Sunday 26 February 2023

KISHA E “SHËN MËRISË” NË LABOVËN E KRYQIT


nga  Andre LLUKANI 
Tiranë 

 

Kisha e "Shën Mërisë" është në mes të fshatit Labovë. Sipas një mbishkrimi që gjendet i shkruar rreth pjesës së poshtme të timbanit të kubesë, kisha mendohet se është ndërtuar në vitin 551. Ktitor i kishës ka qenë perandori bizantin, Justiniani I (527-565). Këtë e vërteton mbishkrimi i shkruar rreth pjesës së poshtme të timbanit të kubesë së kishës: Ετος 55α ησοδημα ηγε Ιουστινιανου του μεγαλου βασιλεο ηπερ σιν-δρομης επητροπου Κονσταντινου Λαδοβου της χορας ταυτης εκτισθη ο πανσεπτος θηος ναος...(της υπεραγίας Θεοτόκου καί) αηπαρθενου Μαριας. 1806 Μαρτηο.....“Ky tempull i gjithnderuar dhe hyjnor i së mbishenjtës Hyjlindëse dhe gjithmonë virgjëreshës Mari u ndërtua (në) vitin 551 me shpenzimet e Justinianit, mbretit të madh dhe (u meremetua) me kontributin e epitrop Kostandinit të këtij katundi, Labovë (në vitin) 1806, mars”. 


Ky fakt përmendet edhe në Kronikën e Dropullit (Το χρονικο της Δροπολης), e cila ka pasur disa botime. Kronika e Dropullit është botuar së pari në vitin 1821 nga Pukëvili; në vitin 1871 është botuar nga Athanasios Petridhi, më 1906 nga Nikolaos Mistiakidhis dhe në vitin 1913 nga Dh. Evangjelidhis. Gjithnjë sipas burimeve të traditës, thuhet se kryemjeshtri që ndërtoi kishën ishte nga Pirsojani i Konicës. Kisha është ndërtuar ndërmjet viteve 527-565, pra për 38 vjet. 

 

Në lidhje me datimin e saktë të kishës, studiuesit kanë mendime të ndryshme. Në vitin 1916, kisha e Shën Mërisë është vizituar nga Frederikos Versakis, i cili ka bërë një planimetri hipotetike të gjendjes fillestare. Peter Megav, Moutsopoulos dhe Guntram Koch mendojnë se kisha daton në shek. X. F. Versakis e daton kishën në shek. XII. Velenis propozon fundin e shek. XII dhe fillimin e shek. XIII. Meksi dhe Pallas e datojnë kishën në shek. XIII. Duke u nisur nga forma e narteksit, Panayotis Vokotopulos është i mendimit se kisha daton në gjysmën e parë të shek. XI. Sipas Aleksandër Meksit, e parë në aspektin e vlerave arkitektonike, kisha është monument i arrirë. Duke gjykuar në tërësi vlerat arkitekturore të këtij monumenti, si ato të brendësisë, ashtu dhe të anës së jashtme, kisha bart vlera arkitektonike të dorës së parë.

 

Kisha është e tipit në formë kryqi me një kube cilindrike. Nga ana e jashtme është e zbukuruar me dekoracione tullash. Në anën jugore të kishës, mbi dritaren bifore gjenden dy tulla të mëdha. Në pjesën e sipërme kanë vrima katrore. Këto janë koshere bletësh. Përdorimi i kësaj simbolike paleokristiane është një gjetje e përkryer e arkitektit që ka ndërtuar kishën. Besimtarët futen në kishë ashtu si bletët në koshere. Bleta përfaqëson Shpirtin e Shenjtë, ndërsa mjalti evokon zemërgjerësinë dhe pasionin e Krishtit. Bletët janë përdorur gjithashtu në kishën e hershme si simbol i ringjalljes. Etërit e kishës e krahasonin kishën me bletërritësin dhe komunitetin e krishterë me bletët. 

 

Motivin e bletëve e hasim edhe në teknikën strukturore të kishës; Ndërmjet gurëve të baraslarguar nga njëri-tjetri është aplikuar një motiv paleokristian >I<. Një tullë është e vendosur vertikalisht, ndërsa katër copa tullash sa gjysma e saj drejtohen diagonal për në qendër, duke simbolizuar monogramën paleokristiane >I<. Përdorimi i motivit të bletëve në teknikën strukturore ka kuptim simbolik paleokristian. Kisha përfaqëson kosheren, ndërsa besimtarët si bletët vijnë rrotull saj. Si përfundim, mund të themi se prania e një koshereje bletësh në hyrjen e vjetër të kishës “Lindja e Hyjlindëses” në Labovën e Kryqit, na shtyn të mendojmë se dekori strukturor >I<, që zbukuron muret e kishës, është një përfytyrim figurativ i bletëve, të cilat futen në koshere, ashtu siç futen besimtarët në kishë.

Në qendër të kupolës së kishës është pikturuar "Pandokratori" dhe poshtë tij, skena me "Liturgjinë e engjëjve". Në harkadën perëndimore, përballë me ikonostasin gjendet skena "Deisis", e cila daton në shek. XII. Në harqet e brendshme të harkadave janë skenat: "Zbritja nga Kryqi", "Krishti para Pilatit", "Fjetja e Hyjlindëses", "Vënia e kurorës me gjemba" etj. Të gjitha skenat e sipërpërmendura datojnë në shek. XIII. Të gjitha janë të dëmtuara nga lagështira. Në qendër të harkadës veriore është skena e "Trinisë së Shenjtë", ndërsa në apsidën e kishës, "Platitera", e cila paraqitet me krahët e hapur dhe Krishin në prehër. 

 

Kisha e "Shën Mërisë" në Labovën e Kryqit është meremetuar disa herë. Një restaurim është bërë në vitin 1776 nga papa Zoto. Apsida qendrore dhe apsidat anësore të kishës janë rrënuar dhe janë rindërtuar në vitin 1776. Ky fakt vërtetohet nga mbishkrim, që gjendet i gdhendur në mesin e apsidës jashtë kishës: Ι(ησου)σ Χ(ριστό)σ Νικα. Ετους 1776. Παπα Ζωτω. “Jezu Krishti fiton, viti 1776, papa Zoto”. Bamirësi Vangjel Zhapa në testamentin e tij ka lënë shumën e 1700 florinjve, me të cilën do të paguheshin epitropët e kishës, dy priftërinjtë dhe dy psaltët. Kisha e "Shën Mërisë" është shpallur monument kulture.

 


IKONOSTASI I KISHËS SË “SHËN MËRISË” NË LABOVË E KRYQIT

 

Mjedisi i altarit ndahet nga naosi me anën e një ikonostasi prej druri të gdhendur. Ikonostasi të krijon përshtypjen e një pjergulle të harlisur. Në të janë skalitur pjergulla dhe bistakë rrushi dhe zogjtë që çukisin mbi to. Ikonostasi është gdhendur prej Kostë Tunit nga Meçova në vitin 1805. Ky fakt vërtetohet nga një mbishkrim i gdhendur në dru mbi portën jugore të ikonostasit: + Ετος 1805 αυγουστος 26 (ε)πυτροπευοντας Παπακυρυτζις χριστου δυα / χυρως Κωστα Τουνου Μετζωβυτης. “Viti 1805, gusht 26, në kohën e epitripit Kristo Papaqirisit, me dorën e Kostë Tunit Meçovitit”. 

