Thursday 22 January 2015

KUJTIME ME KOLEGUN DHE MIKUN TIM, AGRONOMIN NURI KOKALARI

   nga: Koço MOSKO
Boston, MA-SHBA

         
Nuri Kokalari
(1934 - 1999)
            Me Nuriun kam shumë kujtime, sepse ka qenë një nga miqtë dhe kolegët e mi më të mirë gjatë gjithë karieres time bujqësore në rrethin e Gjirokastrës. Në ato vite të vështira, Nuriu ishte modeli i një specjalisti diturak e stoik në bujqësi që nuk ju nënshtrua kurrë slloganeve të kohës. Konsultohej në mënyrën më shembullore me kolegët, i udhëzonte ata por, edhe i dëgjonte me vëmendje e i mbështeste për të përballuar së toku problemet e vështira që paraqiteshin në bujqësi. Ishte i kundondodhur, jo vetëm cep më cep në  luginën e Drinos, ku kryhej një aktivitet intesiv bujqësor por, edhe në fshatrat më të largët si në: Pogon, Kardhiq, Zagorie, Lunxheri, Picar, etj.  Nuriu ishte një përfaqesues i denjë i intelektualit dhe specjalistit të shquar të bujqësisë në rrethin Gjirokastrës. Bënte një punë të mirë e të thellë shkencore, jo vetëm i pavarur por dhe në grupe pune ku shquhej për bashkëpunimin dhe idetë e tij racjonale e shkencore. Per herë të parë Nuriun e kam njojtur kur isha në vitin e dytë të studimeve të larta për agrionomi, në ILB Kamëz, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Disa ish studente te tij nga Teknikumi i Delvinës, shokët e mi të grupit, e takuan dhe shkuam të shikonim ndshjen e futbollit të radhës të skuadrës "Dinamo". Të gjithë ishim tifoza të asaj skuadre. Më bëri shumë përshtypje komunikimi miqësor e i veçantë me ish studentët e tij dhe  respekti i thellë që kishin ata për ish pedagogun e tyre.   Më von me Nuriun u bëmë kolegë dhe miq familjarë të mirë për shumë vjet.

Po cila ishte jeta e tij?
            Nuri Kokalari u lind në qytetin e Gjirokastrës, më 25 shkurt 1934 në një familje me tradita të thella patriotike e intelektualësh. Bijë e kësaj familje ishte dhe intelektualia e shquar që u martirizua, Musine Kokalari, si dhe dhjetra të tjerë. Arsimimin 7-vjeçar e kreu në vëndlidje, gjithashtu dhe shkollën e mesme në gjimnazin "Asim Zeneli", të cilin e përfundoi në vitin 1952.  Sipas deklarimeve të tij, dëshira ishte të ndiqte studimet e larta për letërsi e gazetari, por kjo nuk ju dha nga regjimi i kohës. Ju mundësuan studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor, të cilin e përfundoi në vitin 1957. Po në atë vit u emërua agronom në SMT-në e  Sarandës, ndërkohë jepte edhe mësim në Shkollën e Mesme Bujqësore, Delvinë. Në vitet 1967–1971, punoi me orë të plota në këtë shkollë. Si mësues të përkushtuar e i përgatitur, Nuriun e kujtonin me shumë rrespekt agronomët që përfunduan në ato vite atë shkollë.

            Në vitin 1971, transferohet në rrethin e Gjirokastrës pranë Stacionit Bujqësor, ku ka ndjekur detyra të ndryshme, fillimisht si agropedollog, këtë detyrë e mbajti deri në vitin 1992, i cili udhëhoqi me kopetencë studimet agro-pedollogjike, studimet mbi organizimin e qarkullimeve bujqësore dhe përqëndrim- specjalizimin e kulturave bujqësore. Dha ndihmesën e tij për përdorimin e balancuar e me efektivitet të plehrave kimike. Gjithashtu për një periudhë të shkurtër kohe, për 4-5 vjet deri në vitin 1985, ndoqi dhe problemet e mbrojtjes së bimeve,  ku këmbgulte në përdorimin racional të pesticideve sipas shkallës infeksjoneve dhe prognozës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë futi trajtimet me avjon për luftimin e krymbit të misrit, etj. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë edhe pedagog në filialin e Institutit të Lartë Bujqësor në Gjirokastër si dhe një konsulent për punën shkencore që kryhej në atë kohë në rrethin e Gjirokastrës. Në vitin 1992 kalon Inspektor i Karantinës Bujqësore të jashtme, duke dhënë kontributin e tij edhe në organizimin e kësaj hallke të re në DRBU-në  e Gjirokastrës.  Punoi këtu deri në vitin 1994 vit, nga ku doli në pension. Nuriu ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë më 8 shtator të vitit 1999. Kurimi intesiv nën kujdesin e familjarëve të tij në spitalet e Janinës dhe Artës në Greqi nuk mundën që t’i shmangnin dot sëmundjen. Iku në një kohë kur kishte shumë gjëra per të na treguar.
Nuriu me një grup specjalistash dhe punonjës bujqësie të rrethit Gjirokastër.
           
