Filizat me rrënjë përtej oqeanit

 (Pjesë nga libri “Mbi thinja fryn erë”)
Nga: Rozi THEOHARI
Boston, Massachusetts - SHBA

Rozi Theohari

            Me Kiço Çekun, tim vëlla, takohemi vetëm disa herë në vit sepse tani ai banon në qytetin Daitona, në Florida. Herën e fundit kur erdhi në Lynn, Mass, i nxirë nga dielli e tërë energji, më tregonte me pasion për bimët e reja dhe lulet që kultivonte në bahçen e madhe të shtëpisë. Me profesion agronom dhe si punonjës shkencor që ka qenë, ai vazhdon edhe këtu në Amerikë eksperimentet e tij, e vetmja kënaqësi që mi ka mbetur nga jeta.
            …Ulur të dy në ballkon pimë kafe e sodisim lëvizjen e ngadaltë e të papushuar të valëve të bardha të oqeanit. Im vëlla nuk flet, por unë e di ku rreh mendja e tij:…aty ku kemi lindur e ku kemi kaluar fëmijërinë; në fshatin e bukur malor të Dardhës, që ngrihet mbi një kodër të ëmbël, rrethuar me kurora malesh të pyllëzuara me drurë ahu, pishë e bredhi, mbushur plot me burime që gurgullojnë ditë e natë e që mbajnë në gjirin e tyre livadhe të bukura polifite me florën më aromatike të botës, që nga tërfili, loljumi e festuka. 
Duke u ngjitur më lart, nga Morava në Gramoz, lulëzon çaji i malit, që është bimë karakteristike vetëm e Shqipërisë. Dhe mes këtij amfiteatri gjelbërimi qëndron fshati ynë që i përngjan një vazoje gjigante me lule, sidomos në pranverë, kur çelin kumbullat dhe shtëpitë mbulohen me lulet e bardha. Por fshatin tonë e kanë zbukuruar e kulturuar edhe të parët tanë, të cilët nuk kanë duruar robërinë osmane e kanë marrë rrugët e kurbetit, sidomos në Amerikë, nga kanë sjellë qytetërimin. Organizimi i piknikëve, i mbrëmjeve të vallëzimit dhe i grupit teatral e ka origjinën qysh në fillim të shekullit të kaluar. Dardhari e ka dashur shumë natyrën e i ka kënduar asaj në çdo stinë:
“Arriti pranvera me lule e blerim,
Me ngjyra, aroma, me këngë e gëzim,
O djema, vraponi se koha kalon,
Dëfreni, këndoni, njeri s’ju ndalon…
            Kjo këngë këndohej në ditën e parë të muajit maj kur dardharët organizonin piknikun tradicional në korijen e ahut përballë fshatit. Djelmoshat me kitara, midis tyre edhe im vëlla, shoqëronin këngëtarët, këndonin edhe vetë dhe oshëtima e pyllit arrinte deri në Moravë. Mbas këngëve e valleve, kur ktheheshin në shtëpi, të gjithë mbanin në dorë degëza të vogla ahu me gjethe të posaçelura të cilat i varnin mbi traun e portës së jashtme, si ogur për mbarësinë e stinëve. Rritur në këtë mjedis të mrekullueshëm natyror e shoqëror, në shpirtin e tim vëllai u brumos dashuria për bujkun e për florën e pasur të mbarë vendit së cilës, nëpërmjet profesionit, ai i kushtoi gjithë aktivitetin jetësor.

