Friday 18 March 2016

KOÇO SOTIRI, NJË RILINDAS I HARRUAR

     
       
Koço Sotiri
1840-1909
Koço Sotirin e gjejmë herë me emrin “Koto”, herë me emrin “Kostandin” e here me emrin “Koço Shqiptari“, emër te cilin ja kishin vendosur shokët e tij rilindas për përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe veprimtarisë së tij të dëndur patriotike. Eshtë vëllai i madh i Pandeli Sotirit, drejtorit të Shkollës së Parë Shqipe që u hap në Korçë në 7 Mars 1887. Hapja e kësaj shkolle ishte një ngjarje dhe fitore e madhe për gjithë lëvizjen patriotike kombëtare shqiptare, sepse kjo ishte një shkollë legale. Deri atëherë mësimi në gjuhën shqip bëhej fshehurazi sepse pushtuesit osmanë e kishin ndaluar. Poeti ynë i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri për këtë ngjarje do të shkruante:
“Lumja ti, moj Korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule.
Ta paçim për jetë hua! …”
       Në themel të kësaj arritje është dhe puna e përpjekjet e dy vëllezërve Sotiri. Për Pandeli Sotirin, është folur, ndoshta jo aq sa duhej, ndërsa për vëllain e tij Koto Sotiri, është folur pak ose është harruar fare. Veprimtaria atdhetare e vëllezërve Sotiri, nuk mund të ndahet nga njeri tjetri. Ata i vunë shpatullat ose mbështetën vellai vellain në idealet e tyre iluministe për Kombin Shqiptar, jo vetëm me penë, me mendjet e ndritura të tyre, por dhe me pushkë kur ishte e nevojëshme, ashtu si vellezrit “Frashëri”, “Topulli” e shumë rilindas të tjerë të shquar.
Koto Sotiri lindi me 1840 ne fshatin Selckë, Gjirokastër. Të dy vëllezërit ngelën jetimë në moshën fëminore, pasi babai i tyre thuhet se u vra në një përpjekje me armë me feudalët vendas. Në këto kushte, xhaxhai i tyre i cili banonte në Vienë, Austri, i mori të kujdesj për ta, madje dhe i shkolloi. Kotua përfundoi shkollën e lartë për jurist ndësa Pandeliu për mjekësi. Pas diplomimit punuan në për nje kohë të gjatë në administratën austro-hungareze.
Në shume shkrime dhe enciklopedi, thuhet se Pandeli Sotiri ishte nxënesi i Koto Hoxhit. Kjo s’ka mundesi sepse Shkolla Normale e Qestoratit, u hap në vitin 1873, kohë kur vëllezërit Sotiri patën përfunduar shkollën e lartë e kishin dalë në punë. Të shkruarit shqip, vëllezerit Sotiri e mësuan në shkollen fillore 5-vjeçare të fshatit të tyre, sepse që në atë kohe e vazhdim në këtë shkolle mësohej fshehurazi edhe gjuha shqipe.
       Ishin vitet kur çdo patriot shqiptar duhej të kontribonte për vendin e tij, prandaj rreth viteve 1870,dy vëllezrit lanë Vienën dhe shkuan në Stamboll për një misjon patriotik e atdhetar. Të vetdijshem ndaj rreziqeve, ata me veprimtarinë e tyre sfiduan osmanët dhe veprimtarinë e ethëshme shovene te fqinjeve tanë. Dy vëllezerit Sotiri, ishin ndër të parët nismëtarë të themelimit të “Shoqërisé së të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, ndër 27 anetarët që themeluan në Stamboll ne vitin 1879 kete shoqëri. Ata dhane dhe kontributin e tyre në formatimin e Alfabetit të    Stabollit. Gjithashtu thuhet se ishin anëtarë aktivë të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
