Wednesday 30 November 2016

Dhjetori i munguar i pyjeve dhe “Mallkimi i Ilia Nakos”!

                     nga  IngGjon Fierza Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Tiranë

     
Ing. Gjon FIERZA
Tek afron dhjetori, për shumë breza sjell në kujtesë fushatën e madhe të pyjeve, për mëse 50-60 vite u  organizua dhe quajt «Muaji i Pyjeve».  Duke filluar në dhjetor e vazhduar deri në muajin mars, çdo vit mbilleshin me miliona fidanë pyjor, ndërtoheshin me mijëra metër/kub prita malore për mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe përmirësoheshin me mijëra ha pyje të degraduar… Kjo ishte një fushatë gjithëpërfshirëse, jo vetëm për pylltarët, por dhe për gjithë kooperativistet dhe në ditë të veçanta me qindra punonjës të ndërmarrjeve shtetërore të qyteteve që mbillnin me mijëra fidanë pyjor me aksion. Në dy dekada e fundit  për disa vite u përmend «Dhjetori-Muaji i Pyjeve» e konceptuar në formë  e fushate ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi, diçka bëhej në këtë kuadër ndoshta më tepër si një «spektakël» për mediat se një «Muaj i Pyjeve» real dhe efektiv. Në këto 7-8 vitet e fundit  dhe këto «spektakle»  të dhjetorit kanë filluar ç’bëhen… Pra tashmë nuk kemi «Muaj të pyjeve», por kemi pyje të munguara aq shumë të dëshiruara në sipërfaqen e tokës dhe për shqiptarët…
      Kur flasim «Muajin e Pyjeve» për pyllëzimet dhe mbrojtjen e tokës nga gërryerjet, padyshim nuk mund të mos kujtosh ato personalitete që ideuan, punuan dhe jetën e tyre, si specialiste, drejtues apo mësimdhënës e lidhën me Pyjet e Shqipërisë. Në vitet ‘30 deri në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, një numër i konsiderueshëm specialistësh pyjesh shqiptar u diplomuan në Francë, Itali, Austri, Rusi, Çeki, Bullgari e Rumani etj., si: Llazar, Treska, Ilia Mitrushi, Vasil Shqau, Bernard Laca, Fahri Rusi etj. Ato çfarë mësuan me pasion për pyjet në universitetet e Europës, ata erdhën me shumë dashuri dhe përkushtim t’i zbatonin në vendin e tyre. Janë shumë emra të përveçëm që vlerësohen për kontributin e tyre në themelimin dhe zhvillimin e Silvikulturës shqiptare pas çlirimit të vendit. Nder  këta  specialistë, do të veçonim inxhinierin e pyjeve, doc. Ilia Nako. Ky emër është mjaft i njohur i nderuar  i respektuar nga: pylltarët, agronomet, topografët, nga ata që kanë pasur fatin të punojnë e të mësojnë prej tij deri në vitet 80 të shekullit të kaluar. Tek Ilia Nako spikatën cilësitë e larta njerëzore e intelektuale bashkudhëtare në gjithë jetën e tij. Kolegët e tij bashkëkohës në kujtimet e tyre, ish- studentët e tij, e konsiderojnë atë njërin ndër përfaqësuesit më me emër të pylltarisë shqiptare. Veprimtaria e Ilia Nakos u orientua në njërin nga sektorët më të vështirë e problematike të pylltarisë, atë të pyllëzimeve dhe mbrojtjes tokës nga gërryerjet.
Doc. ILIA NAKO
(1916 - 1981)
