisë nga Shoqata e Atletikës organizohen gara vrapimi ndërkombëtare me emërin “Blossom Cross Country Almond”, lulëzimi bajames në gjithë vendin. Kjo veprimtari organizohet në muain mars për të promovuar turizmin kur kanë çelur edhe lulet e bajames.
Në festivalin e lulëzimit bajames në Kaliforni
Origjina, përhapja dhe prodhimi
            Bajamje mendohet se ka evoluar nga e njëjta bimë me pjeshkën dhe kajsinë miliona vjet më parë. Megjithëse akoma është e errët paraardhsja e bajames lloje të egra gjënden ende midis shpateve perendimore te maleve Tian Shan(Kinë) deri në Kazakistan e Iran nga ku mendohet të jetë dhe origjina e saj. Nga kjo vatër bajamia e egër si rrjedhojë e lëvizjeve nomade të popullsisë, veçanërisht me rrugën e mëndafshit është përhapur në në një territor më të gjërë, në pjesën lindore të brigjeve të Detit Mesdhe dhe Veriun e Afrikës. Në këto vende bajamia e egër spontanisht dhe sot gjëndet kryesisht afër qendrave të banuara dhe buzë rrugëve të lashtësisë. 

Origjina dhe vendet ku bajamja konsiderohet vendase, rritet spontanisht
bajamja e egër. Sipas: G. Allen & J. Haas (2000)
            Domestikimi bajames së butë mendohet të kete ndodhur 4-5 mijë vjet më parë, ndoshta edhe më herët. Eshtë nga bimët e para që është domestikuar nga njeriu. Diamond(1999) spjegon se spontanisht është çfaqur një mutacjon i bajames së egër që nuk e përmbante amigdalinën glukoside(acid prusik), lëndë e cila u jep toksicitetin frutave, këto bimë u veçuan nga kultivuesit e lashtë dhe më pas ato i mbuall në kopshtet e tyre. Bajamia e egër më parë se të domestikohej bajamia e butë duhet të jetë kultivuar e përdorur si ushqim nga njeriu duke e ngrënë të përpunuar, si të pjekur etj. (Diamond 1999). Në Greqi arkeologët kanë zbuluar farëra të bajames së egër që datojnë 5000 vjet më parë. Rreth 4000 vjet më parë bajamia e butë ishte e kultivuar pothuajse në të gjitha qytetërimet e lashta. Të dhënat e para për këtë bimë vinë nga të shkruarat në gjuhën hebreisht, persisht dhe egjyptianët e lashtë që 2000 vjet PK.
            Arkeologët kanë zbuluar në varrin e Tutankhamun në Egjiptin e lashtë, 1325 vjet PK, fruta të bajames së butë të cilat duhet të kenë ardhur nga Lindja e Afërme sepse në atë kohë në Egjypt nuk kultivoheshin bajamet. Për përhapien e bajames së zbutur persjane thuhet se Aleksandri i Madh(356- 323 PK)  me ushtarët e tij e kanë prurë në shtëpitë e tyre në Ballkan. Kjo duhet të jetë dhe koha kur bajamet e buta u kultivuan nga ballkanasit për herë të parë masivisht. Prej këtej gradualisht më pas është shpërndarë në të gjithë Mesdheun. Në vitet 600-900 bajamia pushtoi gjithë brigjet e Mesdheut deri në Spanjë e Marok. Mendohet se Romakët e kanë shpërndarë këtë bimë edhe në pjesën tjetër të Evropës, në shekullin e XVI u çfaq dhe në Angli. Që me rrugën e mëndafshit u shpërnda edhe në Kinë, Indi e më gjerë.