PASIONI PER FLOREN 
Kiçoja i përket atij brezi agronomësh të përkushtuar, heronj të fushave e të kodrave, që ua shndërruan pamjen e i kthyen në kopshte e parcela të gjelbëruara, këtyre punonjësve duarartë që nuk u është vlerësuar si duhet puna, mundi e djersa. Trupi i gjatë e tërë muskuj i tim vëllai ishte mësuar e praktikuar me punën e palodhur fushave me diell e kodrave me bar e lule. Kur ai ishte emëruar agronom në kooperativën bujqësore të Bilajt, në rrethin e Krujës, gjatë fushatës së korrjes merrte pjesë vetë në korrjen e grurit me drapër, krahas kooperativistë ve. Kur korrte ai “vraponte” me draprin që e përdorte me mjeshtëri, duke lënë prapa edhe ata më të shpejtit. Duke “u shkrirë me masën,” siç ishte atëherë parulla, Kiçoja fitoi zemrat e fshatarëve, të cilët e quanin bir të tyre. Dhe ai i ndihmonte me ç’të mundej e u gjendej pranë halleve të tyre familjare. Fshatarëve nuk u vinte mirë kur shikonin agronomin të banonte në një depo në ndërtesën e rritjes së shpendëve. Por im vëlla nuk u ankua kurrë, madje edhe atëherë kur ishte emëruar agronom në fshatrat e rrethit të Shkodrës dhe flinte në një kabinë dërrase, ndërtuar mbi moçalishte, ku jo rrallë, i bënin shoqëri gjarpërinjtë. Pa u ndarë nga fusha, Kiçoja ishte njëkohësisht bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Kërkimeve Pyjore dhe Bimëve Aromatike në Tiranë. Ai shkroi e botoi disa dhjetëra broshura dhe libra për kultivimin e bimëve etero-vajore në Shqipëri, si dhe tekstin e bimëve aromatike për Fakultetin e Pyjeve në Institutin Bujqësor, ku ka qenë gjashtë vjet pedagog. “Shqipëria - thotë Kiçoja - bën pjesë në zonën subtropikale të vendeve të Mesdheut. Në gjirin e maleve, shkrepave, kodrave dhe fushave tona rriten e zhvillohen në mënyrë natyrale mbi 350 lloje bimësh aromatike, mjekësore të cilat kanë cilesinë “aromatike aktive” më të lartë në botë dhe përbëjnë kështu një arsenal me vlerë të madhe për eksportin shqiptar, natyrisht edhe për ekonominë tonë. Por hapja e tokave të reja, dekada më parë, sidomos në zonat malore, shkatërroi në një përqindje të madhe këtë florë të pasur të vendit tonë që natyra mezi e kishte kultivuar për disa mijëra vjet.”

Bir i Dardhës, që e donte aq shumë natyrën, nuk mund të duronte dot një katastrofë të tillë natyrore dhe u bë një nga iniciatorët kryesorë për të ekuilibruar këtë shkatërrim që bënë vetë njerëzit. Nëpërmjet eksperimentimit, Kiçoja, atëherë specialist në Ministrinë e Bujqësisë, studioi dhe organizoi kultivimin e specieve kryesore të mbarë vendit, si: çaji i malit, sherbela, rigoni i kuq e i bardhë, kamomili, salepi e speciet e tjera. U hapën sektorët e kultivimit të këtyre bimëve në pjesën më të madhe të ekonomive bujqësore, në ndërmarrjet pyjore dhe në kopshtet e oborret e të gjitha shkollave të fshatrave. Me merakun e mjeshtrit, Kiçoja nuk ndenji një ditë në zyrë, por i binte kryq e tërthor republikës për të kontrolluar zonat e mbjella me bimët delikate e gëzohej si fëmijë kur shikonte se ato u ishin përshtatur mirë kushteve të tokës e të klimës.
Për të filluan të shkruanin gazetat duke i vënë nofkën “Kiço borziloku”, të cilën e meritonte plotësisht. Po të të binte rasti të udhëtoje atëherë në rrugën nacionale Tiranë-Shkodër, do të ndieje nga larg e nga afër aromën dehëse të borzilokut që vinte nga fushat e kooperativave. Duke shitur borzilok, i cili kërkohej shumë nga eksporti, rriteshin edhe të ardhurat e kooperativistë ve. Prandaj, kur Kiçoja shkoi një ditë për inspektim në fshatrat e Zagorisë të rrethit të Gjirokastrës, fshatarët e pritën me një këngë që ia kishin kushtuar atij e që e këndonin me ison karakteristike:
…”Oo…që kur erdhi Kiço Ceku,
Oo…në fshat na erdhi bollëku…”
