Tuesday 26 July 2022

MAGJIA E POLIÇANIT TË VITEVE TONA SI PIONIERË.

Shoku ynë, Pando Goçi dhe ne të tjerët

Fshati Poliçan, Gjirokastër (foto Niko Konomi)

 nga: Petro MEJDI
Athinë, GREQI

Introdukt


I tillë ka qënë, i tillë ka mbetur në kujtesën e miqve dhe të atyre që e kanë njohur, ashtu siç e ka pavdekësuar kjo fotografi: i këngës dhe i valles, i humorit dhe i sarkazmës, i muhabetit që të kujtonte burra të moçëm, i mënçur si ai. Njeri me miq dhe shokë të panumërt, që nga pleqtë e plakat deri tek kuadrot e ndërmarrjeve dhe atyre të komiteteve, kishte një origjinalitet në mënyrën e të folurit. 

 


Një aksident në fëmini, sikur i dha një hijeshi tjetër fytyrës së tij, ai, ceni, jo i lindur, por mekanik, një gabim njerëzor, e bëri më shprehëse fytyrën e tij, sytë e tij, e ngjyrosi të folurit me intonacione dhuntie, me ironi dhe sarkazëm, ndoshta nuk donte që të ishte i tillë, por dilte natyrshëm kjo mënyrë komunikimi, ndaj dhe e dëgjonim me hare, siç dëgjonim një numër estrade, një skeç, një parodi, një kuplet, çdo gjë që thoshte kishte lezet, në artikulimin e tij fjalët merrnin ngjyra të bukura, të buta, gjuha e tij letrarizohej vetvetiu. Mund të ishte bërë dhe aktor komedie dhe estrade.

 

 Makinat, traktorët, kombajnat, bletët, çarqet, ishin pjesë e jetës së tij. Me llastiqe në duar, ngrinte pllaka për zogjtë, zbriste në lumin që vinte nga Sopiku, poshtë fshatit të tij dhe kapte peshk me duar ose kallam, vinte leqe për dhelpra, kapte kunadhe, dhe shkonte për gjah me shokë. Mbi çatinë e shtëpisë nderrte fiqtë e hapur, çepella, vinte maskën dhe u shërbente bletëve, vinte kazanin e rakisë dhe mbushte vozën me verë. Dimri në ato anë kërkon dhe rakinë, dhe verën, dhe arrat, natyrisht , dhe gështenjat e Çatistës, të cilat kërcisnin në prush. 

 

Një jetë e plotë prej fshtari, pa të cilën nuk ka kuptim jeta, një jetë e bukur fëminore, plot romantizëm. Dhe ai i pëlqente të gjitha këto, i jetonte, i improvizonte. Dhe jeta është e çuditëshme: Një jetë rinore pranë magazinjerëve dhe mbi makinat e Grumbullimit, e solli fati që të bëhet magazinier i bimëve medicinale në vitet e fundit. Iku .....

 

Romantika e klubit të Poliçanit.


Gjithmonë e kam kujtuar këtë njeri. Pas klasës së tetë në Poliçan e kam parë shumë rrallë. Dhe gati në të njëjtat vënde: në sheshin e Poliçanit, në zyrat e shumta, në kafenenë e vjetër të tij, ( i zoti i së cilës jetonte në Janinë, e kuptoi se nuk do ta gëzonte shtëpinë se shteti i ri i kishte gati vëndin në një nga gulakët e shumtë ), një kafene me histori, një kafene që me atë mugëtirën e saj, atë dritë të pakët, e cila depërtonte nga hapësirat midis gjetheve të hardhisë dhe grillave të dritareve, dhe kështu copëzohej në pjesë dhe vizatonte në murre dhe tavanin e drunjtë qënie hije, e bënte njeriun romantik dhe nostalgjik për jetën që kishte rrjedhur dhe që rridhte, bashkëkohës i së cilës isha dhe vetë. Ishte ai oborri i shtruar, dhe sidomos pjergulla, që në ditët e nxehta të verës freskonte ato mjedise, ku kudo mbizotëronte dërrasa, në dysheme, në tavan, në dyer. 