Në qendër të ikonostasit madhështor janë dyert e bukura dhe sipër tyre është gdhendur një shqiponjë dykrenore. Mbi dyert e bukura të ikonostasit gjendet skena "Darka mistike". Ikonat e mëdha të ikonostasit janë: "Krishti", "Shën Mëria me Krishtin", "Joan Pagëzori", "Lindja e Hyjlindëses", "Tre hierarkët", "Shën Parashqevia", "Shën Kolli" etj. Në pjesën e sipërme të ikonostasit janë 12 ikonat e vogla: 

"Pagëzimi", "Krishtlindja", "Mandili i shenjtë", "Hyrja e Krishtit në Tempull", "Hyrja e Hyjlindëses në tempull", "Lindja e Hyjlindëses", "Trinia e Shenjtë", "Ngjallja e Llazarit", "Shërimi i të verbrit", "Shpërfytyrimi", "Pendikostia" dhe "Kryqi i Shenjtë". Ikona e fundit tregon si u gjet kryqi, ku u kryqëzua Krishti prej Elenës, nënës së Kostandinit të Madh. Kjo ikonë është vendosur jashtë programit standard ikonografik të paraqitjes së festave kryesore. Vendosja e ikonës ka për qëllim të kujtojë se në këtë kishë ekziston një pjesë nga Kryqi i Shenjtë, mbi të cilin është kryqëzuar Krishti.

 

Ikonat e vogla të ikonostasit janë pikturuar nga Joan Athanasi dhe datojnë në shek. XIX. Fatkeqësisht, ato janë grabitur në vitin 2002, menjëherë pas restaurimit të kishës. Në këtë kishë gjendet një ikonë e "Krishtit Pandokrator", anash së cilës janë 12 skena që paraqesin udhën e kryqit: "Në malin e ullinjve", "Vizioni i Abrahamit", "Larja e këmbëve", "Puthja e Judës", "Krishti përpara Kajafës", "Krishti para Pilatit", "Larja e duarve të Pilatit", "Vendosja e kurorës me gjemba", "Etja e Krishtit", "Mbajtja e kryqit", "Kryqëzimi" dhe "Zbritja nga kryqi". Disa ikona nga kjo kishë janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë.





PANAIRI NË LABOVËN E KRYQIT


Perandori Justinian i pati dhuruar kishës së Shën Mërisë në Labovën e Kryqit një copëz druri nga kryqi i Krishtit, e cila peshonte afro 60 derhem. Ajo është sjellë në vitin 559 prej Kostandinit nga Labova, i cili ishte bashkëpunëtor i ngushtë i perandorit Justinian. Në momentin që Druri i Shenjtë mbërriti në Labovë, episkopi i Drinopojës, Kostandini celebroi një liturgji, gjatë së cilës u bë edhe shenjtërimi i kishës. 

 


Copëza prej kryqit të shenjtë peshonte rreth 152 gramë dhe ishte vendosur brenda një kutie druri të punuar hollë. Të dyja anët mbylleshin me tetë kapëse prej argjendi. Kryqi i Labovës përfaqëson një relikuar të shenjtë, që mban brenda tij kutinë me një copëz druri nga kryqi i kryqëzimit të Krishtit. Ai është punuar me argjend dhe në të dy anët paraqet skena ikonografike të gdhendura. Në njerën anë paraqitet skena e "Pagëzimit", ndërsa në anën tjetër skena e "Kryqëzimit". Në katër anët e kësaj skene janë punuar me mjeshtëri imazhet simbolike të katër ungjillorëve. Sipër kryqit paraqitet ungjillor Joani, nëpërmjet figurës së shqiponjës. Djathtas paraqitet ungjillor Marku, nëpërmjet figurës së luanit, ndërsa majtas ungjillor Matheu, me simbolin e njeriut. Figura e fundit është ajo e ungjillor Llukës, e cila paraqitet me simbolikën e kaut. 

 

Në vitin 1981, kur u çel Muzeu Historik Kombëtar u kërkua që kryqi i Labovës të përfshihej në eksponatet e tij, por labovitët nuk pranuan. Fatkeqësisht, në vitin 1989, kryqi është grabitur nga persona, të cilët dëshironin të fshinin nga kujtesa historike kishën, ku gjendej copëza prej kryqit të shenjtë mbi të cilin u kryqëzua Krishti. 

 

Justiniani urdhëroi që më 8 shtator, ditën që kremtonte kisha, në Lunxhat të bëhej një panair i madh, në të cilin mblidheshin rreth 10-12 mijë njerëz. Panairi vazhdoi të bëhej në Lunxhat deri në vitet e mbretërimit të Kostandinit IV Pogonatit (668-685). Ky perandor vendosi që panairi i madh që bëhej në Pelakos (Lunxhat), të zhvendosej në pjesën e Kaonisë në vendin e quajtur Pogon (që përkonte me emrin e perandorit). Në këtë panair, që zgjaste një muaj, grumbulloheshin shumë njerëz.

 

Në ditën që kremtonte kisha në Labovë zhvillohej një panair i madh me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, të cilët vinin nga Lunxhëria, Libohova, Dropulli, Zagoria, Pogoni, Gjirokastra etj. Pasi zhvillohej ceremonia në kishë, të pranishmit shkonin në Lëmin e Valleve, ku shtrohej gostia e madhe. Panairi i Shën Mërisë zgjaste tri ditë. Në ditët e panairit pleqësia e fshatit merrte masa për pritjen e pelegrinëve. Sipas numrit të pelegrinëve caktohej sasia e mishrave, që do të piqeshin dhe çdo gjë që nevojitej për panairin. Pleqësia caktonte burra dhe djem nga fshati, që të mbanin rregullin dhe qetësinë gjatë zhvillimit të panairit. Një ditë para panairit vinin tregtarët ambulantë nga Gjirokastra dhe Libohova, të cilët tregtonin artikuj industrialë dhe ushqimorë te Lëmi i Valleve. Gjatë natës shumë besimtarë flinin brenda në kishë, duke u lutur për problemet e tyre familjare

 








Saturday 18 February 2023

MENDIME E MBRESA PREJ LIBRIT TË KOÇO MOSKO SELCKËS "UDHETIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

         "Për Shqiptarët aso kohe Pandeli Sotiri qe një diamant i rallë vezullues midis vëllezërve rilindas që e donin dhe e adhuronin për dituritë, punët e mira në shërbim të atdheut..... "

nga : Zija BASHA

Milwaukee, WI - SHBA 

Zija BASHA 

Një analizë shumë të bukur për këtë libër të Koço Moskos e bëri gazetari, shkrimtari e publicisti, pandelisotirasi i pedagogjikes së Gjirokastres, Avdulla Kenaçi, por unë për miqtë e mi do të shkruaj për pjesën e parë të këtij libri "Historia dhe veprimtaria patriotike e vëllezërve rilindas Sotiri". Do të shkruaj se më emocionoi shumë jeta e vepra e tyre dhe më ka dhëmbur tërë jetën thellë në shpirt se vepra e jeta e tyre në shërbim të arsimit shqip u mbyll me kurorën me gjëmba prej tiranisë osmane e shteti shqiptar nuk i vuri siç e meritojnë në piedestal.