“ Më kujtohet si në ëndërr - thotë Kiçoja - kur nisesha për të grumbulluar farën e bimëve, sidomos në zonat kufitare. Duhej të prisja një javë sa të dilte leja nga Ministria e PB në Tiranë, pastaj duhej të vija në rrethin përkatës: në Shkodër, Kukës, Pogradec, Korçë, duke pritur aty edhe një herë në Degën e punëve të brendshme dhe përfundoja në repartin e rajonit kufitar në fshatin më të afërm, në kufi.” Në muajin gusht, kur grumbullohej fara e çajit të malit në Gramoz, në fshatin tonë bëhej festë e madhe, sepse në Dardhe ishte ngritur sektori shkencor më i madh në Shqipëri, i cili furnizonte gjithë ekonomitë me farën e çajit të malit, njëkohësisht ishte dhe aktiviteti kryesor i kooperativistë ve, me të cilin siguronin bukën e përditshme. “Në Nikolicë, - vazhdon Kiçoja, - më prisnin fshatarë të armatosur dhe më shoqëronin deri në malin e Gramozit. Pasi kalonim brezin e kufirit, i thurur me tela me gjemba tre seresh dhe tre metra i lartë, duhej të ecnim edhe tri orë rrugë malore që të arrinim në “Gropën e pelave” dhe “Çezmën me gozhdë.” I thoshin kështu sepse kishte ujë shumë të ftohtë që rridhte nga filtrimi i dëborës shekullore, e cila nuk shkrinte asnjëherë në disa rrëpira të Gramozit. Një hap na ndante nga teli me gjemba dhe bota e lirë. Për t’u çlodhur, zakonisht ulesha në majë të një guri nga ku dukeshin qartë teposhtë Gramozit fshatrat kufitare greke, Janoveni e Slimnica. Në spitalin e Janovenit qe shëruar babai kur ishte i vogël, dhe përsëri djalë i vogël mori rrugën nëpërmjetë këtyre shkrepave, për të mbërritur në Greqi e që andej, me vapor, për në Amerikë. Dhe me dukej e pamundur të shpëtonim nga këta tela e pushkë e të shkonim nje herë të shikonim Amerikën. Ëndërroja se ndoshta një ditë do të kasha mundësi edhe unë, si babai, të jetoja në këtë vend të madh e të ushtroja zanatin tim, i lirë. Dhe për çudi, ajo ëndërr që dukej e parealizueshme, erdhi, por… në një kohë jo të përshtatshme, në një moshë të madhe kur njeriu numëron ditët në pension…”

UDHA E MËRGIMIT
            Kiçoja u nis nga Shqipëria me gjithë familjen në shkurt 1992, pa ardhur ende mirë demokracia. Në atë kohë amullie, edhe biletat e aeroplanit mezi i siguruan, megjithëse kishin pasaportën amerikane në xhep. Im vëlla jetonte me ëndrrën se “do të shkoj në Amerikë e do të vazhdoj profesionin!”. Natyrisht, në valixhet e tij kishte vetëm material gjenetik, duke filluar nga farërat e bimëve të florës sonë spontane si sherbele, çaj mali etj, e deri tek farërat e perimeve tona shumë të shijshme.
            “Ne, që për pesëdhjetë vjet qemë mbyllur në perden e hekurt, - thotë ai, - ishim të etur të shikonim botën e lirë, sidomos Amerikën, vendin më të lakmuar në botë. Ne u mahnitëm me të vërtetë, sepse erdhëm në Boston, në zemrën e Nju  Inglandit, qytet me tradita të lashta në kulturë e në shkencë, që nga universitetet më në zë në botë të traditës angleze, deri tek Teatri e Opera e Bostonit, me një nga orkestrat më të shquara në botë e me artistë të mëdhenj që luajnë në të. Natyrisht, që në fillim qemë të etur të shikonim çdo gjë e të shijonim natyrën e bukur të Bostonit, pranverën plot hijeshi e lule dhe vjeshtën plot ngjyra rrëzëllitëse.
Sipas zakonit, kur vinte një shqiptar nga një vend ish komunist me 1992, bëhej bujë në diasporën shqiptare, sidomos në Boston. Telefonat nuk pushonin, merrnin të njohur e bashkëfshatarë , Cesta Kojnari, Nenci Thimo, Katerina Tabaku, Lisa Stefani etj., të cilët uronin mireseardhjen si dhe donin të dinin çdo gjë për vendin dhe të afërmit e tyre aty. “Koha kalon pa u kuptuar, - vazhdon im vëlla - dhe fillon seleksionimi natyral brenda - përbrenda familjes: të rinjtë, që janë si ai filizi i ri, ambientohen e rrënjëzojnë shpejt në token dhe klimën e re. Ata fluturuan si veriu, mësuan anglishten, u punësuan, u shkolluan dhe pak nga pak u amerikanizuan. Kurse unë, pensionist në Shqipëri, në moshën midis 60—dhe 70 vjetëve, një moshë pa të kaluar e pa të ardhme, u përballa me probleme të reja, të paparashikuara. Unë isha si ajo pema e vjetër me rrënjë të thara, vetëm me disa qime thithëse sa të më mbanin në jetë. Në moshën time ktheheshin në fshat emigrantët dardhare që kishin punuar rëndë një jetë të tërë për të mbajtur gjallë shtëpi e njerëzi, dhe kalonin ditët e pleqërisë pranë familjeve të tyre.”
