Friday 19 November 2021

TAKIM ME AGRONOMIN SHQIPTARO-AMERIKAN KOÇO MOSKO



Koço MOSKO



Në Vashtëmi, Korçë ndodhet një nga “fermat” e para në Europë ku njerëzit u morën me bujqësi, 8500 vjet më parë. Pak shqiptarë e dinë këtë sepse bujqësia nuk është pjesë e psikës shqiptare.

Agraniarismi sipas encikopedisë britanike është ajo perspektivë apo rrymë që në filozofinë politike e sociale i jep rëndësi bujqësisë familjare, pronësisë mbi tokën e decentralizimin politik.

 

Ai i ka rrënjët në Romën e Greqinë lashtë duke filluar me Hesiodin që e lidhte moralin e mirë me punën në bujqesi, me romakun Cato që na la manualin e parë bujqësor e që thoshte “burrë i mirë është vetëm ai që merret me bujqësi e jo me tregti e fajde”, e duke vazhduar me Virgjilin i cili me veprën tij Georgics frymëzoi dhe rilindasit si Naimin. Ai e shikonte bujqësinë si rruga që Shqipëria të dilte nga errësira otomane. 

 

Presidenti Jefferson ishte i pikëpamjes së bujqësia, e jo industria formon karakterin e njerëzve të lirë. Përveç tij kemi dhe shumë presidentë të tjerë të lidhur me bujqësinë si Lincoln, fermerin e kikirikëve Jimmy Carter, deri te Clinton, e Bush i cili e kishte kthyer ranch-in e tij në një “Shtëpi të Bardhë në perëndim”

 

Agronomi Koço Mosko është ndoshta agrianaristi i fundit shqiptar. Ai jeton tani prej shumë vitesh në Amerikë pasi ka dalë në pension në Shqipëri si agronom në vitin 2002, e pas një jete të tëre me punë e studime në bujqësi. Në kohen e tik tokut, instagramit ai ka ndërtuar një blog të sukseshem, “bota-bujqesore”, një mini enciklopedi për bujqësinë shqiptare, por dhe për traditat, natyrën, kulturën. Por, këto janë pjesë e pandarë e agrianarizmit.

 

Ndoshta kjo vjen si shtysë nga fakti që jo vetëm ajo dëshira e rilindasve u realizua përgjysëm me Shqipërinë e pavarur, sepse ajo mbeti shumë e varfër e veçanërisht fshati. Edhe sistemi socialist nuk arriti të ndërtojë një bujqësi moderne për të mbyllur fazën agrare të Shqipërisë. As periudha e tranzicionit e cila ka si themel socializmin nuk po arrin të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm në bujqësi, ushqim e natyrë. Ne sot quajmë investitorë atë që ka para e nderton një pallat ngjitur me një pallat tjetër, ndërsa për njerëzit të cilët kanë investuar punën, njohuritë, kohën dhe shpirtin për një jetë më të mirë të tyren dhe të tjerëve si i quajmë?

 

Na ndihmon të shkëmbejmë me pak fjalë me agr. Mosko . 

           Ju keni përjetuar dy sisteme ekonomike, e tani jetoni në Amerikë. Keni punuar rreth 35 vite agronom në Shqipëri, 1975 – 2002. Sikur të ishit 25 vjeç, e të kishit një fermë tuajën në Shqipëri, çfarë do të bënit ?

 

K.M. Të kesh një fermë, është dëshirë e çdo agronomi. Kemi punuar e sakrifikuar shumë në sistemin e ashtuquajtur socialist. Brezi ynë ka kontribute të veçanta për ushqimin e shqiptarëve. Kemi luftuar me mish e shpirt për të mposhtur urinë e tejskajshme të viteve 1950-1960. Nga 7-10 kv/ ha grurë që e gjetëm bujqësinë e katër-pesëfishuam rendimentin. Arritëm të marrim mbi 30 kv/ha, në misër; nga 12-16 kv/ha që e gjetëm e çuam rendimentin në mbi 60 kv/ha. etj. Kjo me një punë shumë të madhe, sepse kishim vështirësi e mungesa në: mekanikë, ujë, plehra, infrastrukturë, sistemime, etj. Planet diktoheshin nga lart të pastudjuara, të pambështetura, shto këtu dhe direktivat e pakuptimta të Ministrisë së Bujqesisë e Partisë shtet: si kubikët, mbledhja e fekaleve, përqendrim-specializimi i perimeve, etj. Një vështirësi të jashtëzakonshme na krijonte edhe plani i hapjes së tokave të reja i cili vinte shumë i lartë. 


Rezultatet e mira i arritëm sepse ishim të mirëformuar me dije dhe me shkencën agronomike, falë pedagogëve tanë fisnikë e diturakë, të diplomuar në shkollat më të mira të Europë. Diploma jonë e fakultetit të agronomisë në IBK njihet edhe këtu në Amerikë, shumë rallë ndodh në Shqipëri me diplomat e profesioneve të tjera dhe rallë në Ballkan të diplomuarit nga universitetet bujqësore.
Drejtimi që ferma ime do të merrte, nëse do ta kisha, do ishte në përputhje me kushtet klimateriko-tokësore. Kam eksperiencë të gjatë, sigurisht në mbrotjen e bimëve, drithrave, pemëve frutore, vreshtave dhe perimeve, tani, këtu në SHBA edhe për lulet.

 

Nga përvoja juaj si mund të jetë një fermë ideale në Shqipëri sa e madhe, çfarë kulturash, sa punonjës, mjetet, etj?

 

K.M. Nga vetë origjina ime prej fshati malor, qysh në fëmijëri kam qenë i përkushtuar i gjithi ndaj Natyrës, kështu dëshiroj të kontribuoj në përmirësimin e parametrave jetësorë të saj për t’ua lënë brezave të pacënuar, pse jo edhe të përmirësuar. 


Kanë qenë dy kopshte me rreth 4-5 ha secili, në qytetin e Gjirokastres: Alizani nga ana e veriut dhe Xhemaliu nga jugu. Ishin kopshtije me pemë, perime e gjithë llojet e bimeve, mbanin edhe disa bagëti. Kishin një organizim të përsosur shumë modern për kohën e bëhen të lakmueshem edhe për kohën tonë të sotme. Në atë periudhë shumë i lakmuar, i stolisur bukur ka qenë edhe “Kopshti i Beut” në Libohovë. 
Dëshira ime do të ishte të kisha një fermë komplekse sipas kësaj tradite. Madhësia e fermës mendoj se mund të ishte 15-30 ha. Do të kultivoja llojet e pemëve vendase, të trashëguara dhe do të përzgjidhja farërat më të mira të traditës të bujqëve autoktonë. Do të mbillja edhe pemë të egra ose gjysmë të egra si thanë, mana, ndonjë lis a lofate për ushqim kafshësh, etj. Mendoj se do të nevojiteshin rreth 30 punëtorë gjatë gjithë vitit. Një park me mjete mekanike e agregatë bujqësorë, të paktën dy-tre traktorë, makina transporti, pirun ngarkese, etj. Do të kishte një pikë shitje të produkteve, një restorant dhe guidën turistike, veçanërisht për fëmijë, etj, Nuk do të mungonin edhe bletët.

 

Një fermer në SHBA mjafton të ketë tokë dhe çdo gjë ia ofron tregu, duke filluar nga farërat, shërbimet, punimet me mekanikë, spërkatjet, plehrimet, etj, mendoni se kjo është mirë apo keq? A lidhet kjo me fitime më të ulëta nga ferma?


K.M. Nuk është tamam kështu, por të jesh një fermer në SHBA, aq sa di unë ke ndihmën e vazhdueshme të shtetit, që nga krijimi i fermës e në çdo situatë që kalon ferma, duke filluar me programe, këshillime, financime e subvecione. Çdo vit organizohen falas për fermerët nga universitete e specializuara seminare e biseda disa ditore për problemet që janë shfaqur si dhe për aplikimin e teknikave dhe teknologjive të reja. Subvecionohen një pjesë e mirë e kulturave bujqësore në bazë prodhimi. Mbulohen humbjet nga lëvizja e çmimeve në treg si dhe mosarritjen e rendimenteve të planifikuara për shkaqe të ndryshme. Tregu i shitjes së prodhimeve është pothuajse i garantuar me rregullimet e ndërhyrjet që bën edhe shteti në disa raste. Fermerët janë të organizuar në kooperativa të cilat ndihmojnë për çmimet e blerjes së imputeve bujqësore, ekziston ndihma me mjete mekanike, operimi në treg, etj. Sigurisht të gjitha këto ndikojnë ndjeshëm në rritjen e fitimeve të fermave dhe bëjnë që ato të kenë një qëndrueshmëri financiare të shëndoshë.

