Friday 12 December 2014

Dardha (Pyrus communis L. )


Dardhët e fshatit Suhë
“Druri dardhësë me dardhë 
Ish si zonjë sisëbardhë….”
(N. Frashëri)

            Në Rrethin e Gjirokastrës, kur bisedat midis të moshuarve vërtiten rreth dardhës, kujtohen me nostalgji dardhët e famshme të fshatit Suhë të cilat mbushnin tregun në periudha të ndryshme të vitit. Këto dardhë më kanë tërhequr vëmendjen time që kur isha i vogël, sepse për të shkuar në Gjirokastër rruga kalonte përmes tyre. I shikoja me kërshërinë e habinë një fëmije e të dukesh sikur ishe në një pyll të pafund dardhësh. Nuk ishin të kultivuara në blloqe, parcela të veçanta apo kopshte por, në brinjat dhe ledhet e arave në gjithë zonën që rrethonte fshatin, që nga lumi e deri në kufijtë me fshatrat e tjerë. Këto dardhë vinin nga shartimet mbi goricat spontane që gjëndeshin me shumicë në këtë territor. Llojet e dardhëve ishin të shumëllojëshme, që nga llojet vendase, ato evropiane e deri tek llojet aziatike. Midis tyre kishte dardhë me trung e kurorë të një peme të lartë që tregonin moshën e madhe të tyre, ndoshta njëqind vjeçare e më shumë.
            Prodhimi dardhëve vinte i vargëzuar sipas një konvejeri ku, me gjithë ato që konservoheshin në kashtë për t’u ngrënë në dimër, bëhesh e mundur të kishte një shpërndarje pothuajse gjat gjithë stinëve të vitit. Fshatarët llojet e dardhëve i kishin emërtuar sipas një emëri që u kishin vendosur vetë por, dhe atë të tyre nga kishin ardhur. Më kujtohen emërat si: "Elbërore", "Dimërore", "Gomarjare", "Gushtare, "Abate Fetel", "Pagure", "Labovite", Manxhar Bej", "Stegopulote", etj. Prodhimi që mirresh nga këto dardhe ishte i konsiderueshëm. Kur ky fshat ishte kooperatvë më vete dhe nuk ishin vendosur ato planet famëkeqe nga lart, për dardhët bëhej kujdes sepse vlerësohej si një e ardhur e mirë për fshatin. Ky fshat furnizonte me dardha gjithë tregun në Gjirokastër, Libohovë  dhe fshatrat e tjerë të këtij rrethi. Njëkohësisht dardhët e prishura që nuk përbënin vlera në treg, përdoreshin si ushqim për derrat, aktivitet i cili u sillte të ardhura të konsiderueshme.
            Miku im, agronomi hortikulturist Gori Çaro, i cili ka pasur një karjerë të gjatë suksesi në kopshtari, kur bisedojmë së toku për dardhët e fshatit të tij, Suhës, ai me një pasjon të veçantë të thotë se ato kanë qenë një mrekulli e të parëve tanë.  Duke bërë një llogaritje të thjeshte me vehten e tij, ku nga një rrënjë dardhë mund të mirrje 10-100 kg.  për rrënjë, përllogarit se prodhimi i tyre, pa asnjë lloj spërkatje ndaj dëmtuesave dhe sëmundjeve, ndoshta mund të jetë pak të themi me dhjetra ton në vit.
            Shërbimet që kryeshin ishin kryesisht: shartimet e reja, krasitjet, pastrime ferrave rreth trungut, ndonjë punim si dhe ruajtja e prodhimit gjat kohës së vjeljes. Kalemat për shartimet e reja mirreshin nga klonet e dardhëve më të mira të cilat u ishin përshtatur kushteve klimaterike zonale si dhe kushteve të tokës të cilat përpunoheshin sipas një teknollogjie të veçantë. Të gjithë fshatarët burra pa përjashtim, por dhe disa gra ishin në gjëndje të kryenin shartime apo krasitje cilësore. Atyre njerëzve nuk kishe se çfar tu mësoje por, nga ata duhej të mësoje e të mirrje eksperincë. Zbatonin me përpikmëri një shkencë të pa mësuar e të shkruar nëpër libra. Kishin në mendjen e tyre kode të fshehta agroteknike të transmetuara brez pas brezi, kushedi që kur, të përmiresuara në vazhdimësi, për të krijuar, kultivuar e përmirësuar klone dardhësh cilëshit të mira, që të prodhonin çdo vit, të dajadisnin në kushtet e tokave pa ujë si dhe infeksioneve nga sëmundjet e dëmtuesit e ndryshëm.
            Cilido mund të thotë se kjo praktikë me dardhët është shumë e njohur dhe e zbatuar në çdo cep të trojeve shqiptare dhe më gjerë. Apsolutish është e  vërtetë, ndoshta kjo ka qenë mënyra më e përdorur nga shqiptarët dhe të tjerët në Ballkan për kultivimin e dardhëve dhe disa drufrutoreve të tjerë në thellësi të shekujve por, fshati Suhë këtë e zhvilloi dhe e pruri deri ne mesin e shekullit te kaluar në një mënyrë tepër origjinale dhe të leverdisëshme ekonomikisht. Bie fjala kjo eksperiencë ishte përhapur dhe në dy fshatrat afër, Labovën e Kryqit dhe Stegopul por, jo aq e theksuar dhe aq e zhvilluar si në këtë fshat. Kur fshati Selckë, u bashkua në një kooperativë, për një periudhë të shkurtër, eksperiencën me dardhët sujotët, duke e quajtur të leverdisëshme nga praktikimi në vite, e praktikuan edhe në këtë fshat.  Të gjitha goricat që ishin me shumicë rreth fshatit u shartuan me dardhë, disa nga të cilat janë akoma. Rezultatet ndoshta nuk ishin dhe aq inkurajuese sepse klonet nuk ju përshtatën kushteve të reja por, me një punë të vazhdueshme përzgjedhëse padyshim që do të kishte dhe rezultate më të mira.
            Kur mbarova studimet e larta u emërova agronom për frutikulturën në Kooperativën “Asim Zeneli” e cila përfshinte dhe fshatin Suhë. Kisha dëshirë të punoja me këtë kulturë drufrutore, dëshiroja që të zhvillohej e të pasurohej më tej puna me dardhët, të mësoja nga tradita e lashtë e këtyre njerëzve por, në ato vite kjo punë pothuajse ishte braktisur, flitej vetëm për drithrat dhe drufrutorët nuk e kishin vëmendjen e duhur. U kryen hapje të shumë tokave të reja, sistemime të arave ku u shkulën, u prenë dhe u dëmtuan shumë dardhë e gorica. Prodhimi i tyre tashmë ishte i kufizuar, kishte shumë shpërdorime. Për shartime të reja as që bëhej fjalë sepse së pari nuk kishte më gorica por, dhe nuk kish kush të mirrej me to. Ishte koha kur sundonte parrulla “Tu qepemi kodrave e maleve ti bëjme pjellore si fushat”. Kjo periudhe është jetësuar tek romanit “Buka e një Stine me Borë “ të shkrimtarit të njohur Koço Kosta i lindur në këtë fshat.