       E sjellim në kujtesë këtë pylltar  të spikatur në 100- vjetorin e lindjes dhe 35-vjetorin e ndarjes nga jeta. Ilia Nako u lind në vitin 1916 në qytetin e Korçës.  Mësimin fillor e  mori në vendlindje dhe më pas ai vazhdon gjimnazin në Tiranë. Studimet e larta i vazhdoi në Firence-Itali vitet 1937-1942, në “Faculta Agraria e Forestale”,  ku u diplomua: “Ixhinier pyjesh”,  me rezultate shumë të mira. Menjëherë pas diplomimit (iu ofrua punë si inxhinier në rajonin e Kalabrisë)  në vitin 1942, kthehet në atdhe, emërohet në Drejtorinë e Milicisë Pyjore në Shkodër. I pari inxhinier pyjesh shqiptar që punon në këtë qark. Kjo drejtori ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja në vend, në atë periudhë kishte në vartësi edhe Administratën Pyjore të Kosovës. Si shumë intelektualë shqiptarë, Ilia Nako u rreshtua në radhët e partizane në zonën e Vlorës, çlirimi i vendit e gjeti po në Vlorë. Ai menjëherë iu vu punës për ngritjen dhe organizimin e administratës  pyjore,  për të  vënë në lëvizje ekonominë pyjore, në shërbim të rindërtimit të vendit pas luftës.
       Cilësitë e larta profesionale që zotëronte inxh. Nako, bënë që ai për një kohë të gjatë të ishte si kryespecialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve. Gjatë kësaj kohe në këtë detyrë me profesionalizëm dhe përkushtim kontribuoj fuqishëm për pyjet dhe veçanarisht për sektorin e pyllëzimeve dhe të mbrojtjes tokës. Veçohen pyllëzimet e ranishtave bregdetare, pyllëzimet e formacioneve gëlqerore me halore mesdhetare, shtrirjen e pyllëzimeve në zona malore të vështira etj. Janë kontribut i drejtpërdrejtë projektimi dhe zbatimi i pyllëzimeve në zonat kodrinore e malore të Tiranës, pyllëzimet në Malin e Drenovës, Mborjes, në Korçë etj.
       Është ndër specialistët parë, autor i metodave për luftimin e fenomenit të dizertifikimit të tokës me mjete biologjike. Konceptimin i  brezave pyjore fushëmbrojtjes sipas kushteve të vendit tonë, është një drejtim tjetër i rëndësishëm i zhvillimit të agro-pylltarisë, ku kontribuoi veçanërisht inxh. Nako. Në gjithë veprimtarinë e tij pyjore mbeten prioritare konceptet natyraliste. Përveç veprimtarisë drejtuese, projektuese e zbatuese në administratën pyjore, Ilia Nako ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kërkimet dhe publikimet shkencore e problematike për pyjet. Ndoshta është njeri ndër specialistët që ka numrin më të madh të monografive, shkrimeve, kumtesave, të referateve,  në buletinë, revista, konferenca e takime të ndryshme deri në vitet ‘90. Njohja e plotë e terrenit dhe e bimësisë shqiptare, metodologjia e hulumtimit shkencor dhe përkushtimi i tij në vendosjen e gurthemeleve të Silvikulturës shqiptare, bënë të mundur në vitet ‘60 të përcaktohen për herë të parë «Zonave fitoklimatike të Shqipërisë». Ky studim i materializuar në përpilimin e hartës fitoklimatike të Shqipërisë konsiderohet një studim fondamental mbi të cilën vazhdon dhe sot të mbështetet agro-pylltaria shqiptare.  Kontributi e tij shkencor e mësimdhënës u vlerësua duke merituar titullin “Docent”. Ilia Nako për shumë vite ishte drejtues katedre dhe mësimdhënës në Fakultetin e Pyjeve, deri kur doli dhe në pension. Janë brezat e studentëve që e veçojnë profesor Nakon për cilësitë e larta akademike dhe praktike, komunikimin dhe kulturën perëndimore që përpiqej të transmetonte tek studentet e tij. Për merita si specialist dhe drejtues është  dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme.
