Wednesday 2 July 2014

Arra (Juglans regia L.)


Drufrutor i kultivuar që në lashtësi.
“Mbollën të parët, hëngra unë,
duhet ië mbjell unë që të hanë të tjerët!”
                                                        Populli


            Arra është një nga drufrutorët më të herëshëm në Siujdhesën e Ballkanit. Nuk mund të thuash me saktësi se kur njerëzit në këto treva kanë filluar të shijojnë frutat e saj, por gjurmët të çojnë të paktën mbi 4 mijë vjet më parë dhe mund të jetë nga dru frutorët e parë të domestikuara e të kultivuar. Në Shqipëri arra gjëndet e kultivuar, në gjëndje spontane dhe të egër. Në gjëndje të egër rritet në faqet e kodrave dhe maleve në pjesën shkëmbore si dhe në përrenj dhe brigjet e lumenjëve. Gjëndet gjithashtu në formacione të vogla pyjore në faqe malesh, në brigjet e lumenjëve e përrenjëve me ujë të lëvizëshem nëntokësor, për  të cilat mund të mendohet se zanafillën e tyre e kanë nga faktorë njerëzorë. Formacione të tilla pyjore në rrethin e Gjirokastrës kanë qenë disa, nga të cilat një pjesë e mirë e tyre janë degraduar ose zhdukur si: Hijeja e Sopotit në Lazarat, Harkofole në Labovën e Kryqit, Satakone në Grykën Selckë, ato të fshatit Kardhiq, etj.
            Arra gjat shekujve të fundit, zakonisht është kultivuar tradicjonalisht në mezhdat apo ledhet e arave, në kopshte, vreshta dhe më pak rreth banesave. Në zonën kodrinore e malore si dhe në një pjese të zonës fushore, në fillimin e shekullit të kaluar nuk mund te gjeje ara që të mos ishin mbjellë në to të paktën 2-3 rrënjë arrë, kjo traditë ka ardhur nga lashtësitë e cila u ndërpre në mesin e shekullit të kaluar me kolektivizimin e bujqësisë dhe me sistemimet e tokave që u kryen në atë kohë. Gjat kësaj periudhe u mbuall sipërfaqe apo blloqe të shumta nga të cilat disa nuk i rrezistuan kohës për shumë arsye.
            Nga fëmijëria më kujtohet se arrëve gjat vitit nuk u kryhej ndonjë shërbim. Në praverë sapo fillonte levizja e lengjeve e çelnin gjethet, fëmijët prisnin lastarë 1-2 vjeçarë  për të bërë me levoren e tyre birbila dhe një lloj trombete të cilën quhej zurna[1]. Për t’a shkëputur lëvoren nga druri e trokisnin me bishtin e biçakut duke kënduar në ritmin e trokitjeve një këngë që thuhej: Xhan, xhan bilbilxhan…etj.  Çdo njëri nga ne kur ishim fëmijë bënim kujdes që çelja e arrëve të na gjente me një thikë të vogël xhepi për të çfrytëzuar mundësitë që na jepte arra për tu zbavitur, por edhe për të ngrënë.
            Amvisat nikoqire kur kokërat e arrës bëheshin diçka më të mëdhaja se kokrat e lajthive mblidhnin disa për të bërë gliko cilësore sipas një teknollogjie të veçantë. Me von aty nga muaji korrik, kur fruti dhe thelpijtë ishin formuar,  fëmijët dhe adoleshtët, i çanin me një biçak dhe i hanin, këto i quanim “kolindra”. Lëvozhga e jashtëme i bënte shputat e duarve të zeza që nuk dilnin për një kohë të gjatë, ndërsa pjesëzat që ndanin thelpinjtë, po të haje shumë kolindra të ngjyroste dhe buzët, kishte dhe nga ata që i ngjyrosënin vetë sepse mirrënin një ngjyrë të bukur në manushaqe. Kokërat e arrës në pemë shpesh ishin dyshe, treshe e katërshe ngadonjëherë, këto quheshin “kolivaç”. Ndërsa arrët që u qe hequr lëvozhga e jashtëme, sharku, thërriteshin "karakuka". Arrat e krymbura qe nuk kishn gjë brenda i quanim "arra fuçka"
            Kur fillonte pjekja e frutit fshatarët përgatitënin shufrat prej frashëri dhe i shkundënin për t’i mbledhur. Me rënien e shirave të para ndën kurora e tyre kontrollohesh përsëri nga të zotët, për ato që mund të kishin mbetur pa u shkundur. Lëvozhgat e arrës, sharkun, e përdornin për të ngjyrosur prodhimet e leshit si bluza, çarape, shalle, etj., me nuanca të ndryshme të ngjyrës kafe. Drurin e arrës fshatarët e përdornin për të bërë parmendat e punimit të tokës, paisje të mullinjëve të blojes, derstilave, zbukurime artistike si dhe për ndërtime. Disa fshatra në Rrethin e Gjirokastrës siguronin 100-200 kv arra në vit, edhe gjat periudhës së kooperativave, kjo përbënte një të ardhur të mirë për banorët e këtyre fshatrave. Sasira këto që sapo vinin e pakësoheshin për shkak të tharjes, prerjes  apo degradimit e keqadministrimit të tyre.
            Në periudha të vështira dhe luftrash arra ka qenë një ushqim i rëndësishëm për shqiptarët për të zbutur urinë e madhe të shkakëtuar nga mungesa e drithrave. Arrët u jipeshin dhuratë të afërmeve si dhe gostiteshin fëmijët. Në pakot e Vitit të Ri arrat dhe fiqtë e tharë ishin asortimenti kryesor i tyre. Arrët zakonisht haeshin darkave rreth vatrës para se të shkonim për gjumë, shpesh dhe të pjekura në prushin e zjarrit. Me to përgatiteshin ëmbëlsirat tradicjonale dhe gatime të tjera.

