Monday, 8 April 2024

HAJDUTËT E KOHËVE TË TURBULLTA

Çfarë i ndodhi atë ditë të zezë gushti familjes Mosko në Selckë

 


nga Koço MOSKO

Boston, Ma-SHBA

 

Ishte mëngjes herët, 16 gusht i vitit 1942, kur çeta e hajdutëve,  e përbërë nga pesëdhjetë vetë, siç pohon edhe Ilo Kosta, dëshimtar i kohës, u nissen nga Gjirokastra dhe u gdhinë në Krinë, pastaj herët, u nisën për në fshatin Selckë me piksynimin për të grabitur familjen e Dhimitër Todho Moskos. Unë jam nip i Dhimitër Moskos dhe ngjarjen e kam të regjistruar në memorie time sikur ka ndodhur dje. 


Ishte një gjëmë që tronditi gjithë krahinën. Dhimitër Moskon, ose siç e thërrisnin në fshat Miçe Todho (Mosko) e njihnin të gjithë si njeri të ndershëm e shumë punëtor.  Nëna dhe xhaxhai im e kanë përjetuar rëndë atë ngjarje dhe ata deri vonë e përsërisnin shpesh këtë ditë kobzezë. Në këtë shkrim unë do t’ju rrëfej atë çfarë më kanë thënë nëna dhe xhaxhai im. Duke e dëgjuar shumë herë prej gojës së tyre më duket sikur edhe unë kam qenë prezent atje në atë ditë.


Çeta e hajdutëve arriti në afërsi të fshatit Selckë në mesditë. Xhaxha Ksenua tregon se kishte dalë për një punë dhe kur po kthehej në shtëpi vuri re tek kroi i fshatit dy njerëz të huaj. Kroi ishte pothuajse ngjitur me portën tonë. Ksenua dyshoi dhe mendoi se ata ishin hajdutë. Në brez kishin bomba dore. U kthye dhe me vrap shkoi për tek motër Gathua, në shtëpi të saj, duke i thënë që të lajmëronte vëllain, Andrean  dhe burrin e saj, Noton, të cilët ishin tek dyqani i Andresë, në mëhallën e Rëzate. Ata duhet të vinin sa më shpejt në shtëpi se po afroheshin kusarët, duke e kujtuar që të bënte gati edhe dyfekët. Gjithashtu nëna ime tregon se gruaja e gjysh Dhimitrit, me emrin vajzërisë, Rina ose Katerina Kori, nga fshati Mingul, ishte gruaja e dytë e tij. Të gjithë në familje, në respekt të kësaj gruaje, i flisnin Cice. Ajo kishte dalë për të përcjellë bagëtinë në kullotë në mal, ose ndoshta e kishte dërguar gjyshi për të marrë vesh saktë për çfarë i tha Ksenua. Jo shumë larg shtëpisë sonë, mbrapa një kodre, të quajtur “Kunj” vërejti, siç tha ajo, mizëri njerëzish të armatosur e të pajisur me mushka. Ajo pyeti njërin prej tyre:

- Për ku kështu, mor djema?! 

- Kemi një punë me Dhimitër Moskon, - u përgjigjën ata. 

Si grua e mençur që ishte, e ndjeu rrezikun e madh që i kanosej familjes së saj. U bind që ata ishin kusarë; kishin ardhur për ta vjedhur e bastisur shtëpinë e saj.  Gjoja si pa u menduar dhe pa interes u përgjigj:

-  Me sa di unë, mor djem, sot ai nuk ndodhet në shtëpi, ka shkuar tek njerëzit e gruas në fshatin Mingul. Kanë dasëm.


Këtë mashtrim të saj hajdutët e besuan nga që Cicja dukej si një plakë fisnike dhe nuk ngjallte dyshime, ata nuk e  kërkuan Dhimitrin me ngulm përsa kohë ndenjën në Selckë. Cicja shmangu kështu torturat që hajdutët do t’u kishin bërë familjarëve të Dhimitrit, duke i detyruar të tregonin se ku ai fshihej.