 

Një klub që kur u rrita e krahasoja me një teatër absurd. Nga interieri, nga rekuizita, nga personazhet që hynin dhe dilnin atje. Aty njoha dhe kuptova për herë të parë servilizmin, ato skena, kur disa u futnin krahun disave dhe kështu me të shtyrë i futnin në klub, me gjithë kundërshtimet e tjetrit, të cilat, në shumicën e rasteve ishin më shumë përkëdhelje se sa kundërshtime. Dhe këtë mrekulli e bënte rakia e bukur e vëndit, e Çiminxhit. Atje hynin të aftë dhe të pa aftë, njerëz që kështu regullonin punët e tyre, aty hynin ata të policisë sekrete, ( i mbaj mënd nga dy ose tre, dhe më kanë mbetur në mënd ato çantat e meshinit, kafe me nuanca të kuqe.) dhe kishin tavolinën dhe njerëzit që u bënin muhabet, ata ishin më të frikëshmit e atij teatri, u trembeshin gjithë të tjerët, e megjithatë informatorët nuk ishin ata, ata kurrë nuk rrinin me sigurimsat në vende të hapura .

 

Atje do të gjeje nëpunësit e shumtë të Poliçanit, aty dëgjoje më shumë shqip, nga të ardhurit nga larg, barinj, veterinerë, oficerë, nëpunës nga Zagoria, por, ndoshta dhe për të mos prishur statuskuonë e shqipes, në këtë gjuhë flisnin dhe nëpunësit, ose ish nëpunësit poliçaniotë, të cilët, në ato vite të fëmisë time në Poliçan, ishin të shumtë. Disa nëpunësve u dinim dhe tavolinën ku pinin kafenë. Mbaj mënd tavolinën e Pando Puleshit. Herë herë e gjeje me Çako Puqen, pagatorin e Grumbullimit nga Nivani. Të dy kishin karakteristika të përbashkëta: kishin një qetësi të çuditëshme, thua se nuk kishin gjak njeriu, nuk zëmëroheshin, flisnin ngadalë dhe ëmbël, e ecnin ngadalë, të dy kërruseshin kur ecnin, pagatori vinte më i zeshkët, dhe i bëshëm. Rrinin me orë mbi një filxhan dhe një gotë. Pando Goçin e gjeje dhe me pagatorin. Ata të Selckës mbidhnim bimë medicinale. Pastaj me Çako Puqen e lidhinin dhe shoferët e Grumbullimit.

 

Sa hyje, ktheheshe majtas, ngjitje një a dy shkallë, ajo ndarje e klubit ishte me më pak dritë që vinte nga dritarja, ku binin në sy kanatat e vjetra. Xha Pando Puleshin të gjithë e dinin se ku do ta gjenin. Ai ngrihej dhe me trupin pak të përkulur, ecte përpara atyre që kishin ardhur për ndonjë çertifikatë. I pakët në trup, dhe kjo tregonte gjithmonë më të bollshme, më të gjerë, xhaketën prej doku ,ose kadife, në dimër më të trashë, në pranverë me të hollë. Xha Pandoja, i cili ishte nga Hoshteva e Zagorisë, dukej sikur kishte lindur për të qënë punonjës i gjendjes civile. Dhe këtë e dëshmonte ai bukurshkrim, ajo bojë kine e bënte kaligrafinë e tij art, kishe përshtypjen se ato i kishte shkruar një piktor dizenjator. Kisha një farë miqësie me të. Ndoshta nga babai, kur takoheshin bënin muhabet, ndoshta i lidhnin hallet e familjeve të mëdha, me shumë fëmijë. Pando Goçi shkonte shpesh në zyrën e adashit, merrte çerfifikata për selciotët.

 

Disa nëpunës, sa dëgjonin që jashtë zërin e vëllezërve Bushaka të Koços të Lokalitetit dhe Nikos të Tregëtisë, i kthenin gotat me fund dhe dilnin pak si tinëz. Më vinte për të qeshur se si ata burra që para disa çastesh me zërin e tyre prej baritoni bënin që të dridheshin dhe xhamat, dhe kanatat e dritareve të ulta të klubit, dilnin në atë mënyrë. Këta dy njerëz, dy vëllezër në kujtesën time janë të lidhur me festën e Pogonit, e cila bëhej në Skore. Kishte lidhje me pastërtinë Skoresë dhe flamujt e banderolat, me Koçon dhe me aranxhatat dhe ingranazhet me Nikon. Pando Goçi, të cilit i takonte që të udhëtonin shpesh nga Selcka deri në Poliçan dhe anasjelltas, me makina ose më këmbë, dhe ata nëpunësit e shumtë nga Selcka së bashku me nxënësit, kafsharët që merrnin në furrën e Poliçanit bukën e fshatit të hedhur në kasona dhe shporta të thurura me degë shelgu nga i lumit poshtë Selckës, ose artikuj për dyqanin nga magazinat qëndrore të konsumit, bëheshin aq shumë, sa që të krijonin përshtypjej se gjysma e Selckës lëvizte çdo ditë drejt Poliçanit, kryeqëndrës së Pogonit.

