Thursday 29 September 2022

VANGJEL ZHAPA KOLLOS I HUMANIZMIT


nga:  Thanas HODA 

Çikago,  SHBA

 

Të mirat që bëri Zhapa

Në Labovë e Shqipëri,

Duhen volume të tëra,

T’i tregosh me hollësi.

2

Ky kollos i humanizmit,

Me dashuri për njerinë,

Nuk kurseu për Labovën

Dhe për gjithë Shqipërinë.

3

Qe të dy me Kostandinë,

Vendosën beqar mbenë,

Ta përdornin pasurinë,

Per Labovë e Mëmëdhenë.

4

Mendonte për vend të tij,

Të nxir popullin në dritë,

Si të zhdukej erësira,

Që na lanë osmanllinjtë.

5

Vetëm shkolla të hap sytë,

Të ndjekësh udhën e mbarë,

Të njohësh më mirë armiqtë,

Të pabesë e ziliqarë.

6

Behari s’vjen me një lule,

Ndaj hapi shkolla të tjera,

Lulëzonte gjuha shqipe

U qeshte në sy pranvera.

7

Veç  Labovës hapi shkolla,
Një qind e njëzet e shtatë,

Ne shumë fshatra të Jugut,

Çamëri e në Filat.

8

U lidh me shumë patriotë,

Që ishin në Rumani,
Të botonin libra shqipe,

Të përhapnin dituri.

9

Veqilharxhin financoi,

Për gramatikë, abetare,

Libra të tjera shkollore,

Për ne gjuhën amëtare.

10

Dy herë Lojrat Olimpike,

Zhapa i sponsorizoi,

Pas nje mijë e pesëqind vjetësh,

Serish i organizoi.

11

Ku s’bëri Ai të mira,

Rumaninë e zbukuroi,

U bëri Akademinë,

Universitet ndërtoi.

12

Në Turqi, në shumë qytete,

Hapi shkolla, jetimore,

Gjithë Shqiptarët e atjeshëm,

I merrte si prind përdore.

13

Në Athinë=ZAPION=e bukur,

Kjo- perlë- shoqe tjetër s’ka,

Mburret me të sot Greqia,

Besën që ka dhënë se mba!

14

Për Laboven bëri shumë,

E la për jetë amanet,

I caktoi fshatit pension,

E ka lënë me  Testament.

15

Pese vajza më fukaresha,

Çdo vit t’i martojë me pajë

T’i caktojë pleqësia,

Dhe drejtësinë t’a mbajë.

16

Dhe pesë bij  Labovitë,

Me edukatë dhe të zgjuar,

Të venë në shkolla të larta,

Në  Evropë për të mësuar.

17

Ata vinin të gëzuar,

Diploma varur në gji,

Punonin me shpirt e zemër,

Përhapur në Shqipëri.

18

Mesuesve u jepte rrogë,

Priftit, psaltët dhe dhjaku,

Bëhej çdo gjë drejtësisht,

Nga i riu gjer tek plaku.

19

Kur vinte Vangjelizmoi,

Në Labovë festë e madhe,

Pas Kishës buçiste kënga,

Të gjithe ngriheshin në valle.

20

Pastaj ndaheshin dhurata,

Pa gëzim s’linte njeri,

Më shumë për fukarenjtë,

Jetimët e pa njeri.

 

21

Krojet mbaheshin në rregull,

Buronte ujë pa pushuar,

Rrugët shtruar me kalldrëm,

Nga  Vangjeli janë ndërtuar.

22

Kudo rregull pastërti,

Çdo njeri i respektonte,

Ruheshin kishat e fshatit,

Dhe prifti në shqip meshonte.

23

Paratë për shkolla s’kurseu,

Tek shkolla shpresën shikonte,

Vendi lenë në eresirë,

Do  ecte, do përparonte.

24

Gjirokastër – Tepelenë,
Qeparo e  Çamëri,

Hapi e pajisi shkollat,

Për kulturë e dituri.

25

Deri sot nuk di njeri

Te hap si Zhapa qesenë,

Ta derdhi veç për të mira,

Për Labovë e  Mëmëdhenë.

26

Kapitalet për  Labovën

I la në Bankë të  Greqisë,

I merrte fshati çdo muaj,

Ndarja sipas  Porosisë.

27

Nga tetëqind gjashtëdhjetë e pesa,

Kur Vangjeli nderoi jetë

Greqia ishte korrekte,

Gjer më nëndëqind e dyzetë.

28

Shqiptarët gjithë jetën,

Nuk kanë sulmuar njeri,

Duan të jetojnë të lirë,

Me të gjithë në miqësi.

29

Pas luftes Italo- Greke,

Greqia në qafë na ra,

Vendosi ligjin e luftës,

Dhe sot në fuqi e mba.

30

Testamentin që la Zhapa,

Greqia nuk e zbaton,

Besën që  i dha Vangjelit

Nuk bën mirë që e pengon.

31

Ne Shqiptaret, po dhamë besën,

S’e shkelim sa jemi gjallë,

Ndaj dhe nami na ka dalë,

Trima e besnikë të rrallë.