             Në gjykimin tim llojet e arrave që rriten në Shqipëri mund t’i veçojme në tre grupime kryesore. Brenda këtyre grupimeve në treva dhe zona të ndryshme gjënden varjetete, ekotipe apo klone të cilat kërkojnë një studim të hollësishëmm, pasi disa prej tyre janë me vlera të veçanta e unike.
1.     Arrët e kultivuara: Janë me trung dhe kurorë të madhe. Fruti gjithashtu është i madh, me lëvozhgë relativisht të hollë që çahen dhe thelpinjtë dalin lehtësisht. Këto arra mund të jenë të arrdhura nga Lindja e Afërme, ose ato që në literaturë i gjen me emërin “Arra Persiane”, por edhe mund të jenë rjedhojë e një seleksjonimi të gjatë nga bujqit vendas.
2.     Arrët vendase, ose të egra: këto arrë kanë zakonisht trung, kurorë dhe fruta të vogla. Gjënden në vendet e thata, shkëmbore së bashku me florën spontane.
3.     Arrat spontane, gunga: rrjedhin nga mbirjet spontane me farë(shtimi seksual). Kanë trung, kurrorë të madhe, kokër mezatare e me guajadë shumë të fortë, thelpinjtë dalin me shumë vështiresi ose nuk dalin fare. Gjënden afër, ose midis arrëve të kultivuara.
             Sipas statistikave arra është e përhapur në të gjithë Shqipërinë, por më shumë  në rrethet: Dibër, Gjirokastër, Librazhd, Tropojë, Berat, Përmet, Kukës, Skrapar, Sarandë, Pogradec, etj. Nga studimet që janë kryer në Shqipëri janë veçuar disa lloje të cilat kanë interes e meritojnë një studim të mëtejshëm si: Arra e Nepravishtës, Arra e Poliçanit që mendoj se është emërtuar gabim, duhet të jetë arra e Selckës pasi në këtë fshat ndodhen, Arra e Oçishtit, Arra e Burrelit, Arra e Drishtit, Kokërmadhja, Arra e Shupalit, Arra e Dorzës, etj. Një ide për zhvillimin e kulturës së arrës në Shqipëri e jep dhe tabela e mëposhtme:
            Pozicjoni gjeografik i Shqipërisë, kushtet klimateriko-tokësore janë shumë më të favorëshme për kultivimin e arrës, të krahasuara me vendet e tjera evropiane. Kjo përbën një përparësi dhe resues të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit e në veçanti të zonës rurale. Arrët në këto zona, mund që të sigurojnë të ardhura siç mund të sigurohen në bregdet nga kultivimi i agrumeve dhe ullirit.  Mbi eksperiencat e ardhura nga lashtësitë, kjo kulturë drufrutore duhet që të kihet në vëmendje të vazhdueshme nga shqiptarët. Së pari duhet bërë kujdes për llojet që duhen përzgjedhur për tu mbjellë si dhe toka e zona të përshtatëshme.

Etimologji, Onomastikë, Proverba
             Për herë të parë në shqip fjala arrë është shkruajtur nga Freng Bardhi më 1635 në fjalorin e tij latinisht – shqip si “harate”, formë dialektore për arrën. Është e sigurtë se shumë breza shqitarësh kryesisht arrët i kanë mbjellë rrotull arave në të cilat kultivonin drithra, perime e kultura të tjera bujqësore. E parë në këtë kënd vështrim fjala “arrë” dhe “arë” duken si homonime. Në të folurën e përditëshme, në gjuhën e popullit, vështirë të dallosh ndryshimin e vogël midis këtyre fjalëve që e kanë në të shkruar, shpesh ngatërohen. Dallimet e këtyre fjalëve në të shkruar mund të kenë ardhur edhe nga ndërhyrja e gjuhëtarëve. Në qoftë se do të thellohemi në këtë konstatim agronomik, etimologjia këtyre fjalëve mund të jetë e njëjtë. Si krijimi arave edhe kultivimi arrëve në trevat iliro-shqiptare e kanë zanafillën e tyre shumë të lashtë, sa mund të mendohet se arrët e mbjella në to i dhanë emërin arave, apo pse jo, mund  të ketë ndodhur dhe e kundërta. Për etimologjinë e fjalëve “arë” dhe “arrë” gjuhëtarët kanë mendime të ndryshme, por mendohet se rrjedhin edhe nga shqipja e vjeter(PAlb), siç i thonë ata.
            Trevat e banuara nga shqiptarët shquhen për shumë toponime të emërtuara nga arra. Në Shqipëri janë me se 15 fshatra si: Arras në Dibër, Arren në Kukës, Arrëz në Tepelenë, Kolonjë, Librazhd, Lushnjë, Fush Arrëz në Pukë, Kukës, etj. Gjithashtu fjala “Arra” gjendet  edhe si patronim(mbiemëra) tek shumë shqiptarë.
            Si fjale të urta për arrën shqiptarët përdorin dëndur shprehjen “Ka në dorë dhe gurin dhe arrën” tregon se bën si të dojë, i ka të gjitha mundësitë, ose “Ai t’i ha arrat” do të thote se ai që të ha arrat ështe më i zoti. Shprehje tjetër është “Arrë fyçkë” , e bukur nga jashtë por nuk ka mendje.  “Si mban arra goja” thuhet për dikë që është llafazan i madh.
          Disa arrë në Shqipëri janë shpallur monumente natyrore që sot përbëjnë edhe vlera turistike. Këtu mund të përmendim: Arra e Babë Myslymit,  në fshatin Pezë, Tiranë;  Arra e Dragobisë, Tropojë;  Arra e Hekalit, Mallakastër;  Arra e Llukanit, Frashër, Përmet;  Arra e Madhe e Zhepës, Përmet;  Arra e Madhe, Zagore ;  Arra e Tunjës , Elbasan;  Arrët në Novaj  Berat, etj. Këto përmbajnë vlera shkencore, ekologjike, biollogjike,  historike, jo vetem për vendorët, por përbëjnë dhe vlera Kombëtare.


