Saturday 24 May 2014

Zakone dhe tradita hortikulturale në dasmat lunxhiote

Krahina e Lunxhërisë është shquar për kultivimin e pemëve që në thellësi të shekujve. Vetë fjala “Lunxhëri” sipas Pukvilit[1] do të thotë “tokë e pyjeve”. Bazuar në këtë konstatim, ky toponim duhet të rrjedhi nga fjalët “Luxuri” apo “Luxuria” që në gjuhën latine apo frënge do të thotë: “Një vend i begatë e i përshtatëshëm për të jetuar, ku rriten harlisur pemët dhe bimët të cilat kanë një vegjetim të bujshëm e intesiv”. Ky toponim i lashtë tregon se Lunxhëria ka qenë një tokë e begatë, e begatuar nga vetë banorët, sepse po të mendosh se emërin ja kanë dhënë pyjet, pyje ka edhe më të mëdhej në vende të tjera, madje në malin e Lunxhërisë pyjet shtrihen në njolla të kufizuara. Kjo begati e kësaj toke mund të jetë edhe një nga arsyet që e kanë shtyrë Pirron e Epirit në shek III per., të zgjedhi Lunxhërinë për të ndërtuar qytetin e bukur antik të Antigonesë për gruan e tij Antigona.
Një mozaik në qytetin antik të Antigonesë ku në pamje të parë dallohet një fidan i mbjellë rishtaz. Historianët kumtojnë se ka qënë një qender e rëndësishme dhe zona për rreth saj ka patur një bujqësi të zhvilluar.

            Siç tregon dhe historia tragjike e qytetit antik të Antigonesë, shqiptarët në këto 2000 vjetët e fundit nuk i kanë lënë të ushtrojne në paqe e liri veprimtarinë e tyre. Okupatorët e shumtë që i kanë lakmuar këto troje, përmes luftërave  shkatërimtare i kanë shtypur, rënuar, djegur e plaçkitur. Shpesh banorët janë detyruar me dhimbje që ta lenë këtë tokë të bekuar si dhe vatrat e tyre, por kultivimin e pemëve frutore kurrësesi, ata këtë veprimtari e kanë ushtruar kudo që rrethanat i kanë detyruar të jetojnë. Që nga koha e Bizantit lunxhotët janë shquar si kopshtarë, apo bahçevanë të zotë. Në Perandorinë Osmane ata ishin nga bahçevanët më të mirë të Stambollit[2]
            Në Lunxhëri dhe në zonat për rreth, janë selektuar disa ekotipe ose klone pemësh frutore me vlera të veçanta e unike për nga shija dhe vlerat ushqimore, të cilat janë si rezultat i një përkushtimi mjeshtëror. Këto lloje, mendoj se duhet të jenë në vëmendjen e specjalistave të frutikulturës dhe të vetë banorëve të cilët mirren me këtë aktivitet. Mund të përmendim: fiku i “shkruar” i zi, ose i plasaritur i lunxhit, Mani i zi i lunxhit, arrët e lunxhit, shega e ëmbël e lunxhit, llojet e shumta të rrushit si rrazakitë, debina e puleza, dardhët e shumëllojëshme aromatike të Labovës e të Suhës, ftonjtë e lunxhit erëmirë, qershitë “belicë” të lunxhit e deri tek thanët e shumë të tjera, që nga banorët e vjetër lunxhiotë dhe qytetarët gjirokastritë që i konsumonin ende mbahen mend e i kujtojnë me nostalgji.
            Luxhotët shquhen po kaq kultivues të mirë të perimeve. Lloje të zgjedhura nga bahçevanët mjeshtra, janë nga më të shijeshmet në treg. Mbahen mend bostanet(pjepër, shalqi) dhe qepët e Suhës, domatet e Labovës së Kryqit dhe te Dhoksatit, erëzat e shumëllojëshme e të veçanta, specat, patëllxhanet dhe bamjet me vlera unike, barbunjat karakteritike plot shije të lunxhit, etj.
            Ky aktivitet i kryer me dashuri e pershkushtim shekuj me radhë nga shumë breza, natyrisht që është pasqyruar edhe në kulturën popullore, folklor, doke e zakone. Një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e çdo njeriu është martesa. Në ceremonitë e dasmave nëpërmjet artit të popullit, në këngët dhe ritualet është sintetizuar, derdhur e skalitur mjeshterisht dashuria për jetën dhe veprimtaria e tyre reale, e përditëshme. Në Lunxhëri në dasma apo gezime frutat janë element thelbësor i gostive apo i këngëve që këndohen, por krahas kësaj ka dhe disa zakone e rituale të veçanta që tregojnë më së miri se sa të lidhur ngushtë janë këta njerëz me pemët dhe frutat e tyre, sa paqësorë sillen me to dhe mjedisin që i rrethon. Mënyrat si çfaqen, si kryhen këto zakone në dasma, sa të natyrëshme e njerëzore, sa të arira artistikisht, sa të mbështetura shkencërisht të lenë pa fjalë. Populli vlerat e tij kulturore i ka ruajtur, trasmetuar e konservuar brez pas brezi, nuk ja zhbënë dot okupatorët shekullorë, as dhe Diktatura që këto rituale çuditërisht i quante “zakone prapanike mikroborgjeze”. Le ti shohim se si kryheshin apo ndoshta diku kryhen edhe sot këto rituale.

