Monday, 15 August 2022

UJËVARA E SELCKËS



Ujvara e Selckës tashmë është bërë shumë e njohur, përfshihet në të gjitha guidat e agjensive turistike shqiptare e vizitohet nga shumë turista vendas e të huaj.
 


nga: Koço MOSKO
Boston, MA-SHBA
                                         

Gryka e Selckës

Ujëvara e Selckës është një mrekulli e Nënës Natyrë.  Ndodhet në grykën me të njëjtin emër, rreth 14 km në vijë ajrore larg qytetit të Gjirokastrës. Gryka  e Selckës është e gjitha një mrekulli e papërshkrueshme, unike dhe me shumë befasira. Eshtë gjatë rreth 6 km, një territor që i përket tërësisht fshatit Selckë. Këtu përfundon mali i Lunxhërisë dhe fillon mali i Buretos, dy male që fshehin brenda tyre shumë mite e histori të lashtësisë Iliro-Shqiptare, ende të pazbuluara mirë. Jo shumë larg ndodhet qyteti i lashtë 2300 vjeçar i Antigonesë, Kalajae Lashtë  e Labovës së Kryqit, Kisha 1500 vjeçare e Shën Marisë, etj. Në këtë grykë janë zhvilluar shumë beteja e përleshje  midis ushtrive të huaja, që nga lashtësitë e deri në shekullin e kaluar, përmendim betejat e përgjakëshme në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore midis ushtrive greke e italiane.  

Lugina e Grykës së Selckës ka një florë shume të pasur; shkure, dru pyjorë dhe bimë medicinale cilësore e të kërkuara në tregjet ndëkombëtarë.  Nga drurët shquhen: rrepet, lisi, shkoza, frashëri, lofata, arra, çerçemi, fiku, vidhi, krekëzi, thana, gorica dhe më lart bliri e panja, etj. Nga shkuret dallohen: mreteza, dafina, cermendeli, kulumbrija, xana, mëlqinja, cfaka, etj. Riten bimët zvaritëse: kulpri, ferrat, larushku, urthi, etj. Ndërsa nga bimët medicinale gjënden: sherebeli, rigoni, murrizi, trëndafil i eger, shtogu, sumaku(shqeme); lart në male çaj mali dhe salepi. 

Fauna është gjithashtu shumë e pasur gjëndet: lepuri, dhelpra, kunavia, derrat, sorkadhe, ujku, nuselala, breshka, kërmij, zvaranikët, etj. Nga shpendet përmendim: Thëllëzën, shapkat, mëllënjat, harabelat, qyqja, turua, kaliqyqja, skifteri, gjeraqina e shume te tjera. Lumi është i pasur me peshq të shijshëm si: trofta malore(pestrof), millona, sardele, ngjala, etj. 

Ujvara e Selckës tashmë është bërë shumë e njohur, përfshihet në të gjitha guidat e agjensive turistike shqiptare e vizitohet nga shumë turista vendas e të huaj. Selcka është vendlindja ime ku kam kaluar fëmijërinë në këto mrekulli të Grykés së Selckë. Do bëj një pershkrim të shkurtër dhe do të jap disa mendime që kjo Ujvarë të bëhet një pikë turistike e kohës, çlodhëse dhe shumë antraktive për turistat.