            Në vitet 1700 Priftërinjtë Françeskanë e shpunë bajamen në Kontinentin Amerikan por, u mbuall në vende që kishte ngrica të vona dhe dëmtohej. Një zhvillim të madh kultivimi i saj mori në vitet 1800 kur filloi të mbillej në Kaliforni në luginën e Sakramentos dhe San Joaquin. Në shekullin e XIX u krijuan llojet e bajameve guaskë hollë dhe pas vitit 2000, ose 30 vitet e fundit,  mbjellja dhe prodhimi bajames u katërfishua. Sot në Kaliforni është krijuar Industria e Bajames, 6500 fermerë kanë më se 400 mijë hektar me bajame nga të cilat përballohen të gjitha nevojat e SHBA-ve dhe furnizojnë rreth 70-80 përqind tregut botëror(878 mijë ton, viti 2013). Këta fermerë sot janë të pa konkurueshëm në botë për teknikat e kultivimit për të marrë rendimente të larta, e për rrjedhojë të kenë një efektivitetit ekonomik të lartë(një e ardhur 14-15 mijë dollarë/ha). Bajamia renditet e para në eksportet bujqësore të SHBA-ve, eksprtohet në 90 shtete si: Gjermani, Hong Kong, Japoni, Holandë, Kanada, Angli, Kinë, Indi, etj.
California Almond Almanac 2014(kliko mbi grafik për pamje më të qartë)
http://www.almonds.com/sites/default/files/content/attachments/2014_almanac_final.pdf
               Sipas të dhënave të fundit(viti 2013) në këtë industri në SHBA thuhet se bëhet fjalë për një të ardhur rreth 5,7 miliard dollarë në vit dhe ka tendecë në rritje(Almond Board of California, 2013). Për ta mbajtur, fuqizuar dhe rritur këtë industri gjigande, shteti Amerikan e subvecionon duke financuar punën kërkimore-shkencore dhe rritjen e prodhimin nga fermerët.
Plantacione me bajame në Kaliforni
            Në kontinentin australian bajamia është çfaqur ne pjesën jugore me që ka kushte të përshtatëshme për kultivimin e saj, që në fillimet e viteve 1800. Në fillim të viteve 1900 filloi te marri një hov të ri kultivimi i saj.  Që nga mesi i shekullit të kaluar kultivimi i bajames në Australi filloi te ketë një rritje të shpejtë e të formojë edhe këtu atë që quhet Industri e Bajames. Australia sot zë vendin e 2-3 të prodhimit të bajameve në botë.  Prodhimi i bajames mendohet që t’i sjellë Australisë 520 milion dollarë të ardhura në vit. Sot bajamet kultivohen kudo në botë si në Afrikën e Jugut, Amerikën Latine, etj., janë të mbjella me këtë kulturë rreth 1,8 milion ha.
Rajonet më të përmendura me kushte të përshtatëshme
mesdhetare për kultivimin e bajames sot në botë.
( sipas;  Bordit të Bjames në Kaliforni)
            Prodhimi botëror i bajames që nga viti 1961 sipas të dhënave të FAO-s ka ardhur në rritje. Sot prodhohen rreth 2 milion ton. Nga prodhuesit më të mëdhej përveç vendeve ku bajamia është autoktone si Irani, Siria, Turqia, etj., në Evropë shquhet Spanja dhe Italia.
            Për Shqipërinë FAO që nga viti 1961 nuk ka statistika në prodhimin e bajames. Nuk është raportuar nga Ministria e Bujqësisë prodhimi i bajameve. Natyrisht mendoj se duhet të ketë të dhëna por, për deri sa nuk janë raportuar shifra, prodhimi duhet të ketë qënë i pa përfillshëm si rjedhojë e nënvleftësimit të kësaj kulture. Shqipëria sipas FAO-s këto vitet e fundit importon rreth 150 ton bajame në vit.
            Shqipëria dhe i gjithë Ballkani ka kushte të përshtatëshme për kultivimin e bajames. Qeveritë duhet që ta shohin me përparësi këtë mundesi si një rezervë të madhe për zhvillimin e zonave rurale, popullimin e këtyre zonave e për të përmirësuar treguesit ekonomikë në tërësi.