 

Ky libër i Koço Moskos në çdo fjalë e rrjesht me emocionoi, më ledhatoi shpirtin e më forcoi bindjen se shpirti shqiptar, human e atdhetar rron edhe në këto kohë të errëta që po kalon shoqëria shqiptare e kombi ynë. Autori thote se librin ua dedikon bijave te tijë të dashura Oltianes e Arditës, por libri u bën nder edhe Lunxherisë e lunxhotëve edhe Shqiperisë e terë shqiptarëve kudo ku janë. Që nga kreu e gjer në fund të librit rreh zemra e një shqiptari e atdhetari të përmalluar për mëmëdhenë, historiani e shkencëtari që të rrëmben e të fut nëpër rrjedhat e historisë, gjuhësisë shqiptare, traditave më të mira kombetare etnokulturore, florën e faunën e një prej krahinave më të mira shqiptare, Lunxhërisë, plot lezete. 

 

Ne që e kundrojmë çdo mëngjez malin e Lunxhërisë e krahinën që shtrihet nën këmbët e tijë e quajmë malin më të bukur të botës. Po njerzit që e banojnë atë krahinë, lunxhotet? Ne i quajmë shqiptarë të kulluar me të gjitha virtytet njerzore shqiptare që shquhen. Në studimet antropologjike që u bënë më 1972 që mori shkas nga shkatërimi fatal i varrezës mbi 2000 vjeçare në kishën e vjetër të Shën Todhrit në Gjat të Lunxhërisë rezultoi se lunxhoti e lunxhotja janë popull në vazhdim iliro-mollos që ruajnë karakteristikat e tyre deri në ditët tona. Prandaj lunxhoti e do vendlindjen, krahinën, atdheun gjuhën e traditën si shpirtin e tijë të lirë lunxhiot. 

 

Të  tillë atdhetarë e trima qenë edhe bijtë e kësaj krahine Koto e Pandeli Sotiri. Ishin dy vëllezër nga Selcka ku u lindën, por që u bënë dy yje vezullues për arsimin shqip duke sjellë dritën e diturisë në mëmedhe trimërisht në mes te reziqeve. Në këtë pjesë të librit me shumë dashuri jep të dhëna interesante për jetën e veprën e tyre, fqinji i tyre pranë shtëpisë ku lindën e u ritën në atë Selckën e bukur rrëzë malit Koço Moskua. Ai tregon të vërteta që të emocionojnë si dy djem jetimë të një familjeje fisnike, jetën e tyre të ndritur në shërbim të kombit deri në vdekjen e shkaktuar nga shteti tiranik osman. 

 

Historia është shkencë se lë gjurmë materiale në memorjen e njerzve, në dokumenta të shkruara apo të vjela në kohë nga dëshmitarë të vërtetë larg falsifikimeve siç këshillon Babai i historisë Herodoti. Autori Koço Mosko ka punuar me përkushtim human e atdhetar për shumë kohë e dokumenton deri në shterim të të dhënave të sakta me shkresa e memorje të besueshme autorësh për veprën e mbrekullueshme të vellezërve Sotiri me të gjithë rilindasit në Stamboll si vëllezërit Frasheri e të tjerë në organizimin e shoqatave atdhetare. 

 

Të prekin këto rrjeshta;"Pandeli e Koto Sotiri u rritën e u edukuan në një mjedis patriotik te zjarrtë, gjithmonë në luftë e përpjekje për shkollën e arsimin shqip.. Merguan në moshë të njomë në Stamboll me kokën mbrapa, duke mbartur me vehte hallet e vendlindjes, hallet e dertet e Shqipërisë". Në Stambolll, duke u rritur me tej në një ambjent patriotik e familjar shqiptar ata ecën përpara në rrugën e shqiptarizmës, duke mbaruar në atë qytet të zhurmshëm shkollën mesme,  nga më të mirat për kohën "Gallatasaraj High schooll". Një fat i mbrekullueshëm për të dy vëllezerit. Por xhaxhai i tyre i mirë Thimjo Sotiri nuk u ndal me kaq për shkollimin e nipërve. I shkolloi më lart në Universitetin e Vjenës nga ku Kotua doli jurist e Pandeliu mjek. Veçse të dy vëllezerit ishin po ata, por më diturakë e atdhetarë zemërzjarrtë.

Arsimimi i tyre në Vienë e venia e tyre në shërbim të mëmedheut në atë kohë të errët obskurantiste ku ndodhej Shqipëria të ve në mendime të thella që ta përjetosh e të vleresosh këta të dy vëllezër titanë qe i vunë supin njeri tjetrit për tu bërë pishtarë të arsimit kombëtar duke shpërfillur interesin e tyre material, shembull i shkëlqyer i atdhetarizmit. Ata u betuan përpara altarit të Atdheut, e këtë e vërtetoi jeta e tyre për përhapjen e shkronjave shqipe se për ta nuk kishte tjetër kuptim jeta e tyre e re se sa -Mjafton të rrojë Shqipëria se si ajo s'ka tjetër, se për ata s'ka memë tjetër që të pjellë një të dytë si ajo. Ata mendonin se përpjekjet e tyre me penë ishte vazhdimi i lavdishëm i përpjekjes së ndritur të të parëve të tyre, prandaj Pandeliu i thotë me ledhatim e përkedheli nxënëses së tijë filloriste Polikseni Luarasit, mesuese e ardhëshme që ndriti në arsim: "Jemi të dy nga një vend, nga Gjirokastra me vulë," duket jehona e këngës së Shemo Kaso gjirokastritit. Këta bij të ndritur të kombit ndjejnë thellë jehonën e jetës së lavdishme të të parëve, sepse të vdekurit e mëdhenj të altarit të mëmëdheut janë udhëheqesit e përhershëm të brezave që vijnë e ata ua ndriçojnë rrugën. 

