Monday, 7 July 2014

"Këngë malli, këngë zemre" nga Polo Mihali




Polo Gaqe MIHALI

            Polo Gaqe Mihali lindi në fshatin Krinë të Gjirokastrës, më 24 prill 1932. Filloren e kryejti me ndërprerje në fshatin e tij të lindjes, për shkak të Luftës Dytë Botërore. Shkollën shtatëvjeçare dhe Gjimnazin i përfundoi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1954. Studimet në Institutin e Lartë Bujqësor(sot Universiteti Bujqësor i Tiranës), Fakulteti Veterinarisë, Dega Zootekni i mbaroi në vitin 1959.
            Pas përfundimit të studimeve të larta u emërua në NB Vurg të Sarandës, një nga fermat më të mëdhaja blegtorale të asaj kohe, me detyrën e k/zooteknikut dhe zv/drejtor i ndërmarjes, ku pati mjaft rezultate të mira.  Në prill të vitit 1967 emërohet k/ zooteknik i Rethit të Sarandës, detyrë që e kryejti me përkushtim për 23 vjet. Në vitin 1970 në krye të një ekipi nga Ministria e Bujqësisë u dërgua në Hollandë  dhe për katër muaj me përgjegjësi të madhe zgjodhën dhe dërguan në Shqipëri 4 550 viça e mëshqera të racës “Laramane”, që hynte për herë të parë. Gjat viteve 1990-1992 punoi në Stacionin Bujqësor të Rrethit.
            Në fillim të vitit 1993, në moshën 61 vjeçare, emigroi së bashku me familjen e vet, gruan, djalin dhe dy vajzat, në SH.B.A, pasi ju krijuan lehtësira nga babai, i cili kish qenë shtetas amerikan që prej vitit 1929. Në ndihmë modeste të familjes së vet edhe këtu punoi për 15 vjet në punëra të ndryshme.
            Polua gjat punës së tij si specjalist blegtorie është vlerësuar nga Ministri e Bujqësisë dhe organet drejtuese të Rrethit Sarandë me disa medalje e dekorata për kontribute të veçanta në zhillimin e blegtorisë. Në vitin 1979 nga Presidjumi i Kuvendit Popullor i jepet Urdhëri: “Për punë të shquar në ekonominë bujqësore”. Në vitin 2012 Këshilli i Qarkut të Vlorës e nderoi me Titullin: “Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë” me motivacjonin “Specjalist i shquar i blegtorise shqiptare, i pa lodhur dhe me kontribute te veçanta në përparimin e blegtorisë në trevën e Sarandës”
            Së bashku me bashkëshorten Katerinën, me gëzimin e nipërve e mbesave, Polua sot në moshën 82 vjeçare banon në shtetin e Nju Xhersit të SHBA-ve që prej 21 vjetësh. I urojmë jetë të gjatë.
            Me lejen e tij, po botoj të shkëputur nga cikli me vjersha që e ka për botim: “Këngë malli, këngë zemre” një pjesë të veprimtarisë si specjalist blegtorie në rrethin e Sarandës dhe një pjesëz të vjershës kushtuar fshatit të lindjes Krinë.

Përshëndetje dhe mirënjohje!

Fjalë të mira pata dëgjuar
Për të bukurën Sarandë
Por, dot se keshë vizituar,
S’ja kisha kohën, as paratë.
Fundi viteve pesëdhjetë,
Shkollën e lartë kur përfundova,
Siç s'e mendoja as vetë,
Në atë rreth u emërova.
Specialist për blegtorinë,
Në fermë dhe Komitet,
Punova me shumë dëshirë
Plot tridhjet e pesë vjet.
Hasëm shumë vështirësira,
Se ish shtet i izoluar
Por, kam kujtime të mira
Me ata që kam punuar.
Këtu në mërgim ku jam,
Për blegtorët heroikë,
Zemra dhe syri më qan,
Me ata jetoj çdo ditë.
Për ata mijëra blegtorë,
Që rrallë i shifte shtëpia,
Dit e natë me kërrabë në dorë,
S'ndaheshin nga bagëtia.
Në kushte aq të vështira
Herë të ngrënë, herë të uritur,
Duke fjetur nëpër brinja,
S'i shifje kurrë të mërzitur.
Përpara gjithnjë më dalin
Kryebarinjtë me rradhë:
Lame Haxhiu me Bilalin,
Tasim Zhobua me Mezanë.
Kujtoj stanet siç qenë,
Tufat me dele, me qingja,
Nga Vardhari në Olenë,
I kujtoj dhe më dhemb zemra.
Ato kasolle bujare,
Shtruar lëkurçe mbi lesa,
Nuk i ndërroj as me saraje,
Tek ato më shtohej jeta!
Pranë zjarrit të rreshtuar,
Këmbë kryq me gjith barinjtë,
Me një faqore në duar
Harronim vështirësitë.
Dhe çobanët me tradita
Nuk rinin pa bërë zakonin,
Kur vin në të errur dita,
Ndonjë mish në hell e shkonin.
Me profesjonin që kisha,
Në kohë të mira, a tufan,
Gjithë Rrethin e gjezdisja
Stallë më stallë, e stan më stan.
Majë motorit kaluar,
Herë vetëm, herë me shokë,
Nuk ka fshat që unë s'kam shkuar
Që nga Çorraj  në Karoq.
Pa bërë fjalë për meratë,
Për malet ku dhentë veronim,
Në Gramos e Mal të Thatë,
Bashkë me delet shtegëtonim.

