Thursday 15 September 2022

SABIHA KASIMATI LIBOHOVITJA , SHKENCËTARJA E PARË SHQIPTARE

"Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

(U ekzekutua natën e 26-27 Shkurtit 1951)

 


nga Ing.  Bexhet ÇOBANI

Gjirokastër


Sabiha KASIMATI
(1912 - 1951)
Sabiha Kasimati lindi më 15 shtator 1912 ne Edirne ne familjnen e doktorit Abdurrahman Kasimati nga Libohova dhe të shoqes Zehra Mbreshtani. Më 1927, Sabihaja së bashku me familjen e saj u vendosën në Korçë. Sabihaja me motrat frekuentuan Liceun Frëng, të cilin e mbaroi më 1931 – dhe ështe vajza e parë që kreu atë lice. Qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane. Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

 

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frëngjisht në Institutin femëror të Korçës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë. Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim). Kasimati zgjodhi si fushë specializimi ihtiologjinë dhe më 1940 mbaroi doktoraturën me temën “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Fauna ihtike në ujërat e ëmbla në Shqipëri).

 

Në Torino Sabihaja shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në Universitetin e Torinos. Me dëshirën për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijet e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye. Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur. Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

 

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është veçanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

 

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

 

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

 

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

 

Sabihaja filloi të shprehte hapur pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”. Por ajo nuk u tërhoq…Sabiha Kasimati i kerkoi takim Enver Hoxhës si shok klase . Aty ajo i tha: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët”?

Enveri i thotë “Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin"

 

Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”. Më 19 shkurt 1951 ndodhi një shpërthim në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Nga sulmi nuk kishte asnjë të plagosur, por autoritetet shqiptare të asaj kohe si fajtorë i konsideronin një grup prej 22 intelektualësh të rinj që punonin asokohe në Tiranë, duke përfshirë edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Pavarësisht nga mungesa e çdo provë të fajit, Sabihaja u arrestua nga Sigurimi më 20 shkurt 1951.


Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

 

Më 25 shkurt 1951, gjykata i dënoi që të gjithë me vdekje Dënimi u ekzekutua natën e 26-27 shkurtit 1951 në afërsi të fshatit Mënik, disa kilometra në perëndim të Tiranës. Tre ditë përpara se t’i ekzekutonin, në Mënik ishte hapur një gropë e thellë për të futur në një varr të përbashkët. Të lidhur me tela me gjemba, 23 personat e dënuar me vdekje ishin rreshtuar krah njëri-tjetrit dhe prisnin komandën “zjarr” për t’ju shkëputur filli i jetës.

 

Edhe pse asnjë prej tyre nuk njihej me njëri-tjetrin, sërish burrat u munduan që ta shpëtonin Sabihanë. Në momentin kur “xhelatët” hapën zjarr ata dolën para trupit të Sabihasë , duke e shpëtuar. E gjallë mes një grope plot me të vdekur ajo bërtiste: “Mos më vrisni”, Xhelatët e mbytën për së gjalli!

 

PER IRONI TE FATIT :

26 shkurt të 2020, ndërroi jetë Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës

26 shkurt të 1951, 69 vite më parë u vra mizorisht Sabiha Kasimati , pikërisht me urdhër të Enver Hoxhës, Mëria për dashurinë e mohuar, firmosi fatin tragjik të shkencëtares, Enver Hoxha e dashuroi aq shumë, aq sa nuk mundi ta linte të gjallë, u hakmor në mënyrën më mizore që njeh historia, mbasi mendohet se ishte edhe shtatezënë . Një çmenduri e madhe, një shkelje totale e ligjit moral ku thuhet se, nqs nuk të kapin plumbat gjatë pushkatimit atëherë je i lirë, por edhe kur je shtatzënë, nuk të lejon ligji të pushkatohesh. 

 

I përjetshëm kujtimi i Sabiha Kasimatit, Libohovitja e ndritur, Shkencëtarja e parë Shqiptare.

 

Pergatiti : Ing Bexhet Çobani





 

No comments:

Post a Comment