Friday 26 January 2018

TË SHKRUAJMË HISTORINË E SHËRBIMIT PYJOR TË SHQIPËRISË

(KUJTIME ME RASTIN E 90 VJETORIT)

nga Ing. Nihat DRAGOTI
Përgjegjës i Sektorit Zonave 
të Mbrojtura në MMPAU
Nihat DRAGOTI

Me këto kujtime u shprehim mirënjohjen dhe më duhet të kem mirëkuptimin e të gjithë pylltarëve e të personave të tjerë për ndonjë mangësi të fakteve, të ngjarjeve, të datave apo të mos citimit të disa fakteve të tjera të rëndësishme dhe të emrave të pjesëmarrësve. Por, jam mundur te kujtoj ato çaste që kam përjetuar dhe që kanë të bëjnë me praninë time, prej mbi 35 vjet pune në shërbimit pyjor, nga të cilat rreth 27 vjet në Ministrinë e Bujqësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Pyjor dhe së fundi në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Këto kujtime do t’i përqen droj vetëm në çastet e caktimit dhe të kremtimit për herë të parë të Ditës së Shërbimit Pyjor të Shqipërisë.

Qysh me fillimin e vitit 1993 më ka nxitur ideja për të patur dhe hartuar një histori sa më të plotë të shërbimit pyjor shqiptar, për ditën e themelimit, të veprimtarive të kryer në vite, të punonjësve e drejtuesve të tij pse jo dhe për logon e Shërbimit Pyjor të Shqipërisë. Duhet të pranojmë se shumë pak janë bërë ose nuk i jemi kushtuar tërësisht kësaj teme. Në mënyrë sporadike ose në shkrime të ndryshme e të shkëputura janë shkruar momente të zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe kullotave, duke përmendur ndonjë rast edhe disa nga datat historike më kryesore, por jo për ditën e themelimit. Shumë pak ishte bërë për të gjetur e grumbulluar fakte të reja, krahas atyre pak fakteve e materiale të disponueshme, si dhe duke gjurmuar shkrimet e ndryshme dhe në thëniet a tregimet e shumë pylltarëve të vjetër, të cilët i kanë jetuar dhe dëgjuar ato, për të pasqyruar sado pak këtë eveniment të historisë së pylltarisë. Po kështu duhej të synojmë, të shkruajmë e citojmë edhe disa fakte në lidhje me ecurinë e zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe të historisë së pylltarisë shqiptare, mbi punën e kryer për administrimin, ruajtjen dhe mbarështimin e kësaj pasurie kombëtare me vlerë rajonale dhe ndërkombëtare, cila duke patur bindjen më të plotë, mendojmë se në të ardhmen brezat e pylltarëve do ta plotësojnë më së miri, për të realizuar e pasqyruar historinë e pylltarisë shqiptare.

Tashmë Shërbimi Pyjor i Shqipërisë ka ditën e festimit të tij. U deshën mjaft vite dhe njerëz të rinj të për menduar e vepruar edhe për këtë dite. Siç citova këtë ide, më 1993 ia parashtrova z. Thimaq Lako (ish Drejtor i Përgjithshëm) i cili, si gjithmonë për kësi ngjarjesh, është tepër i ndjeshëm dhe më mbështeti plotësisht, për caktimin e Ditës së Shërbimit Pyjor dhe më pas të hartojmë historinë e tij.

Deri në fund të vitit 1995, disa nga specialistët pyjesh, unë dhe Thimaqi shfletuan arshivat e DPPK, të Institutit të Pyjeve dhe Kullotave si dhe disa dokumente të tjera që dispononim, për të caktuar fillimisht ditën e themelimit të shërbimit pyjor të Shqipërisë. Por puna u la në mes për shkak të largimit të Z. Thimaq Lako, të zhvillimeve të reja që mori sektori i pyjeve me organizimin e ri për administrimin dhe qeverisjen e fondit pyjor të vendit.

