Monday 9 May 2016

LAJTHIA (poezi)









nga Fuat Memelli

LAJTHIA
-Kushtuar Skënder Kodrës-
Një rrënjë lajthie mori
E mbështolli si fëmi
Në Uster pastaj e mbolli
Te shtëpia, përkarshi.
Ka disa vjet që bleron
Te ky qytet amerikan
Lajthia nga Arza jon'
Sjellë nga një emigrant.
U rrit ajo e hodhi shtat
Më shumë se në vend të saj
Nuk i hodhi pleh, aspak
E ushqeu,me dashuri e mall.
Nën hijen e saj pushon
Poeti që nga larg e solli
I ngjan se Arzën shikon
Sa herë që e ze malli.
Sado diçka të sjellim
Andej nga vendi jon'
Shpirtin dot s'e mbushim
Nga malli ai, pikon, pikon...
Prill, 2016

Saturday 7 May 2016

Lajthia ne mite, gojdhana dhe folklor

             Lajthia konsiderohet si një bimë vendase në Azi, Azinë e Vogël, ku dyshohet se mund të jetë dhe origjina e saj, e deri në brigjet skandinave, në Angli dhe Irlandë. Kjo bimë, sipas studimeve, ka populluar Evropën që pas periudhës së fundit të akullnajave, 7500- 5500 PK(J. Olsen-2013, etj.), pra që në periudhat Prehistorike. Në ato kohëra kokrat e saj padyshim kanë qenë një burim ushqimi për njerëzit, si dhe druri të çfrytëzohej për të bërë objekte të nevojëshme të jetës së perditëshme, veglat e punës, shtëpitë, si dru zjarri, ndërsa gjethet të shërbenin si ushqim i mirë për bagëtinë, etj..
            Duke qenë një bimë kaq shumë dobishme për mijëra vjet, lajthia ka zënë vend edhe në etnokulturën e popujve evropianë. Ajo ka qenë e vlerësuar si një bimë e shenjtë. Në mitologjitë e këtyre popujve lajthia vleresohej si "Pema e Jetës", simbolizonte: Mënçurinë, diturinë, harmoninë, ekuilibrin jetësor, urtësinë mistike, njohuritë universale, besën, është cilësuar dhe si frut i shkencës e i frymëzimit poetik.
            Mitet për lajthinë zenë fill tek popujt e lashtë Keltë, madje disa e quajnë dhe pemën e kelteve. Fiset kelte shtriheshin në Evropën Qëndrore në kufi me Ilirinë, dhe u shperndane në gjithë Evropen gjat periudhës romake gjat shekullit të VII PK,. Kjo, deri sot,  është një histori mjaft e debatuar dhe e paqartësuar mirë nga historianët. Shume autorë, keltët i bëjnë të afërt me ilirët. Profesor Çabej ka stjudjuar me kopetencë lidhjet gjuhësore midis gjuhës kelte dhe shqipes së sotme. Popujt që ndodhen në Irlandë, Uells, Skoci, dhe Bretanjë të Francës krenohen për origjinën e tyre kelte. Mitet dhe legjendat kelte për lajthinë janë shpërndarë ose kanë dhënë ndikimin e tyre edhe në mitet e legjendat e popujve të tjerë evropianë.
            Në një përrallë ose legjendë të lashtë kelte, thuhet se disa lajthi rriteshin rreth një bujane me ujë të shenjtë. Kokrrat e tyre që binin mbi ujë i hanin peshqit salmon të cilët konsideroheshin gjithashtu të shenjtë për Druidët[1]. Një mësues Druid për të fituar sa më shumë dije, kapi një nga keta peshq. Ai i tha një studenti të tij që t’a gatuante por, jo për t’a ngrënë. Ndërsa peshku po gatuehesh studenti gjat ftohjes futi gishtin tek një flluskë dhe e lëpiu. Në këtë mënyrë ai mori gjithë mençurinë e peshkut që e kishte fituar nga ngrënia kokrrave të lajthive. Ky student quhesh Fionn Mac Cumhail dhe u bë një nga udhëheqësit më heroikë të mitollogjisë kelte. Njollat e shdritëshme në trupin e peshkut salmon, sipas kësaj legjende, tregojnë se sa kokra lajthi ka ngrënë.
            Keltët dhe popujt e tjerë evropianë besonin se degët e lajthisë kishin një fuqi magjike dhe të mbronin nga gjarpërinjtë e zvaraniket e tjerë. Sipas kësaj, në se dikush do t’i duhesh të kalonte natën jashtë, para se të flinte, bënte rreth vetes një rreth me degë lajthie për t’u mbrojtur. Nga disa popuj evropianë ka qenë si traditë vendosja e një kurore me degë lajthie rreth kokës, sepse besonin që kjo do të bënte të realizoheshin dëshirat e tyre. Shkopinj me degë lajthie nga mjeshtrat popullorë, janë përdorur për të kërkuar ujë. Kjo përdoret ende sot nga disa njerez edhe në Shqiperi, për të përcaktuar se ku duhet të hapen puset e ujit. Shpesh nga disa, këta shkopinj përdoren edhe për të kërkuar minerale të ndryshme, thesare, madje deri për të përcaktuar e zbuluar edhe armiqtë e kriminelët. Një kokër lajthi në xhep të mbronte nga magjitë dhe magjistarët. Një qese lajthi e varur tek porta do të të mbronte nga të këqiat dhe tregonte se ishte një familje në nevojë apo që kërkonte mbrojtje.
            Lajthia nga disa popuj evropianë vleresohej si një bimë që të mbronte nga rrufetë dhe breshëri. Barinjtë kurorën e lajthisë apo lajthishtat i konsideronin si një strehë të sigurtë gjat stuhive. Lajthia përmendet edhe si një simbol i besnikërisë bashkëshortore. Një vajzë për ta patur besnik burrin e saj e godiste tre herë në prapanicë me një degë lajthie, etj..
            Edhe gjatë periudhës së Antikitetit bima e lajthisë është konsideruar si një simbol i dijes dhe urtësisë, kokrat e saj simbolizonin mençurinë. Në mitologjinë skandinave përshkruhet si “Pema e Dijes” dhe ishte e shenjtë për Thor[2]; tek grekët e lashtë Hermesi që konsiderohej si personifikim i inteligjences e konsideronte këtë bime të shenjtë. Thuhet se dhe shkopi magjik i tij mund të ishte bërë prej drurit të lajthisë. Për romakët kjo bimë mbahej si e shenjtë nga Mërkuri, që i ngjante Hermesit grek.
            Evropianët kanë dhe një ditë e cila festohet në 20 gusht, quhet dita e Shën Filbertit(The feast day of St. Philbert), është një Shenjt francez . Kjo ditë përkon me pikun e vjeljes së lajthive dhe shpesh sot ka marrë kuptimin si “Shën Lajthia”. Edhe gjat festimit të festës së Shën Gjergjit, degë lajthie vendosen në portat, ahuret e bagëtisë, etj. për begati e mbarësi.
            Shpesh në gjuhën shqipe për një njeri me zhvillim jo normal mendor, ose të vuajë menderisht për shkak të një ngjarje të rëndë që ka kaluar, ka një shprehje ku thuhet: “Një kokërr lajthie është e shkreta, i ka shkajtur”, ose “ai njeri ka lajthitur”, “është i lajthitur”, “kjo është lajthitje”, etj.  Fjala “lajthitur” përdoret shpesh edhe kur gjërat janë rrëmujë ose nuk janë në vendin e tyre sipas një regulli, si edhe për një llogari të gabuar.
            Në trevat e Jugut të Shqipërisë edhe sot këndohet një këngë e çuditëshme, do të thoja, për fabulën e saj. Në këtë këngë “lulja”, mendoj se simbolizon një vashëzë që i ka robëruar zemrën një djali, përsëritja dy herë “lule moj lule”, tregon njëherazi dhe besnikërinë e djalit ndaj saj. Ja si thuhet në vargjet e saj:
O, çoku do vete, lule moj lule.
Larg e ne kurbete, lule moj lule!
Diç do të të bie, lule moj lule!
Një degë lajthie, lule moj lule!
Mbyllur në kutie, lule moj lule!