 

Si mendoni se ku ndryshon një fermer shqiptar nga sa ju parashtruat më sipër?

 

K.M. Me keqardhje po përgjigjem se ndryshimi është shumë i madh. Fermeri shqiptar është i braktisur totalisht, i pambrojtur nga shteti. Nuk ka pothuajse asnjë lloj ndihme nga këto mundësi që përmendëm më lart dhe nuk duket as ne horizont përmiresimi e gjendjes si: subvecionet, të ketë të paktën këshilla, programe e udhëzime prej specialistëve.

 

 Fermerët atje nuk ndihmohen në tregtimin dhe evadimin e prodhimeve bujqësore. Fermeri atje nuk është i mbrojtur nga spekullantët e tregtimit të imputeve bujqësore, farërave, apo infeksioneve nga objektet karantinore dëmtuese të bimëve. Këto mund të vijnë kryesisht nga jashtë vendit, por edhe nga brenda territorit. Jo rrallë ndodh të jenë edhe të qëllimshme si rrjedhojë e konkurencës ose keqdashjes. Kjo u kostatua qartë kohët e fundit nga fara e gabuar e domates qe u ishte shitur fermerëve dhe askush nuk mbajti përgjegjësi. Shteti në këtë rast u fsheh dhe bëri të paditurin. Shembuj të tillë negativë ka patur edhe më parë. Këto fakte flasin qartë sesa i braktisur e i pambrojtur është fermeri në Shqiperi. Për të mos përmendur vjedhjet, siç ndodhi disa ditë më parë në një stallë lopësh.

 

Çfarë është qarkullimi bujqësor dhe pse duhet bërë? Shembuj të mirë dhe të këqinj ?

 

K.M. Qarkullimi bujqësor është një hallkë shumë e rëndësishme e agroteknikës së kultivimit të bimëve bujqësore. Ka të bëjë ose ndikon në rendimentet e kulturave bujqësore, pjellorinë e tokës. Praktika bujqësore tregon se kur toka mbillej për shumë vite me të njëjtën kulturë (monokulturë), veçanërisht me drithëra, pakësohen ndjeshëm lëndët ushqyese në tokë si dhe shfaqen sëmundje e dëmtues të rrezikshëm të bimëve, si rrjedhojë rendimenti dhe prodhimi binte. “Toka është e lodhur” thuhej në këto raste, e që ishin jo të pakta në atë kohë. Për disa vite këto toka liheshin djerë. Gjatë punës time kam hasur plot shëmbuj të tillë. Meqë plani i drithrave, kryesisht gruri, vinte i lartë, disa toka i mbillnin vazhdimisht me drithra, merrnim një rendiment shumë të ulët, megjithëse përdornim edhe plehra kimike, ndonjëherë edhe organike, hidhje 3kv/ha farë e merrje 5-7 kv/ha. Këto toka i shkatërronte edhe erozioni se plugoheshin çdo vit, bëhej një masakër e paparë ndaj mjedisit. Shembull i mirë është lugina e Drinos që në strukturën e mbjelljeve të kësaj lugine, jonxha si një përmiresuese shembullore e pjellorisë së tokës, zinte një sipërfaqe të konsiderueshme në qarkullimin e kulturave.

 

Pse e si duhet ruajtur toka? A rikthehemi dot mbrapsht kur toka është e mbushur me kimikate dhe e bëjnë atë shterpë?

 

K.M. Një specialist bujqësie e di mirë se çfarë rëndësie ka menaxhimi i drejtë i tokës bujqësore si një organizëm i gjallë. Kur je duke ngritur një fermë me bimët e arave, së pari duhet të mendosh se si të ruash pjellorinë e tokës. Ndodh sot që fermeri i joshur nga fitimet e çastit ose dhe nga padija, e shfrytëzon shumë egër tokën, duke përdorur kimikate të shumta. Këto toka për disa vite dalin jashtë përdorimit. Mbetjet kimike në tokë bëhen shumë të rrezikshme për organizmin e njeriut dhe vetë bimën kur toka mbingarkohet me plehra e trajtime kimike të shumta. Ndoten edhe ujrat, burimet e lumenjtë. Është e vështirë të kthehen këto toka në gjendjen e tyre natyrale, duhet shumë kohë e shpenzime. Në socializëm kishim një Institut të Tokave dhe laboratorët e tokave nëpër rrethe ku kryheshin analizat e tokës. Nuk e di nëse ka ende ndonjë bërthamë të tij? Kjo për mendimin tim është më se e domosdoshme, madje duhen kryer sondazhe si dhe analizat e prodhimeve bujqësore që shkojnë në treg për të ruajtur shëndetin e popullit. Për të ruajtur pjellorinë e tokës duke përdorur sasira të kontrolluara të plehrave kimike, duhet të futim në qarkullim bimët azotofiksuese si jonxha, tërfili, fasule e bishtajoret e tjera, kurse në zonat mbi ujë një bimë e mirë është trëndelina.

 

Si ka qenë më parë bujqesia, përpara socializmit, e sot ?

 

K. M. Shpendët, dhitë, lopët dhentë kanë qenë një burim i rëndësishëm ushqimi dhe të ardhurash për fshatin. Dhitë dhe lopët në traditën Molose janë pa shpenzime, si u thotë populli “të uruara”, përmenden që në Lashtësi. U hap derën e vathës në mëngjez e i lëshon të kullosin malit dhe në darkë kthehen e të mbushin kusinë me qumësht bio. Gjithashtu janë dhe burim mishi. Një minifermë familjare para socializmit, kishte mesatarisht: 1-3 ha tokë, 10-15 kokë dhi, 10-15 kokë dhen, 1-2 lopë, një kafshë ngarkese, 15-20 pula, një derr dhe dy qe të punës. Këtë gjendje le ta kishim edhe tani për fshatin. Familjet që jetojnë sot në fshat po të kishin këto bagëti, sa do te ishte numri i tyre? Me një minifermë të tillë dhe ndonjë aktivitet ndihmës e përballoje jetesën e nuk kish nevojë të emigroje. Qeveria Rama mendon se bujqësia mund të zhvillohet vetëm me ferma të mëdha, të përqëndruara, ose nisma si ajo me 100 fshatra turistike, por kjo është kryekëput gabim e me pasoja që tani po i vuan fshati dhe bujqësia po kalon një periudhë të keqe, rrudhje. Sot për sot kullotat nëpër fshatra mbeten të pashfrytezuara. Gjithashtu qeveria duhet te krijojë rend e qetësi se siç kemi dëgjuar të vjedhin lopën ose viçin nga oborri shtëpisë. Pjesa më e madhe e banoreve në fshat sot janë të moshës së tretë dhe e kanë të vështirë të merren me hajdutët.

 

Të drejtosh bujqësinë duhet një agronom a veteriner i mirë, apo një menaxher i mirë?

 

K.M. Të drejtosh një fermë bujqësore ose blegtorale duhet të jesh doemos specialist i fushës përkatëse. Këtë e kam vërejtur kudo, këtu në fermat që kam shkelur ose kam punuar. Pronarët e fermave kujdesen se kujt do t’ia besojnë fermën bujqësore prej një nga pasardhëve e tyre. Atë e pajisin me kulturë agronomie dhe e ndihmojnë të vazhdojë shkollat bujqësore për agronomi. Këtë e bëjnë edhe kur duan të fillojnë një biznes të ri bujqësor. Në Shqipëri kasta drejtuese nuk do që dhe një ministër bujqësie të jetë agronom, sepse më e rëndësishme është partia se ushqimi i popullit. Për ironi të fatit qeveria Rama i vendosi të gjithë prefektët oficerë, kur pjesa më e madhe e qarqeve kanë drejtim bujqësor. Agronomët nuk i duan as në Parlament e as në qeveri. Ky është nënvleftësim që i bëhet bujqësisë, ushqimit të popullit për sot e për të ardhmen. Njëkohësisht ferma kërkon edhe një menaxher të mirë, zakonisht kompanitë e kanë të punësuar, sepse është i rëndësishëm edhe pse prodhimi e gjen më lehtë tregun.