Mesa kujtoj, në dokumentet e shfletuara, caktimi i ditës së themelimit të shërbimit pyjor ka qenë në vëmendje edhe të Z. Spiro Karadumi, ish Drejtor i Institutit të Pyjeve dhe Kullotave, i cili, gjatë vitit1997, përgatiti një projekt-ide për monografinë e shërbimit pyjor, duke ua paraqitur për komente disa kolegëve dhe personaliteteve pyjore. Ideja e tij bazohej, duke iu referuar kushtetutës së monarkisë të vitit 1928, dhe mendonte që, gjatë vitit 1998, të festohej 70 vjetori i shërbimit pyjor. Por kjo përpjekje nuk u mbështet.

Viti 1997 do të mbahet e do të mbetet mirë në mendjen e mbarë pylltarëve të Shqipërisë edhe për pasojat që rrodhën prej tij. Megjithëkëtë ideja e ditës së pylltarëve nuk më ishte larguar dhe mu rindez, duke shfrytëzuar gjithë pasivitetin e institucioneve për punë u mora me grumbullimin dhe sistemimin e disa materialeve të vjetra, deri në muajin nëntor 1997, që bëni fjalë për historinë e shërbimit pyjor.

Këtë dëshirë, për të përcaktuar ditën e shërbimit pyjor shqiptar, ia ritheksova z. Kolë Malaj, me ardhjen si Drejtor i Përgjithshëm, i cili për karakterin e tij shumë ekspresive e për të kremtuar ngjarje të tilla që do të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik, pse jo dhe të politikës u shpreh mjaft i gatshëm dhe më porositi që të përgatitja një draft të shkurtër me idetë kryesore. Idetë ia paraqiti dhe ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Prof. Lufter Xhuveli, duke marrë miratimin e plotë dhe kërkoj të shpejtohen puna për përgatitjen dhe shpalljen e Ditës së Themelimit të Shërbimit Pyjor.

Për kohën që u kërkuar të realizohej kjo ide dispononim shumë pak materiale, e kishim të vështirë për të studiuar arshivat e shtetit apo të Ministrisë së Bujqësisë, por për këtë u pyetën shumë pylltar të vjetër. Me materialet që dispononte DPPK nuk ishim të sigurt për veprimtarin e
qeverive dhe të institucioneve të tjera, në lidhje edhe me pyjet, për veprimtaritë e kryera para dhe gjatë sundimit otoman apo dhe të qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit. Në muajin dhjetor 1997, me iniciativë të Z. Kolë Malaj, u krijua një grup pune kryesor me specialistë e veteran të sektorit të pyjeve, i kryesuar prej tij si dhe disa nëngrupe për organizimin e ceremonisë. Në grupin kryesor u përfshinë zotërinjtë: Irfan Çela, Miço Kallamata, Thoma Dine, Vezir Muharremaj, Pirro Xhumetiku, Vehbi Dermani, Nasuf Dizdari, Bujar Bedalli, Irfan Meko, unë dhe disa te rinj, të cilët punonin aktualisht në DPPK, për të përgatitur materialin e themelimit të “Ditës së themelimit të Shë rbimit Pyjor Shqiptar”.

Z. Nasuf Dizdari trashëgonte e dispononte disa dokumente të hershme, në të cilët flitej edhe për organizimin e sektorit të pyjeve, por diskutimet ishin të ndryshme dhe jo shumë efikase. Ishte tepër e vështirë të arrihej në një konkluzion të përbashkët nga grupi i punës, duke gjykuar mbi ato dokumente që disponoheshin, por edhe koha ishte mjaft e shkurtër dhe vendimi nga ministri ishte marrë.

Mbi bazën e dokumenteve të shqyrtuara u mendua që përfundimisht duhet t’i referoheshim ligjit për pyjet e kullotat. Siç dihet më 27 Janar 1923, u dekretua Ligja “E Pyjeve dhe e Kullosave”, i cili njihet si ligji i parë shqiptar i pyjeve, por edhe në fushën e bujqësisë dhe kjo date të shpallej “Dita e Krijimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar”, me vendim të Qeverisë. Këto ide ia parashtruam Drejtorit të Përgjithshëm i cili, pas miratimit të ministrit, më dha porosi që bashkë me znj. Lida Stamo, juriste e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, të përgatitej projektvendimi për Këshillin e Ministrave.

