Thursday, 9 April 2026

SHOFERAT E GJIROKASTRËS

 


  

nga: Vasil MUKA
Tiranë

 

Vasil MUKA
Nga shtëpia time, mbi mullirin e qytetit, dëgjohej uturima e motorrave të makinave që shërbenin në qytet dhe ne i njihnim ato nga kjo zhurmë, por dhe nga pamja, sa dilnin te kthesa e Petro Dilos i thoshim (ku dikur qe busti i diktatorit)

Bënim gara kush ta gjente i pari: Uaa kjo është zhurma e makinave Gaz 51 të NTAN-it (Ndërrmarja Tregëtare e Artikujve të Ndryshëm, dikur NTLAP e dikur NTSHAP)- thoshte Panua, vëllai im. – Jo- i përgjigjesha unë- është e Zukut të Vaso Buzaçit (Llavdanitit) ose Jo mo, - ç’ja fut qorres, është e Gazit 69 të Degës të Josif Kanos. Hajde, hajde ja fut si kali ... Kjo është zhurma e zjarrëfikses së Arshi Erindit mo. Futja p..... duhet të jetë e druve të Lulit mo gaz. Po, po futja katundit : Ajo është e Zisit të Mitro Delijorgjit të komunales. Jo po ja ke fut si kau... kjo është e autobuzit të sportit e Muzafer Pumos mo. E kështu vazhdonim ditën e mbrëmjeve që dallonim dritat e satave (autobuzave) deri tutje në Mashkullorë e thoshim, o burra dilni te Sheshi me vrap se erdhi sata e Tiranës.

Dëgjonim e dallonim zhurmat e ërrr me vrap te dyqani te Pasha Kauri te Tili, se erdhi qumështi me Zini Kalen, a o burra vrap se iku rradha te Lumja e Sofija në Pllakë se erdhën zarzavatet me Bari Sulejmanin. E kështu vazhdonte jeta me zhurmat e rralla të makinave e me rradhët në dyqane.

I njihnim ato dhe nga pamja e jashtme. Ja një ndodhi kur isha mësues në një fshat të thellë të Pukës, në Mëzi. Pamë nga larg një makinë gati 5 km, por që rruga ishte me kthesa e dukej afër. Është Gazi i duhan – cigareve të Gjirokastrës, thamë me Ladin shokun tim. Qëndruam dhe pritëm kur u shfaq në malore Gazi. Me të vërtetë ishte me targa të Gjirokastrës, të cilat dalloheshin nga larg nga mënyra e të shkruarit. Ja bëmë me dorë e shoferi ndaloi para këmbëve tona. E përshëndetëm e na njohu menjëherë nga gjuha gjirokastriçe. – Po ç’bëni këtu mor të zezë? Si ju ka lënë familja këtu prapa diellit, mo. I tregova kush ishim, familjet tona, që i njihte, e zbriti nga makina e na dha nga një pako me cigare Partizani. S’kam ç’tju jap tjetër- tha. Ndenjëm një copë herë e u përshëndetëm. Ishte nga Dropulli.

Neise le të kthehemi te makinat e shoferat e tyre:

Ja, në NTAN qenë : Kaman Spore, Zini Kale, Jorgo Kuçi, Jani Dono, Bari Sulejmani me Gaz 51, Mironi... Këta binin mishin, kokë e paça në ca kazanë të mëdhenj prej pafilleje xingato, në kason druri binin bukën ose shtronin në shesh çarçafë humahije, që qenë rifuxho e i hidhnin e i pritnin sikur qenë pjepra, fruta e zarzavatet i binin në arka a kofina. Vasil Naçi, Vaso Buzaçi, Vilson Berberi, Miroshi e Peço Zerva me Zuk, binin qumështin, kosin e gjalpin me ca arka metalike të qelbura, siç qenë dhe ato të vajit. Mekanikët e ofiçinës qenë sipër te SHËNUMI, Arben Rustemi e Bedri Jaupi me në krye Spiro Biçunin.

 

Në komunale qenë Mitro Delijorgji ‘’Hero i Punës Socialiste’’ që punonte në 1970 për 1980, realizonte planin para afatit me zis, transportonte gurë e zhavorr rërë etj. Ju merrte shpirtin punëtorëve Janaqit e Josifit. Koço Çami me Gaz transportonte dhe gërqere, Ladi Lala, Lipe Konomi e Shune Devolli transportonin drutë e zjarrit, të holla për kut e pingël e të njoma që të krente timi sitë. Ishin dhe Gëzim Salia e Bujar Mezini, Asim Rondo e Siri Shehu si dhe Ramo Mene me zuk që shpinte në vasilikua të vdekurit.