            Fillimisht, Kiçoja u lidh me një grup të vjetër shqiptaroamerikanë sh, dardharë, moshatarë dhe miq të babait. Ata mblidheshin ditëve të marta e të premte në një Burger-King kafene në zemër të Bostonit, rreth një tavoline të madhe, të rrumbullaktë, në qoshe, për t’u veçuar nga klientët e tjerë. Aty diskutonin për situatën politike në Shqipëri, e cila posa kishte hyrë në rrugën e demokracisë dhe të gjithë e pyesnin me kureshtje të posaardhurin e mikun e tyre, mbi çdo lajm që vinte përtej oqeanit. Kur e shihnin të mërzitur, ata i jepnin kurajë Kiços e i tregonin se si kishin ardhur të vegjël në Amerikë, rreth viteve tridhjetë, kishin punuar pa orar e pa u çlodhur, por kishin bërë prokopi e tani rronin rehat me familjet e tyre. Por kënaqësinë më të madhe Kiçoja e ndiente kur bashkëfshatarë t i flisnin fjalë të mira për babanë, i cili, i vetmi nga moshatarët e tij, krahas punës, studioi edhe në shkollë, mësoi violinën me të cilën luante pas orarit të punës në një orkestër Xhazi simfonik. Zoti Kojnari, megjithëse i moshuar, e shoqëroi Kiçon familjarisht deri në qytetin e Detroitit për të vënë një buqetë me lule mbi varrin e babait, në nderim dhe kujtim të tij. Ishte vështirë për tim vëlla të ambientohej në Amerikë…ai qe ishte mësuar të rrinte mes bimëve, gjatë punës shkencore 30-vjeçare. Mirëpo grupi i emigrantëve dardhare u mësua me të dhe e mbanin me fjalë të mira, mbase, dalngadalë do të hynte edhe ai në botën e tyre. Për ta zbavitur, një ditë zoti Kojnari i tregoi historinë e një devolliu që kishte sjellë babanë në Amerikë. Xha Estrefi, kështu quhej i ati, sa erdhi në Netik, Mass, te shtëpia e të birit, ra në krevat i sëmurë e s’e ngriti kokën. Thërriste çdo ditë: “Ç’më bëre more djalë, më more në qafë, më ndave nga shokët, më ndave nga delet e mia, më ndave nga ruda ime që më rrinte tërë ditën nëpër këmbë.” (Kjo histori më kujton shoqen time ukrainase, e cila, kur shkoi në një fshat të Ukrainës të sillte t’ëmën e moshuar në Amerikë, plaka këmbëngulte të merrte edhe lopën me vete.) “Po mirë, more baba, - i thoshte devolliu të atit,”- edhe këtu do të  mësohesh…do të të ble një kope me dhen dhe do të shikosh se do të të pëlqejnë më shumë akoma!” Dhe ashtu bëri. I bleu një kope me dele në një fermë të vogël aty pranë, ku xha Estrefi u shërbente ditë e natë. Tani, edhe sikur t’i vesh ekskavatorin, nuk shkulet xha Estrefi nga ferma e tij e vogël … E dhe ti, - I thoshte zoti Kojnari Kiços, - i ke duart flori, i ke ngjarë babait tënd, do të gjesh një vend ku të mbjellësh dhe do të mësohesh këtu më mirë se Estrefi. Ti, një ditë, do të bësh prokopi me këto bimë në Amerikë, mbasi ajo i ble ato me miliona dollarë nga bota e ti do t’ia prodhosh këtu në vend dhe do të stërvitesh edhe fëmijët e tu, që të vazhdojnë më tej…”

SFIDA PËR MOSHËN 
            Dhe çudia u bë. Forca e vullnetit dhe kushtet e veçanta të krijuara në familjen tonë, ku fëmijët filluan jetë të re, nuk e lanë pas as tim vëlla, i cili duhej të bënte diçka të re me zanatin e tij. Kush nuk luan këmbët, nuk luan dhëmbët. Ai filloi të kërkonte punë disa muaj me radhë, të gjente një copë vend ku të kishte mundësi të bënte studime shkencore si ato në atdhe: të fillonte e të ambientonte në kushtet e klimës dhe të tokës në zonat e ndryshme amerikane, bimët kryesore aromatikomjekë sore për të cilat kishte nevojë ky vend, si: sherbela, rigoni, çaji i malit, barbaroza, kamomili etj, si dhe disa varietete perimesh me një shije të veçantë që ka Shqipëria, si: domatet zemërkau, domatja sanjollas, domatja e rrumbullaktë e Tiranës, ajo e hershmja etj.; disa erëza, si: majdanozi e selino, të cilat janë më aromatike se varietetet amerikane.
