Sunday 7 September 2014

FTOI (Cydonia oblonga Mill.)

Kujtime
            Në gjysmën e parë të shekullit që kaloi, ftoi në Shqipëri ka qenë një nga pemët frutore mjaft të kultivuara por, kjo traditë në vitet që pasuan ka ardhur duke u zbehur. Çdo familje në fshat kishte ftonjtë e saj, kryesisht për të plotësuar nevojat vetiake por, pa përjashtuar dhe furnizimin e tregut.  Mbilleshin rreth shtëpive ose në kopshtet afër fshatit. Madje gjat periudhës së monizmit u mbollën dhe ngastra në blloqe. Frutat e tij për fshatarët shërbenin për të plotësuar kërkesat aristokratike të tyre, siç thuhet:  “qershinë mbi tortë”. Konsumohej frut i freskët por, i rëndësishëm ishte për prodhimin e reçelit(glikosë prevede). Çdo shtëpi në festat familiare, sidomos në fejesa e martesa, për të gostitur miqtë sipas traditës, duhet të kishte gliko ftoi. Kupa artistike enkas për glikonë me ftua servirej në një tabaka nga më të mirat e shoqëruar me dy gota uji anash, njëra shërbente për të mbajtur lugët e argjënda të pastëra  dhe tjetra për t’i vendosur pas ngrënies. Një traditë kjo, e trashëguar nga familjet fisnike bizantine. Me ftonj të grirë, ose ato që mbeteshin nga glikoja behesh reçel ose marmalatë dhe shpesh përzihej me mjaltë e kishte një shije të veçantë. Përveç kësaj, gjyshet dhe nënat e përdornin edhe si aromatik.
            Nga fëmijëria mbaj mend se në shtëpinë tonë i vetmi vend me çelës ishte sënduku i pajës së nënës. Aty mbaheshin ndonjë lek, rrobat e mira të saj, kostumi i babait, kostumet tradicjonale lunxhote, e gjithçka e vyer që kishim në shtëpinë tonë. Brenda tij nëna vendoste dy-tre ftonj “për erë të mirë”. Kur ajo e hapte për të nxjerrë rrobat që i duheshin, shkoja afër dhe nuk ngopesha me atë aromën e mirë të ftonjëve që e kishin marë rrobat. Nuk besoj se ka ndonjë deodorant në botë që të konkurojë aromën e sendukut të nënës time. Si aromatik e përdornin dhe në bufetë, ose ku mbanin ushqimet, shpesh i vendosnin edhe në një frutierë në mes të tavolinës për t’i dhënë aromë të mirë gjithë shtëpisë..
            Ftonjtë e fshatit gjat lulëzimit prekeshin nga një sëmundje që çfaqesh me  tharjen masive të luleve dhe gjetheve, sidomos në mot të lagët. Këtë dukuri e kisha vërrejtur kudo, madje edhe nga treni kur shkoja në Tiranë, aty diku tek Vora, ku ishte një ngastër me ftonj. Në shtëpinë tonë kishim dy ftonj por, nuk prodhonin ose prodhonin fare pak, për shkak se edhe këta ishin të infektuar. Gjat kohës në fakultet kur u njoha me këtë sëmundje nga ligjëratat, mendja më shkoi menjëherë tek ftojtë që kishim në shtëpi. Kur u ktheva në fshat i spjegova babait se ftonjtë ishin prekur nga një sëmundje dhe do ti shëroja, e ti bëja që  të prodhonin. Babai më dëgjoi me vëmendje. Në fytyrën e tij u çfaq një farë kënaqësie, krenari e gëzim se, pas asaj shkolle të gjatë e cfilitëse, më në fund dijet e marra nga librat po hynin në punë. Në një farë mënyre po vërtetohej “profecia” e tij e përsëritur qindra herë, që nga klasa e parë e shkollës fillore: “Mëso, se shkolla të hap sytë!” Fëmijëria dhe adolesheca e babait përkoi me Luftën Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore. Një pjesë të shkollës e ndoqi në gjuhën greqisht dhe një pjesë në gjuhën shqip, sipas influencave të kohës, shkruante e lexonte në dy gjuhët por, kurrësesi nuk ishte i kënaqur me shkollimin e tij, ndaj e kishte merak gjat gjithë jetës.
            Në pushimet e janarit ftoin e krasita rëndë duke ja hequr të gjitha pjesët e prekura nga sëmundja, sipas disa shenjave, i lashë vetëm një degë të krasitur që nuk ishte e prekur. Mendoja të kryeja dhe spërkatje por, asnjëhere nuk i bëra dot se punët më mbanin larg fshatit. I kushtova vëmendje plehërimit organik dhe gjat muajve të verës i bëja edhe ndonjë ujitje. Pas gjithë kësaj në vitet që pasuan lastarët e rinj prodhuan aq shumë sa duhesh vendosur ndonjë furkë për të  mos u thyer degët.