32

Mu në zemër të Labovës,

Djemt e saj i mban në gji,

Eshtrat e bijve të saj,

Që nuk gjejnë qetësi.

33

Paret që nuk janë dërguar,

Miliardin kanë kaluar,

Levizin kockat e tyre,

Zhapën miqtë e tradhëtuan !

34

Kush e ha mikun në besë,

Edhe  Zoti e dënon,

Hak e mikut do t’i ndjekë,

Se e drejta triumfon!

35

S’është e mire që ta zgjidhë  Haga

Mosmirenjohjen, pabesinë

Do vijë haka tek i zoti,

Do vendosi  drejtësinë!

36

Shpresat të mos i humbasim,

E drejta do triumfojë,

Greqia me djem të zgjuar,

Do dijë dhe të vlerësojë.




Monday 26 September 2022

NJË FOTO QË FLET SHUMË

"Dy njerëz, nga më të sinqertët që kam njohur, dy profesionist nga më të përkushtuarit ndaj njerzve, vlerave dhe profesionit, ndodhen këtu bashkë në një çast pune, duke realizuar një intervistë për gazetën lokale "Pararoja" të Gjirokastrës. "


nga: Ëngjëll  SERIANI
Gjirokastër

 Kjo fotografi e arkeologut të njohur, e të ndjerit Prof Dhimosten Budina dhe xhaxhait tim gazetarit Delo Serjani (që e paça sa malet), më jep vazhdimisht një ndjesi e kënaqësi të veçantë. 

Dy njerëz, nga më të sinqertët që kam njohur, dy profesionist nga më të përkushtuarit ndaj njerzve, vlerave dhe profesionit, ndodhen këtu bashkë në një çast pune, duke realizuar një intervistë për gazetën lokale "Pararoja" të Gjirokastrës. Dallohet fare qartë kënaqësia e Prof. Budinës për t'i rrëfyer gazetarit zbulimet e tij arkeologjike në pjesen e kompleksin e banesave me peristil të qytetit antik të Antigonesë, që sot funksionon dhe menaxhohet si park kombëtar arkeologjik. 

 

Ekspeditat dhe studimet e Prof. Dhimosten Budinës nuk ka marrë asnjëherë vlerësimet e merituara për atë punë titanike lidhur me fushatat e gërmimeve arkeologjike dhe studimet shkencore që ai realizoi në Antigone me përkushtim gjatë një periudhe prej afro 25 vjetësh.

 

Të njëjtën ndjesi më përciell edhe prezenca e njeriut tim të dashur, gazetarit, mësuesit dhe regisorit Delo Serjani. Edhe puna dhe perkushtimi i tij në gazetarinë e shkruar, në arsim si mësues letërsie dhe si organizator i veprimtarive kulturore, teatrit dhe estrades amatore të fshatit "Asim Zeneli", asnjëherë nuk morën vlerësimin e merituar. Mandej, për ironi të një realiteti absurd, të inferioritetit të të paaftëve dhe të smirës së tyre, Delon e përjashtuan edhe nga radhët e partisë së punës. 

 

Shpresoj shumë që ndoshta një ditë studimet dhe ligjeratat shkencore të Profesor Budinës, të cilat janë kopjuar dhe kanë shërbyer për mbrojtje titujsh shkencor prej shumë arkeologëve pasardhës, t'i shikoj një ditë të përmbledhura në një botim dinjitoz nga Instituti Albanologjik, Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, universitet, apo edhe nga institucione të tjera që e kanë për detyrë këtë gjë.

 

Tuesday 20 September 2022

VANGJEL & KOSTANDIN ZHAPA: TESTAMENTI QË NA KANË LËNË



nga: Andrea LLUKANI

Tiranë




Andrea LLUKANI
Vangjel Zhapa njihet si një ndër bamirësit epirotë me zemër të madhe. Aktiviteti i tij ekonomik shtrihej në disa shtete: në Rumani, në Greqi, në Shqipëri, në Bullgari dhe në Turqi. Me gjithë kontributin e madh në zhvillimin kulturor shqiptar, grek, rumun, bullgar dhe turk, filantropi Vangjel Zhapa nuk ka marrë atë që meriton në vendlindjen e tij. Madje shtëpia e tij në qendër të Labovës, një vepër e përkryer arkitekturore është lënë e braktisur. 


Vangjel Vasil Zhapa (1800-1865) ka lindur në fshatin Labovë e Madhe, më 23 gusht të vitit 1800. Që në moshë të re ishte i dhënë pas bimëve medicinale. Në moshën 14-vjeçare ai shkoi në Janinë tek kushëriri i tij Vangjel Meksi. Kur ishte në moshën 21-vjeçare ka marrë pjesë në Revolucionin Grek të vitit 1821, ku u shqua për trimëri të rrallë dhe aftësi drejtuese. 


