Saturday, 2 August 2025

MIÇI MANXHO I POLIÇANIT

 

( Kujtime nga stina e mjaltit dhe e krimbit të mëndafshit, nga të gjitha stinët e fëminisë në Pogon. )


 

nga: Petro MEJDI

Athinë, Greqi


Miçe Manxho

Njeriu që ka lidhje me daljen time të parë jashtë Skoresë, njeriu që ka lidhje me kujtimet e mia të para larg rrugëve të fshatit. Isha gati 5 vjeç, e megjithatë, atë ditë e mbaj mënd shumë mirë, bile me hollësira, që sot, pas kaq dekadash, pas 65 vjetësh nga koha kur i kam përjetuar, me bëjnë që të çuditem me veten.

 

A thua gjithë kjo ka lidhje me atë ide të xha Miçit që të kapërcejë përroin, të kalojë nga "kufiri" i Poliçanit dhe të vijë në tokat e Skoresë, do të më ishte ngulitur aq thellë në ndërgjegje. Atëhere nuk ishim ende një kooperativë. Ai erdhi për të më sjellë mjalt, sapo e kishte nxjerrë nga kosheret. Ky veprim i tij fshihte një keqardhje për mua, një simbonia, nuk kisha shumë muaj që isha jetim, dhe babai, atëhere me tufën kolektive të dhënve të fshatit, më merrte me vete. Xha Miçi ishte një njeri human, një njeri me shpirt delikat. Më ngjan sikur ndodhi dje .....

(Një triptik, prolog , epilog dhe një intermexo )

( personazhet: Miçi Manxho, unë, babai, Rrapo Dervishi, dhe : kosheret , krimbi i mëndafshit , gazeta " Pararoja ")

 

PROLOG

E kam si përpara syve mikun tim Dhimitër Manxho (Miçi). Po, midis nesh lindi një miqësi. Ndoshta na afruan dëshira për letërsinë, për librin dhe shkrimet në gazetën  “Pararoja". Që të ishim miq nuk ma pengonte diferenca në moshë.

Më vjen ndërmënd ashtu me atë vitalitetin e tij, një vitalitet që dukej në të ecurit e shpejtë dhe të vrullshëm, në të folurit e poterrshëm , në mënyrën si nxitonte për të takuar dikë, me të cilin kishin filluar së foluri që larg, dhe pasi i jepte dorën, e përqafonte, e kishte këtë si shënjë respekti dhe si shënjë malli,  por dhe si një mënçuri, që duke e përqafuar, tjetri edhe do ta dëgjonte më me kujdes, edhe nuk do t' ja prishte hatrin për nderin që do t'i kërkonte. Dhe nderet do të kishin lidhje me bletët, ose me mishin e deleve të helmuara nga bari, aty lart në pllajat e Nëmërçkës.

E mbaj mënd kur zbriste nga lagjia e sipërme e Poliçanit, (një lagje, pjesë e së cilës është nën gurët që kanë rrëshqitur nga Nëmërçka me shekuj , të sjellë nga orteqet dhe nga shembjet e kodrës) e kuptoja nga zëri se ishte ai. Shpesh me gruan, e cila, gati vraponte, që të mund ta arrinte dhe të ecte krah tij. E mbaj mënd atë grua të qetë, mbante në kokë shami të bardhë, ndryshe nga poliçaniotet e moshës së saj, duhet të ishte nga Sopiku, atje gratë mbajnë shami të bardhë.

Në atë tatëpjetën e zhavorrtë, fliste greqisht, se më së shumti përshëndeste plakat, kur i takonte i përqafonte dhe ato

e pyesnin për gjithëfarë gjerash, që nga bletët, krimbin e mëndafshit dhe kasapët, në e dinte se kur do vinin për të mbledhur bagëtitë e tëpërta për shitje.