            Ftoi me kujton edhe fillimet e punës time si agronom. Sapo kisha marrë detyrën e agronomit për të menaxhuar perimet, drufrutoret, vreshtat dhe mbrojtjen e bimëve për gjithë kooperativën “Asim Zenel”. Në Gjinofshat, një vend afër fshatit Krinë, dikur aty kishte qenë një fshat por u shpërbë nga reprezaliet e turqëve, ishte një brigadë që prodhonte një sasi të konsiderueshme të frutave dhe perimeve për kooperativën. Ishte koha e krasitjeve dhe spërkatjeve dimërore. U nisëm së bashku me agronomin e sektorit për të parë si venin punët dhe për të më prezantuar mua si agronom të ri. Faktikisht punonjësit e kësaj brigade kishin një përvoje të gjatë për kultivimin e drufrutorëve, ishin mjeshtra, të zgjedhur si më të mirët, e më të apasionuarit nga tre fshatrat aty afër.
            Harritëm në kohën e pushimit të drekës, brigada u grumbullua në një vend për të shuar gjithesecili dhe kureshtjen për agronomin e ri. Diskutuam mbi problemet e kohës. Fjalën agronomi sektorit ma la mua për t’u dhënë mundësinë punonjësve të më njihnin nga afër, dhe unë ata po ashtu. Në formën e një bashkëbizedimi fola për punët dhe rregullat e perdortimit të pesticideve. Një nga punëtorët si për të më zënë gafil, u hodh e tha:
- Këto na i ka thënë agronomi sektorit dhe i kemi mësuar përmendësh si vjersha po, ke ty ndonjë mendje të na japësh se si t’i bëjmë të prodhojnë këta ftonj, - dhe tregoi me dorë vendin ku ishte një parcelë me rreth 80-100 rrënjë ftonj të cilët kishin disa vjet që nuk prodhonin.
            Kuptova se ishte krijuar nje mentalitet i gabuar. Në bazë brigade vepronte edhe një organizatë partie e asaj kohe dhe me që punët nuk shkonin mirë shpesh shqyrtonte edhe çështjet teknike të kultivimit të bimëve. Brigada kishte disa vjet që dilte me humbje. Isha para një sprove, me duhej me durim të zbrazja tërë arsenalin e dijeve të mia shkencore rreth këtyre problemeve. Argumentat që solla ishin bindëse. Me këmbënguljen e agronomit të sektorit më në fund u dakortuam. Hartuam një program masash operativ. Unë me tre krasitës do të mireshim me ftonjtë për dy- tre ditët e ardhëshme, punë e cila ishte e lehtë për mua pasi kisha sigurinë dhe eksperiencën e ftonjëve të mi.. Ftonjtë nuk kishin ndonjë ndikim të madh në prodhinin total të frutave për brigadën por, sidoqoftë kjo punë kishte përfitim ekonomik.
            Përfundimisht me masat e tjera e të gjithanëshme që muarrëm edhe në perime e vreshta, ja harritëm që brigada të dilte nga gropa financiare. Ftonjtë filluan të prodhonin që në vitin e parë, ndërsa mua mu rritën pikët si agronom i ri para kësaj brigade. Në vitet që pasuan organizata e partisë së brigadës propozoi që  të bëhesha anëtar partie por, kjo nuk u realizua kurrë.
            Prodhimi i ftonjëve në Shqipëri gjat 50 vjetëve të fundit të krijon përshtypjen e një prodhimi spontan, të pa stabilizuar. Kjo tregon se për këtë kulturë dru frutore nuk është kushtuar vemendje. Gjat viteve të fundit vihet re një tedencë për një rritje të prodhimit të tij, si rrezultat i kërkesave në rritje të tregut të brendshëm por dhe atij të jashtëm. Në grafikun e mëposhtëm është përllogaritur mesatarja e 10-vjeçarëve.

