Monday 29 August 2022

DJEGUR NGA MALLI PER LABOVËN

-   Thanas Hoda, mësuesi veteran që nuk e harron kurrë vendlindjen, edhe pse për 29 vjet emigrant në SHBA -

 

Labova e Zhapës, vendlindja e mësuesit veteran Thanas Hoda, është një fshat malor me emër të dëgjiuar në rrethin e Gjirokastrës. Shtëpitë shtrihen në pllajë mali në lartësinë mesatare 700 metra mbi nivelin e detit. Janë vendosur në rrëzë të faqes perëndimore të Malit të Lunxhërisë, i cili shpesh quhet edhe Mali i Odries. Gjeografikisht përfshihet në krahinën e Lunxhërisë, por përbën nënndarjen e Rrëzës ose të Odries, së bashku me katër fshatra të tjera. 

 

Është një fshat me një natyrë të bukur, ajër të pastër, me pyje, lisare, shkurrnaja, kullota, lëndina e livadhe të pasura në bimësi të shumëllojshme. Ka burime ujore të shumta e me prurje të bollshme, kristal, që dalin rrëbyeshëm nga gjiri i malit.  Në këto burime fshatarët kanë ndërtuar disa kroje shumë të bukur me gurë të skalitur mermeri, çlodhës. Kjo krahinë është e populluar edhe nga shumë kafshë të egra e shpendë të shumëllojshëme. 

 

Mbi të gjitha Labova është një fshat me tradita kulturore e arsimore të trashëguara brez pas brezi. Në vite ka nxjerrë njerëz të shquar si: kushërinjtë bamirës Vangjel Zhapa “Nderi Kombit” e Kostandin Zhapën, të famshëm në gjithë Ballkanin, të cilët i kanë dhënë edhe emrin këtij fshati. Nga ky fshat kanë origjinën familja Meksi, duke filluar nga Vangjel Meksi mjek, hartues i gramatikës shqipe. Ishte Nane Meksi ai që hapi shkollën shqip ne vitin 1910, e deri tek Aleksandër Meksi, ish Kryeministër i Shqipërisë. Si dhe shumë të tjerë.  Këtu u çel shkolla për mësonjës të Gjuhës Shqipe qysh në vitet 1922 prej ku dolën shumë mësonjës të cilët shërbyen anë e mbanë Shqipërisë, etj. 

(Foto nga fb-ja e Th. Hodës dhe Vasil Hila, pikturë) Labova e Zhapës para se të dogjej në
Luften e dytë Botërore. Te gjitha fshatrat e Lunxherise pak a shumë kështu kanë qenë.

E bëra këtë përshkrim të shkurtër për Labovën e Zhapës, për veçantitë dhe bukuritë e saj natyrore, ashtu siç janë të gjitha fshatrat e krahinës së Lunxhërisë, ku vargu popullor u këndon: “... rrëzë mali si gjerdani me flori”. E sa për Thanas Hodën, sa i përmend Labovën dhe Lunxhërinë, ai preket e mallëngjehet si fëmijë dhe sytë i mbushen me lotë. Ai nuk ndalet duke përshkruar me pasion të gjitha mrekullitë lunxhiote, dasmat, zakonet, traditat, këngët e vallet si dhe puhizën e krojeve të Odries. Flet me një dashuri të papërshkrueshme, me nostalgji që të drithëron shpirtin. Është i mërguar rreth tridhjetë vjet aty  në Çikagon e largët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Herë pas here me familjen e tij i këndon Labovës dhe  kur këngët e publikuara i mbarojnë, ai nis e vjershëron vetë duke i kënduar me bukurinë zërit të shpirtit të tij të mallëngjyer. Zëri i zemrës së tij bashkohet me zërin e zemrave të mijëra emigrantëve të tjerë lunxhiotë nëpër botë, por nga Tirana zyrtare dhe zyrtarët vendorë nuk i dëgjon njeri, i kanë harruar, por, ata nuk e harrojnë kurrë vendlindjen e tyre, e kanë të gdhendur në shpirt e në zemër.  