Kisha e Shën Gjergjit

Në hyrje të Grykës së Selckës, jo shumë larg ujvarës ndodhen gërmadhat e Kishës së Shën Gjergji. Nuk ka të dhëna dhe nuk ka studime për këtë Kishë, por duhet të jetë ndërtuar që gjat  periudhës Bizantine, ndoshta kur u ndërtua nga Justinian i Madh Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit.  Pak më tutje Kishës duken gërmadhat e ngrehinës të një garnizonit ushtarak turk që siguronte kalimin e sigurt të grykës nga udhëtarët gjat periudhes Osmane. Ndoshta edhe kjo ngrehinë është ndërtuar që nga periudha Bizantine sepse, edha ata kujdeseshin që rruget të ishin të sigurta nga hajdutët. Një garnizon i tillë ishte edhe në dalje të grykës, nga ana e fshatit Poliçn. Këto vende fshatarët e Selckës i quajnë "Tabore". Si Kisha dhe ngrehina e garnizonit ushtarak janë pasqyruar në të gjitha hartat e kohës gjat periudhës Osmane. Këto u prishën gjat viteve 1990 nga kërkuesit ilegalë të arit.  Mendoj se duhen të rindërtohen. Pasqyrojnë një pjesë të historisë të periudhës Osmane e Bizantine. Nuk duhen shpenzime të mëdhaja, një fondacion i huaj, ose dhe një bizesmen vendas mund që t’i rindërtojë e t’i menaxhojë. 

Rënojat e Kishës së Shën Gjergjit

Afër këtyre ngrehinave, duke ju afruar ujvarës, ndodhen gërmadhat e një fshati të vogël. Thuhet se aty bëhej tregëti e lëkurëve të jugut Shqipërisë, gjat periudhës Bizantine. Banorët u shpërngulën në fshatin Selckë dhe Stegopul me okupimin Osman. Interesant është toponimi që i kanë vendosur këtij vendi fshatarët, “Ferrë”, shtëpitë mbetën gërmadha dhe mbinë ferrat. Ai vend është me ferra, mëlqinjë.   Më sipër nga ana e malit, ndodhet një vend  me një toponimin e çuditshëm “Arra e Shahut.”. Çfar është ky toponim?! Unë mendoj se duhet studjuar.  Eshtë në një vend mjaft piktoresk, në faqe të malit. 

Shkëmbi i Dallëndyshes. 

Shkëmbit të dallëndyshes fshati i thotë Shpellë e Dallendyshes. Këtu gryka ngushtohet, mali bie thike mbi lumë. Ky shkëmb ka shume histori e është shumë i njohur në krahinat e Pogonit dhe Zagories, por dhe më gjerë, për emërin e bukur që ka, por kryesorja është se ka qenë pusi hajdutësh. Rruga këmbësore para ndërtimit të rrugës automobilistike ishte një shteg  shumë i ngushte, ku mund të kalonte vetëm një njeri. Kafsha mbahej gjithmonë nga kapistra kur kalohej këtu. Ka qenë vend i preferuar i hajduteve në kohëra trazirash e luftrash. Thuhen histori shume të trishta. Po tregoj njërën prej tyre: Një mërgimtar me mushkë kthehej në fshatin e tij në Pogon. Mergimtarin e vranë hajdutat për t’i marrë lekët, por ai i kishte fshehur në stromën e samarit të mushkës. Mushka iku, nuk e zunë dot, vajti në shtëpinë e saj në fshat në Pogon. Kur e hapën samarin  gjetën lekët brenda. Këtu janë xhiruar gjithashtu dhe disa skena të filmit për Çerçz Topullin “Liri a Vdekje”

Shpella e Dallëndyshes në  dimër

Sigurisht emrin e ka marrë se aty është vend ideal për të ndërtuar foletë dallëndyshet. Kur kaloje me këmbë atë ngushticë të fluturonin  mbi kokë. Pasi kalon këtë ngushticë, është vendi i quajtur “Guri i Urës” që ndodhet buzë xhades. Është një shkëmb i madh që dikur ka qënë këmba e një ure guri me harqe që lidhte dy brigjet e lumit, fshatin Selckë dhe krahinën e Lunxhërise  me fshatin Labovë e Kryqit e Libohovë, kur lumi bëhej i pakalueshëm. Këtë urë e ka shkatëruar lumi, pasi  është një lumë shumë i rrëmbyeshëm  dhe i paparshikueshëm kur egërsohet. Fshatarët e fshatit Selckë për nevojat e tyre në vitet 1970, ndërtuan një urë të re, një pasarelë pikërisht mbi ujvarë që ia  shton  edhe më shumë bukurinë. 