Te zjarrfikset qenë Arshi Erindi e Rakip Luke, Selman Rexha e Nuri Berberi si dhe Elmaz Bozdo. Kur binte zjarr vu e në vend, s’kishin takat të shkretat maqina, kot u binin dhe sirenave se mos kish trafik atëhernaj. Mezi ngjiteshin në të përpjeta.

Në Degën e Punëve të Brendshme ishin me Gaz 51, të famshmit Gazi i Degës që tromakseshin mileti se çokë o të karfoste e o ta sirgjinoste në hapsanë te Shtatë penxheret, t’i hidhte hekurat e byzylikët. Shofera qenë: Josif Kane e Vilson Çuçi, Mersin lluri e Masar Bebeçi, Vangjel Ruci... Suloti për Dropullin e Petrit... O Zot sa frikë kishim nga këto maqina.

Në Komitetin e Partisë qenë : Galo Mene e Turabi Bixhaku me Vollga, Dasho Hoxha e Safet Selfo, Pëllumb Xhemali e Qëndrim Jorgji me xhipa Xingfu. Këta qenë kanakarë e ca punuan me Albania jashtë shtetit me eksport-import.

Në Komitetin Ekzekutiv qenë Shpëtim Poshi (Bebi) e Malo Xarba me Aro, Kujtim Hoxha e Shpëtim Caca, më parë dhe Veip Jupi me Telo Mezinin Kryetar.

Po ambulancat mo me Foto Kserën e Sali Puton, Qazim Tuqin e Sali Gaganin, Kushtrim Çelën e Ladi Balën, Vangjel Kserën e Koço Shundrin, Velo Hysin e Qiriako Burllimën, që rrinin ca te spitali e ca te ambulanca në Hazmurat.

Në D.SH.SH qe Llaqi Korja, e më parë qe Koço Papazisi me maqinën me timon anapolla që luajti te filmi ‘’Ngallënjim mbi vdekjen’’

Te Riparim Shërbimet qe Toxhi Hasani me zuk, Ivan Asqeriu e Jorgo ... qenë të filmit lëvizës për fshatrat.

Taninaj o të vemi te Sporti ku qe Hasan Tushe i Zuçes e Muzafer Pumo, si dhe Niko Zisi me satë të vogël.

Në Teatër qe Rakip Çuberi me një satë të vogël të Shkodrës e në Arsim, Luan Loloçi me gaz 51 me lloj - lloj meselera e gallata.

Në Bankë qe Hamiti..., Berti Zhapa e Pëllumb Mera.

Taninaj o të hidhemi mëtëposhtë nga ndërrmarjet sa të mbajmë mend : Tasim Shameti e Kostandin Qirko me zisa qenë në Përpunim Druri si dhe Vangjel Shtaka me një Skodë.

Shahin Mezini qe në Grumbullim e në NTSh (Shitblerje) qenë Nasho Millo e Vasil Praso, Koçi Lula i lagjes time e Gaqe Kaftani, Lame Thimjo nga Derviciani i Lenos.

Në Gjeologji qenë Lame Vangjeli e Niko Kalca me mikrobuz ngjyrë bari e Aseni Veliu e Prole Çenko me gaz e Zis, si dhe Fadil Husi me bç kineze. Seç kishin dhe një Karpat.

 

O na mbeti NSHN ...

Në Spedicion, e dini ç’qe ? Rrinin maqinat në gatishmëri dhe çdo ndërrmarje çonte kërkesë për transport mallrash e merrnin këto makina e shpërndanin në rrethe e binin të tjera gjer. Nuk mund të lëviznin bosh, ishin këtu Yllo Bashari e Pëllumb Kaso, Arqile Luzi e Bashkim...

Po në Ushtri te Divizioni që qenë Margo Qirkua apo s’e mbante makinën sikur qe veturë, me tasa që llamburitnin e pasqyra ngado me drita e bori lakukaraça, me lloj - lloj xhingla e mingla, Petrit Kasua që ishin heronj sidomos në kohën e transportit të elementëve të qendrave të zjarrit, në Bureto, rrugë e pa rrugë. Djali i madh i Zuçes qe shofer i komandantit me Varshavë në ushtri, seç ishte dhe një nga Varoshi... Pelo Tushaj qe me bç kineze.