 

Thanas Hoda lindi në Labovë e Madhe të Zhapës në korrik të vitit 1934. Prindërit e tij, Qirjakua dhe nënë Eftalia, fshatarë të thjeshtë punëtorë, kishin ngritur me mundim ekonominë e tyre, me punët e fshatit përballonin jetesën. Lindën e rritën katër femijë, dy djem e dy vajza, Thanasi ishte fëmija i dytë. Prindërit e tij ishin arsimdashës dhe u kujdesën që fëmijtë e tyre të shkolloheshin, pavarësisht vështirësive të shumta që ishin në atë kohë. Thanasi shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. Luante e bridhte arave e livadheve nga mëngjesi në mbrëmje, i nginjur e i kënaqur me bukuritë natyrore të vendlindjes së tij.  

 

Shkollën 7-vjeçare e kreu në Gjirokastër.  Po në qytetin e Gjirokastrës, në vitin 1954, përfundoi edhe gjimnazin “Asim Zeneli”. Në vitin 1958 përfundon në Fakultetin e Histori - Filologjisë, Degën për Gjuhë - Histori në Universitetin Politeknik të Tiranës. Po atë vit e emërojnë mësues në Rrethin e Tepelenës.  Seksioni i Arsimit të rrethit e cakton mësues në krahinën e Lopsit, në shkollën “Selam Musai” të fshatit Sinanaj. Thanasi kujton se ishte e vetmja shkollë 7-vjeçare në atë krahinë. Nxënësit vinin që larg nga fshatrat: Dorëza, Metohasanaj, Dhëmblani, Lab- Martalloz dhe disa që nga Salaria.  Gjëndja ekonomike, si kudo në Shqipëri, ishte e vështirë, por sakrificat, dëshira dhe këmbëngulja e atyre fëmijëve për t’u arsimuar ishte shumë e madhe dhe e admirueshme. Prindërit me ato pak mundësi që kishin kujdeseshin që fëmijët e tyre të studjonin dhe të vazhdonin shkollat e mesme dhe të larta.  Thanasi nga puna në këtë krahinë ruan mbresa të veçanta dhe të pashlyeshme. Ai kujton me mall mikpritjen dhe bujarinë, respektin e pakufi për mësonjësit, ata që u jepnin dije fëmijeve të tyre, brezave të rinj.

 

Në vitin 1959, për punë të mire, Thanasin e transferojnë në qytetin e Memaliajt ku punoi plot për 30 vjet, së bashku me stafin pedagogjik të shkollës “Sali Nivica”. Ai kujton se ishte midis një kolektivi të madh prej njëqind mësonjësish.   Në këtë qytet minatorësh u njoh me njerëz të vështirësive e sakrificave të mëdha, heronj të vërtë që punonin përditë në galeritë e minierës së qymyrgurit, në kushte të këqija, në thellësitë e tokës mbi 500 metra. Thanasi, së bashku me kolegët e tij e ndjenin veten borxhlinj ndaj femijëve të tyre shumë të zgjuar e të talentuar. Duhet të bënin më të mirën.  Thanasi ka shumë kujtime e mbresa nga Sinanajt dhe Memaliajt. Ai i kujton me shumë dashuri duke i përmendur shpesh në statuset e veçanta që publikon herë pas-here në fb.

 

Në vitin 1960 martohet me një vajzë gjirokastrite, Violeta Kaftani, shoqen e jetës së tij. Krijuan familjen e tyre dhe lindën e rritën dy djem: Arturin dhe Qirjakon, që u shkolluan në Universitetin e Tiranës.  Arturi përfundoi fakultetin për ekonomi, ndërsa Qirjakua për gjeollogji.  Në vitin 1989 shpërngulen familjarisht në Tiranë. 

 

Me shoqen e jetës Violeta Hoda (Kaftani)

Gjyshi i Thanasit me tre djem kishin punuar për shumë vite në Amerikë. Kur erdhi demokracia dhe u riçel Ambasada Amerikane në Tiranë, familjarisht ata kërkuan dhe u pajisën me pasaporta amerikane. Në vitin 1993 emigruan të gjithë familjarisht në Çikago, SHBA.  Djemtë iu përveshën shkollës për të njësuar diplomat. Qirjakua ndërroi degë, përfundoi universitetin për mjekësi.  Djemtë janë të martuar dhe me fëmijë. Tashmë tre familjet Hoda jetojnë pranë e pranë njeri-tjetrit në Çikago. Thanasi punoi 17 vjet në Amerikë dhe përfitoi pensionin si këtu, edhe në Shqipëri. 