Më 1831 Zhapa u vendos në Rumani, ku ka punuar si mullixhi. Njëkohësisht ushtronte mjekësinë me barna popullore, që e kishte pasion. Duke ushtruar profesionin e mjekut popullor ai arriti të shëronte të bijën e princit Maruzi të Rumanisë, që vuante nga një gangrenë në këmbë. Si shpërblim ju dhurua mulliri ku punonte, si edhe disa toka bujqësore. 


Vite më vonë ato toka qenë burim nafte, prej nga u pasurua së tepërmi. Ai bleu një çiflig në Broshten të Rumanisë, në të cilin përfshihen toka, pyje, magazina, mullinj etj. Së bashku me kushëririn e tij Kostandin Zhapa, për 34 vjet zotëroi një pasuri kolosale. 


Në Athinë, më 1888 ka ndërtuar pallatin Zapion, përveç shumave të mëdha që derdhi për Universitetin, Bibliotekën Kombëtare, Akademinë e Athinës, Politeknikun, Konservatorin, shkollën “Arsaqio” etj. “Pallati Zapion” është ideuar nga Vangjel Zhapa.


Projekti u hartua nga arkitekti francez Bullanzhe dhe u zbatua nga inxhinieri danez Hansen. Pallati ka 15 salla të mëdha, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 2420 metra katrorë. Punimet për ndërtimin e “Pallatit Zapion” zgjatën rreth 14 vjet. Shiritin e përurimit e preu vetë Kostandin Zhapa i ardhur nga Rumania. 


Në Kostandinopojë ka pasur në pronësi 80 dyqane, disa godina banimi, shkollën femërore “Zapion”, si edhe kishën e Shën Triadhës. 


Në Rumani ka kontribuar për ndërtimin e Akademisë së Rumanisë, Universitetit dhe Teatrit të Bukureshtit, kishën e Vangjelizmoit në Broshten etj. 


Më 1884, në Shqipëri ka ndërtuar manastirin e Tërbuqit, shkolla, biblioteka, rrugë, vepra publike etj. 


Pas vdekjes së Vangjel Zhapës më 19 qershor 1865 administrator i pasurisë së tij u bë Kostandin Zhapa, që ishte njeriu më i afërt i Vangjelit. Kostandin Zhapa e ka administruar pasurinë e Vangjel Zhapës për 27 vjet që nga 19 qershori i vitit 1865 kur vdiq Vangjeli deri më 1892.  Testamenti i Kostandin Zhapës daton më 18 janar 1891 dhe është nënshkruar në Broshten të Rumanisë.


Testamenti që na kanë lënë Vangjel & Kostandin Zhapa

Pasuria e bamirësve Zhapa, sipas testamentit që kanë lënë administrohej nga një fondacion në Athinë, i njohur si “Komisioni i Zhapës”, në të cilin bënin pjesë personalitete të njohur të jetës publike. Kohët e fundit nga hulumtimet që kemi bërë nëpër arkiva kemi mundur të gjejmë testamentin e Kostandin Zhapës. Ai e çel testamentin e tij me fjalët “jam epirot” dhe i krishterë ortodoks. 


Në pikën 1, 2, 3 4 të testamentit përmend pronat që ka zotëruar në Greqi dhe në Rumani. Në pikën 7 të testamentit bamirësi i madh flet për pjesëtarët e “Komisionit Zhapa”, ndër të cilët ka qenë Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Gjykatës së Arbitrazhit, Zëvendës Kryetari i Komisionit për Çështjet Olimpike të Greqisë etj. Komisioni përbëhej nga pesë anëtarë, të gjithë me vota të barabarta ndërmjet tyre. Në komision gjithnjë ka pasur vend edhe për dy anëtarë të fisit Zhapa. Selia e përhershme e “Komisionit Zhapa” ka qenë “Pallati Zapion” në Athinë. Nga testamenti mësojmë se zgjedhjet e anëtarëve të “Komisionit Zhapa” bëheshin çdo tre vjet. Zgjedhja e kryetarit, zëvendës kryetarit, sekretarit dhe arkëtarit bëhej me shumicë votash. Sipas testamentit “Komisioni Zhapa” ka pasur edhe një sekretar të posaçëm me pagë, i cili nuk ishte anëtar i komisionit, por kryente rolin e arkëtarit, duke mbajtur regjistrat në dy kopje për të gjitha transaksionet bankare. Paga vjetore e secilit prej anëtarëve të komisionit ka qenë tre mijë franga. Në përfundim të çdo viti kalendarik komisioni mbyllte llogaritë e të gjitha transaksioneve bankare, emër për emër deri tek qindarka e fundit që ishte shpenzuar. Raporti i komisionit i nënshtrohej auditit të ministrisë së Financave. 


Nga testamenti që ka lënë mësojmë se shkolla në mes të fshatit është ndërtuar me shpenzimet e Zhapës dhe ka shërbyer për të arsimuar breza të tërë labovitësh. Në testament është shkruar: 


-Të mësojnë vajzat dhe të punojnë të gjitha llojet e thurrjes së tekstileve në përputhje me nevojat e vendit, të tilla si rrobaqepësi dhe endje dhe gjithashtu tu mësohen vajzave shkrim e këndim. 