 

Aty kam parë dhe Pandon, ende nxënës, duke biseduar me shoferë, me veterinerë dhe barinj të Sarandës që zbrisnin nga Nëmërçka. Unë hyja dhe dilja shpejt, ai kishte aftësinë që të hynte në muhabet me të gjithë, dhe dinte të tregonte histori të veçanta për të gjithë. Ndoshta këtu luante rol dhe fama e gjysh Tases, metereologut, astrollogut popullor. Atje kam parë dhe Nonda Thanasin e Sheperit. Mbaj mënd ende paketat e cigareve që pinte, " Vullneti " dhe " Dajti ", rrallë "Ardian ". Nuk pranonte karmonedha, vetëm të holla. Ishte aq i mënçur, e dinte që kur i drejtonin karmonedha, shumica nuk i'a jipnin, ndaj pranonte vetëm të hollat. Më vonë kur shkoja tek shtëpia e xha Çomes në Sheper për të arnuar a qepur, e kam parë dhe Nondën, i cili, kuptohej që më mbante mënd, se reagonte miqësisht. Aty kam takuar dhe motrën e Llikos, mësuesen e Labovës, zërin e së cilës e dëgjonim shpesh në Radio Gjirokastra në këngën " Ç' ka bari që s' mbin në qafë ". Pandoja e kishte mik, i bashkonte dhe hobi i makinave dhe shoqëria me shoferët. Pando Goçi kishte njohje me familjen Thanasi të Sheperit, njiheshin xha Çomja me xha Tasen dhe Pandoja me Llikon. Kishin hobe të njëjta. I kam parë në festën e Sheperit kur bisedonin e pinin ndonjë birë. 

 

"Djemtë e rrugës Pal " 


Duhet të ishim nxënës të klasës së gjashtë, të dy me Pandon, ose gjatë pushimit të gjatë, ose në orën e Ekonomisë shtëpiake, me mësuese Zojën, në një orë mësimi që zhvillohej jashtë klasës, në mencën e kooperativës, përballë shkollës, ku mësuesja dhe thia Kostandinja Kristo nëna e shoqes së klasës, Dhimitrullës, na tregonin se si bëhej keku. Ne shfrytëzonim këtë rast, ku disiplina zbutej, dhe dilnim në qëndër. Atë ditë u ngjitën në lagjen e sipërme, pranë shtëpisë ku banonte Llaqi Karajani. Pandi dinte se atje, në një apo dy bodrume, të cilët në fshat u thoshnin thollo, dikur Konsumi kishte magazinat e tij .

 - Eja të shkojmë, më thotë Pandoja, diçka do gjejmë. Dhe mëndja më shkoi në ndonjë ingranazh, karamele dhe llokume. Nuk gjetëm asgjë nga këto. Ato që mbaj mënd ishin tullumbacet me ngjyra të ndryshme, shumica e të cilave, sa fillonim që t'i frynim çaheshin, ishin kalbur. 


Me Pandon mbaj mënd dhe një aventurë tjetër.  Së bashku me Kito Mihon dhe ndonjë tjetër, shkonim pas orëve të mësimit në magazinën e grumbullimit, që ne i thoshnin magazina e Çave Koxhionit, ndihmonim Miho Birbilinn në ngarkimin e zisit apo Skodës me bimë medicinale dhe shpërblimi ishte se shoferi na merrte deri tek stacioni pyjor, dhe dëshirën për të hipur në makinë ne të Skoresë e paguanim me dyfishimin e rrugës.

 

Një fletërrufe e Tusha Rudit.


Dikush na tha se në tabelën e emulacionit i kishin vënë një fletërrufe kryetarit të kooperativës, Gribizit. Kjo na bëri kureshtarë. Në pushimin e madh me Pandon dhe disa të tjerë vrapuam për tek dyqani i Ulisë, aty ishte vendosur këndi i fletërrufeve. Ishte një bejte, një fletërrufe në formën e vjershës. Mbaj mënd vetëm kaq: Kryetar Vasil Gribizi, Hidhet si kokër orizi.