Ujëvara

Pasi lë Gurin e Urës të çfaqet përpara syve në lumë një grumbull shpellash shumë të mëdha e të çregullta. Duket si një vend mistik, sikur një ciklop homerik i lashtësisë ka dashur t’i presë rjedhën lumit. Aty brenda shpellave ndodhet ujvara. Para se të shkojmë tek ujvara janë dy burime që kanë ujë të ftohtë gjat gjithë vitit. Burimi i Minae dhe Burimi i Baçes. Këto burime duhen që të mirmbahen. Te ndërtohen të reja e të bukura. Të kenë rreth tyre pezule çlodhëse, si dhe vend për parkim makinash. Turistave u jipet mundësia të freskohen, e të rehatohen, të pinë ujë të ftohtë burimi, madje mund të hanë dhe diçka.  Afër burimeve janë ca fiq shumë të mirë, pse të mos mirmbahen që turistat të kenë mundësinë t’i  shijojnë fiqtë e shijshëm të Ujvarës së Selckës.. Njëkohësisht u jipet mundësia të shijojnë: thanët, ndonjë kokër are, lerushq të bardhë dhe te zi, manafera, gorica, etj  shumë  të shishjëshme në kohën e pjekjes së tyre.

Ujvarën fshatarët e Selckës dhe fshatrat përreth e quajnë “Katarakt”, ose "Kandal" këta emëra shërbejnë dhe si toponime për këtë zonë, por toponimi i vërtete i vendit ku gjëndet ujvara quhet “Vëras”. Pra është një vend me shpella e mjedisi ka shumë  vrima  të paeksploruara.  Ndërsa në krah të Ujvarës ndodhet një vend i butë që quhet “Vreshtas”. Aty dikur ka patur vreshta dhe kopshte me pemë. Kush të ketë fat mund e gjejë ndonje rrush të mirë që ende reziston e ta shijojë. 

Kur isha fëmi si dhe gjat adoleshecës në periudhën e pushimeve të verës e vizitoja shpesh së bashku me shokët ujvarën. Zinim peshq Pestrof, se ky lloj peshku deri aty vinte, nuk e kalonte dot ujvarën. Rrinim dhe shikonim si peshqit hidheshin përpjetë e perpiqeshin të kalonin ujvarën. Ajo është e lartë 7-11 m. Laheshim në bujanën që kish krijuar lumi. Ishte një ujë i mrekullueshëm, pas larjes e ndjenin trupin shumë të freskët, të lehtësuar dhe të shplodhur. Ndjenim një kënaqësi të veçantë, si në asnjë lumë tjetër ose dhe në det, që nuk mund përshkruhet. Lumi që përshkon Grykën e Selckës ka shumë bujana për t’ú larë, që ne i quanim “puse”. Ato janë si pishina të vërteta natyrale. Kudo që të laheshe në këto puse ndjeje të njëjtën kënaqësi.  

Këtu uji në luftë me shkëmbin ka gjetur rrugën e tij të gurgullojë ëmbëlsisht e të gjallërojë jetë midis këtyre shkëmbenjve të egër.  Vendi mbi ujvarë e ka emrin “Virozi” që do të thotë vrima të zeza. Shpella shumë  të mëdha mbulojne një pjesë te rrugëtimit të lumit. Lumi kalon nën këto shpella gjigande dhe duket sikur vazhdon në katakombe ndënë dhe’.  Vende- vende këto shpella shërbejnë si ura për të kaluar lumin në dimr bagetia  por dhe njerezit për punet e tyre.Është një vend i bukur për t’u eksploruar nga guximtarët.

Më lart në vendin e quajtujr "Shpellas"  kohët e fundit është ndërtuar një bujtinë nga Shpëtim Beqo ku mund të gjesh një ushqim te shijshëm bio. Mish keci në saç, djathë të njomë., mjaltë, ulre kaçupi, kos, fruta, etj. 


