Thursday 2 October 2014

Thana (Cornus mas L.)

Nga pyjet në arat dhe kopshtet e banorëve.


          I thatë e i thantë”
                        Populli



         Thana në Trojet Shqiptare shtrihet në formacione ose brezash pyjorë në lartësitë 800-900 m. Në pranverë, kur kjo bimë lulëzon dallohet prej së largu si një brez i verdhë nëpër faqet e maleve. Thana gjëndet gjithashtu e shpërndarë, më lart ose më poshtë kësaj lartësie kryesisht spontanisht por dhe nëpër ledhet e arave, kopshtet si dhe në formacjone të vogla pyjore, origjina e të cilavet duhet të jetë nga faktorë njerëzorë. Në këto hapësira ekotipe me karakteristika të veçanta. Sipas specjalistit me përvojë të gjatë për dru-frutorët, Prof. dr. Resmi Osmani: 
            “Frutat e thanës në Shqipëri janë me forma ovale, të rrumbullakët, formë dardhe, etj. Ndërsa ngjyra nga e kuqe e zënë, trëndafili dhe e verdhë. Në Berat, në fshatin Duhanas, ka pyje me thanë ku vihet re një shtrirje e gjatë kohore e pjekjes. Fshatarët fillojnë shitjen në fund të qershorit dhe e vazhdojnë deri në tetor.  Në Mirditë, në Kodër-Rrëshen, kam gjetur fruta të thanës me peshë  6-7g.” 

            Në një perudhë të gjatë kohore janë krijuar klonet dhe genotipet natyrale, ku ndikim kanë patur dhe seleksjonerët popullorë rastësorë. Shqipëtarët e kanë kultivuar e përmirësuar thanën dhe për mijëra vjet janë krijuar lloje të shumta. Këto përbëjnë një  potencial të vyer bilogjik për të kryer përzgjedhje. Në Shqipëri anipse  kemi  shumë varjacojne të kësaj bime është punuar pak ose, aspak për njohjen dhe konservimin e tyre. Në një program të BE-së(1995) i ndërmarrë në disa vende mesdhetare për invetarizimin dhe konservimin e disa bimëve pak të kultivuara, ku është përfshirë dhe thana, Shqipëria nuk merr pjesë.

Disa lloje thanësh            


             Banorët e Ballkanit të Lashtë e kane selitur thanën, fshatarëve nëse në pyll u binte në sy ndonjë bimë me karakteristika të pëlqyera e mbillnin në kopshtet rreth shtëpive ose në arat e tyre; duke i prerë filizat që lëshonte nga trungu. Me ndikimin e njeriut ka marë formën e një peme të vogël. Mund të themi se të gjitha thanët rreth fshatrave dhe arave janë mbjellë nga banorët. 

            Thanët në mesjetë e deri në shekullin që lamë pas mbilleshin kryesisht për ushqim. Për këtë qëllim përdoreshin frutat e freskëta. Ato janë të shijëshme, të ëmbëla e shpesh aromatike por, po të hash shumë të mpihen dhëmbët veçmas, kur ato janë jo të pjekura mirë. Ky frut pëlqehet më shumë nga të rinjtë, gratë shtatëzanë dhe fëmijët. Më kujtohet kur ishim të vegjël kishim zgjedhur thanët tona favorite për të ngrënë por, dhe i grumbullonim në shtëpi. Në tregun fshatar të Gjirokastrës, e kudo në Shqipëri, nga fshatarët e zonave rreth qyteteteve tregëtoheshin të amballazhuara në kaush në tregun fshatar. Në disa zona thahej dhe ruhej për dimër. Thanët me fruta të mëdha populli i quan “thanë belicë”.

            Fëmijët nga druri i thanës përgatitënin pjesën e drurit në formë furke apo, siç e quanin “kliço”, për llastiqet me të cilat gjuanin zogj por, ngadonjëherë fëmijët e prapë thyenin dhe ndonjë xham të shtëpive. Çobanët nga druri i thanës bënin shkopin tradicjonal të tyre si dhe përgatiteshin bastunët e pleqëve. Mësuesit në shkolla mbanin një thupër thane për punët e tyre. Nga druri thanës bëhesh dhe hosteni për të ngarë qetë në arë ose kur shinin grurin në lëmë si dhe furkat e ndryshme, kërrabat për vjeljen e rrushit e fiqëve, tërkulët, etj. 

            Amvisat përgatitënin pije të ndryshme si: reçel, gliko cilësore e prevede për t’i ruajtur për periudhën e dimërit. Me frutat e thanës bëhej verë, raki dhe uthull. Shumë familje e kryenin këtë aktivitet tradicjonalisht por, në shekullin e kaluar sapo vente e zbehej kjo traditë ndikuar kjo edhe nga kolektivizimi bujqësisë. Thana nuk ështe e rëndësishme si ushqim për blegtorinë. Gjethet e saj i pëlqejnë dhitë veçanërisht kur janë të reja, ndërsa frutat shpesh përdoreshin si ushqim vetëm për derrat. 