 

Ndoshta i larguar që në moshë të re nga Lunxhëria e tij e dashur, Odria, “Gjithë lisa, gjithë hije….” dhe Labova e Madhe e Zhapës ku i ka rënur koka, Thanasi nuk i ka harruar kurrë lunxhiotët.  Me respektin më të madh, gjithmonë i ka mbajtur lidhjet e i kujton me dashuri shokët e miqtë e tij të largët si: Polo dhe Katerina Mihalin, Naqo Sinanin, Vangjel Xharahun, Dhimo e Vangjel Dhimën, Andon Bërxhollin, Mina Koçin, Kleanthi Dedin, Aleko Dhimën, Mihal Pulerin, Illo Foton, Mina Koçin, Sofo Rizon, Milo Rizon, Thoma Notin, Lame Prifti, Leko Mako, Kleanthi Çuçi, Margarit Pesha, Atë Kristofor Lani, Vaso Hila, Vasil Prifti, Thanas Boshnjaku, Vangjel Thoma Kokoli, Dhimo Duka, Qirjako Duka, dr. Vangjel Cici e plot të tjerë. Disa prej tyre nuk jetojnë më, por ai i mban të gjallë në kujtimet dhe në mendjen e zemrën tij!


Unë jetoj në Boston dhe siç iu tregova, ai në Çikago, shpesh komunikojmë së bashku dhe ai më vë të dëgjoj këngët lunxhiote, të vjetra dhe të reja, por edhe ato që këndon me familjen e tij të madhe. “Të këndoftë zemra e të na rrosh mbi njëqind vjet!” e uroj bashkëatdhetarin tim të çmuar, zemërflori të mbushur me dashuri për vendlindjen dhe njerëzit e saj të mrekullueshëm.

 

Koço Mosko

Boston MA, SHBA 

Gusht, 2022

 



MEDITIM 

Lumja Lunxheria ime,
Të rralla shoqet i ke,
Bukuritë që ka bërë ZOTI
Tek Ty kanë bërë fole!


Mali me bar e me lule,
Gjëmojnë zile këmborë,
Bilbili këngës ja thotë,
Zemrat të bardha si borë!

Lunxhëria jonë e bukur,
Me zakone për zili,
ZOTI vetë të ka bekuar,
Të ka veshur me stoli!

Me burime si kristali,
Saraqinisht e Odrie,
Hosi me ujë të kulluar,
Gjithe lisa, gjithe hije!

Moj Lunxhëria fisnike,
Ç'djem e vajza që ke rritur,
Kudo ku kanë jetuar,
Ballë e faqe t'i kanë ndritur!

Po me se i ke ushqyer?!
Sekreti, vallë, ku qëndron!?
Kalojne vite e shekuj,
Vargu -"YJEVE"- s'mbaron!

A mos është uji i gurrës,
Që nga mali gurgullon!?
Ajri aromë trendelinë,
Që sëmundjet i shëron!?
Apo arat me perime,
Bregoret me pemë mbuluar,
Kënga që buçet tek KROI,
Çdo ditë në të perënduar!? 
 

Visaret që do njeriu,
Ne lunxhotët veç i gjen,
Nga të parët trashëguar,

Ecin në gjak e në gen!!



KUVEND BËNTE LUNXHËRIA

Kur ishim me halle shumë,
Kur na cënohej lira,
Me burrat hijerëndë'
Kuvënd bënte Lunxhëria. 

Dy mbledhje bënte KUVENDI,

Tërbuq e Saraqinishtë,

Vendimet ishin për mirë, 

Mireshin unanimisht !


Nga çdo fshat dy burra venin,
Që u kishte lezet fjala,
Në nevojë, fshatin e ngrinin.
Djemave u shkëlqente palla.