 

Në këtë libër, që jam fatlumë që e kam në dorë ndjen lexuesi se këta atdhetarë të medhenj mëndjendritur e shpirtbardhë duken të shenjtë se kryen një vepër shpirti në rrethana të vështira e nuk shkuan kundër shpirtit që i thërriste çdo çast, por ishin qëndrestarë të patrembur. Koçua i vendos natyrshëm në vendin e vet të qëmtuara me kujdes dokumentat e shkruara të kohës,, memorjet e vjela nga autorë shkrimesh,, dëshmitarë që i kanë përjetuar përpjekjet e vëllezërve Sotiri për arsimin e shkronjat shqipe, hapjen e shkollave të para në Korçë e Pogradec, duke sqaruar në menyrë të saktë se e Korçës u hap në 9 shkurt 1886 me drejtor Pandeli Sotirin dhe e Pogradecit me 14 mars 1887 me drejtor Koto Sotirin, pra një vit më vonë. Dokumentimi i punës intensive atdhetare të Pandeli Sotirit në Stamboll për alfabetin shqip, botimin shqip të librave e gazetave, artikujve të tijë në nivele të larta diturie e shkence e bëjnë librin e autorit Koço Mosko Selcka që ta përpishë në çdo fjalë e rrjesht me kërshëri të madhe sepse shikon jetën në levizje të një njeriu bir të shqipes që perpiqej ti bënte punët një për një me radhën e vet për të parë shqiptarët sa më shpejtë e pa humbur kohë dritën e diturisë. Për Shqiptarët aso kohe Pandeli Sotiri qe një diamant i rallë vezullues midis vëllezerve rilindas që e donin dhe e adhuronin për dituritë, punët e mira në shërbim të atdheut ku shfaqte dashurinë e pakufishme në çdo fjalë që thoshte në ato kohë me vështiresitë e jashtzakonshme që i krijonte tirania osmane e ballabanët shqiptarë në oborin perandorak e kudo ku vepronin. 

 

Po Pandeliu e Kotua nuk jetonin vetëm mes gjarpërinjsh në atë mision të shenjtë.  Këta misionarë të paepur jetonin edhe midis miqsh e shokësh shqiptarë rilindas qe i donin me shpirt e vellezërisht. Në një vjershe kushtuar Koto Sotirit miku i tij Stefan Thodhoraqi nga Leskoviku i shkruan:


"Ndë botë, në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,

Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,

Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,

Gjithmonë në gjykon djalli dhe botën e tund"…

 

Shpirtërisht ne pandelisotirasit e pedagogjikes së Gjirokastrës kurrë nuk e kemi besuar se Pandeli Sotirin e vrau gruaja me ndihmën e grekomaneve te Fanarit, por autori Koço Mosko me argumenta hedh poshtë intrigën e stisur për vdekjen e tijë. Gruaja e Pandeliut nuk ka të dhëna të besueshme se isht greke. Ajo nuk mund ta ngrinte peshë burrin e sajë e ta hidhte nga dritaria se ai qe diturak e i rëndë si lis Lunxhërie e s'e ngrinte dot. Atje qenë edhe familjarët e tijë, por ai rreshqiti nga dritaria për tu shpëtuar xhandarëve që i mësynë shtepisë në befasi. 

 

Ka shumë tregime që gratë gjatë historisë që nga lashtësia kanë helmuar e vrarë princër, mbretër a perandorë , por kjo pér Pandelinë tonë nuk qëndron dhe argumentohet qartë. Vet rilindasi Ismail Qemali, këshilltari kryesor i sulltan Hamidit té dytë vizitoi shtëpinë e tijë, hetoi çështjen me urdhër të sulltanit që i kishte dhënë me doren e tijë 2 lejet për të dy shkollat Pandeliut e Pandeliu i kish dhuruar atij një abetare shqip pergatitur enkas për të. Pavarsisht intrigave e thashethemeve që u thurrën për ngjarjen nga tirania turke e gjakprishurit e cmirezinjtë shqiptarë, rilindasit e shqiptarët atdhetarë e nderuan me veneracion atë fatos të kombit në funeralin e tijë.

 

Koço Mosko Selcka nuk tregon për këta martirë të arsimit shqip, vëllezër e luftetarë të pandarë, por u këndon me një melodi që herë ngjan me kengët e zogjëve në degët e lisave të Lunxhërisë në pranverë, herë me feshferimën e pemëve lunxhiote nga era e rrebeshi dimëror, herë herë me melodinë e vajeve të nënave lunxhiote se ashtu qe jeta e tyre, jetë guximtarësh atdhetare qe i nxori Selcka e Lunxhërise. Po i mbyll keto rradhë me fjalet vleresuese te tre dishepujve te tyre të thëna në fillim të viteve 60-të të shekullit që lamë pas:


1. -Thoma Papapano,"Mesues i Popullit:

"O djem e vashëza, mësues të rinj! O pandelisotiras! Kujtoni përherë Pandeli e Koto Sotirin! Kujtoni Koto Hoxhin që kur e vizitoi në burgun e Jedi Kules në të 4 budrumet "Mesuesja e Popullit" Sevasti Qiriazi kishte humbur të parët! Perse ? Për arsimin shqip"  Korrik 1964.

 

2. Drejtori historik i shkollës pedagogjike "Pandeli Sotiri" Tomor Tushe:
"
Mësuesi rilindas Pandeli Sotiri nga Selcka e Gjirokastrës, drejtori i shkollës së parë shqipe qe u hap 73 vjet më parë në Korçë u martirizua nga turqit për alfabetin shqip. Që nga sot shkolla jonë e re do të quhet "Shkolla e mesme pedagogjike" Pandeli Sotiri " Gjirokastër. Ta ngremë larte emrin e atij mesuesi të paharruar! “ Tetor 1959.

 

3. Vasil Kamani, drejtor i shkollës Normale të Elbasanit "Mesues i Popullit para mësuesve e nxënësve të shkollës pedagogjike "Pandeli Sotiri" tha:

"Dielli që flakëron në jugun e Shqiperisë për ndriçimin e arsimit e kulturës kombëtare është shkolla juaj  "Pandeli Sotiri" Ju lumtë. Nuk jam Cezari, por do them fjalët e tijë:"Erdha, pashë, fitova!" Maj 1963.


Shkolla e Mesme Pedagogjike "Pandeli Sotiri", Gjirokastër



 

Thursday 16 February 2023

DASMA QË SHËMBI SHTËPINË E VET

-Rrëfim mbi një ngjarje të jetuar

 nga: Spiro XHVARA

Athinë, Greqi


Dasma kishte filluar që një javë përpara. Në çdo mbrëmje fshatarët vinin grupe – grupe dhe merrnin këngët me radhë sipas ditëve:

Në njërën ditë: 

Këtë javë je me ne,

Pastaj do të vesh atje,

Xhiko, nuse, moj lule!...

Në tjetrën ditë: 

Baba ç’të doli qederi

Kre paratë nga qemeri....

Një ditë më pas: 

Ç’të të thom, moj xhallare,

Ç’të të thom, ti e di vetë

Si nderohen të mëdhenjtë...

Më tej: 

Sa lezet baçja me lule,

Sa lezet vajza jonë nuse...,

Ç’ka nusja që qan me lot

Ka babanë e s’e lë dot...

Në ditën tjetër: 

Sonte që zëmë brumët-ë

Me mjalt e me qumësht-ë....


Të shtunën mbrëma: 

Këndon një bilbil në portë,

Mbani vesh se ç’fjalë thotë,

I zoti shtëpisë rroftë

Dhe vajza ju trashëgoftë....

Të dielën:

 Ç’ka rruga që na gjëmoi

Vajz’ e filanit nuse shkoi... etj, etj


E, kështu, si në çdo dasëm tjetër lunxhiote, ku këndojnë dhe hatllat e shtëpisë dhe hedhin valle dhe gurët e rrugëve...