Pika të tjera që mund të vizitohen.

Ata që duan të vazhdojnë aventurën nëpër  Grykën e Selckës kanë mundesi të vizitojnë vende të gojdhënave e legjendave.


Shkëmbi i Nuses ose Shpella e Nuses. Pak më lart ujvarës duke vazhduar rrugën për në fshatin Poliçan ndodhen disa ara të quajtura  “Dhoqime”. Ndoshta ka banur dikur ndonjë Dhoqinë, ndoshta ka varrin  ndonjë Dhoqine, ndoshta…….mund të jetë  Dhoqina e legjendës së Kostandinit. Por, le ta quajmë Dhoqina e fshatit Selckë. Aty ngjitur ndodhet vendi që quhet “Varri i Nuses” dhe mbi të nga ana e malit  Shpella ose Shkëmbi i Nuses. Dikur rruga këmbësore kalonte mbi këtë shpellë.  Thuhet se nga lartësitë e kësaj shpelle është hedhur një nuse. Ka shumë gojdhëna për këtë, dhe meqë vendi  ndënë shpellë quhet “Varri i Nuses”, këtë nuse fatkeqe duhet ta kenë varrosur diku këtu rreth. 

Shpella e Nuses

Guri i Kordhës.  Një vend i bukur piktoresk midis xhades dhe lumit. Eshtë një gur shumë i madh dhe ka formën e nje kubi, i vendosur mbi ca gurë më të vegjël. Thuhet se një kurbetlli dikur e fshehu kordhën ndënë këte gur dhe e gjeti pas disa vjetesh kur u kthye nga kurbeti. Një legjendë e bukur dhe një pamje piktoreske e këtij guri stërmadh për të bërë foto të bukura, madje dhe ndonje selfie me gurin e legjendës, si kujtime që të len mbresa te pashlyeshme. Me tutje në të dalë të grykës janë burimet e Manastirit me ujë të bollshëmn e të ftohtë. Dikur këtu ka qenë dhe fshati Selckë

Fshati Selckë

Mjaft me interes mund të jetë dhe vizita në fshatin Selckë. Fshati që e ka zotëruar Grykën e Selckës që nga lashtësitë. Fshati Selckë historikisht, etnikisht, kulturalisht, tradicjonalisht bën pjesë në Krahinën e Lunxhërisë. Sot admistrativisht përfshihet në njësinë Administrative Pogon, Bashkia Dropull. Ky fshat ka resusese natyrore e historikë shumë të rëndësishme jo vetëm me interes për atë zonë, por edhe për Shqipërinë. Deri tani është lënë pas dore nga çdo qeveri shqiptare dhe po shkon drejt zhdukjes. Çfar është me interes për të vizituar në fshatin Selckë?

1.    Fshati Selckë është vendlindja e dy rilindasve të shquar dhe të rëndësishëm, vëllezërve Martirë Pandeli e Koço Sotiri. Ata çajtën terrin shekullor Osman që e kish pllakosur Shqipërinë dhe  hapën shkollat e para shqipe, u sakrifikuan për shkronjat dhe shkollat shqip. Në Selckë ndodhen gërmadhat e shtëpiusë së lindjes së tyre si dhe shkolla ku morrën dijet e para. Eshtë pikërisht ajo që ka qenë kur ata ishin nxënës në këtë shkollë, rreth viteve 1840-1860. Ndodhet dhe varri i Hoxhës rilindasit patriot  Myftar Ali Kallarati që u sakrifikua po në ato vite për shpërndarjen e librave shqip. Eshtrat janë marrë nga fshatarët e tij në vitin 2007. Selcka e mbajti me rrespekt të madh në gjirin e saj këtë varr rreth 180 vjet. 