 

Çfarë lule, peme keni në oborr? Çfarë mund të mbjellin më shumë në Shqipëri? Pse është ideja se bimët aromatike rriten vetëm në mal ose për shitje, ndërkohë që oborret e shtëpive në USA, Europë janë të mbushura me lavande, rozmarinë, rigon, shkurre e peme?

 

K. M. Unë në shtëpi kam mbjellë sherebel, madje dhe çaj mali. Çdo mëngjes kur dal, kënaqem kur i shoh dhe u marr erë. Një vit në kopshtin tim kisha mbjellë edhe rigon. Pëlqej shumë trëndafilat, karafilin, zambak, barbarozin, shpatoren, geraniumet, etj. Këtu në SHBA kam vërejtur se kopshtet ose peisazhet rreth shtëpisë, mbillen më shumë me pemë drunore e shkurre dekorative dhe tapet me bar jeshil. Unë pëlqej eksperiencën dhe traditën e shqiptarëve për kopshtet, veçanërisht në zonën rurale. Rreth shtëpisë mbillen bimë për zbukurim, por që kanë përdorim të shumëfishtë. Të marrim psh manin. Krijon gjelbërim, bukuri e freski rreth shtëpisë. Me gjethet e tij ushqehen bagëtitë, mund të rritim krymbin e mëndafshit, fruti është ushqim i freskët për njerëzit dhe pulat, mund përpunohet duke u tharë për stafidhe, të prodhohen lëngje e shurupe, deri edhe mund të distilohet për raki, bëhet pekmez, përdoret për ngrohje, lëndë drusore, etj. Pra, kopshti në zonat rurale duhet që t’i shërbejë minifermës që përmendëm më lart. Bimet që mbillen rrotull shtëpisë, për mendimin tim, duhet të kenë sa më shumë përdorime.

 

Ju publikoni prej kohësh në rrjetet sociale një blog bujqësor me shumë lexues e të suksesshëm, çfarë i tërheq më shumë ndjeksit aty? Çfarë do të donit që ky blog të ishte edhe më i goditur?

 

KM. Shqipëria ndodhet në udhëkryq midis lindjes dhe perëndimit. Gadishulli Ballkanit që në agim të historisë ka shërbyer si urë lidhëse. Këtej kanë kaluar pothuajse të gjitha bimët e kafshët bujqësore të ardhura nga Azia për në Europë. Natyrisht shqiptarët kanë patur eksperiencën dhe ndikimin e tyre. Mirëpo në historigrafinë bimore populli shqiptar anashkalohet. Kjo nuk thuhet as në tekstet mësimore në Shqipëri. Nëpërmjet studjuesave seriozë të vendit e të huaj, ne blog me fakte shkencore e historike përpiqem të evidentoj rolin e shqiptarëve. Nëpërmjet historisë bimore, miteve, legjendave, folkut, etimologjisë, të të dhënave arkologjike, etj. sjell fakte të pakundërshtuese dhe të pashkruara e të evidentuara më parë. Në përshkrimin e bimëve të ndryshme sjell dobitë mjekësore e ushqimore të tyre. Kam përshkruar mbi 20 bimë që janë studime të mirëfillta të mijat. Ndjekësit e blogut tim e pëlqejnë këtë, gjithashtu dhe shkrimet e tjera bujqësore shumë interesante të kolegëve të mi të cilat i kam publikuar herë pas here.

SHBA, Kanada prodhojnë grurë me kosto deri katër herë më të lirë sesa në Shqipëri? A duhet që vendi ynë të prodhojë grurë?. Mendoni se prodhimi duhet të lidhet me tregun?

 

K.M. Trojet shqiptare kanë kushte të përshtatshme për kultivimin e grurit dhe drithrave në përgjithësi, ka një eksperiencë dhe traditë mijravjeçare. Ka fusha pjellore si: Fusha e Kosovës, Myzeqeja, Fusha e Korçës, Ultësira e Veriut, etj. Sot në Shqipëri importohen mbi 200 mijë ton drithëra, të cilat mund të prodhohen pa vështirësi në vendin tonë. Sigurimi i kësaj sasie në vend, do të bëjë të zihen më shumë njerëz në punë, të zhvillohen e të popullohen zonat rurale, të rriten të ardhurat e banorëve dhe të shtetit. Do të rritet cilësia e ushqimeve e nuk do të detyrohemi të marrim të fshirat e hambarëve të botës. Si specialist i mbrojtjes së bimëve e njoh mirë rrezikun toksik të sëmundjeve e dëmtuesve të grurit në fushë dhe gjatë ruajtjes në depo si dhe të kimikateve që përdoren në drithrat e bukës. Eshtë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që karantina bimore dhe laboratorët në Shqipëri të kenë garanci për këto.

 

Gruri ështe një prodhim bujqësor strategjik, qeveria shqiptare dhe kosovare duhet të bëjnë një marrëveshje që bukën e përditshme të popullit ta prodhojnë vetë si komb, ashtu siç bejnë të gjitha shtetet e kombet që mendojnë për shëndetin e popullin e tyre. Nuk është punë kostoje. Të dy shtetet tona duhet të krijojnë kushte e të ndihmojë fermerët me mjete mekanike e agregatë bujqësorë, të ulet çmimi i naftës, të përjashtohen nga taksat tregtimi i farërave dhe i imputeve bujqësore, të rritet puna kërkimore shkencore me farërat, etj, Të ketë subvecione si dhe tregu i grurit të jetë i sigurtë për prodhuesit e grurit duke ndërhyrë edhe shteti me politika fiskale e grumbullimin i tepricave që nuk shkojnë në treg, etj. Gruri ka mundësi të ruhet në depo për një periudhë të caktuar kohore.

 

Një fermeri nqs do t’i jepnit vetëm një këshillë; ajo do të ishte agronomike apo këshillë biznesi? Cila është ajo?

K.M. Për fermerët do të kisha këtë thënie të poetit kanadez Brian Brett:
“Bujqësia është një profesion i shpresës.”

 

Po kështu një politikani nqs do t’i jepnit vetëm një këshillë, ajo do të ishte agronomike apo këshillë biznesi? Cila është ajo?

 

K.M. Këshilla ime për shtetarët dhe politikanët shqiptarë do të ishte thënia e shkencëtarit amerikan në fushën e kimisë dhe të bujqësisë James Mapes:
“Bujqësia ëshë burimi themelor i prosperitetit kombëtar.”

 

Ju mungon një ecje në malet e Lunxherisë? Pse nuk arrijmë ta bëjmë turizmin rural një alternativë me sa keni parë kur jeni rikthyer herë pas here në Atdhe?

 

K.M. Sigurisht që më mungon shumë. Që kur isha fëmijë e derisa kreva shkollën e lartë, me moshatarët e mi, i ngjitasha çdo vit malit të Lunxhërisë në majën e Marotasë në periudhën kur lulëzonte çaji i malit. Dëshiroj ta bëj edhe tani këtë ngjitje. Turizmi rural është i lidhur shumë edhe me vendet historike si dhe objektet kulturore të traditës. Por ne i kemi shkatëruar dhe nuk po i ribëjmë ato siç i bëjnë shtetet e tjera. Në malin e Lunxherisë është një rrugë dhish që mendohet se e kanë ndjekur antigonasit kur qyteti i tyre u dogj nga romakët. Kjo rrugë mund të bëhet një rrugë pelegrinazhi për të rinjte dhe turistët. Ose një diçka tjeter: në fshatim tim të lindjes, Selckë, është Kisha e Shënepremtes, monument kulture. Ishte një vepër kulti që do t’i linte turistët nga e gjithë bota shumë të habitur. Por gjatë periudhës së ashtuquajtur socialiste i “grabitën” 28 ikonat më të mira. Njëra thuhet se është në Muzeun Kombëtar, të tjerat nuk dihen ku janë. Gjithashtu kësaj kishe, në kohë trazirash, i vodhën edhe ikonostasin që kishte vlera të veçanta. Çfarë do të shikojë turisti tani këtu?! 