Lunxhëria e bashkuar,
Në çdo shqotë e çdo furtunë, 
Në krye burrat e ditur,
Me durim zgjidhnin çdo punë. 

Ku janë vallë sot ata burra?
Vëndet bosh ata i kanë. 
Burra që s'u trembej syri,
Fjalët nga veprat si ndanë.

Brezat që erdhë pas tyre,
Drita e tyre shkelqen,
Mendja e tyre si floriri,
Në çdo zemër fole gjen.

Lunxhëri plot lezete,
Vend i bukur e me kulturë,
E nderuar në gjithë vendin,
Mos i humbte nami kurë.

NË MALET E LUNXHËRISE

PËR LABOVËN E ZHAPËS

-       Vargje dashurie

 

Unë do shkruaj për Labovën,

Këtë fshat me vlera mali,

Që dhe larg në vend të huaj,

Se harrojmë e na djeg malli! 

2

Çdo njeri vendin e tij, 

E do shumë, e ka në zemër,

E lëvdon si më të mirin,

Dhe kur fle i del në ëndër! 

3

Dallëndyshet e ljlekët,

N’atë vend ndërtojnë folenë,

Mërzitur ikin në dimër,

Në pranverë gëzuar venë!

4

Labova në rrëzë mali,

Me burime në çdo anë,

Manushaqe, trëndelinë, 

Era parfumin shpërndan!

5

Labovitët zemërbardhë,

Kanë në zemër dashurinë,

E nderojnë njeri-tjetrin,

Dhe urojnë mbarësinë.

6

E duan vendin e tyre,

Fshatin e bukur ndërtuan,

U përhapën në kurbete,

Po Labovën se harruan!

7

Zgjidhnin në krye të fshatit,

Burra me mëndje flori,

Që mendonin për të mirën,

Luftonin çdo ligësi.

8

Kjo Labova vend burimi,

Për shumë njerëz të shquar,

Ka nxjerë njerëz me kulturë, 

Në gjithë vendin të dëgjuar.

9

Me zemër të bardhë si bora,

Për mirë i mbajnë në gojë, 

Janë fisnikë e janë të zgjuar,

Tek ka rrjedhur do pikojë.

10

Njerëz me zemër të madhe,

Mbushur plot me dashuri,

Besojnë në Perëndinë,

S’përzihen në ligësi.

11

Ajo farë që mbolli Zhapa,

Rrënjë të thella lëshoi,

Dolën degë e çelën lule,

Mbarësia lulëzoi!

12

Cili është ky Vangjel Zhapa,

Që çuditi botën mbarë,

Me të mirat që ka bërë, 

Bota të tillë nuk kish parë.

13

Ai lindi në Labovë,

Tek buron uji i kulluar,

Ku fryn erë e leht e malit,

Dhe ku lindin djem të zgjuar.

14

Uratën e Zotit ndoqi,

Gjithë jetën sa jetoi,

Dhe zemra e tij bujare,

Për të mirën nuk shteroi.

15

Mendonte për vend e tij,

Të nxirr popullin në dritë,

Si të zhdukej erësira,

Që na prunë osmanllinjtë!

16

Ndërtoi shkollën në Labovë, 

Me dy kate bukuri,

E paisi me të gjitha,

Lum kush mësonte aty.

17

Numuri i shkollave u rrit

Njëqind e njëzet e shtatë,

Gjuha shqipe,  gjuhë e shenjtë,

Përparonte ditë e natë. 

18

Djemtë e tu, o moj Labovë,

Kurbetin e kanë lëvruar,

Përsëri ata janë kthyer,

Labovën se kanë harruar.

19

Kudo që ata kanë shkuar,

Librin kanë mbajtur pranë, 

U bënë njerëz me kulturë,

Dhe traditën nuk e lanë. 

      *******         *********


TË PAHARRUAR DJEMTË E LABOVËS

 

Ç’fat që pate moj Labovë,

Nderin Zhapa lart ta ngriti,

Kish pirë ujë nga të Gurrës,

Kishte zemër laboviti.

2

Xhelozët e zemërzinjtë

Lavdi e Zhapës i vret,

Duan t’i ulin meritat,

Po s’trembet mali nga retë. 