Së bashku me juristë, pasi shfletuan dispozitat ligjore në fuqi për të drejtën e miratimit të ditëve të themelimit të institucioneve konkluduam që « Dita e Themelimit të Shërbimit Pyjor të Shqipërisë mund të arrihej dhe me një urdhër të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.


Më datën 14.01.1998, me urdhrin Nr. 12, të Prof. Dr. Lufter Xhuveli, data 27 Janar 1993 u shpall zyrtarisht “Dita e Krijimit të Shërbimit Pyjor të Shqipërisë" dhe u vendos që më 27 Janar 1998 të festohej 75 vjetori i Shërbimit Pyjor të Shqipërisë.

Me njëherë u krijuan disa grupe pune për përgatitjen madhështore të ceremonisë së kremtimit. Grupet e punës, me përgjegjësinë institucionale, por dhe morale, punuan me devotshmëri. U përgatiten programet financiare, lista e të ftuarve, e veteranëve, të pylltarëve që nuk jetonin, ata që kanë dhënë kontributin më të madh, për dekorimet, për postera, adezivët, ftesat dhe dekorin e sallës së ceremonisë, për pemën pyjor që do të mbillej në Kopshtin Botanik, e cila do të kujtonte 75 vjetorin e shërbimit pyjor, të përgatitjes së fjalës të ministrit dhe atë të Drejtoritë të Përgjithshëm, etj.

Gjithashtu, sipas programit u parashikua që nga Presidenti i Republikës, Z. Rexhep Mejdani, të mbillej një pemë në përkujtim të kësaj dite. Grupi i punës, i kryesuar nga Z. Mehmet Meta, morën në Lezhe një pishë të butë, e cila u mboll në kopshtin botanik. Me përkushtimin e njeriut më të dashur dhe të paharruar, i cili i donte me gjithë shpirt pyjet dhe natyrën, profesori i nderuar Lekë Gjiknuri, u realizua, që pema të mbillej një orë para ceremonisë, dhe u quajt pema e 75 Vjetorit të Shërbimit Pyjor.

Ceremonia jubilare u zhvilluar në Hotel Internacional Tirana, me orën 10, të datës 27 Janar 1998, ku morën pjesë mbi 300 pylltarë e të ftuar. Fjalën e hapjes e mbajti Z. Lufter Xhuveli, ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit. Fjala e rastit, për historikun e shërbimit pyjor shqiptar dhe ecurinë e tij në vite, u mbajt nga Z. Kolë Malaj, Drejtor i Përgjithshëm. Ceremoninë e festës e përshëndetën, në emër të Kryeministrit, Z. Bashkim Fino, Zv/Kryeministër; deputeti Lekë Gjiknuri; veterani z. Irfan Çela, dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore, z. Anesti Postoli.

Për tu theksuar ishte momenti i ideimit të logos së shërbimit pyjor, me rastin e 75 vjetorit, e cila do të pasqyrohej dhe në adezivin përkatës. Për realizimin e logos punova sëbashku me Adi Pinon, por me mjetet që dispononim, nuk mundëm ta realizonim vetë, dhe u kërkua që të realizohej nga një subjekt privat që mori përsipër dhe realizimin e adezive, por fatkeqësisht nuk u arrit plotësimi i qëllimit dhe i idesë së parashtruar.

Pavarësisht nga kjo, deri në ditë e ceremonisë, këtë ide e diskutuam edhe me Z. Klodian Deliallisi, specialist i talentuar në përdorimin e kompjuterit, i cili punonte në “Projektin e Zhvillimit të Pylltarisë Private”, për të realizuar këtë logo. Logo ishte ideuar që të ishte përfaqësuese e Shërbimit Pyjor të Shqipërisë. Në këtë drejtim, dhanë ndihmesën e tyre dhe Z. Thimaq Lako dhe Z. Vezir Muharremaj.