                Çfarë materialesh keni tani në dorë për blogun tuaj?


K.M. Po përgatis një shkrim të plotë për sherebelën, ashtu siç kam përshkruar edhe bimët të tjera si dafinën, bajamen, trëndelinën, çajin, etj. Gjithashtu kam në duar edhe një shkrim mbi historinë e fshatit tim të lindjes, këngë dasme, këngë dashurie, të dhëna gojore, arkeologjike, historike, legjenda, përralla, portrete, fjalë të rralla, këngë djepi, këngë trimash, tregime të lashta, etj.

 

Falemnderit për intervistën dhe bashkëpunimin!

 

Përgatiti: Fatos Fico, Londër

 

 

Tuesday 16 November 2021

ËSHTË KY ÇASTI I DUHUR PËR TË RIVENDOSUR TVSH TEK INPUTET BUJQËSORE?

    Qeveritë përveç planifikimeve afatgjata si një mjet zhvillimi dhe për të dalë nga krizat kanë buxhetet vjetore të vendit të cilat financojnë politika e masa si për të dalë nga ciklet e ulëta të ekonomisë dhe për të përballuar kriza të mundshme.

Përgatiti: Fatos FICO
 Ing. i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural

 Londër



Fatos FICO

Kërkimi në Google i fjalëve kriza të trefishta jep pothuaj 70 milion rezultate. Në vende të ndryshme, krizat nuk janë njëlloj dhe pse disa kriza jane globale. Në Shqipëri, njihen problemet në ekonomi, shëndetësi si pasojë e Covid, kriza energjitike, si pasojë e një krize që njihet në nivel botëror, ndryshimet klimatike. Një krizë që duket se po shfaqet në horizont për shumë vende e rajone është dhe ajo e rritjes së çmimit të ushqimeve.


Qeveritë përveç planifikimeve afatgjata si një mjet zhvillimi dhe për të dalë nga krizat kanë buxhetet vjetore të vendit të cilat financojnë politika e masa si për të dalë nga ciklet e ulëta të ekonomisë dhe për të përballuar kriza të mundshme.

Buxheti i vitit 2022 duket të jetë një pikë kthese për bujqësinë sepse parashikon ndryshime në masë financiare jo të mëdha, por që ndryshojnë filozofinë, strukturën e financimin publik të bujqësisë në Shqipëri. Hiqet kompensimi i tvsh prej 6% për fermerët, kjo një praktikë ku deri tani tvsh i paguhesh individëve e jo shtetit, si dhe rivendoset një tvsh me vlerë prej 10% për inputet bujqësore, pagesë e cila prej disa vitesh ishte zero. Qeveria thotë se do të heqë të gjitha përjashtimet nga taksat e tatimet e paratë e mbledhura nga tvsh do të j’a rikthejë nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë po fermerëve e bujqësisë.


TVSH dhe niveli i saj për inputet është një diskutim i gjerë e i hapur për shkak të llojshmërisë së fermave e zhvillimit ekonomik të një vendi. Eksternalitetet negative të plehrave kimike e pesticideve janë të njohur. Përdorimi i plehrave kimike në sasi më të mëdha se e duhura sjell varfërim të tokës, kosto të tepërta, e ndotje të ujërave e ajrit. Po ashtu ato që njihen si helme, pesticidet e herbicidet, kanë pasoja të forta, të dëmshme mbi natyrën.  Eksternalitet pozitive të farave cilësore janë po ashtu të njohura, përtej rendimentit, përdorim më i pakët i inputeve të tjera, janë më resistente ndaj thatesirës e sëmundjeve të ndryshme. 

 

Por, farat cilesore për t’u krijuar kërkojnë një investim të madh në kohë e kapital.


Farat moderne, inputet si plehrat, pesticidet dhe ujitja janë të ndërlidhura fort me rendimentin e prodhimit bujqësor. Kërkohet gjithmonë e më shumë prodhim për një popullësi në rritje, e më pak tokë bujqësore nën kultivim, për t’i lënë hapësirë edhe natyrës. Në vendet në zhvillim e me popullsi rurale të varfër si Shqipëria investimi në fermë, infrastrukturë bujqësore fizike e njohuri, janë pengesat kryesore për rritjen e prodhimit e për rritje ekonomike. Kjo lidhet me mungesën e kapitalit, por së pari me rriskun që janë gati të marrin përsipër fermerët në rolin e sipërmarrësit. Fermerët e vegjël shqiptarë përgjithesisht, nuk marrin risk të madh, ata më shumë përpiqen të shmangin humbjet se sa të kenë fitim të lartë. Kjo është normale sepse humbjet e mëdha i falimentojnë e nuk kanë mundësi rimëkëmbje, mbijetesa i mban në treg duke shpresuar për një përmirësim.  Për të shmangur humbjet ata veprojnë sipas informacionit që kanë, njohurive, traditës, kapitalit e punës që mund të investojnë.


Faktorët e riskut


Inputet dhe faktorët që ndikojnë në prodhim mund t’i ndajmë në ato që rrisin riskun ose ulin riskun për prodhuesit. Farat moderne bëjnë të mundur rendimente të larta, por janë të shoqëruara me nje çmim të lartë e një proçes teknologjik të caktuar. Fermerët shqiptarë e kanë të veshtirë të zgjedhin fara të shtrenjta e cilësore për shkak të investimit fillestar e mungesës së besimit në rikthimin e investimit. Farat moderne e të shtrenjta e rrisin riskun për prodhuesit. Ekuilibri e fitimi ndodh kur rendimenti që merr nga një farë cilësore e kalon shpenzimin më të madh në krahasim me një farë tjetër më të lirë.


Plehëruesit kimik gjithashtu e rrisin riskun për prodhuesit, është një investim jo i vogël, shumë nuk kanë informaçion mbi sasinë e duhur, plehërimi bëhet me sy, shumë herë më shumë se duhet, por ankesa kryesore e fermerëve është se plehrojnë më pak se duhet për shkak të çmimit. Ekuilibri dhe fitimi është kur rendimenti i shtuar dhe paratë që merr për atë sasi prodhimi shtesë janë më shumë se paratë e shpenzuara për plehrimin që e bën të mundur atë. Aplikimi jo i duhur, e mungesa e ujitjes, mungesa e makinerive ulin efektivitetin e plehërimit.

Pesticidet ulin riskun. Përdorimi i tyre me kriteret e duhura garanton prodhimin. Pesticidet nga ana tjetër kane një ekulibër i cili arrihet kur kostoja e përdorimit të tyre e kalon dëmin e shkaktuar nga dëmtuesit. Rritja e kostos se pesticideve e ul shumë sasinë e numrin e herëve që mund të aplikojnë prodhuesit dhe i shtyn ata të përdorin helme të forta me spektër të gjerë per sa me pak aplikime, ose të mos i bëjnë fare ato. Në praktike vreshtat, drurët frutore kane nevojë për dhjetëra aplikime me spërkatje gjate ciklit prodhues. Serrat, po ashtu kanë rritje intensive e kushte potenciale të favorshme për demtues e sëmundje te cilat kërkojnë trajtime të vazhdueshme.


Nqs në një anë do të shikojme inputet që sjellin risk dhe e ulin riskun do të shikojmë se risku rritet me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore. Tvsh në nivel 10 % bazë do të thotë në terma praktike, rritje të çmimit final për prodhuesit shumë më të lartë.


Rritja e riskut do të thotë më pak prodhues, më pak prodhim dhe për ata prodhues që marrin përsipër riskun e investimin, rrjedhimisht çmim më të lartë në shitje.

Në një kohë kur familjet shqiptare shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave për ushqim kjo do të thotë se do të rriten edhe më shumë shpenzimet për atë.


Tregu global dhe Shqipëria


E njëjta situatë është dhe në botë ku kemi rritje të madhe të çmimeve të inputeve sidomos të plehrave kimike ku çmimet janë dyfishuar brenda vitit dhe në disa raste dhe katërfishuar. Shumë prodhues nuk do të mbjellin ose do të kultivojnë kultura që kërkojnë më pak plehrim. Kina ka ndaluar eksportin e plehrave azotike dhe fosfatit deri në qershor 2022. Ajo është prodhues i madh fosfatit dhe i një të tretës së eksportit të plehrave azotike në botë.