3

Labova shumë e nderon,

Emrin ja  përjetësoi,

Ndaj quhet LABOVË  E ZHAPËS

Nëna birin ta kujtojë.

4

Djema shumë lindi nëna,

Që luftuan për liri,

Lule more Spiro Stoja,

U shqove për trimëri.

5

Vallë kush se ka dëgjuar,

Elena Gjikën flori,

Shkëlqeu në gjithë Evropë,

Për kulturë e dituri. 

6

Dhe tani në kohën tonë,

Anë e mbanë Shqipërisë,

Dyqind e njëzet mësues,

Përhapës të diturisë!

7

Gjashtëdhjet e ca doktorë,

Roje shëndetit qëndrojnë,

Popullit mbarë i shërbejnë,

Dhe nga semundjet e mbrojnë.

8

Andromahi Noçka, mjaltë,

Ksanthipi Dilo me nam,

Mësuese me shpirt e zemër,

Të gjithë në zemër i kanë!

9

Leka Meksi, Foto Çami,

Shkëlqyen në Shqipëri, 

Punuan me dinjitet,

Si drejtues në qeveri.

10

Dyzet  me tituj shkencorë,

Që me zotësi fituar, 

Në punë sipas profesionit,

Nga të gjithë të respektuar.

11

Në lufën Antifashiste,

Vajza dhe djem luftuan,

Derdhen gjak e muarr plagë,

Dhe atdheun e çliruan.

12

Djem e vajza armët morën,

U bëri thirje Atdheu,

Pesëdhjetë dolën partizanë,

Lufta e tyre shkelqeu.

 

13

Lola Miha është e para,

Pas saj Varvara Kokoli,

Vajzë e vetme Olimbia,

Bashkë me shoqet doli. 

14

Ato nëna zemërgjera,

Hallall ua bënë gjinë,

Trimave u dhanë uratën,

Luten siç vanë, të vinë. 

15

Luftë e Dytë Botërore,

Labovën e bëri hi,

I doli flaka në majë,

Mbi njëqind e ca shtëpi!

16

Në Labovë buçiste kënga,

Gëzime në çdo shtëpi.

Të diel shkonin në Kishë,

Largonin çdo ligësi.

17

Zgjidhnin në krye të fshatit,

Kryepleq e këshilltarë,

Ata burra hierëndë,

Të drejtë e zemërbardhë.

18

Fshati i bukur me uratë,

Si çdo fshat në Lunxhëri,

Njerëz me kallo në duar,

Djersa kthehej në flori.

19

Pemë frutore në ç’do anë,

T’i shikoje për zili,

Fiq e rrush, mollë, dardhë,

Pjeshkë të ëmbla dhe qershi.

20

Në shtator në ato burime,

Kazanët ngritur me radhë,

Pikonte ngadalë rakia,

Ball kazani dorë e parë.

21

Presin fejesa e dasma,

Mblidhej fisi miqësia,

Buçet kënga dridhej vallja,

Dhe pihej me fund dollia. 

22

Tej e tej Lunxhërisë,

Lulëzonte dashuria,

Merrnim nuse, jepnim vajza,

Forcohej shumë miqësia.

23

Na pllakosi varfëria,

Tollonat na mbinë në derë,

U rritën ata fëmijë.

Bukën me vaj e sheqer.

24

Iku rinia nga vendi,

Iku morri arratinë,

Mbetën vetëm pleq e plaka,

Ra zia për Shqipërinë. 

25

Pleqtë nuk i zë më gjumi,

Dritë e syve ku është vallë?

Luten për ta natë e ditë,

Që t’i shohin sa janë gjallë!

26

Ahet që dalin nga zemra, 

Janë për drejtuesit mallkim,

Mos i zëntë NËM' e tyre,

Kurrë s’do gjejnë shpëtim!

27

Po shpresat mos i humbasim,

Se pas “dimrit” vjen “pranvera”!

Të mirat sërish do vinë, 

Do digjen “gjëmba e ferra”!

 

**********           **********

 

Çikago IL, SHBA  

Gusht, 2020.

