Saturday 20 September 2014

Shtogu (Sambucus nigra L.)

Shtogu, kjo bimë e çuditëshme!

“Lere shtogun e qelbur të vuajë,
të  shpleksi degët nga rrënjët e kalbura”

                        (U. Shekspir)
            Në kopshtet, sa më afër shtëpive të banimit, madje dhe në themelet e tyre, kryesisht spontanisht por, dhe e kultivuar, rritet një bimë drusore të cilën banorët e quajnë shtog. Kjo bimë e çuditëshme rreket të jetë sa më afër njerëzve; kështu është sjellë mijëra vjet. Njerëzit nuk tregojnë ndonjë kujdes të veçantë, por ai çfaqet heshturazi: diku sikur zvarritet, diku kaçube, e diku si pemë. Aty nga muaji maj-qershor fshatërat marrin një bukuri të rrallë, deri mistike, kur nxjerr lulet e bardha me nuancë krem erëmirë. Shtogu gjat kësaj periudhe dallohet kudo që ndodhet: gardheve, kopshteve, pas shtëpive, rrëzë kasolleve të zairesë[1], në rrënojat e shtëpive, etj
            Por, shpejt vjen gushti dhe nga lulet e bardha formohen frutat e zeza, shumë të zeza, papo dhe toka rreth kurorës nxin si katran nga frutat e rrëzuara, që e bëjnë edhe më të neveritëshme sa ska më mizat dhe insektet e shumta të cilat mundohen të përfitojnë nga ëmbëlsira e lëngut të tyre.
            Shtogu rritet edhe ne vendet që dikur kanë qenë të banuara nga njerëzit. Në fshatin Selckë shtogu gjëndet edhe në “Manastire”, ku dikur para 500 vjetëve ka qenë fshati. Aty, ai është tjetërsuar, ka marrë tiparet e një bime të egër në konkurencë me pemët e tjera duke kërkuar diellin. Gjëndet në rrënojat e shtëpive si ato kafshët besnike kur i zoti largohet nga shtëpia dhe ato presin e presin që një ditë të kthehet. Atje ku ka bimë shtogu, ka pasur qoftë edhe një banesë të vetme.
            Me që shtogu degët i ka të harkuara e të varura deri në tokë nga njerëzit thuhet:
 - “Një pemë që nuk mban dot degët e veta, ç’të mira do presësh.”
Ka dhe një shprehje për njerëzit që nuk e përballojnë të keqen:
- “Ai  është zemër shtog, nuk therr dot një pulë”. Ose, përdoret shpesh: - “Atë shok e ka krah të shtogtë”, tregon se shokun nuk e ka të fortë, të sigurtë, deri të pabesë.
            Sikur të mos mjaftonin këto “thash e themnaja”, pena qëmtuese e Mjeshtrit Pëllumb Kulla, në vitin 1979 shkruajti skeçin “Lipe Shtogu”.  Artisti i Popullit Fuat Boçi, i dha një popullaritet si rrallëherë ndodh në skenat e artit. Shtetarët e asaj kohe që nga kullat diktonin plane për fshatin, qeshnin me Lipen që ngeli prapa listës. Fshatarët qeshnin nën buzë …  e gëzoheshin, se bashkë me Lipen ngeli dhe shtogu, “nuk hyri në kooperativë”.
            Shtogu bëhet i vlefshëm për lulet e tij. Çmimi i grumbullimit në vite të veçantë është i lartë, rrjedhimisht fitohen të ardhura, atëherë fshatarët kujtohen dhe për shtogjet kudo që ata ndodhen. Lulja e shtogut mblidhet, thahet në hije për të ruajtur ngjyrën, shkoqet, sitet dhe dorrëzohet tek grumbulluesit. Në periudhën e diktaturës shtogu nga fshatarët dorëzohej privatisht, ku fitohej ndonjë lek, “për të zënë një vrimë” thuhej, në përballje me jetesën ekonomikisht të vështirë.
            Lulet e shtogut janë përdorur për të bërë një lloj çaji kundra astmës, gripit, të ftohtit, etj. Thuhet gjithashtu, se lulet i gatuanin sallatë, apo i skuqnin me vezë e miell(M. Demiri, 1979). Ndoshta ky ushqim nuk pëlqehej dhe amvisat nuk e gatuajnë më, ose e gatuanin amvisat “dembele”, ato që tundeshin e shkundeshin para pasqyrës siç thuhet edhe në këtë bejte:
“Tundu shkundu moj lofatë,
Moj e hollë e moj e gjatë,
Se kemi mikun për darkë.
Do gatuajmë, e çdo gatuajmë,
Lule shtogu, si mut maçoku”.
            Frutat e shtogut në Rrethin e Gjirokastrës nuk di të kishin ndonjë përdorim. Në shkollën fillore kur boja e shkrimit, si shumë gjëra të tjera shpesh na mungonte e bënim nga këto fruta por, nuk ishte e një cilësie të mirë. Thuhesh se të parët me frutat e shtogut bënin verë, raki, uthull ose pije të ndryshme por, nuk kam mundur të grumbulloj fakte. Ka të dhëna se dhe lëvorja e rrënjët, përdoreshin nga disa për t’u shëruar nga sëmundjet e ndryshme.
            Shtogu nuk gjen përdorim si dru zjarri sepse digjet vuvazi[2] si eshkë e s’të ngroh. As bagëtia nuk i pelqejnë gjethet, sepse kanë erë narkotikësh. Vetëm dythundrakët ngadonjëherë mbushin gojën me filizat e reja. Nuk ka të dhëna ose praktika që shtogu(S. nigra) të jetë sjellë si helmues e me pasoja për shëndetin e kafshëve. Fletët në degëza i përdornin kundra molës së rrobave. Palca e drurit të tij është përdorur dhe përdoret nga laboratorët në shkolla dhe si stuko(dialekt., shtoko) për punët e marangozave.
            Fëmijët me degët e shtogut bënin një paisje që quhesh “pllog”. Pllogu ishte një dru dy-vjeçar, i gjatë rreth 20-25 cm që i hiqej palca.  Nga dru thane përgatitej fërliçi[3] të cilit i bëhej një xhufkë në krye, duke e trokitur në gur. Në njërin skaj të vrimës shtogut vendosej një kakërdhi, fërliçi futesh nga ana tjetër, ku më parë ish hedhur pak ujë ose pështymë dhe shtyhej fort, kakërdhia nga shtypja e ajërit ikte si predhë për të gjuajtur në objektiv e shoqëruar me një kërcitje. Edhe Plini në shkrimet e tij e përmend këtë lloj “pushke” që bëhej nga fëmijëte kohës së tij. Nga druri shtogut, duke hequr palcën, bëheshin me lehtësi fyejtë, cylet ose birbila, të cilat kishin një tingëllim melodioz të veçantë.  Filizat e drunjëzuara përdoreshin gjithashtu për të bërë fisat[4] për t’i fryrë zjarrit në vatër, ose shpesh edhe për të bërë gardhet rrethues të kopshteve.
            Fshatarët gjat dimërit kur mirren me rregullimin e sitemimin e kopshteve, i bëjnë dhe ndonjë shërbim të vogël shtogut: Presin degët e rritura keq, filizat që dalin nga trungu, ndonjë degë të thatë, pastrojnë vendin rreth e rrotull, etj. Ndonjëherë bëjnë mbjellje të reja anës gardheve, si anti erozion ose thjesht me që ka rritje shumë të shpejtë për të përfocuar gardhet. Gardhet me shtog dhe vendosja e gjëmbave të mëlqinjës(Berberis sp.), bëhen të pa kalueshëm. Shtogu mbillet dhe në formë brezash për të mbrojtur ngastrat nga erërat e ftohta.
            Kjo ishte historia dhe dobitë e shtogut në Rrethin e Gjirokastrës dhe ndoshta në gjithë Trojet Shqiptare. Kurjoziteti më shtyu që të mësoj më shumë për këtë bimë enigmatike dhe kontradiktore që bashkëjeton me njeriun për mijëra e mijëra vjet e nuk dihet se si ka rrjedhur kjo histori. Kjo bimë e çuditëshme sikur rri e pret që të ketë përkujdesjen e njeriu. Mendoj se shtogu në Shqipëri si bimë vendase është selitur në lashtësi madje, duhet të ketë qene një bimë e domestikuar por, ashtu si dhe lisi nuk dihet përse njerëzit e kanë hequr dorë me kalimin e kohës.