Arra në mitollogjitë dhe bestytnitë e popujve.
Caryetides në Athinë, Greqi
            Në mitologjitë Greke arra përmendet në  disa varjante të ndryshme. Në një nga këto variante çfaqet si një vajzë me emrin “Carya” me të cilën Dionisi Zot ra në dashuri. Kur ajo vdiq, Dionisi e trasformoi në një pemë arre.  Artemisa Perëndeshë lajmeroi të atin  dhe ai urdhëroi që të ndërtohet një tempull në kujtim të saj. Shtyllat e tempullit u gdhendën me dru arre në formën e grave të reja. Keto u quajtën catyatides, ose nimfat me dru  arre. Kjo ka zenë vend në arkitekturën antike, si atë greke dhe romake, e deri ne ditët e sotme. Athina vizitohet përvit nga mijëra turistë për të parë këto mrekulli të botës antike.
            Grekët, Romakët por dhe Ilirët, bimën e arrës e kishin të shenjtë, ajo përshkruhej si një simbol i pjellorisë. Për të pasur shumë fëmijë çiftit gjat martesës i hidhej  një grusht me arra. Që nga Kina deri në Marok thuhet se ngrënia e arrëve do të sjellë shumë fëmijë e lufton impotencën seksuale. Në fshatrat franceze, ishte traditë të vendosej një qese me arra rrëzë tavanit në guzhinë për të sjellë bollëk.
            Në Kirgistan ka një legjendë e cila thuhet dhe sot nga banorët vendas. Një njeri dijetar, udhëheqës, i sinqertë dhe punëtor, dëshironte të gjente një vend të bukur dhe të rehatshëm - një parajsë në tokë. Ai udhëtoi nëpër shumë vende derisa  gjeti një luginë piktoreske me një mal të bardhë e një  lumë, por që nuk kishte pemë. Profeti i dërgoi një qese me farëra të llojeve të ndryshme të pemëve frutore - duke përfshirë dhe arrën. Ky njeri u ngjit në majë të malit dhe i përhapi farërat në luginë. Kjo luginë u transformuar  në një "kopësht" që jetoi për shumë vite deri në ditet tona.
            Lugina e lumit Arslanbob në Kirgistan është nga më të mëdhajat të llojit të vet në botë, me pemë frutore dhe arrë. Një nga legjendat thotë se Aleksandri i Madh harriti me trupat e tij në këtë vend. Këtu, ai e përfundoi fushatën në lindje dhe vendosi të kthehej në vendin e tij.  Ai  mori me vete fruta dhe arra nga këto pyje, dhe kjo arrë nga malet e Kirgistanit u shfaq në Ballkan e njohur me emërin "Arra Greke".
          Në Evropën Veriore thuhej se në degët dhe fletët e arrës janë të fshehur djajtë dhe shpirtrat e këqinj. Ndënë kurorën e saj nuk rriten bimet të tjera, madje dhe filizat e arrëve të reja, pasi nga gjethet e arrës gjat shirave pikojnë lendë vrasëse për bimët. Evropianët veriorë mendojnë se shpirtrat e këqinj dhe djajtë e bëjnë këtë punë.
            Një mit tjetër është se Zoti duke u menduar për të përballuar përmbytjen e madhe rastësisht i ra tek këmbët gjysmë levozhgë arre dhe i lindi ideja e ndërtimit të një anije në formën e saj. Anija Shën Agatha që ka qarkulluar në Detin Mesdhe thuhet se ka qenë si një levozhgë arre.
            Në shkrimet e Mesjetës  herëshme thuhet se me që forma e frutit të arrës i përngjan trurit të njeriut, ngrënia e arrëve do të jetë e  e dobishme për të luftuar sëmundjet e trurit, përfshirë dhe dhimbjen e kokës. Më von aty nga fundi i shekullit XIV, thuhej se ngrënia e shumë arrëve shkakton dhimbje koke.
            Ne fshatrat e Gjirokastres thuhet se nuk duhet ndenjur gjat një shiu nën kurorën e një arre sepse të vret rrufeja. Madje nje traditë e lashtë ka qenë: disa fshatarë, në një largësi të caktuar nga banesat e tyre, mbillnin bimë arre për të  kryer rolin e një rrufepritësi. Gjithashtu thuhet se nuk duhet të flesh nën hijen e arrës  sepse ka hije të rëndë  dhe të dhemb koka pas zgjimit nga gjumi..Ndoshta ky përfundim është i drejtë për shkak të lëndëve toksike që përbajnë gjethet dhe rrënjët e arrës. Ka pas një tradite që fëmijës kur mbush një vjeç duhet ti mbillnin nje rrënjë arrë, ose familja duhet të kishte jo më pak rrënjë arrë se pjestarët e saj. Thuhet nga shpjeguesit e ëndrave se: në qoftë se në ëndërra thyen arra me gojë, do të largohen shqetësimet. Kur janë arra të thata, prit gëzime familjare. Me qe arra ka një jetë të  gjatë dhe rritet ngadalë, në disa ishuj të Greqisë thuhet se arra kur të rritet e të shohë detin, ai që e ka mbjellë vdes.