Këmbimi plloskës me verë.
(Rit nga dita e dasmës në Lunxhëri)

Në krahinën e Lunxhërisë këmbimi i plloskës me verë ditën e dasmës, midis familjes së dhëndrit dhe asaj të nuses, përbën një rit popullor të veçantë dhe unik nga përmbajtja që meriton vëmendje. Ky rit i
Dy plloska vere, punim artistik.
çuditëshëm, domethënës  e kuptimplotë nuk dihet me saktësi ku zë fill, por duhet të jetë një rit pagan i ardhur nga lashtësitë e i transmetuar me besnikëri ndërmjet shumë breza shqiptarësh, deri në ditët tona. Në gjysmën e parë të shekullit XX, nuk kishte dasmë lunxhiote ku të mos zhvillohej ky rit i veçantë. Gjatë periudhës së Diktaturës, shumë zakone e tradita popullore u lanë pas dore, ose për disa u quajtën “zakone prapanike”, prandaj përdorej edhe më rrallë. Në ditët tona në fshatrat e Lunxhërisë, në disa dasma, ky rit vazhdon të kryhet ende me solemnitet. Plloska në fshatin tonë thirresh “fllackë” ndërsa në disa fshatra të tjera të Lunxhërisë “cicë”.
            Plloskat e verës bëheshin me dru të veçantë si lis, arrë, bli, panjë, etj. dhe punoheshin me kujdes e me finesë nga mjeshtrat popullorë të krahinës ose dhe të zonave për rreth. Në to, shpesh gdhëndeshin  zbukurime, ku dallohej shqiponja dykrenore, vilet e rrushit, fruta pemësh, lule, etj. Rrypi mbajtës i saj mund të ishte prej meshini specjal, ose një rryp apo gajtan i trashe mëndafshi shumgjyrësh. Nuk mund të them se çdo familje e kishte një plloskë të tillë, por çdo fshat kishte disa të tilla dhe ata që nuk kishin e huazonin për ditën e dasmës. Këto plloskat mbaheshin nga të zotët në shtëpi të varura në mur në  vende të dukshëme, rëndom nuk shërbenin për përdorim të përditshëm. Kur afronte dita e dasmës, plloska lahej e pastrohej me kujdes, sepse duhej të shkëlqente, të ishte vërtet e mirë.
            Rëndësi të veçantë i kushtohej cilësisë së verës. Kur vera prodhohej në familje, zgjidhej më e mira,  “për sebep” thuhej, dhe ruhej me kujdes në qilar apo thollo[1], së bashku me verën tjetër për ta pirë në dasëm. Shpesh ky rit në dasma shërbente, ose ishte një rast për të ekspozuar mjeshtërinë e bërjes së verës. Kur familjet dasmore nuk bënin verë, e blinin, por gjithmonë verë të cilësisë së mirë, “brusko”, të kuqe dhe të trashë”. Kjo verë është ta përsheshësh me bukë”, thuhej për verën që zgjidhnin, duke mos lënë pa përmendur edhe emërin e vlerat mjeshtërore të verëbërsit nga ku e blinin, ose pse jo dhe atë që e kish dhuruar, shpesh të afërmit. Në dasmat lunxhiote të afërmit çonin si dhurata për dasëmën: dru zjarri, bukë bogaçe, ndonje bagëti për ta therur, por dhe një kanë ose plloskë me verë cilësore, nga të cilat zgjidhej më e mira.
            Plloskat për ditën e dasmës zbukuroheshin me kordele mëndafshi shumëngjyrëshe, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe të cilat lidheshin në mbajtësen, rrypin. Përgatitja e plloskës së verës ishte një nga punët e dasmës dhe kryhej në kujdesin e të zotit të shtëpisë ose nga vëllezërit e tij, ditën e dasmës ose disa ditë më parë.
            Ndërrimi i plloskës me verë bëhej nga vëllamërit ditën e dasmës, të cilët mund të ishin një nga vëllezërit e nuses dhe të dhëndrit, por nuk përjashtohej edhe ndonjë kushëri ose i afërm. Zgjidhej më i shkathëti, më trimi, më besniku, i cili duhej të zgjidhte në dasmë situata të vështira, të ishte edhe kalorës i mirë. Vëllamërit ishin mbrojtësit deri në vdekje të nuses apo të dhëndrit. Flitej, se ata  mund të vriteshin midis tyre, kur gjërat nuk shkonin mirë gjatë dasmës. Një situatë të vështirë të cilën e zgjidhi vëllami, në këtë rast ishte vëllai i madh i dhëndrit, e ka pershkruar Koço Vasili në librin e tij “Dasma Lunxhote”, ai e përshkruan kështu:
Zakoni e do që para se nusja të dali nga shtëpia e saj, vëllami duhet ti veshi nuses një palë këpucë të reja, dhuratë nga dhëndri. Në rastin në fjalë kohët ishin të vështira,  kohë luftrash e skamjesh, familja e dhëndrit qe e varfër dhe këpucet i kish marrë hua. Njerëzit e nuses e kuptuan dhe nuk dëshironin që nusja të vishte ato këpucë, po bëhej një zhurmë e madhe. Vëllami u ndodh në një situatë të keqe. Të gjithë ishin të nevrikosur. Çfar të bënte!? I erdhi në mendje se ishin rritur jetim, dhe ja mori këngës:
“Pashmaqet[2] që të dërgova
Vishi moj për hatrin tim”.
U vendos një qetësi e madhe. Njerzit e nuses u habitën, por vëllami vazhdoi:
“Vishi moj për hatrin tim
Se jam rriturë jetim…”
U tund divani nga kënga e vëllamit, po këndonin të dy palët, dasma vazhdoi.[3]
            Vëllamin e palës së dhëndrit e quanin dhe “Siariar”, sillte sihariqin-lajmin se dasma po vazhdon mirë. Ndërsa partneri me të cilin ndërronte plloskën me verë nga ana e vajzës, quhej vëllam. Në një dasmë më kujtohet se, kur erdhi siariari në sheshin afër shtëpisë së nuses, bëri “shfaqje” me kalin e tij., duke kryer disa rrotullime dhe hedhje përpjetë, për të na treguar se kalëronte mirë.
            Ditën e diel, që në mëngjes herët, në shtëpinë e nuses dhe të dhëndrit, krahas përgatitjeve të tjera për dasmën, bëheshin gati edhe siariari e vëllami. Visheshin me rrobat më të mira, jo rrallë edhe me veshje popullore dhe të mbanin armë me vete. Po kështu, behej gati edhe kali; vendosej shala, freri, yzengjitë, kashaisej e pastrohej, vendoseshin velenxa të bukura me flokë mbi shalën, etj. Në qafën e kalit vendosej një rrip i gjerë me karkale, zile të vogla, që kur tundëte kokën, bënin një lloj tringëllimi të veçantë. Kujdes tregohej edhe për ushqimin e kalit, me tagji të zgjedhur dhe bar të thatë. Nga disa thuhet se ndërmin e plloskës me verë vëllamërit e kryenin në të hyrë të fshatit hipur mbi kalë, ose në mesin e rrugës ndërmjet dy shtëpive, kur dy familjet në krushqi ishin brenda fshatit. Por le të përshkruajmë kur këto ndëroheshin tek porta e shtëpisë së nuses, ashtu siç e kam përjetuar si dhe kryhet ende sot.
            Në shtëpinë e nuses, kur afronte ora e paracaktuar, siariari pritej nga çasti në çast. Fëmijët, nën drejtimin e ndonjë të rrituri, dilnin tek porta dhe vrojtonin. Me ta diktuar që po afrohej, shkonin brenda në shtëpi me vrap duke thirrur:
- "erdhi, erdhi, erdhi". Shpesh me të marrë këtë lajm një i autorizuar nga i zoti shtëpisë gjuante dhe me pushkë, që donte të thoshte të trashëgohet çifti, ashtu siç bëhej edhe gjat fejesës. Ndërsa grupi këngëtarëve të fisit “mirrënin zjarr” nga që punët e dasmës po shkonin mirë. Aty ku ishin: në divan, çardak apo oborr, mblidheshin e ja fillonin këngës:
Këndon një birbil në portë,
Mbani vesh se ç’këngë thotë:
I zoti shtëpisë rroftë
Dhe vajza ju trashëgoftë.
I zoti kësaj shtëpie
Bën dasmë siç i ka hije
Mu si dielli kur bie…
            Për të pritur siariarin, nga ana e vajzës, tek porta e jashtëme e shtëpisë, dilnin vëllezërit apo disa kushëri si dhe vëllami i nuses me plloskën e verës. Siariari, në disa raste zbriste nga kali përpara portës dhe i binte derës me çokun që kishte porta. – Urdhëroni, urdhëroni- përgjigjeshin njëzëri njerëzit e nuses që kishin dalë për ta pritur. Por, zakonisht siariari këmbimin e plloskës me verë e bënte hipur mbi kalë.