Në Turizëm : Jorgo Kuçi e Teki Sinua me gaz 69. Njëherë maqina e turizmit vate të shpinte pjato, supjera, lugë, e pirunë se o të shtronej një darkë për të mëdhenjtë e vendit. Mezi shinte nga pasqirat se ecte njetro, kur sa hipi mbi urën e drunjtë te kanali, bram u thien trenjtë e mbeti maqinë qosura me bithë përpjetë. Shiqir që nuk u gremis fare në kanal se o të qe bënë nonjë hata. Ama vanë pjatot e serviçiot u bënë copa e thërrime. Si ato punëra.

Në Fermë, Ndërrmrja Bujqësore ‘’Muzafer Asqeri’’, që i kish zirat te Xhemaliu, nën Postobllokq qenë Petrit Rapi që punonte dhe në Pulari, në Kordhocë me zuk dhe...

Jeta qe e bukur mes shoferave që mbanin gjallë qytetin e jetën në ato vite. Ishte zanat i preferuar dhe s' e mirrje kollaj patentën,, do bëje 6 muaj kurs në ushtri si paraushtarak te Llaqi Bashari...

Shtoni taninaj të tjerë emra, ju kam rixhanë mo gaz.

 

marrë nga FB

 

 

 

 

Friday, 6 March 2026

NË 62- VJETORIN E PUSHKATIMIT TË POETIT DISIDENT TEPELENAS TRIFON XHAGJIKA

"O jetë, linda në shkreti".......

 

nga: Keze KozetaZYLO

New York

 

Sot në 62- vjetorin e e pushkatimit të poetit ushtarak disident, tepelenasit Trifon Xhagjika marr penën nga Nju Jorku me cingërrima të akullta bërë nga çakërdisjet botërore dhe ulem të shkruaj. E pamundur që në fillim si mezhgoranase, fqinj më të afërt me Peshtanin të mos më vinë imazhet e një natyre panoramike të Peshtanit, familjet e mrekullueshme ku u lind dhe u rrit poeti disident Trifon Xhagjika. Si një hymn shkrihen zërat e mezhgoranasve dhe të Peshtanit me këngën aq të kënduar nga bilbilenjtë e këtyre dy vendeve me histori dhe një kulturë të lashtë të miqësisë së pandarë me njeri-tjetrin. Jehona e kësaj kënge për dy fshatrat malore si Mezhgorani që ka Trebeshinën perballë i ka kaluar kufijtë përtej oqeanit nëpër dallgët e shpirtrave tona si emigrantë duke vazhduar ta këndojmë si:

 

“Në Jugun e Shqipërisë

 Se ç’ janë dy malësi

 Trebeshina me Golikun

 Që të dy janë për karshi.

 
Përmes tyre shkon një lumë

 Lumi Vjosa është ai

Përmbi Vjosë një fshat i bukur

Peshtani, shokë Peshtani!

 

Nuk e di si do ta këndonte Poeti Trifon Xhagjika si biri i Peshtanit këtë këngë domethënëse! Por e sigurtë se shpirti i tij i trazuar nga rrebeshet dhe tufanet e kohës së diktaturës kishte krijuar portretin e rebelit, të disidentit, të poetit që me penën e tij tronditi dhe vazhdon të trondit shqiptarët këndonjës të së vërtetës… I sjellë këto dy fshatra kaq afër me njeri tjetrin ngase emrin e tij, vëllain doktor dhe familjen e nderuar kujtoheshin brenda mureve të gurta herë pas here dhimbshëm dhe heshturazi nëpër familjet tona. Kujtohej dhe fjala e Dr.Yllit, vëllait të tij, i cili kur pa që vëllait i hodhën prangat në sallën e gjyqit thirri: “Mbaje kokën lart vëlla”! Fshati ka përqindjen më të lartë ortodokse, por gjithmonë në harmoni me bashkëfshatarët e tyre dhe fshatrat përrreth myslimane.

Trifon Xhagjika ishte pinjoll i derës së madhe të Xhagjikajve. Xhaxhai i tij Koço Xhagjika ishte mësues i parë i gjuhës shqipe dhe më 1947 u burgos për 15 vjet. Vëllai i tij

Dr. Ylli Xhagjika, u burgos dhe u internua për 27 vjet rresht. Vazhdoi persekucioni dhe me internimin e motrës se tij Santa. Vëllai tjeter Anastasi, inxhinier elektrik, u pushua nga puna.