       Ilia Nako u nda nga jeta në vitin 1981, në moshën 65-vjeçare në kulmin e veprimtarisë shkencore dhe botuese, kjo ndarje e parakohshme nuk beri të mundur që ai të merrte titullin profesor të cilin e meritonte plotësisht. Ai la pas shumë vepra të shkruara për pylltarinë, shumë pyllëzime në çdo skaj të Shqipërisë. Ai e vlerësonte mbulesën bimore veçmas atë pyjore si domosdoshme në mbrojtjen e tokës nga gërryerjet në një mjedis gjeografik, që në mbi 70% e saj është e pjerrët dhe shumë e pjerrët. Inxhinier Ilia Nako, së bashku me një agronom në vitin 1964 kanë punuar në Kinë për kultivimin dhe shpërndarjen e ullirit shqiptar. Pasi dhanë përvojën e mbollën sasinë e ullinjve të dhuruar nga shteti shqiptar inxhinier Nako dhe bashkëpunëtori i tij agronom një shenjë falënderimi dhe mirënjohje u priten nga numri dy i Qeverisë kineze Çu En Lai.
      Përkujtimi i doc. Ilia Nakos në këtë 100- vjetor të lindjes, i njeriut që gjithë jetën ua kushtoi pyjeve, pyllëzimit dhe mbrojtjes së tokës, tani në muajin e munguar të pyjeve, është: më e pakta që mund të bëhet. Është një detyrim të sjellim në memorie atë si njërin ndër përfaqësuesit tipik të atij brezi që për pylltarinë shqiptare kanë dhënë shumë me të shkruar dhe të vepruar. Tek kujtojmë me respekt Ilia Nakon dhe bashkohësit e tij, punën dhe porositë e tyre për pyjet jemi para një paradoksi me gjendjen e mjeruar të pyjeve në ditët e sotme. Në këtë periudhë tranzicioni në  20 e kusur vite, ato janë ndër pasuritë natyrore më të keqpërdorura që janë mbishfrytëzuar dhe ku është investuar më pak. Nëse inxhinier Ilia Nako dhe bashkëkohësit e tij do të qenë gjallë, sigurisht do na mallkonim për këtë gjendje të pyjeve dhe degradim të tokës shqiptare. “Mbi kë do bjerë dhe kush e meriton atë mallkim”?!
        Bibla thotë diku: “Atje ku nuk ka vizion, populli vdes”. Ne duhet të kemi një vizion të qartë, për pyjet për tokën dhe burimet e tjera natyrore!?.. Kur do ndalohet prerja e tyre pa kriter, kur nevojat për lëndë druri do zvogëlohen dhe  plotësohen nga burimet e tjera, kur dhe si do rivendoset mbulesa pyjore në terrenin e zhveshur shqiptar… Nëse këto pyetje mbeten pa përgjigje dhe veprim, sigurisht do nënshtrohemi fatit: nuk do kemi një fund të tmerrshëm, por një tmerr pa fund, me përmbytje të përvitshme, thatësirë e zjarre, një mjedis të ndotur, njerëz të stresuar dhe jetëshkurtër!?… Le të mos ndodh kështu dhe të mos jetë tmerri pa fund, “mallkimi i pylltarit” të ndjerit Ilia Nako, emër  i jetësuar me shkrimet e tij,  i jetësuar tek drurët e mbjellë prej tij dhe grumbujve pyjor,  që i kanë shpëtuar deri sot dëmtimit.  Ndoshta ky 100- vjetor i lindjes dhe 35- vjetor i vdekjes duheshin përkujtuar disi ndryshe, një konferencë, një rruge apo shesh, një auditor apo shkolle, do ishin të nderuar të kishin emrin e Ilia Nakos.