            Në vendet mesdhetare, vitet e fundit ka patur interes për prodhimin e frutave të thanëve sidomos si prodhim për industrinë ushqimore. Produktet dhe nënproduktet e saj konsiderohen si ushqime bio, të shëndetëshme dhe janë të kërkuara nga eksporti. Ky biznes duhet të nxitet edhe në Shqipëri sepse, kjo bimë gjëndet me shumicë në zonat malore dhe paramalore dhe mund të bëhet një burim të ardhurash për vendasit. Për thanën duhet të ketë edhe mbjellje të reja pasi kjo bimë sapo vete e humbet afër zonave të banuara për shkak të prerjes pa kriter e nënvleftësimit. Nuk duhet të humbasim llojet apo genotipet e vyera që kanë ardhur nga përmirësimi në shekuj i kësaj bime nga të parët tanë



Thana në Lashtësi

          Në Ballkan thana ne lashtësi ka qenë një bimë vendase jetike për banorët, sepse përdorej në shumë aktvitete jetësore të përditëshme. Një rëndësi të veçantë kishte për përgatitjen e armëve të luftimit dhe armëve për gjueti. Sipas Pausanias[1], edhe Kali Trojës u ndërtua nga druri thanëve të Zabelit Shenjtë të Apollonit, megjithëse për këtë studjuesit debatojnë e kanë mendime të kundërta. Një nga dëshmitë e para për thanën na vjen nga Ksenofoni në shekullin e V-të. Ai në librin e tij “Hellenika” përshkruan armët e luftimit që bëheshin nga druri i thanës.

Luftëtar Ilir
         Një legjendë e lidhur me thanën shumë e diskutuar përbën shprehja “Nyja Gordiane”, e përdorur edhe sot gjerësisht si metaforë kur çështjet nuk zgjidhen, ose provokojnë gjakderdhje. Legjenda thotë se karoca e mbretit Gordon ishte lidhur  fort “në mënyrë të thantë”.  Aleksandrit Madh për t’u bërë Mbret i duhesh që t’a zgjidhte këtë nyje por ishte tepër e vështirë. Historianët ndahen në dy grupe për mënyrën se si e zgjidhi Aleksandri i Madh nyjen Gordiane. Njëra palë thotë se Ai e shpleksi duke hequr një kunjë që shpreh inteligjencën e Tij. Pala tjetër thotë se Aleksandri e preu me një të goditur të shpatës. Kjo i hapi rrugën për t'u bërë Mbret dhe për betejat fitimtare që do të kryente në Azi. Në lidhje me këtë Hegi(1926) dëshmon se thanukla(C. sanguinea) përdorej në lashtësi për bërjen e litarëve të fortë.

           Plutarku(shek. I) ka shkruar se mbreti Romul(753 PK) për të provuar fuqinë e tij hodhi në mal një shigjetë prej thane, shigjeta u ngul thellë në tokë dhe askush nuk mundi që ta hiqte, ajo lëshoi rrënjë e u bë një bimë thane. Studjuesit janë të mendimit se kjo mund të jetë e vërtetë pasi, 50 përqind e e copave nga druri thanës kur janë të  njoma mund të lëshojnë rrënjë e të rriten si bimë.  
            Deri në shekullin e VII heshtat, shtizat dhe harqet bëheshin nga druri i thanës. Theofrasti( 371-287 PK) do të shkruante:  “Druri thanës ishte i fortë si një kockë dhe e përdorën atë për të bërë shtizat gjuetisë, shtizat e luftës, për shigjeta dhe shkopinj “. Studjuesi Danez Peter Wagner pas analizave laboratorike në vitin 1971, ka vërtetuar se druri shigjetave të përdorura nga Etruskët ishin të bëra nga dru i thanës.

            Thana është një dru të fortë. Luftëtarëve të Aleksandrit Madh, Mbretit Pirro dhe të Ilirëve, armët e luftimit prej drurit të thanës u kane krijuar përparësi në luftë, sepse territori ku banonin ishte i mbuluar me pyje me këtë bimë. Ndoshta dhe i mbillnin e kujdeseshin për to. Sipas Arrian(75-175 ) në luftimet në Persi  për të kaluar lumin Graniko, vala e parë e sulmeve të ushtrisë Aleksandrit të Madh u thye, por me ndërhyrjen e e tij si dhe me përdorimin e shigjetave prej thane persët u mposhtën.[2]


            Në shumë shkrime të lashta nga autorë të ndryshëm epërsia e shigjetave nga druri thanës në luftime përshkruhet e ndikuar nga vargjet e Virgjilit(70-19 PK) tek poema epike e tij “Eneida”:
“Pas fluturimit në qiellin e butë italian
Shigjeta e thanës depërtoi thellë në kraharor
U mbërthye atje, plaga humnerë e zezë
Si dallgë shpërthyen valët e gjakut.”

            Edhe gjat Mesjetës druri i heshtave, shigjetave dhe harqeve të luftëtarëve   arbër sigurisht bëheshin nda druri i thanës. Në luftimet e ashpra e të përgjakëshme midis Gjergj Kastriotit dhe Sulltan Mehmetit II, në vitin 1466, ku ushtria turke u shpartallua, kronikani Qemal Pasha Zade ka shkruar:
"Luftëtari më i dobët i arbërve është nga më trimat e fushës së luftës, njësoj sikur të ishte kalorës i hipur mbi kalin legjendar. Ai nuk ka as kalë, as mjete lufte, por ka në vend të kuajve shtiza që fluturojnë si vetëtima, ka ushta maja e të cilave është plot helm si thumbi i grerëzave, ka edhe një hark prej druri e bashkë me të disa shigjeta, por megjithatë ai është më i fortë se hekuri".
Disa masive me thanë të ndodhura në afërsi të vend-banimeve të lashta, duhet ta kenë fillesën nga faktorë njerëzorë, pra janë mbjellë  që në lashtësi nga njerëzit për të plotësuar nevojat si ushqim por, edhe për të bërë armët e luftimit. Kjo mund të vërtetohet nga studimet që mund të ndërmiren.

            Thana në lashtësi  konsidrohej edhe si një “farmaci”  nga ku mund të gjeje e të përgatisje ilaçet për luftimin e disa sëmundjeve. Fruti thanës shquhet për përmbajtje të lëndëve regjëse,  janë përdorur kundra përdheseve, dhimbjes kyçeve, diaresë, anemisë, dizanterisë, etj.
Një thanë qindravjeçare në Iballë, Pukë(Foto: E. Isufi)
THANA – Kjo Hyjneshë Pellazgo-Ilire!