       Pas njé veprimtarie të dëndur patriotike së bashku me Jani Vreton, në organizimin e shoqërive patriotike Bukuresht-Stamboll- Egjypt, siguruan të ardhurat edhe nga shqiptaret e Vienes për të blerë shtypshkronjën e Bukureshtit, ku natyrisht vëllezërit Sotiri ishin ndër kryesorët. Në këtë shtypshkronjë u botuan me alfabetin e Stambollit, tekstet e para shkollore. Ndërkohë Pandeliu së bashku me Petro Pogén, në vitin 1884 me leje të Portës së Lartë, botuan e revistën “Drita” me pas “Dituria” e cila kontriboi në zgjimin e ndergjegjes kombëtare.
Në këto kushte, për vellezrit Sotiri kish ardhur koha për sigurimin e një leje nga Porta e Lartë për hapjen e mësonjtoreve shqipe. Një abetare iu dërgua Sulltan Abdyl-Hamitit, i cili shprehu dashuri ndaj gjuhës shqipe, por më pas siç thuhet, ai ndryshoi mendim. Sidoqoftë Pandeliu siguroi dy leje, një në emrin e tij dhe një për vellanë, Koto Sotirin.
       Në vitin 1887, dy vëllezerit Sotiri me 150 abetare, çuditërisht të fshehura nga doganat, u nisën drej Korçës me misionin për të hapur “Mësonjtoren e Parë Shqipe” te mbështetur nga shumë patriote të tjerë. Të gjithë ishin të armatosur. Kotua me Risto Vodicën, siguronin mbarvajtjen në Mësonjtore me drejtor Pandeliun. Kotua përveçse ishte mësonjës, se bashku me shoket e tij, bënin propagandë në familjet korçare që fëmijtë e tyre të frekuentonin shkollën shqipe. Si rjedhojë, shumë femijë braktisën shkollat turke, greke e rumune dhe iu bashkuan shkollës shqiptare.
       Kur punët në mësonjtoren e Korçës menduan se i vunë në vijë, kish ardhur koha që dhe Kotua té hapte mësonjtoren e tij, në bazë të lejes që kishin marrë nga Sulltani. Kështu një jave me pas ai hapi “Mësonjtoren e Pare Shqipe” ne Pogradec. Që nga kjo kohë vëllezrit u ndanë. Pandeliu më pas siç dihet u izolua në Stamboll ku gjeti fundin tragjik te tij, ndërsa Kotua vazhdoi me këmbngulje misionin e tij per hapjen e Mësonjtoreve Shqipe. Duke sfrytezuar lejet e dhene nga Porta e Lartë, ai u aktivizua në hapjen e shume shkollave të tjera shqipe në Pogradec e Korçë por edhe në Maqedoni. Duke levizur nëper këto vise, krahas hapjes së shkollave, shpërndante dhe literaturë shqip, literature fetare si dhe ungjillin shqip të Kristoforidhit, të mallkuar nga propaganda shoviniste në atë kohë.
       Sipas Prof. Dr Musa Krajës, për kete veprimtari atdhetare, Koto Sotiri u denua nga Porta e Larte me pesë vjet burg dhe e derguan në burgun e Manastirit. Pas daljes nga burgu, Kotos i kish ardhur jo vetem pleqeria por dhe varferia. Ai vdiq ne mjerim ne vitin 1909, në spitalin e të vaefërve të këtij qyteti, ku duhet të jetë dhe varri i tij. Shtypi i kohës si “Drita” e Manastirit, “Drita” e Sofjes, etj. shkruan shumë në atë kohë per vdekjen e këtij martiri të gjuhës shqipe. Ato kanë pasqyruar punën e palodhur të këtij memdhetari të ndershëm. Gazeta “Korça”(1909) për sakrificat dhe persekutimet e Koto Sotirit për vellezrit inisjatorë për hapjen e Mesonjtoreve Shqipe do té shkruante: “Historia do t’i përmendi me shkronja të arta”. ( M. Kraja “Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqiptar”, Tiranë 2002)
Shkolla e pare shqipe ne Pogradec(Pikture nga A. Kostandini)
       Sado vite të kalojnë, sado me pluhur të mbulohet veprimtaria e vëllezerve “Sotiri”, ajo shkëlqen si një diamant në themelet e Kombit Shqiptar. Veprimtaria patriotike e tyre, duhet të vlerësohet nga strukturat pergjegjese të shtetit shqiptar, sepse është frymëzuese për brezat e sotëm dhe ata qe do vijne.