 

Hajdutët aty po çlodheshin duke biseduar me zë të ulët. Po thurnin planin e grabitjes. Në fillim ata e rrethuan fshatin nga të katër anët, duke kapur pikat strategjike. Në çdo pikë ata vendosën nga 2-3 pjestarë të tyre: në Shëne Premte, në Dardhë, në Lëmpeç, në Poligjen si dhe në Majën e Kunjit. Nëse dikush nga fshati do të reagonte, ai patjetër që do të gjendej midis një zjarri të kryqëzuar.

 

Ndërkohë Cicia shkoi me nxitim në shtëpi dhe u tregoi se çfarë pa e dëgjoi pas Kunjit. Gjyshi e ndjeu rrezikun e madh që i kanosej. Ishin kohë të turbullta e të veshtira. Luftë, ende pushtuesit ishin nëpër këmbë.

- Ata kanë ardhur për të vjedhur, janë kusarë, sepse kemi nam të  madh që jemi të pasur, -   tha gjyshi dhe u nxitua të ikte me shapka në këmbë, duke hedhur edhe një pallto të vjetër krahëve që të mos e njihnin. Djamëve të tij, Andreas dhe Ksenos u tha:

-  Bëni sa të mundni, po në radhë të parë ruani kokën tuaj


Andrea, majtas dhe Ksenofoni
djathtas, ne vitet 1950. 
Porsa gjyshi doli te rruga, hajdutët arritën. Ata e panë, por nuk e njohën kush ishte. Gjyshi shkoi dhe u fsheh në shtëpinë e vajzës së tij, te hallë Gathua, që nuk ishte shumë larg prej shtëpisë tonë. 

Në shtepi ngelën dy djemtë, Ksenofoni dhe Andrea, të cilët ishin rreth të njëzetave, si dhe Cicja dhe nëna ime me vëllanë një vjeç në gji, Dhimon.  Femijët dhe gratë u fshehën ne katua, ku mbanin lopën, qetë e punës dhe mushkën. Babai im,Vasili, ishte në Vlorë me bizneset e tij. Kur binte fjala për këtë ngjarje ai thoshte:  

 - Më mirë  qe su ndodh atë ditë se do ishim vrarë.   Andrea dhe Ksenua mbyllën mirë dyert me katara e hekura; si dhe morën armët, fishekë e bombat e dorës që kishin në shtëpi, pasi, sikundër thashë, ishte kohë lufte. Rreth shtëpisë kishin fshehur shumë municjone, edhe sot ka gjasa që mund të gjenden nëpër ovoroje.

 

Me një fjalë, shtepia jonë ishte si një kështjellë e vërtetë, e rrethuar me ovoroje të lartë. Ajo ka një pozicion strategjik të favorshëm për t’u mbrojtur në rast rreziku.  

Hajdutët erdhën tek porta e madhe dhe thirrën:

-  Hapeni portën! Jemi komunista.

Vëllezërit Mosko nga brenda u përgjigjën:

-  Nuk u besojmë.  Portën nuk e hapim.

Kaloi rreth gjysëm ore me këto shkëmbime kërcënimesh.  Më në fund hajdutët thanë:

- Le të dali një nga ju t’i japim një pusulle (copë letër).

Dolli Andrea te ovoroi i portës dhe e mori letrën. Në letër ata kerkonin 250 napolona flori dhe 250 napolona lekë.  Nuk e pranuan, duke u thënë:

-  Ne nuk e kemi këtë shumë që kërkoni ju.