Komisioni të depozitonte kapitalin përkatës për blerjen e lëndës së parë, penj, lesh dhe materiale të tjera të këtij lloji, me të cilat do të punonin vajzat. Punimet shiteshin në stinën e përshtatshme me anën e ankandit. Nga produkti i shitjes për secilin punim zbritej vlera e lëndës së parë dhe pjesa që mbetej i përkiste vajzës, që kishte realizuar atë punë. Në rast se punimet nuk shiteshin, atëherë ato depozitoheshin në depo, duke i iventarizuar me numrin përkatës sipas emrit të vajzës që kishte realizuar punimin. 


Për mbarëvajtjen e shkollës komisioni kishte caktuar një arkëtar, i cili mbante rregullisht llogaritë dhe regjistronte çdo gjë. Madje komisioni kishte parashikuar, që nëse punishtjtja do të dilte difiçit, do të kompesohej nga “Komisioni Zhapa”, por që ky difiçit nuk duhej të qe më shumë se 500 franga.


Në pikën 6 të testamentit bëhet fjalë për një donacion rreth tre mijë franga për të mbajtur shkollën e fshatit Lekël në Epir. Një mijë e pesëqind franga për shkollën e vajzave në fshatin Dhrovjan të Epirit. Një mijë e dyqind franga në shkollën e Delvinës së Epirit. Një mijë franga për shkollën e fshatit Qeparo, të Himarës së Epirit etj. 

Në pikën 10 të testamentit ndër të tjera thuhet se “Komisioni Zhapa” do të kujdeset që të ndërtohet nga themeli kisha e Ipapandisë dhe pranë saj të jetë varreza familjare. 


Komisioni do të caktojë një mjek të mirë, i cili do të kujdeset për banorët e fshatrave Labovë, Lekël, Hundëkuq, Karkan, Tërbuq etj. Gjithashtu komisioni do ti jepte çdo vit një mijë e dyqind franga shkollës së trajnimit në fshatin Nivan të Zagorisë.


Në pikën 15 të testamentit është shkruar që pas vdekjes së Kostandin Zhapës, komisioni të kujdesej për ceremoninë dinjitoze të varrimit dhe mbi varrin e tij të shkruhej “Këtu prehet trupi i mëkatarit të Perëndisë, Kostandin Kristo Zhapa, i lindur në Labovë të Epirit në vitin 1814”. Në zbatim të testamentit çdo vit më 25 mars, në ditën e Vangjelizmoit mblidhej komisioni, i cili analizonte si qenë shpërndarë donacionet për atë vit dhe bënte planin për vitin që pasonte. 

Përfundimisht mund të themi se në shumë pika të testamentit të tij përmenden donacione për Labovën, që ishte vendlindja e tij. Ndër to mund të përmendim: ndërtimi i krojeve të fshatit, ngritja e shkollës, rroga e arsimtarëve, pagesa e librave të nxënësve, rroga e priftit të kishës, mirëmbajtja e rrugëve të fshatit, shërbimi mjekësor, sigurimi i pajës së vajzave të vobegëta etj. 


Në dobi të lëvizjes kombëtare shqiptare Vangjel Zhapa ka sponsorizuar botimin në Rumani të dy abetareve shqipe të Naum Veqilharxhit. Gjithashtu ka sponsorizuar botimin e gazetës “Pellazgu”, e cila është botuar në Lamia të Greqisë në vitet 1859-1861. 


Shkolla që çeli Vangjel Zhapa më 1860 në Labovë, gjatë viteve 1910-1921 u kthye në shkollë shqipe. Në të është zhvilluar kursi normal, i cili përgatiste mësuesit për shkollat fillore të Shqipërisë së Jugut. 


Njeriu që ringjalli lëvizjen olimpike

Sipas burimeve historike në vitin 1856, Vangjel Zhapa i drejtoi mbretit të Greqisë, një propozim, për rilindjen e lojërave olimpike. Për të realizuar dëshirën e tij Vangjel Zhapa ofroi 3000 napolona floriri, si edhe 400 aksione, që zotëronte në një shoqëri lundrimi në Rumani. Mbreti Othon, në gusht 1856 publikoi dekretin mbretëror, me anën e të cilit e pranoi ofertën e bamirësit labovit, ndërkohë që në nëntor të vitit 1859, u bë realitet çelja e lojrave olimpike, të cilat qenë të harruara për më shumë se 1500 vjet. Lojrat olimpike u rikthyen, në sajë të zemërgjerësisë së filantropit Vangjel 


Zhapa nga Labova e Madhe. 

Në testamentin e Vangjel Zhapës është shkruar që eshtrat e tij të çvarrosen nga Rumania dhe të rivarrosen në Labovë. Kjo dëshirë e shkruar në testament u realizua në vitin 1887, pra 22 vjet pas vdekjes së bamirësit të madh.  Eshtrat e tij u sollën nga Broshteni i Rumanisë dhe u rivarrosën në sheshin para kishës së Ipapandisë në Labovë. 


