DHIMITER PASKO (MITRUSH KUTELI)

 


Të dua baltë shqiptare

Të dua baltë shqiptare
Të dua egërsisht!
dëshpërimisht!
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën.
Se gjer mbi gju
jam brenda teje,
se lerë kam këtu,
si baba, si gjyshi.
Të dua baltë shqiptare!
se gjer mbi bel,
e përmbi bel
jam brenda teje
s’dal dot
se s’dua!
Se ti më lidh
e më mban
me mjaltë
e me pelin.
Se këtu vdekur ka,
këtu,
nëna dhe baba e gjyshër-stërgjyshi.
Të dua baltë shqiptare
Magjistare
e ëmbël
si vetë vdekja.
se thellë jam këtu
brenda teje
gjer mbi gju
gjer mbi bel
e gjer mbi krye.
Dhe dua fort të dehem
të prehem
(ah që tani!)
Brenda teje.
Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë.

No comments:

Post a Comment