Thursday 23 February 2017

Shkëmbinjtë që pikojnë mjaltë!

ÇORROSTEN, PËRROI-KANION KU PIKOHET MJALTË...

nga Simon VRUSHO, Berat

Simon VRUSHO
 -Po, -thonë, - në korrik, kur nxehet vapa, nga muri i madh dhe tepër, tepërsisht i lartë, hojet bymehen dhe nga zgjojet natyrorë, shkëmborë pikohet mjaltë, drejt e në përrua, një përrua nazik, disi diskret në zbritjen e tij në fushë, ku takohet me lumin e Molishtit, pak më poshtë Mullirit të Pashait, për t'u kthyer më tej, të dy bashkë, në lumin e Velabishtit.
 
            Ky përrua mbart kanione të njëanshme, nga krahu i veriut, hapur plotësisht ndaj diellit dhe jugut, mur masiv shkëmbinjsh bojë okrre, bojë mjalti, në gjatësi qindra metërshe dhe lartësi dhjetra metërshe, me breza guri ciklopikë të shndërruar në faqe muri nga nëna natyrë...
Lart, në lartësinë marramendëse, të frikshme, gjendet brezi i zgjojeve të bletëve, brenda shkëmbinjve... Bletët zukasin, roitin e roiten, zbresin si re të ulëta për të pirë ujë në përrua, ujë që vjen direkt nga Uji i Ftohtë i Malit të Bardhë...

            Thonë se disa guximtepruar guxuan nga lart të vareshin me litarë mbi atë masiv shkëmbor-muror, me qëllim që me disa thika të gjata, si tip hanxharësh, të prisnin hojet në thellësi e të vilnin mjaltin... Por...
Prishen mendsh dhe... në vend që të prisnin hojet, presin litarët...

            Thonë se këtë mur shkëmbor bojëmjalti guxuan ta shkelnin edhe bullgarët 1000 vjet më parë... Po në vend të murit të mjaltit gjetën aty murin e zi, prandaj edhe kanë lënë emërtimin e tyre , si dëshmi: Muri i zi... Çorrosten... Çjornoje stena...
Prenë litarët, jo hojet...
            Mos vallë, mesazhi është i thjeshtë, i qartë: Nuk mjafojnë mjetet e zakonshme për të arritur caqe të jashtëzakonshme?!...
................................................................................................
Nuk disponohen foto të Çorrostenit-mur-shkëmbor, sepse është edhe larg, edhe vend pa rrugë, por vetëm mund të soditet nga larg, nga ana e Veleshnjes, nga e Gurgozhdës...Dy fotot modeste , të pjeshme i përkasin shkrepjeve të Tiku Senkos.

(Nga triptiku "Rrëfej, rrëfenja, rrëfime.")



No comments:

Post a Comment