Për kontributin e tij bamirës Vangjel Zhapa është nderuar me tituj të shumtë nderi: Në Rumani është nderuar me titullin “Këshilltar i Oborrit Mbretëror të Rumanisë”. Në Kostandinopojë është nderuar me titullin “I mirëprituri i Patriarkanës së Kostandinopojës”.  Në Shqipëri në vitin 2006 i është dhënë titulli “Nderi i Kombit”. 

Shoqata atdhetare dhe kulturore “Odria” ka organizuar një sërë aktivitetesh të larmishme për të përkujtuar filantropët Vangjel dhe Kostandin Zhapa. 


Dua të theksoj këmbënguljen dhe interesimin e veteranit Niko Zherdi, i cili nuk rreshti, duke trokitur derë më derë në instancat më të larta të shtetit shqiptar për të bërë realitet ndërtimin e Akademisë Sportive “Vangjel dhe Kostandin Zhapa”, në një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Kasharit. Një ëndërr kjo që ka mbetur në sirtar, ndonëse ka qenë një projekt me vlerë për zhvillimin e aktiviteteve olimpike në Shqipëri. 


Vlen për tu përgëzuar talenti dhe përkushtimi i regjizores Donika Muçi, e cila pas shumë vështirësish financiare mundi të realizojë filmin dokumentar “Njeriu që kapërceu shekujt’, kushtuar bamirësit me zemër të madhe Vangjel Zhapa. 

Kohët e fundit disa intelektualë të shquar të kulturës shqiptare po përpiqen të grumbullojnë materiale dhe dokumente për bamirësit Vangjel dhe Kostandin Zhapa. Këto materiale do të shërbejnë për tu njohur dhe edukuar brezi i ri me ndjenjën e humanizmit dhe të patriotizmit, që ishte edhe motoja e jetës së filantropëve të mëdhenj Vangjel e Kostandin Zhapa.

----------------------

Marrë nga Foti Cici 

https://www.facebook.com/bibliotekaortodokse/posts/1133794370143936/ 

Thursday 15 September 2022

SABIHA KASIMATI LIBOHOVITJA , SHKENCËTARJA E PARË SHQIPTARE

"Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

(U ekzekutua natën e 26-27 Shkurtit 1951)

 


nga Ing.  Bexhet ÇOBANI

Gjirokastër


Sabiha KASIMATI
(1912 - 1951)
Sabiha Kasimati lindi më 15 shtator 1912 ne Edirne ne familjnen e doktorit Abdurrahman Kasimati nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani. Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë. Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng, të cilin e mbaroi më 1931 – dhe ështe vajza e parë që kreu atë lice. Qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane. Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

 

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frëngjisht në Institutin femëror të Korçës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë. Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim). Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 mbaroi doktoraturën me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri).

 

Në Torino Sabihaja shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në Universitetin e Torinos. Me dëshirën për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijet e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye. Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur. Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

 

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është veçanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

 

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

 

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

 

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

 

Sabihaja filloi të shprehte hapur pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”. Por ajo nuk u tërhoq…Sabiha Kasimati i kerkoi takim Enver Hoxhës si shok klase . Aty ajo i tha: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët”?

Enveri i thotë “Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin"

 

Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”. Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë i konsideronin një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo provë të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951.


Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

 

Më 25 shkurt 1951, gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Tre ditë përpara se t’i ekzekutonin, në Mënik ishte hapur një gropë e thellë për të futur në një varr të përbashkët. Të lidhur me tela me gjemba, 23 personat e dënuar me vdekje ishin rreshtuar krah njëri-tjetrit dhe prisnin komandën “zjarr” për t’ju shkëputur filli i jetës.

 

Edhe pse asnjë prej tyre nuk njihej me njëri-tjetrin, sërish burrat u munduan që ta shpëtonin Sabihanë. Në momentin kur “xhelatët” hapën zjarr ata dolën para trupit të Sabihasë , duke e shpëtuar. E gjallë mes një grope plot me të vdekur ajo bërtiste: “Mos më vrisni”, Xhelatët e mbytën për së gjalli!

 

PER IRONI TE FATIT :

26 shkurt të 2020, ndërroi jetë Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës

26 shkurt të 1951, 69 vite më parë u vra mizorisht Sabiha Kasimati , pikërisht me urdhër të Enver Hoxhës, Mëria për dashurinë e mohuar, firmosi fatin tragjik të shkencëtares, Enver Hoxha e dashuroi aq shumë, aq sa nuk mundi ta linte të gjallë, u hakmor në mënyrën më mizore që njeh historia, mbasi mendohet se ishte edhe shtatezënë . Një çmenduri e madhe, një shkelje totale e ligjit moral ku thuhet se, nqs nuk të kapin plumbat gjatë pushkatimit atëherë je i lirë, por edhe kur je shtatzënë, nuk të lejon ligji të pushkatohesh. 

 

I përjetshëm kujtimi i Sabiha Kasimatit, Libohovitja e ndritur, Shkencëtarja e parë Shqiptare.