Vëllami i nuses, i shoqëruar edhe nga të tjerë; mbasi përshëndeteshin, këmbenin një shami shumëngjyrëshe, që duhej ta dorëzonin të dy në të njëjtën kohe. Po ta mirrte njëri më përpara, do të thuhej se "i a hodhi", ose “fisi ynë është më i zoti". Flitet se për këtë janë bërë edhe grindje, deri në prishjen e dasmës. Duhej bërë çmos, që shamitë të këmbeheshin në të njëjtën kohë. Në disa raste shamia këmbehej së toku, e lidhur tek plloska, pra ndërrohej në të njëjtën kohë, shamia dhe plloska. Kur është martuar motra, rreth viteve 1960, unë e kam kryer këtë rol. Atëherë isha 10 vjeç dhe me porositnin "se mos ta merr"; isha i përqëndruar i gjithi në atë veprim, që të dilte mirë.
            Në disa raste, si në fshatin Labove e Kryqit, shamia dhe plloska nuk ndërrohej tek porta e shtëpisë, por vjehrra e dhëndrit ose gjyshja e nuses, më e madhja në moshë, kur siariari hynte në shtëpinë e vajzës dhe gostitej, i vinte një shami në qafë. Plloska e verës zbazesh  dhe në të hidhesh vera e familjes së nuses. Tani, siariarit i bëheshin dy shami sepse një të tillë rreth qafës, e kishte qysh kur ishte nisur nga shtëpia e dhëndrit.
            Siariari mbas ndërrimit të plloskes së verës mund të hynte ose jo në shtëpinë e nuses, varej nga koha ne dispozicjon. Në qoftë se do të vendoste të bënte një vizitë, në shoqërimin e vëllamit të nuses dhe dasmorëve të tjerë, siariari hynte në shtëpinë e nuses ku e presin me nderime e respekt të madh. Ne rastet kur ishe i armatosur, njëri nga familjarët i merrte armën, për ta vendosur në vend të sigurt, një tjetër merrte kalin për ta strehuar dhe ushqyer. Siariari gostitej me gliko, raki, etj.
            Në rrastet e krushqive me fshatra të tjerë, kur krushqit afroheshin afër fshatit të nuses, në një hije pranë ndonjë burimi bënin një pushim, ndërkohë siarjari nisesh për në shtëpinë e nuses. Krushqit kryenin sherbimet e rrastit si ndonje pastrim e tualetet e rrastit dhe me padurim prisnin siariarin. Në çdo rast, siariari duhet të programonte kohën për të shkuar në afatin e paracaktuar tek pala e nuses, të kthehej e të lajmëronte krushqit që ishin nisur për të marrë nusen se gjithçka është në rregull, se plloskat me verë u ndërruan, se dasma vazhdon më së miri. Shpesh, krushqit që ishin nisur për të marrë nusen, plloskën me verë që sillte siariari, e kalonin buzë më buzë duke bërë ngjërimin e verës dhe në këto raste nuk mungonin lëvdatat për verën cilësore.  Krushqit, ku i printe siarjari vazhdonin pjesën e rrugës së mbetur deri tek shtëpia e nuses, sepse duhet të ishin atje në orën e paracaktuar. Çdo gjë ishte programuar deri në detaj sepse nusja duhet të hynte në shtëpinë e dhëndrit para perëndimit të diellit.
            Çfarë na paraqet ky rit i veçantë në dasmat tona? Ndoshta përbën një objekt studimi per antropologët dhe etnografët. Diku thuhet e shkruhet se ndërrimi i shamisë nënkupton shenjat e fisit, ndërsa ndërrimi i verës nënkupton se "u përzie gjaku, për të fuqizuar krushqinë". Lidhur me këtë, dëshiroj të plotësoj nga pikëpamja agronomike. Këmbimi i plloskës me verë përbën një rit të lashtë shqiptar që dëshmon më së miri se selitja e hardhive dhe mjeshtëria e bërjes së verës, kanë qenë veprimtari të rëndësishme dhe jetësore për të parët tanë.
Dasma e Gaqe Mihalit nga Krina në vitin 1931. Vargun e krushqëve e prijne sazexhinjtë dhe hipur në kalë siarjari, Siko Qurku, i veshur me kostumin popullor të krahinës.