Hajdutët u menduan rreth gjysëm ore, dhe më në fund zunë pozicionet për luftim rreth shtëpisë. Filluan të gjuajnë me armë e të hedhin bomba dore, nga të gjitha drejtimet. Më shumë për  t’i frikësuar. Dy vëllezërit u përgjigjën me të njëjtën monedhë, me të shtëna me dyfekë nga dritaret, për t’u dhënë të kuptonin se nuk do ta kishini të lehtë për t’i nënshtruar. Po bëhej me të vërtetë një betejë e ashpër. Nga fshati u dëgjuan disa krisma të vetmuara, në ndihmë e solidaritet të vëllezërve Mosko. Ishin moshatarët e tyre si: Ndone Gjika, Pilo Litja, Gole Thanati (plaku) e ndonjë tjetër.

 

Ishte ditë e hënë dhe seliciotët ishin shpërndarë në punët e tyre, prandaj pak njerëz ndodheshin në fshat. Por edhe këto krisma u rralluan deri në bllokim. Natyrisht që fshatarët kishin frikë, duke parë se kishin të bënin me një çetë hajdutësh të organizuar dhe të armatosur mirë. Fshati në atë kohë mund të nxirrte gjithësejt rreth 20-30 pushkë për të luftuar, ndërsa hajdutët ishin shumë, rreth 50 veta. Ksenua dhe Andrea, djem 20 vjeçarë, ishin të vetëm përballë këtyre kusarëve të pashpirt. Këta dy djem kishin marrë përsipër një barrë të rëndë mbi supet e tyre të njomë. Ishin duke u përballur me një çetë të egër hajdutësh të regjur e të sprovuar në luftime.

 

Në fillim gjuajtën edhe nga shtëpia e hallës, por një nga hajdutët u foli:

- Panajot, mos gjuaj, e dimë kush je.

Siç duket hajdutët kishin edhe informatorë. Gjyshi dhe burri i hallës u trembën se mos hajdutët vinin dhe e gjenin gjyshin, prandaj dhe e ndaluan zjarrin. Hallë Gathua me gjyshin vështronin lufimin nga dritaret e shtëpisë dhe qanin nga frika se mos vriteshin djemtë. Gjyshi thoshte:


- Ç’më duhet mua gjëri e pasuria pa djemtë, - dhe mbante kokën me duar. Nuk dinte si të sillej dhe çfarë të bënte. Ç’qe kjo gjëmë që e kish gjetur familjen e tyre?! Ai pasurinë e kishte bërë me punën dhe djersën e tij, me mundime të medha. Kishte një dyqan fshati me artikuj të përzier. Lidhjet në Gjirokastër i kishte me Mino Mezinin.  Mbante 200 koshere bletë, ndërkohë që nuk kishte askush tjetër në fshat këtë pasuri. Kishte hardhi të hedhur në shtretër, të kultivuara mirë; bënte verë e raki. Kishte pemë frutore:  mollë, arra, dardhe, fiq, bajame, etj. Kopshtet i mbillte për çdo vit me perime. Ishte një bahçevan i mrekullueshëm. . Kishte një apo dy hektar tokë ku mbillte grurë, misër, fasule, patate, etj. Mbante edhe rreth 30 kokë bagëti të imta, si dhe pula e një derr. Kishte lopë, qetë e punës si dhe një mushkë, ashtu si çdo fshatar punëtor që rronte me djersën e vet.

 

Gjyshi ishte terezi, bënte një punë artistike qepte dhe qindiste veshjve popullore burash e grash, cohë e flokate, jelekë, xhupa, etj. Këtë mjeshtëri e kishin të trashëguar brez pas brezi. Gjithashtu kishte çelur përkohësisht edhe një dyqan në Nokovë me villan e tuj për qepjen e kostumeve popullore lunxhiote. Gjatë kohës së Mbretërisë gjyshi ishte zgjedhur edhe kryeplak i fshatit.  

