Sunday 5 November 2017

Myzeqeja, në pritje të ringjalljes së pyjeve


                     nga Ing. Haki KOLA – Tiranë


           
Haki KOLA
Shiu i shumëpritur i vjeshtën që sapo kaloi dukej si në mëdyshje në agimin e të premtes së dytë të nëntorit. Kodrat nga Vaqarri i Tiranës e derisa lëmë pas Sinaballajn e Kavajës, kanë filluar të vishen më tepër dhe shkurret sikur po fillojnë të konkurrojnë me drurët, që po i afrohen rinisë së hershme. Ndërsa ish-perla e bregdetit, ndër më të hershmit pyje të buzës së detit, i filluar të pyllëzohet që në vitin 1938, i mirënjohuri Pylli i Golemit, që nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Malin e Robit, është në grahmat e fundit. Betoni u ka zënë fytin pak pishave të mbetura dhe drurët e rralluar e të çapërlitur që akoma mbijetojnë, lëngojnë në mes pallateve sikur fshehin sakrifica të bëra që në gjysmën e parë të shekullit që lamë, nga specialistë vërtet të talentuar për të rritur bimët në mes të kripës e erës së detit, enkas për të bërë edhe më të bukur bregdetin. 
         Tek vështron këto relike të mbetura, në mendje të vijnë inxhinierë të talentuar që nuk janë më midis nesh, si profesori ynë i ditur, i qeshur e i butë Ilia Nako, e kolegu i nderuar që u nda nga ne disa vite më parë, i paharruari Zafer Ypi. Përvojën e asaj epopeje të luftës me sukses kundër shkretëtirës së kripur e mban akoma inxhinieri i talentuar Vehbi Dermani, që me gjithë vitet e përvojën mbi kurriz, e viziton çdo mëngjes parkun te liqeni i Tiranës, si për të kaluar disa çaste atje ku la pa kursim dijet e vullnetin, për të gjelbëruar vendin e tij.

         Fusha e Myzeqesë hapet nën mjegullën e lehtë të mëngjesit. Nëse në ditarin e Eqerem Bej Vlorës, edhe grupi më i vogël i shtëpive mund të hetohet së paku një gjysmë ore larg, sepse "një tufë plepash dhe fiqsh shënojnë saktësisht vendbanimet njerëzore mes kësaj fushe të shkretë e të zhveshur", duket sikur pas një shekulli shtëpitë janë zhveshur nga plepat dhe vazhdojnë zhveshjen. Myzeqeja ngriti pyllin e parë me pyllëzim artificial, në fermën rreth 9000 dynymësh, që iu kontraktua në vitin 1891 në çifligjet e familjes së Vlorajve në Frakull-Ferrës Zharezës, një aristokrati hungarez, me qëllim krijimin e fermave model. Profesor Nako dëshmon se Keglevic, kontraktori hungarez i fermës, mbolli rreth 50 fidanë eukalipti përreth banesës së tij, duke realizuar kështu pyllëzimin e parë artificial në Shqipëri. Nuk i gjendet si i thonë as nami e nishani as edhe ndonjë pllake që të identifikojë tentativën e shqiptarëve për të vene gurin e pare  per  pyllin  artificial shqiptar.

         Gjithmonë kur kaloj në Myzeqe më mundon pyetja: Përse banorët e fushës perëndimore në pjesën veriore të saj, nga Fushë-Kruja e deri në Velipojë, i kanë pyllëzuar anët e rrugëve e kanaleve dhe fusha tashmë duket si një pyll i tërë e i bukur, ndërsa pjesa e Myzeqesë në tërësinë e saj sikur bëhet më e zhveshur me kalimin e viteve? Kjo të krijon makthin se lumi i vdekur diku po përgatitet të rikthehet. Devolli vazhdon të mbartë baltën e fushës së Korçës, e bashkon atë me dherat që gërryen në malet e Kolonjës e Skraparit dhe që Osumi i sjell po në Myzeqe, anës tyre Shkumbini e Vjosa po kështu mbartin dherat që nga Mokra e malet e Pindit dhe sa herë ka shira të rrëmbyer, mbushin e mbushin me ledh kanalet e rrugët, shtojnë baltën dhe afrojnë kënetën.
         Nëse i referohemi Aristotelit, dijetarit të lashtë grek, ai dëshmon për lopët e Epirit me nga një shtambë e gjysmë qumësht, si dhe për kullotat shumë të mira të ilirëve në Ultësirën Perëndimore. Ndër arsyet e degradimit të blegtorisë pas rënies së ilirëve, shumë dijetarë ia lënë edhe shkatërrimit të masiveve pyjore të bregdetit, prishjes së ekuilibrit bazë ekologjik, moçalizimit të përgjithshëm të fushës nga veriu në jug, që çoi edhe në prishje të kullotave e degradim të jetesës në përgjithësi në Ultësirën Perëndimore.
         Myzeqeja, ky prehër i lumenjve zevzekë, që vijnë të nxituar e të padisiplinuar nga malet e larta e të thepisura, përbën një sistem shumë të brishtë ekologjik, që kërkon të trajtohet me shumë kujdes e mençuri, që nga vatër hallesh të shndërrohet në një hambar për kombin tonë. Nëse bregu i detit, anët e lumenjve, anët e rrugëve, rrugicave apo kanaleve do të mbilleshin me drurë, jo vetëm që do të ndryshojë peizazhi i fushës më të begatë të vendit, por edhe regjimi i klimës do të ishte shumë më i mirë për të gjitha gjallesat dhe stinët do të ishin më të bukura. Toka do të ishte më e kulluar në dimër e më e freskët në verë, duke u krijuar mundësi banorëve të punonin e kultivonin më shumë toka, që aktualisht në një pjesë të madhe të tyre duken si të braktisura. Do të kishte më shumë gjah e gjahtarë, por edhe më shumë arsye për ekoturizëm.