BALLKONI I LUNXHËRISË


VARGJE PËR VANGJEL E KOSTANDIN ZHAPËN



 

Djemtë e tu vrgan i gjatë, 

Përmbi ta shkëlqen si ylli,

Ai që mbeti legjendë,

Vangjel Zhapa xhevairi!

2

Labova u pagëzua,

Labovë e Zhapës i thonë,

Brez pas brezi do kujtohet,

Rron përjet në zemrën tonë.

3

Ai lindi në Labovë,

Tek buron ujë i kulluar,

Kur fryn erë e lehtë e malit,

Dhe ku lindin djem të zgjuar.

4

Në Rumani ku kish shkuar,

Pasi shkollat i mbaroi,

Filloi punën pa përtuar,

Zoti, Vangjelin ndihmoi.

5

U hap lajmi në çdo anë,

Vajzë e mbretit po lëngon,

Doktorët nga gjithë Evropa,

Asnjë, dot, nuk e shëron!

6

Rrinte Mbreti i helmuar,

Shihte vajzën që lëngonte,

Ca thoshnin t’i pritej këmba,

Mendja po i fluturonte!

7

Thashethemet si ti doje,

Ne çdo vend, në Rumani

I dëgjoi dhe Vangjel Zhapa,

Ish pronar në ca mulli.

8

Ra në mendime Vangjeli,

Donte vajzën ta shikonte,

Me melhemet që gatiste,

Kish besim se e shëronte.

9

Merr guxim shkon në Pallat,

Mbretit dy fjalë do t’i thotë,

I lutet të shikojë vajzën,

Pastaj flasin të dy tokë.

10

E pa mirë e mirë Vangjeli,

I tha se e shëroj unë,

Do shkoj të gatit melhemet,

Është me siguri kjo punë.

11

Garanci jap kokën time,

Prema po nuk e shërova,

S’kërkoj para e shpërblime,

Se jam fisnik nga Labova.

12

Këmbën i preku me dorë,
Infeksionin e pa mirë,

Ra në mendime Vangjeli,

Për at’ vajzë xhevair.

13

Sytë e vajzës po shkëlqenin,

Shpresat e mbanin të gjallë, 

Nuk kish parë ”doctor” të tillë,

I bëri vizitë të rrallë.

14

Mbretëresha aty afër,

Lotët nga sytë s’i shteronin,

Si t’ja bënin këtij halli,

Edhe vajzën ta shëronin.

15

Vinin doktorët me rradhë,

Shumë prej tyre të helmuar,

Kokën ulur, zemërvrarë,

Qe s’bënë gjë për ta shëruar.

16

Një mendim kishin të gjithë,

Si t’a kishin bërë me fjalë,

Sa më parë t’i pritej këmba,

Të shpëtonte vajza gjallë.

17

Vangjeli s’ngjante me ta,

Nuk kishte asnjë diplomë,

Kishte përvojën e madhe,

Njihte lulet me aromë.

18

Mendja ku s’i fluturonte,

Në Labovë e në Odrie,

Shëtiste  me sytë e mendjes,

Nëpër kodra e korie.

19

Vajzën unë do ta shëroj,

Dhe do bëhet si çka qenë,

Do shkoj të gadis melhemet,

Për një muaj është në këmbë.

20

Do dal malit të gjej lulet,

Do t’i kërkoj në çdo anë,

Në mos do shkoj në Labovë,

Di ku rriten e ku janë.

21

Dua nja dy djem me vete,

T’i kem si për shoqëri,

Dhe të më tregojnë vendet,

Ku ka lule, bimësi.

22

Kërkuan, lulet i gjetën,

Oh! Ç’gëzim e lumturi,

Erdhën, drejt e  në Pallat,

Të jepnin lajmin e ri!

23

Filloi Vangjeli nga puna,

Melhemet ishin gadi,

Priste mendimin e Mbretit,

Të bënte  ç’dinte  Ai.

24

 

Ç’garanci, më jep ti mua,

Mos sëmuret më shumë këmba,

Dhe melhemet që ke bërë,

I sjellin dhimbje të rënda?!

25

Kokën time të ma presësh,

Mos kij fare hezitim,

Ja e ngre vajzën në këmbë,

Ja vras veten si dënim!