[1] Thollo-Kështu e quanim qilarin ku ruanin verërat. Një pjesëz e shtëpisë pothuajse ndënë sipërfaqen e tokës.  Mendoj se vjen nga fjala shqip “e thellë”
[2] Pashmaqe – sandale ose shapka
[3] “Dasma Lunxhote” , Koço Vasili – “Ärgjiro”  Gjirokastër, 2013

Frutat, dhurata të nuseve.

            Sipas një rituali zakonor të dasmës lunxhote nusja e shoqëruar nga krushqit kur arrinte në shtëpinë e dhëndrit në oborr, para se ta zbrisnin nga kali, sipas një radhe, i vendoseshin në prehër 2-3 fëmijë të vegjël që duhet të kishin nënë e baba. Proferoheshin djemtë. Mund të ishin fëmijët e të  afermëve të dhëndrit. Fëmijët, nusja i përkëdhelte, i puthte dhe u vendoste në duar karamele dhe fruta, që mund të ishin: një kokërr mollë, ftua, dardhë, pjeshkë, etj. Më kujtohet se kur isha fëmijë i kam shijuar edhe unë frutat e nuseve të fisit tim. Natyrisht që këto fruta duhesh të ishin nga më të zgjedhurat e të thuheshin fjalë të mira për to, ndryshe do ta shanin. Pasi nusja e kryente këtë zakon, e zbrisnin nga kali sipas një rituali të veçantë. Në disa rraste, ishte zakon që nusja duhej të hynte në shtëpinë e dhëndrit dhe në dhomën e saj duke mbajtur në duar një nga këto fruta. Pëlqeheshin ftonjtë. Frutat që binte nusja mund  t’i  ndante me dhëndrin apo dhe me pjestarët e tjerë të familjes së dhëndrit, por ndodhte dhe jo. Ftonjtë nuset i vendosnin edhe në sëndukun e pajës së tyre për t’i dhënë erë të mirë rrobave.