 

Pergatiti : Ing Bexhet Çobani





 

Sunday 11 September 2022

KARKALECAT, DËMTUES TË RREZIKSHËM TE BUJQËSISË

Karkaleci i shkretëtirës (Schistocerca gregaria)



Përkthyer nga  FAO

Karkaleci i shkretëtirës (Schistocerca gregaria) është dëmtuesi që shkaketon dëmtimin më të madh të bimëve në botë. Në kushte të favorëshme mjedisorë, mund të formohen tufa të mëdha e të dendura dhe shumë të lëvizshme të karkalecit migrator. Janë grykës që konsumojnë sa pesha e tyre në ditë, duke synuar farërat ushqimore e veçanërish  ato foragjere. Vetëm një kilometër katror i populloar me këtë karkalec mund të përmbajë deri deri në 80 milionë insekte të rritur, kanë kapacitetin për të konsumuar një sasi ushqimi në një ditë sa 35,000 njerëz. Tufat e mëdha përbëjnë një kërcënim të madh për sigurinë ushqimore dhe jetesën rurale. FAO ka ekspertizë të gjatë në monitorimin e popullatave të karkalecave të shkretëtirës dhe për të ndihmuar vendet të përballen me këtë dëmtues shkatërrues të kulturave bujqësore.

 

Duke filluar në fillim të vitit 2020, një rritje masive e karkalecave në shkretëtirë shpërtheu në të gjithë Afrikën Lindore, Azinë Jugperëndimore dhe zonën përreth Detit të Kuq, pasi kushtet klimatike  ishin mjaft te pershtateshme.

 

FAO ka përcaktuar shkallën zhvillimit dhe të përhapjes  të karkalecave të shkretëtirës për vitin 2020 si një nga prioritetet e saj më të larta dhe është e angazhuar në aktivisht për të  mbështetur qeveritë në frenimin e këtij kërcënimi të paprecedentë për sigurinë ushqimore.

 

FAO monitoron nga afër situatën globale të karkalecave të shkretëtirës 24/7 dhe ofron parashikime, paralajmërime të hershme dhe sinjalizime për kohën, shkallën dhe vendndodhjen e pushtimeve dhe shumimit përmes Shërbimit global të Informacionit të Karkalecave të Shkretëtirës (DLIS).

 

Të gjitha vendet e prekura nga karkalecat i transmetojnë të dhënat e karkalecave tek FAO, i cili nga ana e saj analizon këto informacione në lidhje me të dhënat e motit dhe habitatit dhe imazhet satelitore për të vlerësuar situatën aktuale të karkalecave, për të ofruar parashikime deri në gjashtë javë përpara dhe për të nxjerrë paralajmërime në kohën e duhur.

 

FAO përgatit buletinet mujore dhe përditësimet periodike që përmbledhin situatën e karkalecave dhe parashikojnë migrimin dhe shumimin sipas vendit.

 

Për më tepër, FAO ndërmerr misione vlerësimi në terren, forcon kapacitetet kombëtare, kordinon operacionet e vëzhgimit dhe kontrollit, si dhe ndihmën emergjente gjatë rritjeve të karkalecave dhe murtajave.


 

Ku Jane të përhapur  karkalecat e shkretëtirës?

 

Gjatë periudhave të qeta (të njohura si recesione) karkalecat e shkretëtirës zakonisht kufizohen në shkretëtirat gjysmë të thata dhe të thata të Afrikës, Lindjes së Afërt dhe Azisë Jugperëndimore që marrin më pak se 200 mm shi në vit. Kjo është një sipërfaqe prej rreth 16 milionë kilometra katrorë, e përbërë nga rreth 30 vende.

 

Megjithëse karkaleci i shkretëtirës konsiderohet të jetë lloji më i rëndësishëm i karkalecave për shkak të aftësisë së tij për të migruar në distanca të mëdha dhe për të rritur me shpejtësi numrin e tij, ka disa lloje të tjera të rëndësishme të karkalecave dëmtues në  botë:

 ( Fotot janë vendosur nga bota bujqësore)

1. Karkaleca migratore afrikane (Locusta migratoria migratorioides) - Afrikë;

Locusta migratoria migratorioides by Anthoni Kurek


2. Karkaleca migratore orientale (Locusta migratoria manilensis) - Azia Juglindore;

Locusta migratoria manilensis by Enrique Baquero

3. Karkaleci i Kuq (Nomadacris septemfasciata) - Afrika Lindore;

Nomadacris septemfasciata

4. Karkaleca kafe (Locustana pardalina) - Afrika e Jugut;

Locustana pardalina foto: Piotr Naskrecki

5. Karkaleca italiane (Calliptamus italicus), nga Evropa perëndimore në Azinë Qendrore;

Calliptamus italicus Minden Pictures

6. Karkaleci maroken (Dociostaurus maroccanus) - Afrika Veri-Perëndimore në Azi;

Dociostaurus maroccanus

7. Karkaleca Bombei (Nomadacris succincta) - Jug-Perëndim në Azinë Juglindore;

Nomadacris succincta


8. Murtaja Australian Locust (Chortoicetes terminifera) - Australi;

Chortoicetes terminifera

9. Karkalecat e pemëve (Anacridium sp.) - Afrikë, Mesdhe, Lindja e Afërt.

Anacridium sp.