Etimologji, onomastikë
            Për etimologjinë fjalës “shtog” apo “shtok” gjuhëtarët mendojnë se rrjedh nga fjala shqipe e vjetër  “staga” që do të thotë shtagë apo shkop.[5] Filizat e rinj të shtogut janë si shkopinj. Në Shqiperi “Shtogu” ka edhe mbiemra njerëzish si dhe emëra vendesh e mikrotoponime të shumta.
            Fjala “Sambukus” në latinisht rrjedh nga gjuha greke. Për herë të parë është përdorur nga Plini. Kështu quhet një vegël muzikore me tre tela dhe me nje kasë të vogël druri. Në shqip kjo vegël muzikore quhet tambura.         Disa mendojnë se mund të ketë ardhur edhe nga fjala latine “Sambuka” që quhet një lloj fyelli i cili bëhej nga druri i shtogut(Marie-Victorin 1935).


Mite, legjenda, gojdhëna
            Në legjendat dhe mitet e popujve evropjanë shtogu përshkuhet hera-herës si një bimë mërzie dhe e neveritëshme, diku rrespektohet si një bimë e shenjtë, diku vend ku rrinë shtrigat e diku si bimë për të mbajtur larg shtrigat dhe të keqen.
Në periudhën Para-Kristjane nga evropianët shtogu konsiderohesh një bimë e shenjtë.          Në gjuhën gjermane shtogun e quajnë “Holunder”, këtë emër e ka marrë nga  Perëndesha e lashtë daneze Hylde Moer, e cila shtogun e konsideronte një bimë të shenjtë dhe kush mirrte ose jipte dhurata me shtog konsideroheshin si bekime të saj. Ajo besonte se tek shtogu rinin Nimfat(Zanat, Shtojzavallet), ndonse edhe vet ishte një Nimfë. Ajo thoshte se kush kujdesej për shtogjet, Nimfat do ta shpërblenin duke e mbrojtur nga e keqja. Sipas kësaj gojdhëne, njerëzit në lashtësi i mbillnin shtogjet tek hyrja kryesore dhe rreth shtëpive për të patur mbrojtjen e Nimfave, ndërsa në arat shtogjet shërbenin si vend lutje ose ku mund të dhuronin diçka që Nimfat t’i ndihmonin.
            Shtogjet nuk duhesh të priteshin apo të digjeshin në zjarr, sepse Nimfat do të hakmerreshin duke të dhënë një fat të keq ose, do të kishe dhimbje të dhëmbëve. Në lashtësi besohej se dhimbja e dhëmbëve ishte një ndëshkim Hyjnor. Shtogjet mund të priteshin në qoftë se do të përdoreshin për mjekësi ose si hajmali por, së pari duhej të mirrje pëlqimin e Zanave duke ju lutur me zë:
“ Zonja Ellhorn, më jep mua ca nga druri tënd
Dhe une do të ta jap nga imi, kur ai të rritet në pyll”
            Këto legjenda apo gojdhëna të folklorit danez janë përshkruar nga shkrimtari i njohur edhe në Shqipëri H. Ch. Andresen(1869-1805) në përallat e tij për fëmijë. Në periudhën Para-Kristjane nga Evropianët shtogu konsiderohesh një bimë e shenjte edhe per faktin se të gjitha pjesët e tij shërbenin për të shëruar sëmundjet tek njeriu. Këtë veti të bimës së shtogut ata ua dedikonin Nifave.
            Edhe ciganët e kanë të shenjtë e i tremben shumë bimës shtogut. Ata drurin e tij nuk e djegin kurrë në zjarr, madje dhe karthjat i kontrollojnë mirë në se midis tyre ka ndonjë nga shtogu. Për ciganët nëse do të djegësh drurin e shtogut në zjarr në familje do të kesh një fatkeqësi, një vdekje. Një perceptim të tillë kanë dhe anglezët. Nuk bëhen orendi shtëpijake dhe ndërtime me drurin tij. Bima e shtogut ka një erë prej narkotikësh e nuk duhet fjetur nën hije, në se do të flesh do të kesh një gjumë me shumë ëndra dhe dhimbje koke pas gjumit. As bimët e tjera nuk rriten nën hijen e tij për shkak të aromës mbytëse që çlirojnë në ajër rrënjët, trungu dhe gjethet.
            Periudha e “mjaltit” e shtogut me njeriun përfundoi me lindjen e Kristjanizmit. Në këtë periudhë disa e quajtën
 “Druri Judës”, sepse Juda që tradhëtoi Krishtin, thuhet se është varur në një degë të tij. Thuhet gjithashtu, se dhe Kryqi Kalvarit, ku u kryqëzua Krishti, ishte nga dru shtogu, prandaj shtogu ka mbetur një pemë që vuan, i kërrusur e duket sikur zvarritet[6]. Gojdhënat thonë se që nga koha kur Krishti u mbërthye të krishterët e braktisën bimën e shtogut. Kjo është pasqyruar, çfaqet e përshkruhet në shumë shkrime e krijime të autorëve të Mesjetës, që nga Shekspiri e deri në anonimatë të shumtë. Në njërën prej këtyre krijimeve anonimë thuhet:
Pemë mërzie, pemë mërzie,
E shtrëmbëruar keqas, 
Asnjëherë e drejtë dhe e fortë,
Mbete kaçube, e kurrë pemë,
Që kur Zoti ynë u kryqëzua tek ty.”
            Të jetë bërë vallë nga druri shtogut Kryqi ku u kryqëzua Krishti!? Në Kishën e Labovës Kryqit, “Shën Mari”, ruhej një Kryq i cili brenda tij kishte një ashkël druri nga Kryqi Kalvarit, ndërkohë në vitin 1989 Kryqi u vodh. Fshatarët thonë se u dërgua jashtë Shqipërisë[7]. Vlerën më të madhe ky Kryq do ta kishte si relike 1500 vjeçare por, edhe për drurin që kishte brenda. Nuk mendoj se ai Kryq mund të ruhesh e të ekspozohesh në këtë Kishë por, një kopje origjinale e tij do të shërbente më së miri. Nje kopje që ndodhet sot aty, thuhet se nuk dihet se sa i shëmbëllen origjinalit, ose disa shprehen se është një kopje e keqe e tij.
            Në Bibël nuk specifikohet me çfar druri ishte bërë Kryqi ku u kryqëzua Krishti, kjo është subjekt mosmarveshjesh e debatesh midis historianëve, botanistëve dhe studjuesve të Biblës. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme e bindëse, deri tani, për llojin e drurit të Kryqit Kalvarit. Mos vallë Kryqi Kishës së Labovës mund të na tregonte diçka rreth kësaj enigme!?