            Të përfshrë në fushatën e hapjes së tokave të reja tentuam të ngremë një bllok me dardha në afërsi të fshatit për të krijuar një praktikë të re por, pa rezultat. Fidanat i kërkuam me nënshartesë goricë por nuk kishte dhe të detyruar i mbollëm me nënshartesë ftua, e cila nuk ishte shumë e përshtateshme për kushtet tokësore. Pas mbjelljes askush su muarr me këtë bllok dhe ju la spontanitetit e përfundimi ishte i njëjtë me blloqet e tjera..Kështu u tret kjo praktikë e mirë e këtyre njerëzve punëtorë në fund të viteve 70-të të shekullit që lamë pas.
            Proçesi shartimit në dialektin lokal thuhet: “mbolas, mbolasje”, shumës “mbola, mbolazma”, bima që rrjedh nga ky proçes quhet mbolë. Mendoj se fjala “mbolë” duhet të rjedhi nga shqipja e vjetër, nëpërmjet etimologjisë së kësaj fjale mund të hidhet pak dritë për historinë e shartimeve në Shqipëri. Ka studime që tregojnë se kjo fjalë rrjedh nga gjuha pellazge apo etruske "EMBOLON", shqip  "e mbulon, në kuptimin që nënshartesa e mbulon mbishartesën, si të thuash e pranon, përputhen. Tradita e kultivimit të dardhëve nëpërmjet shartimeve duhet të jetë një praktikë shumë e vjetër në gjithë trojet shqiptare. Mendoj se është një traditë e trashëguar brez pas brezi, nga shumë breza,  dhe përbën një eksperience të rrallë, unike dhe të vyer në historinë e kultivimit dhe përmirësimit të bimëve në Shqipëri.
            Në qoftë se do ti referohemi historisë botërore të shartimeve të bimëve, mendohet se aplikimet e para janë kryer që në Persinë e lashtë por, nuk ka të dhëna që të na e vërtetojnë. Shumë autorë mendonjnë se kjo metodë shumimi dhe përmirësimit e bimëve ka lindur në Mesdhe. Gjat periudhës se antikitetit greko-romake ka shumë dëshmi e shkrime dhe thuhet se është shumë më e lashtë se kaq. Gjat periudhës bizantine e osmane ka të dhëna se kjo metodë ishte e zhvilluar nëpër  kopshtet e manastireve dhe pashallarëve. Historia dëshmon se kopshtarët më të zotë në atë periudhë kanë qenë shqiptarët, të cilët sigurisht duhet ta kishin ushtruar këtë zanat shumë kohë më parë. Kjo na çon në supozimin se të parët e shqiptarëve, duhet të kenë qenë ndër të parët në Evropë në këtë drejtim. Mirpo shkrime apo fakte që të na e vërtetojnë mungojnë. Kjo mund të përbëjë ndoshta një temë studimi për studjuesit.
Fshati Suhë, Gjirokastër por tani pa dardhët tradicjonale.
            Fshati Suhë është një fshat i lashtë, nga rrënojet për rreth tij mund të thuash se ka qenë një qendër e banuar qysh prej kohës së Pirros së Epirit. Tradita e kultivimit të dardhëve në këtë fshat, edhe pse origjina e zanafilla e shartimeve është e errët, tregon qartë se kjo metodë ka qenë kryesore për përmirësimin e bimeve drufrutore dhe zhvillimin e frutikulturës në trojet shqiptare. Ato dardhë cilësisht të mira, që prodhonin shumë e për çdo vit, pa patur probleme serjoze nga sëmundjet dhe dëmtuesit, përshtatur mirë në toka të thata, pa ujë, ishte frut i një pune në breza të seleksjonimit të vazhdueshëm të kloneve.  Kjo metodë në gjykimin tim, pavarësisht përparimeve të sotme në shkencë e teknollogji, në shumë fshatra e zona të Shqiperisë mund të jetë ende e frytëshme sepse ka disa përparësi. Goricat( Pyrus communis var. pyreaster) gjënden gati në formacjone pyjore por, edhe në s’janë aq dëndur sa na duhen, mund të mbillen. Praktikë kjo që është kryer vazhdimisht nga shqiptarët. 
            Rrethimi i vendbanimeve me pyje natyrale dardhësh, sipas traditës së hershme shqiptare, do të sjellë një bukuri të rrallë e të pa parë për zhvillimin e  agro-eko-turizmit. Sigurisht kjo bukuri e dardhëve rreth fshatit të tij të lindjes Frashër, e ka frymëzuar e nxitur poetin e madh te Rindljes sonë Kombëtare Naim Frashërin të krijojë vargjet: Druri dardhësë me dardhë/ ish si zonjë sisëbardhë.  Rreth fshatrave ndoshta dhe në kurorën e disa qyteteve, pyjet me dardhë do të krijojnë një mjedis tokësor e ajror me parametra më të mira jetësore. Blloqet me dardhë të kultivuara në këte mënyrë nuk bëhen pengesë për kullotjen e bagëtive gjat gjithë vitit. Çfrtytëzohen mirë terrenet e thyera e të thata pa uje. Fitohen prodhime bio pa shpenzime të mëdha. Bimët e dardhës që rrjedhin nga shartimet jetojnë më gjat dhe periudha e hyrjes në prodhim është më e shkurtër.  Shtimi klonal bën që të krijohen lehtësisht bime në përputhje me kërkesat e ndryshueshme e në ritje të njerëzve dhe në përputhje të plotë me kushtet e mjedistit të një zone të caktuar , etj. Kjo mënyrë është një sjellje tepër miqësore e paqësore e njerëzimit me bimët,  mjedisin rrethues dhe natyrën në tërësi, për ta dorëzuar të pa prekur e të pa cënuar brezave që do të vijnë.
            Dardha është një kulture drufrutore tradicjonale e shqiptarëve, është kultivuar e kultivohet në të gjitha zonat që nga ajo bregdetare e deri në zonat e thella malore. Prania kudo e dardhës së egër, goricës, e cila është vendase dhe ka një afërsi gjenetike e morfofollogjike me dardhën, shumë studjues kanë harritur në përfundimin se dardha e ka origjinën nga gorica dhe se kjo kulturë mund të jetë domestikuar e përmirësuar edhe nga para-ardhësit e shqiptarëve. Si përfundim mund të themi se ndërmjet goricës, dardhës dhe shqiptarëve ka një histori shumë të lashtë simbioze. A ja vlen t'i kthehemi kësaj praktike 2000 vjeçare? Ndoshta Po!