Më shumë se poezia - dacibao , na çuditi emri i autorit të saj, Tusha Rudi, bariu i dhive. Dija se ishte një bari i dalluar dhe një virtuoz i fyellit dhe gajdes, por jo se shkruante bejte. E kishte rrëmbyer vrulli i kohës, fryma e levizjeve revolucionare të kohës. Ishte viti 1968. Ishte koha kur kuadrove u bënin mirë këto bejte dhe këto fletërrufe, bëheshin zëmërgjërë, nuk zëmëroheshin, qeshnin dhe ata bashkë me të tjerët, bile,  kishin dëshirë që këto t'i lexonin dhe ata të Komitetit, për t'u bindur se ata e dëgjojnë zërin e masës. Dhe masa shprehet lirisht duke i kritikuar haptas, bile dhe me sarkazëm dhe ironi. Këto ishin pluse për dosjen e kuadrove.

 

Intermexo 


Atje në sheshin e gjërë të Poliçanit, i vetmi në gjithë Pogonin dhe Zagorien që parkonin makina, kam parë njerëz, që nga operativi, barinj të Sarandës, njerëz të thjeshtë, që t'u qepen dy magazinjerëve të konsumit, dy Skorjadhitëve, atij të ushqimores, për një pako kafe dhe tjetrit, të industriales, për ndonjë terital dhe basma për dhëndurët dhe nuset. Mungesat dhe gabimet në politikën ekonomike të shtetit, këta i bënte me pushtet. Atje tek sheshi, në një cep të tij, unë ,me të tjerë, ngacmonim një plak, Dodi Birbilin, i cili shtrihej në një lëndinë ose në borduret e një ndërtese të shembur. E mërzisnim plakun e gjorë. Ai na bërtiste dhe i ndihmuar dhe nga reagimi i kalimtarëve që na thërrisnin: Ti ehete me ton jero, more palopedha ?( Ç' kini me plakun more fëmijë të prapë ?) Pandoja na bërtiste: 

 - Lereni rehat mikun tim Dodin. Dhe i shkonte pranë. Është kjo një pendesë e viteve të fëminisë.

 

Një imazh 


Imazhi i parë që më vjen ndërmënd nga Pando Goçi, i cili më ka mbetur i pashlyer në kujtesë, ka të bëjë me fiqtë, ose më saktë me fiqtë e hapur, të tharë në diell çepella, skumaites, u thonë nga Pogoni, dhe sidomos me bukëfikun. Mbante në dorë një si bukë të rrumbullaktë, plasaritjet dhe nuancat në të kuqe të zbehtë, na tregonin se nuk ishte nga ato kulluret e vogla të pjekura në hi, megjithë një mbulesë të bardhë, të zbehtë, që të kujtonte hirin, e cila i qepej kores së kësaj lloj bukeje. Na dha të gjithëve nga një cope. Atë të shtunë ai nuk t'i qepej ndonjë makine të SMT- së , të Ushtrisë apo të Grumbullimit. E shikoje gjithmonë, thuajse gjithmonë, me shoferë, ata sa e shikonin ndalonin, ose në lëvizje, i hapnin derën e kabinës dhe ai kërcente brënda. E donin se ishte i lezeçëm në muhabet,  dikush nga shoferët, me sa duket i apasionuar pas estradës, e thëriste Ben Shaka, me emrin aktorit të Estradës së Tiranës , dhe nuk ishte një prosonim i paqëlluar, Pandoja kishte diçka nga Ben Shaka, dhe në pamje dhe në talent, në talentin e të folurit skenik, çdo bisedë e ndërtonte me humor, bile dhe sarkazëm, atë që ne e kishim.parë tek filmi "Estrada në ekran "  si me shaka, por dhe se i ndihmonte, sa herë e kam parë me manivelin në dorë, duke ndezur zisin, ose me një leckë, një masë spangoje me të cilën fshinte duart e bëra me vajra makine. 

 

Pra, atë të shtunë do të vinte me ne në Skore, tek shtëpia e shokut të klasës, Kito Mihos , ( Kristo Mejdi ), ishin kushërinj. Ato të shtuna kur ai vinte në Skore ne shkonim në fshat shumë vonë. Dhe shkaku i vonesave ishte Pandoja me ato historitë dhe shakatë e tij. Dilnim nga rruga kryesore dhe u ngjiteshim kodrave. Nuk kishte shumë kohë që kishim parë një film dokumentar për gjeologët, një dokumentar i shfaqur para filmit nga kinemaja lëvizëse, dhe imitonim pamjet e dokumentarit. Ne nuk zbulonim minerale, por gorica, kaçka, qershi, rrush, sipas stinës.