Ishte vajza e vetme e asaj shtëpie dhe, megjithëse ajo familje nuk shquhesh për pasuri të madhe, ishin marrë masat që të mos mungonte asgjë. Qe ftuar i gjithë fshati për të marrë pjesë si dhe mjaft familje të afërmish nga fshatrat fqinjë, mbi trembëdhjetë kushërinj nga Gjirokastra e qytete të tjera e kështu me radhë. Orkestra qe porositur si gjithmonë nga më të mirat e Gjirokastrës dhe për këtë qe angazhuar i palodhuri dhe kudondodhuri, kushëriri Tase Floku. Akçi (guzhinier) këllëznjoti Mihal Koti, qilarxhi Koço Çuçi, kushëriri ynë nga Dhoksati, kasapi, kamarjerët, kush do vente pas nuses, kush do qeraste krushqit, ku do merreshin tavolinat, karriget, pjatat e paisjet e tjera të guzhinës, kompletet e pijeve, etj, etj. Pa harruar qysh një vit më parë ishin lënë pa therrur qëngjat e lindur, ishin caktuar deshtë që do therreshin, sa bogaçe do bëheshin, sa ëmbëlsira, ç’fruta do servireshin, etj, por këto të fundit rezultuan përgjithësisht të tepërta se sipas zakonit të vëndit të ftuarit vinë në dasmë me mishra, bukë e verë, të cilat thuajse pas çdo dasme mbeteshin të tepërta dhe ndaheshin me gjitoninë.

 

Në kujtesë të paharruar më ka mbetur solemniteti i ardhjes dhe pritjes së dasmorit të ftuar në shtëpinë ku do të martohej vajza apo djali. Të veshur me robat më të mira që kishin, çifti i ftuar vinte përpara dashin me këmborë të madhe që të dëgjohej që larg dhe që mbahej e drejtohej me një litar të gjatë nga burri. Ky i bërtiste dashit, jo më shumë për t’i treguar udhën, por për ta dëgjuar gjitonët se me se vente filani në dasëm e ç’i shpinte. Dashi patjetër ngjyrosej në kurriz në formë kryqi të madh zakonisht me bojë të kuqe. Gruaja në krah të burrit mbante bokshanë me bogaçen e madhe e të fryrë si duhet, të zbukuruar mbi të me frastua e gjithfarë vizatimesh, me plloskën e verës, ëmbëlsira, etj. Ndonjë që donte të binte diçka më tepër (shpesh prurjet ishin analoge me ato që i kishe vajtur ti atij në dasmat që kishte), vinte në boksha dhe ndonjë metër basmë a copë tjetër për fustan, këmishë kur martohej djalë, ndonjë shami koke, gravatë, shami dore, etj.

 

Të gjitha këto në një moment të caktuar tregoheshin si pjesë e ardhur që i shtohej pajës së vajzës, filani pruri këtë, filania këtë e kështu me radhë. Iventari I peshqesheve njihej me imtësi dhe mbahej mënd për shumë vjet edhe nga shoqet e nuses, bëhej krahasimi mes tyre, etj. Dhe kjo s’ishte dhe aq keq, sepse shërbente si nxitje për dasmën pasardhëse.

Nga ana e të zotëve të dasmës pritja gjithashtu bëhej me një solemnitet shembullor. Madhështia e kësaj pritjeje ishte se bëhej me këngë. Për këtë ishte caktuar një grup i përzier burrash e grash, i cili rinte përherë në portë, në krye të shkallëve, në qoshk apo divan përherë vigjilentë që me të parë nga larg dasmorin që vinte me dashin e ngjyer me të kuq dhe bokshanë, menjëherë fillonte kënga që e shoqëronte të ardhurin që nga sokaku ku dukesh e deri sa mbrinte në shtëpi brënda. Kënga ishte e njëjtë:

Ashtu ta paçim baki, Spiro vëllai

Në dasmëra në shtëpi, “

Edhe në të Petros-o, “

Tani shpejt e afër-o, “

...............................................

Çdonjërit, pra, i bëhej një apel festiv, duke i uruar dasmën e shpejtë të djalit a vajzës që ishte bërë gati për martesë dhe ky apel nuk harronte asnjë, “edhe në të ......-o, tani shpejt e afëro, brënda vitit domosdo”. Pastaj brënda, si përqafoheshin të ardhurit me të zotët e dasmës, kërcisnin tabakatë njera pas tjetrës me glikotë me kupa, me lloj-lloj ëmbëlsirash, shumica të bëra vetë nga gratë e vajzat lunxhiote, që s’kanë shoqe për këto gjëra. Për burrat shtrohesh rakia dhe muhabeti vazhdonte shtruar, sa të vinte tjetri e të ngriheshin të parët.

 

Kur, më vonë, për arësyet që dihen, zakoni i deshve me këmborë e bojë të kuqe u shua avash - avash duke u përfshirë në reformat e kolektivizimit, tufëzimit etj, në këto tabaka të qerasjes të ftuarit, ngaqë s’gjënin ç’të binin më, hidhnin lekë sipas mundësive që kishin. Nusja për sa kohë që të ftuarit rinin brënda e qeraseshin apo këndonin, nusëronte në këmbë e veshur me lunxhe në çdo kohë që të bëhej dasma, behar apo dimër qoftë. Urimet nuk mbaronin: ”T’ju trashëgohet e me fund të mirë!”, ”Të trashëgohet dhe jetë të lumtur!”, ”Të trashëgohet dhe tani në të ..........(duke përmëndur emrin e djalit a vajzës që vinte më pas)”. 

Ç’zakone të bukura, të përkryera, madhështore e të paharruara! Është e tmerrshme kur shikon që ndonjeri prej tyre nga brezi në brez firon. Shkaku? Mbase përshtatja dhe qejfi i disa të rinjve me dasmën moderne, duke harruar që modernizmi më i madh e më i lavdëruar është pikërisht zbatimi i zakonit që të kanë lënë trashëgim të parët dhe prindët e tu. Ah! Kush bëri një dasëm të plotë lunxhiote, me të gjitha elementët e saj dhe nuk e ndjeu veten njeriun më modern e më të lumtur të botës?

 

Po ku harrohen, more, karvanet e krushqve nga njeri fshat në tjetrin, me kuajt, mushkat e pelat e stolisura me velenxa ngjyra-ngjyra, me nusen e dhëndrin përpara, që iknin e këndonin, iknin e hidhnin romuze, iknin e kalonin dorë më dorë plloskën me verë e shishen me raki! Ku harrohet kur karvani i krushqve me dhëndrin në krye ndalonte në hyrje të sokakut, kur këtej (nga ana e nuses) kënga ngjitej në zenith. Aty vllami (njeriu më i besuar i dhëndrit që kishin pirë simbolikisht gjak nga gishti i njeri tjetrit, dmth qenë bërë vllemër), pra, shkëputej nga grupi i krushqve e hynte në shtëpinë e nuses të shihte si ishin punët, të kontrollonte dhe kur sigurohej plotësisht për pijet dhe njerëzit, vente e merrte dhëndrin dhe të ardhurit me të duke u thënë: ”Eni, në besën time!” 