Dobitë e bajames
            Bajami sot në botë ka një rëndësi të veçantë. Kultivohet kryesisht për frutin e saj, për të cilin kërkesat janë në rritje por, disa lloje përdoren edhe për zbukurime të parqeve, shëpive e  kopshteve. Druri është i fortë dhe mund të përdoret në zdrukthari, për skulptura, objekte artistike, etj. Druri bajames digjet mirë në zjarr, çliron shumë nxehtësi, mban gjat dhe ka nje erë të këndëshme në oxhaqet ose guzhinat gjat djegies. Bajamia është gjithashtu një bimë mjaltëse e mirë por ka të nevojshëm gjithashtu dhe polenizuesit. Edhe gjethet e bajames kafshët i pëlqejnë dhe i hanë.
            Fruti bajames konsumohet i thatë shpesh dhe i kripur. Bajamia haet dhe frut jeshil pa u forcuar lëvozhga. Në disa vende përdoret nga guzhinierët në restorante për të përgatitur pjata delikatese, me gusto e shumë të shijëshme(high-end dishes). Në Iran fruti jeshil shitet në rrugë i shoqëruar me krypë. Në mjekësinë popullore Sipas Hartwell (1967-1971), frutat ose vaji i bajames janë përdorur për të luftuar kancerat e ndryshëm si: të fshikëzës urinare, të gjirit, gojës, shpretkës, mitrës, etj.  Eshtë përdorur si qetësuses për nervat, për të luftuar të ftohtin, kollën, urthin, egzemat e ndryshme, plagët, spazmat, ulçerat, etj. (Duke and Wain, 1981). Ka një praktikë popullore se: konsumimi i disa kokrave të bajames të parandalon dehjen nga rakia ose vera, këte e përmend dhe Plutarku.
            Fruti i bajames ka një përdorim të gjerë në guzhinë, veçënarisht për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme si: karkanaqet, keke të ndryshme, pasta, çokollatave, biskota, akulloreve, në shumë prodhime të rostiçerive, si miell për prodhimin e disa llojeve të bukeve me shije, etj. Me bajamet përgatitet gjalpë dhe qumësht bajame me një shije të veçantë. Bajamia përdoret edhe për përgatitjen e likerërave të ndryshëm dhe pijeve komerciale sepse, u jep një aromë të veçantë. Bajamja ka përmbajte të lartë vajrash (kryesisht acid oleik). Vai i bajames përdoret në kozmetikë, nga fizio-terapistët për masazhet e lëkurës si dhe për të pastruar veglat muzikore frymore si oboe e klarinetë, në përgatitjen e medikamenteve, në kremërat, etj. Në Kaliforni lëvozhgat e bajames përdoren ushqim për blegtorinë  dhe guaskat e saj si shtresë në stallat.
            Fruti i bajames është i pasur në vlerat ushqimore si: vitamina, proteina, fibër, etj. Që nga kohët e lashta  e deri në kohët moderne, për popujt e besimeve të ndryshme bajamet kanë qenë gjithmonë një përbërës për ushqimin e pergatitur nëpër guzhina e tyre për shijen që u jep, vlerat ushqimore dhe ndikimet në përmirrësimin e shëndetit të njeriut. Mbi këto të dhëna shkenca sot po punon për ti evidentuar këto vlera. Përfitimet shëndetësore nga  bajamia sipas të dhënave të shkencës janë:
1. Parandalon infraktet e zemrës.
Dieta me bajame dhe arra, 5 ditë në javë, mundësojnë një ulje në 50 përqind të rrezikut nga ataku në zemër sepse përmirësojnë nivelin e lipideve në gjak. Lëndët flavonide që gjënden në bajame në sinergji me vitaminën E reduktojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës( Tufts Univesity).
2. Mban nivel të ulët të kolesterolit në gjak.
Sipas një studimi të kryer në Universitetin Loma Linda, Kalifori, një dietë me bajame për 4 javë bën që kolesteroli në gjak të ulet 5-7 % . Ella Haddad, DrPH, RD, një autore e studimit, nënvizon: "Një dietë me bajame mban trupin të shëndetshëm sepse mund të rritë ndjeshëm nivelet e vitaminës E dhe qarkullimin e gjakut. Vitamina E është një antioksidant i fuqishëm që mbron qelizat nga dëmtimet në dhe parandalon arterie-sklerozën oksidimi i kolesterolit."