Sa herë që ta shikosh, lule moj lule
Mua të më kujtosh, lule moj lule
Sa herë që ta soditësh, lule moj lule
Mua të më silloisësh, lule moj lule.
            Thashë më lart “një këngë e çuditeshme” deri mistike për fabulën e saj,  sepse, Shqipëria është e mbushur fund e krye me lajthi, ndërsa në këtë këngë thuhet se: kurbetlliu do t’i dhurojë lules “një degë lajthi”, ose në variante të tjera të kësaj kënge thuhet, “një kokër lajthi” !? Normalisht po t’ja thuash çdo shqiptari këtë do të qeshi. Lajthia si bimë nga shqiptarët  në asnjë rrast nuk është adhuruar, përdorur ose mbjellë si lule apo si bimë zbukuruese, madje edhe nga asnjë popull tjetër. Mirëpo me këngën nuk qesh njeri, kjo këngë të fut në mendime. Autori popullor pëshkruan se “lules” së tij, me që do të largohet në kurbet,  do ti dhurojë një degë apo një kokër lajthi brenda në kuti! Lajthia pothuajse për të gjithë popujt, siç e përshkruajta më lart, ka simbolizuar mënçurinë, diturinë, besën e besnikërinë bashkëshortore, shkencën. Pra, dhe autori anonim, ndoshta është një djalë që shkon për studime larg vendit, ose thjesht një kurbetlli për të fituar pikërisht këtë ka dashur të tregojë.
            Në periudhën Otomane djali mund të ishte një  mërgimtar ushtarak(nizam), i martuar, i fejuar apo thjesht ka lidhur besën me “lulen”, me dhimbje detyrohet të ndahet përkohësisht, ndoshta për një kohë të gjatë,  por i premton besnikëri  prandaj i dhuron lajthinë, dhe sa herë “lulja” ta shikojë, ta kujtojë e ta mendojë(silloisi), dhe ta presi e ti qëndrojë dhe ajo besnike sikundër i premton. Në një variant të kësaj kënge thuhet:
“Në e nxjerç tek dera, mos ta marrë era
Në e nxjerç tek porta, mos ta marrë bota..”
Ndothte që djali të mos kthehesh nga nizami por besnikërinë e tij ndaj “lules” e mbante përtej vdekjes.. Në tekstin e një kënge rrënqethëse të një ushtari të vrarë diku “përtej Urës së Qabesë” amaneti i tij i fundit që i jep shokut të vet ishte:
Të fala m’i bëj nënesë,
Të dy qet e zez ti shesë,
Ti japë nigja së resë!
            Këto janë disa fakte se edhe për shqiptarët apo paraardhesit e tyre, lajthia simbolizonte mençurinë, besën, dijen, zhvillimin. Natyrisht që këto janë objekte edhe të gjuhëtareve, gjuhësisë historike, folkloristave, etj. por, për historigrafinë bimore janë argumenta të mjaftueshme, është shtrati që këto fjalë apo shprehje të  gjuhës shqipe të kenë lidhje me lajthinë.
            Ka dhe disa fjalë të urta tek shqiptarët si: “Ujku dhe dhia nuk rrinë bashkë tek lajthia” ose “Namin si lajthia, dhunën sa shtëpia”. Këto thënie mendoj se nuk kanë lidhje me mençurinë por, tregojnë lidhjen e ngushtë të shqiptarëve me këtë bimë.