            Shkaqet e lënies pas dore të kultivimit ftoit janë shkaqet sociale si: Lëvizjet e popullsisë sollën zbehjen e traditave por, dhe kolektivizimi i nënvleftësoi disa kultura bujqësore të traditës. Jo më pak kanë ndikuar dhe shkaqet biollogjike. Në qoftë se për disa kultura bujqësore është punuar fort për përmirësimin dhe krijimin e llojeve me prodhimtari të lartë dhe rezistente ndaj sëmundjeve e dëmtuesve, me ftoin është punuar le ta themi pak. Si shkaqe mund të përmenden dhe ato të marketingut, konkurimi nga molla dhe dardha, etj.

Etimologji
            Emëri latinisht “Cydonia” rrjedh nga qyteti port Chania(Χανιά) në ishullin e Kretës të Greqisë nga ku ftonjtë eksportoheshin për në Evropë. Në lashtësi ky qytet quhej “Cydonia”, madje thuhet se këtu është kryer dhe përmirësimi i ftonjëve në formën që kemi sot, nga forma e egër dhe u shpërnda në gjithë Mesdheun.
            Fjala “ftua” në gjuhën shqipe nuk ngjason me asnjë nga gjuhët e tjera, si ato të perëndimit dhe ato lindore. Sipas gjuhëtarëve fjala “ftua” rrjedh nga format dialektore të gjuhëve me origjinë latine ose romane. Nuk besoj se është një përcaktim i drejtë. Fjala “ftua” ashtu si fjalët “fik”, “shegë” duhet të jetë shumë më e vjetër. Nëpërmjet etimologjisë së kësaj fjale mund të hidhet dritë e të faktohet se ftoi nga shqiptarët është kultivuar që në lashtësi.

Mite, legjenda, folklor
            Ftoi është një kulturë drufrutore mitike e kultivuar nga njeriu ndoshta  dhe më herët se molla dhe dardha të cilave u ngjason shumë pasi, bën pjesë në të njëjtën familje(Rosaceae). Disa studjues konkludojnë se mund të ketë qenë dhe fruti i tundimit për Evën dhe Adamin në Mesopotaminë e Lashtë 4200 vjet më parë. Emëri biblik i ftoit përkthehet “Mollë e artë” ndërsa  emërin ftua e ka marrë më mbrapa kur filloi të përmendet molla. Tek “Odisea” e Homerit përmendet si peme frutore e rëndësishme në kopshtet e asaj kohe.
            Në mitologjinë Greke ftoi përmendet gjithashtu me emërin “mollë e artë” dhe është fruti që Parisi i dha Perëndeshës së dashurisë Afërditë për të marrë dorën e Helenës së bukur të Spartës. Thuhet se në atë kohë në Trojë nuk kishte mollë por, një ftua që u quajt  “mollë sherri” midis perëndeshave më të bukura: Afërditës, Herës dhe Athinasë. Në Greqinë e lashtë ftoi është karakterizuar si “fruti i dashurisë, martesës dhe pjellshmërisë”. Plutarku[2] kumton se ne ceremonite e dasmave ftoi ishte një frut i rëndësishëm. Kur dhëndri me nusen hynin në dhomë përdorej për të ëmbëlsuar e ndahesh midis tyre, siç veprohet sot me tortën e dasmës, ndoshta që këtu e ka zanafillën ky rit. Në kohën e mbretërimit të Mbretit të madh Solomon[3] kjo ishte saksjonuar me ligj. Një mit tjetër thotë se gratë gjat shtatzanisë hanin ftonj për të lindur fëmijë të mbarë, të bukur dhe shumë inteligjentë. Kjo thuhet dhe sot në shumë treva ku banojnë shqiptarët. Në një traditë të grekëve të lashtë karocës martesore i hidheshin ftonj dhe shpërndaheshin sapo nusja të harrinte tek shtëpia e dhëndrit.
            Edhe ne Romën e Lashte ftoi ishte një frut që vlerësohej. Plini e përmend ftoin si një frut me vlera medicinale. Në pikturat murale të Pompeit ftoi është vendosur në putrat e një arushi. Romakët ftoin e përdornin edhe në guzhinë për gatime. Në atë kohë flitej se mbahej edhe për të luftuar syrin e keq. Për fenë islame ngrënia e ftonjëve të forcon zemrën.
            Në trevat e Gjirokastrës glikoja me ftua përdoret për të gostitur krushqit si gjat ceremonive të fejesave ashtu dhe të dasmave e gëzimeve të tjera, siç e kam përshkruar më lart. Glikoja me ftua duhej të sigurohej pa tjeter në këto raste, glikoja përgatitej nga amvisat e familjeve që kishin gëzimin, ky zakon ndiqet edhe sot. Nisur nga ky kënd-vështrim emëri “ftua”në shqip të lë të dyshosh se derivon nga folja “ftoj”, si një homonim. Pra, ftoi si frut ose gliko ishte domosdoshëm kur do të ftoheshin miq në shtëpi dhe duhej të gostiteshin apo të ëmbëlsoheshin. 
            Shpesh gjat hyrjes së nuses në shtëpinë e dhëndrit kaluar në kalë nusja mbante ftonj në duar të cilët ua dhuronte fëmijëve të fisit të dhëndrit që ja vendosnin në duar në çastin kur e zbrisnin nga kali, zakonisht një djalë dhe një vajzë.
            Fotoi është pasqyruar edhe në folklorin e shqiptarëve, në këngë, proverba, etj.  Në një këngë të vjetër që i këndohet nuses në dasmat lunxhote thuhet:
Nuse lastar i ftoit
Duket që je vajzë soit
O nuse qelqi me ris
Do vesh ku e ke për fis.
Në një këngë tjetër thuhet:
Pse je verdhur je bërë ftua
O djalë more
Zverdhur nga hallet e tua
Vajzë moj lule….
“Je zverdhur e je bërë ftua” thuhet kur një njeri ështe i sëmurë ose i trembur, i frikësuar.
    