 

Po ku harrohet kur vinte orkestra nga Gjirokastra e sa mbrinin në Katundishta e deri në fshat u binin kabave që të çmëndnin nga bukuria. Në fshat, sa dëgjohej tingulli i parë, tundej guri i themelit, s’mbetej njeri pa dalë. Më kujtohet, te lëmi pranë shtëpive tona, është kërcyer mbi dy orë dhe orkestra, megjithse e lodhur nga rruga e gjatë, as që u ul, akoma, kur i thonë fjalës pa pirë një gotë ujë e pa marrë një lugë gliko.

Po ku harrohen ato dasma, kur ngrihej nusja e dhëndri në valle e gjithë dasmorët i rrethonin në një varg të madh e të pasosur. Pastaj me ta do të kërcenin me radhë njerëzit e shtëpisë, kushërinjtë, dajko e xhaxhallarë, halla e teze, shokë e miq. Ky ishte respekti i çiftit të ri, urimi për ta dhe kujtimi më i bukur.

 

Sot mua më duket se nusen, idhullin e dasmës, e ofendojnë kur ngrihen me radhë dhe i mbushin gjoksin me para gjithë njerëzit, në një garë të shfrenuar me njeri tjetrin. Më duket sikur e konsiderojnë si një mall, të cilin e kanë blerë me gjithë ato para që i japin. Kam dëgjuar në një fshat të Lunxhërisë, të nesërmen i zoti i dasmës vdiq, i ra infarkt kur kuptoi që kish harxhuar gjithë ç’kishte në garën e marrë kush t’i jepte nuses më shumë para.

 

... Diku aty pas mezit të natës, orkestra kërkohej në dhomën ku burrat pinin raki me gota uji. Ishte një kulm. Pak a shumë në fshat njiheshin këngët që preferonte secili burrë. Daleni, se tani e ka radhën xha Peçua – thoshin, psh, burrat dhe babai porosiste “Te rrapi në Mashkullorë”, këngën e tij. Me zërin e tij të kumbueshëm ai do të dilte gjithnjë mbi çdo orkestër. Ç’zë, ç’këngë! Prëmtua do të merrte patjetër “Delvinonë” , një tjetër këngën e Selam Musait, tjetri këngën e fatkeqësisë së Drinos (Ngjelo Lafes dhe dy shokëve të tij), tjetri këngën e Pavlit e Vasiliqisë e kështu me radhë u plotsoheshin dëshirat të gjithëve. Kuptohet këngët kryesore dhe më të shumta ishin për çiftin apo për të zotët e shtëpisë, të cilat nganjëherë merreshin në dy grupe. E merrte një varg njeri grup, e përsëriste dhe grupi tjetër me një formë afërsisht gare të kënduari, për t’i dhënë larmi festës. Ndërsa gratë preferonin që këngët t’i shoqëronin me valle.

 

Çdo dasëm ka kulmin e vet, momentin më interesant, apo më të veçantë. Në dasmën time, psh, deri në të gdhirë m’u dukën të gjitha kulme, kur më e bukura, paskësh qënë më pas, të nesërmen. Ndaj të gdhirë te dera e ne çiftit qenë mbledhur të gjithë, vëllezërit, motra me të shoqin e saj e ku di unë kush tjetër dhe ja marrin këngës:

- Si m’u gdhive sonte,

Moj thëllëz e sojme?

(Me sa dukej pyetej nusja, të cilën unë s’e kam nga Lunxhëria dhe ishte çuditur e mrekulluar me dasmën tonë, ku nuses i këndohet këngë e veçantë për çdo hap që hedh, për çdo pjesë të fytyrës, për çdo llaf që thotë e veprim që bën. S’ka si dasmat tona! )

- Më duket se të pyesin ty, - i thom – përgjigju tani. Ajo vuri veshin, e befasuar plotësisht.

Kënga, dy vargjet e parë, u përsëritën prapë. Pastaj u dallua zëri i motrës, që përgjigjej në vënd të nuses:

- Si në vënd të huaj,

M’u duk nata muaj! …

- Ç’bëhet më thotë ime shoqe, s’paska mbaruar akoma dasma këtu?

- Ohu.....- i thom, - sot?...Dale kemi punë akoma. Mbaroi ajo këngë, u kënduan dhe dy-tri të tjera dhe vetëm atëhere ne u ngritëm e u bashkuam me grupin. Na pëlqente të rinim e t’i dëgjonim ashtu shtrirë siç qemë në atë dhomë, ku më parë qenë martuar dy vëllezërit e mi më të mëdhenj. 

 

Jam i bindur se sado që dasmat, brënda një fshati përshembull, duket se ngjajnë si dy pika uji me njera tjetrën, përsa i përket zbatimit dhe kronologjisë së renditjes së momenteve, prapë se prapë çdo dasëm do ta ketë një ngjarje a një histori që e dallon nga të tjerat dhe mbetet në kujtesat e njerëzve.

 

... Në dasmën e motrës sime, psh në vitin1959, ngjarja ishte aq e çuditëshme dhe e befasishme, saqë për pak e ktheu gëzimin në ...

Dhe ishte pikërisht momenti kulmor, kur sapo në portë mbriti dhëndri ardhur nga Gjirokastra me krushqit që e shoqëronin. Por dhe ai djalë lunxhiot, me origjinë nga Stegopuli. Grupi i këngës së mikpritjes doli menjëherë mbi shkallë dhe kënga valoi. Divani që mbështetej mbi shkallë ishte një dysheme dërrasash druri që më tej vazhdonte me qoshkun me dy penxhere të mëdha, njera që shikonte nga Gjirokastra dhe tjetra nga fshati. Që aty shikoje gati gjysmën e shtëpive të fshatit, po ajo e Çipaj dhe e Flokaj, ku deri vonë qëndroi halla ime e paharruar, Amalia, ishin direkt ballëpërballë me ne dhe që aty ne shikonim gjithë lëvizjet dhe hyrje-daljet që bëheshin, sidoqë na ndante përroi në mes. 

 

Divani, pra, ngrihej mbi çdo shkallë me parmakë dhe duke u shtrirë djathtas të çonte te porta, nga ku hyje në guzhinë dhe dhomat e gjumit.

Në momentin që po tregoj, nga kurioziteti për të parë dhëndrin dhe krushqit, por dhe për të përforcuar grupin e këngës, u grumbulluan aq shumë njerëz, sa ................ Po, po, trarët thyhen mu ku mbështeteshin mbi shkallë dhe dyshemeja e tërë, siç qe, me gjithë njerëzit sipër rrëzohet me potere e kërcëllitje të tmerrshme në vath. 

 

Ishte një lartësi prej tetëmbëdhjetë shkallësh të gurta, prej së cilës njerëzit ranë e u rrokullisën mbi njeri tjetrin, duke ulëritur e bërtitur, duke dërmuar e shëmbur njeri tjetrin, me brinjë të thyera e duar e këmbë të ndrydhura, me fytyra e sy të skuqur nga habia, befasia dhe dhimbja.