            Mijëra vjet, thana ka qenë një nga bimët më të përdorura me të cilën popujt ballkanas ishin lidhur ngushtë, në sukseset ose mos-sukseset e veprimtarive të tyre. Natyrshëm  ajo pasqyrohet në mite, zakone, rite, onomastikë, tradita, fenë dhe çdo fushë tjetër të veprimtarive të  tyre.  Këto, të ngulitura thellë në ndërgjegje nga thellësia e lashtësive kanë ardhur e çfaqen deri në kohën tonë. Mitet apo legjendat në Trojet Ilire e kanë Hyjnëzuar thanën, ashtu si shqiponjën nga shpendët, si drurin më të fortë, symbol i krenarisë, lirisë dhe qëndresës, prej së cilës ata bënin armët e luftimit që përshkruheshin si tmerr për kundërshtarët. Shprehja ”I thatë e i thantë”,  e përdorur dëndur në të gjitha trevat shqiptare tregon se për të qënur i fortë duhet të jesh: nga thanë, thánas, i thantë, i thanës, si thana.
 
            Thana për ilirët ishte një Hyjneshë që të mbronte nga të gjitha ligësitë dhe të këqiat. Nezir Myrta nga Kosova në shkrimet e tij thotë se: Thana për Ilirët ishte Perëndia e të gjitha të mirave në jetë, ishte mit, ishte fuqi hyjnore. Në Kosovë ka patur një zakon që kur fëmijët kanë vonuar të ecin, të flasin ose paraqiteshin shëndet lig i çonin nën kurorën e një thane dhe i luteshin asaj që të përmiresonte shëndetin e tyre i luteshin thanës:  “Oj, thanë jepna shëndet, fortësi, e  pjellori si Ti …”.  (N. Myrta, “Thana Ilire – Athena –Athina”, 2011). Një zakon të tillë, e ndeshim edhe në trevat e jugut. Unë kam dëgjuar të flitet deri von për një rit të tillë, për fëmijët që flasin me vonesë ose memecët.

            Në një gojdhanë thuhet se thana ka mashtruar djajtë, xhindet, satanain. Djajtë kur panë se thanët lulëzuan të parat, e ngritën kampin afër tyre që të hanin frutat por, thana për të mos i ngrënë frutat e saj të këqinjtë, i poqi me vonesë, djajtë u mërzitën duke pritur dhe ikën pa i shijuar.

            Një rit pagan që bëhet në Lunxhëri ditën e një Marsit(shënohej si Dita e Verës), disa e praktikojnë dhe në ditët tona, mendoj se është rjedhojë e kësaj gojdhane. Merren degë të lulëzuara nga thana dhe bimë qumështore(Euphorbia L.), vendosen anash portës jashtëme të shtëpisë, në tre-katër vende si dhe në kasollet e bagëtive. Kjo do të thoshte se shtëpia(familja) do të ishte e mbrojtur nga të liqtë. Djajtë dhe xhindet do të shikonin thanën dhe do të largoheshin, ndërsa qumështorja do të sillte bollëkun në familje.  Në muajin gusht kur thanët fillonin të piqeshin, nuk më kujtohet në se kishte datë fikse, njerëzit hanin thanë me kulaç të gatuar me miell nga gruri ri, për t’u bërë të fortë e për të mos u sëmurur. Ka dhe një shprehje, që thuhet për një njeri të fortë e dallohet mbi të tjerët: “Ky ka ngrënë lule të thanës”. Lidhur me këtë në fshatin Dardhë të Korçës ditën e Një Marsit “gëlltitënin” një lule thane “për t’u  bërë të fortë si thana”
Një thanë në lulëzim
                  Ne qytetin e Gjirokastres fëmijët e sapolindur bekoheshin me degët e thanës për t’u bërë të fortë si thana. Pasi fëmija të kishte mbushur 40-ditëshin, në një festë ku mirrnin pjesë anëtarët e familjes, fëmija pasi lahesh me ujë kalohej 3 herë në një kurorë të thurur me degë thane të lulëzuar. Kurora përgatitesh që kur thanët ishin në lulëzim dhe mbahesh në shtëpi. Kur thanët lulëzonin(dita e një Marsit) më i madhi/e madhja në familje i prekte fëmijët me një degë thane të lulëzuar për t’u bërë të fortë e të shëndetshëm si thana.
 
             Për Ditën e Verës, që kremtohej në 1 Mars gjithashtu fëmijëve dhe adoleshentave u lidhej në dorë nje "manak"(sot quhet verore) me fije leshi me ngjyra, zakonisht të kuqe e të bardhë dhe nga fundi marsit vendosej në një degë peme. Për këte thuhej se: e mirrnin dallandyshet për të berë foletë e tyre.
 
             Shqiptarët e kanë pasur traditë mbjelljen e thanëve në kufijtë ndarës midis banesave, arave e kopshteve. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen nga të keqinjtë. Pra, thana nga para-ardhësit e shqiptarëve konsiderohej një Hyjni, ose vendi ku rinin Zanat, Orët, Shtojzavallet në mbrojtje nga të këqinjtë, që donin t’i bënin keq familjes. Mbjellja e thanëve në kufijtë ndarës midis arave, kjo do ti mbronte ato nga dëmtuesit. Në qoftë se dikush do të dëmtonte bimët ose do të priste drurët në arë, Zanat Shtojzavallet do të hakmerreshin.