            Me ndihmën dhe ndërmjetësinë e zotit Kojnari, Kiçoja u njoh me një doktoreshë me origjinë çifute, Marian Rosse, e cila qe e apasionuar pas kopshtarisë, florikulturës dhe florës së natyrës spontane të vendeve të Mesdheut, tamam ato që kultivonte im vëlla. Ajo i krijoi mundësi Kiços që, krahas punës për mirëmbajtjen e kopshtit të saj, të vazhdonte studimet edhe me bimët e tij eksperimentale. Doktoresha kishte një shtëpi kështjellë në qytetin e Doverit, në jugperëndim të Bostonit, në mes të një kopshti gjigant prej rreth pesë hektarësh tokë, në mes të një pylli në zonë kodrinore. Aty jetonte me burrin e dy fëmijët e vegjël. Kiçoja bashkë me zonjën Marian krijuan sektorin e kopshtarisë dhe ajo nuk e përmbante gëzimin kur dardhari i premtonte se do të mbillnin perime me farërat e sjella nga Shqipëria dhe, kur ta priste thela- thela domaten zemër- kau ose rrumbullaken e Tiranës, apo stanjollasin, gjithë kuzhina do të mbante erën karakteristike të domates. Kur të piqte specin kapi të Tiranës, do të kundërmonte gjithë shtëpia erën e këndshme të piperkave shqiptare…”Do të jetë një gjë e mrekullueshme , - thoshte ajo,- sepse këtu në Amerikë, si speci, si domatja e shumë perime të tjera, kanë emrat e tyre specifikë, kurse shijen e kanë të gjitha njësoj, si bar.”
            Erdhi dita e shumëpritur për Kiçon, kur në një sipërfaqe mjaft të madhe krijoi sektorin e bimëve aromatike, gjë që i dha mundësinë për të futur në studim kulturat kryesore të bimëve të tilla, si: sherbela, çaji i malit, rigoni etj. Të martën e parë, pasi kishte filluar punën, Kiçoja u takua si zakonisht në Burger-Kingun e Bostonit me “kompaninë shqiptare”. Tek pinin kafene, Kosta tha: “More, ky dardhari i ri, i ardhur i freskët nga Shqipëria, seç po më duket më i gëzuar sot!” Zoti Kojnari qeshi e shtoi: “Do të jetë akoma më i qeshur, sepse filloi punën me bimët e tij, por ky më duket se do t’ia kalojë xha Estrefit..” Dhe Kiçoja u tregoi me hollësi deri ku kishte arritur puna.
            Tim vëllai nuk i pritej sa të fillonte me mbjelljen e farërave në një serrë të vogël që doktoresha e kishte ngritur pranë stallës së kuajve. Dimri i Bostonit është shumë i egër, me temperature më të ulëta se në zonën e ftohtë ku zhvillohen këto bimë, prandaj dhe sera me ngrohje ishte e nevojshme. Në periudhën e dimrit u zhvilluan normalisht fidanët e perimeve, të bimëve aromatiko-mjekë sore, si dhe shumë varietete të luleve të bukura të kopshtarëve shqiptarë. Në pranverën e vitit 1993 u krijuan parcelat e para eksperimentale të renditura me një plan simetrik, njëra pas tjetrës, ashtu siç e kishte qejf edhe doktoresha. Sektori i perimeve u zgjodh në një sipërfaqe toke të rrethuar me një gardh të rrallë e të vjetër kushedi prej sa kohësh, që zonja Marian e ruante si monument kulture. “Filloi të zbutej deri diku mërzia,- thotë Kiçoja - dhe fëmijët e mi u ndien më rehat kur më shikonin të preokupuar me punën time, por edhe “kuvendi” i dardharëve të Burger Kingut ishte më i gëzuar, se herë pas here u vinin lajme të mira mbi ecurinë e kopshtit eksperimental, ku rriteshin shumë bimë të fshatit Dardhë, të cilat u ngjallnin kujtimet e fëmijërisë.”
