Ringjallja e tokës, themeli për ringjalljen e shtetit shqiptar

(Analize në një kohë  kur akoma ekzistonte shpresa e ringjalljes 

së kujdesimit për  tokën shqiptare)

nga Ing.  Haki KOLA - Tiranë


Toka është djepi i jetës së kombit, që të parët tonë na mësuan ta thërrasim mëmëdhe. Ne ushqehemi me atë që prodhon toka. Vendit tonë të vogël e të brishtë, i ka mbetur  pak tokë e shumë shkëmbenj. Në dhjetëvjeçarët e fundit, toka shqiptare e  ka dhënë sinjalin sos, nga papërgjeshmëria e banorëve të saj. Pylli është prerë e riprerë, djegur e ridjegur,  kullotur e mbikullotur derisa sa në shumë vende i është zbuluar shkëmbi. Rrafshinat, kodrat e ujëmbledhësit i ka mbuluar betoni. Ky realitet  nuk është pranuar nga institucionet shtetërore. Pyllprerësit njëvjeçar  sapo janë dekoruar duke marrë mandate 10 vjeçar për prerje. Institucione të shtetit me ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, pyllit, kullotës e librave që nuk u tregojnë taksa paguesve te tyre  se sa pjesë e vendit digjet, përmbytet, pritet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e  tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri padronit, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Ata flasin e bëjnë libra  për ekosistemin e përbërësit e tij, por nuk tregojnë as për hallet e tokës e as për shërimin. Toka është një organizëm. Pjesët e saj ashtu si gjymtyrët e organizmit tonë janë të ndërlidhura me njëra tjetrën. Komunitetet rurale kanë bërë rrugë të gjatë si pjesë e këtij eskosistemi. Ata trashëgojnë, nga dijet e krijuara nga praktika  jetësore e gjeneratave parardhëse,  njohuri mbi tokën ku organizojnë jetën, si në fermën bujqësore ashtu edhe kur i drejtohen krastës, djerrinës, ograjës, kojrijes, zabelit, hamallës apo prozhmes e kashnjetit, pyllit e kullotës. Këto dije shumë herë nuk pranohen nga ekspertët e institucioneve, e nuk përdoren kur hartohen politika e ligje për raportet e komunitetit me tokën .  Nëse skuadra që përgatitet të marrë nën menaxhim vendin , do e marrë në konsideratë thirrjen sos të tokës,  indikatori i parë duhet të ishte që të pranonte problematikën, të konsultohej me organizma ndërkombetare e bashke me ta ndërtonte një strategji kujdesimi, për tokën tonë, asetin pothuaj përjetësisht të braktisur.  Ky do të ishte indikacion i fillimit të ndryshimit te institucioneve si dhe të  hapjes së rrugës për zgjidhje. Një etikë për tokën do te reflektohej më pas  si sinjal që koshienca ekologjike e shtetit tonë po zgjohet, dhe po e njeh  dhe delegon tek komuniteti ku e ka vendin, kujdesin dhe përgjegjësinë për kurimin e mëmëdheut.

Toka pyjore vleresohet nga shkencëtarët si  një thesar biologjik e ekologjik, e njëkohësisht si një mister  dhe enigmë, në të cilën shkenca deri më tani ka zbuluar një fraksion gati të pakonsiderueshëm. Bakteriet e këpurdhat që e popullojnë, të padukshme për syrin e njeriut,  janë motorri i tokës normale pyjore,  dhe i duhen tokës aq sa i duhet pyllit prania e drurëve për të mbajtur emrin pyll. Si trup i gjallë, ajo komunikon, jep e merr, shëndoshet e dobësohet, përjeton lindjen,  sëmundjen deri dhe  vdekjen, në mvartësi të rrethanave të vendndodhjes e trajtimit që i nënshtrohet. 

Shëndetësimi përbën pikërisht trajtimin apo regjimin që i duhet tokës tokës sonë për të filluar ripërtëritijen apo rilindjen e shtresës së saj të  sipërme, mbulesës së saj të gjallë e pjellore, që është prerë djegur e sakatosur barabarisht vecanerisht ne 20 vitet qe lidhin fundfillimin e shekujve.  Ajo nuk ka bimë, e ka humbur humusin, nuk e mban dot vehten, e as nuk i ruan dot nga mbushja rezervuarët e hidrocentraleve, rrugët, kanalet e tokën bujqësore të rrafshines. Nga ushqyese e strehuese, ashtu sic është katandisur, në rrethana të ndryshme të motit shëndrrohet në përmbytëse e kërcënuese.