Origjina, historia e kultivimit, prodhimi
            Është shumë e vështirë të flasësh për origjinën e arrës pasi  ende është shumë e debatuar në rrethet studjuesave. Këtë e vështirëson përhapja dhe kultivimi i saj që në agim të historisë. Gjetjet arkelogjike në jug të Francës, Zvicër dhe Itali tregojnë se evropianët i kanë shijuar frutat e arrës të paktën 8000 vjet më pare[1], të cilat përbëjnë një fakt, por dhe një enigmë.  Në periudhën antike nuk ka të dhëna se arra rritej ose kultivohej në këto vende. Deri tani si vend-origjinë e arrës(J. regia) mendohet të jetë zona që shtrihet si një rryp i gjerë nga Ballkani deri në faqet e maleve Himallaja, ku rritet në gjëndje natyrale. Pyjet të mëdha arrësh gjënden në Azinë Qëndrore, Kirgistan.
            


Historia e hershme, ajo që njohim, tregon se arra u çfaq në Persinë e lashtë 4000 vjet më parë, ku përmendet si ushqim për mbretër dhe në ligjet që rregullonin ushqimin, vërtetuar edhe nga gjetjet arkeologjike në Irak. Arra citohet në Dhjatën e Vjetër nga Mbreti Solomon, por ka dyshime për përkthim jo të saktë, ndoshta bëhet fjalë për bajamen, pasi në Izeael nuk ka kushte dhe kaq të përshtatëshme për arrën.
            Në atë perudhë arrët nga Persia filluan te përhapeshin e të tregëtoheshin nëper Azi deri ne Kinë, nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit dhe përmes Detit Mesdhe në brigjet e tij. Në disa enciklopedi botërore kultivimi arrëve i atribohet Grekëve të Lashtë, por ka dyshime se këta e kanë marrë nga Persët, pasi siç thuhet, “Arra Greke ishte me trup të vogël. Në shekullin e IV para Krishtit Aleksandri i Madh, sipas Teofrastit, e ka prurë arrën Persiane në Ballkan  e cila u emërtua “Arra Greke”, dhe që këtej u shpërnda në brigjet evropiane të Mesdheut.

            Shumë stjudjues vendas e te huaj( Çiçi, 1973; Demiri, 1981; Jalas & Suominen, 1976, etj.) dëshmojnë se arra në Ballkan është vendase dhe ishte e domestikuar dhe e kultivuar shume kohë më parë se kur ushtarët e Aleksandrit të Madh e sollën Arrën Persiane në Ballkan. Arra Persiane kishte epersi ndaj arrës vendase sepse ishte me kurorë dhe kokër më të madhe, prandaj u përhap me shpejtësi nga banorët dhe i zëvendësoi arrët vendase. Në Shqipëri, agronomi mirënjohur Abedin Çiçi thotë se: “Në rritje natyrale tek ne, e butë dhe e egër duhet të jetë vendase dhe shumë e lashtë, bile para se sa të çohej në Greqi dhe të merte emërin Arra Greke.” Gjat kësaj periudhe dëshmohet se romakët dhe të tjerët i blenin shtrenjtë arrët nga grekët dhe ilirët.[2] Këtë e dëshmojne gërmimet arkeologjike si edhe gjetjet në shumë anije të mbytura në brigjet e mesdheut në atë periudhë.
            Në Siujdhesën e Apenineve dhe Spanjë, arra eshte çfaqur pas shekullit te dytë apo të tretë të erës sonë, atëhere kur romakët të djegur, plaçkitur e nështruar e sundonin Ilirinë. Në Francë dëshmohet se ështe pëhapur në shekullin e IV.  Kushtet klimaterike të Evropës Veriore nuk janë dhe kaq e përshtatëshme për rritjen dhe kultivimin e arrës. Sipas Enciklopedisë Britanike mbritja e bimëve të arrës në Britani mban datën 1567, datë e cila mund te shënoje dhe shpërndarjen e saj në të gjithë Evropën.
            Në Kontinentin Amerikan, arra evropiane (J. regia, sepse në gjëndje natyrale ishte një lloj tjetër arre, J. nigra),  është sjellë nga kolonët e parë spanjollë në shek XVII. Fillimisht nuk pati sukses për shkak të kushteve klimatiko-tokesore jo të mira, pasi u mboll në shtetet Masaçuset, Konektikat, etj. Në Kaliforni ku gjeti kushte mjaft të mira, në fillim të shekullit XX ajo konkuronte në të ardhura agrumet dhe u përhap me shpejtësi nga fermerët vendas. Sot aty prodhohen rreth 99% të nevojave për SHBA-të, ose rreth 1/5 e prodhimit botëror te arrëve.
            Rajonet e rëndësishme për kultivimin e arrëve në Evropë ndodhen sot në Francë, Serbi, Greqi, Bullgari, Rumani dhe Hungari. Në Azi, në Kinë dhe vendet e Azisë Qëndrore, në Amerikën e Veriut në Kaliforni dhe në Kili në Amerikën e Jugut. Kohët e fundit, kultivimi i saj është përhapur në Zelandën e Re dhe juglindje të Australisë.. Arra është e kultivuar edhe si një pemë e bukur dekorative në parqe dhe kopshtet e mëdhaja, në Angli ka fituar Çmimin Mbretëror të Kopshtarisë.
            Prodhimi botëror i arrëve sipas të dhënave te FAO-s  ka ardhur duke u rritur, në vitin 2012 është prodhuar gjithësej rreth 3,4 milion ton arra.

            Luftrat e një-pas-njëshme në gjysmën e parë të shekullit që kaloi, nuk i kanë lënë shqiptarët të mendojnë e të punojnë për kulturën e arrës. Në vitin 1930 ka filluar grumbullimi, seleksjonimi dhe shtimi i varjeteteve dhe llojeve të vendit e të huaja. Që në ato vite është futur kultivari Italian “Sorento” dhe përgatitja e fidanave në fidanishten e Laprakës. Pas Luftës Dytë Botërore në fidanishtet e Korçës, Lushnjës, Fierit, Gjirokastrës, etj. janë prodhuar fidanë nga arrë të Nepravishtës, Oçishtit, si dhe llojet “Tetovarja”,  “Burreli”, “Durishti”,  etj.
            Pavaresisht se gjat viteve te diktaturës  në Shqipëri u mbollen mijera rrënjë arrë, por ashtu si në shumë vende të botës, Azi, Evropë dhe Amerikë, edhe në Shqipëri, me që druri i arrës është i pa zëvedësueshm për prodhimin e mobiljeve dhe rimesos cilësore, është çfrytëzuar pa kriter duke zhdukur edhe pyje të tëra.