Një Shtatore për Dardhën.
            Në mes të një sheshi të lagjes Dorchester në Boston është vendosur një vepër arti, një monument që paraqet një dardhë të derdhur në bronx. Ky monument na u çfaq pa pritur një mëngjes kur ndaluam me makinën tonë në një semafor gjatë rrugës kur po shkonim si zakonisht në Universitetin që studjonin vajzat. E pamë heshturazi pa u thelluar e kuptuar se çfar ishte kjo befasi…
           Ditën tjetër vajza e vogël theu heshtjen dhe më pyeti mua me që kisha punuar në Shqipëri më se 30 vjet me bimët, si agronom:
-  Babi, ç’ mund të tregojë kjo dardhë në mes të qytetit!?
Pa u menduar fare, unë për shaka iu përgjigja:
- Dardha e ka bishtin prapa.
- Ç’është kjo dardha e ka bishtin prapa, - pyeti përsëri vajza, pa pritur që t’i jepja një shpjegim. Ajo u befasua nga përgjigjia ime e pa kuptimtë, sepse ishe mësuar për pyetjet që bënte të mirrte një përgjigje sqaruese. Për mua vitet e para të emigrimit ishin shumë të vështira dhe të lodhëshme, atë mëngjes isha ende i përgjumur dhe përtoja të futja në punë trurin. Unë me gruan ishim mësuar tashmë që shumë gjërave të mos u jipnin dot shpjegime. Në botën e re të pa njohur, ku erdhëm pa ditur gjuhën, na u bë zakon që shumë gjëra t’i kalonim në heshtje. Madje, nuk ishim ne ata që duhet tu thoshnim apo të sqaronim fëmijët, por ishin fëmijët ata që kishin filluar të na thoshnin sqarime të ndryshme, sepse ata e kuptonin gjuhën e vendit. Pra, në familjen tone si në shumë familje të reja emigrantësh, fëmijët ua tregonin arrat prindërve... Rolet këtu ishin ndërruar.
 
            Kaloi  kohë dhe fillova të vras mendjen. Kisha dëgjuar për shtatoren e famëshme të një tulipani në Holandë, për shtatoren e një qepe në Rumani, që ishin krijuar në shenjë mirënjohje për famën dhe fitimet që u kishin sjellë këto bimë banorëve të atyre vendeve. Mendova se edhe kjo statujë mund të ishte krijuar për rrespekt ndaj këtij fruti. Kur fillova të lexoja e të kuptoja disi më mirë anglisht, një ditë u ndala për të mësuar diçka rreth kësaj statuje në bronx. Aty mësova se Dorçesteri para 200 vjetësh ka qenë një rajon shumë i zhvilluar bujqësor. Kolonët evropianë kishin ngritur fermat dhe kopshtet e tyre dhe më se 200 vjet me rradhë kultivonin me shumicë: misër, fasule, perime, pemë frutore, etj. Me një referendum popullor në vitin 1869, Dorçesteri ju bashkangjit qytetit të Bostonit. Sot Dorchesteri është një nga lagjet më të urbanizuara të këtij qyteti.
Dorçesteri bujqësor në vitin 1820
            Aty mësova se sheshi në të cilin ishte vendos shtatoria e dardhës quhetEdward Everett, sepse në këtë shesh dikur ka qëndruar shtatorja e tij. Mendjen ma përshkoi mendimi se mbas disa vjetësh ky shesh mund të marri emrinSheshi i Dardhës. Ky toponim më stepi mendimet e më futi në kujtime të largëta të fëmijërisë time, më kujtoi  “Sheshin e Dardhëve” atje në vend lindje, kur rendnim gjithë ditën pas një topi lecke me gjunjët të bëra gjithë gjak.
            Edward Everett (1794 – 1865) ishte politikan liberal, edukator dhe orator i famshëm, që kishte lindur në këtë lagje të Bostonit. Për disa vjet shërbeu si pedagog dhe President i Universitetit të Harvardit, Senator në Senatin Amerikan, Sekretar Shteti, Guvernatori 15-të i shtetit Massachusetts, si dhe orator i shquar gjatë Luftës Civile. Statuja e tij para shumë vitesh ishte hequr nga ky shesh dhe ish vendosur në një vend tjetër. Në vitin 2007, Kryetari Bashkisë së Bostonit në zbatim të një projekti rregullues, në këtë vend përuroi shtatoren e dardhës.