Kemi punuar gjatë atë ditë të 25 Janarit 1998. Nga diskutimet u arrit që ideja e logos së Shërbimit Pyjor të Shqipërisë të konsistonte në dhënien e një imazhi të shërbimit pyjor shqiptar, duke patur në qendër pyjet dhe kullotat, dy shtyllat kryesore të këtij shërbimi; një rreth të madh, me ngjyrë të blertë, në të cilin të do shkruhej “Shërbimi Pyjor i Shqipërisë”; dhe pas tij të vendoseshin dy rrathë, kuq e zi, të cilët do të simbolizonin flamurin kombëtar; në qendër duhej të vendosej një pemë pyjore, e llojit fletor, e cila përfaqësonte pjesën më e madhe të fondit pyjor të Shqipërisë; dhe në krah të majtë të vendosej një masiv pyjor i ri, i cili do pasqyronte të ardhmen e këtij vendi; në sfond të pemës do të vendosej imazhi i një masivi malor, duke simbolizuar se 70% e vendit është malor; në horizont do të dukej një shqiponjë, e cila përfaqësonte vendin e shqipeve (Shqipërinë), por edhe faunën e vendit tonë; dhe poshtë pemës kryesore një kaproll, me kuptimin e dyfishtë: atë të personifikimit të kafshëve dhe shpendëve të egra, por edhe të blegtorisë në kullota, si një degë bazë e ekonomisë së vendit. Logo origjinale u realizua siç jepet edhe në këtë botim.


Festimi i kësaj ditë ngjalli një krenari të ligjshme për të gjithë punonjësit e specialistët e sektorit të pyjeve dhe të dashamirësve të tyre. Historia e Shërbimit Pyjor të Shqipërisë shpaloset në etapa tepër të veçanta dhe secila me një histori kuptimplote. Mendimi i përgjithshëm, në atë kremtim, ishte se kjo u arrit më së miri. Kësisoj e nisi rrugën dhe kjo ditë. Festimi i kësaj dite të shënuar tani kremtohet çdo vit.

Pyjet, kullotat dhe resurset e tyre bashkëshoqëruese gjatë gjithë kohërave mbeten dhe janë bazë kryesore për ekonominë dhe plotësimin e nevojave të popullatës me material drusor, lëndë ndërtimi e dru zjarri, prodhime pyjore e jo pyjore; të ruajtjes së natyrës, tokës, ujarëve, ajrit, të përmirësimit të klimës, të ruajtjes së mjedisit në tërësi; si dhe krijimin e kushteve për çlodhje, argëtim, kalitje, sport dhe ekoturizëm etj, prandaj ne dhe gjithsecili duhet të mendojmë e veprojmë në të mirë të tyre, pasi në këtë mënyrë kemi shtuar begatinë për vete, kombin e gjithësinë. Njëherazi në asnjë çast të mos rreshtim për të shkruar historinë tonë të pylltarisë.
********************
Nihat Dragoti 
Ka lindur ne Berat, me 27. 07. 1949
1967-1972, student ne Fakultetin e Pyjeve
2006, vazhdim Pergjegjes i Sektorit te Zonave te Mbrojtura dhe Parqet
Kombetare MMPAU
2001 - 2005, Inspektor  ne Drejtorine e Menaxhimit te Zonave te Mbrojtura,
DPPK.
1995 - 2001, Pergjegjes i Seksionit te Ruajtjes se Mjedisit, DPPK
1991 - 1994, Pergjegjes i Sektorit te Faunes, ne Drejtorine e Pyjeve dhe te Kullotave.
1989 - 1990, specialist ne Drejtorine e Eknomise Pyjore dhe Kullotave,
1981 - 1988, specialisne Drejtorine e Pyjeve, prane Ministrise se Bujqesise.
1975 - 1988, Kryeinxhinier i Ndermarrjes Pyjore, Lushnje.
1972 - 1974, Specialist  ne Seksionin e Bujqesise Lushnje, ne grupin e frutikultures.

