Saturday 9 April 2016

Hudhra ( Allium sativum L.)

Allium sativum L.  Alliaceae
Hudhra

Llojet e perimeve që bëjnë pjesë në familjen Qepore (Amaryllidaceae) janë: qepa, preshi, hudhra. Këto janë nga perimet më të herëshme, që njeriu i ka përdorur për ushqim dhe mjekim. 
Hudhra është bima më e studiuar (700 studime shkencore), sepse paraqet vlera të pazëvendësueshme mjekësore. Për 4000 vjetët e fundit të historisë njerëzore, është përcaktuar si një mrekulli, dhuratë e çmuar e natyrës. Kjo bimë pa mëtime të tepërta për klimën-tokën-agrotenikën, ka gjetur përdorim një shumëllojshmëri funksionesh për shoqerinë njerëzore. Ky super ushqim, i ardhur nga lashtësitë, gëzon popullaritet e vëmendje të veçantë në rritje edhe nga mjekësia moderne. Kongresi i Parë Botëror i Hudhrës, që u mbajt në Uashington DC, gusht 1990, e përcaktoi si bimën më dobiprurëse për njeriun. Përmban më se 200 përbërje kimike, shumica me veti shëruese ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve të ndryshme. Hudhra është vrasëse për 23 lloje bakteresh duke përfshirë salmonelën e stafilokokun. Vrasëse e më se 200 kërpudhave, kohët e fundit është zbuluar se ka veti edhe kundër viruseve.


Nga lashtësia tek mjekësia bashkohore
Si vend prejardhje e bimës hudhrës janë përcaktuar Azia Qëndrore dhe Mesdheu. Mendohet, se është përdorur këto vende, qysh nga koha e neolitit si aromatizues, ushqim dhe erëz. Hudhra është e njohur edhe nga qytetërimet e lashta të luginës  Indus, vendin ku shtrhet Pakistani dhe India Perëndimore. Zbulimet në Egjiptin e lashtë, dëshmojnë se hudhra ka pasur përdorim të gjerë. Në varre janë zbuluar skulptura dhe piktura të hudhrës. Kohët e fundit është zbuluar një papyrus, që daton 3500 vjet përpara, ku paraqiten këshillime për hudhrën si shëruese për 22 sëmundje; si ato të zemrës, anemia, tumoret, etj. Skllevërve që ndërtonin piramidat, u jepnin hudhra në ushqimin ditor, për të ritur rezistencën dhe fuqinë e tyre.

Ne Greqinë dhe Romën e lashtë, hudhra përdorej si frikësues(repelent) për akrepat, për mjekimin e plagëve të kafshimit nga qeni, për kurimin e fishkëzës së urinës, për sëmundjen e leprozës, etj. Gjithashtu përdorej  për ushtrinë dhe gladiatorët, për fuqi e guxim në dyluftime.
Ne Mesjetë dhe deri në ditët e sotme, nga shkenca është dashur të vërtetohen dobitë e hudhrës, në ato drejtime që këshilloheshin në lashtësi. Për shumë vite,anglezët dhe amerikanët e kanë shmangur hudhrën nga përdorimi, për shkak të erës së keqe. Në Angli, në shek. XVII, zonjave dhe gjykatësve nuk u lejohej të hanin hudhër. Por tani, gjërat për britanikët dhe amerikanët kanë ndryshuar. Në vitin 2002, SHBA  prodhoi 256.280 ton hudhra, një shifër rekord e viteve të fundit. Në kontinentin amerikan, hudhra është sjellë nga kolonët spanjollë e portogezë. Përditë e më shumë po fiton terren në guzhinën amerikane dhe është objekt studimi i mjekësisë.
Në vitin 1858, Louis Pasteur (1822-1895), vërtetoi se hudhra vret bakteret; një milimetër lëng  hudhre, ka frytshmësi sa 60 miligram penicilinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur penicilina ishte me sasira jo të mjaftueshme, ushtritë britanike dhe ruse  përdornin lëng hudhre të holluar si antiseptik për dezinfektimin e plagëve për të parandaluar gangrenat. Albert Schweizer (1875-1965), në fillim të shekullit të 20, hudhrën e ka përdorur në Afrikë për të shëruar njerëzit nga  tifo dhe kolera.