            Erdhi koha e pjekjes së domateve të hershme shqiptare, pastaj sanjollase e më vonë ato zemërkau, që kultivoheshin në kopshtet e doktoreshës. Zonja Marian thërriste herë pas here miqtë e saj të shumtë dhe e prezantonte tim vëlla si “shkencëtar të madh shqiptar”. Mariani ndiente një kënaqësi të paprovuar ndonjëherë kur shijonte domaten shqiptare dhe u fliste me orë të tëra miqve e të ftuarve për suksesin e kopshtit të saj dhe për shkencëtarin shqiptar që pati fatin ta ketë në këtë kopësht. Më vonë, e zonja e shtëpisë u hiqte rrugë mysafirëve në sektorin e luleve. Edhe këtu çdo lloj bime ishte shqiptare. “Shikoni manushaqet shqiptare, - bërtiste ajo me një zë lozonjar, - çfarë arome të mrekullueshme që kanë! Kurse violat tona janë fare pa erë! Shikoni agulicet, zgorofetet, lulet e para të pranverës, lule vethkat, lule patatet, barbarozat!” Së fundi mysafirët vizitonin sektorin më të rëndësishëm dhe natyrisht, më të bukurin. Parcela eksperimentale e sherbelës ishte në lulëzim të plotë, me lule të tejzgjatura, me një ngjyrë boje qielli të hapur; aroma të shponte hundët me erën karakteristike të saj, sjellë nga mali i Krujës, mali i Kakariqit dhe nga Malësia e Madhe në zonën e Vuk Palajt. “Kjo bimë quhet sagë (sherbela shqiptare), - vazhdonte të shpjegonte me pasion doktoresha, - me të cilën ne i mbushim barkun gjelit të detit në festën e thanks giving-ut dhe Amerika ble çdo vit 2,000 tonelata sherbele në Shqiperi, të cilën e përdor edhe në industrine farmaceutike. Kur të mbarojë studimi shkencor, ne me dardharin do ta hedhim në kultivim më të gjerë.” Doktoresha shpjegonte se në Amerikë ka një numër të madh të sëmurësh asmatikë dhe sherbela shqiptare ka efektin më të fortë në qetësimin e shenjave të sëmundjes dhe në shërimin e saj. “Bimët mjekësore janë dhuratat më të mira që ju na kini sjellë nga Shqipëria,”- i thoshte ajo Kiços.
            Kur të ftuarit arritën në parcelën eksperimentale të çajit të malit, u habitën me lulet e tij të bukura ngjyrë ari dhe me aromën karakteristike që nuk e kishin ndier ndonjëherë e që të mbushte mushkëritë. Një mysafire me origjinë nga Anglia, e cila ishte e apasionuar pas çajrave, bërtiste duke mbajtur disa lule para hundës së saj: “Ky është çaj i vërtetë. Do të më jepni edhe mua pak nga ky çaj kur ta vilni.” “Qysh vitin e parë sektori shkencor arriti sukses, dha shumë prodhim. Domatet prodhuan aq shumë, sa, gjatë periudhës së verës dhe të vjeshtës, një restorant aty pranë u furnizua me domatet e kopshtit tonë”, - thotë Kiçoja. “Këto domate që po hani, janë shqiptare, të prodhuara në kopshtin e zonjës Mariani dhe janë shumë të shijshme!”- u thoshte pronari i restorantit klienteve të vet. Ai pati interes të blinte këto lloj perimesh, sepse iu rrit klientela. Por më të gëzuar ishin dardharët e Burger Kingut në Boston, sidomos zoti Kojnari, i cili, posa hynte në deren kryesore të kafenesë shikonte Kiçon në kishte gjë në dorë apo jo, sepse i pëlqente t’i sillnin domate zemërkau dhe stanjollas…I kujtohej Shqipëria dhe fshati i tij.