Një kartolinë e viteve 1900 që paraqet shtatoren e Edward Everett
në sheshin ku sot është vendosur shtatorja e dardhës. 
            Sipas mbishkrimeve, dardha monumentale në këtë shesh është krijuar për të ritreguar historinë e këtij trualli, për të kujtuar kohën kur Dorchesteri ishte tokë bujqësore. Paraqitet një dardhë e kultivarit “Clapp”, e cila ka qenë e kultivuar në shek. 19-të, me cipën e jashtme të fortë dhe tuli brenda i ëmbël e i shkrifët si gjalpë, e cila  shërben dhe si një metaforë e shkëlqyer për banorët e kësaj lagjeje. Aty janë vendosur dhe 10 mini skulptura që paraqesin zhvillimet nëpër vite. Tregojnë për historinë e njerëzve që jane vendosur në këtë lagje, si një komunitet emigrantësh, njerezit e shquar, ata që dhanë jetën luftrave për paqe, kulturat e tjera bujqesore që jane kultivuar në këtë truall si misër, kungull, fasule, etj., jetën e përditëshme të banorëve, jetën kulturale e sportive, etj.
            Duke dashur të mësoj më shumë rreth Dorchesterit bujqësor informacjoni që morra ishte interesant. Në këtë vend nis historia e disa bimëve evropiane të selitura në Amerikë. Ndër to është dhe kultivari i dardhës “Clapp”. Ky kultivar është krijuar dhe selitur nga ferma e familjes Clapp, në vitet 1830. Kjo familje kultivonte rreth 120 ha me bimët bujqësore dhe ndodhej rreth 200 m larg nga  ku ngrihet sot statuja e dardhës. Dardha Clapp është një dardhë që i ngjan shumë kultivarit “Bartlett”, të cilën e solli nga Anglia në vitin 1799 James Carter dhe kopshtari Enoch Bartlett, banor i këtyre anëve, siç e kishte zakon, i  vuri emrin e vet. Dardha Bartlett quhet në SHBA dhe Kanada kultivari “Williams”. Në në vitin 1985 këto dardhë përbënin rreth 80 përqind të dardhëve të tregëtuara në Amerikë dhe në vitin 2004, zbriti 50 për qind.
            Mesazhet qe na jep monumenti i dardhës së derdhur në bronx janë të shumta: filozofike, artistike, historike, bujqësore, tradicionale, humane, etj.. Dardha si ushqim për njerëzit ka qenë dhe vazhdon të mbetet një kulturë e rëndëshme drufrutore. Sot në botë prodhohen 23-24 milion ton dardhë në vit.
            Dardha ka qenë gjithashtu e kultivuar dhe kultivohet në çdo cep të trojeve shqiptare. Drufrutor tipik për trevat me klimë të freskët dhe të ftohtë, me prodhueshmëri të lartë, me qëndrueshmëri të madhe ndaj parazitëve dhe transportimit. Po, shumë pak është shkruar në Shqipëri dhe pak vëmendje tregohet për këtë drufrutor. Me gjuhën që na flasin të parët, dardhës edhe në vendin tonë i takon një shtatore. Ndoshta dhe një kopësht turistik, ku të jenë selitur të gjitha llojet e dardhëve. Do të ketë vlera edukuese, historike e turistike për të dëshmuar se edhe shqiptarët kanë tradita shumë të lashta në këto veprimtari. Kemi ekotipe dhe kultivarë të përzgjedhur gjatë shekujve, me vlera unike. Nevojitet të mësojmë nga ata që dinë ta vlerësojnë e ta shkruajnë historinë.
            Turistët që vijnë në Shqipëri kanë interes të mësojnë sa më tepër për kulturën shqiptare, qoftë dhe atë bujqësore. Një monument dardhe, ulliri, molle, etj, do t’u tregonte atyre shumë për kulturën tonë të lashtë e të re. Eh, ..këtu mendja të shkon, e ku s’të  shkon. Bimët bujqësore u kanë mbajtur frymën gjallë shqiptarëve gjat gjithë kohërave, kanë bërë të mundur të rregullojnë jetesën e tyre.. Shumë bimë të selektuar nga shqiptarët sot gjënden të shpërndara nëpër botë. Bie fjala me lloin e rrushit “Kallmet” prodhohej vera aq e kërkuar nga Vatikani dhe fqinjët tanë italianë. Historia e kultivimit të bimëve në Shqipëri sjell shumë shembuj të tjerë. Si dëshmi kemi shumë toponime me emra bimësh që të parët tanë i kanë vendosur në rrespekt të tyre sepse i kanë kultivuar me shumicë për të siguruar jetesën. Duhet të mbeshtetemi mbi këtë përvojë të vyer, t’a zhvillojmë e ta çojmë më tej për një zhvillim  ekonomik e bujqësor të qëndrueshëm e fitim prurës.

Origjina, shpërndarja dhe prodhimi i dardhëve
        
Dardhët dhe gorricat përmblidhen në gjininë Pyrus L. (Dardhë). Në këtë gjini  sipas autorëve të ndryshëm bëjnë pjesë 20-75 specje, nga këto rreth 23 janë të egra(gorrica) gjysma të cilave gjënden në Evropë dhe rreth brigjeve të Detit Mesdhe me dardhën e egër evropiane(P. communis L.). Ndërsa gjysma tjetër gjënden në Azi me dardhët aziatike(P. pyrifolia). Vendorigjina e dardhëve nuk është e përcaktuar saktësisht por, dardha konsiderohet si pjesë e trashëgmninisë kulturore të Evropës.  Stjudjuesit(Vavilov, etj. 1951) mendojnë se ka 3-4 qendra të zbutjes ose të domestikimit të dardhëve. Sipas shumë autorëve dardha është domestikuar ose është zbutur rreth 3000 vjet më parë pothuajse njëkohësisht në Azi dhe Evropë. Nuk ka të dhëna ose dëshmi se ka qenë e kultivuar para kësaj periudhe. Për gjininë Pyrus L. supozohet se e ka origjinën në Kinën Perëndimore ultësirën Tian Shan dhe Azinë Qëndrore. Para mijëra vjetëve këto lloje u përhapën në lidje e perëndim të këtyre vatrave(Watkins, 1976). Pyje me dardha të egra mijëra vjet para Antikitetit besohet se ekzistonin në kodra të shpërndara nga Azia Perëndimore deri në Evropën Jugore(A. de Candole, D. Sugar, 2005).
            Që në kohë të lashta me lëvizjen e popullsisë dardhët e egëra janë shpërdarë në të gjithë Euro-Azinë dhe pas shekullit 16-të edhe në Kontinentin Amerikan e në gjithë botën.
Origjina dhe shpërndarja e dardhës në botë
sipas “Natural History Museum”, Londër.