3. Parandalon kancerin.
Prof. Ch. S. Fuchs nga  Harvard Medical School”, ka vrojtuar se një dietë me bajame ka ulur 11 përqind vdekjet nga sëmundjet kanceroze.
4. Ndihmojnë në funksionin e mirë të trurit.
Bajamet përmbajnë riboflavin dhe L-carnitine, që ndikojnë për të rritur aktivitetin e trurit gjithashtu mund të zvogëlojë rrezikun nga sëmundja e Alzheimerit. Ndihmojnë në rritjen e një nivelit të lartë intelektual dhe për jetëgjatësi.
5. Ndihmojnë në rritjen e fortësisë të kockave dhe dhëmbëve.
Përmbajtja e lartë e fosforit në frutin e bajames ndikon në fortësinë e kockave.
6. Ndihmojnë për të ulur peshën.
Përmbajta e lartë e fibrave në frutin e bajames ndikon për te mos patur një rritje në peshë. Ata që hanë dy here në javë bajame ulin mundësinë për të shtuar peshë rreth 30 përqind.
7. Bajame ndikon për të ulur rritjen e sheqerit në gjak. Bajamet nuk përmbajnë nisheshte dhe përdoren si miell për përgatitjen e biskotave dhe tortave për diabetikët.
8. Ndihmojnë për të përmirësuar alkalitetin.
Kur në trupin e njeriut nuk janë të mjaftueshme lëndët alkaline, rrezikohet nga osteoporoza, funksionon dobët sistemi imunitar, energji është e ulët dhe ka shtim të peshës trupore.
            Prodhimi i bajameve si të gjitha prodhimet e frutave të thata janë të ndjeshme të preken nga myqet Aspergyllus sp., të cilat prodhojnë një lëndë që e dëmtojnë shëndetin e njeriut, aflatoksinën. Këto infeksione mund të vinë nga toka, dëmtuesit, bajamet e infektuara, etj.  Nivelet e lejueshme të ndotjes së bajames nga aflatoksina duhet të jenë brenda parametrave dhe standarteve të lejushëm.
Pllenimi i bajames në Kaliforni 
Bima e bajames si pjesa më e madhe e bimëve, për të marrë rendimente të larta kërkon pjalmim të kryqëzuar. Bajamia në Kaliforni të SHBA-ve, Australi e ndonjë vend tjetër, është kthyer në Industri ku mirren rendimente rekord dhe  rrjedhimisht përfitohet një fitim i madh. Edhe pllenimi i saj është kthyer në një industri më vete prandaj po e trajtoj në veçanti, si dhe për të paraqitur zhvillimin e madh që ka arritur kultivimi i bajames sot në botë.
            Lulja e bajames është një lule hermafrodite(dyseksore), që përbëhet nga pistili(organi femëror me vezoren, ku kryhet pllenimi) dhe thekët(organi mashkullor që përmbajnë pjalmin) por,  për disa arsye pllenimi i bajames ashtu si edhe tek disa bimë të tjera, për një prodhim të mirë duhet që vezorja e pistilit të pllenohet me pjalmin e luleve të bimëve të tjera. Shkenca ka arritur të veçojë bimët që janë pllenuese të mira me njëra tjetrën duke i mbjellë në rreshta ose në pjesë të caktuara të ngastrave si dhe të krijojnë edhe lloje vetpllenuese por, rrezultatet kanë treguar se këto deri tani nuk janë dhe aq të kënaqëshme e të mjaftueshme për zhvillimin e Industrisë së Bajames. Me efektivitet të lartë rezulton pjalmimi i kryqëzuar që realizohet me anë të erës dhe insekteve pjalmëzuese. Një nga këto insekte që këtë punë e bën mirë, siç dihet, është bleta. Nga disa studime thuhet se në Kaliforni bleta e rrit prodhimin e bajameve mbi 3 herë ose jep një fitim të përgjithshëm në këtë industri mbi 2,3 miliard dollarë. Janë rreth 90 bimë bujqesore sot në botë në të cilat polenizimi komercial kryhet me bletë.