 

Dhimitër MOSKO(Miçe TODHO)
( 1879 - 1953)
Kjo ishte pasuria dhe “Parajsa” e Miçe Todhos (Mosko). Lanet qoftë kurbeti; ç’e donte Zvicrën, ai kishte krijuar me shpatullat e tij, pa mashtruar e vjedhur, pikërisht atje, në shkrepat e shkëmbinjtë e Kunjit, në Selckën malore të Lunxhërisë, gjithë këto të ardhura dhe begati. Ai dha shembullin se me djersë e punë mund të jetohet mirë edhe në male. Ishte një model i mirë punëtori, bujk, pronar e tregëtar, jo vetëm për ato vite, por dhe për kohën që jetojmë. Biznesi i vogël e i mesëm sot është shumë i rëndësishëm, jetik edhe për ekonomitë e shteteve të mëdha e të zhvilluara. Mirëpo njerëzit bëheshin xhelozë për këtë lloj jetese e pasurie që kishte vënë gjyshi. Tani mund t’i vrisnin edhe djemtë para syve të tij. Hajdutët u nisën nga anë e anës, për ta vjedhur; ndërsa komunistët kur morën pushtetin, në vitin 1950 tentuan ta shpallnin kulak. Po kjo është një histori për një shkrim tjetër. 

Gjyshi ndiqte luftimet e djemve të tij nga dritarja, me duart në kokë, siç treguam më sipër. Qante si fëmijë, i lutej e i lutej Zotit me përgjërim. Ishte një mëkat i madh, një maskarallëk i pashoq t’i bije në qafë këtij plaku lunxhiot të urtë, të ditur, punëtor e fisnik, që kishte ndihmuar dhe shumë njerez në nevojë.

 

Luftimi zgjati rreth 3-4 orë. U shkrehën qindra fishekë e dhjetra bomba dore. Struktura dhe pozicioni i shtëpisë ishte i tillë që nga ana e sipërme nuk kishte shumë mundësi që ta kontrolloje.  Hajdutët vendosën të shqyejnë derën nga nga ana e malit dhe hynë brenda mureve rrethues. U ngjitën me këmbë e duar mbi çatinë e magjirjosë.

 

Dy vëllezrit qëllonin midis dërrasave papushim ngaqë magjirjoja nuk kishin tavan.  Më në fund, një hajdut arriti të hedhë një bombë nga vrima ku dilte tymi i oxhakut. Bomba ra në  kazanin e salcës që vlonte në zjarr. Kazani shpërtheu së bashku me salcën dhe ajo u shpërnda në gjithë magjirjonë, deri në trarët e çatisë, por lavdi Zotit nuk u plagos njeri. Njeri nga hajdutët sokëlliti:

-  Dorëzohuni, se do t’ju djegim si minj brenda të gjithëve, do t’u hedhim bomba djegëse!

- Ju do të mbeteni kërma në këtë brinjë! – ishte aty për aty përgjigja nga brenda shtëpisë.

Andrea mori shenjë midis dërrasave të çatisë dhe hajduti u plagos në këmbë. Thirri i lebetitur:

-       O nëna ime, më vranë! U rrëzua nga çatia duke tërhequr bran edhe ca dërrasa guri. Aty e morën shokët në krahë. 

 

Dy vëllezërit ishin sypatrembur, u vlonte gjaku i rinisë dhe nuk ua bënte syri tërr. I përgjigjeshin zjarrit me zjarr sa më të dëndur të ishte e mundur. Mbi derën e magjirjosë qëllohej nga te dy anët, nga brenda shtëpisë dhe nga jashtë. Më në fund u shqye një dhogë nga të derës. Nga ajo hapësirë kryqëzoheshin veprimet e të dy palëve. Vëllezërit Mosko nuk kishin ndërmend që të dorëzoheshin. Për një çast hajdutët e ndaluan zjarrin. U dëgjua një zë:

-       O Ceno, - i thërrisnin Ksenos. - Ndalni dyfekët! Dëgjonani ne! Nuk kemi ardhur për t’u vrarë juve, as për t’u marrë shtëpinë. Nëse doni të më vrisni, po e fut dorën te vrime e derës dhe premani. Betohemi për Krisht e për Muhamet e për gjuhën tonë shqipe qe e kemi të përbashkët. Hapeni se nuk u bëjmë gjë, u japim fjalën. Nëna për këtë tregon se Ksenua me hajdutin që futi dorën te vrima e derës, e thërisnin kapiten Esat.  Pinë gjakun e njeri tjetrit, kështu zihej besa atëherë. U bënë vëllamër.