Botoi gazeta "Koha Jonë" Nëntor, 2016

Tuesday 22 November 2016

Buzëqeshja që u nderpre në mes!

MISTO SHUMELI 
(Një humbje e madhe për arësimin dhe bujqësinë shqiptare) 

                                                                                  nga : Prof. Dr. Begë Musta - Tiranë

Prof. Dr. Begë Musta
        Në juglindje të qytetit të Tepelenës, rreth 5 km larg, saj, mbi një pllajë, ne Ijet e Malit Golik, ndodhet fshati Kodër. Kur ngjitesh për në fshat, ndërtesa e parë, me të cilën përballesh, është shkolla. Në sfond, një emër i vogël, që mbart dhe të kujton një njeri të madh! Shkolla mban emrin “Misto Shumeli”. Mjafton t’i përmendësh emrin, dhe, përnjëherësh kujton djaloshin buzëgaz, të qeshur, të dashur, agronomin e talentuar, intelektualin dhe pedagogun e shquar, të agronomisë, Misto Shumeli.
       Mistua, lindi në Kodër, më 1.03.1949. Që në moshë të vogël, dallohej për zgjuarsi dhe intelekt të veçantë. Ëndrra e tij, e vetme, të arsimohej, të bëhej njeri i ditur dhe me vlera në shoqëri. Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe gjimnazin, i kreu në qytetin e Tepelenës. Njëmbëdhjetë vjet me radhë, në kohë të keqe dhe të mire, udhëtoi, Mistua, në këmbë, çdo ditë, 15 km, rrugë, Kodër-Tepelenë dhe anasjelltas. Për shumë lexues, kjo duket e pabesueshme, por një e vërtetë e pamohueshme. Atëherë, në Kodër, nuk kishte shkollë. Gjendja ekonomike familjare ishte e varfër, mungonte buka, puna, mjetet për lëvizje ishin të pakta. Dashuria për shkollën, etja dhe pasioni për dijen, e bënin Miston, të fortë, të kapërcente çdo vështirësi dhe pengesë. Pavarësisht nga hallet dhe problemet e shumta, ai, i kreu studimet rregullisht, në të gjitha ciklet, dhe me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të gjimnazit, “Abaz Shehu” në Tepelenë, vazhdoi studimet e larta, në sistemin 5-vjeçar, në Fakultetin e Agronomisë, në Tiranë, (Inxhinjeria Agrare).
       Dallohej mbi të gjithë.! Një student dhe aktivist i shkëlqyer, inteligjent, me formim të jashtzakonshëm.
Në vitin 1973, pas pëfundimit të studimeve universitare, u emërua të punojë për katër vjet, në kooperativën e Niklës, në Fushë Krujë, pa shkëputur marrdhëniet si pedagog, në katedrën e Hortikulturës. Shumë shpejt u ambjentua me jetën, hallet dhe shqetësimet e njerëve. Po kaq shpejt, fitoi dashurinë dhe respektin e kooperativistëve, kuadrove, shokëve dhe kolegëve të tij. Nga viti 1977, deri në vitin 1989, në kufirin e fundit të jetës së tij, punoi pedagog, në Fakultetin e Agronomisë.
       Pasioni dhe vullneti i tij, gjatë proceseve mësimore dhe kërkimore shkencore, shpërthyen në përmasat e një shkencëtari të guximshëm dhe të suksesëshëm. Komunikimi, sjellja, marrdhëniet me studentët dhe kolegët e tij, angazhimi maksimal në eksperimentimin shkencor, përmirësimin e metodave të mësimdhënies, e bënë, pedagogun e ri, Misto Shumeli, shpejt, një ndër figurat më të vlerësuara, të pedagogëve dhe profesorëve të universitetit. Pas leksioneve në auditor, Miston, e gjëje, me orë të tëra, midis studentëve, në krye të ekspeditave mësimore, në bazat eksperimentale, mbi projekte e plane zbatimi të teknikave dhe teknologjive, për krijimin e sorteve e linjave të reja gjenetike, të prodhimit bujqësor.