Shumë fermerë në vende të ndryshme tani nuk kanë më problem vetëm çmimin por të sigurojnë sasitë e duhura të plehrave.

Çmimet e ushqimeve janë rritur globalisht me rreth 30% përgjatë vitit të fundit si pasojë e pandemisë, inflacionit, kostove të shtuara te transportit, etj., e situata me inputet kimike po e bën rritjen e tyre të mëtejshme një mundësi reale jo shumë të largët. Shqipëria pikërisht në këto momente nuk mund të rrezikojë rritjen e çmimit të prodhimeve bujqesore të saj duke rritur çmimin e inputeve direkte për fermerët me tvsh.


Aq më tepër që mbështetja me subvencione ka problemet e saj, psh ajo mund të kapet nga elitat ose oligarkët në gjuhë më popullore. 50 milion Euro subvencione nuk mund të shkojnë poshtë e të shpërndahen në 300 mijë ferma në mënyrë të padiskriminuar dhe pse diskriminimi aktual është pozitiv për rritje të prodhimit. Inputet bujqësore pa tvsh janë një masë transversale nga e cila përfitojnë më shumë prodhuesit e vegjël, familjarë, e ata të mbijetesës. Ata duhet të prodhojnë dhe në këtë situate pandemie e krizash, prodhimi i tyre është i domosdoshëm qoftë dhe sikur ata të prodhojnë ushqim sa për vete e të mos varen nga importi. 

 

Ulja e riskut


Masa që ulin riskun janë infrastruktura në gjendje pune, e vaditjes, kullimit. Analizat e tokës për të aplikuar sasinë e duhur të plehrave kimike, besim më i madh te agronomët e fito farmacitë për aplikimin e duhur të pesticidive e plehrave.

Masë tjetër është lehtësimi i tregtimit direkt  e tregtimit në përgjithësi që fermeri të përfitojë një pjesë sa më të madhe të çmimit të cilin e paguan konsumatori fundor. Në këtë skemë nuk ngarkohet as ky i fundit, e as fermeri veçmas me të gjitha kostot e shtuara, por i ndajnë, e ku të mund të kenë të dy palët, i pari rikthim të një investimi më të madh, i dyti një margjinalitet si kursim, i cili rikthehet përsëri si investim në ekonomi.


Teknologjia bujqësore përparon shumë shpejt. Sot pothuaj me të njëjtën sasi toke ushqehen dyfishi i popullsisë së mëparshme botërore e do të ushqehen edhe kur popullësia të shkojë në 10 miliardë banorë. Përhapja dhe zbatimi i teknologjive të reja është një masë tjetër mitiguese për riskun, rritjen e prodhimit e mirëqënien. Teknologjia është e kushtueshme, fondet publike mund të shkojnë shumë më mirë në teknologji të reja e infrastrukturë mitiguese, se sa në kompensimin e çmimit të inputeve, kjo e fundit do të na mbajë aty ku ishim. Shqipëria aktualisht duhet të investojë më shumë në masa që ulin riskun, mbajnë të qëndrueshëm e rrisin prodhimin bujqësor, i cili për fat apo për vullnet nuk mungon, e më vonë të kërkojë më shumë formalizim të TVSH.

 

 

 





Saturday 6 November 2021

PROFESIONET DHE KARBONI

     Sipas një studimi të publikuar nga revista shkencore “the Lancet” rritja e numrit të ditëve shumë të nxehta për shkak të ndryshimeve klimatike ka sjellë edhe rritje të numrit të njerëzve me sëmundje të veshkave që shtrohen në spital ose përfundojnë si fatalitet. E dimë se ata të sëmurë me zemër e kanë të vështirë në ditët e nxehta, e sëmundjet kardiake janë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në Shqiperi.

Përgatiti: Fatos FICO
 Ing. i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural
 Londër












Fatos FICO

- Çfare po bëje kur u vra Kennedy? 

- Çfarë po bëje kur ra statuja e Enverit në shesh?

Ajo ngjarja e madhe sot është që bota është mbledhur në Glasgow të vendosë për të ardhmen e planetit. Çfarë po bëje? Po lexoje lajme per Fifi në big bradher, për një lidhje të fshehtë te përputhen apo një analizë të thellë për politikanin e ditës.

Kushdo që ka një makinë sadopak të re e shikon tek instrumentat se kur futet në Tiranë temperatura rritet së paku dy tre gradë. Për shkak të gazrave të makinave, gazrave të aktivitetit ekonomik, pluhrave të ndërtimeve Tirana është e zhytur në një mjegull masive pothuaj gjatë gjithë vitit, e cila vërehet lehtë kur ngjitësh në lartësi. Ajo nuk e lejon energjinë e akumuluar të rrezatohet e të humbë në hapësirë. Plazhet ranore të Shqipërisë po zhduken me shpejtësi të frikshme. Mjafton të shikosh bunkerët që tani janë në det. Ulja e tokës tek plazhet është në masen më të madhe nga ndërhyrjet njerëzore të aferta, marrja e ujit me puse për banim e aktivitete të tjera ka pakësuar ujërat nëntokësorë e ulur nivelin tokës; me të largëta në kohë, zvogëlimi i prurjeve të lumenjve e materialeve mbushës që ato transportojnë, si pasojë e digave të hec-ve, marrjes së zhavorrit e inertëve, marrjes së ujit për vaditje, zvogëlimit të rreshjeve. Por përtej këtyre, sepse këto më siper janë efektë të qarta lokale, UN – Kombet e Bashkuara, thotë se niveli global i detrave si pasojë e ndryshimeve klimatike është rritur me dyfish pas viteve 90’të dhe se temperaturat globale janë rritur me rreth 1 gradë Celsius.


Sipas një studimi të publikuar nga revista shkencore “the Lancet” rritja e numrit të ditëve shumë të nxehta për shkak të ndryshimeve klimatike ka sjellë edhe rritje të numrit të njerëzve me sëmundje të veshkave që shtrohen në spital ose përfundojnë si fatalitet. E dimë se ata të sëmurë me zemër e kanë të vështirë në ditët e nxehta, e sëmundjet kardiake janë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në Shqiperi.


Por, aspak duam të vëmë kujën e të themi që bota e civilizimi nesër do të zhduket. Një shkencëtar nuk mund të shikojë pemën përpara pyllit dhe pse tani është shumë më e lehtë se pyjet po zhduken. Përtej lojës së fjalëve kemi një trend, rritje të vazhdueshme të temperaturave e të gazrave serrë. Kjo nuk na prek aq fort ne si brez e madje shumë vende, biznese, e njerëz mund të kenë përfitime. Nqs Rusia prodhon e ksporton sot më shumë grurë e bën jo vetëm si ndryshim të sistemit sovjetik në një lloj ekonomie tregu të lirë, por edhe sepse më shumë toka të reja të pashfrytëzuara më parë prej klimës së ftohtë mund të futën nën kultivim. Për më tepër ndryshimet klimatike ndodhin gjithmonë, për kuriozitet në vitet 70-të mendohej se Toka po futej në ciklin e ftohjes, e se akullnajat do të ishin problemi. Gjithashtu uljet e ngritjet stinore të temperaturave përgjatë viteve për shumë njerëz ju krijojnë bindjen se nuk ka një rregullshmëri në rritje. Por, dhe një i sëmurë kronik ka ditë e periudha të mira, e mendon se ja hodhi. Ajo që shkenca dhe studiuesit theksojnë është trendi apo drejtimi, po nxehemi, po rritet niveli i detrave nga shkrirja e akujve, po rritim efektin serrë, po zhdukim pyjet dhe natyrën. Normal, e kemi bërë gjithmonë që me fillimin e revolucionit industrial kur filloi përdorimi masiv i energjisë fosile, së pari qymyri e pastaj nafta. Të mirat materiale dhe ushqimi në sasi e cilësi që gëzojmë sot janë të pakrahasuara me asnjë periudhë historike të mëparshme. Një njeri me të ardhura mesatare në nje vend të zhvilluar ushqehet më mirë e me më shumë llojshmeri se një perandor romak apo dhe mbret i mesjetës. India, një vend që ne e lidhim me varfërinë absolute, sot është vend që eksploron Hënën me misione kozmike, madje dhe Shqiperia do të ketë se shpejti satelitë të saj në hapesire. Por, pikërisht shkenca e hapesirës, ose atmosferës na tregon se diçka nuk shkon.