Kryqi Kishës Labovës një mister që po kthehet në mit!
            Historia e Kryqit të Laboves zë fill në vitin 326 Pas Krishtit, kur Shën Elena, nëna e Kostandinit të Madh të Bizantit, kërkoi në Jeruzalem Kryqin ku ish kryqëzuar Krishti. Nga kërkimet e shumta, Ajo gjeti tre kryqe për të cilit dyshonte. Sipas historisë kishtare Kryqi i vërtetë i kryqëzimit të Krishtit u përcaktua në bazë të një prove: kur e kontaktuan me një grua që po vdiste, ajo u ngjall. Ky Kryq u nda në dy pjesë, një pjese mbeti në Jeruzalem dhe pjesa tjetër u dërgua në Konstandinopojë[8]. Ashkëla ose copa druri nga ky Kryq u shpërndanë të vendosur brenda kryqeve për kishat si dhe në kryqet për bizhuteri. Një nga studjuesit shqiptarë që pjesën më të madhe të jetës së tij ja kushtoi Kishës së Labovës së Kryqit, Gazmend Muka(1964-2012), ka shkruar se sipas shumë burimeve në prill të vitit 559 Shpatari i Parë i Perandorit Justinian të Bizantit, Kostandin Shpatari nga Labova pruri për fshatin e tij një Kryq ku kishte brenda një ashkël nga druri kryqit ku u kryqëzua Krishti, pra nga Kryqi që gjeti Elena në Jeruzalem. Kryqi u shoqërua për në fshatin Labovë edhe nga tre klerikë të lartë.
           Prof. Gazmendi shkruan se në studimin e tij është munduar të deshifrojë ornamentet dhe gdhëndjet mbi këtë kryq nga disa fotografi jo dhe shumë profesjonale si dhe të marri dëshmitë e banorëve të fshatit që e kishin mabajtur. Nga dëshmitë e mbledhura nga banorët ai shkruan:

            Nga të dhënat për Kryqin “.. del se brenda ndodhej një kuti druri e punuar hollë dhe e vendosur në zemër të tij. Brenda kësaj kutie të vogël konservohej një copë druri (lisi, nga burimet del se ishte rreth 152 gram).
 Pak më lart po aty  ai përshkruan:
            “Krahas saj në pjesën e poshtme të kolonës mbajtëse të Kryqit të Labovës njohim një motiv të përsëritur, të krijuar nga një petale luleje e hapur dhe lëshuar poshtë. Referenca të dukshme të këtij motivi gjejmë dhe në bazamente kolonash në vendin tonë, të cilat i përkasin periudhës bizantine të hershme. Në bazamentin e Kryqit të Labovës e figuruar si një kupë e përmbysur, njohim një ornamentikë të pasur ku inserohen imazhi i kerubinëve, kantarit si burim i jetës dhe motivet floreale trefletëshe si simbole të triniteti.”
            Autori bazohet në dëshmitë e banorëve  kur thotë se druri brenda Kryqit ishte lis, por ka edhe shumë dëshmi, gojdhëna e të dhëna të tjera për llojin e drurit të Kryqit ku u kryqëzua Krishti. Unë nuk besoj se Kryqi Kalvarit ishte nga dru shtogu, pasi nuk ështe i përshtatshëm. Ka dhe autorë që thonë se në atë kohë nuk kishte shtogje në Jeruzalem. Përshkrimet që i bëhen gdhëndjeve mbi këtë kryq, edhe pse të vështira për ti saktësuar nga një fotografi si,  “tri fletëshi” dhe veçanërisht “lulja e varur poshtë”,  janë karakteristike edhe për bimën e shtogut.