Por në pllatinë  (sheshinë) e Poliçanit, aty pasi kalonte murin rrethues të spitalit, nga ana e poshtme ishin dritaret e klubit dhe guzhinës, fillonte për të "zona shqiptare e të folurit. (Me shqipen i ra shorti i jetës që të njihet ende fëmijë në shpërgej. Kishte gjyshen në Selckë. Aty kaloi vitet e fëminisë. Selcka, ashtu mënjanë rrugës për në Poliçan, lart, gati e kacavjerrur në pjesën e fundit të malit të Lunxhërisë, përtej lumit fillon Buretoja, i cili plotëson vargmalin e njohur të Jugut, këto e bënin Selckën që të ishte më e mbrojtur nga rreziqet e shumta të kohës, me sa duket, aty në Selckë iu zhvillua dhe pasioni për bletarinë, ajo është e njohur në Jug për këtë mjeshtëri .

Dhe fliste me oficerë , ushtarë e policë, me barinjtë e fermave të Sarandës dhe të Ushtrisë, me veterinerë, me disa nga burrat e fshatit që punonin në administratë. Ata të Sarandës i pyeste për çajin dhe në u dëmtuan delet nga helmi i barit. Por miqtë e tij më të shumtë ishin zagoritë. Mbante në kokë një kapele me strehë, një pardesi ose zhup në dimër, pantallona të gjëra dhe të krijohej përshtypja, po të mos e njihje, se ishte nga ndonjë qytet.

1

--Bletërritësi - Ο μελησσοκομος --

Titulli i këtij kapitulli në greqisht të kujton filmin " Ο μελισσοκόμος" " Bletëritësi " të regjisorit të njohur grek, Theodhoros Angjellopullos.

Mjalti më bën që të kujtoj shpesh xha Miçin, pasi për herë të parë në jetën time kam ngrenë mjalt nga dora e tij. Isha më i vogël se 5 vjeç, e megjithatë e mbaj mënd shumë mirë. Babai, në stinën e ngrohtë, më merrte me vete pas kopesë kolektive të deleve të fshatit. Nuk kishte kaluar as një vit nga ikja e nënës dhe ai më merrte me vete pas grigjës. Atë ditë i kulloste në Sallavadhes, kullotë të cilën e ndante si kufi me me tokat e Poliçanit, Megallakua, përroi që zbriste nga rrëza e Nemërçkës, i cili mblidhte ujërat e disa proskave që nisnin nga pllajat e malit dhe udhës fryheshin dhe, kur bashkoheshin në mes të rrugës Skore - Poliçan, përroi bëhej i rezikshëm në dimër. Ne u afruam aq shumë me delet në buzë të përroit, sa që atje tej, në bregun matanë, që vendasit i thonë "stus Mokrus" - në Mokër, një toponim sllav ky, dukej shumë qartë një njeri, i cili mbante në duar një gjë të çuditëshme për mua, një kapuç, i cili përpara fytyrës kishte një rrjetë, nga ku dalloheshin turbull tiparet e fytyrës. E dhe po ta njihje, vështirë ta dalloje menjëherë. Përpara fytyrës dhe mbi kokë na zukatnin bletët, të cilat, sa po ngrija një degë me gjethe të gjelbërta, trembeshin.

Babai filloi që të flasë që nga kjo anë e përroit me atë burrin , jo shumë të gjatë, në veshjen e të cilit më bënë përshtypje pantallonat e gjëra, fundet e të cilave ishin futur në çorape dhe një send në formë trekëndëshi, i cili më ngjau me gjyrykun e kovaçit, por shumë më i vogël, nga i cili dilte herë pas here një shtëllungë e bardhë tymi. Aroma e bajgave të thata që po digjeshin në atë furrnaltë milimetrike, vinte deri tek ne.

Ai e hoqi për një çast maskën. Pas pak kapërceu përroin. Mbante një kavanoz në dorë dhe një lugë kafeje. M'u afrua, më përkëdheli kokën dhe duke i thënë babait,  “Aftos ine o mikroteros",( Ky është më i vogli?) Mbushi lugën me mjaltë dhe ma dha. Biseduan pak me baba Rakon dhe iku.Vazon nuk e mori. E pashë në duart e babait, i cili më dha dhe një lugë duke më thënë.