Etimologji, onomastikë
            Lajthia në gjuhën shkencore ose latinisht quhet Coryllus avellana. Ky emër i është vendosur nga K. Line(1707-1778). Coryllus vjen nga fjala greke korys(κράνος) që do të thotë përkrenare ose kukule, kaçule(mbrojtëse e kokës). Ndërsa fjala avellana rrjedh nga qyteti “Abellina”  ndoshta Damasku i sotëm i Sirisë. Ka mendime se mund të jete dhe qyteti Avellino në Itali sepse ne shekullin e 17-te ka qenë një qendër e kultivimit të lajthisë.
            Në gjuhën shqipe fjala lajthi përmendet nga Buzuku(1555). Një pjesë e gjuhëtareve të huaj mendojnë se kjo fjalë rjedh nga gjuhët sllave. Profesor E. Çabej duke u mbështetur në të folmen e shqiptarëve të Borgo Èrizzo në Kroaci mendon se kjo fjalë rrjedh nga fjala shqip lak(lakthi). Druri i lajthisë ka veti që të lakohet kollaj pa u thyer. Ndoshta edhe për faktin se shpesh tek lajthishtat ngriheshin zakonisht laqet(lak-laqe) për të zënë kafshët e egra të pyjeve. Lajthishtat janë vendstrehim i lakmueshëm për shumë lloje kafshësh e shpendësh të egra.
            Tek shqiptarët gjëndet shpesh edhe si patronim(mbiemër), “Lajthia”. Gjëndet  edhe në mikrotoponime të shumta si “Lajthitë”, “Lajthia”, “Lajthiza”, etj. Janë  tre fshatra me emërin “Lajthizë”në Shqipëri: në Korçë, Mirditë, Pukë.





[1] Druidët ishin një elitë intelektuale e kelteve të lashtë që për simbol kishin lisin ose disa pemë të tjere, të ngjashme me priftëreshat e Dodonës së lashtë, apo dhe Zanat e malit në mitologjinë shqiptare.
[2] Në mitologjinë skandinave madje dhe gjermane Parakristiane,  Thor përfaqeson Zotin e bubullimës, vetëtimës, stuhive, pemës së lisit, forcën dhe mbrojtjen e njerezve, si dhe të kish fuqi shëruese, etj.