Ftesa për “Pemët e nuses”

            Ky ritual kryhet në shtëpinë e dhëndrit të hënën në darkë. Sipas këtij zakoni të afërmit dhe miqtë e dhëndrit mblidhen në divanin e shtëpisë “Për pemët e nuses”. Marrin pjesë familjarët dhe të afërmit e dhëndrit si dhe fqinjët e të ftuar nga mëhalla në dasëm, të cilët riftoheshin përsëri nga familja e dhëndrit me “ftesën me gojë”:
-“Jeni të ftuar sonte në darkë për pemët e nuses”. Ky zakon është shumë i vjetër, kryhej në fillim të shekullit të kaluar, edhe pse mund të kryhet ende tek-tuk nga disa familje, diku ndoshta sipas traditës, diku është tjetërsuar e diku është harruar e nuk bëhet fare.
            Për këtë ditë, një varjant interesant më tregoi një miku im nga Korça, kur kujton vitet e fëmijërisë së tij. Pas dasmës nga njerëzit e nuses, të hënën mbrëma  thuhesh: “Do të shkojmë me pemë tek dhëndri”, dhe shkonin me frutat më të mira. Një varjant i tillë pak a shumë haset dhe në Labovën e Kryqit. Ndërsa Koço Vasili tek libri tij “Dasma Lunxhote” thotë se  “Darkën Lejmonicat, ku ndahen pemët e nuses” pjesëmarrësit, pa përmendur të afërmit e nuses, do të sillnin si dhuratë: arrë, bajame, lajthi, fiq, shegë, ftonj, molle dardhë, pjeshkë etj., por edhe qepë, presh, hudhra, apo ndonjë kok lakër, për të bërë ndonjë shaka. Në një sofër ku mund të ishte vendosur një sini e madhe, të ftuarit mblidheshin rreth saj duke vënë mbi të peshqeshet e mbështjella që kishin sjellë dhe ja fillonin një kënge:
Lenica, lejmonica,
Ngreu mëmë arhondica,
Bjerna pemë e mastopita,
T’i krrejë nusja këto,
Të na i japësh motër-o
Që të trashëgohesh-o…etj.
            Ndërkohë vjehra me nusen mbushnin sininë me fruta të shumta e nga më të mirat e shtëpisë së tyre dhe të dhuruara nga të ftuarit, si dhe ëmbëlsira e ndonjë gotë raki apo verë. Ndarja e frutave për pjestarët e gostisë bëheshin me ankand, kush hidhte më shumë lekë në sini, lekët e ankandit i mirrëte nusja. Nga personi që fitonte ankandin, hapeshin edhe peshqeshet e mbështjella të sjella nga të ftuarit. Shpërthenin të qeshurat kur dilte një presh, hudhër, kokë lakër, etj. Në këto dhurata shpesh ndodhte që të ishin perime ku përmasat ishin të mëdha, ose me një cilësi tjetër të veçantë, për të nxitur debatet e të qeshurat, por edhe për t’u treguar pjesmarrësve se ishin mjeshtra të kultivimit të tyre. Këndohesh e bëheshin shakara, kur ndonjeri i lodhur nga punët e dasmës, mosha e rakia, mbështetej pak në një minder, pjesmarrresit i këndonin:
Ngreu dajko Nase ngreu
Se nusja pemët i kreu
Po ty gjumi të rëmbeu..etj.
            Pas shumë këngësh, shakara, madje dhe vallesh, aty afër fundit të kësaj gostie, nga të ftuarit këndohej kënga:
Kjo sinia veseli, moj veseli,
Me fruta(pemë) lloi-lloi, moj veseli…etj.
            Në këte ceremoni secili binte frutat më të mira dhe  mund të quhej një panair apo ekspozite e vërtetë frutash, ku ekspozoheshin e shijoheshin. Ai që kishte frutat më të mira, mirte dhe komplimentat e rastit. Në ato gosti, shpesh debatohej gjat për vlerat apo për historinë e një molle, fiku, rrushi, dardhe të mirë me vlera të veçanta. Ndonjë pjesmarrës, i joshur pas këtyre frutave, vendoste qysh në këtë gosti  për mbjelljet e reja të pemëve. Këtu mbarojnë ceremonitë dhe ritualet e dasmës, por jo zakonet e traditat lunxhiote.