            Shprehja e përdorur shpesh si metaforë edhe sot nga shqiptarët; “Ja vuri kufirin tek thana”, tregon se njeriu i lig që bën ligësira kufirin e ka tek thana, që është një mbrojtëse nga të gjitha ligësitë dhe të liqtë. Pra, deri tek thanët mund të afroheshin të liqtë. Zanat si qënie mitologjike shoqërohet nga Ora ashtu si Amazonat shoqërojnë Artemisën dhe Nimfat Dianën. Zanat dhe Orët në mitet shqiptare kanë fuqi të misterëshme. Sipas kësaj mitologjie ato kanë dy karaktere: i zbutur, i cili ndihmon kreshnikët në betejat e tyre, dhe karakteri idhnak i cili shiton (nguros) kur iu prishet qetësia. 
Por çfar thonë studjuesit shqiptarë e të huaj për thanën?
            Faik Konica në një leter drejtuar miqëve në Shoqatën Patriotike “Vatra”, për ditën e verës shkruan: “Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore, me degët e thanave,…… dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi”.

           Si një Hyjneshë Pellasge e përshkruan thanën gjithashtu edhe studjuesi Spiro Konda nga ku, siapsa tij, ka rjedhur emëri i Hyjneshës Athina në mitet greke apo emri i qytetit të Athinës. Kjo sot përbën një debat në mes te studujsave dhe historianëve. Prof. Spiro Konda në librin e tij "Shqiptarët dhe problemi pellasgjik" (Tiranë 1964, vol II), me fakte gjuhësore spjegon se emëri “Athinë” apo “Athina” rrjedh nga gjuha shqipe nga fjala “E Thanë” e cila ëshë derivat i fjalës “Thanë”. Sipas Prof. Kondës athinasit e lashtë e quanin veten “Kranian” që i thonë greqisht thanës, por kjo nuk e çvedosi dot emërtimin e lashtë Pellasg “Athinë”. Një fakt tjetër  sipas Prof. Kondës bazuar në mitologjinë që jep Hesiodi, Hyjnesha Athina lindi nga koka e Zeusit e armatosur, me mburojë dhe heshtë. Kët armë në atë kohë bëheshin nga druri i thanës, sepse ishte më I forti.

           Lidhur me këtë studjuesi pellazgollog Dhimitër Pilika(1923-2003) në librin e tij “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, Tiranë, 2005, përmend një gojdhanë të lashtë dhe shumë interesante të trevës Labërisë. Aty thuhet se një plakë nga fshati Zhulat i Gjirokastrës, e regjistruar dhe botuar që në vitin 1875, flet mbi zanafillën e Hyjneshës Athina(Thëno-Thana). Sipas saj, një mbret çalaman i ardhur nga larg tek sa po zbriste nga kali i ra sëpata dhe çau kokën e Zeusit, prej andej doli një vajzë shumë e bukur  e cila ishte e armatosur. 

            Prof. Moikom Zeqo dëshmon se: Thana për ilirët ishte një  Hyjneshë me atribute të Artemisës greke apo Dianës romake. (M.Zeqo,” Panteoni ilir", 1995).

            Prof. Eqerem Çabej ështe marrë shumë me Thanën apo Zanën siç e quan ai, si një Hyjneshë ilire. Ashtu si helenet nderonin Artemisën dhe romaket Dianën, sipas Eqerem Çabej, iliro-shqiptarët nderonin hyjneshën Zana, e cila ishte mbrojtësja e pyjeve, e livadheve, e korijeve, e burimeve të ujit dhe e lumenjëve, ishte dhe zonja e gjuetisë, e dritës se hënës, e kafshëve të egra, pra mbrojtëse e gjithë natyrës dhe hyjnesha e pranverës.(Prof. Lutfia Alia, “Zemra Shqiptare”, 2014).

            At. Gjergj Fishta thotë se Zanat jetojnë nëpër male. Ai e krijoi figurën mitologjike të Zanës sipas lëndës mitologjike, që gjallonte në popullin tonë, prandaj vargjet e veprës së tij “Lahuta e Malcisë” u mësuan përmendësh edhe nga njerëz që nuk dinin shkrim e këndim.

         Sipas Prof. L. Alia: “Ekziston dhe një shpjegim i A.Meyerit, i cili thote se tek emëri ilir Thana, mund të ruhet një shkallë e vjetër e shqipes e emerit Zana”, të cilën Çabej e quan si variant i pranueshëm. Ky version është bindës, si sugjerohet nga disa zbulime arkeologjike në trevat e banuara nga ilirët në Kroacinë e sotme, ku janë gjetur shumë mbishkrime me emrin e hyjneshës Thana, çka sugjeron opinionin e Mayer, se emëri Thana është forma arkaike e emërit Zana. Arkeologjia dëshmon se në Bosnjë e Kroaci janë gjetur altarë votivë (blatues) me figura hyjnishë e me mbishkrime ilire në trajtën "Thana patrono- Thana padrone" apo "Thana et Vidaso".

            Stjuduesi Aleksandër Stipçeviç ne librin e tij “Ilirët” për Hyjneshën ilire Thana shkruan: “Nji hyjni tjetër pajtore e burimeve, ishte Vidasusi, gjithëmonë i shoqnuem në monumente nga shoqja e tij Thana. Katër altarë kushtue këtij çifti janë gjetë në Topusko, në Kroaci, afër nji burim uji mineral. Në të njajtin lokalitet janë gjetë mbaturinat e nji faltorje kushtue Silvanos si dhe shumë altarë tjerë me emnin e kësaj hyjnie romake. Në bazë të këtij fakti, studiuesit kanë konkludue me të drejtë se Vidasusi në besimin ilir ishte i ngjashëm me atributet e tija me hyjninë pajtore të burimeve pyjevet, fushavet, me Silvanon dhe si rrjedhim në emnin Thana asht mshefë hyjnija ilire e gjuetisë, të cilën shkencëtarët e kanë identifikue me hyjninë romake Diana. Vidasusi e Thana (por ndoshta në vise tjera këto hyjni kishin emna tjerë), kishin nji randësi të dorës së parë në pjesën ma të madhe të popullatës ilire, ..”