Shkolla ku murren mësimet e para vellezrit Sotiri, ndertuar 1811, rindertuar 1894 

2.    Kisha e Shën e Prmtes. Për vlerat arqitetktonike, ikonografike dhe kulturore është shpallur Monument Kulture. Ndërtuar në vitin 1759, por i janë vjedhur një pjesë e ikonave, ikonostasit dhe këmbana. Si ndërtesë është rikostruktuar në vitin 2007.

Kisha e Shën e Premtes 

3.    Kroi i Madh.  Duhet të jetë ndërtuar rreth viteve 1860-1870. Ka vlera të veçanta hidrotenike dhe arkitektonike. Është unikal në lloin e vet, që nga vepra e marrjes së ujit lart në mal me tunel, nje mënyrë interesante dhe e avancuar për kohën,. Shtrirja e tubacionit, me sa di unë janë prodhuar në gjermani me gizë dhe ndërtesa e kroit me kupolë të gurtë shumë e veçantë. Eshtë shpallur Monument Kulture. U rikonstruktua në vitin 2015.

 

Kroi i Madh 

4.    Ndodhen gërmadhat me emërin "Vasillo Vogël" Mendohet se janë mbeturinat  një garnizoni ushtarak që nga koha e Pirros së Epirit  dhe rruga lidhëse nga mali me qytetin antik të Antigonesë. Nuk jane kryer studime të mirfillta e përfundimtare nga arkeologët.

Mbeturinat e një garnizoni ushtarak që nga koha e Pirros së Epirit.

5.    Ka shtepi banimi komode të ndërtuara që nga viti 1700. Me një arkitekturë karakteristike e stil të veçantë ndërtimi që ja vlen të vizitohen e studjohen.  

 

Shtëpi banimi e Paskalajve(Dedajve)

6.    Ështe vendlindja e autorit të “Çufos”, shkrimtarit Gaqo Bushaka, Gjuhetarit të talentuar prof , dr. Thoma Dhima. Origjina e prof. dr. Mina Naqo. Janë shtëpitë prindërore  të Inxhinierit te shquar Kanadez, ndërtuesit dhe sipërrmarrësit të hidrocentraleve madhështore në Qebec, John Sinanis. Ndodhen rrënojat e shtëpisë familjes Lena, bizesmenëve te sukseshem të  dyqaneve ushqimore në Nju Xhersi dhe Stamboll.

Ndodhet shtëpia prindërore nga ana e babait e shkencetarit të madh me famë botërore, njeriut më të ditur të kohës,  Dimitris Nanopullos(Naka).  Profesor në Universitetin A&M  të Teksasit, përfaqësues në shumë agjensi kërkimore-shkencore botërore në Amerikë dhe Evropë. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Athinës, etj. Ne wikipedja thuhet se është me origjinë vëllahe, por nuk është e vërtetë. Vajo Naka, baba i tij, me origjinë shqiptar, ishte punonjës i administratës të Mbretit Zog, punonte në Ministrinë e Bujqësisë. Nuk dinte asnjë fjalë vllahisht ashtu dhe motra e tij nënë Kasjania, që u nda nga jeta në Gjirokastër në vitet 1990. Vajua u largua në vitin 1944 sepse nuk pajtohesh me regjimin komunist. Shtëpinë e tij shkoni ta vizitoni në fshatin Selckë.   

E gjithe kjo bukuri e Grykës së Selckës sot nuk çfrytëzohet sa duhet. Rruga egzistuese është në gjëndje shumë të keqe, e papërballueshme. Nevojitet të bëhet urgjentisht rruga per t’ju ardhur në ndihmë edhe krahinave të Pogonit e Zagories për të çfrytëzuar resuset e shumta turistike që këto krahina kanë. Jane dy krahina me tradita të lashta, por po çpopullohen me shpejtësi nga mungesa e kujdesit të strukturave drejtuese të shtetit shqiptar. Nëse bëhet kjo rrugë duhet të kaloje nga fusha e Lazaratit, Kordhocë-Suhë.



No comments:

Post a Comment