Natyra është në ekuliber, Toka “nxehet” ditën dhe e rikthen energjinë e “tepërt” natën. Si shpjegim i thjeshtë – në shkretëtirë ku nuk ka ujë që e ruan nxehtësinë, e nuk ka as re të cilat e pengojnë nxehtësinë të ikë ose të rrezatohet në hapesirë, temperaturat natën shkojnë nën zero. 


Janë gazrat serrë të cilat janë kryesisht, dyoksidi i karbonit e gazi metan që nuk e lejojnë energjinë të ikë nga Toka, por e mbajnë atë në atmosfere dhe e reflektojnë mbrapsht. Sa më shume gaze të tilla aq më shumë rritet efekti, e ngrohet atmosfera e Toka, pra ndryshon klima.


Klima është studiuar në mënyrë empirike që në kohet e lashta, psh nga egjiptasit sepse lidhej me vërshimet e Nilit, me pjellorinë e tokës e rezervat ushqimore. Edhe në Shqiperi kaskada ujore e Drinit ishte menduar me cikël rregullues 7 vjeçar si ciklet e ujit në Egjiptin e lashtë. Por në ndryshim nga koha e ndërtuesve të piramidave, teknologjitë e reja, kompiuterat super të fuqishem, të dhënat nga mijëra stacione në tokë e satelitët na bejnë të mundur të kemi sot çdo lloj të dhëne si dhe interpretimin e tyre. Por, dhe metodat klasike, të dhënat historike, rrathët e rritjes së pemëve, arkeologjia, e mbi të gjitha shkencat e natyrës e tokës na lejojnë të shikojme si ka qenë e kaluara, për të projektuar si do të jetë e ardhmja.

Një fjale e urtë shqiptare thotë “gusht e gunë’, por tani në fillim të nëntorit parashikimi modern i motit na tregon që deri në mes të Nëntorit 2021 temperaturat e ditës do të jenë rreth 22 gradë C, e në dy tre ditë nëntori do të jenë gati 30 gradë C.


Pavarësisht nga gabimet tona në ndërtimin e ekonomisë e infrastrukturës ekonomike, Shqipëria si vend është e ndikuar po aq fortë sa gabimet e saj nga ndryshimet klimatike. Ajo nuk mund t’ia dalë e vetme, megjithëse do të duhet të përgatitet dhe për këtë skenar që duket më i mundshmi. Madje, ndërgjegjësimi më i madh per, kilometra zero, zero gjurmë karboni, prodhime lokale e të qëndrueshme, tek qytetarët e vendeve të zhvilluara e kostot me të larta të transportit e prodhimit mund të kthehen në bumerang për prodhuesit shqiptarë që shesin në tregjet e huaja.


KM shqiptar në fjalimin e tij përdori fabulën midis Shilës dhe Karibdes, lutemi të bjerë shi për energji por po ra shi ai na përmbyt fshatin. Eshtë nje fabul e vjetër kjo e Ezopit, me babain i cili duhej të lutej por nuk mundej, për vajzën e martuar me bujkun e perimeve që kërkonte shi, apo atë të martuar me tulla bërësin që kërkonte diell e thatësirë. Në UK prodhuesit e fidanëve të pemëve thonë se klientë kryesore kanë firmat e ndërtimit të cilat duhet të mbjellin pemë të reja për të kompensuar natyrën. 

 

Shqipëria duhet të menaxhojë më mirë asetin strategjik të energjisë nga uji, duke e shitur në tregjet ndërkombëtare me çmim të plotë si energji e rinovueshme, e cila ka çmim më të lartë se ato fosile, të paktën kjo për konsumatorët fundorë europianë, ath kur ka mbiprodhim. Të investojë urgjentisht e masivisht në pemë e pyje që të rrise sasinë e ujit të kapur e ruajtur nga biomasa dhe toka, të cilat rrisin rregullshmërinë e zgjasin rrjedhjet, përndryshe si tani uji i shirave do të shkojë direkt nga malet në det nga portat e shkarkimeve.


Është urgjente mbjellja e fidanëve sepse kërkojnë kohë të rritën e madje dhe tregu ndërkombëtar ka më shume kerkesë sa është oferta. Llojet e pemëve duhen të studiura, të jenë sa më autoktonë e me rritje të shpejtë. Eshtë i domosdoshem kontrolli absolut mbi prerjet dhe ruajtjen e biomases aktuale. 


Atje ku ka ujë biomasa rritet shpejt, e atë ujë që kemi duhet t’a shfrytëzojme që të kemi biomasë të planifikuar që të mund të perdoret për ngrohje, gatim në zonat rurale, kjo si masë kalimtare sepse tymrat e grimcat e djegjes jo të mirë të drurit mund të shkaktojnë probleme pulmonare, por për prodhim energjie shtesë e si rregullator të asaj të ujit. Me rritjen e kërkesës për energji elektrike, si rrjedhojë rritje të çmimit, e zvogëlimin e furnizimit me energji fosile, burimet e rinovueshme janë të domosdoshme. Era, dielli kanë kosto të lira në prodhim aktualisht, por problemi qëndron se nuk kanë rregullësi në prodhim, e kërkojnë investime të mëdha për ruajtje të energjisë. Shqipëria mund t’a bëjë këtë me biomasë derisa ruajtja e energjisë diellore dhe e erës te jetë më e lirë. Edhe djegja e plehrave mund të sigurojë energji e vendet e zhvilluara ka kohë që e bëjnë.


Vendet e pasura, ato që kanë hedhur gazrat serrë në atmosferë kanë premtuar 100 miliardë $ në vit deri në vitin 2025 e madje më shumë në vitet e tjera për vendet në zhvillim që të luftojnë ndryshimet klimatike e për tranzicionin ekonomik. Të shpresojmë që vala do të jetë reale dhe do të arrijë të na ngrejë.


Shqipëria si një vend në zhvillim, sidoqoftë me eliminimin e energjisë fosile ka një shans të rrallë e sado i vështirë, por të transformojë ekonominë e sidomos atë rurale. Kjo kërkon dhe një transformim politik. Ndërsa nuk e kemi mbyllur ende tranzicionin në një shoqëri demokratike e ekonomi tregu reale duhet bërë një tranzicion tjetër ekonomik drejt një ekonomie të dekarbonizuar e të zhvilluar. Kjo kërkon një konsensus të gjerë social e politik, të paktën në atë që objektivat madhorë duhen përcaktuar sa më shpejt e nuk duhen ndryshuar në çdo rotacion politik apo lideri.


Përndryshe rrugë legale të emigracionit janë profesionet, ato që nuk duan domosdoshmërisht diplomë universitare, e kërkojnë sadopak kualifikim profesional e njohje gjuhësh të huaja. Në EU e vendet e zhvilluara aktualisht e në të ardhmen kërkesa për profesione e profesionistë të kësaj natyre është më e madhe sa ofron tregu vendas i tyre. Mbetet ende jetë gjatë ajo shprehja “punë ka, por… “ . Profesionistët duhen krijuar. Në fakt ky është thelbi i qeverisjes të krijosh profesionistë që të nxjerrin nga balta apo thatësira.

Monday 1 November 2021

CAP, FERMA DYSON DHE BUJQESIA SHQIPTARE

     CAP është krijuar 60 vjet më parë në vitin 1962 dhe është një partneritet midis bujqësisë e shoqërisë, midis Europës dhe fermerëvë të saj. CAP është një politikë e përbashkët për të gjitha vendet e EU

Përgatiti: Fatos FICO
 Ing. i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural
 Londër








(Pjesa e dytë)



Fatos FICO



Në prag të festave të nëntorit shoku Xhemal, sekretari i Partisë shikon në një lulishte në Shkodër disa njerëz që po hanin bar. Po ju, cfarë po bëni, merrni nga një njëqind leksh e ikni-ju thotë, se vjen shoku Mehmet, e dini si është ai. Mehmeti vjen, i gjen po aty.  O shokë -ju thote, e bëtë këtë tani, po na merrni nga një pesëqind leksh, e ikni, shpërndahuni se do të vijë Enveri e po ju gjeti do ju pijë e zeza. Enveri kur shkon, kërkon të shikojë lulishten si vepër e re e partisë, në qytetin e vjetër. Shikon disa njerëz si njolla të zeza që po hanin bar. I mbledh në grup të tmerruar. Eh, mor Mehmet, ju thotë, prapë gënjeve me pllanet. (Mehmeti ishte kryeministër). Rrini në grup shokë ju thotë- jo të shpërndarë, në grup e me rregull, hani një pjesë sot, e nesër një pjesë tjetër, mos e shpërdoroni barin e jepini kohë të rritet. Është një dimër i gjatë përpara, çfarë do hani pastaj? –Anonime.