Ai shërbeu në ushtri pas shkollimit të lartë dhe si sot në një ditë dimri të egër, më 23 dhjetor, 1963 u arrestua bashke me një grup të rinjsh dhe u dënuan me pushkatim. Poezia “Atdheu lakuriq” është drithëruese: “Nuk mundem,nuk mundem/ E pashë Atdheun lakuriq/ vetëm pa miq e shokë/. Mundohej të këpusë një degë dafinë/ nga lavdia e shekujve./ Atdheun e dija të uritur! Por sa i vogël qenka!/ As një degë nuk e këpuste dot”.

 

Poeti u vra nga skuadra pushkatare nën terrin e diktaturës, nën drithërima të çdo qenie të gjallë që dëgjonte krismat që derdhnin gjak të kuq njeriu, gjak të pastër arbëror. Dhe kjo tragjedi të kujton shkrimtarin e madh botëror Shekspirin që shkruajti sa vepra dramatike që u luajtën dhe do të vazhdojnë të luhen në skenë sa të jetë njerëzimi.

 

Ai u vra me thirrmën e shpirtit duke ju thënë pushkatarëve në fjalën e fundit si: “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Dhe kjo dëshirë që e çoi në egërsinë e pashoqe sistemin pushkatues të kujton Prometeun që është një martirizim heroik, simboli i përpjekjeve për njerëzimin ku në momente të caktuara ka dhe ndjesi prekëse si: “Më dhemb kur flas, më dhemb edhe kur hesht, as vetë nuk di kur mua më dhemb më shumë”…

 

Por jo poeti disident tepelenas e di mirë ku ishin plagët e Atdheut, plagët që i kishte si Krishti në trup ndaj dhe gjuan me vargun brilant demaskues, të thiktë mbi zemrat e republikës që e kishin bërë popullin vetëm të vuante, të vuante skajshëm. Vepra e poetit Xhagjika dhe pse u mbulua nga koha e diktaturës, varri i tij ende nuk është gjetur, përsëri ai do të lexohet dhe lexuesit do të gjejnë frymëzimin brez pas brezi. Trifon Xhagjika është poeti që si ç thotë korifeu i letrave shqipe Faik Konica për Prometeun se: “Se natyra e njeriut nuk ndërron, por një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vertetat e gjithe kohërave të pastajme.

Plagë të pashëruara ende…

 

Dhe mjerisht koha e Trifon Xhagjikes vazhdon, në forma dhe përmbajtje të ndryshme, varfëria e pamëshirshme në qindra e mijëra shqiptarë, analfabetizmi i ulur këmbëkryq, prostitucioni i vajzave nën dhunën e tutorëve, prostitucioni politik, korrupsioni dhe gllabërimi i pasurive nga gropat thithëse të shpirtrave të kriminelëve krijojnë një imazh rrënqethës në sytë tanë.

Këto tragjedi duhet të lindnin një Shekspir të kohës, por fatkeqësisht nuk u lind.

Shekspirët e kohës shqiptare janë poetët që dhanë jetën për Liri si Havzi Nela poeti tjetër disident që u var në mes të qytetit të Kukësit nga diktatura. Ai ëndërronte lirinë duke shkruajtur si:

 

“Fryma e Helsinkut u derdh porsi era,

Na përkdhel zemrat, çeli si pranvera

Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë,

Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë”.

 

Poezitë e Xhagjikës janë si Pegasi flutures dhe shpërndahen ne çdo zemër njerëzore shqiptare, ato janë dhe si ecja e nje kali të hazdisur për t’i treguar botës mbarë se Shqipëria kishte rënë nën diktaturë, ndaj ai shkruan: “Miq! Dëgjoni trokëllimat e kalit të harbuar? Jam unë”!

Këto poezi janë të mbushura me metafora që kane patosin e luftës për Liri, godasin pa mëshirë obskurantizmin dhe diktaturën.

Poeti martir pranon më mirë të vuajë se sa të jetojë pa Liri, ai sfidon pa frikë sahanlëpirësit e sistemit. Ai punoi në Ministrinë e Mbrojtjes si redaktor në sektorin e botimeve si dhe më vonë në gazetën “Luftëtari”. Trifon Xhagjika botoi në shtypin letrar si në gazetën “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Verbëria e mbjellë ndër popull u kishte veshur me dyll bebëzen e syrit dhe e pamundur ta hiqnin cipën e trashë të mjegullës ndër sy ndaj ai me indinjatë të thellë shkruan tek poezia “Kënga e verbër” si: “E shkreta ti, o Republikë/ u blatohesh të zotërve/ pa e ditur ç’janë/ Dritën ta shuajnë në terr/ e ditën ta ndezin/ bukën ta shtrojnë në sofër/ e duart t’i presin/ në burim të çojnë/ e gojën ta mbyllin/. Ata të kthyen në metelikë!