        
Etimologji, onomastikë
            Fjala “thanë” është shumë e vjetër në fondin e gjuhës shqipe. Kjo fjalë të krijon përshtypjen e diçkaje të thatë, e tharë ose të than. Po ta kqyrësh me vëmendje bimën e thanës në dimër ose dhe gjat vegjetacjonit, duket si një dru i tharë. Përmendet për herë të parë në shqip nga Frang Bardhi(1635) “thana”.  Albanologët, gjuhëtarët ashtu si Prof. Çabej mendojnë unanimisht se fjala “thanë” rrjedh gjuha shqipe e vjetër nga fjalët: “e thatë”, “than”ose “ e thana”.
            Nënat tona kur vritënin dorën ose këmbën me diçka të fortë, thoshnin:  “ma thanatosi këmbën” ose dorën, apo  “ma thau këmbën”. Thanën e përdornin edhe për të frikësuar. Prindërit ose më të riturit,  kur fëmijët i mërzitënin me çapkënlleqet e moshës u thoshnin: “Do mar një shkop thane e të të godas ku të dhemb e ku s’të dhemb”, ose “do të ti thanatos këmbë e duar” por, asnjëherë nuk e kryenin një veprim të tillë. Këto shprehje përdoren ende në trevat tona.
            Çuditërisht “Thanatos” ka hyrë në fjalorin  e termave shkencore (zoologji) për një veprim vetmbrojtës që bëjnë kafshët: sillen si të ngordhura kur sulmohen nga armiqtë predatorë, pasi nuk kanë mundësi tjetër shpëtimi, ato “ringjallen” sa ikën rreziku. Në vështrim të parë duket sikur fjala “thanatos”, është huazuar nga greqishtja, nga “thanato” që do të thotë vdekje, megjithëse nuk mund të pohosh dot se thanatosja është një vdekje. Po kështu dhe fjala "fanatik" ("thanatik", kështu e shqiptojnë shqiptarët), mund te spjegohet me gjuhën shqipe, me veçoritë që ka druri i thanës. 
            Në mitet greke Thantatosi ishte personifikim i vdekjes, dhe vellai binjak i tij Ipnosi(gjumi), të cilët jetonin në fund të botës. Gjuhët vazhdimisht kanë marrë e kanë dhënë nga njëra-tjetra. Në lashtësi, kur thana përdorej si heshtë ose shkop luftimi një goditje me shkop thane të thanatoste por edhe mund të sillte vdekjen.  Nuk di se çfar lidhje mund të ketë fjala “thanato”  greqisht me fjalën shqip “thanatosje” nga thana por, kjo është e folura shqip. Mendoj se kuptimin real e të plotë dhe etimologjinë  e fjalës “thanatos” do t’ja jipte gjuha shqipe.  
            Në Onomastikën Iliro-Shqiptare, fjala  “thanë, thana, thanët, etj ” i gjejmë kudo si mikrotoponime në Trojet Shqiptare, në arbëreshët e Italisë si dhe në arvanitasit e Greqisë. Të njohura janë toponimet “Qaf-Thana” në Pogradec dhe  “Lugu Thanës” në Kumanovë, Maqedoni. Një lug shumë i bukur ku rriten me shumicë bimët e thanës, etj. E ndeshim dhe në emëra fshatrash “Thana”: në Lushnjë, Fier, Elbasan, etj.
            Nuk mund të lemë pa përmendur këtu atë që diskutohet e debatohet sot ne disa tryeza shqiptare deri në rrethet akademike, të inicuar nga rilindasit dhe filologu historjan Prof. Spiro Konda  në libërin "Shqiptarët dhe problemi pellasgjik" ( Tiranë 1964, vol II).  Ai me fakte gjuhësore spjegon se dhe emëri “Athinë” apo “Athina” rrjedh nga gjuha shqipe  nga fjala “E Thanë” e cila ëshë derivat i fjalës “Thanë”. Sipas Prof. Kondës athinasit e lashtë e quanin veten “Kranian” që i thonë greqisht thanës, por kjo nuk e çvedosi dot emërtimin e lashtë Pellasg “Athinë”. Një fakt tjetër  sipas Prof. Kondës bazuar në mitologjinë që jep Hesiodi Hyjnesha Athina lindi nga koka e Zeusit e armatosur me mburojë dhe heshtë.[3]
            Emëri “thanë” në Shqipëri çfaqet dhe si patronim, është mbiemër për shumë fise  shqiptarësh në forma të ndryshme si: “Thana”, “Thano”, “Thanza”, “Thanasi”,  “Nasi”,  “Athanas”, Thani, “Thanati”, etj. Këta mbiemëra janë  shumë të përhapur e të shpeshtë tek shqiptarët. Në fshat kishim tre familje që mbanin mbiemërin “Thanati” e për çudi në kopshtet e tyre kultivonin thanë deri në ditët tona. Këtë e dëshmon dhe Dr. Jorgo Thanati në librin e tij për fshatin Selckë.  
            Duke qenë të lidhur kaq shumë me bimën e thanës të parët tanë doemos do ta pasqyronin dhe në emërat e trashëgimtarëve të tyre si sinonim të trimit, i të fortit, rezistentit. Emëri “Thanas” i ndeshur shpesh jo vetëm në trevat shqiptare por edhe në Ballkan e më gjerë, tregon për prejardhje Ilire, ose dhe më i hershëm. Nuk besoj se mund të ketë në gjuhët e tjera një spjegim etimologjik si në gjuhën shqipe.  Ky emër e dëfton vetë prejardhjen shqiptare; nga thanët, nga të thanës, i fortë si thana. Than-as ashtu si: breg-as, marin-as, vend-as, kavaj-as, tiran-as, etj. Vendosja parashtesave e mbrapashtesave si A-thanas, Thanas-is, etj, nuk e ka mënjanuar dot  rrënjën nga buron ky emër. Sipas N. Myrtës:
“Antroponomet shqipe: Thani, Thana (Fana), Athani, Athanasi, Thanasi,
Thanora,  lidhen me emrin - Thana illire si Perëndia e të njohurës e diturisë
së lashtësisë.  . . .”
Një prejardhje të tillë mund të kenë dhe emërat Tanë(Ana), Thino, Tanush(Tano), shumë të përmendur nëpër këngët dhe legjendat e herëshme shqiptare.
            Emëri shkencor “Cornus” i thanës rrjedh nga gjuha latine që do të thotë “bri” sepse druri i thanës është i fortë si një bri.