Një kanistër me fruta marrë nga një pikturë në vaj të piktorit të famshëm italian 
Michelangelo Merisi da Caravaggio(1571-1610)”Djali me shportë frutash”


Ftesa nga të afërmit e dhëndrit e të nuses “për pemë”

            Një tjetër zakon që kryet pas dasmës ështe dhe ai i  ftesës për pemë” të dhëndrit dhe nuses të sapo martuar nga të afërmit e tyre. Ky rit fillonte që në javët e para pas dasmës dhe vazhdonte normalisht për 3-6 muaj. Një përshkrim shumë të bukur këtij zakoni i bën Koço Vasili në librin e tij “Dasma Lunxhote” f. 239.[3] Ky zakon në fshatra por dhe qytete kryhet edhe sot, por me disa ndryshime e thjeshtëzime, dhe jo në ato përmasa që kryhej në fillimet e shekullit të kaluar.
            Në një nga ditët e javëve të pas dasmës, çifti i ri do të ftohesh nga të afërmit: xhaxhallarët, dajoret, hallat, tezet, kushërinjtë por dhe ndonjë mik i ngushtë e i veçantë i familjes së dhëndrit. Këto familje do ta ftonin çiftin e ri për vizitë “për ti hapur rrugën nuses”. Ftesa bëhej me gojë. Zakonisht në familjen e dhëndërit, dërgohej një fëmijë i cili bënte këtë ftesë:
- “Më tha babai(ose mëma) se ditën e ..(thuhesh dita e caktuar) pas dite, çifti(thuhesh emëri i dhëndrit dhe i nuses) janë të ftuar për pemë nga ne
            Dhëndëri me nusen të veshur më së miri, por jo me kostume popullore, shkonin në orën e caktuar, mund të mirrnin me vete dhe ndonjë pjestar të familjes, fëmijë ose dhe të rritur. Familja që i ftonte, përgatiste trapezin me fruta nga më të mirat të freskëta dhe të thata, por dhe ëmbëlsira si: petulla, asullde deri dhe dhiplë. Familja që bënte gostinë mund të ftonte dhe disa njerrëz të afërm të fisit.
            Pasi zinin vendet, të gjithë pjesmarrësit në gosti, në odanë më të mirë, në krye zinte vend çifti i ri, ndërsa trapezi me fruta e ëmbëlsira u vendosej sa më afër. Nusja me dhëndrin e të gjithë të tjerët, qeraseshin me gliko, llokume, amareta, etj., ku nuk mungonte dhe ndonjë gotë raki apo verë. Nuses i krijohej një mjedis i ngrohtë miqësor dhe i prezantoheshin me rradhë të gjithë pjestarët e familjes, kur nuk kishin njohje. Në këtë mënyrë haej e piej për disa orë. Ndodhte që të këndohej apo të hidhej valle, kur bëheshin shumë të ftuar. Bisedohej për fshatin, si shkoi dasma, për cilësinë e frutave, bëheshin shakara, etj. Jo rrallë ndodhëte që çifti i ri shoqëruar nga pjestarët e familjes, të vizitonin vreshtin, pemët frutore, apo dhe kopshtet me perime e të dilnin edhe në lëmë. Pas kësaj vizite, nusja e kishte rrugën të hapur, e mund të vinte pa ndrojtje në këtë familje.
            Ftesa e gostira të tilla bëheshin edhe nga ana e të afërmëve të nuses. K. Vasili për këtë zakon thotë: “Le të mendojmë për një çast se sa trapeze e tavolina do të shtroheshin për çiftin e ri. Do të duheshin javë e muaj të tërë, që të mbarojnë…. …. Në këto ditë të magjishme të dukej vetja si në ëndër”.
Kostume popullore lunxhiote
*******
            Shoqëria njerëzore është e prirur që të transmetojë tek brezat e rinj dashurinë për jetën, ku bazë është puna. Duke u thelluar tek mesazhet që na përcjellin ritualet e dasmave lunxhiote, të ardhura nga lashtësitë, nuk besoj se gjënden shembuj më të mirë e kaq domethënës për ta bërë këtë gjë. Mendoj se asnjë koferencë, seminar, shoqatë, agjensi promovimi biznesi apo shkencore e kohës, sado e dixhitalizuar, nuk mund ta paraqitë kaq bukur, kaq dukshëm, kaq bindshëm, vlerat cilësore e reale të punës për prodhimtarinë e kopshtarisë. Domethënës është fakti se këto mesazhe, u përcillen brezave të rinj, atyre që janë në fillesat e krijimit të një embrioni të ri njerëzor. S’na mbetet gjë tjetër veç t’i respektojmë e të mësojmë nga këto tradita civilizuese, diturake e fisnikërore të të parëve tanë.
            Zhvllimet kohore në hortikulturë rëndësi të veçntë u japin prodhimeve bio dhe agroturizmit, që do të thotë se puna për prodhimin e frutave dhe perimeve duhet mbështetur në praktikat tradicjonale. Këtë e pohojnë tashmë me zë të lartë institucjonet shkencore më në zë në botë. Lugina e Drinos, mund të bëhet një oaz i prodhimeve bio dhe i turizmit ekologjik, sepse e favorizojnë: klima dhe toka, burimet ujore, eksperienca prodhuese mijëra vjeçare, kultura, objektet e shumta arkeologjike, etj. Përmenda këtu lunxhotët, por në këtë luginë po kaq mjeshtra e të përkushtuar për kopshtarinë gjënden edhe në: Kardhiq, Lazarat, Libohovë, Dropull, etj. Siç thuhet sot nëpër mediat e ndryshme shqiptare, kanabisi shqiptar përbën 1/3 e tregut evropian, po kaq e mundëshme është që dhe prodhimet bio shqiptare të vërshojnë në këto tregje. Përfshirë këtu lulet, bimët dekorative e ato medicinale. Praktikat e zhvillimeve hortikulturale sot në botë  shtrihen që nga kopshtet individualë e deri tek korporatat e mëdhaja shumëkombëshe. Aeroporti i planifikuar nga qeveria mund që t’i japi një impakt të ri edhe zhvillimeve të hortikulturës në këtë rajon, duke i shmangur njerëzit nga prodhimi i paligjshëm i kanabisit.