Gostia me gliko ftoi ne Lunxheri 
       
Origjina, përhapja, prodhimi
            Vend origjina e ftoit mendohet të jetë midis detit Kaspik dhe Detit të Zi, në rajonet e Trans-Kaukazit ku dhe sot gjëndet në gjëndje të egër. Ka të dhëna se është kultivuar edhe në Mesopotaminë e Lashtë në zonën veriore të Irakut, para se të kultivohej molla. Emëri ftua përmendet në shkrimet greke që në vitet 600 para Erës së Re. Nga romakët permendet nga Plini, Kolumela etj. Në Francë dëshmohet se është çfaqur në vitin 812, ndërsa në Angli në vitin 1275.
            Në Kontinentin Amerikan si datë e hyrjes së ftoit është shënuar 16 marsi 1829  në Massachusetts dhe u përhap me shpejtësi në shtetet Virxhinja, Teksas etj., por u konkurua nga molla dhe dardha. Në Amerikën e Jugut i sukseshëm ka qenë kultivimi i tij në Argjentinë,  Uruguaj, Kili dhe në jug të Meksikës.
            Gjat shekullit të 18-të u përhap në Australi dhe Zelandën e Re i sjellë nga evropianët por, edhe nga Kina. Sot ftoi është i përhapur në gjithë botën dhe prodhimi i tij po rritet nga viti në vit.
            Në grafikun e mëposhtëm është pasqyruar prodhimi mesatar(i  një viti) në 10- vjeçarët e fundit të shekullit të kaluar dhe në vitet 2000-2010. Rritja e prodhimit ka ardhur si rrjedhojë e përhapjes në zona të reja të pa kultivuara më parë por, dhe nga intesifikimi i kultivimit të tij në zonat tradicjonale. Të dhenat për grafiqet e më poshtëme janë sipas statistikave të FAO-s.


Shqipëria për vitin 2012 renditet e 18-ta ne këtë listë me një prodhim vjetor 3894 ton ftonj. 

Dobitë e ftoit.
            Ftoi ka një kurorë të vogël e lule të bukura por, dhe gjat frutifikimit frutat e verdha kanë një paraqitje mbresë-lënëse ndaj në Shqipëri është përdorur që në lashtësi e deri në ditët tona për zbukurimin e fasadave të shtëpive të banimit së bashku me shegën, pjeshkën, trandafilat, etj..