            Për këtë arsye pllenimi i bajameve në Kaliforni përbën ngjarjen më të madhe vjetore në botë në menaxhimin e pllenimeve në bimët bujqësore. Kjo veprimtari e përvitëshme organizohet në muain Shkurt. Bazuar në të dhënat, për të kryer mirë pllennimin në një hekar me bajame duhen 4-5 zgjoje me bletë. Sipas kësaj llogarie në Kaliforni gjat muait Shkurt për pllenimin e bajames nevoiten gjithësej 1,5 milion zgjoje bletësh. Vetë Kalifornia ka rreth 500 mijë zgjoje, pjesa tjetër rreth një milion zgjoje(gati gjysma e zgjojeve të bletëve të SHBA-së) sillet nga 49 shtete të SHBA-ve, me kamiona të mëdhej dhe trena. Ka përpjekje për të sjellë zgjoje bletësh edhe nga Australia ose shtetet e tjera me avionë.
            Për të menaxhuar drejt dhe në kohë gjithë këte aktivitet janë ngritur zyrat e menaxhimit(rreth 100 të tilla) me disa qindra agjentë të pllenimit të bimëve me bletë. Çmimi për një bletë të marrë me qera për shekullin që kaloi ka lëvizur nga 45- 80 dollarë për koshere. Vitet e fundit si rrjedhojë e shtimit të sipërfaqes së mbjellë me bajame kërkesave në rritje, ky çmim është rritur, varion nga 150-200 dollarë për një zgjua bletësh. Çmimi i një zgjua blete me qera për pjalmëzimin e bajames është 10 herë më i lartë se në bimët e tjera sepse ndihet mungesa e tyre gjat kësaj periudhe.
            Shtimi i pandërprerë i sipërfaqe së mbjellë me bajame, përqëndrimi i madh i bletëve në Kaliforni ka nxjerrë dhe probleme si për kultivuesit e bajames ashtu dhe për bletritësit. Shpesh ndodh që bletët e marra me qera nuk e kanë ushtrinë( numurin e bletëve punëtore) në stadartet e kërkuara. Një problem për kultivuesit e bajames është dhe rritja e çmimit për një zgjua blete të marrë me qera për pllenimet. Ndersa për bletritësit grumbullimi i bletëve nga i gjithe vendi bën që të përhapen sëmundjet, këto vitet e fundit bletëritësit kanë humbur shumë zgjoje bletësh. Problemet e menaxhimit dhe ato shkencore e të zhvillimit të kësaj industrie drejtohen e ndiqen nga Bordi Bajames së Kalifornisë(Almond Board of California) dhe Qëndrat Shkencore të Kërkimeve Bujqësore, Universiteti i Kalifornisë, etj.
Veçoritë botanike dhe biollogjike
            Bajamia është një bimë mesdhetare që kërkon një klimë të butë. Shkon mirë në zonën ku ritet ulliri dhe fiku deri në lartësitë 500-600 m. nga niveli detit. Kurora e bajames zakonisht është në formë piramidale, rritet deri në 8-10 m. e lartë. Jeton 70- 80 vjet por bimë të veçanta jetojnë deri në 100 vjet e më shumë. Frutifikon 4-5 vjet pas mbjelljes, në prodhim të plote hyn pas 10 vjetësh. Duron gjat dimrit temperaturat deri në -15o C. Ndërsa gjat lulëzimit temperatur nuk duhet më e ulët se 7o C. Ka sistem rrënjor të fuqishë boshtor që shkon deri në 6 m., rrënjët anësore zhvillohen më vonë të fuqishme.