26

Vangjeli para s’kërkoi,

Erdhi pa i thënë njeri,

Se kish mirësi në zemër,

Mbushur plot me dashuri.

27

Filloi nga puna  Vangjeli,

Melhemet punën e bënë,

U trondit shumë infeksioni,

Mori goditje të rëndë!

28

U bë plaga dyllë e verdhë,

E bëri punën melhemi,

Plasi plaga, doli jashtë, 

Rridhte me ngadalë helmi.

29

I vuri dhe buzët plagës,

E thithi sa kish fuqi,

Ja kreu rrënjët dhe degët,

Si ta kish vajzën e tij.

30

Disa ditë puna vazhdoi,

Përjashta e liga doli,

Dhe dhëmbjet u pakësuan,

Vajzës gëzimin i solli.

31

Prindrit mbetën të gozhduar,

Kur panë skenat e mjekimit,

Kur i thithi helmin plagës,

I dhanë fund hezitimit.

32

Prindrit të dy s’bënin gjumë,

Nga gëzimi fluturonin,

I rrinin vajzës te koka,

Dhe Vangjelin e uronin!

33

Doktorët heshtur qëndronin,

Se s’bënë gjë për ta shëruar,

Dhe “Doktori” nga Labova,

I la gjithë të turpëruar.

34

Përditë i ndronte plagën,

Ja pastronte me merak,

Prindrit ishin të gëzuar,

Vajza lëvizte nga pak.

35

Vajzës i qeshte fytyra,

Gëzimi s’kishte kufi,

Ecte si sorkadhe mali,

Poshtë e lart nëpër shtëpi.

36

Vangjeli punën mbaroi,

Vajzës gëzimin i pruri,

Dhe prindrit i lumturoi,

Besa-besë e fjalë burri!

37

Rrethuar me dashuri,

Nga familja mbretërore,
Vangjeli u buzëqeshte,

I shte burrë fisnik Labove.

38

Hap gojën, ç’kërkon- i thanë,

Nderi me nder shpërblehet!

Por Ai, asgjë s’kërkoi,

Në punën të tij, do kthehet.

39

Shpërblim i madh për mua,

Kur shoh vajzën të shëruar,

Se sa pasuri e madhe,

Dyzet mushka, ar, ngarkuar!

40

Punoi  Zhapa me  mullijtë,

Tek burimet rrëzë mali,

Mbante në zemër Labovën,

Dhe për të e digjte malli.

41

Mbretit zemra nuk ja mbante,

I rëndonte natë e ditë,

Shihte vajzën të shëruar,

Mosmirenjohja të zë sytë!

42

Ndenji Mbreti, u mendua,

T’i jepte dhuratë të rëndë,

Nga Ai me erdh e mira,

Vajza do qe me një kembë!

43

I dhuroi një  krahinë,

Mullinjtë ishin radhë - radhë,

Zhapa i bashkoi të gjitha,

Dhe u bë mbi –Ta- pronarë.

44

Shpejt ju shtua pasuria,

Se kish nga  Zoti uratë,

Kudo vinte mbarësia,

E ngrinte lartë e më lartë!

45

Uratë e Zotit e ndoqi,

Gjithe jetën nga jetoi,

Dhe zemra e tij bujare,

Per të mira nuk shteroi.

46

Pasuria shumë ju shtua,

Kërkonte administrim,

Thiri urgjent nga Labova,

Kushuririn Kostandin.

47

Té dy punës ju përveshën,

Shtuan tokë e pasuri,

Po mendja u fluturonte,

Në Labovë e Shqipëri.

48

Fati madh e ndoqi shumë,

Nën toka-naftë – lumë,

Paraja zuri paranë,

Po Vangjeli zbënte gjumë.

49

Mendonte për vend e tij,

Të nxirte vendin në dritë,

Si të zhdukej errësira,

Që na prunë osmanllijtë.

50

Të mirat që bëri Zhapa,

Për Labovë e Shqipëri,

Duhen volume të tëra,

Ti tregosh me hollësi.

 

 

Thanas Hoda

 

Gusht, 2022