Kujtime kam më shumë,
Me atë Jorgo doktorë,
Çerek shekull në një punë,
Gjendjen e kishim në dorë.
Kështu me shokë të tjerë:
Me Thomanë, me Bektashin,
Me Bashkimin dhe Vangjelë,
Me Sotirin e Thanasin.
As njërin nuk kam harruar,
Vargu është shumë i gjatë,
Në mendje i kam të shkruar,
Si me kartë, dhe pa kartë.
Kujtime të mira mbajmë
Për eprorët që kam patur:
Kostën, Fatmirin, Stefanë,
Ata afër na kanë mbajtur.
Së bashku komplekse bëmë,
Me një punë të studjuar,
Por, pa mbështetje mbemë,
Se shteti qe thes i çpuar.
Nëpër mbledhje bënim llafe
Kur punët mirë nuk shkonin,
Por, pas saj shkonim në kafe,
Atje zënkat i harronim!
Këtë gjë s'do ta harrojmë,
Vyrtiti na mbajti gjallë,
S'e shitëm kurrë shoshojnë,
Kishim shoqëri të rrallë.
Ndaj kam shumë konsiderata
Për të gjithë specialistat,
Që punonin ditë e natë
Por, të fundit qenë në listat.
Me probleme kurdoherë,
Racjone duke ndërtuar,
Rehat kurre nuk gjenë,
Foragjeret qen coptuar!
Direktiva e lëshuar,
Që vet Qendra e hartoi:
“Buka vet duhet prodhuar”,
Blegtorinë e sakatoi!
U prishën ato livadhe
Dhe prodhimi që po mirrej,
Qysh pas vitit të parë
Ish sa fara që u hidhej !
U hodhën idera shumë,
Njëra-tjetrën pasuan,
Të gjitha shkuan për lumë,
Rradhët erdhë duke u shtuar.
Grazhdet nuk u mbushën kurrë,
Prandaj gjumi nuk na zinte,
S'bëhen petullat me ujë,
Ai stan atë bulmet kishte!

Rrypi vij duke shtërnguar,
Ç'do gjë ishte bërë me listë,
Shteti nuk kish pranuar,
Të hapte dyert një ditë.
Ato nisma dhe reforma
Në kurris të blegtorisë,
Ishin me shumë pasoja,
I dhanë fund fshatarësisë.
Papo, sistemi që patëm
Erdhi koha të ndryshojë,
Kupola mori uratën
Dhe blegtoria shpëtoi.
          Kanë kaluar shumë vite
Që e kam lënë atë punë,
Ato halle pa rrugëzgjidhje
Më dalin natën në gjumë.
Se ashtu siç kam theksuar,
Në kushtet që ne punonim,
Në ekonomi të centralizuar,
Ato halle nuk mbaronin.
Për një gjë jam dëshpëruar:
Njerëz të mirë e me zanat,
Rrugët e kurbetit muar,
Nëpër botë si refugjat.
Këto mbeç duke kujtuar
Në këtë kurbet ku jam,
Kujtoj kohën e kaluar
Edhe vendi nuk më mban.
Se dhe balta s'do më tretë
Edhe një herë pa i parë,
Shokët dhe miqtë e vërtetë,
Që me ta hallet kam ndarë.
Këto kisha për të thënë
Për specjalista e çobanë,
Për punët që kemi bërë
Në të bukurën Sarandë.
……………………………….
Këtu, për t’a përfunduar
Do të bëj dhe ca urime,
Për festat që janë afruar
Siç mi thotë kjo zemra ime.
Shekullin që na shkërmoqi,
Një i ri e la nga mbrapa,
Ishalla na ndihmon Zoti
Të na sjellë gjëra të mbara.
Urimin tim më të mirë
Për gjthë njerëzit në Shqipëri :
Që të kenë dashurinë,
Plot shëndet dhe lumturi.
Për politikanët tanë:
Mos t’a kenë mendjen tek xhepi,
Të përpiqen për Vatanë,
Që të mbrothësohet vendi.