Dobitë e arrës
            Arra është një dru frutor që përmirëson kushtet e mjedisit. Në zonat ku kultivohet krijon një mjedis të freskët e tepër jetësor. Rrënjet e saj ashtu siç frenojnë erozionin e tokave, shërbejnë edhe për të mbajtur lageshtinë në tokë, sidomos në zonat me veré të thatë. Të gjitha pjesët e arrës, si: trugu, frutat, rrënjët,  kanë vlera cilësore drusore, ushquese, mjekësore, etj.
            Rrënjët e arrës janë nga më të mirat për prodhimin e mobiljeve. Rimesua dhe mobiljet më të shtrenjta prodhohen me drurin e rrënjëve të arrëve. Nga rrënjë perfitohen edhe një lëndë etro-vajore me erë të këndëshme që përdoret në parfumeri. Në mjekësinë popullore nga rrënjët prodhohet një  pluhur laksativ.
            Druri i arrës, është një nga durët më cilësorë për prodhimin e rimesos për mobiljet. Përdoret në bërjen e dyshemeve cilësore me variacione ngjyrash e të forta. Gjen përdorim për pjesët e drunjta të armëve dhe vepra arti si skulptura, sepse ëshë i qëndrueshëm dhe rrezistent. Për përgatitjen e instrumentave muzikore, si piano, kitara , violina, etj., që jo vetëm prodhon një muzikalitet të veçantë e të mahnitëshëm, por instrumentat kanë dhe nje paraqitje të bukur. Në Luftën e Parë Botërore druri arrës përdorej për të bërë paisje për aeroplanët. Ikonostaset e kishave janë të gdhëndura nga dru arre. Në shtëpitë e banimit, në qoshet e tavanëve, në mese apo musandrat shpesh gjënden  zbukurime të gdhëndura me dru arre. Kjo ndihmonte dhe për mënjanimin  e dëmtimeve nga drungrënësit.