            Trungu zakonisht është i drejtë, në moshë të re të bimës eshtë i lëmuar, ndërsa kur vjetërohet plasaritet dhe është i ashpër, trashësia e trungut harrin deri në 70 cm.
Gjethet janë te ngjashme me të pjeshkës, por pak më të vogla. Në pjesën e sipërme janë të lëmuara. Lulja ka 5 petla, në bajamet e egëra kanë ngjyrë të bardhë, në bajamet e buta kanë nuanca rozë, ndërsa në bajamet për zbukurime petlat janë të dyfishta. Lulet zakonisht çelin para gjethimit. Lulëzimi sipas llojeve fillon që në muain Janar e deri në muain Prill.
            Fruti përbëhet nga epikarpi që është mishtak me ngjyrë jeshile dhe me push. Në kohën e vjeljes ndahet nga kokra. Endokarpi përbëhet nga guaska e fortë në të cilën dallohen vrima dhe vjaska. Thelbi i bajames përbëhet nga dy pjesë të shkruara nga ana e jashteme. Në muajtë qershor- korrik frutat harrijnë madhësinë maksimale.

Veçoritë agroteknike
            Bajamia nuk rritet në toka argjilore, moçalishte ose me ujëra fratike të larta dhe në tokat me taban të cekët dhe me pH acid. Të përshtatëshme për bajamen janë tokat gëlqerore( me pH bazik), të lehta dhe të përshkueshme.
            Shtim I bajames bëhet me farë dhe me shartim. Mbjellja me farë ështe një mënyre e përdorur nga shqiptarët. Kosiston në mbjelljen e farës ne vendin e përhershëm. Kjo metodë jep pemë që nuk prodhojnë mirë dhe nuk kanë karakteristikat e pemës mëmë nga është marrë fara. Shpesh këto pemë shartoheshin më von.
           Llojet e bajames në Shqipëri janë të shumta por disa prej tyre janë me interes. Një nga këto bajame është Bajamia e Melçanit, që rritet në Korçë në lartësitë 600 m. Jane futur dhe llojet e huaja si: Nonparelli, Teksas, etj.  Ne Kaliforni llojet me të përhapura janë: Nonparelli(40%), Carmell, Butte, Monterey, etj. Gjat mbjelljeve te reja duhet të kihet parasysh pllenimi i kryqëzuar që do të thotë llojet e bajameve të alternohen në rreshta sipas kohës lulëzimit. 
            Sot mbjellja e bajames bëhet me fidana të shartuar në fidanishtet. Fara për nënshartesën zakonisht zgjidhet nga bajamet me guajad të fortë ose nga bajame të egra për tu përshtatur sa më mirë kushteve të tereni ku do të mbillen. Për bajamen si nënshartesë mund të shërbejé dhe pjeshka, kajsia dhe kumbulla. Fidani përgatitet për mbjellje në vendin e përhershëm për 2-3 vjet në fidanishtet.
            Mbjellja bëhet me gropa si të gjitha pemët e tjera frutore në muajtë Nëndor-Dhjetor ose Shkurt-Mars,  me pleh organik 10 -20kg/gropë e më shumë. Distanca e mbjelljes në blloqe varet nga relievi, largësia midis rreshtave8-9 m., ndërsa midis bimëve 5-7 m.
            Shërbimet agroteknike që i behen janë punimet, krasitjet dhe mbrojtjen nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Nga sëmundjet e bajames janë: gomoza, kalbëzimi i rrënjës, gjethepërdrethsja, gjethebirusja, kanceri bakterial, etj.  Ndërsa dëmtuesit e zakonshëm jane: Drungrënësi i vogël i pemëve, Brumbulli zi i pjeshkës, breshkëza e Kalifornisë, etj.
Ndaj këtyre sëmundjeve dhe dëmtuesave kryhen vrojtime dhe mirren masat mbrojtëse sipas udhëzimeve të specjalistave ose Qendrave Këshillimore.

Bajame moj zemërë


Përgatiti:

K. Mosko
Shkurt, 2015

No comments:

Post a Comment