 

Krisma e thyerjes së trarëve, ishte si një krisme pushke dhe për një moment nga ana e krushqve u muar si për një surprizë pritjeje me krisma arme (siç dihet të shtënat me pushkë nuk janë në protokollin e dasmave lunxhiote). Por ky qe vetëm një moment, se sa dëgjuan ulërimat dhe të bërtiturat u lëshuan dhe ata për të ndihmuar njerëzit e rënë palë mbi njeri tjetrin. Bilançi u bë në çast, më rëndë qenë vrarë Kalia e Flokaj, Ilo Koti e Fimo Rumbi, por edhe mjaft të tjerë ankoheshin për goditje në pjesë të ndryshme të trupit. Dikush kishte mbetur ulur në penxheren e qoshkut dhe s’kish si të zbriste kur dyshemeja kish përfunduar në vath.

 

Edhe sot e kësaj dite gjithë dëshmitarët e asaj ngjarjeje, gjithë dasmorët, pra gjithë fshatarët e Qestoratit të pranishëm në atë dasëm, nuk e spjegojnë dot se si të biesh nga një lartësi pingul prej rreth pesë a më shumë metrash dhe për fatin e madh, të mos vritet asnjë njeri! Sigurisht aty ishte prezente dora e Zotit, si kudo, që s’donte ta kthente dasmën e vajzës së vetme të shtëpisë në një tragjedi. Edhe aq sa kishte ndodhur ishte nga pakujdesia e grumbullimit të aq shumë njerëzve në një pikë të vetme, e cila edhe hekur të ishte s’do t’i mbante dot. Unë edhe sot kam qejf të dëgjoj Ilo e Tase Kotin, Piro Lekun, Pilo Kushtën e sa të tjerë si dëshmitarë të asaj ngjarjeje të pazakontë. 

 

Po dasma? Ç’u bë me të? Mos vallë e gjithë dasma, të gjithë dasmorët filluan të qajnë dhe ikën ta braktisën atë?

 

Joo! Ishin vetëm disa çaste shtangieje, disa momente hutimi e mbledhjeje të vetes, disa çaste që u duhej dhënë ndihmë atyre që shëmbën brinjë, duar e këmbë, sidoqë asnjeri prej tyre s’pranoi të ikte nga dasma, ta linte atë në mes. Asnjëri! Ishin vetëm disa momente që iu deshën grupit të këngës të rimblidhej dhe të vazhdonte këngën e ndërprerë në mes, disa djemve që menjëherë u paraqitën te krushqit,që u muarën e lidhën kuajt, pastaj i ftuan të ngjiteshin lart. Po si të ngjiteshin? Pjesa e ngushtë e divanit që ngrihesh me parmakë mbi shkallë nuk qe shëmbur tërësisht. Pas një përforcimi që iu bë, mbi të mund të kalohej pak me kujdes nga shkalla më e lartë duke u mbajtur pas parmakëve deri sa të bëje një rrotullim në vënd e të dilje te pjesa e mbetur e divanit të pashëmbur që të çonte te porta e hyrjes e te dhoma ku qe përgatitur pritja e krushqve.

 

Grupi i këngës u vendos pikërisht mbi këtë portë.Krushqit një nga një të ndihmuar nga dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, u futën brënda. Aty nisën urimet dhe çukitja e gotave, që dëgjoheshin deri jashtë. Pastaj plasi kënga. Çudi! Sikur të mos kishte ndodhur asgjë! Madje edhe të dëmtuarit nga rënia qenë aty në mes të këngës dhe të valles, që kish rinisur në dhomën pranë. Dasma ishte rikthyer në ritmin e saj si më parë, asnjë nuk dëgjoje të fliste për ç’ka ndodhi. Me sa dukej kishte kohë për t’iu kthyer ngjarjes, tani kishin punë të tjera më të mëdha përpara, duheshin nderuar krushqit dhe duhej përcjellë ashtu siç duhej dhe i takonte nuses. Të tjerat, bisedat e komentet prisnin. Ç’njerëz! Ja këta janë qestoritët e mi, prandaj unë i dua shumë, prandaj jam kaq krenar për ta! Njera nga ato që ishte caktuar për të shtruar bukën seç kërkonte poshtë e lart.

 

Mos e patë gjë djalin e vogël, .... vetëm ai s’ka ngrënë bukë, ç’u bë? Një djalë vajti u hodhi tagji kafshëve të krushqve, ca gra iu afruan mëmës ta mbanin mos pësonte gjë, po afronte momenti kur nusja do të ndahej nga njerëzit e shtëpisë. Qilarxhiu mbushi trastat me mish e mezera, raki e verë që do të merrnin krushqit me vete gjatë rrugës gjer në Gjirokastër. Ca vajza, shoqe të motrës, prisnin te porta e jashtme me një tufë me lule në dorë për t’ja dhënë nuses.

 

Mua kishin kohë që më kërkonin. Isha fshehur në një vënd që vetëm vëllai më i madh nga unë, Ndrikua, e dinte dhe qaja. Isha vetëm shtatë vjeç atëhere dhe s’ndahesha dot nga motra, me të cilën tërë jetën jemi dashur shumë. Ndrikua më gjeti duke qarë.

- Eja! - më tha – motra s’ikën, po s’u takua me ty. Më mori nga dora. Ngrita kokën, krushqit kishin hipur në kuaj dhe dëgjova që flisnin me njetri tjetrin:

- Ç’presim akoma, pse s’po nisemi?

- Ja, presim këtë, të na japë urdhër – buzëqeshi tjetri duke bërë me kokë nga unë.

 

Më shpunë te kali ku kish hipur nusja, motra ime dhe më ngjitën në prehër të saj. Ajo i kishte sytë akoma me lot nga ndarja me të tjerët. Edhe që qe mbuluar me një mushama ushtarake se sapo kishte filluar një vesë e hollë shiu, shkëlqente e tëra. Kostumi i lunxheve gjatë gjithë dasmës i kishte shkuar dhe i shkonte kaq shumë sa njerëzit s’i hiqnin sytë nga ajo. Zëmra i rrihte me forcë, siç dukej me zor e mbante të qarët me zë, për të mos u dukur e dobët në sy tim. Unë e vura kokën mbi të, pastaj e putha fort, sa mezi më shkëputën e më zbritën poshtë. Por, sa rashë poshtë unë u ika nga duart dhe ja shkela vrapit duke qarë, nuk e mbaj mënd për ku ...

* * *

Pano Dudi e Llazo Dhima, si pleqtë më hokatarë të fshatit, sa herë që përgatitej ndonjë dasmë, ngacmonin të zotët e shtëpisë:

-Bën dot dasëm si e vajzës së Peço Xhavarës, sa u shëmb shtëpia, ë? Ahere, po, do thomi që bëre dasëm, more vesh?

* * *

Papritur, dasma jonë, pasi kishte shpëtuar në qime nga një gjëmë, ishte shndrruar në model për dasmat e tjera në fshat. Çudi!


 

Marrë aga libri i Spiro Xhavarës "Udhë dhe Monopate" Rrëfime




Sunday 12 February 2023

JAM NGA FSHATI…


nga: Shefqet MEKO
Mineapolis,  MN - SHBA

Shefqet MEKO
  -  Një “avokati” e detyruar për njeriun ëndërrimtar. 