 

Një intervistë pyetjesh dhe përgjigjesh, me parashikuesin e FAO-s për karkalecat e  shkretëtirës. ​​Keith Cressman dhe Cyril Ferrand, menaxher  përgjigjes për karkalecave të shkretëtirës të FAO-s në Afrikën Lindore.  Diskutim mbi përparimin e bërë për frenimin dhe kërcënimin e paraqitur nga dëmtuesi i pangopur(grykës)  në Afrikën Lindore.

 

Cila është situata e karkalecave në Afrikën Lindore tani?

 

Cressman: Për momentin, tufat po bien me shpejtësi në të gjithë Bririn e Afrikës falë operacioneve të kontrollit në shkallë të gjerë të ngritura nga qeveritë dhe të mbështetura nga FAO gjatë 14 muajve të fundit dhe shirave të dobët.

 

Vatrat në Etiopi, Kenia dhe Somali mbeten të papjekur dhe vazhdojnë të bëhen më të vogla. Pa reshje, ato nuk do të piqen dhe të shumohen. Sezoni i ardhshëm i shirave që pritet të jetë më i thatë se normalja duhet të kontribuojë në një rënie të mëtejshme të karkalecave.

 

Pra, ekziston një optimizëm i kujdesshëm se rritja e vatrave të karkalecave po zvogëlohet në Bririn e Afrikës, veçanërisht nëse reshjet e dobëta të shiut kufizojnë shumimin këtë pranverë, dhe më pas shirat po aq të dobët që ndodhin gjatë verës në Etiopinë verilindore dhe Somali.

 

Ferrand: Unë do të shtoja se, krahasuar me tufat e mëdha të vitit 2020, tufat që trajtohen tani nga ekipet qeveritare shkojnë nga disa hektarë në 30 hektarë dhe përmbajnë shumë më pak insekte. Mos harroni vitin e kaluar kishte një tufë në Kenia veriore që ishte rreth 2000 kilometra katrorë në madhësi. Tani, misionet ditore në Kenia janë më së shumti një ose dy në ditë, krahasuar me 20 në kulmin e rritjes vitin e kaluar.

 

A thua se kriza e karkalecave ka marrë fund?

 

Cressman: Absolutisht jo! Duke pasur parasysh kushtet e duhura, karkaleci i shkretëtirës përbën një bombë biologjike me sahat. Ata janë gjithashtu profesionistë të mbijetesës dhe dinë të menaxhojnë kushtet e motit në një klimë në ndryshim. Ne jemi befasuar dy herë gjatë kësaj rritjeje nga moti atipik që hodhi sasi jashtëzakonisht të mëdha reshjesh jashtë sezonit dhe shkaktoi një shpërthim riprodhimi.

 

Do të ishte një gabim fatal të zvogëlohej reagimi tani. Përkundrazi, misionet e mbikqyrjes duhet të rriten, për të bllokuar dhe për të zbuluar çdo rritje në aktivitetin e karkalecave, nëse edhe mund të jetë i ndryshueshëm . Numri maksimal i ekipeve tokësore duhet të jetë jashtë në kërkim aktiv për infektimet e karkalecave. Të gjitha ekipet e kontrollit duhet të qëndrojnë gati për të duke reaguar. Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, operacionet mund të jenë në gjendje të dalin nga "statusi i alarmit të lartë" ndoshta pas verës.

 

Ferrand: Pikërisht. Kaq shumë është fituar. Por ne shohim se qeveritë e rajonit janë të vendosura për të mbrojtur këto arritje tani që njerëzit e Afrikës Lindore kanë filluar të shohin dritën në fund të tunelit. Tani, vendet kanë sisteme të vendosura, ekipe të vendosura dhe po mbajnë një gjendje gatishmërie të plotë.

 

Çfarë ndodh nëse moti i papritur provokon një raund tjetër shumimi?

 

Ferrand: Vendet e rajonit janë gati. Në një vit ata kaluan nga një ekspertizë ose kapacitet shumë i vogël për t'u marrë me invazionet e karkalecave të shkretëtirës në një gjendje gatishmërie shumë të lartë. Pra, një trashëgimi e qëndrueshme e kësaj fushate të përbashkët është një kapacitet shumë i përmirësuar kombëtar i gatishmërisë ndaj reagimit ndaj karkalecave që do të përfitojë nga Afrika Lindore në të ardhmen.

 

Si trajtohen shqetësimet mjedisore dhe të sigurisë që lidhen me pesticidet kundër karkalecave?

 

Ferrand: Para së gjithash, sigurisht FAO dhe vendet e prekura i kuptojnë shqetësimet mbi mjedisin dhe sigurinë. Ky ka qenë një prioritet kryesor që para fillimit të operacioneve.