Vend-Origjina dhe përhapja
            Thana është një bimë vendase e Evropës Jugore dhe Qëndrore, si dhe e Azisë Jug-Perendimore. Në Ballkan thana si ushqim për njerëzit është përdorur që nga periudha e Neolitit( para 7000 vjetëve). Në veri të Greqisë, ku dhe sot rritet me shumicë në forma natyrale, arkeologët kanë gjetur dëshmi nga ajo periudhë, së bashku me elbin, bizelen dhe thierzat.[4] Poeti romak Ovidi (shek I pas.e.r) do të shkruante për njerëzit e lashtë:
“Toka e virgjër,
E pa cënuar nga shatat dhe plugjet
I dhuroi të gjitha,

Ato që kishin nevojë njerëzit
Dhe i lumturoi.
Në faqet e malit i mblidhnin frutat
Thanët, manat
dhe lëndet e ngrënëshme”
            Shkrimet e para për thanën i gjejmë me emërin “Krania” (Kavadas,1956) nga Homeri ku përmendet si ushqim për derrat.[5] Plini(plaku) ka bërë një përshkrim të gjërë të llojeve të thanëve që përdoreshin për ushqim dhe në mjekësinë popullore.
            Në Mesjetë bima e thanës gjendej    gjithë Evropën: në kopshtet, oborret dhe manastiret ose vendet e shenjta. Në Gjermani dhe Francë ishte e zakoneshme, në Angli u çfaq në shekullin e XVI. Gjat kësaj periudhe, deri në fund të shekullit XIX përdorej kryesisht si ushqim për njerëzit. Kështu thana është vendase në Turqi, Armeni, Ajzerbaxhan, Gjeorgji, Federatën Ruse, Austri, Belgjikë, Çeki, Sllovaki, Gjermani, Hungari, Zvicër, Moldavi, Ukrainë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi,  Kroaci, Slloveni, Bullgari, Sërbi, Greqi, Itali, Rumani dhe  Francë. Gjat Mesjetës thana është shpërndarë në gjithë Evropën. Në parqet, kopshtet dhe oborret e shtëpiive të evropianeve. Nga “Hortikultur Royal Society” që në vitin 1924 ka mare “Çmimin e Meritës”.
            Në Kontinetin Amerikan sporadikisht thana duhet të ketë hyrë që me ardhjen e evropianëve. Në vitin 1906 është koleksjonuar në Kopshtin Botanik të Nju Jorkut ndërsa, në vitin 1920 thana nga amerikanët u vleresua si një bimë dekorative, kështu ajo sot gjendet kudo në pjesën lindore në parqet dhe kopshtet e vjetër. Gjëndet gjithashtu në Australi, Japoni e gjetkë.