Pena e tij shkëlqen dhe zbardh si bora në malin e Golikut për të vërtetën gënjeshtare të drejtimit udhëheqës, të tiranisë së pabesë që shtypi dhe shfrytëzoi popullin gjer në asht. Epitetet që i vë Republikës si e pabesë, e shëmtuar, mashtruese janë një thirrmë e shpirtit të tij të vrarë, janë demaskim i shthurrjes dhe korrupsionit të udhëheqësve që shtypnin pamëshirë disidentët dhe elitën intelektuale të Kombit. Ndaj ai i fton ta lexojnë dhe të shkojnë pas Poetit për të vërteten që gjëmon sa tunden malet e Shëndellisë, Trebeshinës dhe Golikut që jane aty rreth shtëpisë së tij si: “Veç me mua ejani/ t’ju rrëfejë të vërtetën që ndrit./ Të dinë udhëheqësit lart dhe e larta Republikë/ se nuk jemi as të verbër/ as të shurdhër në politikë./ O Republikë e pabesë!/ T’u fala si kristiani Krishtit,/ po ç’më dhe?/ Dhe diellin do të ma zësh…/ Turp, Atdhe!/ Tek ty jam/ i lirë pa Liri”…

Poeti kishte qenë në “Shkollën Normale të Elbasanit”, si dhe më vonë për gazetari, por edukatën e lartë, dashurinë për dijen ishin ngjizur nga familja e tij plot kulturë e mirësi në vendlindjen e tij në Peshtan. Më vonë në moshën 8 vjeçare familja e tij u detyrua të jetonte në Tiranë, për shkak të djegjes së shtepisë së tij nga lufta italo-greke më 1941.

Trifon Xhagjika është autori i poezisë që është bërë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nëpërmjet kompozimit të Kostandin Trakos, qysh në vitet 60-të. Breza të tërë oficerësh e kanë duartrokitur atë për vite me radhë, ndërkohë që vjershëtori i saj nuk jetonte.

sipas Wikipedias rreth poetit Xhagjika.

Doemos që ke dhimbje dhe të ndizet një revoltë në shpirt që poezitë e poetit disident të pushkatuar nga diktatura janë tejet aktuale dhe sot, plot pas 63 vjetësh të vdekjes së tij, poetit që akoma nuk i dihet varri. Çfarë trishtimi dhe mallkimi që ende vazhdon midis nesh për jetën ashtu si tek poezia “Apologjia ime” ku midis te tjerash shkruan:

“…Marrëzi, dhe mëkate për jetën e tërbuar/ se kur më ndal, o gjeneratë, që vuan rrugës ndonjë natë, më merr për të dënuar dhe, me një zë që vret, ngahera më pyet: -Ku linde, o i ri?

-O jetë, linda në shkreti! 1962.

Fakt është që populli vazhdon sindromën e Stokholmit, si në historinë në gusht të vitit 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbanken” në Stokholm të Suedisë. Ajo përfundoi në marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur.

Edhe pse viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist, ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa të tregonin mirëkuptim për arsyet e këtij akti e më pas, të përpiqeshin të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të kusarëve.

Prandaj kur populli të çlirohet nga adhurimi për udhëheqësit duke u thurrur këngë e poezi dhe nga dashuria e verbër me sy të dyllta, atëhere do të themi me plot gojën: Se nuk linda në shkretinë e shpirtrave që adhurojnë politikanët mashtrues dhe grabitqarë. Kjo syndromë të sjellë aq prane vargjet e Brehtit tek “Marshi i viçave” përkthyer mjeshtërisht nga Robert Shvarc ku shkruhet: “Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin”.

E kujtojmë sot dhe përgjithmonë poetin disident Trifon Xhagjika me plot nderim dhe respekt në 62-vjetorin e vdekjes së tij shkaktuar nga skuadra pushkatare me urdhër të udhëqësve të diktaturës komuniste. E nderojmë për veprën që la pas, poetin disident pa varr që pohoi fuqishëm në poezitë e tij se lindi në vendin që drejtohej nga shpirtrat eshkë të tharë duke lenë një popull në mjerim dhe varferi të tejskajshme ashu siç thote poeti disident se:

“O jetë, linda në shkreti”!

23 dhjetor, 2025