         Një studjues i hershem i Albanologjise, ruan kujtime nga vizita e parë që ka bërë në pyllin e Dervenit:
Prej fshatit Derven rruga kalon 4 orë nëpër një pyll dushku të dëndur, që ka emrin e katundit Shpërdhet.Ky asht më i madhi pyll dushku i gjithë Shqipërisë sepse nga veriu takohet me Matin dhe mbulon pjesën ma të madhe  të fushws në mes Matit dhe Ishmit, bile vazhdon edhe deri te shpatulla e malësisë në lindje. Unë kalova nëpër disa vende  ku pylli ishte shumë i naltë dhe i dëndur. Drurët dukeshin sikur ishin të së njëjtës moshë dhe sikur ishin mbjellë me dorë. Mbasi kishin po nji largësi dhe natyra i kishte mbajtë aq të pastra, unë kujtova se jam në një park.
         Nga njëherë dushku përzihet me ahun. Ahu  i këtushëm  kurrë nuk arrin të bëhet dru i lartë, nga çdo cung dalin shumë filiza, të cilët shkojnë përpjetë, një imshtajë e dëndur me filiza që nuk arrijnë të degëzohen. Pylli është i pushtuar nga qetësia dhe asnjë gjethe nuk lëviz. Toka është e butë dhe e vetmja zhurmë që kriojn karvani në këtë mes të gushtit, është kercitja e patkonjve kur hasin në rrwnjë. Janë rreth 20  mijë trungje që janë prerë në 50 vitet e fundit e depozituar diku në derdhje te lumit, në pritje të konjukturave të përshtatëshme për shitje
         Në këtë pyll del një burim i ftohët mineral, që quhet ujë i qelbët, një burim sa parakrahu, i cili ka veti kuruese të lëkurës. Pranë burimit gjëndet Kisha e Dyzet Shenjtorëve, që vendasit e quajnë Kisha e 400 të shelbuemve.

           Myzeqeja përbën ekosistemin me potencialin më të lartë prodhues të hapësirës shqiptare, një hambar të madh për kombin. Është koha që në strategjitë e zhvillimit, si dhe në reformën e thellë të transferimit të pyjeve e kullotave e pronësi të komunave, që projekti i zhvillimit të burimeve natyrore të përshtatë një strategji të veçantë për kushtet ekologjike të Myzeqesë, një strategji për zhvillimin e agropylltarisë, e cila mund të ketë në bazë të saj marrëveshje me komunat e fshatrat e fermerët, për t\‘i mbështetur me fidanët që ata kërkojnë, si dhe vetë fermerët të kontribuojnë duke i mbjellë këta fidanë. Krahas plepit, apo rrapit, që janë përdorur tradicionalisht, me dhjetëra lloje të tjera mund të rekomandohen e zgjidhen nga fermerët, që nga qershia, arra, apo dushku tradicional i Myzeqesë, i quajtur rrënja, pa përjashtuar të tjera specie me dobi të gjithanshme për tokën, regjimin ujor e atë diellor, si dhe me ndikim të drejtpërdrejte me jetën e fermerëve.
        

Artemisa, e përfytyruar si perëndesha e pyjeve dhe gjuetisë, e gjahtarëve dhe e barinjve, gjendet si në një skulpturë, ashtu edhe në relieve të Apolonisë, që duket si kryeqytet i Myzeqesë. Ajo pret që banorët e Myzeqesë t\‘ia kthejnë asaj famën dhe drurët bregdetit shqiptar, që ishin të famshëm në kohën e romakëve. Pyjet e Myzeqesë dikur kontribuuan në ndërtimin e anijeve të perandorive që shkuan e erdhën. Tani ato pyje duhet të rikthehen. Duhet të rikthehen pasi ekziston predispozicioni i fermerëve, po kështu mund të gjenden edhe zgjidhjet. Kjo do t\‘i krijonte mundësi Artemisës që të vazhdonte festat tradicionale të pranverës me gjuetinë e kaprojve në pyjet e Myzeqesë. Kur kujton ndryshimet pozitive që ka bërë vegjetacioni, si në pjesën veriore të ultësirës, ashtu edhe në luginën e Matit apo të Drinit, të pëlqen që ta besosh që nëse punohet e mbështeten komunitetet lokale, nëse drejtuesit e komunave të fushës së Myzeqesë do të shprehin interesim, kjo ëndërr mund të bëhet realitet.

         Janë rreth 500 mijë banorë që popullojnë fushën e Myzeqesë. Nëse në këtë sezon të fushatës së pyllëzimeve do t\‘u ofronim 100 mijë familjeve myzeqare falas 10 fidanë për çdo familje, Shqipëria do të kishte në fund të kësaj fushate rreth 1 milion fidanë më tepër, fusha e Myzeqesë do të ishte më e bukur. Myzeqarët e presin këtë ofertë nga shteti i tyre


Dhjetor, 2007

No comments:

Post a Comment