Ashtu siç treguam më parë, Selcka ka terren të vështirë, rrëpira, shkëmbinj, gryka e shpella të pakapërcyeshme nga të katër anët. Këtë e dinin mirë vendasit, por edhe hajdutët. Është e njohur qëndresa e një xhandari, me një mitraloz  kundër forcave të ushtrisë greke në Luftën e Dytë botërore. Një i vetëm zbrapsi një ushtri të tërë e cila u detyrua të ndërronte rrugë e të pozicionohej në majën e malit Marota. Ai vend më vonë u quajt “Shpella e Xhandarit”. 

 

Gjatë atyre orëve të shkëmbimit të zjarrit dukej se diçka kishte lëvizur. Me sa dukej gjyshi nuk kishte qëndruar duarkryq. Me siguri dërgoi njerëz tek  miq të tij, duke kërkuar ndihmë. Sa më shumë që zgjaste rezistenca, aq më shumë u hynte frika hajdutëve nga rreziku i ndonjë sulmi të paprituri. Më vonë, shumë bashkëfshatarë hamendësonin se gjyshi duhet t’u kishte dërguar ndonjë kërcënim krerëvë të çetës se nuk duhet të ketë viktima, ndryshe prej atyre honeve e shkrepave nuk do të dilte njeri i gjallë. Hajdutët e ndjenë rrezikun. Sa më tepër të zgjatnin luftimet, aq më shumë viheshin në rrezik, prandaj ndërruan taktikë.

 

Dy vëllezërit u menduan. Hajdutët kishin rrethuar komplet shtëpinë dhe kishin fituar boll terren. Gjithashtu ishin të shumtë në numër. Situata nuk ishte aspak në favor të rezistuesve. Një bombë djegëse të hidhnin hajdutët nga ajo hapësira boshe që ishte hapur në derën e magjirjosë, do digjeshin të gjthë të gjallë, me gjithë shtëpinë. Vëllazërit Mosko e ndaluan zjarrin luftarak dhe vendosën të hapin derën.

 

I pari u fut kapiten Esati i cili u përqafua dhe u puth me Ksenon, pastaj edhe me Andrenë.  Kështu bënë edhe njëzetë hajdutët e tjerë të cilët hynë në shtëpi njeri pas tjetrit.  Të dy palët ndjeheshin të lumtur se pas gjithë asaj beteje nuk patën viktima. Pas pak vjen një hajdut tjetër, pak i zeshkët, duke bërtitur me të madhe:

 - Shpejt paratë se u vramë të gjithëve!

Vëllezërit iu përgjigjën:

-  Shpirt kemi, edhe mund të na e merrni, por para nuk kemi.  
-  Po babai juaj, ku është? Pse u fsheh?!

-  Babai ka dy ditë që ka ikur në Mingul të Lunxhërisë.

Këtë përgjigje hajdutët e besuan sepse ua kishte thënë më parë edhe Cicja e shtëpisë kur i ndeshi në rrugë.

Kapiteni i bërtiti zeshkanit:  

 - Mos u sill keq me këta!

Hajduti zeshkan, kuptohet, i zi nga zemra, hoqi brezin e mesit prej leshi dhe i lidhi dy vëllezërit te kanapeja e divanit. Kapiten Esati deshi ta ndalonte. Ata midis tyre u përleshën fizikisht. Ndërhynë hajdutët e tjerë e i ndanë. Hajduti zeshkan iu kthye të dy vëllezërve dhe u tha:

-  Ty Ceno do të të marr peng në mal, ty Andrea do të të lëmë këtu që të gjesh të hollat e të na i sjellësh atje lart. Atëhere do t’ua lëshojmë Cenon.

