Tuesday, 22 November 2016

Buzëqeshja që u nderpre në mes!

MISTO SHUMELI 
(Një humbje e madhe për arësimin dhe bujqësinë shqiptare) 

                                                                                  nga : Prof. Dr. Begë Musta - Tiranë

Prof. Dr. Begë Musta
        Në juglindje të qytetit të Tepelenës, rreth 5 km larg, saj, mbi një pllajë, ne Ijet e Malit Golik, ndodhet fshati Kodër. Kur ngjitesh për në fshat, ndërtesa e parë, me të cilën përballesh, është shkolla. Në sfond, një emër i vogël, që mbart dhe të kujton një njeri të madh! Shkolla mban emrin “Misto Shumeli”. Mjafton t’i përmendësh emrin, dhe, përnjëherësh kujton djaloshin buzëgaz, të qeshur, të dashur, agronomin e talentuar, intelektualin dhe pedagogun e shquar, të agronomisë, Misto Shumeli.
       Mistua, lindi në Kodër, më 1.03.1949. Që në moshë të vogël, dallohej për zgjuarsi dhe intelekt të veçantë. Ëndrra e tij, e vetme, të arsimohej, të bëhej njeri i ditur dhe me vlera në shoqëri. Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe gjimnazin, i kreu në qytetin e Tepelenës. Njëmbëdhjetë vjet me radhë, në kohë të keqe dhe të mire, udhëtoi, Mistua, në këmbë, çdo ditë, 15 km, rrugë, Kodër-Tepelenë dhe anasjelltas. Për shumë lexues, kjo duket e pabesueshme, por një e vërtetë e pamohueshme. Atëherë, në Kodër, nuk kishte shkollë. Gjendja ekonomike familjare ishte e varfër, mungonte buka, puna, mjetet për lëvizje ishin të pakta. Dashuria për shkollën, etja dhe pasioni për dijen, e bënin Miston, të fortë, të kapërcente çdo vështirësi dhe pengesë. Pavarësisht nga hallet dhe problemet e shumta, ai, i kreu studimet rregullisht, në të gjitha ciklet, dhe me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të gjimnazit, “Abaz Shehu” në Tepelenë, vazhdoi studimet e larta, në sistemin 5-vjeçar, në Fakultetin e Agronomisë, në Tiranë, (Inxhinjeria Agrare).
       Dallohej mbi të gjithë.! Një student dhe aktivist i shkëlqyer, inteligjent, me formim të jashtzakonshëm.
Në vitin 1973, pas pëfundimit të studimeve universitare, u emërua të punojë për katër vjet, në kooperativën e Niklës, në Fushë Krujë, pa shkëputur marrdhëniet si pedagog, në katedrën e Hortikulturës. Shumë shpejt u ambjentua me jetën, hallet dhe shqetësimet e njerëve. Po kaq shpejt, fitoi dashurinë dhe respektin e kooperativistëve, kuadrove, shokëve dhe kolegëve të tij. Nga viti 1977, deri në vitin 1989, në kufirin e fundit të jetës së tij, punoi pedagog, në Fakultetin e Agronomisë.
       Pasioni dhe vullneti i tij, gjatë proceseve mësimore dhe kërkimore shkencore, shpërthyen në përmasat e një shkencëtari të guximshëm dhe të suksesëshëm. Komunikimi, sjellja, marrdhëniet me studentët dhe kolegët e tij, angazhimi maksimal në eksperimentimin shkencor, përmirësimin e metodave të mësimdhënies, e bënë, pedagogun e ri, Misto Shumeli, shpejt, një ndër figurat më të vlerësuara, të pedagogëve dhe profesorëve të universitetit. Pas leksioneve në auditor, Miston, e gjëje, me orë të tëra, midis studentëve, në krye të ekspeditave mësimore, në bazat eksperimentale, mbi projekte e plane zbatimi të teknikave dhe teknologjive, për krijimin e sorteve e linjave të reja gjenetike, të prodhimit bujqësor.
       Mbante autorësinë e disa teksteve mësimore, monografive, dispensave, ka marrë pjesë dhe referuar në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare. Ka botuar një numër të madh artikuj problemorë e shkencorë, në revista të njohura shkencore si, brënda dhe jashtë vendit. Bashkëpuntorët dhe bashkëkohësit e tij, e kanë të ngulitur thellë në kujtesë, këtë studiues dhe pedagog të palodhur dhe të talentuar. Edhe pse kanë kaluar mbi një çerek shekulli, ata, flasin me respect dhe tregojnë se si djaloshi i ardhur nga Tepelena, e kalonte tërë ditën mbas eksperimenteve, duke dhënë një kontribut tepër të çmuar në fushën e shkencës bujqësore. Në vitin 1984, fitoi titullin e merituar, “Doktor i Shencave”.
Gjatë veprimtarisë së tij mësimore dhe shkencore, professor, Mistua, përgatiti breza të rinj studentësh, të cilët dëshmuan në praktikë, me shumë sukses, vlerat dhe kontributet e pedagogut të tyre. Mistua, do të vazhdojë të jetoj gjatë me mendimet, idetë, produktet e tij shkencore dhe intelektuale, do të jetë pjesë e tryezave të debatit dhe zgjidhjeve, për të sotmen dhe të nesërmen e veprimtarisë dhe ecurisë së shkencës bujqësore, në veçanti në fushën e seleksionimit gjenetik dhe prodhimit të bimëve perimore.