            Me dru arre bëheshin dhe paisje të ndryshme, si trupi parmëndës dhe zgjedha që u vihesh në qafë qeve të punës. Gjithashtu druri arrës përdorej për të bërë korita(vaska)  që pinin ujë bagëtia ose shpendët, magje për mbrujtjen e bukës, bucela, kade, plloska, havanë apo këpucë druri, nallanet për brenda shtëpisë. Nga druri i arrës bëheshin edhe fyejtë, longaret si dhe kërrabat e gdhëndura të çobanëve apo çibuqet deri dhe kuti duhani.
            Në ndërtime, druri arrës përdorej për të bërë kandalin e dhe rrotën që vinte në lëvizje mullirin e blojes me ujë, si dhe paisjet e madanës e dërstilës që shërbenin për të përpunuar rrobat e leshta. Përdorej si prevaze(pllakoma) në dyert dhe dritaret e shtëpive, sepse është dru i fortë dhe kompakt, e nuk prekej nga krymbi.  Gjithashtu përdorej për të bërë brezat antisizmikë në meset e mureve  të banesave, dyert e jashteme të banesave, petavra për çatitë e shtëpive dhe rrallë dhe për trenjtë e dyshemeve. Dhoga e arrës ishte nga më të mirat dhe e lakmuar për ndërtime. Druri i arrës nuk shquhet si dru zjarri i mirë. Lëkura ose zhapa është përdorur nga mjekësia popullore për të luftuar aneminë, diarenë dhe për parandalimin e rënies së flokëve, etj. Lënda e drurit nga një arrë e ritur sot në bote vlerësohet 1500 $.
            Gjthet e arrës, nuk shërbejnë si ushqim për bagëtinë, haen pak,  sepse përmbajnë toksina, por nuk janë çfaqur si helmuese për to. Studimet shkencore të kohëve të fundit kanë vërtetuar se gjethet e arrës përmbajnë 69 lloje vajra esenciale që janë gjetur te përshtateshme për tu përdorur për dhimbjen e dhëmbeve, reumatizmit dhe infeksjoneve fungale.( Paudel, Maharjan & all 2013; Deshpande, 2011). Në mjekësinë popullore çaji i përqëndruar me gjethe të arrës në formë lavazhi ose banjash ndihmon në mjekimin e acarimit të rrugëve gjenitale, morthit,  ekzemës, plagëve të qelbëzuara, etj.  Me çaj të përgatitur nga  gjethet  mund të bëhen gargara për problemet e frymëmerjes dhe të fytit, si kollës kronike, astmës, shtërngimit të gjoksit, hemoragji, etj. Me gjethet e arres ngjyroset rrobet e pambukta me ngjyrë jeshile, degë me gjethe përdoren për ti vënë midis rrobave për te luftuar molën. Gjethet e arres mund të zëvëndësojnë sapunin per larjen e duarve. Arra  ka një histori të gjatë për luftimin e kancerit në mjekësinë popullore. Disa nga ekstraktet bimore të përfituare nga arra kanë patur një veprim rezultativ  antikancerogjen (Duke. J. A. and Ayensu. E. S. Medicinal Plants of China Reference Publications,  1985). Me  ekstraktegjelbëra nga  arra është prodhuar një akaricid  me efektivitet  98%  ndaj  Tetranychus cinnabarinus (Wang YN, etj. J Econ Entomol. 2009)
            Lulet e arrës, i tërheqin mjaft bletët, mjalti prodhuar nga keto lule ka ngjyrë kafe të errët.
            Fruti i arrës si ushqim, ka përmbajtje të larta kalorish dhe yndyrnash, prandaj ajo mund të konsiderohet si një ushqim super për njeriun,  është e pasur në vitamina, duke përfshirë B1, B2, B3, B5, B6 dhe acid folik. Ajo gjithashtu është e pasur në hekur, magnez, kalium, zink, etj.  Arra konsumohet si frut ose gjen përdorim në shume receta  të guzhinës për përgatitjen e ushqimeve të ndryshme.
1.     Arrat janë të pasura me acide yndyrore si acid oleik, linoleik, etj. Studimet e kryera në SHBA, Spanjë, Izeael, etj. tregojne se ngrënia e 2-3 arrave në dite stabilizon kolesterolin ul tensionin e gjakut  dhe  parandalon sëmundjet e arteries koronare, zvogëlon rrezikun e mpiksjes së gjakut që mund të shkakëtojë atakun e zemrës.
2.     Arrët përmbajne shumë substanca kimike si melatonin, acid ellagic, vitaminë E, carotenoide dhe komponime të polifenolit(omega 3) të cilat kanë një veprim kundra kancerit, sidomos atij të prostatës dhe gjirit, si  dhe plakjes. Ato kanë sasi të larta anti-oxidantësh  dhe mbajnë sistemin imunitar në gadishmëri e të  shëndetshëm për të parandaluar fazat fillestare të sëmundjeve. Këto substanca ndihmojne gjithashtu në shëndetin e trurit, kujtesën, stresin, depresionin dhe për të pasur një gjumë të mirë.
3.     Arrat janë një burim  të pasura me vitaminën E, e cila është një antioksidant i fuqishëm, i nevojshëm për mbrojtjen e membranës qelizore të qelizave të mukusit dhe të lëkurës nga radikalet e dëmshëm të oksigjenit të lirë. Arrët përmbajnë vitamina B komplekse të grupeve të shëndetëshme si acid folik, riboflavin, thiamin, etj. Këto janë shumë të nevojshme për fetusin e një gruaje shtatëzanë.
4.     Arrat janë të mira për menaxhimin e peshës trupore. Pavarësisht se është e pasur në kalori mund të ndihmojë në humbjen e peshës sepse nuk përmban yndyrna dhe ka perbajtje të lartë të fibrave që realizojne ngopjen.
5.     Ushqimi i përditëshëm me 75g. arra mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së spermës. Hulumtuesit kanë vërtetuar se njerëzit që kanë zbatuar këtë diete kanë patur përmirësim të vitalitetit të spermës, në lëvizshmërinë, dhe morfologjinë e saj. Pavarësisht se ka kaq shumë përfitime për shëndetit është mirë të bëjmë kujdes në sasinë dhe shpeshtësinë e konsumit të arrëve, për shkak se  përmban sasira të larta oksalatesh  të cilat kontribuojnë në formimin e gurëve në veshka.
6.     Vaji arrës ka veti të shkëlqyera si astringent, ndihmon për të mbajtur lëkurën të butë. Eshte përdorur me sukses si ilaç në terapinë tradicionale të lëkurës me masazh  si dhe nga industria farmaceutike dhe atë kozmetike.
            Vaji i përfituar nga presimi arrëve gjen një përdorim të gjerë. Egjyptjanët e Lashtë, vain e arrës e përdorënin për të bërë mumjet, në Francë përdorej si i shenjtë për kandilet në kisha, në Evropë përdorej për  ndriçim dhe për ngrohje. Piktorët e përdornin si tretës për bojërat e ndryshme. Në sasira të vogla mund te përdoret edhe në sallatë.  Përdoret gjithashtu në prodhimin e bojrave te vajit, vernikut për njgjyrosjen e drurit, në kozmetikë për prodhimin e  parfumeve, sapunit, etj. Nga arra nxiret  tanina që përdoret për regjien e lëkurëve.
           
Pluhuri i prëgatitur nga thërmimi i guajadës së brendëshme të arrës, në lashtësi përdorej për mbushjen e dhëmbëve. Sot ky pluhur ka gjetur përdorim të gjere si pastrues(polerues) i butë i metaleve, bizhuterive për t’ju dhënë shkëlqim, gjat përdorimit nuk len pasoja për shëndetin. Gjithashtu përdoret për pastrime në objektet plastike, ato prej  gome dhe për përdorim shtepijak. NASA e përdor këtë pluhur si izolant termik në paisjet e reketaave. Guajada përdoret për të ngjyrosur rrobet e leshta me ngjyrë të verdhë, ndërsa guajada e jashtme(sharku) për ti ngjyrosur ato ngjyrë kafe.
            Ne guzhinë përdoret për të bërë ëmbëlsirat tradicjonale si: dhiplë, bakllava, kadaif ose në petat e dërrasës për Krisht-Lindjet, gjithashtu dhe shumë embëlsira të tjera si keke, akullore, llokume, etj.  Arrët e coptuara duke i përzier me kanellë hidheshin dhe në ashure, ose  grurin e zier. Të shtypura në havan me hudhra, bëhej skordham, duke i shtuar pak vaj ulliri e krypë hahej’si ushqim i koncentruar. Arrët e shtypura në havan me hudhra, duke u shtuar pak uthull përdoren për t’i dhënë shije paçeve ose gatimeve të tjera si thierza, fasule, etj.