“Kështu, - thotë Kiçoja, - pak nga pak mërzia filloi të marrë arratinë. Puna në zanatin tënd me të vërtetë të fal kënaqësinë edhe në një vend të huaj.” Të dhënat eksperimentale filluan të ndiheshin në vitin e dytë të prodhimit, për arsye se kulturat aromatike si sherbela, çaji i malit etj. në vitin e dytë filluan të prodhonin farat. Atëherë fillon e bëhet seleksionimi natyral se cila bimë i reziston më shumë dimrit të egër. Në pranverën e vitit 1994 të gjitha parcelat eksperimentale u dëmtuan rëndë nga dimri tepër i ftohtë dhe shpëtuan vetëm dy-tri bimë nga sherbela, çaji i malit e rigoni. Këto bimë fatlume mbijetuan në dimrin e egër të zones së Bostonit. Kiçoja i ruajti ato me kujdes gjatë vitit 1994 dhe nga ato u mor materiali gjenetik fillestar që do të përdorej në mbjelljet e mëvonshme. Me farat e këtyre bimëve u siguruan fidanë të cilat Kiçoja i mbolli jo vetëm në kopshtin e doktoreshës, por edhe në kopshtin e shtëpisë së tij dhe në atë të fëmijëve në qytetin e Lynnit. Për këto eksperimente u interesua edhe e bija e zotit Kojnari, Barbara, avokate, e cila, e lindur dhe e rritur në Amerikë, ka një dashuri të madhe për Dardhën, fshatin e lindjes të babait të saj. Kështu, edhe në kopshtin e Barbarës u krijua një parcele eksperimentale me çajin e malit, sepse vajza donte edhe ajo të mbante erën e Shqipërisë..
            Vitet e fundit eksperimenti doli jashtë kufijve të Massachusettsit, në zonën më të nxehtë të Amerikës, në Florida. Aty Kiçoja jeton në vilën e fëmijëve, një shtëpi e bukur me komoditet dhe me një bahçe të madhe, ku ka tre vjet që studiohen paralelisht gjithë bimët e kopshtit të Bostonit.
            Pas një pune të madhe këmbëngulëse shkencore, sipas të dhënave paraprake, u arrit që sherbela t’i rezistojë më shumë si klimës së ftohtë të veriut të Amerikës, ashtu edhe temperaturave të larta të jugut të saj. Për çdo vit Kiçoja bën seleksionimin në parcelat eksperimentale, zgjedh farat nga bimët që u rezistojnë kushteve të ashpra dhe këto i ruan në frigorifer në temperature të ulëta, për t’i përdorur kur t’u vijë koha. Kiçoja përsërit gjithnjë: “Po të këmbëngulësh në zanatin tënd, do të fitosh. Është pozitive se edhe fëmijët e mi janë dashuruar pas punës së babait. Ata kanë krijuar kopshtet e tyre dhe vazhdojne eksperimentimet e mia. Ime mbesë, Ema pesë vjeçe, gjysmë amerikane e gjysmë shqiptare, më qëndron pranë në kopsht, më ndihmon, e përqëndruar në të gjitha punimet e shërbimet që u bëj bimëve. Kur e thërret e ëma amerikane, të vejë të ndjekë programin e fëmijëve në televizor, ajo nuk pranon, sepse do që të ndihmojë gjyshin.Unë ndiej gëzim e krenari kur mendoj se zanati im do të kalojë brez pasbrezi në familjen time.”
Shpesh, pas punës së lodhshme, Kiçoja ulet në verandë, para pishinës, ku bashkëshortja e tij, Anxhela, i sjell kafene duke e këshilluar që të mos lodhet kaq shumë. Anxhela, muzikologe, rritur në një familje artistësh, e bija e tenorit të njohur, Artistit të Popullit, Kristaq Antoniu, dhe e piktores së parë grua, shqiptare, Androniqi Zengo, u dashurua edhe pas agronomisë, profesionit të të shoqit. Ajo kurrë nuk e qortoi Kiçon kur kthehej nga fusha në shtëpi me çizmet me baltë. Përkundrazi, ka punuar pranë tij duke u shërbyer bimëve me delikatesë e dashuri.