 Gjithmonë duhet një plan. Plani më i mirë është kur ja hedh fajin atyre që duhet të përfitonin nga plani pse nuk u realizua plani. Mund të flasim për sistemet demokratike, diktatoriale, ato hibride si sillen kur nuk realizohen politikat, premtimet, kujt i hidhet faji, kush mbart pasojat e si mund të ecet përpara. Mund te flasim për Brexit, ku të gjitha këto u kthyen në një shembull klasik, por jemi duke parë bujqësinë e ushqimin e do të mbetemi tek EU e CAP (Politika e Përbashkët Bujqësore).


CAP

CAP është krijuar 60 vjet më parë në vitin 1962 dhe është një partneritet midis bujqësisë e shoqërisë, midis Europës dhe fermerëvë të saj. CAP është një politikë e përbashkët për të gjitha vendet e EU. Menaxhohet dhe financohet në nivel europian nga fondet e buxhetit të EU. EU i ka mbështetur fermerët me gati 60 miliard Euro në vitin 2019. Kjo përtej fondeve të rajoneve të cilat direkt ose indirekt shkojnë shumica në zonat rurale më të varfra të EU.

Qëllimet e saj janë:


      të mbështesë fermerët e të përmirësojë prodhimin bujqësor duke siguruar një furnizim të qëndrueshëm më ushqim të përballueshëm.
      të mbrojë fermerët e EU që të kenë një jetesë të arsyeshme

      të ndihmojë kundrejt ndryshimeve klimatike dhe për nje menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore

      të ruaje zonat rurale dhe peisazhin në të gjithë EU

       të ruajë ekonominë rurale të gjallë duke promovuar punë në fermë, industritë agropërpunuese e sektorët e lidhur me të.

Këto janë themelet mbi të cilat ndërtohet CAP. Ndërsa Shqipëria aktualisht ka si objektiv e plan madhor të arrijë një eksport prodhimesh bujqësore prej 1 miliard Euro. Objektiva të tjerë janë pikat e grumbullimit, rritja e madhësise së fermave, rritja e subvencioneve. Sidoqoftë edhe të gjitha këto të fundit duket të jenë në shërbim të eksportit.


EU është një nga eksportuesit kryesorë të prodhimeve bujqësore në botë. CAP është akuzuar se me subvencionet e bujqësisë kanë shtrembëruar tregun e kanë çuar drejt falimentimit fermerët e vendeve të varfra, kostoja e prodhimit të të cilëvë është më e lartë se në EU.

 

 Fondet e CAP nuk bazohen në një taksë specifike, madje shumë vende të EU e kanë ushqimin me tvsh zero ose të reduktuar, ato vijnë nga tarifat e importeve të ushqimeve nga vende të treta si dhe kontributi nga vendet anëtare në bazë të GDP. Në këto kushte fermerët jashtë EU paguajne tarifa kur eksportojnë atje e konkurojnë me çmimet e subvencionura të eksporteve europiane drejt tyre, qartësisht konkurenca “e ndershme” është e pamundur. Vetë europianët duhet të paguajnë çmime më të larta për prodhime të cilat ndryshe mund të gjenden më lirë në tregjet botërore. Realisht shumë vende kanë marrëveshje bilaterale tregtie e kuota për tregti të lirë pa tarifa me EU. Qytetarët europiane kanë bërë shumë presion të ndihmohen fermerët e vendeve të varfra, e shumë nga praktikat e CAP kanë ndryshuar. Psh që nga viti 2010 janë hequr subvencionet direkte për eksport. Por jo vetëm ekonomitë e zhvilluara si EU e USA dhe vendet e varfëra e subvencionojë prodhimin bujqesor, pjesa më e madhe për të bërë të mundur eksportet.


Sherebelë dhe CAP

Një qytetar europian paguan afërsisht pak më shumë se 100 Eur në vit per CAP direkt nga taksat, e indirekt nga tarifat e importeve të ushqimeve. Në Shqipëri buxheti i vitit 2021 për bujqësinë është rreth 90 milion Euro, nga të cilat gjysma fonde të EU e të tjera të huaja.  Që Shqipëria e sotme të mbërrijë në të njëjta nivele financimi si CAP duhet të mbështesë direkt bujqësinë me rreth 300 milion Euro.


Bujqësia në Shqipëri mbështetet edhe indirekt nga heqja e tvsh për inputet, së pari plehrat kimike, pesticidet, farërat. Afërsisht llogaritet në rreth 150 milionë Eur vlera e tregut të tyre, pra rreth 30 milion tvsh e “përfituar”. Mbështetje tjetër direkte është pagesa e tvsh tek fermerët kur shesin me Nipt e faturë tek pikat e grumbullimit ose dyqane, e tvsh-ja e rimbursuar për firmat e eksportit. Kur eksportohet, psh pika e grumbullimit ka paguar tvsh tek prodhuesi për blerjen, e merr mbrapsht nga shteti 20 % të vlerës me të cilën eksporton mallin, që kuptohet është më e lartë se çmimi i blerjes e përfshin shpenzime të tjera me tvsh që ka bërë tregtari. Në 100 milion Euro eksporte perimesh ose frutash, jane 20 milion Eur të rimbursuara për kompanitë. Këtu nuk është momenti për vonesat a problemet në rimbursimin e Tvsh, apo sa tvsh reale ka psh një kg domate kur eksportohet, ndërsa nuk paguhet tvsh për farën, plehërat, pesticidet, të cilat kanë peshë të lartë në kosto e nuk kanë tvsh fillestare të paguar nga fermeri apo prodhuesi. Në tregun vendas kur dyqani shet një kg domate paguajmë 20 % tvsh, nga e cila një pjesë i shkon fermerit sipas çmimit të tij tek dyqani, dhe mqs cmimi i dyqanit eshte me i lartë se i fermerit, pjesa tjeter në shtet duke supozuar që dyqani çdo aktivitet e ka subjekt të tvsh. A duhet të jetë fermeri “grumbullues” fundor i Tvsh kjo është përsëri një pikë tjetër. Së fundmi dhe karburant është shpërndarë falas ose me çmim simbolik për disa fermerë.


Nga ana teorike sipas ligjësive të çmimit mqs ndër të gjitha kostot e prodhimit të një fermeri, ai paguan tvsh për energjinë, ujin, vegla, investime të tjera, por jo për inputet, e sepse merr rimbursimin të tvsh ai/ajo ka gjithë interesin të ulë çdo shpenzim ku paguan direkt tvsh dhe të rrisë ato pa tvsh, si plehërat kimike e pesticidet. Kjo do të çojë në rritje të kërkesës e në kushtet e një tregu oligopol pa konkurrencë reale, në rritje çmimi të tyre e jo në një ulje reale. Ndërsa kemi dhe rritje të çmimit në tregjet ndërkombëtare të inputeve kuptohet që aq më tepër zhduken efektet e heqjes së tvsh. Për të patur një çmim konkurues e të arsyeshëm të inputeve duhen tashmë masa të tjera përveç shmangies së oligopolit.  Nuk po flasim për efektet e përdorimit jo të drejtë te kimikateve, e as për kontrollet si për tregtarët e për fermerët 

  

Por, kjo është një anë e medaljes, përsa kohë jemi tek pagesat “direkte”. Fermerët janë një pjesë shumë vogël e popullsisë në vendet e CAP.  Nqs teorikisht 17 milion holandezë paguajnë rreth 100 Euro secili ose 1.7 miliardë subvencione, për 50 mijë fermerë, ndahen teorikisht në 34 mijë Eur për fermë; Në Shqiperi edhe sikur të paguhen 100 Eur për person drejt subvencioneve, për 300 mijë ferma i takon 1 mijë Euro për fermë. Në fakt në EU jane rreth 10 milion ferma nga të cilat 75 % janë më pak se 5 ha. 80 % e fondeve prej 40 miliard në pagesa direkte ju shkon vetëm 20 % të fermave që janë të mëdha ose mesatarisht 16 mijë Euro, e mbeten 1000 Euro për fermat e tjera. Kjo vetem për pagesat direkte enë terma mesatare.