            Të dhënat e para për dardhën na vinë nga Homeri në shek. 9-të PK. tek poema epike e tij “Odisea” ku dardhën e ka cilësuar “një dhuratë e Perëndive” dhe rritej në kopshtin e  Mbretit të Fenikasve së bashku me shegën, rrushin,  fikun, etj. Këtu fillon dhe historia e kultivimit të dardhëve në Evropë. Më pas Teofrasti(370-286) PK është i pari që përshkruan llojet e dardhëve të egra si dhe  tri lloje të kultivuara për të cilat rekomandonte të kishin emra të veçantë dhe, si duhen të kryheshin disa shërbime.
            Sipas J. Janick dardhët kanë qënë frutat më të admiruara nga njerëzit që nga lashtësia e deri ne kohën e sotme. Në shekullin e IV PK., sipas historianëve, në qendrën e domestikimit dhe përmirësimit të dardhëve evropiane, siç e përmendin Greqinë Antike, çfaqet e fuqishme “Mbretëria e Dardanëve” që ishte një nga fiset Ilire. Sipas gjuhëtareve dhe historianëve “Dardani” ose, greqisht, siç gjëndet edhe në shkrimet e vjetra
Δαρδανία”, në shqip do të thotë “Dardhëri” ose, fjala “Dardan” në shqipen e sotme nënkupton “darthëtar”. Pra, sipas të gjitha gjasave këta që mbanin këtë emër duhet të ishin dhe kultivues të mirë të dardhëve në atë periudhë ndoshta, dhe të parët në Evropë sepse, ky fis Ilir këtë emër ka të dhëna se e ka patur shumë më herët, që para ose gjat periudhës së Luftës së Trojës. Nga autorët e asaj kohe Dardania, Kosova e sotme, përshkruhej një territor i mbuluar me dardhë. Hisoria e ka të pa njohur domestikimin e dardhëve në Evropë.
            Kur Romakët e mposhtën Mbretereshën Teuta dhe e kishin të pushtuar Ilirinë(229 PK.), Cato(235-150 PK) përshkruan 6 kultivarë dardhësh që rriteshin nën kujdesin e shtëpijakeve dhe skllevërve, ndoshta Ilirë. Plini, plaku( 23-79 ER.) që i referohen shumë studjues, në veprat e tij voluminoze i ka përshkruar gjerësisht llojet e dardhëve që kultivonin romakët në atë periudhë. Midis tyre gjënden dhe emërtime që tingëllojnë si në gjuhën shqip ose, të përkthyera e të përshtatura në gJuhën latine, lloje dardhësh që në Shqipëri janë përcaktuar si vendase e disa mbajnë këto emëra dhe sot, si: “Narden” (nga shqip e thartë, lëng kumbullash i thartë); “Laurea”( Laurë, figurë mitologjike shqiptare), “Horderia”(përshtatur, elbërore), “Mirapia”(dardhë mirë), “Cucurbitina”(përshtatur, pagure), etj. Origjinën e disa dardhëve që romakët i kishin të panjohura i përcaktonin me origjinë barbare si lloi “Barbarica” ose “Veneria”(Hedrick, etj. 1921)[1]. Me një studim të mirfilltë e serjoz( përkthim më i mirë nga origjinali)  mund që të hidhet dritë për kontributin e shqiptarëve në këtë drejtim.
            Në literaturën botërore grekët dhe më pas romakët njifen si kultivuesit e parë dhe përhapës të dardhëve në Evropë. Gjat periudhës së Perandorisë Romake nga autorë të ndryshëm të kohës janë përshkruar më se 40 varjetete të dardhëve si dhe teknollogjia e kultivimit të tyre.
            Në Francë thuhet se dardhët janë çfaqur në vitin 800 por, është e pa njohur origjina e tyre, disa përmendin grekët, disa romakët dhe të tjerë thonë se dardhët në Francë vinë nga faktorë të pa njohur. Lidhur me këtë enologu francez Gavraniç(1995) në studimet e tij thotë se origjina e dardhëve që kultivohen sot në Evropë është Ilire dhe, jo vetëm dardhët.[2] Kujdesi për kultivimin e dardhëve nga greket dhe romaket gjat mesjetës u shpërngul në qendër të Evropës. Një kopshtar francez që quhet dhe “babai bujqësisë franceze”, Oliver de Serres(1539-1619) në librin e tij “Theatre d’Agriculture”(1608) shkruan:
 "Nuk ka asnjë pemë që të ketë  aq shumë llojshmëri të frutave sa dardha, llojet e të cilave janë të pa numurta e me cilësi të mrekullueshme. Fillojnë prodhimin që gjat muait maj dhe përfundojnë në muain dhjetor. Ato kanë formë, madhësi, ngjyrë, shije, e aromë të ndryshme, të cilat të bëjnë të adhurosh krijuesit e tyre…Me një fjalë një kopësht nuk do të kishte vlera nëqoftëse nuk do të lulëzonin pemët e dardhëve në të.”
            Në vitin 1500 dardha kultivohej gjërsëshit edhe në Angli e rrjedhimisht në të gjithë Evropën. Në vitet 1600-1800 kultivimi dardhëve në Evropë mori një zhvillim të madh. Gjat shekullit të XVII për një kontribut në krijimin e llojeve të reja të dardhëve përmenden francezët, anglezët, belgët, gjermanët, etj. Evropianët kanë dhënë një kontribut të madh në kultivimin e dardhëve, pas vitit 1600 në Evropë janë përshkruar mbi 1600 kultivarë.
            Në Kontinentin Aziatik dardhë janë çfaqur 2500-3000 vjet më parë. Në mesjetë përshkruhen rreth 150 lloje dardhësh kino-japoneze si rjedhoje e zbutjes ose kryqëzimit të dardhëve të egra aziatike si: P. pyrifolia Burn., P. ussurienis Maxim. etj. Në praktikën e përditëshme dardhet ndahen në dardhët me origjinë evropiane dhe dardhët me origjinë aziatike ose kino-japoneze. Tek dardhët aziatike frutat e tyre kanë më shumë leng, janë pak majoshe dhe të forta në ngrënie ndërsa, dardhët evropiane kanë tul të shkrifët si gjalpë, shpesh aromatike dhe janë më të ëmbëla.
            Në Kontinentin Amerikan nuk ka patur gorrica të egra ato që janë sot  janë sjellë nga evropianët. Dardha në këtë kontinent është sjellë nga francezët dhe anglezët rreth viteve 1629 fillimisht në Nju Igland, pjesën verilindore të Amerikës, dhe në Amerikën Qëndrore, si Meksikë, etj. nga spanjollët. Fillimisht erdhën dardhët evropiane dhe mbjellja bëhej me farë, si rrjedhojë pati një ndryshueshmëri të madhe gjenetike e u krijuan genotipe të cilat nuk mund të pershtateshin më kushteve evropiane nga kishin ardhur. Edhe në SHBA si nënshartesë në shek. 19-të përdorej gjerësisht gorrica për të patur bimë më të qëndrueshme ndaj kushteve të mjedisit dhe sëmundjeve.
            Në kontinentin Australian dardhët janë mbjellë për herë të parë në vitin 1767, fidanat u muarrën në qytetin Kep Taun të Afrikës së Jugut. Dardhët në këtë kontinent sot kultivohen më shumë në pjesën Jug-Lindora dhe Jug-Perëndimore të tij. Kurse në Zelandën e Re si datë e mbjelljes së dardhës dhe mollës së parë është viti 1819.
            Sot dardha është një nga kulturat drufrutore më të kultivuara në të gjithë botën. Numurohen gjithësej rreth 5000 varjetete dardhësh por, rreth 100-150 janë të rëndësishme e kultivohen gjërësisht për prodhim.  Ndër varjete më të kultivuara janë 10-15 të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit botëror. Këto janë varjetetet si: Williams(Bartlett), Bosc, Anjous(Beurre d’Anjou), Comice, Nashi(Asian), etj.
            Prodhimi botëror i dardhëve sipas të dhënave që ka FAO, ka ardhur duke u rritur. Në vitin 2012 u prodhuan 23,5 milion ton dardhë, duke zënë vendin e 4 ose të 5-të në prodhimin e përgjithshëm botëror të frutave.