Dobitë e thanës
            Thana rritet në kushte tokësore të vështira: në rrëpiara, toka të pjerrëta, të thata, shkëmbore dhe të rrezikuara nga erozioni. Mund të mbillet në këto terrene duke i pyllëzuar ose në formë brezash, për ti mbrojtur nga gërryerjet, i bën të bukura, i gjallon sepse ëshë edhe tërheqese e kafshëve të egëra.            
            Këto 100 vitet e fundit, thana po vlerësohet e ka ngjallur interes në shtetet e zhvilluara perëndimore. Ajo ka gjetur një përdorim të gjerë si bimë zbukuruese. Lulet e verdha të saj janë ndër të parat që çelin pas dimërit. Lulet, por dhe fletët mjaft të bukura, krijojnë një mjedis tërheqës çlodhës. Një pamje interesante krejt të veçantë krijon edhe në muajtë gusht-shtator kur formohen frutat  me ngjyrën e kuqe ose të verdhë. Në parqet, kopshtet dhe oborret e shtëpive të këtyre vendeve, tani më shpesh po zen vend edhe kjo bimë. Specialistat e bimëve ornamentale e rekomandojnë kryesisht në lulishtet e muzeumeve ose mjedise antike.
            Druri i thanës ka ngjyrë të kuqëremtë, është shumë i rëndë dhe nuk qëndron mbi ujë. Eshtë dru i fortë prandaj është përdorur për bërjen e mekanizmave të mullirit të blojes dhe mekanizmave të tjera në formë ingranazhesh, etj. Pavarësisht kësaj, druri saj vlerësohet nga zdruktharët sepse gdhëndet dhe punohet lehtësisht në torno e për të bërë paisje të forta si: bishtat e veglave të punës, bastunët, instrumenta muzikorë, gdhëndje zbukuruese, skulptura, enë guzhine, etj.  Druri digjet mirë si dhe bën qymyr të cilësisë së lartë. Druri thanës përkulet por nuk thyhet, me thuprat e saj mund të bëhen shporta e kosha të ndryshme si dhe punime artistike.
            Lulet me që çelin ndër të parat vizitohen nga bletët sepse përmbajnë shumë nektar dhe polen. Poleni i luleve të thanës është i kuq, ndërsa nektari sipas Plinit dhe Paula Schrank (1789), mund t’i dëmtojë bletët kur mirret me shumicë ose i pa përzier me nektarin e luleve të bimëve të tjera.
            Lëvorja dhe gjethet përmbajnë lëndë nga e cila përgatiten bojëra të verdha për ngjyrosjen e pëlhurave të ndrushme, lëkurët, etj., si dhe përmbajnë sasira të larta lëndë regjëse. Gjethet, lëvorja dhe frutat janë përdorur e përdoren  në mjekësinë popullore, të cilat janë përshkruar më lart. Nga bërthamat e thanës mund të nxiret vaj i ngjashëm me atë të arrës i cili përdoret për përgatitjen e bojërave për piktorët.
            Frutat e thanës konsumohen të freskëta shpesh nga bima në gojë por, edhe mblidhen e ruhen ose tregëtohen. Me frutat jane bërë tradicjonalisht shurupe, pije e lëngje të ndryshme, reçel, marmalat, likere, vere raki dhe uthull. Në disa vende prodhohet dhe një lloj salce. Në Rusi nga thana përgatitet edhe vodkë. Në Greqinë Veriore me nxitjen dhe financimet e BE-së, prodhohen e tregëtohen rreth 12 lloje pijesh.
            Thana eshtë bëre objekt studimi edhe i mjekësisë bashkëkohore. Studimet në mjekësinë moderne kanë vërtetuar se frutat dhe vaji i nxjerrë nga farërat janë të dobishme për shërimin dhe rigjenerimin e indeve epidermike të dëmtuara të brendëshme  dhe të jashtëme(lëkurë dhe mikoderm) (Tzitzin etj, 1963; Damirov etj. 1983; Asadov etj, 1990). Gjithashtu kanë veti për për të shëruar plagët e ndryshme, ulçerën e stomakut dhe kolitin ( Lewis etj, 1977; Damirov etj, 1983; Asadov etj, 1990). Fruti dhe gjethet kanë shfaqur veti antimikrobike kundër Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Proteus vulgaris dhe Pseudomonas aeruginosa (Smith, 1977; Asadov etj. 1990).[6] Ftuti i thanës  përmban antioksidantë me veti shëruese, anti-inflamatore, kundra kancerit, diabetit, etj. (Turyanitsa etj. 2006 ).
Thana e kultivuar ne vazo ne prag te prodhimit.
Thana në Pukë


Veçoritë botanike dhe biologjike.
            Thana(C. mas L.) futet në gjininë Cornus L. ku bëjnë pjesë mbi 40 specje të ndryshme të cilat janë vendase në zonat me një klimë të butë, me përjashtim të një specje vendase në Peru. Në Trojet Shqiptare, por e shtrirë në gjithë Evropën, në këtë gjini futet dhe Thanukla(C. sanguinea L.), një shkure 3-4 m. e lartë, nektarmbajtëse e mirë, gjethet e saj pëlqehen shumë nga bagëtia dhe digjet mirë si dru e bën qymyr cilësor. Druri i saj gdhëndet me vështirësi.
Thanukula ( Cornus sanguinea L) në dimër dhe gjat vegjetacjonit
            Thana(c. mas)  zakonisht gjëndet si shkure 4-6 m e lartë. Në vendet ku është e kultivuar mund të gjëndet dhe si pemë deri në 10 m e lartë. Ka një rritje të ngadalte por, jetëgjatësia e saj shkon 200- 300 vjet dhe më shumë. Në Trojet Shqiptare gjëndet në lartesitë 100-1300 m. nga niveli detit. Rritet në vendet shkëmbore të xheshura dhe të thata, duron temperaturat -25oC. Gjethjet janë të alternuara me ngjyrë jeshile, forme ovale me majë dhe bisht të shkurtër, gjat vjeshtës marin ngjyrë të purpurtë.
            Lulet e verdha çfaqen para gjethimit, muain shkurt, janë dyseksore dhe shpesh me vet-pllenim, kanë 4 petla. Fruti  1-2 cm. i gjatë, i ëmbël dhe shpesh aromatik, me ngjyrë të kuqe por gjënden dhe thanë me fruta të verdha. Frutat piqen në gusht-shtator, pesha 1-6 gr.

Veçoritë Agroteknike
Thana në Evropë nuk ka hibride të kultivuara por janë selektuar disa genotipe ose klone me veti të mira në drejtim të prodhimit të frutave ose rezitente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Thana parapëlqen tokat shkëmbore me ph. neutral anon nga baziku. Mund te shumohet ne rruge vegjetative dhe me farë. Kur bëhet shtimi me copa bima rezulton më jetë-shkurtër si dhe dalin shume filiza në bazën e trungut. Thanën të parët tanë e kanë ripërtrirë duke e prerë për të provokuar daljen e lastarëve të rinj nga baza, për të cilët kujdesoheshin.
Mbjellja me farë kryhet si të gjitha bimët e tjera, fidani është i gatshëm për t’u mbjellë në vendin e përhershëm në vitin e tretë. Gjat mbjelljes duhet të përdoret pleh organik.
            Thanës si shërbime agroteknike mund t’i  bëhet ndonjë krasitje formuese ose për ajrosje të kurorës, si dhe prerjen e filizave që dalin nga trungu. Thanët janë më rezistente se bimët e tjera nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Mendoj se këto nuk përbëjnë shqetesim serjoz për bimën dhe duhen mënjanuar trajtimet kimike për të prodhuar produkte ushqimore të pastëra bio.