An old song from the province of Lunxhëria, since 1960
(Këngët e Odries )
"As dalim pakë në lëmë"



Fshati Selckë i Lunxhërisë. Në këtë fshat më 1842 lindi Pandeli Sotiri,
Drejtor i Shkollës Shqipe në Korçe, u hap në 7 Mars, 1887.
Kryredaktor i gazetes "Drita-Dituria", Martir i gjuhes shqipe. 



[1] Pouqville: “Voyage dans la Grece” vol. I
[2] Fjalori Encikopledik Shqiptar- Tiranë, 1985
[3] “Dasma Lunxhote” K. Vasili, “Argjiro” Gjirokastër, 2013.

Friday 23 May 2014

Mall për Vendlindjen.

Më merr malli vendi im, për kroin në brinjë,
Për varret, shtëpinë, Lugjet me trendelinë.
Për një kokër rrush të pjergullës “Debinë”,
Ftonjtë e verdhuar që kundërmojnë avllinë,
Shegët kuqaloshe dhe fiqtë e shkruar zhapëzinj.

Papo, malli më merr…, e më grin,
Për të bilbilit, thëllëzës këngërinë,
Sa bukur ja thonë aty ndaj të gdhirë,
Për gërxhin e Kuspit veshur me dafinë,
Dhe netët hënore me të lumit mërmërimë!

Sa shpejt rrodhën vitet që kur jam larguar,
Kërkund nuk gjeta si ai vend i bekuar,
Gdhihem, ngrysem çdo ditë e më i malluar.


K.  Mosko

Boston, MA