-  Ashtu, ashtu! -  bërtisnin në kor e gjithë çeta e hajdutëve.

Kurse Andrea u përgjigj:

-  Ne nuk kemi para. Po deshët merrmëni edhe mua. Të paktën lernani afat nja dy javë derisa të shesim bagëtinë e arat me qëllim që t’u japim paratë që kërkoni.

Ndërhyri përsëri kapiten Esati që rrinte ulur në krye të odait.

- Zgjidheni Cenon se do vijë me mua.

Ndërsa Andresë i vunë pranë dy hajdutë që ta ruanin. 

Dy hajdutë të tjerë morën Ksenon dhe u nisën për te shtëpia e Siko Sinanit (Naqo). Kjo familje ishte shumë e pasur; kishte shumë biznese tregtare të mëdha në Vlorë. Në shtëpinë e tyre ishin vetëm dy gra, nuk ndodhej asnjë burrë, të tjerët ndodheshin në Vlorë.  Ksenua u fut në oborr dhe lexoi një letër që ia kishin dhënë hajdutët. Kërkonin 300 napolona flori. Si dëgjoi këtë kërkesë, gruaja e Siko Naqos, pyeti Ksenon:  

- Si të bëj tani?

 - Nuk e di ç’të të them. Edhe me ne këtë gjë po na kërkojnë, - ishte përgjigjia e Ksenos.

Djalit i shkoi nëpër mend se shtëpitë e Sinanatëve (Naqajve) kishin një derë të vogël nga sipër, nga mund të arratiseshe, por kujtoi vëllanë, Ndrikon dhe të tjerët. Hajdutet po bërtisnin me zë të lartë:

- Shpejt! shpejt, Ceno!  

E zonja e shtëpisë nxorri nga vrimat e katoit një qemer (brez) që mund të kishte rreth 80 napolona flori. Xhaxha Ksenua tregon:  

“Unë u mërziat shumë, jo për Naqajt që u morën florinjtë, se ata nuk e kishin për gjë këtë shumë, por në ç’duar do të shkonin ata florinj. 

Hajdutët i morën monedhat e arta dhe ikën. Diku qëndruan për t’i nëmuruar. Xhaxha Ksenua, kur po i nxirrnin monedhat nga qemeri, u tha  hajdutëve:
 - Më jepni dhe mua një, për kujtim. 

Hajduti iu pergjigj:
 - Po do flori, merr një pushkë në krahë dhe eja me ne!

Me tutje Ksenua tregon: “U kthyem tek shtëpia jonë, ku prisnin hajdutët e tjerë dhe me duar të lidhura nisëm të marrim rrugën për në mal.” Ksenua nguli këmbët si mushkë e nuk bënte përpara.  Ata e tërhoqën zvarrë. Pas Kunjit hajdutat ndenjën pak për pushim. Ksenua, shfrytëzoi pakujdesinë e tyre dhe u iku me vrap më të poshtë brinjës së malit, mirëpo u rrëzua nëpër gurë. Atëhere u shtri si i vdekur. Po e merrnin zvarë.  U shfaq kapiten Esati.

-  Çfarë po bëni kështu?  Ai është keq, si do ta çoni në mal, apo doni t’u vdesë në duar?! Çojeni në shtëpi!

Hajdutët ashtu bënë. E morën Ksenon në kurriz dhe e përcollën për në shtëpi. Hajdutët, me sa kuptohet, ishin të kënaqur me plaçkitjen që i kishin bërë shtëpisë sonë. Ksenua hiqej si shumë i sëmurë. 

 

Ata bashibozukë morën çfarë u zuri syri nëpër hambare e sënduqe; rroba, kostume, orendi shtëpiake, vegla pune, shumë antikuarë, kusi e tepsi si dhe në fund plaçkitën dyqanin. Gjetën disa napolona floriri si dhe ato çfarë kapën nga arka e dyqanit, xhiron e atyre ditëve. Një gjë më ka berë pershtypje. Andrea shikonte kete plaçkitje dhe  kur vajten tek sënduku i pajës se nënës time ,ai u tha.: 

 - Aty jane rrobat e vëllait , Sikos që ështe në Vlorë., - dhe ata çuditërisht nuk ngacmuan as një majë gjëri e kujtonte nëna gjithënjë. 