Intermexo 


TASE GOÇI: Pandoja kishte një gjysh të famshëm për ato kohë, një metereolog popullor. Emri i tij kishte kaluar kufinjtë e Selckës së vogël midis maleve, kishte marrë dheun deri në Lunxhëri, Pogon e Zagori. Dhe më tej. Kishte aftësinë që të parashikonte kohën me një saktësi të çuditëshme. Kjo kishte të bënte me yjet, me hënën, me rrymat e ajrit. Ai , si i rritur në natyrë, me një jetë nën qiellin e hapur, studionte fenomenet natyrore. Kjo aftësi ishte shumë e përhapur ndër vllehët. Jeta që bënin i kishte pajisur dhe armatosur me të tilla aftësi. Xha Tasia ua kalonte dhe atyre të Radios dhe Televizionit në parashikimin e kohës. Në ato vite qarkullonin shumë histori për metereollogun Tase. Po sjell dy prej tyre.

Më 25 prill në Sheper kremtohej krijimi i Brigadës së Tetë Sulmuese. Shkonin nga të gjitha fshatrat e Pogonit dhe Zagorisë dhe më tej. Kur seliciotët ishin bërë grup për të shkuar fshaçe ai, xha Tasia, u kishte thënë që të mos shkonin se do të prishet keq koha pasdite. Dhe kështu ndodhi. Atë pasdite prilli ishin hapur qiejt, kishin marrë zjarr nga rrufetë, njerëzit nuk dinin ku të futnin kokën nga breshëri. Dhe historia e dytë është e ngjashme, ka të bëjë me një aksion në ndihmë të bujqësisë. Tase Goçi u kishte thënë disave të Partisë se do të jetë një ditë e keqe, me llohë dhe fortune. Ia thanë si me shaka dhe Rrapo Dervishit. Ndoshta i ka shkuar mëndja se kjo ishte e qëllimmëshme, por nuk pati kohë për diskutime. Por doli fjala e xha Tases. Thonë se sekretari i parë shprehu kuriozitetin për ta njohur këtë njeri.

 

Shtëpitë e Goçajve në Selckë

Nga gjyshi Pandoja kishte mësuar shumë.Ai dinte të përpunonte fiqtë dhe fruta të tjerë, bulmetin dhe mishin. Selcka është fshati i bletërritësve.

 

Shkokë të një udhe.


Me Pandon dhe selciotë të tjerë na bashkonte dhe fakti se për të arritur në Poliçan bënim disa kilometra rrugë, ata të Sekckës, gati dyfish, por shumë herë, sidomos në kthim e bënin me makina të rastit, ose me korierën, e prisnin deri sa të kthehej nga Sheperi, kishte s'kishte vënde Mitro Tasho dhe Raqi Pulla nuk i linin në rrugë. Ata ishin katër, e kam fjalën për ata të klasës tonë: Pandoja, Çome Thanati, Fotini Margariti dhe Ziso Dimaku. Ishin dy e dy, dy shqiptarë dhe dy vllehë. Çomja ishte thuajse alter egoja i Pandos, kishin disa karakteristika të përbashkëta, sidomos në sjelljet e tyre pas orëve të mësimit. Kur selciotët ikini me makinë ua dinin për nder Pandos dhe Çomes. Ishin shokë të mirë me njeri – tjetrin. Çomja kishe një zë të hollë, vinte pak më i imtë. Kur ishin  të zëmëruar me njeri - t'jetrin ne e kuptonim, hipnin në makina të ndryshme, dhe kur zëmërimi ishte më i madh, kur mbante disa ditë, nuk i thoshnin njeri - tjetrit për makinën që kishin gjetur. Kur shkonin më këmbë për në Selckë, e bënin rrugën disa orë, sipas stinëve, vonoheshin poshtë kaçkave, ose pëmëve me rrush e lërushe. 