Shenim: Ing. Nihat Dragoti ka dale ne pension qe ne vitin 2015. Ai eshte perseri aktiv, sot drejton nje nder organizatat me aktive ne sektorin e mbrojtjes mjedisit. Institutin e Mbrojtjes Natyres ne Shqiperi- INCA

Pergatiti per botim: Gj. Fierza, Janar 2018

Saturday 20 January 2018

Ikja e madhe… !

           Pas shkërmoqjes një nga një të ish vendeve socjaliste të Evropës Lindore, më në fund, në vitet 90të  , i erdhi radha dhe Shqipërisë. Që me fillimin e tollovisë së madhe ramiziane me arëzat dhe tufëzat, në fshatra gjërat filluan të qartësohen. Fshatarët i ndiqnin zhvillimet politike me qetësi, ata e ndjenin atë që po vinte më pas. Të rinjtë zbrisnin në qytete për të gjetur ndonjë mundësi për të mbijetuar. Rrugët dhe kafenetë e qyteteve gumzhinin nga njerezit si një koshere bletësh kur është në pikun e vjeljes së mjaltit. Puna në bujqësi qe shkrehur, në qytete mbylleshin për çdo dite ndërmarjet ku njerëzit punonin për të siguruar ato pak të ardhura për të mbajtur familjet e tyre me bukë. Partitë perlesheshin,  luftonin egërsisht për pushtet dhe nuk e çante njeri kokën për fatin e mijëra fshatarëve dhe punonjësve në qytete.

            Në atë kohë isha caktuar nga Seksioni Bujqësisë për mbikëqyrjen e ndarjes tokës sipas Ligjit të aprovuar në Kuvend. Fshatarët i ndajtën tokat midis tyre me një drejtësie shembullore, nuk pati asnjë ankesë e qejf mbetje. Me marrjen e tokës në pronësi pati përpjekje për selitjen tyre, por ato mbetën vetëm dëshira. Shteti nuk i ndihmojë, ose nuk i nxiti këto nisma. Nuk kishte mjete të punimit të tokës, ndonjë traktor i privatizuar nga ish SMT-ja ishte si ata qetë gërdallë që i numuroheshin brinjët. Ata mbaheshin në këmbë duke u riparuar 3-4 herë në vit në ofiçina. Nafta ishte e shtrenjtë. Për të blerë të rinj as që mendohesh, shteti ishte i cfilitur, gjëndja ishte e mjerueshme, fshatarët nuk përballonin dot nevojat imediate jetësore. Ndihmat e huaja me veshmbathje e ushqime që vinin, gjysmat treteshin rrugës.

            Nuk kishte as qe pune dhe mjetet e tjera për punimim e tokave. Imputet bujqësore si farërat, plehërat kimike dhe pesicidet, nuk gjëndeshin kollaj ose  ishin me çmime të larta. Kjo gjëndje ishte në gjithë Shqipërinë madje dhe sot pjesa më e madhe e tokave buqësore nuk seliten. Në këto kushte të rinjtë u detyruan të braktisnin fshatin dhe ta shesin krahun e punës së tyre shumë lirë. Një arsye tjetër qe, se këtyre banorëve shteti komunist jua kishte privuar të drejtën e lëvizjes për 50 vjet, madje, në vitet 60 disa familje që kishin mundur të ndërtonin jetën e tyre në qytete, shteti forcërisht i solli përsëri në fshat. 

            Me së shumti emigronin në Greqi dhe Itali. Në Greqi kishin dhe disa lidhje të vjetra, emigruan dhe brenda vendit në qytetet e mëdha. Të vjetrit në moshë e ndiqnin me dhimbje këtë braktisje biblike që nuk kish ndodhur asnjë herë kaq masivisht gjat gjithë kohërave. Nëpër fshatra ngelën edhe më pak se 40-50 banorë, kryesisht pleq e plaka. Diku në një fshat mu afrua një burrë i vjetër rreth të 80-tave. Mu kujtua se me këtë burrë të vjetër para ca kohe kishim pirë një kafe së toku në Gjirokastër. Ishte një miku i babait tim. Menjëherë më shkoi nëper mend çasti kur porositëm kafen. Po e riprodhoj siç ka ndodhur:

- Unë po marr një kafe ekspres, a don dhe ty një ekspres, apo dëshiron kafe turke më mirë?
- Jo, nuk i pi ekspreset tuaja unë, ekspreset jua kam lëne juve të rinjëve. - U hodh e tha menjëherë.
- Atëhere të porositim një kafe turke?
- Jo, mor Jo… - Unë u vura në vështirësi se ishte dhe kamarjeri në këmbë që po na priste, ishte një mësues, miku im. E vështrova ne fytyrë mësuesin, ai dukej sikur qe i kënaqur nga kjo bisedë, e sikur më thoshte “vazhdo të shohim ku do të dali”. Mu kujtua se disa njerez që kishin qenë në Greqi, kafes turke i thoshin “eleniko kafe”. Si për të dalë nga situata i thashë përsëri:
- Mos e do eleniko kafe?
- Jo, mor jo,… të thashë, - pse ç’më di ti mua, - mu përgjigj më një farë inati, dhe më hodhi një vështrim përçmues. U krijua një pauzë sepse mua me erdhi turp. Ai ju drejtua qetësisht kamrjerit duke buzëqeshur.
- Kafe vënçe dua! Keni ju kafe vënçe!?
- Kemi, si s’kemi, - I tha kamrjeri, - nga më e mira fare.
- Hë, nga ajo bëmë një mua. – Kamarjeri iku duke qeshur. Gjithashtu po qeshja dhe unë…. Ishte një farë revoltë e  këtij njeriu për ngjarjet që po ndodhnin në ato vite të turbullta, ai qëndronte si një shkëmb në atë karike me këmbë të holla e dukeshin sikur do të thyheshin nga çasti në çast. Për t'a mbyllur këtë bisede të çuditeshme mu kthye me një shikim që shprehte një kënaqësi dhe nje farë meshirimi.

- Ja kështu, mor djali i mikut tim!!

            Duke më shkuar nëper mend këto kujtime ai burri i vjetër i kafesë së “sikletëshme”po më afrohej dhe me një zë të butë kësaj radhe, më tha:
- Mirë u bë që u nda toka, mor djalë, por kush do t’a punojë? Këta po ikin të gjithë. E ku po venë? Disa unë i di ku janë, ja aty prapa malit, në Voshtinë me bagëti. I paguan më mirë greku. - Pas një pauze të gjatë shtoi:
- Të më kishin lënë të ndërtoja ekonominë time që kisha para 35 vjetëve, unë punësoja 30 vetë,  të vinte greku të punonte këtu. – Mbasi mori frymë thellë, vërejta një pikë loti në syte e atij 80-te vjeçari që u rrokullis në atë fytyrë të ashpër malsori, dhe shtoi:
- Po tani… me se…? Kooperativa na bëri që të gjithëve njësoj, na la fukarenj. Më dhemb shpirti  mor djalë kur shikoj djemtë e vajzat tona të lenë vendin e të punojnë shërbëtorë dyerve të botës për një krodhë bukë. Kush do ta bëjë këtë vend?
            Mbeta pa fjalë, nga që nuk e prisja një bisedë të tillë.  Ashtu si zënë në faj, për t’i dhënë fund kësaj bisede, pasi e ndjeja veten tërësisht të pa zot, pëshpërita nëpër dhembë:
-Ndoshta do të kthehen një ditë! – Plaku më vështroi nga koka në këmbë si me një keqardhje ose sikur desh të thosh “Gjeta dhe unë kishë të falem”
****
            Që atëhere rrodhën shume vite. Edhe unë u përfshiva ne valën e emigrimeve, që në atë kohë as më shkonte në mendje.. Emigrimet vazhdojnë edhe sot pas 28 viteve….. Partitë bëjnë sikur përleshen më ashpër në Parlament…
Me koleget e mi agronomë ne fund të viteve 1980