            Ndërsa në Shqipëri ndonse që nga vitet 1930 e në vazhdim janë mbjellë shumë rrënjë dardhë, prodhimi nuk ka qenë ai i pritëshmi. Grafiku i prodhimit tregon se për këtë kulturë nuk është treguar vëmendja e duhur. E kultivuar qysh në lashtësi në Shqipëri dhe Kosovë, dardha ka kushte shumë të përshtatëshme për kultivimin e saj në faqet e kodrave dhe maleve. Duhet të zejë vendin që i takon në prodhimin e përgjithshëm të frutave dhe prodhimit bujqësor në tërësi në zonat paramalore dhe malore sepse është një mundësi që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik e socjal të tyre, që sot po kalojnë një gjëndje të rëndë e shoku.



Etimologji, onomastikë
            Fjala “dardhë”sipas gjuhëtarëve rrjedh nga shqipja e vjetër(PAlb), “darda”,[3] kjo fjalë është  e lashtë sa vetë domestikimi i dardhëve nga njeriu. Studjuesit Hahn, Meyer, Durham, etj. emërin “dardhë” e lidhin me fisin Ilir të Dardanisë që sipas tyre do të thotë “dardhishtë”. Edhe ngushtica e Dardaneleve që lidh detin Marmara me Detin Egje ka lidhje me këtë emërtim sepse sipas historisë mban emërin  “Dardanus” që ishte një prijës i Dinastisë Dardane. Mbreti Dardanus jetoi 3400-3500 vjet më parë. Disa të tjerë e lidhin me qytetin “Dardanus” që ishte afër Trojës, themeluesi të cilit ishte një pasardhës i Zeusit. Gjithashtu sipas A. de Candolle kultivimi i dardhëve në këto territore është shumë i lashtë, në lashtësi mijëra vjet më parë kodrat rreth kësaj ngushtice ishin të mbuluara me dardhë ose gorrica.
            Për shqiptarët fjala “dardha” dëndur shërben edhe si patronim, mbiemër për shumë familje. Vendet me emërtime “dardha” janë të shumta në të gjitha ngulmimet e  shqiptarëve. Nuk ka fshat apo krahinë që të mos ketë disa toponime të tilla. Kjo tregon se ka qenë një kulturë drufrutore ndërshqiptare dhe shumë e kultivuar gjat gjithë kohrave. Në Shqipëri  nga veriu ne jug gjënden rreth 14 fshatra që mbajnë emërin “dardhë”si: “Dardhas” në Mirditë e Pogradec; “Dardhë” në Korçë, Librazhd e Berat; “Qafdardhë” në Berat e Delvinë; “Vodardhë”në Durrës; “Zalldardhë” në Dibër, etj. Toponimet “dardha” gjënden edhe tek arbereshët e Italisë dhe arvanitasit e Greqisë, e kudo ku ka ngulmime të herëshme shqiptarësh.
Fshati Dardhë, Korçë në vitin 1932