            Ai kishte një pasion të madh për vlerat e trashëgimnisë kulturore, etnografike e historike të qytetit të tij. Më kishte qëlluar shpesh që të mi lexonte ato që kishte hulumtuar ose epigramet që i pasqyronte në ditarët me atë shkrimin e tij shumë të bukur. Ditarët nuk janë pak por, 70 vëllime të cilat ruhen nga familja. Këto ditare, janë një enciklopedi gjirokastrite e atyre viteve, pasi përmbledhin ngjarje të kohës e krijimtarinë e tij. Ishte aktiv në shtypin e kohës për propagandimin e problemeve të bujqësisë, por jo vetëm. Mbante lidhje të ngushta dhe mirrte pjesë në të gjitha rrethet intelektuale të qytetit ku diskutoheshin problematika të ndryshme e të mprehta. Fjala e tij në këto mjedise, dëgjohej me vëmendje e rrespekt sepse ai ta impononte atë me njohuritë e thella që kishte.

            Më ka qëlluar shpesh që me Nuriun të marr pjesë në shumë ballafaqime, seminare e mbledhje që organizoheshin nga Ministria e Bujqësisë së asaj kohe. Nuriu ishte një nga specjalistat me aktivë në këto aktivitete. Ai natyrshëm dhe bidshëm me syrin e një specjalisti shpaloste përvojën e mirë por,  dhe hallet dhe problemet e shumta që haste zhvillimi i  bujqësisë në rrethin e Gjirokastrës. Këto veti të tij ai i shpaloste kudo pavarësisht se kush i drejtonte mbledhjet apo kush ishte në presidium të saj.

            Më kujtohet se në vitet 90-të në ditët pas rrezimit të Monumentit të diktatorit Enver Hoxha me Nuriun ishim në Tiranë në një koferencë bujqësore të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Institucjonet shkencore bujqësore të vendit. Një grup specjalishtësh më në zë të bujqësisë shqiptare filluan të ngacmonin Nuriun:
-       -  ---Ju të Gjirokastrës, ç’far qe ajo mënxyrë që na bëtë? Dikush tjetër:
 –    --Kështu jeni ju gjirokastritët, etj. Nuriu e kuptoi që ishte një shaka miqësore por, shakaja është gjysmë e së vërtetës, ai nuk dëshironte t’i fliste njeri keq për qytetin e tij.  Futet në mes të tyre duke ngritur dorën lart filloi t'u thotë me zë të lartë:
      -      Pa dale more shokë, çfar thoni kështu!? Ne një çikë farë kishim, ju e mbollët, e prashitët, e vaditët, e plehëruat. Të gjithë qeshën me të madhe.
Nuriu me një grup specjalistash nga Instituti Kërkimeve Bujqësore Lushnjë
dhe nga Ministria e Bujqësisë në vitet 1970
            
Me Nuriun kam qenë në një grup specjalizimi dhe në Greqi. Edhe këtu atë e mbaj mend aktiv për të mësuar sa më shumë nga përvoja e fqinjëve. Më kujtohet një detaj i veçante gjat një vizite në Janinë. Po e shkruaj këtu ashtu siç ka ndodhur.