Veçoritë botanike dhe biologjike
            Arra bën pjesë në gjininë Junglans L. e cila përmbledh 7-45 specie (varet kjo nga studimet taksonomike të autorëve), të cilat gjënden të shpërndara kudo në hemisferën Jugore e Veriore.  Një specie e përhapur është dhe J. nigra L. e cila është vendase në Kontinentin Amerikan. Sot në botë janë të përhapura edhe shumë arrë hibride të krijuara nga seleksionerët me veti të dëshiruara si për prodhim, për drurin për përpunim zdruktari, apo në përputhje me kushtet klimateriko-tokësorë të zonave ku mbillet. Rreth kësaj mendoj se llojet arrëve vendase në Shqipëri që kanë ardhur nga përmiresimi gjenetik i shumë brezave shqiptarësh janë me veti të mira e unike ndaj duhet të kushtohet vëmendje për evidentimin dhe përhapjen gjerësisht në mbjelljet e reja. Kultura e arrës është një nga kulturat më jetë gjata. Në literaturën thuhet se arra jeton 300-400 vjet, ka autorë që e çojnë deri në 800 vjet. Në Shqipëri gjëndet zakonisht deri në lartësitë 800-900 m. nga niveli detit, por në Azinë Qëndrore shkon deri në lartësite 3000 m.[1] Arra fillon të frutifikojë(shënojë) që në moshën 7-10 vjeçare, në frutifikim hyn në moshën 25-30 vjeçare dhe në prodhim të plotë në moshën 40-60 vjeçare. (G.Zeneli, Kola, 2007). Shkon në të gjitha tipet e tokave me përjashtim të atyre argjilore të rënda dhe tokave moçalore, ujrat nëntokësore duhet të jeni deri në 6m. Një pemë e rritur duron temperaturat deri në -25 Co. Temperaturat mbi 38 Co e dëmtojnë, gjithashtu dhe ngricat e vonëta.

            Sistemi rrënjor i arrës është boshtor, por zhvillohet mirë edhe horizontalisht. Rritje të mirë ka deri në moshën 60-80 vjeçare. Ndënë kurorën e arrës nuk rriten bimë të tjera, veçanërisht perimet  e familjes solanore(domate, patate, etj.)
            Trungun e ka të drejtë dhe të lëmuar me disa plasaritje për së gjati dhe diametri mund të harrijë mbi 2 m. Ndërsa kurora fillimisht është e çregullt dhe më pas mer formë të rregullt, diametri kurorës harin deri në 15 m. dhe lartësia 25-30m.           
            Gjethet vendosen të kembyera me 5-7 gjethe dhe lehtësisht të dhëmbezuara,  kanë një aromë karakteristike që vjen nga përmbajtja në to të juglandinës.
            Lulet  e arrës janë një seksore(monoike), ka lule mashkullore dhe lule femërore. Lulet femërore janë të vendosura në majë të bisqeve dyvjeçare, ndërsa lulet mashkullore në gjethet anësore. Lulet çelin në Prill-Maj.

            Fruti është i mbuluar me një shark jeshil, kur piqet mer nuancë kafe. Guajada(perikarpi) e cila  mbulon thelbinjtë përbëhet nga dy pjesë simetrike, kështu janë ndarë dhe thelbinjtë të cilat janë veshur me një këmishë shumë të hollë ngjyrë bezhë.

            Arra karaterizohet nga një prodhim i përvitshëm dhe vilet në shtator-tetor, një arrë në prodhim të plotë mund të prodhojë 30-150 kg. Sipas  studimeve arra jep mesatarisht 30-37 kg/rrënjë.