Mite, Folk, Art
Në Egjyptin e Lashtë dardha përshkruhet si një frut i shenjtë për Perënditë. Në fenë e Krishtere dardha simbolizon dashurinë e Krishtit ndaj njerëzve. Në Kinë dhe Kore simbolizon jetgjatësinë, drejtësinë, bukurinë(hijeshinë), fisnikërinë dhe tek gratë fat të mirë në jetë e të kesh shumë fëmijë.
            Dardha për shqiptarët shpesh përfaqëson hijeshinë dhe në veçanti bukurinë femërore. Në një këngë thuhet:
Merre furkën edhe dil pas darke,
Ti moj dardha, dardha rrumbullake.
Epo kush t’i puth moj, ato gushë e faqe,
Ti moj dardha, dardha rrumbullake.. etj.
Ose në një këngë dasme thuhet:
Ç’u mbush mali plot me dardhë,
Thotë nëneja janë beqarë,
Në janë beqarë të dalim-o
Syzezën le ta marrën-o..etj.
            Për dardhën shqiptarët kanë shumë fjalë të urta që përdoren si metafora si: “Dardha e ka bishtin prapa”. E çuditëshme kjo thënie e shpeshtë e shqiptarëve për dardhën që tregon se çdo punë, që mund të duket e lehtë e pa telashe, ka dhe pasoja të paparashikuara, zakonisht jo të mira. Pra një histori jo e këndëshme ka ndodhur me dardhët tek shqiptarët. Një tjetër, “Dardha bie ndën dardhë”, që do të thotë se njeriu pa tjetë do t’u ngjajë të parëve të tij.  “Kërkon dardhë në shënëndre”, në shënëndre nuk ka dardha, prandaj kërkon një gjë të pa mundur, ose “po na thotë dardha në shënëdre”, tregon përalla, gjëpura.  Kush rri nën dardhë i ha kokrrat”, përdoret shpesh në kuptimin që një njeri që bën punën merr dhe shpërblimin, ose si ironi, kush rri afër një njeriu që ka pushtet apo para, përfiton më tepër prej tij.  “Një pemë kur s’pjell e presin se i bën hije dardhës”, ku trgon se dardha gjithmonë është një pemë e dobishme për njerëzit. Metaforat që përdoren me dardhën janë të shumta si: “Ka rënë në dardhë”, ka rënë ngushtë. “Do t’i dalin dardhat”, do t’i dalin dallaveret në shesh. “Do t’a hajë dardhën”,do ta pësojë,  “Eshtë rëzuar një herë nga dardha”, e ka pësuar një herë dhe ka vënë mend,  etj. 
           Këto thënie, sipas mendimit tim, duke u bazuar edhe ne historine e dardhës ne trojet shqiptare janë të lashta. Zanafillen e këtyre thënieve mund ta spjegojmë me pushtimin romak. Romaket gjat pushtimit te Ilirisë gjurmonin dardhët e mira dhe të zotet e tyre i merrnin skllevër në Itali pët tu kujdesur per dardhët. Dardha ne Itali është çfaqur pas pushtimit të Ilirisë nga romakët.
            Nëpër dasma ka qenë zakon që nuset kur hynin tek shtëpi e dhëndrit, në oborr, pa zbritur nga kali, u dhurojnë fëmijve të vegjël te fisit të dhëndrit fruta, shpesh edhe nga një kokër dardhë. Fëmijët ja vendosin nuses në prehër.
            Dardha është pasqyruar gjërësisht edhe në artet pamore si pikturë e skulpturë gjat gjithë periudhave që kur ajo është çfaqur. Frutat e dardhës janë gjetur në mozaikë dhe skulptura  të romakëve në rënojat e Pompeit dhe sarkofagët. Në Shqipëri lulja e dardhës por dhe fruti është gdhendur me hijeshi në ikonostaset e kishave. Që nga shekulli i XV e deri në shekullin e XX e në vazhdim piktore të famshëm kanë paraqitur në pikturat e tyre bimë, lule dhe fruta të dardhës. Fernando Botero, një artist i famshëm i shekullit të XX e përdor dardhën në pikturat dhe skulpturat e tij në një stil origjinal dhe unik.
            Dardha është përdorur edhe nga karikaturistët për punët e tyre. Një histori me karikaturat e tyre me dardhë kanë karikaturistët francezë të viteve 1830 Ch. Philipon dhe J. Ignace të cilët e paraqitën kokën e Luis Filipit në formën e një dardhe qe u bë shpejt një metaforë për një administratë të korruptuar. Luis Filipi i dënoi në atë kohë me 6 muaj burg dhe 2000 franga gjobë. Ch. Philipon u mbrojt duke thënë se: nuk është faji im se dardhët i ngjajnë kokës së një Mbreti, në këtë rast dardhët duhet të ndiqen penalisht.
Kush e shkundi dardhënë(Arvanitase) 


Dobitë e dardhës
            Dardhët kultivohen kryesisht për frutat e tyre por, të dobishme për njeriun janë edhe druri, gjethet e lulet.  Druri i dardhës është një dru i fortë por punohet në torno e gdhëndet me lehtësi për skulptura e paisje të ndryshme cilësore. Si i tillë përdoret për përgatitjen e instrumentave muzikorë frymorë por edhe ato me tela si kitara, violina, etj. Merr shkëlqim të mirë e përgatiten mobilje cilësore. Përgatiten lugët për gatime në guzhinë sepse nuk u prish shijen ushqimeve apo të lëshojë aromë në gjellët. Druri i dardhës digjet mirë e çliron nxehtësi. Disa djegin dru dardhe për të hequr erët e rënda e të këqia nga shtëpitë e banimit.

            Dardha është edhe një bimë mjaltëse e mirë. Bletët e çfrytëzojnë si kullotë herët në pranverë por, duhet bërë kujdes sepse dardha është një kulturë drufrutore që preket nga dëmtonjës dhe sëmundje e bëhen trajtime me pesticide të cilat dëmtojnë si bletët ashtu edhe dhe cilësinë e mjaltit. Thuhet se gjethet e dardhës janë pirë si cingare nga evropianët para se të vinte bima e duhanit nga Amerika.
            Nga shqiptarët dardhët e shartuara mbi gorricat spontane janë çfrytëzuar edhe si pemë antierozion në mezhdat apo ledhet e arave. Lëvorja përdorej për të ngjyrosur të leshtat në ngjyrë të murme.
            Fruti dardhës haet si ushqim i freskët, të thara dhe të përpunuara nga industria ose amvisat shtëpijake. Me dardhë bëhen lëngje të ndryshme, komposto, reçelëra, marmalatë si dhe nxirret alkol. Dardha ka përmbajtje të lartë fibre, vitamina B2 , C, E, përmban bakër dhe kalium si dhe sasira më të larta se molla në pektin. Dardha haet së bashku me cipën e jashtëme. Një fjalë e urtë popullore thotë: Mollët qërroi, dardhët numëroi. Në fakt cipa e dardhës ka vlera të mira ushqimore dhe sipas studimeve të fundit përban lëndë antikanceroze dhe antidiabetike. Ngrënia e frutave të dardhës ndikon në përmirësimin e shëndetit të njeriut në këto drejtime:
·      Antikanceroze: Frutat e dardhës kanë përmbajtje të lartë të antioksidantëve të cilat mbrojnë qelizat nga dëmtimet e radikalëve të lirë. Veçanërisht e dobishëme një dietë me dardhë është kundra kancerit të prostatës.
·      Antidiabetike dhe kotrollon peshën: Një ushqim me dardhë mban të ulët sasinë e sheqerit në gjak si dhe përmbajtja e lartë e fibrës ndikon për të ulur peshën trupore.
·      Ul presjonin e gjakut: Anti oksidantët qe përmban dardha ndihmojne edhe në uljen e presjonit të gjakut si dhe godotjeve në tru(stroke)
·      Ul kolesterolin: Përmbajtja e lartë e pektinës në frutin e dardhës ndihmon për të ulur nivelin e kolesterolit.
·      Lufton kapsllëkun: Pirja e lëngut të dardhës e pasur në petkin ndihmon gjithashtu edhe në lëvizjen e ushqimit në aparatin tretës dhe zorrët. Shërben veçanërisht kundër djegieve të stomakut, dispepsisë, gastriteve, koliteve dhe problemeve të zorrës së trashë.
·      Rit imunitetin ndaj sëmundjeve ul temperaturën: Para një infeksjoni nga gripi ose në teperaturë të lartë pirja e nje gote me lëng dardhe ndihmon në rritjen e imunitetit ose e ul temperaturën. Lëngu i dardhës ndihmon qetësimin e fytit të irrituar nga kolla.
·      Lufton osteoporozën: Dardhët përmbajnë nivele të larta të borit. Bori ndihmon për të mbajtur kalciumin e kockave.
·      Anti alergjike: Dardha shpesh nga mjekët rekomandohet si një ushqim anti-alergjik. Një dietë tillë me lëng dardhe rekomandohet veçanërisht për ushqimin e fëmijëve.