       Në jetën familjare, ishte një prind model, i vërtetë, që rrezatonte mirësi dhe buzëqeshje, që gëzonte dashurinë pa fund të bashkëshortes, Lirisë; dy fëmijve, Altinit dhe Areadës, gjithë familjarëve, që i donte dhe i respektonte pa fund. Megjithëse më i vogëli në familje, ai kujdesej dhe merakosej për vëllezërit më të mëdhenj; Vangjelin, Manthon, Kozmain, Timon, Ndrekon. Kujdesej për prindrit, motrat, nipërit, të afërmit. Me sjelljen, jetën e tij të thjeshtë dhe modeste, me virtytet e tij të larta, njerëzore e humane, u ka mbetur në kujtime jo vetëm studentëve, që e donin dhe i donte shumë, por edhe miqëve dhe bashkëpunëtorëve, të cilët pa përjashtim e kujtojnë edhe pas kaq shumë vitesh, me dhimbje dhe respekt të madh.
MISTO SHUMELI
(1949-1989)***
       Askush nuk do ta besonte lajmin e hidhur, në ato orë te vona, të asaj nate të zezë, se pedagogu nga Tepelena, Misto Shumeli, tragjikisht, u nda nga jeta. Saktësisht, 26 vjet më parë, më 22 nëntor 1989, në lajmet e fundit, të TVSH, spikeri, me një ton funebër, nën drithërimën e dhimbjes dhe tragjedisë së ndodhur, njoftoi publikun shqiptar, se në afërsi të Himarës, ishte rrëzuar një autobus me studentë, të Fakultetit te Agronomisë, dhe më tej ishin përplasur në Vuno e Llogara edhe dy helikopterët ushtarakë, që shkuan dhe tentuan të mbartnin për në Tiranë të plagosurit. Ky lajm pushtoi antenat, përsëritësit dhe ekranet radio-televizivë, në mbarë opinionin botëror.
       Në orën 14:00, në afërsi të fshatit Kudhës, në një dishezë të theksuar, 100 metër para një kthese të fortë, shoferi nuk mundi të manovrojë. Doli jashtë rrugës duke bërë disa rrotullime dhe, përfundoi në humnerë, 70 metër thellë, në përrua. Në autobuz ndodheshin 3 pedagogë, 14 studentë, si dhe një ushtar pasagjer. U shkaktua vdekja e vetë shoferit dhe e studentit Albert Smoka, shumë të tjerë morën plagë të rënda.
       Për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana u dërguan dy helikopterë: MJ-6-44 i drejtuar nga piloti Tafil Agaj dhe MJ-6-50 i drejtuar nga, piloti Veledin Resuli. Në bordin e avionit të dytë, midis të tjerëve, ndodhej shoku im i fëminisë, miku im i dashur, i shtrenjti dhe i paharruari, pedagogu, Misto Shumeli. Misioni ishte i vështirë. Moti ishte i keq. Një natë e tërbuar, e errët, me stuhi, shi dhe erë, mjegull dhe re të dendura. Vetëtimat shkarkonin masa elektrike në ajër. Pilotët përballë një situate, të rrezikëshme! Nga njëra anë, moti i tërbuar, i çmendur; nga ana tjetër, njerëz të përgjakur, me trup dhe gjymtyrë të coptuar, studentë 20 vjeçar, të plagosur rëndë, në prag vdekje, që luten për ndihmë! Përballë një prove të vështirë! Jetët në rrezik! Duheshin shpëtuar. Për këtë duhej guxim, sacrificë, vetmohim, heroizëm. Dhe, pilotët vendosën, njëzeri, të ngrihen në fluturim. Pa humbur kohë, hodhën në hartë rrugë-kalimin e kthimit; bregut të detit, në Ishullin e Sazanit e më tej, drejtë Tiranës.
       Moment fatal! Pas pak minutash, plani, u hodh në erë. Përfundoi në tragjedi! Rreth orës 19:00, një stuhi-ciklon, i përfshiu helikopterët si gjethe pemësh dhe, i përplasi në malin e Vunoit dhe të Llogorasë. Shpërthyen në flakë, u bënë copë e thërrime!
       Një zë telefonik, nga thellesia e maleve të tragjedisë, centralistja e fshatit Vuno, në orën 17:55, njoftoi lajmin e kobshëm, tragjik: -“ Aloooo! U rrëzua një helicopter, këtu, tek ne. Vetëm zjarr e flakë, duket!. Kjo që them, është e sigurtë, e kanë parë me sy të lirë, edhe banorët, e fshatit”,- këmbënguli ajo. Më pas, në harkun e tre-katër minutave, Dega e Punëve të Brendëshme, Vlorë, njoftoi edhe për rrëzimin e avionit të dytë. Bilanci tragjik! Njëzetë e tre studentë, pedagogë, pjestarë të ekuipazheve të avionëve, personel shëndetësor; të gjithë njerzit, brenda tyre vdiqën. Midis tyre humbi jetën edhe pedagogu, 40 vjeçar, Misto Shumeli.
       Kanë kaluar 26 vjet, që, Mistua, u mungon familjarëve, studentëve, kolegëve, shokëve dhe miqëve të tij të shumtë. Mungon buzëqeshja dhe sytë që i shkelqenin, fjala dhe mendimi, zemra dhe shpirti tij besnik. Largimi i tij nga jeta, shënoi një humbje të madhe për arsimin dhe bujqësinë shqiptare. Kohët mund të ndryshojnë shumë gjëra, por kujtimi për Miston, për studentët dhe pedagogët, që në nderim të jetës dhe sakrificave të tyre, flamuri kombëtar, u ngrit gjysëm shtizë, mbarë kombit tone, do të mbetet i paharruar!

Shtator, 2016
(Në 27 - Vjetorin e ndarjes së tij nga jeta)

No comments:

Post a Comment