Përgatiti:
K. Mosko
Shkurt, 2012




[1] Pausanias (Pausanias),  udhëtar dhe gjeograf grek i shek II.
[2] Om Oldtidens Anvendel se af Kornel af P.  Wagner” Botanisk Centralbibliotek, Gothersgade 130, 1123 K
[3] “ Spiro Konda, i Pari Shkencëtar që Mbrojti Tezën e Prejardhjes së Shqiptarëve nga Pellazgët”  (E.
Cenolli, gazeta “Kritika”2008)
[4] “Cornus mas will bloom very early” by L. Reich; “lawn & garden” newspaper; June 16, 1995
[5] Cited by C.Gr. Tsipouridis National Agricultural Research Foundation - Pomology Institute (NAGEF-PI)
[6]Cornelian Cherry: A Prospective Source for Phytomedicineby N. Mamedov and L.E. Craker, University of Massachusettss, Amherst

Literatuara:
         1.   “Flora eskursioniste e Shqipërisë” M. Demiri, Tiranë - 1981
         2.     “Bimët e Egra të Dobishme e të Dëmshme të Vendit Tonë” M. Demiri, Tiranë - 1979.
3.      “Inventar - Bimët mjekësore aromatike dhe frutore të egra në Kosovë” nga Prof. Dr. Fadil Millaku
4.      “USDA Natural Resources Consrvation Service, Plant profile, Cornus mas L, Cornelian cherry”
http://plants.usda.gov/java/profile?symbol=COMA21#
5.      “Cornus mas will bloom very early” by L. Reich; “lawn & garden” newspaper; June 16, 1995
6.      “The trees of America” by D.j. Browne,  New York 1846
7.      “OM OLDTIDENS ANVENDELSE AF KORNEL”  af P.  WAGNER” Botanisk Centralbibliotek, Gothersgade 130, 1123 København K
8.      The EC project GENRES 29: "Conservation, evaluation, exploitation and collection of minor fruit tree species" by E. Bellini – 1996
9.       «Interactive Agricultural Ecological Atlas of Russia and Neighboring Countries. Economic Plants and their Diseases, Pests and Weeds» 2003-2009 Project
10.   “ Dendronymica Albanica,
a survey of Albanian tree and shrub names” by R. Elsie. Published in: Zeitschrift für Balkanologie, Wiesbaden, 34, 2 (1998), p. 163-200.
11.   “How to grow: Cornus mas” by U. Buchan “The telegraf”  Feb. 2012
12.   “Fjalor i Bujqësisë Shqip, Latinisht, Italisht, Rusisht” Doc. Niko Qafezezi , Tiranë 1978
13.   Stewart, Michael. "Thanatos", Greek Mythology: From the Iliad to the Fall of the Last Tyrant. http://messagenetcommresearch.com/myths/bios/thanatos.html (November 14, 2005)
15.   “ Uncommon Fruits Worthy of Attention A Gardener’s Guide” by L. Reich, New York 1991.
16.   DESCRIPTION OF CORNELIAN CHERRY “  by C.Gr. Tsipouridis  National Agricultural Research Foundation - Pomology Institute (NAGEF-PI)  Naoussa – Greece
17.   “ Spiro Konda, i Pari Shkencëtar që Mbrojti Tezën e Prejardhjes së Shqiptarëve nga Pellazgët”  (E. Cenolli, gazeta “Kritika”2008)
“Selected cultivars of cornelian cherry (Cornus mas L.) as a new food source for human nutrition”     by Otakar Rop, Jiri Mlcek, at all  (Department of Natural and Informatics Sciences, Faculty of Central European Studies, Slovak Republic, 2010.)

5 comments:

  1. Pershendetje, ju faleminderit per postimin. Informacion qe me se i vyeshem dhe mbi te gjitha me behet qejfi qe ky lloje informacioni vjen ne gjuhen Shqip. Aktualist po mbjell peme neper vazo 120l, mbi tarracen e nje ndertese 5 kateshe ne Fier. Bima e Thanes eshte ajo qe kam ne listen e radhes por ende skam marre informacion te mjaftueshem mbi kerkesat qe ajo ka, beson se mund te zhvillohet ne kushte vazoje kjo peme?

    ReplyDelete
    Replies
    1. Faleminderit i nderuar! Bima e thanes kultivohet shume lehte neper vazo ne ballkone dhe taracat e shtepive. Me sa di une thana shkon mire ne zonat mbi 100 m nga niveli detit. Uroj te beni nje kopesht qe te kenaqi deshirat tuaja.

      Delete
    2. Përshëndetje, Ju faleminderit. Mbolla tre fidan të rinj në vazo plastike dhe aktualisht janë në gjendje shumë më të mirë seç ishin në fillim kur u mbollën, ama nuk ngopen me ujë, besoj se vitin tjetër do ndëruar në vazo më të mëdha pasi zhvillimin e paskan më të shpejtë seç mendoja. Ju faleminderit, mbetem në pritje të publikimit të radhës nga ana juaj :)

      Delete
  2. PRSH; Per sa kohe ben prodhim pasi te mbillet?

    ReplyDelete
    Replies
    1. Pershendetje! Thana eshte nje peme me rritje te ngadalte. Marrja e prodhimit nga mbjellja varet nga menyrat se si mbillet: Me farë, me copa, me kamza, ose shartime. Kur mbillet me copa, kamza ose shartime periudha e hyrjes ne prodhim eshte 3-13 vjet. Shenon qe ne vitin e trete por per prodhim te plote duhen 10-13 vjet. Ndersa me fare duhen 15-20 vjet. Per mendimin tim ju me mire eshte te mirrni per mbjellje fundaket(kamza) me pak rrenjezim nga thanet e vjetra.

      Delete