            Gjethet e shtogut janë të vendosura  në mënyrë simetrike në një degëz në formë pendore që mban 5-10 gjethe por, nga punuesit e kryqit mund të jenë marrë vetëm tre gjethet e majës së degëzës për të na shprehur trinitetin. Per lloin e drurit të Kryqit ku u kryqëzua Krishti ka shumë enigma: Në se Shën Elena e ka gjetur vërtet Kryqin e Vërtetë. Disa ashkëla që janë ruajtur deri në ditët e sotme nga kryqet e shumtë që u shpërndanë në atë periudhë janë mbyllur në xhama dhe janë të pa prekëshme, por dhe në se diku janë bërë analiza mikroskopike ato kanë nxjerë dhe bimë të tjera si: ullirin, pishën, etj. Nuk dihet në se ashkëlat e analizuara burojnë nga Kryqi që gjeti Shën Elena, apo janë fallco.           
            Një pastor Protestant, John Calvin(1509-1564), me që shpërndarja e ashkëlave nga Kryqi Kalvarit ishte në modë tha: se të gjitha ashkelat po të mblidheshin së bashku, do të mbushej një anije e madhe. Teologët ju përgjigjën, se ai Kryq kishte aftësinë të shumohej për aq sa nevojë do të kishin njerëzit. Këtu mund të fshihet misteri e vlera e Kryqit të Labovës. Llogjika të thotë se Kostandini, Shpatari i parë i Perandorit Justinian si njeri me influencë, ashkëlën për Kryqin e Kishës së fshatit të tij duhet ta ketë marrë nga Kryqi origjinal që gjeti Shën Elena. Analizat në laborator të kësaj ashkële për studjuesit mendoj se do të zbardhte shumë enigma mbi drurin e Kryqit të Kalvarit.
Pikture e gjetur ne Kishen e Shen Merise, Labove e Kryqit.
Jstiniani Madh në mes, Kostandin Shpatari në të majtë(foto. P. Miha)
            Për banorët e fshatit Labove dhe fshatërave për rreth, ky Kryq për 1430 vjet ka qenë Kryq i mrekullirave, çudibërës dhe qetësues për problemet shëndetsore. Kush ishte i sëmurë e mirrte në shtëpi dhe vendoste poshtë jastëkut, nëqoftëse Kryqi kërciste tri herë i sëmuri përmiresohej. Jo vetëm kaq por Kryqi përdoresh dhe në fatkeqësi natyrore ose për të ndalur epifititë në bimët bujqësore dhe epidemitë e ndryshme. Për dëmtimet nga epifititë e vrugut të hardhisë që u çfaqën në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, apo për invazionet nga karkalecat organizoheshin proçesjone fetare. Proçesjone të tilla fetare në fshatin Labove dhe fshatrat rreth tij mbahen mend se janë kryer deri ne vitet 30-të të shekullit që kaloi për dëmtimet katastrofike të bimëve nga invazionet e karkalecëve. Këto proçesjone fetare gjat Mesjetës ishin të zakonshme në Evropë.  Mund të përmendim këtu ato që organizoheshin në Francë për dëmet katastrofike që i sillnin sëmundjet e ndryshqeve kulturës së grurit.
            Gjat periudhës se diktaturës kur në vitin 1967 u shkatëruan të gjitha Kultet fetare, ky Kryq u fsheh dhe u ruajt nga banoret e fshatit. Ndërsa zhdukja e Kryqit 1450 vjeçar në vitin 1989 është një mister, tashmë është kthyer në një mit për banorët. Këto 24 vjet ata mblidhen dhe festojne çdo 8 shtator Festën e Shën Marisë, pa Kryqin që i dha emërin dhe famën fshatit të tyre që tashmë përbën një antraksjon turistik për vizitorët e shumtë nga e gjithë bota.
             Për banorët e fshatit Labovë dhe shqiptarët në tërësi, pak rëndësi ka se çfar druri ishte brenda Kryqit, e rëndësishme për ta është se protogonistët e kësaj historie që nga Kostandini i Madh, Shën Elena, Justiniani, Kostandin Shpatari e ndoshta dhe ai që e bëri kryqin, nuk janë personazhe mitikë por, janë dardanë apo epiriotë. Kjo histori është tërësisht iliro-shqiptare, ndaj dhe Kryqi 1500 vjeçar i Labovës e ka vendin në Kishën e Labovës apo Muzeun Kombëtar për të dëshmuar historinë tonë të lashtë.
Kisha 1500 vjeçare e Labovës së Kryqit, Gjirokastër
Origjina dhe historia e kultivimit të shtogut
            Vend origjina e shtogut(S. nigra) është vështirë të përcaktohet sepse është kultivuar për mijëra vjet por, pranohet se Kontinenti Evropjan nga Ballkani(duke përjashtuar ishullin Grek të Kretës),  e deri ne Ishujt Britanikë kjo bimë është vendase. Vendase është dhe në disa rajone të Azisë dhe Veriun e Afrikës. Shtogu evropjan(S. nigra) sot është i përhapur e kultivohet në shumë vende të botës si bimë zbukuruese, për pije të ndryshme e komerciale, për qëllime mjekësore dhe kundra erozionit.

