Friday 27 January 2017

KARSHI VËNDLINDJES

nga  Agim SHEHU
Poet, Shkrimtar dhe Publicist


           
Agim SHEHU
Para 20 vjetësh bëra udhëtimin e fundit për në vëndlindje. Kisha vite që s’kisha qënë, dhe nga brënda makinës po shihja me kureshtje fëmije përzier me një ndjeshmëri që s’e përshkruaj dot. Qe një mall i ëmbël buzë lotit që vëndlindja dhe unë duke u dashur shumë në vegjëli, rronim larg njëri tjetrit ! Unë mora udhët kurse gjurmët e vogla të dikurëshme, e përsëris, i lashë pas. M’i mbajtën shtigjet dhe lëndinat e fshatit. Tani që po rikthehesha pak kohë për një udhë pune, gjëja e parë që më lëvizte në shpirt ishte çmallja me to. T’u flisja gjurmëve të fëminisë, mbase më përgjigjeshin sadopak me zërin e vet të largët.
         Po shihja nga hapsira. Në ecje makine, pamjet largoheshin shpejt nga pas. Ndaluam, dhe dola jashtë. U ndodha përballë maleve e humnerave. Po më dukeshin më të zvogluara nga sa i përfytyroja i rritur. U afrova për t’i përqafuar me vështrimin tim. Qe një pamje si e dalë nga legjendat, e ngrirë dhe e palëvizëshme në madhështinë e vet. Harqe malesh me blerim të kursyer rrotull zajeve, që bari të mos e zbuste karakterin sundues të gurit në mbretërinë e tij. Lartësi mesatare me ëndër për qiellin e yjet e me merak për tokën dh njerëzit. Po vështroja nga të gjitha anët, me hutimin e të larguarit që rikthehet befas në shtëpi. Pamjet përpara po më shihnin mua, thua donin të vërtetonin diçka, apo të më gjykonin për diçka! Doja t’u flisja si në vegjëli kur lozja me shokë në gjirin e tyre, por ato rrinin pa lëvizur siç i kish lënë Krijuesi Hyjnor. Buzë tyre - humnera të thella e të frikëshme që qenë nisur për në qëndër të botës te perëndia e nëndheshme, Hadhi, por ndëruan mënd dhe ndalën aty ku janë, te rrënja e maleve të vëndlindjes sime! Kush i kish prerë ashtu si me thikë?! Cfarë shpate mitologjie kish krijuar mbi gur atë arkitekturë të çuditëshme!? Zeusi për ndonjë zemërim qiellor ndaj ndonjë perëndie të pabindur kish lëshuar vargun e rrufeve sa të hapeshin ato gremina lemerie!
         Tërë kjo bukuri e ashpër ndoshta është nga një dhuratë qiellore, siç pohon sot astronomia ? Se ne, njerëzit tok me reliefin jemi pjesë yjesh të shkëputura prej tyre nga energjia bërthamore buzë shpërthimit…Ajo krijoi tokën e toka njeriun…Ky caktoi gjeografinë e vet, dhe për ta mbrojtur ngriti historinë e tij. (gjithkush në planet, veproi në harmoni me natyrën e tij). Ne jemi thërmijëza ylli se prej yjve jemi shkëputur – thotë një dijetar (po flas për vëndlindjen time). Në s’gaboj, aty, pothuaj çdo gjë e saj ka peshën e rëndë të materies së yllit (atë që lanë të parët) : burrat – hijerëndë si ata !. Kënga e rëndë. Vallja po ashtu, si te kaonët pellazgë. Armët stolisur dikur me ar e argjënd, të denja për burra. (pa armë s’kish burra. Një shkrimtar thotë se shqiptari kur kthehet në shtëpi, më parë pyet për armën se për gruan). Fustanella me pala e stoli, mund ta mbajë e të luftojë me të vetëm një burrë prej guri. Fjala me trimëri e besë brënda – e rëndë. Po ia preve, i ke prerë nderin. Shollët me proka poshtë dhe i zoti si një fis Herkuli. Sa tokësorë dhe qiellorë. Në Egjiptin e lashtë Perëndia e arsimit, kulturave dhe diturive quhej Thoti, pasi ai ‘thoshte’ çdo shkencë e mënçuri. Mbaj mënd, në fshatin tim një njeriu të mënçur e të ditur i flisnin « Toto »
         … Shikova më vëmendshëm pamjet përpara…U ndala te malet, nëse kisha gabuar diku! Ato vetëm dëgjonin. Hodha sytë nga maja e Bohotinës, mos dalloja Majën e Mollës ku dajot kishin stanin. Nuk dukej. Ndjeva se në hapsirë dëgjoheshin nga larg blegërima të vetmuara delesh që më kërkonin…Si t’i afroja ?