Veçoritë botanike dhe biologjike
            Dardha bën pjesë në familjen trëndafilore (Rosaceae) dhe gjininë Pyrus, ku bëjnë pjesë rreth 25-60 specie(sipas autorëve të ndryshëm) të përhapura në të gjithë botën. Në këtë gjini bëjnë pjesë lloje të egra(gorricat), bimë zbukuruese ndërasa shumica i përket llojeve të kultivuara.
            Dardha është një pemë me zhvillim mesatar 3-20 m e lartë, varet nga mënyra e kultivimit. Kurorën origjinale e ka piramidale.  Ka një jetëgjatësi 70-100 vjet, disa autorë e çojnë deri në 300 vjet, varet nga mënyra e kultivimit dhe lloi i dardhës. Sistemin rrënjor e ka të zhvilluar e depërton në thellësi por zhvillohet edhe në shtresat e sipërme të tokës. Trungu zakonisht është i drejtë. Gjethet janë të thjeshta, në formë vezake në të rrumbullakët, anët me një pamje të lehtë të dhëmbëzuara të lëmuara nga sipër dhe pa push. Lulja hermafrodite, del nga sythat lulore ne grup deri 3-8 lule të rrethuara me gjethe, në ngjyrë të bardhë ose trandafili të zbehtë. Lulëzon në prill-maj. Pavarësisht se ka lule dyseksore për dardhën është e nevojëshme të kryhet pllenimi i kryqëzuar. Kjo është dhe arsyeja që disa dardhë nuk frutifikojnë kur janë të veçuara. Fruti eshtë i remë sepse përveç vezores në formimin e tij marrin pjesë edhe pjesë të tjera të lules. Frutat sipas llojeve kane formë e madhesi(4-12 cm) të ndryshme. Frutat sipas llojeve e fillojnë pjekjen në fund të muait qershor deri në muain tetor.

Disa lloje dardhësh

            Dardha përshatet e zhvillohet mirë në zonat kodrinore e malore me një klimë kontinentale. Duron temperaturat deri në - 250 C, temperaturat mbi +350 C e dëmtojnë. Dardha lulëzon herët në pranverë dhe dëmtohet nga ngricat.
Veçoritë Agroteknike
            Dardha kërkon toka të shkrifta, të kulluara e të pasura me lëndë ushqyese. Gjat verës është e ndjeshme ndaj mungesës së lagështisë. Nuk duhet të tepërohet me plehra azotike, plehërimi potasik dhe fosforik bëhet një herë në 3-4 vjet. Mbjellja bëhet me fidana me nënshartesa gorricë ose ftua, varet sipas kushteve të tokës ku do të mbillen. Mbjellja e fidanëve bëhet  gjat muajve dhjetor-shkurt. Futet në prodhim 3-4 vjet pas mbjelljes dhe në prodhim të plotë pas 7-10 vjetësh.
            Sot mbillet në pemtore me distanca rreth 3-4 m. për të lehtësuar  punimet dhe shërbimet agrotekike por, këto pemtore kanë një jetëgjatësi më të shkurtër. Krasitja e dardhës bëhet sipas mënyrës se kultivimit të saj. 


            Dardha është shumë e ndjeshme nga sëmundjet dhe dëmtuesit si: Kroma(Venturia pirina), Njollosja kafe e gjetheve(Fabrae moculata Atk.), Ndryshku(Gymnosporangium sabinea), kanceri bakterial, etj. Nga dëmtuesit mund të përmendim Grerëza e dardhës, morrat, Krymbi frutave, etj. Masat e luftimit ndaj këtyre sëmundjeve dhe dëmtuesave duhet të organizohen drejt mbi bazën e prognoz-sinjalizimit për të patur nje efiktivitet të lartë si dhe për të minimizuar mbetjet e pesiticideve në prodhimin e dardhëve. Kjo harriet në lidhje të ngushtë me qendrat e prognozës dhe në këshillimin e vazhdueshëm të specjalistave të bujqësisë.


Përgatiti
K. Mosko


Literatura
1. “Bimët dhe Shqiptarët” Lufter Xhuveli, Tiranë, 2012
2. “Flora Eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri- Tiranë, 1981
3.  V. Orel “Albanian etimological Dictionary” Leiden-Boston- Koln, 1998
4. Plants profile.  http://plants.usda.gov/java/
5. “Pemtaria” Shtëpia e botimit të librit universitar Tiranë 2012
6. “Molla dhe Dardha” nga A. Çiçi Tiranë, 1956
7. Natural History Museum – Seeds of Trade: Pears.
8.
Hedrick, U.P. 1921. The pears of New York. J. B. Lyon, Albany, New York.
9.
“The Pear in History, Literature, Popular Culture, and Art”  by Jules Janick
10. . “Roli Pellazgo-Ilir në Krijimin e Kombeve dhe Gjuhëve Evropiane” E Kocaqi Tiranë
11. “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” Tiranë, 1985
12. “Semundjet dhe dëmtuesit e pemëve frutore” Tiranë, 1972
13. “
Boston Art Commission” - Dorchester Voices/ Dorchester Histor




[1]The Pears of New York”, Part 2 By U. P. Hedrick et al , Albany 1921
[2] “Les vinsmets et alcohols des pays de la loire”
[3] .  V. Orel “Albanian etimological Dictionary” Leiden-Boston- Koln, 1998