Disa lloje të Arrës Persiane në Azinë Qëndrore. 
(by Th.J. Molnar et al.. photo by S. Eisnman)
të cilat janë të ngjashme edhe me ato të Shqipërisë.
Veçoritë agroteknike
            Arra ështe një kulturë dritë dashëse, mund të rritet dhe në vende të hijëzuara deri në 50%.  Kërkon toka me lagështi mezatare, por per një rritje të mirë do toka me ujë të lëvizëshën nëtokësor, pra rreth burimeve të ujit. Shkon mirë në pH neutral 6,1- 7,5. Mënyra e shumëzimit të arrës është me rëndësi për të pasur arrë cilësore. Në praktikën popullore vërehet se kur  mbjellim arrë me farë, bima e re nuk i ngjan  prindit, ose bimës bazë nga është marë, sepse në bimët heterozigote me pjalmim të kryqëzuar, siç është arra, pasardhësit ndryshojnë, mund të jenë me veti më të mira, por zakonisht ndodh të jenë me veti jo të dëshiruara.  Arra shtohet me farë dhe në mënyrë vegjetative.
Shtimi me farë:  Fara shërben për të krijuar nënshartesat. Si  nënshartesa të përshateshme janë përcaktuar arat gunga, arra e zezë, arra japoneze, etj.  Farërat mbillen në vijën e fidanishtes duke kryer të gjitha shërbimet e nevojëshme. Në praverën e vitit të dytë bëhet shartimi me kalema ose sytha. Kalemat dhe sythat duhen marrë nga bimët e dëshiruara. Në vitin e tretë kur fidani ka aritur 1.8-2 m. bëhet formimi i kurorës. Fidani për mbjellje normalisht është i gatshëm në vitin e katërt.
Shumëzimi me copa,-vegjetativ: Shumëzimi me copa konsiston në nxjerjen e kërcejve-lastarëve  një vjeçarë nga arrët  e dëshiruara, trajohen me stimulantë për rrënjëzim e çeljen e filizave. Kur filizat kanë aritur deri në 7.5 cm. mund te mbillen në fushë te hapur, fidanishte, si të gjitha bimët e tjera.
Mbjellja: Mbjellja zakonisht bëhet me gropa në përmasat- 1X1x0,8 m. Mbjellja bëhet në muain dhjetor, janar, shkurt  në vendet e ngrohta  dhe në muain prill në vendet e ftohta. Gjat mbjelljes përdoren 15 kg. pleh organik,  deri në 1 kg. superfosfat.
Shërbimet agroteknike:
1. Punimi, në vitet e para bëhet 1 m.  rreth e qark fidanit. Në arrishtet praktikohet një punim i thellë në vjeshtë dhe dy punime ose prashitje gjat pranverës.
2. Plehërimet, arrëve deri  ne moshen 10 vjeçare bëhen me 20-25 kg. pleh organik, 1,5-2 kg. superfosfat, 0,5  plehëra azotike, nitrat, dhe po kaq sulfat potasi. Në arrët në prodhim përdoret 50-60 kg pleh organik dhe më shumë.
3. Krasitjet formuese,  bëhet në vitet e parë për formimin e kurorës, duhet të sigurojme udhëheqësin qëndror, hiqen filizat që mund të kenë dalë në vendet jo të dëshiruara. Arrët në prodhim pastrohet nga degët e thata. Duhet të bëhet kujdes, hapja e plagëve në arrë me veshtirësi kallusohet dhe përbën substrakt për sëmundjet dhe dëmtuesit. Gjat 10-vjeçarit të parë  bëhet lyerja me gëlqere, ose lidhet kashtë rreth trungut.
Dëmtuesit dhe sëmundjet:
Njollosja e gjetheve(Gnomonia juglandi). Kjo sëmundje është mjaft e përhapur në arrët e vendit tonë. Duke filluar nga muaji maj prek gjethet, degët e reja dhe frutat. Gjethet me avacimin e sëmundjes paraqiten me plasaritje. Në degët formohen njolla të zgjatura dhe me pas degët fillojnë të thahen nga maja. Në fruta formohen njolla ngjyrë kafe në të kuqe të cilat arijnë deri në endokarp dhe fruti atrofizohet. Meqënse asqet e kërpudhës formohen në gjethet e rëna në tokë është mirë që në këtë rast gjethet duhen të groposen. Mund të kryhen trajtime dimërore, në çeljen e sythave me lëng bordolez.
Bakterjoza(Xanthomonas juglandis).
Sëmundja prek të gjitha pjesët mbitokësore të bimës. Në gjethet, midis nervaturave çfaqen njolla kafe të cilat më pas nekrotizohen, në bishtat e gjetheve formohen njolla të zgjatura. Lastarët e rinj janë më të prekurit. Në degët formohen njolla kanceroze të zgjatura. Lulet e prekura marin ngjyrë kafe dhe thahen. Nga lulja infeksioni kalon në frut. Frutat mund të preken edhe kur janë të ritura. Shkakëtari sëmundjes dimëron në frutat e infektura të rrëzuara në tokë si dhe në lastarët e vitit të kaluar. Për luftimin e sëmundjes duhet bërë kujdes gjat marjes materjalit për shartime. Të mënjanohen frutat e prekura dhe të priten degët e infektuara, si dhe mund të behen trajtime kimike me 1% lëng borfolez.
Krymbi arrës.(Cydia Splendata Huber). Dëmtuesi në stadin larvës dëmton frutat e gjinisë Juglans  si dhe gështenjën, lëndet e lisit dhe lajthitë. Flutura vendos për 10 ditë 60 vezë. Vemjet që çelin ushqehen frutin duke bërë galeri e depërtojnë deri në endokarp.  Kur larvat harrijnë madhësinë 13-15 mm., arrat bien në tokë,  larvet dalin dhe pupëzohen ose në tokë, ose mund të ngjiten dhe në degët. Dimëron kështu deri në pranverën e ardhëshme nga ku dalin fluturat. Krymbi arrës  dëmton rreth 25% të prodhimit. Fluturat kontrollohen me feromone dhe mund të luftohen me insekticidet që përdoren për luftimin e krymbave të frutave gjat kohës çeljes larvave.
            Arra preket dhe nga breshkezat të gjinive Pseudococcus sp, Coccus, Paleolecanium, etj(Dr. L. Hasani, “Koksidet” Tiranë, 1997).  Nga akaret,
Eriophyes erineus, duke shkakëtuar deformime të gjethes, kjo përbën rrezik në shpërndarjen e infeksjoneve bakteriale, që në kushte dhe vite të veçantë, ashtu si dhe breshkëzat, mund të përbëjnë shqetësim. Arra preket dhe nga disa sëmundje kërpudhore të rrënjëve si Armellaria mellea, Cytospora juglandina, Phoma juglandis, etj. (G. Johasova, etj.Sllovaki - 2005dhe nematodat si  Meloidogyne arenaria, Ditylenchus intermedius, etj. (James A. Duke. 1983.)





[1] Th. J. Molnar at al. “Persian Walnut( Juglans regia l.) in Central Asia” Sep. 2011




[1] A. F Smith -  “Historical Virtues of thë Walnut”
[2] A. Çiçi – “Kultura e Arrës” Tiranë, 1973





[1] Zurna – vuvuzelë

2 comments:

  1. WalTree është një fidanishte në Turqi, e specializuar në prodhimin e fidane arre

    ReplyDelete
  2. Te pergezoj , i dashur Koco , per kete studim me vlera te rendesishme per kete bime te njohur ! Ne Labove te Zhapes veshtire te gjeje familje te mos kishte arren e saj . Kur vinte koha e pjekjes , dhe frynte ere ,kokrrat binin ne toke dhe secili , vecanrisht ,ne te vegjlit shkonim e i mblidhin ! Kishte djem te fuqishem dhe te sigurte te qendronin ne peme , ne lartesi , qe me nje shufer te gjate ,u binin degeve dhe kokrrat binin ! Kenaqesia me e madhe ishte ,ne dimer , atje afer zjarrit , mbremjeve hanin ato arra aq te shijshme ! Kete studim besoj as Akademia e Shkencave nuk e ka bere ! Te perqafoj dhe suksese

    ReplyDelete