            Një përdorim të gjerë ftoi ka gjetur i kultivuar si nënshartesa për fidanat e pemëve frutore. Në Francë që në vitin 1500, e përdornin si nënshartesë për fidanat e dardhës. Sot është e përhapur edhe në Angli, SHBA e vendet e tjera. Edhe në vendin tonë në shekullin që kaloi ftoi është përdoror që në vitet 30-të nga fidanishtet frutore si nënshartese për fidanat e dardhës. Nënshatesa me ftua për dardhën ka përparësi sepse bima hyn më shpejt në prodhim, frutat janë më të medha, prodhon më shumë, ka kurorë më të vogël  por, jetëgjatësia e bimës është më e shkurtër se kur nënshartesa është goricë.
            Ftoi është përdorur duke e konsumur si frut i freskët por, ka patur një konkurim nga molla dhe dardha të cilat janë të shumëllojëshme dhe prodhojnë më shumë. Sasira të konsiderueshme të prodhimit të ftonjëve përpunohen nga industria ushqimore për prodhimin e prevedesë, reçelit, marmalatës dhe kompostove.
            Dobitë ushqyese dhe mjekësore të ftoit për njeriun ende nuk janë të studjuara mirë por, nga të dhënat e deritanishme të shkences del në pah se ftoi në dallim nga molla dhe dardha ka disa përparësi në drejtime të ndryshme. Ndonse cilesohet si një frut me pak kalori, përmban antioksidantë poli-fenolike jetike.  Lëndet catechin dhe epicatechin që ndodhen në frutin e ftoit mënjanojnë ose mbrojnë mukozen e aparatit tretës nga veprimi inflamator e kanceroz i kimikateve toksike, konsumimi i ftonjeve është i dobishem  për ata që vuajnë nga gastriti dhe ulçera e stomakut.
            Studimet e ndryshme kohore vërtetojnë se në ftua ka dhe përqëndrime të lëndeve anti-virale. Frutat janë të pasura me vitaminën C dhe lëndë ushqyese të tjera të cilat ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës. Gjithashtu një dietë me ftua ndihmon njerëzit me mbipeshë për t’u dobësuar si dhe të kenë një trup të shendetëshëm e sportiv.
            Ka studime që tregojne se ftoi ashtu si dhe dardha ka veti anti-alergjike dhe është i rekomanduar nga mjekët për përgatitjen e ushqimeve të tilla veçanërisht për fëmijët. Konsumimi rregullisht i ftoit jo vetem që ndihmon tretjen por ndihmon për të mbajtur të ulët nivelin e kolesterolin dhe presjonin e gjakut. Një veprim të mirë me një dietë ku të jetë përfshirë ftoi do të kenë dhe ata që janë prekur nga tuberkulozi, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet e syve, anemia, astma, stresi, etj.
            Në mjekësinë popullore është përdorur fruti, farërat dhe gjethet e thara. Receta të ndryshme me këto ndihmojnë për shërimin e sëmundjeve të stomakut, zorrëve, kollës, diarresë, etj.

Veçoritë botanike                                
            Ftoi bën pjesë në Gjininë Cydonia e përfshirë nga familja Rosaceae. Në këtë familje bëjnë pjesë molla dhe dardha. Gjinia Cydonia përmbledh dy specie: Ftoi zakonshëm, C. oblonga dhe C. japonika, një shkure zbukuruese. Zakonisht rritet në formë kaçube por i kultivuar mer formën e një peme të vogël, harin lartësinë 3-7 m. Gjethet jane ovale 5-10x 7,5 cm., nga sipër të lëmuara dhe nga poshtë me qime të dëndura. Lulet hermafrodite me diametër 4-5 cm., të veçuara dhe me pjalmim të kryqëzuar nga bletët dhe insektet e tjera. Petlat  me ngjyrë të bardhë trandafili, vezorja me shumë vezë. Zakonisht lulëzon në prill. Fruti është aromatik me madhësi rreth 8 cm. Ftonjtë aziatikë kanë fruta më të mëdha. Frutat piqen në vjeshtë ose rreth 180 ditë nga lulëzimi.

Veçoritë biologjike
            Ftoi shkon deri në lartësitë 700- 800 m. por, mund të gjëndet edhe mbi këto lartësi. Në Taxhikistan gjëndet deri në lartesitë 2500 m. Ftoi është një bimë e theksuar heliofilike. Në kushtet me hije frutat nuk piqen mirë, nuk kanë aromën karakteristike, bie prodhimi, etj. Duron temperaturat e dimrit deri -23o C, ndërsa rrënjët durojnë deri në -12o C. Në lulet dëmtime janë vrejtur në -1 deri 1,5oC. Çfaqet durues ndaj mungesës së ujit por, për një prodhim të mirë duhet të ketë 600-900 mm shi të shpërndare gjat gjithë vitit. Kujdes me ujitje duhet bërë gjat gushtit-shtatorit ku ka kërkesa më të mëdha për ujë. Nuk parapelqen tokat gëlqerore të theksuara dhe argjilore të rënda. Shtresa e aktive e tokes duhet të jetë së paku 50-60 cm. dhe përmbajtja e humusit jo më pak se 2-3%.