            Ishte muai tetor i vitit 1991. Sapo ishin hapur rrugët për vajtje-ardhje të grupeve të specjalistëve për të vizituar qytetin e Janinës në shkëmbimet ndërkufitare, të organizuara e të financuara nga Bashkimi Evropian. Ne mund të ishim grupi i parë, një grup specjalistash të bujqësisë nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit Gjirokastër, që kishim rastin të njiheshim e të shkëmbenim eksperiencën me kolegët e Janinës. Emocionet tona në pikën kufitare ishin të mëdha, sepse e kishim për herë të parë që kapërcenim kufijtë e blinduar të atij sistemi. Pritja nga kolegët e Drejtorise së Bujqësisë Janinës, ishte tepër miqësore. Ishte një solidaritet i sinqertë fqinjësh e kolegësh. Kishim dëgjuar për njëri- tjetrin, për qytetet tona në bisedat e përditeshme por kurrë nuk kishim patur kontakte. Në Kakavie, kishte dale vetë drejtori me dy specjalistë.  Gjatë rugës për në Janinë, kolegët grekë na treguan me dorë nga makina grupe shqiptarësh që ishin futur në thellësi të tokës greke, të cilit e vazhdonin rrugën me këmbë arave për të mos i kapur policia. Kjo na krijoi një ndjesi jo të mirë për çastet emocionale që po kalonim por dhe një habi. Një habi, sepse dyndjet e paligjëshme të refugjatëve shqiptarë, grekët bënin sikur nuk i shikonin.

            Na sistemuan në Kalista, në një qendër për trajnime të fermerëve. Ditën bënim leksione ose vizita në fermat rreth Janinës, ndërsa në darkë shkonim në qytetin e Janinës me një linjë autobuzi urban.  Atë ditë kolegët grekë na krijun mundësinë të vizitonim qendrat historike dhe turistike, kryesisht kalanë dhe ishullin në liqenin e Janinës, me muzeun ku isht vrarë Ali Pasha. Nuriu gjatë spjegimeve të cicerones, i bëri një pyetje:
-       Si e keni ju Ali Pashanë, të mirë apo të keq? Ciceronia u mendua pak dhe tha:
-       As të mirë, as të keq. La të nënkuptohej se kjo është historia jonë.
Mbasi shijuam dhe një drekë të mirë në ishullin e liqenit, gosti nga koleget grekë, vonë në darkë me autobuzin e linjës po ktheheshim në qendrën, në Kalista. Unë me Nuriun ishim ulur ne sediljen pas shoferit të autobuzit. Nuriu kishte mbushur duart me dosjet e tij që nuk i ndante asnjëherë nga vetja, me fletë- palosje, gazeta e materjale të tjera që kish marrë gjatë vizitave. Befas levizi nga vendi dhe m’u drejtua mua:
-       Merri lejë shoferit, të them një vjershë se ti di greqisht. Pastaj vazhdoi- Pestu tu odhigo na po ena pima!  Shoferi një meso burrë simpatik, vura re se qeshte nën buzë. Ai nuk foli po ngriti supet dhe me atë veprim sikur donte të thoshte se nuk di gjë unë, ose mos më ngatërroni mua. Hodha sytë nga pas nga shokët, miku jonë Resul Erindi që ishte dhe kryeagronom i rrethit në atë kohë, ai ma bënte me shenjë me kujdes se mos bëjmë incident, por dhe me dorë sikur thoshte, jepi të dalë ku të dalë.  Resuli dinte greqisht se kishte qenë mesues per disa vjet ne shkollën e mesme Dervicjan.
-       E more si thua? -vazhdonte të ngulte këmbë Nuriu duke m'u drejtuar përsëri e përsëri, herë shqip e herë greqisht
-       E po thuaje se na plase! -  i them më në fund, duke parë qëndrimin tepër miqësor të shoferit të autobuzit.
Nuriu u ngrit në këmbë duke u drejtuar nga pasagjerët, fillojë të recitojë me zë të lartë e kumbues siç dinte ai në greqisht:
Na sikothis Ali Pasha (Të ngrihesh Ali Pasha)
Na pas stin Tepeleni (Të vesh në Tepelenë)
Dhe sikonome apo ti Janina (Nuk ngrihem nga Janina)
To qiameti na jeni (Të bëhet qiameti)
Emena mu lene Ali Pasha (Mua më quajnë Ali Pasha)
Mu lene qe Ali Baruti (Më quajnë dhe  Ali Baruti)
Pu vastaksa to polemo ( Që përballova luftrat)
Me to Sulltan Mahmuti (Me Sulltan Mahmutin)
            Pasagjerët që pothuaj e kishin mbushur autobuzin po e ndiqnin në heshtje me një buzëqeshje të lehtë, ndërsa dikush përplasi dhe duart. Ishte koha kur shqiptarët strukeshin në autobuza për të mos u diktuar, sepse pjesa më e madhe e tyre ishin pa dekumenta të rregullta. Mesazhi i Nuriut për pasagjerët e autobuzit, ishte i qartë:  ne kemi një histori të përbashkët. Jo vetëm nga Ali Pashai por Nuriu kujtonte Birbilejtë, Marko Boçarin, Xhavellat, shqiptarin e shquar të greqisë gjirokastritin nga Manalati Kapo Distria, etj. Sikur të mos arrinte kjo, ai vazhdoi të këndonte një këngë hit të kohës:
To dhikomu paplloma
Ine ja dhjo atoma
Qe dhe mperni mballoma
To dhikomu paplloma
            Pasagjerët e autobuzit filluan të shkrifërohen, duartroktitjet ishin më të forta e më të zgjatura, madje dikush dhe bërtiti “bravo”. Nuriu jo pa emocione, u kthye nga unë e më tha: 
- Ja kështu more Kosta, i di ti këto? Këto mund ti bënte vetëm Nuriu. Ai tashmë e kishte dhënë mesazhin vëllazëror e miqësor të fqinjeve veriorë njëkohesisht kish shkarkuar dhe ngarkesën emocionale qe kish marrë atë ditë nga muzeumet e Janinës dhe tani  ndihesh i lehtësuar.