 

Shifrat na lejojnë të kuptojmë së pari është shumë e vështirë të konkurosh me të njëjtin produkt me fermat e mëdha në Hollandë, Spanjë, Francë, por dhe Greqi. Na lejon të kuptojmë se pse Shqiperia eksporton aq shumë sherebelë ose bimë mjekësore, jo se janë objekt krenarie, por sepse rriten vetë e kërkojnë pak kapital, e shumë punë.

Së dyti duhet ulur numri i fermave, jo sepse fermat e vogla janë të këqia në vetvete. CAP po përpiqet të ruajë fermat sidomos ato të vogla, me ritmin aktual të një mijë fermave që zhduken çdo ditë në EU, “nuk është e lehtë një ditë te jesh fermer e ditën tjetër shofer taksie” sipas fjaleve Komisionerit Wojciechowski.

 

Shqiperia që të jetë në një nivel të përafërt me EU e kur mund të fillojë në terma konkrete diskutimin e anëtaresimit, duhet të ketë ferma me një mesatare prej rreth 5 ha e të sigurojë mbështetje me pagesa direkte minimalisht 1000 Eur. Jo se 1000 Eur mjaftojnë po ashtu si në vendet e Europës lindore ish socialiste, tani anëtarë të EU, CAP do duhet të kontribuojë me pjesën tjetër.


Ndryshimi vjen nga jashtë

Ndryshimi në bujqësi nuk do të vijë nga bujqësia vetë por nga jashtë saj. Rritja ekonomike e punësimi në sektorë jo bujqësore, kërkohen të shpejta në mënyrë që të rritet edhe bujqësia. Sepse subvencionet për bujqësinë vijnë nga jashtë bujqësisë. Sepse bujqësia është ushqim, kostoja “e lirë” e të cilit na lejon “të kursejmë” e të investojmë më shumë në sektorët e tjerë jo bujqësore, e një pjesë të fitimeve të tyre t’a rikthejmë si subvencion përsëri në bujqësi. Subvencion, për të mbrojtur natyrën e mjedisin, për ndryshimet klimatike.

 

Madhësia e fermës ndryshon kur fitimi nga një punë jo bujqësore është më i larte se ai i punës në fermë. Në këtë moment kur po ndodh ndryshimi me dekarbonizimin e rritjen e kërkesës për shërbime Shqiperia ka shanse nqs do t’i përdorë ato për të shkolluar e trainuar të rinjtë ruralë të mos mbeten vetëm brenda fermës. Kjo në një kohë kur është trendy e thuhet që “bujqësia është prioritare, romantike, prodho ushqimin tënd, u kthye nga emigrimi e ngriti një fermë”. Po, nqs ke aq kapital sa të konkurrosh ose gjen aq punë sa të kompensojë kapitalin bëje fermerin. Por, për ata që nuk i kanë, tregu i punës, së paku në botë, për shoferë të mjeteve të mëdha ështe në rritje e me kërkesë të lartë, tregu i atyre që shpërndajnë mallra në adresë me makina, tregu për kujdesin social e shëndetësor, nqs shikojmë afatshkurtër. Energjitë e rinovueshme në vend të atyre fosile, era, uji, dielli, masa e gjelber, infrastruktura e tyre drejt makinave elektrike e përdorimit eficient industrial e shtëpiak është një treg i ri i afërt, por dhe i shtrirë në kohë e i qëndrueshëm.


Nqs mbas luftës njerëzit iknin nga fshatrat drejt industrive, është një mundësi e re kjo sot e cila deri pak kohë më parë dukej e pamundur, lëvizje të reja masive të qëndrueshme nga fshati drejt punëve jo bujqësore, sidomos për një vend me 50 % popullësi rurale si Shqipëria.  E kuptueshme që nuk do të jetë e lehtë, sepse vetë qytetet kanë probleme me punësimin, por është alternativa e vetme që duhet kapur e duhet krijuar. 


Nqs duam të ndihmojmë fermat të jenë kompetitive përsëri masa jo bujqësore do të vlejnë më shumë se ato direkt bujqësore, për të cilat vepron tregu.


Infrastruktura e internetit kudo, e lirë në zonat rurale, trainimi për një përdorim të sigurt të rrjetit e kompiuterave, janë vende pune, por janë informacion, njohuri e akses në subvencione e politika për fermerët. Kjo edhe sepse aksesi në subvencione, psh pagesa për dikë që të përgatitë një kërkesë është më e shtrenjtë se vetë subvencioni. Masa sociale, si shkollimi e sigurimi i pensioneve për fermerët me moshë të shumë vjetër e zevendësimi i tyre me fermerë të rinj të shkolluar. Në Francë nuk konsiderohesh fermer e as nuk merr dot subvencione nqs nuk ke arsimin e duhur si fermer. 


Ferma Dyson

Janë 15 mijë ha dhe 169 të punësuar. Per krahasim në gjithë Shqipërinë do të kishte vetëm 20 të tilla me rreth 3300 të punësuar. Mosha mesatare e të punësuarve në fermën Dyson është 38 vjeç kundrejt 59 të fermerëve në UK e pothuja po aq në Shqipëri.


Kompania Dyson eksperiencën e kapitalin nga shitjet e elektroshtëpiakeve për të cilat është e njohur botërisht i ka transferuar në fermë.  Por, Sir James Dyson thotë se “…megjithë investimet, e megjithë se ferma është shume efiçiente, bujqësia britanike është larguar nga konsumatorët, çka do të thotë se ata dhe fermerët po humbin të dy bashkë. Eshtë tregtari në mes ai që fiton. Për çdo pound të shpenzuar për një kg patate a bizele dyqani merr 70 penny ndërsa fermeri që ka gjithë rrezikun me motin, me investimin në teknologji merr vetëm 8 penny. Tregu është i shtrembëruar në themel, kështu që ne po e kthejmë vëmendjen drejt shitjeve direkte tek konsumatorët edhe për të ulur varësinë tonë nga subvencionet. Ne po përdorim gjurmueshmërinë duke përdorur teknologjinë e dixhitalizimin që konsumatorët t’a dinë nga vjen prodhimi… “ 


Më qartë e thjesht nuk mundet, pra sado e madhe dhe teknologjike një fermë, tregu bujqesor është i shtrembëruar në themel nga subvencionet e mënyra e tregtimit. Prodhimet bujqesore janë të lira në fushë, por çmimin final e vendosin tregtarët të cilët përfitojnë nga konsumatorët e prodhuesit kur nuk ka konkurencë në shitje. Kur kjo konstatohet si problem në UK me rrjetet tregtare nga më eficientet e kompetitivet në botë, imagjinohet lehtë në vende me infrastrukturë tregtare të mbyllur kundrejt konkurencës.


Nqs në Shqiperi nuk do të ketë mekanizma të shitjeve direkte, që të konkurojnë ata pak tregtarë ose struktura oligopoliste, të krijura me dashje ose pa dashje, e që kanë kontroll absolut mbi shitjet, e ardhmja është e errët sado të mëdha të jenë fermat sepse dhe ato rrezikojnë të zhduken pa subvencionet në rritje ashtu si çmimet për blerësit.


Për t’u rikthyer tek zgjedhja e zgjidhja, e vetmja rrugë është “bujqësia çështje e të gjithë popullit”, aq e ndryshme dhe e njëjtë me filozofinë e CAP. CAP në pak fjalë ka si qëllim sigurimin e ushqimit për shoqërinë, sigurimin e jetesës të fermerëve, mbrojtjen e tokës, natyrës, kjo falë një ekonomie, shoqërie të zhvilluar e demokratike. Nqs një miliard Euro eksporte bujqësore na çojnë drejt këtyre objektivave, do të bëhemi shembull.