       Mbante autorësinë e disa teksteve mësimore, monografive, dispensave, ka marrë pjesë dhe referuar në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Ka botuar një numër të madh artikuj problemorë e shkencorë, në revista të njohura shkencore si, brënda dhe jashtë vendit. Bashkëpuntorët dhe bashkëkohësit e tij, e kanë të ngulitur thellë në kujtesë, këtë studiues dhe pedagog të palodhur dhe të talentuar. Edhe pse kanë kaluar mbi një çerek shekulli, ata, flasin me respect dhe tregojnë se si djaloshi i ardhur nga Tepelena, e kalonte tërë ditën mbas eksperimenteve, duke dhënë një kontribut tepër të çmuar në fushën e shkencës bujqësore. Në vitin 1984, fitoi titullin e merituar, “Doktor i Shencave”.
Gjatë veprimtarisë së tij mësimore dhe shkencore, professor, Mistua, përgatiti breza të rinj studentësh, të cilët dëshmuan në praktikë, me shumë sukses, vlerat dhe kontributet e pedagogut të tyre. Mistua, do të vazhdojë të jetoj gjatë me mendimet, idetë, produktet e tij shkencore dhe intelektuale, do të jetë pjesë e tryezave të debatit dhe zgjidhjeve, për të sotmen dhe të nesërmen e veprimtarisë dhe ecurisë së shkencës bujqësore, në veçanti në fushën e seleksionimit gjenetik dhe prodhimit të bimëve perimore.
       Në jetën familjare, ishte një prind model, i vërtetë, që rrezatonte mirësi dhe buzëqeshje, që gëzonte dashurinë pa fund të bashkëshortes, Lirisë; dy fëmijve, Altinit dhe Areadës, gjithë familjarëve, që i donte dhe i respektonte pa fund. Megjithëse më i vogëli në familje, ai kujdesej dhe merakosej për vëllezërit më të mëdhenj; Vangjelin, Manthon, Kozmain, Timon, Ndrekon. Kujdesej për prindrit, motrat, nipërit, të afërmit. Me sjelljen, jetën e tij të thjeshtë dhe modeste, me virtytet e tij të larta, njerëzore e humane, u ka mbetur në kujtime jo vetëm studentëve, që e donin dhe i donte shumë, por edhe miqëve dhe bashkëpunëtorëve, të cilët pa përjashtim e kujtojnë edhe pas kaq shumë vitesh, me dhimbje dhe respekt të madh.
MISTO SHUMELI
(1949-1989)***
       Askush nuk do ta besonte lajmin e hidhur, në ato orë te vona, të asaj nate të zezë, se pedagogu nga Tepelena, Misto Shumeli, tragjikisht, u nda nga jeta. Saktësisht, 26 vjet më parë, më 22 nëntor 1989, në lajmet e fundit, të TVSH, spikeri, me një ton funebër, nën drithërimën e dhimbjes dhe tragjedisë së ndodhur, njoftoi publikun shqiptar, se në afërsi të Himarës, ishte rrëzuar një autobus me studentë, të Fakultetit te Agronomisë, dhe më tej ishin përplasur në Vuno e Llogara edhe dy helikopterët ushtarakë, që shkuan dhe tentuan të mbartnin për në Tiranë të plagosurit. Ky lajm pushtoi antenat, përsëritësit dhe ekranet radio-televizivë, në mbarë opinionin botëror.