 - Dhen kani na fas poli, tha se ponesi i qilia. (Nuk bën të hash shumë, do të të dhëmbi barku) U binda dhe nuk kërkova më. Hodha sytë nga përtej përroit,  nga njeriu i mirë, i cili na ëmbëlsoi me mjaltin e freskët. Dy gjëra më çuditën: Si e kishte nxjerrë mjaltin nga hojet(qirithres) dhe pse i mbante kosheret (kipseles) aq larg shtëpisë së tij!?

Ja pra, rastësitë e jetës e sollën kështu që me melisokomon të bëheshim miq.

Në Pogon rritet dhe kultivohet e dhe sot bleta. Bile më shumë , se nuk ka kufizim. Ajo do mjeshtëri. Dhe Miçi Manxhoja ishte një nga mjeshtrat e dëgjuar të atyre viteve. Nami i tij si bletërritës i apasionuar dhe i suksesëshëm, pasi ishte përhapur nëpër luginat e Pogonit dhe Zagorisë, kishte kaluar grykën e ngushtë të Selckës dhe kishte marrë dhenë në fshatrat e luginës së Drinos, ishte ngjitur në fshatrat rezë malit të Lunxhërisë, aty ku flitej shumë për bletën, aty ku kishte dhe mjeshtra të saj.

Sa herë më ka rrënë rasti që ta dëgjoj xha Miçin, në rrugë, apo në klubin e vjetër të Poliçanit, në shumicën e herëve fliste për bletët dhe të tjerët e dëgjonin me kureshtje, Jo vetëm se u rrëfente të fshehtat e bletës, por i rrëfënte aq bukur, thua se po bënte letërsi.

2.

--KRIMBI I MËNDAFSHIT -- Ο ΜΕΤΑΞΟΣΚΩΛΙΚΑΣ --

Kaluan vite pa e parë që nga ajo verë me mjaltin.

Dhe një ditë na u shfaq papritur në Skore. Me një sharrë dore të vogël dhe me thasë të hedhur mbi një gomar. Bashkë me të ishte dhe gruaja.

 - Mazevi filla se mikra kllonarja apo tis gaxhies, tha dikush. Kalierji metaksoskolika (Mbledh gjethe mani .Kultivon krimbin e mëndafshit). Ne u çuditëm. Më vonë e pamë nga afër metaksoskolikat, në fillim si larvë mbi gjethet e manit dhe pastaj si një fshikëz të bardhë në të verdhë, të endur.

Të mëdhenjtë na këshillonin që të shikonim se mos shkonte në manat e kopshteve. Por ai merrej vesh me të zotët më parë. Dhe ishte shumë i kujdesëshëm, kur priste degë, ose merrte fletët, dukej sikur krasiste. E pashë njeriun e mjaltit në një mjeshtëri tjetër, e cila dhe ajo donte mënd, pasion, njohuri shkencore dhe talent.

Më vonë e humba përsëri. Nuk vinte më në Skore për gjethe mani. Ai, krimbi i mënfafsshit, nuk kishte më para, dhe se atë kishin filluar që ta kulfivonin dhe shkollat. E mbaj mënd kur në shkollën e Skoresë e kultivonim në dy klasa të tepërta, Shkonim për gjethe dhe sa herë që ngjiteshim në ato dhoma krimbin e gjenim në faza të ndryshme. Ishte dhe një eksperimentim shkencor i njohurive teorike të lëndës së biologjisë.

3.

Korespodenti vullnetar me penë të mprehtë -- Ο αρθογραφος --

"Takimi im" për herë të tretë me xha Miçin ishte pak i veçantë. Nuk takohesha me të, por me emrin e tij .

Në fshat filloi të vijë një gazetë e re. Nuk kishte as madhësinë, as shkëlqimin "Zërit të popullit" dhe “Llaiko Vimës". Ishte larg sidomos nga “Llaiko Vima" në cilësinë e letrës. Kur e lexoje gazetën e re të nxinte gishtat.

Ata që e shfletonin zinin në gojë dhe emrin e njeriut të mjaltit dhe mëndafshit, Miçi Manxhos. Paska ndrruar zanat mendova, merret me shkrime.