Vend origjina dhe përhapja e shtogut (S. nigra L.) sipas Hultén dhe Fries, 1986.
            Historia e kultivimit të shtogut në kontinentin Evropian zë fill në Epokën e Gurit.  Arkeologët kanë gjetur prova në një fshat italian dhe në Zvicër. Shtogu në Lashtësi dhe Mesjetë kultivohej për ushqim, bimë mjekësore, dhe si bimë zbukuruese. Fakte dhe të shkruara të bollshme për këtë bimë vinë nga periudha Antike.
            Hipokrati(460-375 per), që konsiderohet si “babai i mjekësisë”, e përmend shtogun në shkrimet e tij si një pastrues. Descantes(40-90 PK), botues i një enciklopedie me 5 volume për mjekësinë bimore, e përshkruan si një bimë mjekësore. Plini(23-79 PK) në shkrimet e tij  shtogun e përmend  shumë të përdorshëm  edhe nga romakët. Si në Evropë ashtu dhe në Amerikën e Veriut, shtogu përdorej nga vendasit për qëllime mjekësore shumë lashtë.
            Në mesjetë Shekspiri( W. Shekesperare, 1564-1616) në tragjedinë “
Cymbeline” e përshkruan shtogun si një bimë të mërzitëshme, të qelbur dhe si një bimë që vuan. Por, pavarësisht si shkruante Shekspiri, fshatarët anglezë e donin bimën e shtogut. Në Angli në atë periudhë selitej gjerësisht, për vlerat mjekësore të lules, si dhe me frutat bënin një lloj vere e nxirrnin ekstakte për të bërë shumë pije shtëpijake. Me verën nga frutat shtogut ata fallsifikonin dhe verërat origjinale evropiane, kjo u përhap dhe në Evropë. Si pasojë në Portogali në vitin 1735, kjo verë u ndalua me ligj, madje edhe selitja e shtogut.
            Në vitin 1644, Dr. Martin Blockwich perktheu në anglisht nga latinishtja librin, “Anatomia e Shtogut”, një libër me 230 faqe ku përshkruhet shtogu si dru “magjik” për shërimin e shumë sëmundjeve.
Në libër përshkruhej çdo pjesë e pemës si ilaç shërues për sëmundjet; nuk ka sëmundje tek trupit njeriut të mos shërohet nga recetat e përgatitura nga pjesët e bimës së shtogut.
            Në trungun e shtogut, në vendet me lagështi rritet një kërpudhë, emëri saj shkencor është: Aricularia auricula- judae, që i ngjan veshit të njeriut, quhet dhe veshi Judës, me që thuhet se Juda u varr në shtog. Kjo kërpudhë  gjëndet edhe në vidh e shumë bimë të tjera dhe e shpërndarë në gjithë botën. Kërpudha është e ngrënëshme, specie të tilla ose të ngjashme me të, nuk preferohen nga evropianët. Në Azi si: Kinë, Vjetnam, Nepal, Indi dhe disa vende afrikane, kjo kerpudhe përdoret si ushqim për njerëzit dhe kultivohet në mjedise artificjale. Sot në botë nga kjo kërpudhë, prodhohen sasira të mëdha.
            Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e evropianëve për këtë kërpudhë është vlerat mjekësore e saj. Receta të përgatitura nga kjo kërpudhë kanë qenë të përdorëshme nga mjekësia popullore në Lashtësi dhe në Mesjetë për të luftuar acarimet në fyt dhe mbytjen, antikancerogjene, inflamacionet e syrit, etj. Kërkimet dhe studimet në mjekësinë moderne tregojnë se kërpudha ka efektivitet për luftimin e tumoreve, antidiabetike, për të luftuar trombozat, si dhe uljen e koleosterolit në gjak.
            Në Amerikën e veriut rritet specja S. nigra L. ssp. Caerulea, S canadensis L. ose shtogu amerikan i cili është përdorur dhe përdoret për ushqim nga indjanët e amerikes. Të dhënat për kultivimin e shtogut në Ameriken Veriore datojnë ne vitin 1776 (Ritter, McKee 1964) Shtogu evropian kultivohet në kopshtet botanike dhe sporadikisht. Në këtë formë është i shpërndarë në të gjithë botën.