       Në orën 14:00, në afërsi të fshatit Kudhës, në një dishezë të theksuar, 100 metër para një kthese të fortë, shoferi nuk mundi të manovrojë. Doli jashtë rrugës duke bërë disa rrotullime dhe, përfundoi në humnerë, 70 metër thellë, në përrua. Në autobuz ndodheshin 3 pedagogë, 14 studentë, si dhe një ushtar pasagjer. U shkaktua vdekja e vetë shoferit dhe e studentit Albert Smoka, shumë të tjerë morën plagë të rënda.
       Për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana u dërguan dy helikopterë: MJ-6-44 i drejtuar nga piloti Tafil Agaj dhe MJ-6-50 i drejtuar nga, piloti Veledin Resuli. Në bordin e avionit të dytë, midis të tjerëve, ndodhej shoku im i fëminisë, miku im i dashur, i shtrenjti dhe i paharruari, pedagogu, Misto Shumeli. Misioni ishte i vështirë. Moti ishte i keq. Një natë e tërbuar, e errët, me stuhi, shi dhe erë, mjegull dhe re të dendura. Vetëtimat shkarkonin masa elektrike në ajër. Pilotët përballë një situate, të rrezikëshme! Nga njëra anë, moti i tërbuar, i çmendur; nga ana tjetër, njerëz të përgjakur, me trup dhe gjymtyrë të coptuar, studentë 20 vjeçar, të plagosur rëndë, në prag vdekje, që luten për ndihmë! Përballë një prove të vështirë! Jetët në rrezik! Duheshin shpëtuar. Për këtë duhej guxim, sacrificë, vetmohim, heroizëm. Dhe, pilotët vendosën, njëzeri, të ngrihen në fluturim. Pa humbur kohë, hodhën në hartë rrugë-kalimin e kthimit; bregut të detit, në Ishullin e Sazanit e më tej, drejtë Tiranës.
       Moment fatal! Pas pak minutash, plani, u hodh në erë. Përfundoi në tragjedi! Rreth orës 19:00, një stuhi-ciklon, i përfshiu helikopterët si gjethe pemësh dhe, i përplasi në malin e Vunoit dhe të Llogorasë. Shpërthyen në flakë, u bënë copë e thërrime!
       Një zë telefonik, nga thellesia e maleve të tragjedisë, centralistja e fshatit Vuno, në orën 17:55, njoftoi lajmin e kobshëm, tragjik: -“ Aloooo! U rrëzua një helicopter, këtu, tek ne. Vetëm zjarr e flakë, duket!. Kjo që them, është e sigurtë, e kanë parë me sy të lirë, edhe banorët, e fshatit”,- këmbënguli ajo. Më pas, në harkun e tre-katër minutave, Dega e Punëve të Brendëshme, Vlorë, njoftoi edhe për rrëzimin e avionit të dytë. Bilanci tragjik! Njëzetë e tre studentë, pedagogë, pjestarë të ekuipazheve të avionëve, personel shëndetësor; të gjithë njerzit, brenda tyre vdiqën. Midis tyre humbi jetën edhe pedagogu, 40 vjeçar, Misto Shumeli.
       Kanë kaluar 26 vjet, që, Mistua, u mungon familjarëve, studentëve, kolegëve, shokëve dhe miqëve të tij të shumtë. Mungon buzëqeshja dhe sytë që i shkelqenin, fjala dhe mendimi, zemra dhe shpirti tij besnik. Largimi i tij nga jeta, shënoi një humbje të madhe për arsimin dhe bujqësinë shqiptare. Kohët mund të ndryshojnë shumë gjëra, por kujtimi për Miston, për studentët dhe pedagogët, që në nderim të jetës dhe sakrificave të tyre, flamuri kombëtar, u ngrit gjysëm shtizë, mbarë kombit tone, do të mbetet i paharruar!