Në Shqipëri, hudhra është bimë bujqësore tradicionale, shumë e lashtë. Nuk ka studime të mirfillta që të dëshmojne se qysh kur e kanë selitur këtë bimë shqiptarët. Por popullariteti kaq i madh dhe përdorimi i gjerë në guzhinën, mjekësinë popullore shqiptare, si dhe mitologjia rreth kësaj bime, përbëjnë dëshmi të lashtësisë së selitjes  në troje shqiptare. Madje fjala hudhër duhet të jetë me rrënjë tek ilirishtia. Në trojet shqiptare ka disa mbiemra ‘hudhra’. Nuk ka familje që mbjell perime për përdorim vetiak që të mos ketë selitur edhe këtë bimë. Në troje shqiptare ka shumë ekotipe, por më të përmendurat janë hudhra e: ‘Korçës’, ‘Pukës’, ‘Dhrovjanit’, ‘Milotit’, etj.  T’i ruajmë e të kujdesemi për këto vlera, të përzgjedhura në shekuj nga mjeshtrat tanë.

 Në mjekësinë popullore shqiptare, tradicionalisht hudhra është përdorur me sukses për mjekimin e plagëve, uljen e tensionit gjakut, infeksjoneve të lekurës(çibanëve), të syrit (kathit), parazitëve në aparatin tretës, anemisë, gripit, dhimbjeve të veshit, stomakut, etj. Në Shqipëri, ka traditë të mirë në përdorimin e hudhrës në guzhinë dhe është pjesë në recetat  e shumë gatimeve; po ashtu perdoret  në turshi, në mjeksine popullore etj..

Në mitologjitë dhe bestytnitë e popujve.
Hudhra dhe kripa, si në Ballkan ashtu edhe në vendet e tjera në Evropë janë përdorur për të mbajtur larg krijesat e këqia dhe në tërësi të keqen. Sipas mitologjisë, pasi djalli u zhduk nga Kopshti i Edenit, në gjurmët e tij të majta mbiu hudhra dhe në gjurmët e djathta mbiu qepa. Këtu besoj se zë fill shprehja që përdorim shpesh ne shqiptarët: “nga hudhra, nga qepa” kur duam të themi majtas ose djathtas.
 Bestytënitë, përvoja bashkohore nuk i ka konfirmuar, por ato janë zbatuar që në lashtësi dhe vazhdojnë në ditët  tona. Hudhra në Ballkan dhe vendet e tjera në Evropë, përdoret për të luftuar ‘syrin e keq’. Dy tre thelpinj  u vendosen fëmijëve të mbarë, nuseve, madje edhe dhëndurëve, krushqve e njerëzve të suksesshëm e të ekspozuar në publik. Shpesh, shtëpive nëpër dyer u vendoset një varg me hudhra, për të larguar të keqen, xhindet. Një varg me hudhra u vendosen edhe hardhive, pemëve me prodhim të mbarë, arave me bimë të selitura, për te larguar ‘syrin e keq’ apo te keqen. Kur shohim ndonjë gjë të mirë e të bukur, shpesh thuhet “hudhra, hudhra” që do të thotë: vendos hudhra që ta mbrosh nga ndonjë e keqe.
Parizianët thonë se do të kenë shëndet të mirë gjatë vitit, në qoftë se do të hanë hudhër me gjalpë, gjatë muajit maj. Kjo më kujton një traditë të vjetër në trevën e Gjirokastrës, që ndoshta përdoret edhe në treva të tjera shqiptare. Për 1 maj, ndaj të gdhirë, duhet të haje esëll pak hudhër të njomë, që fëmijëve u a vendosnin prindërit ndën nënkrese, duke ju thënë se kjo bëhej për të qenë të fuqishëm e me shëndet të mirë gjatë gjithë vitit. Çastet më të bukura dhe më të brishta në jetë, siç janë femijëria, martesa, gëzime të tjara apo fatkeqësi, njeriu ka besim dhe kërkon mbrojtjen e hudhrës; kjo e mbështjell këtë bimë me misticizëm.

Prodhimi botëror i hudhrës po rritet.
Hudhra është e përhapur në gjithë  botën. Si bime pa shumë mëtime, përshtatet lehtësisht ndaj kushteve klimatike dhe llojit të tokave. Hudhëra nuk shquhet për prodhim të madh. Vërtet është shumë perdorëshme, por në sasira të vogla.  Më tepër gjen përdorim si përmirësuese në recetat e gatimit, në industrinë e konservimit të ushqimeve dhe në mjeksi. Nevojat e tregut plotësohen lehtësisht.
Vërehet se sipërfaqja e mbjellë dhe prodhimi, kanë pasur rritje vitet e fundit. Vetëm 60 vende njiheshin si prodhues tradicionalë të hudhrës, por tani selitet në rreth 100 shtete, dhe prirja është në rritje. Në vitin 1998 mbilleshin 958.876 ha., prodhohej   9.139.488 ton.; në vitin 2008 u mbollën 1.216.663  ha. dhe u prodhuan 16.410.374  ton hudhra. Në 10 vjetet e fundit, prodhimi botëror i hudhrës gati është dyfishuar.
Në Shqipëri, sipas statistikave të FAO-s, për vitin 2008 u prodhuan 6.660 ton, me  rendiment mesatar 79.3 kv/ha. Hudhra përdoret e njomë ose e thatë. Në tabelën e mëposhtëme janë të dhëna për hudhrën e thatë.