Veçoritë agroteknike
            Bima e ftoit mund të shtohet me copa të drunjëzuara, këmbëza, përpaja, ose shartesa. Ftoi jetëgjatësinë e ka 40-70 vjet por, në praktikën e popullit kur bima plaket bëhet zëvëndësimi i tij me cungimin e trugut për të nxitur daljen e  filizave të rinj zëvëvdësues  që gjithësesi ka rezultuar mjaft e suksesëshme. Mbjella bëhet me gropa të paktën 1x1x 0.80 m. me plehra kimike dhe organike. Distancat në pemtore rekomandohet 2,8 x 4,5 m. Krasitjet formuese si tek molla dhe dardha, kërkon dhe krasitje prodhuese. Kujdes duhet te behet për sëmundjet si Monilja, Fabrae maculata, Erwinia etj. Ftoi shënon në vitin e dytë pas mbjelljes, në prodhim hyn në vitin e katërt dhe në prodhim të plotë në vitin e 15-16-të nga mbjellja.




[1] L. Burbank(1849-1926)- Pionier i shkeces bujqësore amerikane. Zhvilloi mbi 800 lloje e varietete bimësh.
[2] L. M. Plutark(46-120) – Biograf , eseist dhe historian grek.
[3] Solomon ne Kuran, shkrimet Bahai dhe Biblën Hebreike permendet si Mbreti Izraelit dhe djali Davidit.

Literatura
1). “Bimë e egra te dobishme te vendit tone”M. Demiri Tiranë 1979
2). “Bimët Mjekësore në Familje” P. Kokalari, etj Tiranë, 1980
4). “Bimët dhe Shqiptarët” Lufter Xhuveli, Tiranë, 2012
5) USDA – Natural Resources Conservation Service
http://plants.usda.gov/java/profile?symbol
6). “Quince (Cydonia oblonga Miller) Fruit (Pulp, Peel, and Seed) and Jam: Antioxidant J. Agric. Food Chem. 2004, 52, 4705−4712 4705 – Spain, 2004
7) V. Orel “Albanian etimological Dictionary” Leiden-Boston-Koln, 1998
8).
Dr. Paul Haider “Great anti-viral Agent” – OMTIMES
9). “Emerging Fruit Crops”  K.E. Hummer et al. - USDA ARS National Clonal Germplasm Repository.
10). Ogawa, Joseph M.. and Harley English 1991. Diseases of Temperate Zone Tree Fruit and Nut Corps. University of California, Division of Agriculture and Natural Resources, Oakland, CA. Publication 3345. 461 pp.
11). Botanical.com A modern herbal by Mrs. M. Grieve, Quince
12). “Cydonia oblonga: The Unappreciated Quince” by Joseph Postman, Lisbona,  2010

2 comments:

  1. Faleminderit per gjithe keto infornacione interesante. Une kam disa ftoj ketu dhe brenda farave, e pashe tani, kane nisur te mbijne filiza te vegjel. Desha ti mbjell ato, si behet cfare duhet te kem parasysh? Suksese blogut dhe ftojve :)
    Rosela

    ReplyDelete
    Replies
    1. Ftoi mund te mbillet ne keto menyra.
      1. Me lastare te cilat duhet te jene 25 cm. Lastaret mirren ne fillim te dimrit, ose kur eshte koha e krasitjeve. Lastaret mund te mbillen ne saksi të rrenjëzohen e pastaj ne toke, ose direkt ne toke. Sigurohet lageshti per tu rrenjezuar.
      2. Me kamza, lastare te marra nga trungu i ftonjeve te vjeter gjysme te rrenjezuara, te cilat i planifikojme qe me pare.
      3. Me fidana te pergatiturat nga fidanishtet qe shiten ne njesite tregetare
      4. Gjithashtu dhe me fare. Farerat mund te mbillen ne fund te dimrit ose heret ne pravere në saksi, pastaj mbillen ne vendin e perhershem. Por mund te mbillen dhe direkt. Kete metode nuk e keshilloj sepse bima e re qe do te dali nga kjo fare, zakonisht nuk i trashegon vetite e mira bimeve prinder.

      Metoda me e mire eshte me copa ose kamza. Per nje bime te shendeteshme duhet te hapen gropa 80-100 cm. ku te hidhen plehra organike te bolleshme, etj.

      Delete