            Kryetari Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa,  në përvjetorin e 15-të të vdekjes së tij, u shpreh: “Nuri Kokalari ishte bardi i mënçurisë spikatëse, që mbart gjenetikisht ADN-ja prej qytetit të ngurtë dhe si gene të pastra si pasardhës i familjes Kokalari me kontribut qytetar, atdhetar dhe kulturor”.  Ndërsa kryetari i bashkisë, Flamur Bime, tha: “Fjala e Nuri Kokalarit, peshonte rëndë në marrdhëniet e tij të përditëshme me bashkëqytetarët, me kolegët dhe miqtë e tij të shumtë. Nuriu ishte njeri me njohuri të thella enciklopedike, me veti e pasione të veçanta, njeri me prirje filozofike dhe humane, njohuri të cilat i reflektonte dhe i përcillte me thjeshtësi e humor tek të gjithë njerëzit që e rrethonin, në familje, në shoqëri dhe krijimtari”.

            Nuriu kishte një pasion të veçantë edhe fotografinë. Ai ka lënë të sistemuar  një koleksion të pasur me fotografi ndër vite të cilat i ka shoqëruar edhe me shënimet përkatëse. Familja disa krijime të tij nga ditaret që mbante Nuriu pas vdekjes së tij, i ka përmbledhur në librin “Epigramet e Nuriut”, botuar nga Shtëpia Botuse “Albin”, Tiranë në vitin 2002.
 
Kopertina e librit "Epigramet e Nuriut"
           
Disa nga epigramet e Nuriut

1. Të shtirët

Kot e ke që hiqesh
Si yll përmbi ne.
O bëhu siç shitesh,
O shitu siç je.

2. Kujdesi

Dhe tepër në vini
Në çdo gjë kujdes,
Humbje nuk do kini,
Por vetëm sukses.

3. Shkenca dhe praktika

Sa shkenca të rreket
Drejt dijes së vyer,
Praktika do të mbetet
Mësues i shkëlqyer.

4. Kujdesje burokratike

Vëren ti heshtur, pa u ndjerë
Nga vjen fllad e nga fryn erë,
Që pas dallgësh politike
Të mbash po ato karrige.

5. Pasuri e përjetëshme

Nga puna po pate
Çfardo pasuri
Iku e të vate
Sa të mbyllësh sy

Porse në do kesh
Virtytin thesar
I pasur do jesh
Dhe brenda në varr.

6. Shembull

Bukur flasin domosdo
Gojtarë e ciceronë,
Por më bukur se kushdo
Flet puntoria milingonë.