Edhe kjo na u desh në këtë rrënim ekonomik, po sa është kosotoja e ringjalljes do pyesë dikush?? Askush nuk ka pse të  trëmbet e ta heqë nga prioritetet e para. Nuk ka vend për panik. Toka është e bekuar. Ajo kontribuon edhe kur është në kurim. Punëson njerëzit. Rrit bimë. Strehon kafshë. Pastron e freskon ajrin. Shton ujin. Nëse bazohet në strategji e projekt të mençur, puna për  kujdesim e kurim të tokës, nga banorët lokal, konsiderohet si shërbim global mjedisor dhe shpërblehet. Angazhimi dhe dhënia e kësaj përgjegjësie për të realizuar shërbime mjedisore kuruese, do të ishte sinjali i parë i shpresës së  dashuria për tokën do të rilindë. Siç e thoshte Albert Ajnshtajn: Ne nuk mund të gjejmë zgjidhje për problemet e rëndësishme me të cilat ndeshemi, me të njëjtin nivel të menduari që neve kishim kur i krijuam këto problem. Kjo nuk është e vështirë të rikonfirmohet  nëse do u referohemi mediave të kryeqytetit apo mentalitetit sundues të administratës e burokracisë shtetërore.  Gjeneratat të cilave historia iu dha shansin të bëjënë ndryshimin e madh të sistemit shoqëror në Shqipëri, ishin të mbrujtura me idetë komuniste, që dijet e komuniteteve në raport me tokën, apo rregullat e sistemuara në kanune, futen sipas ideologjisë komunite tek  “ të prapambeturat” e duhen luftuar, orientimi komunist që toka është e shtetit, dhe vetëm ai mund të marrë vendime për kujdesjen ndaj saj, në këta 27 vjet e ka thelluar braktisjen e tokës tonë e të dashuruarit me imazhin.  Praktika e ruajtjes duhet gjetur e duhet marrë tek  bindja  se cfarë është  e rregullt nga pikpamja estetike dhe etike, dhe cfarë është  për mbarë nga pikpamja ekonomike. Një gjë është e rregullt vetëm kur tenton të ruajë integritetin, stabilitetin dhe bukurinë e ekosistemit.  Ekosistemi përfaqëson si  token ashtu edhe ajrin, ujrat, faunën e florën, pejsazhin, por edhe vetekomunitetin njerëzor. 

Vetëm kështu do të fillojmë të ndërgjegjësohemi: ideja  e përdorimit të arsyeshëm human, është e pranueshme dhe shpërblehet, qoftë edhe   vetëm për aq  sa nuk u u shkatërron kushtet jetësore banoreve apo organizmave te tjera të tokës. E perkthyer në gjuhën e teorisë se ekonomisë, vete ekosistemi  me përbërësit e tij mund të përshkruhen si kapital i cili sjell një pako te shërbimeve për komunitetin e familjet përbërëse, disa prej të cilave janë të ndara dhe të inkorporuara në produkte, grumbulluar dhe / ose të konsumuar. Shërbime të tjera publike janë mallrat apo shërbime që japin përfitim të përbashkët në mjedisin e përmirësuar dhe mirëqenien e komunitetit. Të gjitha së bashku, këto shërbime mjedisore mvaren nga aftësite ripërtëritese aktuale të kapitalit të   ekosistemit, rezultateve qe arrihen në shtimin e këtij kapitali në raport  me konsumin e shërbimeve të ekosistemit.

Partnerët tanë ndërkombetarë, si Banka Botërore, Agjencia Suedese per Zhvillim Nderkombetar po e asistojnë Shqipërinë në identifikimin dhe zbatimin e nje projekti, i cili do të bazohet pikërisht në pagesat për shërbime mjedisore, apo e thënë me fjalë të tjera, për të krijuar modelin se si duhen organizuar e mbeshtetur kujdestaret e ngjalljes së tokës e të mbuleses së saj. Suksesi i këtij projekti tepër strategjik për ringjalljen e tokës, mvaret së tepërmi se si do të ndërtohet  kuadri politik e ligjor për  të drejtat që do kenë   komunitet për tokat. Harmonizimi i politikave mbeshtese si dhe definimi i saktë i të drejtave e detyrimeve të përdorimit apo të pronesise, janë guri i themelit. Çdo progres e sukses i mundëson projektit shtrirjen e mëtejshme territoriale, shtimin e pjesëmarresve (punësim) dhe kontribuesve në këtë projekt.  Suksesi mundëson  shtim të kontributit të donatorëve ndërkombetar, të cilët janë në ethet e gjetjes së një model të trajtimit te ekosistemit për të përballuar sfidat e afërta të  ndryshimeve klimatike. Relievi, raportet fushë kodër mal, e statusi aktual i tokës e veshjes së saj, si dhe potencialit për ndryshim shumë të shpejtë në  Shqipëri, përbëjnë një shans të papërsëritshëm demonstrimi.  Shqipëria mund të paguhet për kontribut për ruajtje te tokës, detit, ujit, kontribut në pakësim të gazit karbonik në natyre e shtim të biodiversitetit. Demostrimi i suksesit hap rrugë shtimit të eko turizimit.  Përfaqësues të  skuadrës në pritje për menaxhim të shtetit shqiptar, mund të organizojnë diskutime paraprake për këtë projekt që është  në zhvillim. Kjo i mundësosn kësaj skuadre te shpresës që këtë problem shumë të madh kombëtar, ta kthejë nga problem në zgjidhje, në një burim punësimi e ta ardhurash, që vijnë nga ringjallja e tokës shqiptare.

No comments:

Post a Comment