Fshatarët janë njerëz që “ ushqejnë qytetin”. Fyerja ndaj dikujt që “nuk jeton ku jeton ti” është “fshatarizëm i qytetëruar”. ”Rracizmi” shqiptar ka rrënjë të thella, por në thelb është e zezë e atij që i shterin ëndrrat-

 

Edhe kafshët ëndrrojnë, por nuk na i tregojnë “ëndrrat që shohin”, mbase sepse “nuk flasin shqip”. Kjo frazë më mbiu në mendje, kur ndoqa një shënim të një shqiptaro-amerikani që “kishte vizituar Shqipërinë”. Jam ndjerë i fyer dhe i poshtëruar se si një njeri i tillë që për dekada jeton në Amerikë, nuk ka mundur ta mposhtë “ instiktin rracor” kur këtu “të tredhin” po e shfaqe publikisht. Me sa duket ndihet edhe në Amerikë “Pishtar Demokracie”…

 

Unë jam nga fshati dhe jam krenar ta kem lindur atje, duke filluar “jetën nga zero” në mos nën zero. Jeta në fshat është “stazhi” i vërtetë për çdo krijesë njerëzore sepse je përherë përballë natyrës. Atje zgjohesh me këngën e këndezit dhe kajarisjen e pulave, dëgjon blegërima qingjash e hingëllima kuajsh, pëllitje lopësh e “gomarllëqe gomerësh”.Shkurt nuk ka fat më të madh se sa ta fillosh jetën në fshat: Aty njeriu është “lakuriq”. Aty njeriu fillon dhe ëndërron “të ikë nga tufa”, të shohë qytetin, të shëtisë në kalldrëme e asfalte me “shollat me baltë”…

 

Fshati është “shkolla e vërtetë” e njeriut jo se është parajsë,(atje shpesh jeta është lloj-ferri) jo se është më i mirë se qyteti, por sepse është një “fole ëndrrash”… Kur rastësisht je lindur në fshat, ëndërra e parë është “të vizitosh qytetin”…Kur ke lindur në fshat fantazia jote fluturon kodrinave e maleve, dhe ti si fëmijë shijon “zbulimet natyrore”: Ngjitesh majë një kodre dhe kujton se “kap diellin me dorë” ani pse Ai vijon perëndimin e vet të pandalshëm…Besoj së këtu buron “energjia fshatare” pikërisht tek bredhja nëpër kodra dhe përpjekja “për të kapur Diellin”…

 

Unë ndihem me fat të kem lindur në fshat, sepse aty kam shijuar aromën e familjes e kam nuhatur “kundërmimin e djersës”; kam parë si gatuhet buka, si mbillet jeta në tokë, si bëhet djathi e gjiza, si shtohet bagëtia, si vjen dimri dhe pranvera, si çelin manushaqet dhe si “zgjohen” bletët që nuk flenë gjumë. Vetëm në fshat njeriu vrapon si çamarrok rrugëve dhe “nuk e shtyp makina”. Aty rrëfimet e të moshuarve tingëllojnë “kryevepra letrare” dhe fjala e urtë kthehet në një lloj “busull” që nuk gabon kurrë.

 

Fshati është shpikja e parë e njeriut që u “arratis” nga shpellat e guvat e hershme…Pastaj lindi “kasabaja ”, qytetet, metropolet dhe “vetë Amerika”…Mos u habisni: fshatarët janë përherë të sukseshem sepse “kanë lindur në fshat”. Aty ata i kanë parë të gjitha: të mirin dhe të keqin, engjëllin dhe dreqin, punën dhe hilenë, ëndrrën dhe të vërtetën, shiun dhe breshërin, jetën dhe vdekjen…

 

Kot përpiqen njerëzit “ shterpë” në ëndrra që çdo gjë të keqe në Tiranë apo kudo në Shqipëri, t’ia faturojnë “fshatarit” që erdhi në qytet! Jo fshatari i vërtetë që ka fatin të vijë në qytet,vjen me një “thes me ëndrra” jot “torbë me baltë” siç thoshte poeti Agolli në “Shekullin që shkoi”… Agolli fliste për Tjetër kohë, Tjetër ideologji… Sidoqoftë, “balta” e Agollit ishte, thellë-thellë një tallje me kohën.

 

Unë jam me fat të kem lindur në fshat sepse e kam parë jetën “Nga viti zero”…Mos më fyej me egon tënde idjoteske duke më quajtur “fshatar” ty që të rren mendja se je “qytetar”. Qytetari i sotëm ka tiparin fisnik të mosfyerjes të tjetrit që “nuk është si Ai” por ndihmon sa mundet që të shtohet “ klasa e qytetarisë” me “fshatarë të civilizuar”, sepse asnjë qytetërim nuk “merr hua nga kozmosi”…Nuk ka ndodhur ende…

 

Nuk e mohoj se prej andej vij, por më vjen keq kur shoh “qytetarë” që nuk dinë “si lidhet gomari “. Unë i di të gjitha dhe dua të mësoj edhe “Nga jeta e qytetit”: teatrot, bukevardet me drita, bibliotekat, shatërvanet, pallatet e larta, aerodromet dhe universitetet…

… Pas kaq vitesh i kam parë të gjitha. I kam provuar të gjitha dhe kam mësuar se kam mbetur “ po ai fshatar” që nuk lëndoj kënd, nuk fyej kënd,nuk vras kënd dhe nuk më gëzon “fati i hidhur i tjetrit”…Kjo më trishton, por nuk kam forcë…Po të ishte për “shpirtin e fshatarit” nuk do kishte as luftra, as diktatura, as nazizëm, as socializëm, as superfuqi, as “botë në krizë”…

 

Të gjitha këto janë “gatuar” nëpër qytete dhe metropole, aty ku thuhet se “jetojnë qytetarë”…

 

Në këto radhë nuk mund t’i them të gjitha, por tironsin që jeton në Amerikë si puna ime do ta pyesja thjesht: Ishte nga fshati apo nga qyteti Enver Hoxha?!…Po “shokët e byrosë” a nuk ishin gati të gjithë nga qyteti?...Të moshuarit e fshatit tim thoshin “Nuk ka pyll pa derra”. Unë dua t’u ngre lavde e kulte të mirës e virtytit njerëzor, që më duken sikur janë “nga fshati tim”. A nuk mbahet Perëndimi nga “Kulti i Krishtit”?...Kjo është “leva e Arkimendit” që mban Lirinë e njeriut “në lëvizje”…

 

Unë jam nga një fshat shqiptar, por jetoj në Amerikë! Unë jam nga fshati Pretushë, që i përket Pogradecit lasgushian. “Njeriu nuk mund ta zgjedhë vendlidjen, por vendin ku jeton”, thonë amerikanët. Unë, duke njohur “klonet” shqiptare do shtoja “…nuk kontrollon dot ku lind, por jetën që do të jetosh”. Sa mirë me qënë nga fshati edhe pse “qytetarët e fshatarizuar” nuk mund ta kuptojnë!

 

Shefqet Meko

Minneapolis, Minnesota USA

27 Janar 2023