Ngado masive malesh lidhur me harqe qafash, si burrat në valle me krahë te njëri tjetri. Përroi me ujë të hollë të kulluar varet si lodra kecërish mbi pllaka guri. Pastaj humbet në thellësi, i mbuluar nën degë të gjelbëra zgjatur nga shkëmbijtë mbi të. (ka hyrë në botën e nëndheshëme, te Marua me 40 diva që ma tregonte përrallë nëna) ! Po e ndjeja veten jashtë kohe. Sa afroja një kujtim vinte tjetra e i zinte vëndin. Lulëkuqeve në ara ua zinte vëndin thëllëza në Bohotinë. Lepurit në misër i qepej pas qeni…Mbi krye zogjtë fluturonin në vija të drejta gjeometrie. M’u kujtuan gjuajtjet me llastika si vrasës i zogjve të pa faj…(m’u shfaqën kalimthi ata që më kishin gjuajtur në jetë, gjer në çdukje )! Desha t’i puthja zogjtë në ajër, por ata qenë zvogluar sa një pikë në hapsirë. S’po m’i falnin që u kisha vrarë të parët e tyre ! Iknin drejt folesë në faqen shkëmbore të greminës.. Diku fshehur brënda gëmushës një zog këndonte më vete . Cicërimat e tij të vetmuara e bënin më të plotë heshtjen. Po e kërkoja me sy. Më kuptoi, dhe u largua gjetkë. U duk tufa e pëllumbave. Fluturonin bashkë si balerina ajri duke bërë harqe me simetri të hollë. Askund nuk fluturojnë më bukur se mbi humnerë. (m’u kujtua përshkrimi i Ovidit romak për « pëllumbat e Kaonisë (Labërisë) », që kanë mrekulluar dhe Romën ! Ku vallë në Kaoninë e Labërisë ka të tilla humnera gati mitologjike pëllumbash si në dy prerjet e vëndlindjes sime ! Ndjeva një qetësi çlodhëse në shpirt. Diku larg u ndje një këngë barinjsh. Polifonia labe që e dua aq shumë. I pari, marrësi, fillon motivin e këngës për një ngjarje a për një njeri. Si e dëgjon ca, kthyesi e miraton dhe e dyzon duke e dyzuar këngën në dy zëra harmonikë. Hedhësi i miraton dhe njofton me zë të lartë botën. Populli – isua i pëlqen dhe i mbledh bashkë tërë zërat. Kënga i ngjan ziles apo këmborës…Plutarku thotë se ushtarët e Aleksandrit hidhnin një valle me dy rrathë burrash. Reshtin e parë e udhëhiqte një ‘Aleksandèer’, rrethin e dytë. Një ‚Dari‘ (i Persisë). Dihet ku trashëgohet sot kjo valle burrash ‚dyshe‘! Së pari, te vëndlindja ime…
         U shfaqën re të murme në qiell. Ndalën e panë diçka poshtë tyre, pastaj u nisën prapë në udhë, thua kishin parë një vëndas që po ngjitej lart, dhe s’donin sherr me të (një kronist turk thotë se aty „banorët krenarë zihen dhe me retë që u kalojnë mbi krye »). Mali karshi ra përkohësisht në hije. M’u duk se mori një zemërim njeriu e më kujtonte: « Sa më larg të na ikësh pa kthyer kokën pas, aq më pranë do ta kesh shkatërrimin ! » Mali qe strehuar brënda meje e po më fliste nga brënda gjakut tim. U ndjeva i paaftë të jepja një sqarim, apo një buzëqeshje miratimi.
         E lashë gjeografinë e hyra në histori. Te kjo hapsirë në cilat qafa e shtigje kaluan Bilbilenjtë? Ku iu bë prita e parë osmanëve? Nga hynin bandat e pabesa greke? Në ç’udhë u nisën bijtë e vëndlindjes sime pas Gjolekës e Hodo Aliut për të ndihmuar vëllezërit kosovarë? Nga e bëri udhëtimin e fundit Asim Zeneli (në ikje erdhi vizitoi mësuesin e tij, tim atë; më lëmoi flokët me një buzëqeshje prej ylli…dhe kaq.) Ku të kërkoj!...
         Zgjata vështrimin, mos shihja Rrapin legjendar në qendër të fshatit. Aty dikur atdhetari trim Shaqo Buzo qëlloi me shollë zabitin osman që ndalonte shkollën shqipe. Aty qe dhe gjyshi im, Sheh Abazi në konakun e të cilit u ngrit Shoqata ARBËRIA e përhapte abetaret e rilindasve…Në zemër më trokiti dhimbshëm zëri i gjyshit: „Biri im, nuk janë asgjë ato që hoqëm…as përzënia nga andartët grekë e vdekja ime e mjeruar në ullishtet e Vlorës…Asgjë. Qenë nga armiqtë e vëndit…Më e rënda, është ‚vdekja‘ e dytë me poshtërim që më bëjnë fshatarët e mi sot! Prishja e shtëpisë së vdekjes është më e rëndë se djegia e shtëpisë së jetës. Vitin e zi ma prishën Mekamin ku bëja gjumin e Perëndisë; nuk më lanë të lirë as dy pëllëmbë dhè më vete për gjumë të qetë. Po më shkel duke ecur i gjithë fshati e s’kujtohet njeri; çdo këmbë që më bie sipër e kam një thikë në shpirt: kaq shumë të jenë prishur fshatarët e mi? Si s’u kujtua njeri…biri im!?“
         Zëri i tij u pre. Humbi në kohë. Unë humba në hapsirë. Nuk dija ç’të bëja më tej!. U ula në tokë pa kuptuar pse u ula! Pashë përsëri nga malet. Ato vetëm dëgjonin pa më dhënë asnjë mendim. Thua bisedën e kishin lart me qiellin. Shikova nga humnera. Ato kishin lidhur bisedë me perënditë e nëntokës. Tufa e pëllumbave vazhdonte baletin e vet, pa u kuptuar në e kish nderim për jetën a për vdekjen! Ndjeva se nuk kisha fuqi për asgjë. U mbylla brënda heshtjes sime…