“Kur nuk më punojnë duart, - thotë im vëlla, - fillon e më punon truri, dhe mendja më shkon gjithmonë aty ku dhemb shumë, tek problemi i emigrimit.
Vijnë dita-ditës si lumë nga Shqipëria njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme, tërheqin njëri-tjetrin si puna e qershive. Të rinjtë ambientohen menjëherë. Por edhe moshat e kaluara, kur s’ kanë fuqi të punojnë, e gjejnë deri diku një rrugë shpëtimi, në qoftë se banojnë pranë fëmijëve të tyre e i ndihmojnë sa mundin. Në vitet e para të mbërritjes këtu, kurrë nuk e mendoja se një ditë edhe mua do të më thithte jeta amerikane. Unë u mësova e u ambientova me jetën e re, ashtu siç u mësuan e u ambientuan edhe bimët e mia. Më mësuan bimët e mia, të cilat u përshtatën pak nga pak. E lanë tokën mëmë në Shqipëri dhe i lidhën rrënjët e tyre me një tokë akoma më pjellore, në tokën amerikane, mëmë të dytë…”
Im vëlla ndërpret bisedën, sepse e merr në telefon zoti Kojnari: “- O dardhari im, a do të dalim sot në Boston të Burger Kingu tradicional? Do të vijë dhe Sotiri me Vangjon.” Por tani nuk ka me fytyra të ngrysura. Vazhdojnë si gjithnjë bisedat për Shqipërinë tonë, me shpresa e ëndrra për të ardhmen e saj. Të gjithë miqtë e dashamirësit e Kiços kanë mbjellë nga një bimë të kopshtit eksperimental nëpër kopshtet e tyre si simbol i rrënjëzimit në kurbet, si kujtesë eterike e rrugës së vështirë për të mbijetuar, që kaluan të gjithë emigrantët e hershëm, gjyshërit dhe baballarët tanë.
___Fund _________________________________________________________
  _________________________   
Kujtim: Me Rozin në 100 Vjetorin e Pavarësisë

            
       


Fuat MEMELI
 Të shumtë janë miqtë e mikeshat e Rozi Theoharit (Çekut) që e kanë ndier thellë humbjen e saj. Në këto pak ditë të ndarjes së saj nga jeta, kanë vërshuar jo vetëm ngushëllimet për familjen e të afërmit, por edhe mjaft shkrime e poezi kushtuar Rozit , të botuara në shtyp ose në faqet e internetit. Dhe mesazhet e krijimet kushtuar asaj, do të vazhdojnë, pasi ata që e njihnin nga afër ose që nuk e kanë njohur direkt, por kanë lexuar krijimet e saj në poezi e prozë si dhe shkrimet  publiçistike, janë të shumtë. Kështu ndodh kur njeriu që ikën, le pas shpirtin e tij të pastër, le dashurinë për njerzit, për vendlindjen, për Atdheun e popullin e vet.Vlerësimi për njeriun që ikën, shtohet kur ai le pas edhe krijimtarinë e tij, në çdo fushë qoftë, aq më tepër në atë të krijimtarisë artistike, siç është edhe shëmbulli i Rozit.
         Në ndryshim nga gjetjet miqve e dashamirësve të saj, për të shprehur jo vetëm respektin por edhe një homazh për ‘të, Kostandin Moskua, një nga miqtë e saj të shumtë, gjeti një këndvështrim tjetër: vendosi në blogun e tij shkrimin e Rozit për vëllain e saj të dashur, Kiçon(emigrant edhe ai si Rozi në Amerikë) me titull:” Filizat me rrënjë përtej oqeanit”, pjesë e librit të saj ”Mbi thinja fryn erë”. Kjo është një gjetje e trefishtë e Kostandinit: së pari, shkrimi është për vëllain e Rozit, të cilin ajo e deshte me gjithë shpirt; se dyti , ai është agronom, ashtu si Kostandini; së treti,blogu i tij mban “erë”bujqësi dhe i shkon për shtat ky shkrim. Përfshirja e këtij shkrimi në blogun e Kostës, është një buqetë e bukur, ndër buqetat dhe kurorat e shumta që po thuren këto ditë për Rozin tonë të paharruar.



Fuat MEMELI


Libri i fundit i Rozit. Na e dhuroi 10 ditë para se të shtrohej në spitalë.





No comments:

Post a Comment