Dobitë e shtogut
            Shtogu ka një histori të gjatë bashkëjetese me njeriun. Përfshihet në histori, folklor, muzikë, punime druri, kopshtari, pëgatitjen e ilaçeve tradicionale dhe moderne, pijeve shtëpijake e komerciale, në guzhinë,  dhe së fundi ofron lulet e bukura erëmirë. Shekujt e fundit kjo bimë përshkruhet si një “çudi medicinale”, ose “bimë e së arthmes”.
            Shtogu po gjen një përdorim të gjerë në mjekësinë moderne, po bëhen studime për përdorimin e tij kundra infektimeve të ndryshme virale përfshirë dhe HIV-in. Studimet bashkëkohore janë përqëndruar për të vërtetuar dobitë e shtogut në shëndetin e njeriut mbi të dhënat e mjekësisë popullore si dhe përdorimet e tij që në lashtësi. Sipas Dr. M.Mumcuoglu, Universiteti Hebrw Izrael, për të gjitha sëmundjet e kraharorit trajtime me ekstrakte të shtogut kanë rezultuar superiore në krahasim me trajtimet me medikamente, madje edhe kundër gripit janë më të efekteshme se vaksinat, të cilat shkakëtojnë edhe veprime anësore.
            Llojet e shtogjeve janë të shumta, gjethet, frutat dhe lulet e disa prej tyre janë të rrezikshëm për shëndetin e njeriut, kafshëve e shpendëve. Shtogu evropian(S. nigra L.) është një bimë e zbutur e domestikuar që në lashtësi, lulet dhe frutat janë përdorur nga njerzit edhe si ushqim.
            Shtogu evropian ka gjetur një përdorim të gjerë si shkure apo pemë zbukuruese në kopshtet dhe parqet e shumë vendeve të botës, gjithashtu dhe pranë shtëpive të banimit. Në zona të ndryshme me që ka rritje të shpejtë çfrytëzohet me efektivitet si antierozion dhe për bërjen e gardheve ndarës nëper kopshtet dhe arat. Është një bimë që ndikon në zhvillimin e jetës së faunës së dobishme të egër si zogjtë, insektet e ndryshme, etj. Frutat e shtogut nuk pëlqehen nga shpezët shtëpijake madje për disa janë edhe të rrezikëshme.
            Rrënjët gjejnë përdorim në mjekësinë popullore. Lëngu i përfituar nga zierja e tyre përdoret për të luftuar grumbullimin e ujit në organet e bredëshme të njeriut.(Demiri 1979).
Kujdes! Rrënjët e freskëta të shtogut amrican(Sambucus canadensis), i cili i ngjan shumë shtogut evropian(Sambucus nigra), janë jashtëzakonisht helmues dhe mund të shkaktojë edhe vdekje(K. Morgenstern 2014).
            Trungu dhe degët. Me filizat një-dy vjeçare si dhe trungun përgatiten vegla muzikore si fyejtë, cylet, etj. Palca e drurit të shtogut gjen përdorim në laboratorët dhe punët e marangozave. Lëngu i përfituar nga zjerja e lëvores së freskët përdoret për të shkakëtuar vjelljet, si dhe për të përgatitur një lloj melhemi për plagët që shërohen me vështirësi. Lëngu i përfituar nga zierja e degëve të freskëta përdoret për uljen e tensjonit të gjakut, dhe në formë llapash të ngrohta kundër reumatizmës.
            Gjethet në degëza përdoren për të luftuar molën e rrobave, ka të dhëna se dhe minjtë nuk afrohen ku janë vendosur më parë gjethe shtogu. Spërkatjet në bimë me lëngje të përfituara nga shtogu mbajnë larg disa insekte si morrat e bimëve, mushkonjat rreth shtëpive, etj. Shpesh lopët, kuajt apo bagëtitë tjera futen ndënë hijen e shtogut për të larguar nga trupi i tyre insektet e bezdisëshme. Në lashtësi kuajve dhe qeve të punës u vendesnin gjethe shtogu për të larguar mizat nga trupi i tyre.
            Lulja ka një përdorim të gjerë e të gjithanshëm si në mjekësinë popullore dhe atë moderne. Çaji i përfituar nga zierja e luleve përdoret kundër të ftohtit, anginës, rrufës, bronkitit, kollës, urinimit me vështiresi, pastrimin e gjakut, majasellit, skuqjes së syve, dhimbjes së mishit të dhëmbeve. Ka të dhëna se lëngu i përfituar nga lulet ndalon edhe zhvillimin e tuberkulozit. Lulet përdoren edhe gjat përgatitjes  së konjakut, likerit, uiskit dhe shumë pijeve të tjera komercjale shtëpijake apo të industrisë ushqimore për t’u dhënë aromë e shije të mirë. Lulet e reja mund edhe të gatuhen me vezë e miell.
            Frutat janë të pasura në vitaminën C. Me frutat ne Evropën veriore pergatiten lloje të ndryshme reçelërash si dhe verë e kuqe, raki e pije të tjera shtëpijake. Këto produkte ndihmojnë në shërimin e sëmundjeve të veshkave, fishkëzës urinare, tuberkulozit, reumatizmës, parandalojnë kollën, të ftohtit, dhimbjet nervalgjike, etj. Rreth Detit Mesdhe ose në Ballkan nuk vlerësohen këto produkte ose, njerëzit tani kanë hequr dorë. Me sa duket në këto mjedise rriten bimë të tjera mesdhetare që ndoshta i konkurojnë produktet e frutave të shtogut.
Veçoritë botanike e biollogjike
            Shtogu bën pjesë në gjininë Shtogore(Sambucus). Kjo gjini përmbledh rreth 30 specie të ngjashme, nga të cilat dy lloje janë barishtore. Bimë barishtore shumëvjeçare e përhapur kudo në Shqipëri është Qingla(S. ebulus L). Kjo bimë rritet në koloni, në kullota, buzë kanaleve, djerrina dhe si bar i keq në të mbjellat. Bagëtitë nuk e hanë nga toksinat që përmban, por është e vyer si bimë  mjekësore. Nga frutat e saj mund të nxiret dhe raki(M.Demiri, 1979).
            Në Shqipëri gjëndet dhe një specie tjetër, shtogu i kuq( S. racemosa L.). Kjo bimë rritet si shkurre  buzë pyjeve, me lule ngjyrë të verdhë kafe dhe fruta ngjyrë të kuqe. Specie të tjera në këtë gjini janë: Shtogu Amerikan(S. canadensis), rritet në Amerikën Veri- Lindore, kaçube, me fruta blu. Shtogu Kinez(S. javenica), rritet në Azinë Jugore. S. peruviana, që rritet në Amerikën Jugore, etj.
                   