Nëna, xhaxhai dhe gjyshi nuk na kanë thënë se hajdutët morën edhe florinj. Hajdutët ngarkuan rreth dyzet mushka me plaçka. Nëna me Cicen dolën nga katoi kur u largua gjithë çeta e kusarëve. 

Për këté ndodhi fshati ngritI dhe një kënge e cila nuk më kujtohet e gjitha:

 

Të hënën në mesditë,

Prite, o xha Miçe, prite, 

Prite, o për Perëndinë, 

Dyzet hajdutë të vijnë


Dyzet hajdutat i pe 

Nëpër duar qysh ike

Djemëve porosi u le

 

O djema  bëni si dini

Se ndihma nga fshati s'kini...

 

Familja Mosko nga kjo plaçkitje nuk e mori veten për një kohë të gjatë. Kaluan shumë netë pa gjumë duke kujtuar çfarë u ndodhi. Ksenofoni doli partizan në Brigadën e VIII-të Sulmuse e cila u themelua në Sheper të Zagories, ndërsa Andrean e morën fashistët gjermanë rob dhe e internuan në Gjermani. 

 

Ndodhi, çfarë ndodhi, banorët e fshatit Selckë i rezistuan shkatërrimit të luftrave, okupatorëve dhe atyre kohërave të errëta me vrasje e hajdutë. Nuk e braktisën kurrë Selckën. Çuditërisht, braktisja e fshatit po ndodh sot, në periudhën e “demokracisë”, si në fshatin tim, ashtu edhe në çdo fshat të Lunxherisë, Pogonit, Rrëzës, Kurveleshit, Dropull e Zagorie. Dhe kjo ndodh nga papërgjegjësia, neglizhenca dhe çorganizimi i çdo qeverie, si të majtë, ashtu edhe të djathtë të cilët vetëm plaçkitin pasuritë e Shqipërisë, njëlloj si çeta e hajdutëve të 16 gushtit të vitit 1942 në Selckë. 

 

Ulërimë, gjëmë e shkuar gjëmës, po boshatiset e gjithë Shqipëria. Në regjistrimin e popullsisë që është bërë në fund të vitit 2023 nuk është publikuar ende rezultati, por thuhet nën zë se nuk ka mbetur më shumë se 1,5 milionë banorë në vend, nga 3,5 milionë që ishim në vitet 1980-të të shekullit që lamë pas. Kjo është fatkeqësi kombëtare, gjëmë e kaluar gjëmës. Po vihet në pikëpyetje ekzistenca jonë si komb. T’i thërresim mendjes sa nuk është vonë! Sidomos ata që qëndrojnë në majë të Piramidës!

 

 

 

3 comments:

  1. Respekte dhe faleminderit shume per kete informacion historik jo vetem per familjen tuaj dhe selcken por per gjithe historikun e Lunxherise. Respekte!
    Dilaver Goxhaj

    ReplyDelete
  2. Ju falenderoj i nderuar

    ReplyDelete
  3. Të lumtë Koço për paraqitjen artistikisht të realitetit kriminal të kẽsaj grabitjeje prej një çete hajdutẽsh të srmatosur në Selckẽn Paqẽsore, me objekt grabitjeje të Shtẽpive të Ndritura me nẽ Ball Gjyshin tẽnd tamam Zot Shtẽpie me truall, kafshẽ pune dhe shpendẽ e bagẽti, model i Shqiptarit me BESË TË NDẼRGJEGJSHME TẼ VETẼVETISHME, KOHEZON I SHQIPTARISẼ. Rrukullima aktuale i ka rrẽnjẽt tek SHPRONẼSIMI BOLSHEVIK.

    ReplyDelete