Shtator, 2016
(Në 27 - Vjetorin e ndarjes së tij nga jeta)

Wednesday 16 November 2016

FAIK KONICA


(Në prag të 140 vjetorit të lindjes)

Faik Konica
(1876-1942)
Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington, ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.
Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA.

Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për 
filozofi në Dizhon dhe Paris.

Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si "biblioteka lëvizëse".

Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA.

http://www.gjuhashqipe.com/albanologji/albanologjifaqepersonale.aspx?id=150

VAJTIM PËR ROBËRI TË SHQIPTARËVET!
O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!
Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!
Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.
As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!
Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.
As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.
I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?
Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.
Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!
O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur
Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,
Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,
Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,
E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!
(1901)
Gazeta "Dielli"

Friday 11 November 2016

Meditim per krijusit e shkences pedologjike shqiptare

                                          Nga Illo FOTO, publicist - Nju Jork

Illo Foto 
      Festimet  e  65  vjetorit te UBT   me ngjallen  shume kujtime , per themelusit dhe per  shkencetaret , qe bene  emer , brenda kesaj  godine , qe  fillimisht ka  qene  shkolla  e  atdhetarit te famshem, Kristo   Dako. Kurre nuk  duhet  harruar, qe ne  vitin  shqiptar 1997  bandat  destruktive  e  kthyen ne  zero  kete  tempull shkencor, duke  djegur  dhe  biblioteken, nje  veprim, qe do ta kishin  zili  dhe inkuizitoret   mesjetare .
      Nje nder  themelusit  dhe  shkencetaret  e   Institutit te larte  bujqesor, eshte agronomi  Faik   Bajraktari,  qe pat mbaruar  studimet  me diplome te  shkelqyer ne ish  BS. Barjaktari ishte  studjus  skrupuloz. Kur  filloi punen ne  ILB, krijoi kabinetin   e  tokes bujqesore, te paisur  jo vetem me  mjete grafike, por  dhe me  mjete  plastike  mesimore, qe  ta  zberhenin  token bujqesore ne pellembe te dores.
        E vizitova kete  kabinet, ne  vitin  1955  dhe ngela i shtangur. Toka jone,   eshte  kaq  e komplikuar  dhe kaq  funksionale, sa  dhe  enigmatike!   Gjithcka ma  spjegoi  profesoresha   legjendare   e  ILB,  Etibe  Ohri, ligjeruse ne kete  kateder. Tingellojne   pak euforike  cilesoret, qe permend  per  te   dy keta  ish pedagoge te   ILB, por  gjithsesi  une  nuk  arrij ta   perkufizoj   vepren e  tyre madhore. Ata   themeluan  disiplinat shkencore bujqesore, me  ngjyre krejt  shqiptare.  Pedollogjia eshte  shkenca, nga ku nisin  gjithe  disiplinat e  shkencave  bujqesore, perfshire  zooteknine  dhe  pylltarine .  
     Ne  kabinetin  Barjaktari  dhe  gjithe jeten, mesova  se toka  bujqesore, ne  thellesine  deri 50 cm. poshte  siperfaqes, eshte  universi  me  komleks, ku  gatuhet  jeta  e   gjalle. Toka  bujqesore plotesohet  si mjedis jetesor  per bimet,   me  diellin  dhe ujin. Dielli eshte  ai, qe eshte. Influenca e  tij  mund te rritet  vetem me  mjedisin serra. Mardheniet e tokes me ujin i  rregullon  njeriu.