Dhjetë prodhuesit më të medhenj në botë të hudhrës
( “FAO statistics”, 2008)
Rank
Area
Production (Int $1000)
Flag
Production (MT)
Flag
1
China
9705664
*
12575036
F
2
India
497823
*
645000
F
3
Republic of Korea
289789
*
375463

4
Egypt
199598
*
258608

5
Russian Federation
174948
*
226670

6
United States of America
149910
*
194230

7
Myanmar
113457
*
147000
F
8
Bangladesh
111772
*
144817

9
Spain
109984
*
142500

10
Argentina
108054
*
140000


World Total
Rend kv/ha134,8

16.410.374



Dobi të pazëvendësueshme për njerëzimin.

Dobitë e hudhrës janë të shumta, shpesh edhe kontradiktore. Do të përqëndrohem në më thelbësoret dhe ku janë drejtuar zbulimet e kohëve të fundit të shkencës. Del ne pah se mjeksia, studimet rreth hudhrës i ka përqëndruar në sëmundjet që vështirësisht shërohen me ilaçe, Studimet po kryhen edhe për përdorimin e hudhrës ndaj prekjes nga HIV.
·      Përdorimi i hudhrës ul sëmundjet kardiovaskulare. Ndihmon ne uljen e shkallës së kolesterolit, të shtypjes së lartë të gjakut. Mundëson parandalimin e atakut.
·      Kundër të ftohtit, gripit. Hudhra përmirëson funksionin imunitar, kështu që rritet qëndrueshmëria ndaj këtyre sëmundjeve. Ngrënia e 2-3 thelpinjëve hudhre në ditë, parandalon këto sëmundje.
·      Kundër kancerit. Hudhra ka aftësinë për të pakësuar formimin e qelizave kancerore. Bllokon përbërësit që shkaktojnë formimin e kancerit dhe ngadalëson rritjen e qelizave të tumorit. Hudhra është veçanërisht e dobishme bllokimin e kancerit te gjirit, stomakut, prostatës, fshikëzës së urinës.
·      Përdoret në kuzhinë për të rregulluar dhe përmirësuar shijen e shumë gatimeve. Ne industrinë e konservave, për të përmirësuar shijen dhe të luftojë infeksionet e baktereve dhe kërpudhave.
·      Përdoret si frikësuese  ndaj mushkonjave dhe disa dëmtusve të tjerë të bimëve.. .
Ka edhe një fjalë të urtë domethënëse:

“Nje kokërr molle në ditë, doktor nuk më panë sytë.
  Disa thelbinj hudhër, sëmundje  kurrë.

Shumë dietistë porositin që të bëhet kujdes ne lidhje me marrjen e një sasie të madhe hudhre në ditë, sepse mund të ngacmojë rëndë sistemin tretës dhe mund të shkaktojë alergji trupore. Një dozë ditore prej 1 deri në 3 thelpinj hudhër të freskët është e nevojshme për shëndet të mirë. Por në çdo rast, më e mira është këshillimi me mjekun.

Kohet e fundit hudhra nga raftet e guzhinës, po shkon  drejt rafteve të farmacive. Duke u nisur nga vlerat e shumta dobiprurese qe ka kjo bime, industria ushqimore dhe farmaceutike, kane hedhur ne treg shumllojshmeri produktesh ne forme pudre, lëngu vajor, pomade, pilulash, tableta etj.. Jo të gjitha janë të çertifikuara e të studjuara. Gary L Huber MD, Drejtor në Institutin e Ushqimit Teksas, porosit: Mos harroni se pjesa më e madhe e efekteve pozitive të hudhrës është e mbështetur në përdorimin e freskët, natyral..

Pa pretendime agroteknike, në ruajtje e transport.