Diçka kisha lexuar dhe unë nga shkrimet e tij. Kur shikoja emrin e tij poshtë ndonjë shkrimi e lexoja.Ai shkruante për probleme të ndryshme, që nga shkrimet problemore, deri tek përshkrimet, ku binte në sy ana letrare e tyre.

Në shumë shkrime të tij paqyrohej dhe karakteri i tij impulsi, revoltues dhe me sens kritik për bëmat dhe sjelljet e të mëdhenjve të fshatit a krahinës.

Pasi fillova dhe unë që të dërgoj shkrime në "Pararoja "dhe gazeta të tjera të kohës, u afruam më shumë. Kur e takoja në Poliçan, më thëriste dhe më përgëzonte, më këshillonte. Këto biseda dhe na miqësuan.

Miçi Manxho, për brezin tim dhe më tej, për ata që ndiqnin shtypin lokal, gazetën "Pararoja", ka mbetur i paharuar për shkrimet e tij në gjininë e fejtonit dhe shkrimeve problemore që nga jeta e organizatave të partisë, të punës së organeve të kooperativës dhe pushtetit lokal. Me guxim qyteta, me penë të mprehtë, ai me këto shkrime afroi shumë lexues, por dhe shumë kundërshtarë, disa i shfaqeshin ballas dhe të tjerë të kamufluar këta të fundit ishin dhe më dinakë, dhe më të rezikëshmit, ata kërkonin momentin për t' u hakmarrë. Që të shkruaje kështu ato vite duhej talent gazetaresk, intuitë hulumtimi e vëzhgimi, duhej kurajo civile, për të shkruar shkrime të tilla. Nuk e di historikun, nuk e di  “rrugën" që këto shkrim kanë bërë nga redaksia e "Pararojes" deri në zyrat e Komitetit të Partisë, por me siguri që kanë kaluar nga ato zyra, ishte një normë e kohës. Dhe patjetër që ato merrnin dhe dritën jeshile nga ato zyra, të ndërtesës hijerrëndë, strukur në themelet e kalasë. Ndoshta edhe mund të jetë zbutur klima që krijonte origjinali. Gjithësesi ato shkrime u botuan dhe u lexuan shumë.

Siç ndodhte rëndom me shkrime të këtij karakteri, u përshtatej ajo fraseologjia që thotë se "dardha e ka bishtin prapa".

Sa për historik këto shkrime merrej me probleme të fshatrave, sidomos të Poliçanit, kryeqëndra e Pogonit ku dhe merreshin vendime në zbatim praktik të atyre mësimeve teorike që vinin nga rrethi dhe Tirana në formën e buletineve. Në ato vite, 1971, 1972, pas një fjalimi të Enver Hoxhës në rrethin e Matit filloi një lëvizje në shtypin e kohës për vënien e këtyre porosive në jetë .Ky fjalim drejtohej më shumë kundër vetë kuadrove partiakë dhe shtetërorë.

Fati i tyre i keq , kishte nisur një nismë e tillë partiake kundër miqësive të sëmura, akraballeqeve, hatereve. Pasi la gjurmë në Suhë, (kujtoj shkrimin e gazetarëve të shquar të kohës, Arqile Aleksi dhe Duro Mustafaj , "Këto ndodhin në Suhë", të botuar në "Zërin e popullit) kjo lëvizje partiake kaloi dhe grykën e Selckës dhe u ngjit deri në Poliçan.

Këto shkrime u lexuan shumë, u komentuan shumë, dhe u kuptuan dhe u kuptua sipas simpative dhe mllefeve të disa njerëzve kundrejt atyre që përmendeshin në këto shkrime.

Në fakt, asnjerit prej tyre nuk u hyri gjëmb në këmbë, ose ata ishin të rrallë. Jo vetem se ata që kritikoheshin ishin të zotë dhe të mënçur, që më takt e qetësi, në fillim të neutralizonin veprimet ndaj tyre dhe pastaj të silleshin në atë mënyrë që të gjithë t'i haronin këto fejtone, të shkruara gjithsesi, me shumë mjeshtëri. Vëtë sistemi i nxiste këto shkrime dhe po vetë i neutralizonte.