   Prof . Faik Barjaktari  mori nismen  shkencore, per  studimin  teresor te  tokes se Shqiperise  dhe te  krijoi harten petollogjike te   vendit, ne  vitin 1955.   Ne  fillim, kjo nisme u  quajt  aventure. Ne kohe rekord  dhe me  korrektese  shkencore  te pa pare, harta  pedologjike u var ne murin e  c’do institucioni  shkencor  dhe  administrativ  shqiptar. Vepra  dhe te tere  pjesmarresit  u  dekoruan me  “Çmimin e  Republikes  te  klasi  te  pare “.
   Harta  pati nje kosto simbolike. Pjestare te  eksedites  kene  qene  ish  studentet e  ekselences : Irakli  Leka, Isuf  Prizrengu, Jorgji Papa,  Lefter  Veshi, Minella  Xinxo, Idriz  Como  e te  tjere, qe nuk mund  t’i kujtoj, per faj te  memories  time, sepse te tere ishin  me te  njejten   kontribut  shkencor, ne kete  ndermarrje, qe krijoi  nje  shkence  te re,  brenda  vakumit  shekullor shqiptar.  Shpenzimi kryesor   ishte  nje mikrobuz, qe  transportonte  ekspediten si  dhe monstrat  laboratorike te  dheut .     
      Harta  nuk ishte  thjesht nje  punim  hartografik, qe varej ne  mur. Ne  funksion  te  hartes   ishin  20  laboratore te  terenit, qe lidheshin  dhe ishin ne  varesi  te   katedres  Barjaktari  dhe me   von ne  funksion te   Institutit   shkencor te  tokes. Toka  pasurohet  dhe  varferohet. Dinamika  e ketij ndryshimi ndiqet metodikisht nga laboratoret.   Behet  fjale, per  skanerin  e  tokes  bujqesore.
     Keto mu kujtuan, kur ndoqa  festimet  e  65  vjetorit te UBT. Salla  festive ishte  e mbushur me  burra  dhe gra te veshur  e te mbajtur bukur, te rresshkur, te  lodhur nga  leksionet, skedat,  analizat,  enciklopedite  me  gjuhe te   huaj,  kabinetet e  sofistikuar, ku  derdhin “diturite “.  Ne  salle  mungonin  natyrshem   Prof.  Barjaktari, Prof.  E. Ohri  dhe  ekspedita  pedologjike  legjendare. Une parafytyroja, nje  ngjashmeri   te prafert  me ta, ne  shume  nga   ato  fytyra shume  njerezore te    etura per  diell.   E pa natyrshme eshte  mungesa  e  gjurmeve te   disiplines  shkencore, qe   themeluan    profesoret e  famshem  dhe me   gjere. Nuk mungon  vetem  harta pedologjike. Mungon  kryesisht  i tere   regjimi ujor i  tokes  shqiptare.  C’i mbetet  shkences  bujqesore, kur shkenca e  tokes eshte  cekuilibruar? Leksionet  mbeten pa  vlagen, qe ngjiz  teorine me praktiken  e  gjere, ku prodhohet  ushqimi i popullit.  Bujqesia   lipset te   zeri  mbi 60 -65 % te  volumit  ekonomik,  sepse Shqiperia   do te mbetemi vend  bujqesor, por  ze  diku te   23 % .
       Pavaresisht ketyre   mungesave  thelbesore,  290  ligjerusit japin leksione, kryesisht per  token  bujqesore.  A i  rekomandojne, ne leksionet   e tyre,   punimet  e   profesorve   Barjaktari  dhe  Ohri?   Ndoshta   nuk krijohet vend  nga moria  e   referancave, qe  fillojne nga  parahistoria, tek  eksperimentet  vetjake te doktoraturave  aktuale , pa klorofil  shqiptar.   
        Festimet  e   65  vjetrorit te  UBT, jane  nje lajm i mire, qe  shpreson se edhe mund te  shkohet, drejt  nje  shkence  bujqsore  kohore, qe presupozon   lidhje organike te  teorise me praktiken e  gjere prodhuse.  Aktualisht    toka  bujqesore  shqiptare  eshte e  ekspzuar   drejt permbytjeve periodike. Harta  pedologjike  dhe  vete kjo disipline  e  shkences  bazike  bujqesore, jane  varrosur, bashke me  autoret  e  tyre, qe na kane  lene pas   lavdine   e tyre  shkencore  te pa  tjetersushme.

       Trupa ligjeruse e  UB eshte  truri i   bujqesise   te  c’do vendi. Kushdo, qe  te jete ne  vendin  tim  duke  shkruar, shtron pyetjen, per kete   tru  aktiv, prej  gati  300  burrash  dhe  grash diturake: A do  te  sugjeroni pse  toka  bujqesore fushore  nuk kultivohet  e tera, keto 26 vjetet e   fundit   dhe   a keni  mendim  si       do t’i  rikthehet   tokes  bujqesore  shqiptare, identitetin  fizik  dhe prodhus, qe  i ka  munguar   kete çerekshekulli?