Vlera dhe vështrime bujqësore agroteknike. Nga guzhina dhe laboratorët shkencorë le të zbresim në fushë, atje ku prodhohet kjo mrekulli. Hudhra krahasimisht me perimet e tjera selitet lehtë. Nuk kërkon  prodhim të farës, apo farishte si qepa, preshi e perimet e tjera. Mjaftojnë 3-4 kg thelpinj për 100 m2. Sigurisht që zgjidhen bimë, të pa prekura e rezistente ndaj nematodave e viruseve, thelpinj me peshë 1,5 gr. Shkon mirë në tokat e kulluara, me përberje ranore-argjilore dhe të  mesme nga lëndet ushqyese, por të pasura në potas, ph 6,2-7. Shpesh kultivuesit përdorin hirin si plehërim bazë e plotesues.  Hudhra është sa bimë e prodhimit të madh për treg, aq edhe për prodhim të vogël familjar, selitur në kopsht ose vetëm në një vllajë disa metërshe. Ne këtë rast mund të konsumohet e njomë dhe e thatë. Mbillet me vllaja, distancat brenda vllajës, 15-20 cm midis rreshtave dhe rreth 8-10 cm bima nga bima, tëharet-prashitet 2-3 herë, 1-2 ujitje në qoftë se lypsen.

Afatet e mbjelljes varen nga kushtet e klimës. Në zonën e ngrohtë zakonisht bëhet në vjeshtë, gjat tetorit, afati më i mire.  Kjo ndodh sepse bima për të formuar bulbe të mirë, duhet të kalojë për dy muaj në temperaturat 4-5o C. Në zonën e ftohtë hudhra mbillet gjat pranverës, muai mars. Këto mbjellje nuk rezultojnë me bulb të mirë dhe shpesh bulbet janë një thelbore. Disa e trajtojnë farën e hudhres në frigorifer për të shmangur këtë dukuri. Mbjjellja e hudhrës gjat vjeshtës në zonën e ftohtë mund të shoqërohet me mulçerim. Po, gjithsesi mbjelljet pranverore janë të mira për të prodhuar hudhra të njoma. Nuk duhet të mbillet në toka që kanë qenë mbjellë me bimë të familjes qepore, sepse preket nga sëmundjet dhe dëmtuesit.

Sëmundje dhe dëmtuesit e zakonshëm te hudhrës janë: Ndryshku(Puccinia alli), Vrugu(Perenospora destructor), dëmtonjësit që jetojnë në tokë, nematodat, etj. Ndaj tyre duhet të meren masa parandaluese, si farë e pastër, toka të pa infektuara, etj.
Hudhra preket dhe nga disa semundje, gjat ruajtjes në kushte jo të mira si: kalbëzimi bardhë(Sclerotium cepivorum), Botritisi (Botrytis porri), fusariozat(Fusarium culmorum) etj.

Hudhra përmban lëndë të thatë më shumë se të gjitha perimet, deri ne 40 përqind. Kështu ajo krijon lehtësira edhe gjat ruajtjes e transportit.

Ndërhyrjet gjenetike në bimën e hudhrës bëhen të vështira, sepse ajo është shumuar gjat gjithë historisë selitjes të saj në rrugë aseksuale, vegjetative, me thelpinj. Nga ky shumim lindën klonet, ekotipet që ruajnë e konservojnë fort vetitë dhe u heq mundësinë gjenetistave për të ndërhyrë e krijuar lloje te reja me veti të dëshiruara. Në këtë drejtim hudhra është më pak e studjuar. Gjenetika dhe hibridizimi hudhres kane qene te pa njohura deri ne vitet 1980, kur në Japoni ( Etoh et al ., 1988 ), Gjermani ( Konvicka, 1984 ) dhe në SHBA ( Pooler dhe Simon, 1993 ), realizuan farën e vërtetë të hudhrës. Kur fara e vërtetë e hudhrës të prodhohet gjerësisht, do të kuptohen e do të shfrytëzohen më mirë të gjitha resuset gjenetike të kësaj bime. Sot shkenca gjithashtu, nëpërmjet analizave të modeleve të ADN-së, ashtu si tek njerëzit dhe kafshët, mund të përcaktojë e të kontrollojë karakteristikat prindërore një kloni të hudhrës, nga ku mund të bëhet dhe nderhyrja gjenetike për të sjellë në selitie lloje të dëshiruara nga njeriu.

Në përfundim do të përmend një thënie të filozofit gjerman Gëte(Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832): Natyra çdo gjë e ka  të përsosur. Gabimet janë në anën tonë.
Uroj që njerëzimi mos të gabojë me bimën e hudhrës, këtë dhuratë të çmuar të nënës natyrë.

Përgatiti
K. Mosko
Boston MA SHBA

Shkurt, 2011

No comments:

Post a Comment