Pergatiti
Kostandin  Mosko
Mars, 2016

Abetare e Parë Shqip.

Një pozi kushtuar rilindasit martir Koço Sotirit, vëllait të Pandeli Sotirit, Drejtorit të Shkollës Shqipe në Korçe. Koço Sotiri në këtë periudhë me sa kuptohet ishte duke vuajtur vitet e burgut per shkak te veprimtarise se tij patriotike për hapien e shkollave shqipe. Botoi gazeta “Ditrrëfiesi Kombëtar”, Sofie 1900. (f. 148)
MIKUT TË DASHURË ZOTIT KONSTANDIN V. SOTIRIT NGA SELSKA
Ndë botët në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,
Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,
Mirësia dhe e vërteta në mos dukem as gjëkund,
Dhe gjithësinë në gjykon djalli dhe botën në tunt,
Oh! Këtë miqësinë tënë gjidhësia të na e ftonjë
Kurrë nuk do të guxonjë!
Edhe bukuria ndë fsheh pëbrenda ligësitë,
Dhe ai gjarpëri ndë fshihet brenda në trendelinë,
Shpresën të mos të humbim në këtë jetë të paudhë
Miqësia nuk duket ndë mes të njerëzvet shumë
Rri kurdo ndë zemrat tona dhe këtë që ta lëshonjë
Kurre nuk do të guxonjë!
Nëpër dete fort të gjerë lundra jonë duke shkuar,
Papandehur ndë goditet më ndonjë gur të mbuluar
Oh! Miqësia shpëtimtar do të bëhet mburonjës
Duke u sjellë në valët përmbi det posi kalorës,
Dhe skëter e shkumbëzuar, ne të dy të na fundosnjë
Kurrë nuk do të guxonjë!
Ndë është shkruar që larg të rrojmë duke ndarë
Dhe të ndarët në qoftë për jetë qe të na mbanjë,
O! shpirtrat të pandarë dhe ca me shumë të duhen
Se miqësi e këtillë ndizet edhe më shumë s’shuhet
Si dhe ajo vetë vdekja njohjen të na e poshtërojë,
Kurrë nuk do të guxonjë!
Oh! Miqësi e uruar! Dhe i thjeshtë ngushëllim,
Vet ti zemrën ma gëzove i jetës hidhërim
Po! Si dritare plot dritë dhe si llambetim i qiellit
Me ndrin mua që të ecë përmes luleve të ledhit
O! prej zemres sime ndonjë në dasht të të mërgonjë.
Kurrë nuk do të guxonjë!
Stefan S. Thodhoraqi Postenani.
Gërmëzoi K. Mosko




6 comments:

  1. Pandeli dhe Koco/Kotso/Koto dalin si djemte e Thimio Sotirit ne nje peme familjare qe kam pare. Thimio ishte vellai i Naqo Sotirit. Naqo Sotiri ishte stergjysh i Andon Panos i cili ka qene nje nga themeluesit e Teatrit Kombetar.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Ju pershendes dhe ju falenderoj. Kam shume interes per keto te dhena. Deshiroj te lidhem me Ju ne fb me mesager me emrin Koço Mosko, ose me jepni nje mundesi tjeter.

      Delete
    2. Mund te lidhemi me instagram ju lutem pasi nuk e perdor fb. Faleminderit.

      Delete
    3. Faleminderit! Me jep nr e telefoni tek imeli todhokoto@yahoo.com ose ketu ose ne istagram me dergoni nje sinjal se instagramin nuk e kontrolloj shpesh.

      Delete
  2. Mendoj se Thimjo Sotiri duhet te jete xhaxhai i Pandeli & Koto Sotirit, ai qe i morri ne Viene pasi u vra babai i tyre. Cdo e dhene eshte e vlefshme pasi nuk ka te dhena te plota deri tani. Ju falenderoj.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Edhe kjo mund te jete e mundur. Xhaxhai i cili u be si baba per ta ndoshta?

      Delete