 

Përpara se të kryhet një operacion i kontrollit ajror, mjedisi hartohet, skicohet, duke përfshirë vendbanimet, rezervat ujore, kafshët e egra dhe rezervatet për shembull. Drejtimi dhe shpejtësia e erës vlerësohen dhe merren parasysh. Nëse vatrat e karkalecave janë shumë afër rezervava  ujorë ose nëse drejtimi i erës rrezikon të zhvendosë pesticidet në rezervat ujorë, operacioni anullohet. Spërkatjet janë bërë kryesisht në tokë të thatë, duke shmangur rrjedhjen e mundshme në sistemet e ujit. Në shumë raste operacionet duhet të ndërpriten sepse nuk plotësohen kushtet e duhura.

 

Cressman: Menaxhimi i karkalecave të shkretëtirës për të parandaluar murtajat është një nga mandatet origjinale të FAO-s që nga themelimi ynë në 1947, kështu që ne kemi përvojë të thellë në këtë çështje sfiduese.

 

Gjatë viteve, FAO dhe një sërë partnerësh që punojnë në menaxhimin e Karkalecin e shkretétirës kanë zhvilluar protokolle standarde të funksionimit për të udhëhequr planifikimin dhe ekzekutimin e fushatave të kontrollit. Praktikat më të mira kërkojnë shënjestrim të saktë, spërkatje preçize dhe monitorim të ngushtë në mënyrë që operacionet e kontrollit të aplikojnë pesticidet në një mënyrë të përgjegjshme, efektive dhe të sigurt. Ekipet e kontrollit përdorin formulime me volum ultra të ulët të synuar shumë dhe ndjekin një sërë protokollesh dhe praktikash më të mira standarde. Këto janë rekomandimet që ne kemi marrë me makinë që nga dita e parë.

 

A ka alternativa?

 

Cressman: Pranohet gjerësisht se e vetmja strategji efektive për t'iu përgjigjur një rritjeje të kësaj shkalle të karkalecave të shkretëtirës është ajo që të përdoren pesticide të miratuara për përdorim. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta bërë këtë, dhe pasojat e mosveprimit në drejtim të shkatërrimit të kulturave ushqimore dhe kullotave në një rajon tashmë të rrethuar nga nivele të larta të pasigurisë ushqimore janë thjesht të papranueshme.

 

Po, pesticidet kimike të përdorura në kontroll mund të paraqesin rreziqe për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. Rreziqet mund të menaxhohen duke marrë masat e nevojshme paraprake dhe duke ndjekur në mënyrë rigoroze metodat e duhura të aplikimit.

 

Alternativat biologjike ekzistojnë, por ato mund të mos jenë të disponueshme në sasi të mjaftueshme dhe mjaft të shpejta kur tufat janë kaq të mëdha. Nga rruga, FAO dhe partnerët tanë të qeverisë përdorën biopesticide në këtë rritje aktuale, kur rrethanat e bënë të zbatueshme këtë zgjidhje me veprim më të ngadaltë.

 

Duke ecur përpara, kërkime të gjera janë duke u zhvilluar mbi kontrollin biologjik dhe mjete të tjera të kontrollit jokimik të karkalecave. Fokusi aktual është te patogjenët dhe rregullatorët e rritjes së insekteve. Deri më tani, kontrolli nga grabitqarët dhe parazitët natyrorë është i kufizuar, pasi karkalecat i kalojnë lehtësisht armiqtë e tyre gjatë rritjeve dhe tufat migrojnë lehtësisht, duke i lënë ata pas.

 

Ferrand: Unë do të shtoja vetëm se ne kemi punuar ngushtë me ekipet qeveritare për të ofruar trajnime në praktikat më të mira. Rreth 4 000 manuale dhe fletëpalosje trajnimi u shpërndanë në të gjithë rajonin pasi përdoruesit dhe aktorët u ekspozuan ndaj procedurave standarde të funksionimit. Vlerësimet e ndikimit në mjedis kanë qenë të vazhdueshme. Një partneritet që përfshin FAO-n, agjenci të tjera të OKB-së dhe OJQ-të rajonale, ka zhvilluar materiale informuese për komunitetin në gjuhë të ndryshme lokale mbi sigurinë dhe praktikat më të mira. Gjëra si posterat, njoftimet në radio, broshurat, animacionet dhe mesazhet me tekst janë shpërndarë gjerësisht.

 

Përsëri, ne e kuptojmë plotësisht shqetësimin. Të gjitha shqetësimet apo raportet nga komunitetet janë hetuar me kujdes dhe ne jemi të kënaqur të raportojmë se nuk jemi përballur me incidente mjedisore apo shëndetësore në rajon. Por do të theksoja gjithashtu se çfarë kanë arritur këto operacione në drejtim të parandalimit të vuajtjeve njerëzore.

 

Operacionet e kontrollit të karkalecave parandaluan humbjen e 4 milion ton drithëra dhe 790 milion litra prodhim qumështi, duke mbrojtur sigurinë ushqimore të 34.2 milion njerëzve dhe duke shmangur humbjet prej 1.54 miliardë dollarësh në drithëra dhe qumësht.