      Juaji
me mendje dhe zemër
.
    POLO G. MIHALI
22 DHjetor 1999
Nju Xhersi, SHBA




Vargje zemre, vargje malli për fshatin tim 
të dashur Krinë.
E dua, kam mall për fshatin,
Atje më ka rënur koka,
Ku kam pas gjyshërit dhe atin,
Para tij s'ma zë synë bota.
Prandaj nis me shumë dëshirë
Që me vargje t’a përshkruaj,
Atë të bukurën Krinë
Këtej larg nga dheu i huaj.
Shumë shekuj kanë kaluar
Që kur është formuar fshati,
Në libra se gjej të shkruar
Por, flet mosha që ka rrapi.
E dëshmojnë më së miri,
Gjithë kishat që kanë qënë,
Kishë e Gjinos, Shën Sotiri
Që të parët i kanë bërë.
Ndonse shumë vjet larguar
Që kur ndëroi sistemi parë,
As një gjë nuk kam harruar,
Kujtimet më mbajnë gjallë.
Sikur i kam ballë për ballë
Që të gjitha ato vende :
Shullërin, Shpellën e Bardhë,
Mesoraq dhe Shënepremte.
Kujtoj fshatin me mëhallë,
Pezulet që rrethojnë rrapin,
Kishën e vogël përballë,
Cikandilet, ... Gjonoshatin.
Mbaj mend shumë pleq të parë:
Xha Kristaqin, Nasho Kosta,
Me një bastun mbajtur pranë
Ulur në pezul tek porta.
Bashkë me ta dhe disa plaka
Nga shtatëdhjet vjet kalonin,
Me një pagur verë prapa
Gjith ditën në kopësht punonin !
Krina kish një cice Pinë,
Pa shkollë por, «mjeke»  mbaruar,
Mami për gjithë Lunxhërinë
Dhe unë linda nga ato duar.
……………………………
Shumë nga baballarët tanë
Rrugët e kurbetit muar,
Jo për të ndjekur zakonë
Por, se jeta qe rënduar.
I kujtoj kur i përcillnim
Nga gjithë fshati shoqëruar,
I shifja kur lotët fshinin
                               Dhe duart duke shtërnguar.
                                                ……………………………
S'di nga t'ja filloj së pari,
Mbase nga pemët frutore
Që me to mbushej pazari
Apo, nga bletët puntore.
Baçet plot me gjelbërime
Rrethuar nga pemët janë,
Midis tyre plot perime,
Nga të gjitha llojet mbajnë.
Më përpara piqet mani,
Fiku Shëngjin dhe qershija,
Pjeshka dhe fik laramani,
Kumbulla dhe zerdelia.
Për trapez është Rrazakia
Debina, Pulëza, Sheshi Zi,
Me këto bëhet rakia,
Vera brusko veseli.
Zarzavate në çdo stinë,
Ato vijnë rradhë-rradhë,
Shquhen për shijen e mirë
Dhe bukuritë që kanë.
Këto të mira që thamë,
Të tjera që nuk kam thënë
Prej qiellit nuke kan rënë
Por, me punë e djers janë bërë.
Se dhe të parët tanë
Njerëz të ditur kanë qenë,
Me botën marrë e dhënë,
Ndaj e begatuan vendë.
………………… 
Ja pse s'më ze gjumi mua
Dhe kaq shumë e adhuroj,
Ja pse kaqe shumë dua
                    Që një ditë atje të shkoj !
……………………………….
P. Mihali
Nju Xhersi, SHBA 
Janar, 2005



No comments:

Post a Comment