7. Paraja nën dorë

Si në luftë dhe në paqe
S’ka si paraja ndënë dorë,
Ajo dhjet mu në mustaqe
Edhe Mbretin me kurorë.

8. Ndëshkimet

Kur vjedh kryeplaku
Ngjitet në seli,
Kur vjedh varfanjaku
Rraset në qeli.

9. Vetmi

Ndihet i vetmuar
Nga bota i ndarë
Kush është i rrethuar
Nga njerëz të marrë.

10. Çdo njeri në jetë

Çdo njeri në jetë
S’duhet të harrojë
Armiku i vet
I qëndron në gojë.

11. Përfito nga të tjerët

Në se kush bën një gabim
Vath në vesh për ty të jetë,
Se ske kohë, miku im,
Gjithë gabimet t’i bësh vetë.

12. Leku dhe ofiqet

Leku dhe ofiqet
Dinë marifete
Se i bëjnë ligjet
Të flasin me vete.

13. Përtacia

Nënë përtacia
Ka vetëm dy bija:
Njëra është vjedhja
Dhe tjetra uria.

14. Për Atdheun

Në se frymën kam lëshuar
Për të shtrenjtin tim Atdhe
Zoti vetë ka urdhëruar

Në Parajsë të jem, atje.


15. Të pa ngrënët
dhe të pa nxënët

Barku i pa ngrënë
Është dhembshuri,
Truri i pamxënë-
Tmerr e lemeri.

16. Budallallëku

Nëse fjalën nuk ia lënke
Atij që flet mirë,
Tregon se ti qënke

Një budall me brirë.


Përgatiti:

K. Mosko

6 comments:

  1. Nga Illo Foto
    Nuriun ( Kokalari ) e kam pasur bashkegjimnazist dhe bashkestudent. Njeri sistematik dhe i etur per dituri. Ishte enciklopedik. E njohu shpejt jeten e fshatit dhe ju perkushtua profesionit, ku beri emer. Ishte shume shoqeror dhe optimist. E dija, qe shkruante, por paska qene shkrimtar i mirfillte. Po kaq i shquar dhe si agronom. Brezat kane shume per te mesuar nga ky dijetar dhe puntor i pa lodhur. Qofte i pa harruar ! I. Foto

    ReplyDelete
  2. nga Fuat Memeli

    I pa harruar kujtimi dhe kontributi i agronomit te shquar, Nuri Kokalari. Fuat Memeli

    ReplyDelete
  3. nga Jani Plasa
    U befasova prej EPIGRAMAVE te Nuriut, percjellin mesazhe me vlere shoqerore.

    ReplyDelete
  4. nga Polo Mihali
    E lexova me vemendje shkrimin per Nurine. Une e kam njohur Nuriun qe nga shtatvjecarja dhe ne gjimnas, ndonese jo ne klase. E kam njohur edhe ne Sarande, ku e kam gjetur agronom ne SMT.ne e Delvines. Ishte me te vertet nje person qe i meriton gjithe vyrtitet qe Ju i shkruani. Gjithmonë e kam vleresuar per punen dhe sjelljet e Tij.

    ReplyDelete
  5. nga Vedat Shehu
    I dua dhe i respektoj Kokalaret e Gjirokastres, prej njohjes time direkte te disave. Por me teper prej Hamit Kokalarit, qe pak e njohin krahasuar me Musinenë e torturuar nga terrori i kuq. Hamit Kokalari qe ka pas botuar monografine "Kosova Djep i Shqiptarizmit", veper e vertete shkencore.
    Edhe veprimtaria e agronomit Nuri Kokalari i sherben shqiptarise pa dallim ideor dhe karhinor. Ne kete vazhde te lartesimit te Kombit jane edhe idete filosofike te shprehura prej Tij ne vargje, me te vertete, perla vezulluese artistike per mendimin filosofik shqiptar.

    ReplyDelete
  6. E kam pasur koleg.Kur shkoja me shërbim në Gjirokastër punën e kisha me Nuriun.Gjithë ditën mësoje prej tij.Ishte mësim dhënës i pa përtuar.Nuk do ta harroj kurrë.
    Enver isufi

    ReplyDelete