            Shtogu është një bimë në formë kaçube shumëvjeçare ose pemë, që rritet 6-10 m. lartësi. Gjëndet pranë banesave dhe kopshteve. Eshtë një bimë azotofile dhe ka rritje shumë të shpejtë. Në Evropë shkon deri në lartësite 1600 m. e më shume. Pershtatet nga klima mesdhetare deri në gadishullin Skandinav. Nuk rritet në hije kërkon diell. Trungu i drejtë, degët të harkuara drejt tokës me palcë të bardhë.         
           Gjethet pëndore me 5-7 gjethëza në forme ovale të lëmuara. Lulesa në formë mburoje me diameter 10-24 cm., lule të bardha në krem me aromë mirë. Fryti i zi ose i kuq në vjollcë 6-8 mm. e përmbajnë 3-5 fara. Lulëzon në qershor dhe farërat formohen në muain gusht-shtator. Farërat në shumimin natyral shpërndahen nga zogjtë, era dhe me anë të ujit.
Veçoritë agroteknike
            Shtogu  zakonisht shumohet me mbjellje në  mënyrën vegjetative, me copa. Kjo metodë është pratikuar gjithmonë dhe ka qenë e mjaftueshme, ka veti të lartë rigjeneruese. Mbjelljet bëhen në pranverë, aty nga muai Prill. Në parqet dhe kopshtet botanike mbjelljet dhe shumimi tij bëhen edhe me  farë.
            Hibridet natyrore të shtogut janë shumë të rralla. Seleksionerët kanë krijuar hibride me kryqëzimin midis S. nigra dhe S. racemosa, në Danimarkë dhe Suedi. Këto hibride kanë shpejtuar një javë më parë lulëzimin. Shtogu ka nevojë për ndonjë prerje të degëve ose formimin e formës gardhit kur mbillet për këtë qellim. Praktikisht shtogut nuk i bëhen shërbime të tjera agroteknike, përjashtuar këtu në kopshtet botanike dhe parqet.

Përgatiti:
K. Mosko
Boston MA – SHBA
Tetor, 2011

Literatura:
1. “Flora Eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri, Tiranë 1981
2. “Bimët e Egra të Dobishme e të Dëmshme të Vendit Tonë” M. Demiri, Tiranë 1979
3.
M.Tierra “Herb of the month”, May, 1999
4.
Kat Morgenstern,” Elderflowers, Elderberries (Sambucus nigra) - History and Uses”, 2011
5. “Studim mbi Kryqin e Labovës” Prof. Dr. Gazmend Muka “
Gazeta  Shqiptare”, 4 shtator 2004
6. “Bimët Mjekësore në Familje” P. Kokalari, Z. Sima, P. Xinxo, Tiranë 1980
7.
Sumbucus nigra - Wikipedia, the free encyclopedia
8.” A Modern Herbal”  Mrs. M. Grieve - New York, 1971
9. “Uncovering of the Precious Cross and the Precious Nails by the Empress St Helen in Jerusalem” by Orthodox Church in America, 2011
10.
Kabuce, N. and Priede, N. (2006): NOBANIS – Invasive Alien Species Fact Sheet – Sambucus nigra. – From: Online Database of the North European and Baltic Network on Invasive Alien Species - NOBANIS www.nobanis.org, - 2011
11 “Duke’s Hendbook of Medicinal Plants of the Bible”  James A. Duke et.al; Boca Raton Fl 2008
12. “Plants profile, Sambucus nigra” – USDA, 2011
13. “
Folk-lore of Shakespeare” by T.F. Thiselton Dyer, 2009
14. “Ïnventari Bimët  Mjekësore Aromatike dhe Pemët Frutore të Egra në Kosovë”  Prof. Dr. F. Millaku
15.
MoonDragon's Health & Wellness Nutrition Basics Herbs ELDER, BLACK (S. nigra)
16.
“ Dendronymica Albanica,
a survey of Albanian tree and shrub names” by R. Elsie. Published in: Zeitschrift für Balkanologie, Wiesbaden, 34, 2 (1998), p. 163-200.
17
V. Orel “Albanian etimological Dictionary” Leiden-Boston- Koln, 1998




[1] Zaire: bar, gjethe e thatë dhe kashta e drithërave që mbahen për ushqimin e bagëtisë në dimër.
[2] Vuvazi: Pa u ndierë, nga fjala “vuv”
[3] Fërliç: Një dru i gjatë me kokë në një skaj( si piston), përdorej për te rrahur qumështin në dybek, talër.
[4] Fisë: Një tub druri ose hekuri që përdoret për ti fryrë zjarrit në vatër.
[5] V. Orel “Albanian etimological Dictionary” Leiden-Boston- Koln, 1998
[6] Kat Morgenstern,” Elderflowers, Elderberries, Sambucus nigra, - History and Uses”, 2011, etj
[7] “Kozara Kati: Kryqi i Kishës së Labovës u dërgua jashtë Shqipërie.” Nga F. Nikolli, Gazeta Shqiptare; 15 qershor 2013.
[8] Uncovering of the Precious Cross and the Precious Nails by the Empress St Helen in Jerusalem” by Orthodox Church in America, 2011

2 comments:

  1. Very good point.

    ReplyDelete
  2. Falenderime per ju qe menaxhoni kete faqe te mrekullueshme.Do te jete me shume vlera ne se publikoni histori te kultivimit, duke perfshire varitetet dhe teknologjite,

    ReplyDelete