Natyrisht, miku im pati ca andralla me këto lloj shkrimesh, por, fakti që ai shkrim, ca cicmice, atë e mbronte fakti se ato kishin kaluar në incancat partiake para se të botoheshin, e bënte më të sigurtë qetësinë e tij.

Një ditë në bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës, duke kërkuar shkrime të miat të botuara në vitet 71 - 74 në  “Pararoja " ndesha dhe në këto shkrime, të Miçi Manxhos dhe Kosta Isos dhe penave të tjera të mprehta nga krahina të tjera të Gjirokastrës. Më mbeti në mënd mjeshtëria e shkrimeve, thellësia dhe mprehtësia e mendimit, dhe pasi e mbarova thashë me vete: Ishte një lëvizje si flakë kashte që u ndez pas një fjalimi të Enver Hoxhës në Mat. Zgjati aq sa Partia deshi. Ajo po përgatiste Pleniumin e Katërt, Qershor 1973.

 

Unë ika larg, ai dërgonte më rrallë shkrime. U kushtonte më shumë kohë dhe njohuri bletëve, mjeshtërisë së tij të herëshme, pasionit të tij të madh. Rrallë qëllonte që ta takoja në Poliçan dhe bisedonim si miq të vjetër. Ai kishte aftësinë që të krijonte një klimë të ngrohtë edhe kur me bashkëbiseduesin kishte diferencë të madhe moshe.

Një ditë në shtëpi, në Skore, ra fjala dhe për të në një nga verërat, kur unë shkoja për pushime me fshat. Babai ma kujtonte shpesh atë ngjarjen në Poliçan, kur ai donte që t'i dilte përpara Rrapo Dervishit dhe t'i thoshte se po më përjashtonin djalin nga konvikti i Nivanit për shkak të mënyrës së re të llogaritjes së të ardhurave për të fituar bursë shteti, por nguroi që t'i dilte përpara, se i kishte rrobat gjithë miell.  -  - Shko, i tha xha Miçi, kur e mësoi se ç' donte të bënte, nuk do gjesh më një rast të tillë.

 - Qita pos ime ?! (Shiko si jam ?!), i tha babai, duke i treguar rrobat me miell, të cilin e kishte ngarkuar në mushkat e kooperativës.

-Kalitera, i tha prapë xha Miçi, eci thellun afti tu komatos, anthropus tis dhulias.( Më mirë, ashtu u pëlqen atyre të parties,  të takohen me njerëz të punës.) Kjo i dha guxim baba Rakos dhe u paraqit para Rrapo Dervishit, duke e përshëndetur me grusht. Dhe vërtet problemi u zgjidh.

- A, ine arostos o Miçis, ( Është i sëmurë Miçi )më tha plaku një ditë. Dhen ine kalla.(Nuk është mirë.)

 

Epilog

Xha Miçi ka vite që ka ikur nga kjo botë. Ai ka lënë pas një emër të mirë, ka lënë një bibliotekë të pasur me libra të rrallë dhe të ndaluar të kohës. Ai kishte pasion të lexuarit, librin letrar dhe shkenco, pasioni për librin i mprehu dhe penën, ajo kulturë letrare dukej në të folurën e tij, në mendimet e tij, në pasionet e tij të jetës :rritjen e bletëve, të mëndafshit dhe në lëmin e gazetarisë.

Por mbi të gjitha këto ka lënë 3 fëmijë të mrekullueshëm, Elektrën, mësuesen dhe këngëtaren e grupit polifonik të Poliçanit, tani vëndin e saj e ka zënë vajza Panajota, ajo është pjesëtare e grupit "Isokratises" me aktivitete në Greqi, Shqipëri, Evropë dhe në kontinente të tjera, Me Elektrën kemi qënë shokë shkolle në Poliçan dhe të shoqin, autor i disa librave, e pata mësues të biologjisë, të motrën, Aleksandrën, e kam njohur në shkollën e mesme të Nivanit, tani nëpunëse, i vëllai, Vajua, veç të tjerash, është dhe një njeri i apasionuar pas fotografisë artistike .

Grupi polifonik i Poliçanit  "Isokratises"

No comments:

Post a Comment