 

Ata ishin dhe gjahtarë të mirë, gjahtarë pa çifte, gjuanin zogj, kapnin ketra në kohën e dëborës, lepuj. Zisoja dallonte nga Pandoja dhe nga ne vllehët e tjerë, dhe kjo kishte të bënte me veshjen, ai atëhere vinte në shkollë me pantallona të leshta shajaku, kjo e tregonte pak si jashtë kohe, si ndjekës të një tradite të vjetër. Ishte trupmadh dhe i kishin lezet në trup. Duhet të ishte më i madh se ne në moshë. Nuk e mbaj mënd në e mbaroi tetëvjeçaren në Poliçan. Midis tyre ishte dhe një vajzë, një vajzë e heshtur dhe simpatike, Fotini Margariti, ata e ndihmonin të gjithë, sidomos Pandoja me Çomen, të cilët gjenin makinat. Ajo shpesh priste shoqet e klasave të tjera. Shpesh i kam parë midis thasëve me bimë medicinale hipur në makinat e Grumbullimit.

 


Epilog 


Një ditë mësova ikjen e parakohëshme të tij. Më erdhi shumë keq. Sa e dhimbëshme për prindërit e tij, për familjen e tij. Pando Goçi ishte nga ata njerëz që e dhe pse ikin më herët seç duhet, janë përsëri në jetë dhe këtë e bëjnë të mundur: karakteri, bëmat dhe historitë e tyre.

 

Sunday 24 July 2022

NË MULLI

Rrëfenja siç i tregon Kako Dhoqina  

nga: Koço MOSKO
Boston, MA- SHBA

U ngrita pafeksur, që menatë. Duhej të ormisesha. Ai, në ato jetë, gërhiste apo nuk gërhiste. Hodha dy grushta me ujë në surrat te muslluku të më hapeshin sytë dhe rrëmbeva mushkën nga katoi, e nxora në hajat. Hoqa kataranë dhe e hapa derën e hajatit damballa. Lopa, bishkora kishte dalë nga vendi saj, mirë që s’ma çpoi me bri Gjosën.   I vura kapistrën dhe samarin mushkës, shtërngova fort palldëmin të mos më vaisej barra andej këndej udhës, dhe ngarkova bereqetin. Në anë të mëngjër kallamboqin dhe nga ana tjatër grurin. 

 

Kisha bërë qollopitë të grinjë, mbusha dy pagure me dhallë, dhe fllackën me ujë, buzë të ftohtë në thollo. Kisha zier dhe dy kokove. Eshtë një ditë e tërë e do jetë xhuxhulla sot. Do piqet buka në diell. Trastën e vura në kaptellin e parmë  të  samarit e i shkova tërkuzën rreth, fllackëm te kaptelli i pasmë. Morra edhe sakavicën, çallën e kalistirin se më duheshin për në arë.

 

Kisha harruar pisusin e kafesë tek pezuli i portës, moj korbë. I dhashe njadi lugë kafe djedarkë Zonjës së Kunjae se i qe sosur,  e shpura lart, e vura në sergjenin e magjirjosë. Ngrihesh ai e nuk e gjente te vendi e marroset, më marros dhe mua, do më hiqte tepelekun e kokës.  Nuk u bë i gjallë akoma. Kishte rënë i dambllosur për gjumë. Ishte bërë dunup nga rakia që kish pirë dje në qindi me atë turitharin e Kodashae. Kush ja pa hairin rakisë?... Eh, sa vëra ka muri aq halle ka burri! 

 

Kurr dola tek porta e madhe, moj motër, një qen andej, u pre, u pre, gam e gam. Kushedi çfar xudhira bëhen natën. Këto punët e natës, si historitë e plakës! Janë dy monoqitarë që i vinë vërdallë një beronje atje, ama drënjë është. Ai mustaqemiu, syunjuri i Lekae dhe një shebek i Gjinae që e merr era kur ecën udhës. Kështu duket si një gjuturum, sa e heq udha, por i ka të thella moj korbë. Thëngjill i mbuluar. Pale, ka dhe dorë thonë. Se ka çpuar dot ajo kakthara e mustaqemiut se e bën mos ta lajë as lumë, as prrua. Ështe një uthullirë ajo që mos të mbiftë në derë. Po dhe ajo, si buçe e Pilos kur ka trivazin. Eh, çtë thotë i ziu njeri. Keq me burrë e keq pa burrë, keq pa martuar kurrë. 

 

Papo s’na linte dhe zebi jonë, na shurdhoi duke gamalitiur majë ovorojeve, i hodhi bazamakët e ovoroit ne shesh. Kalonte në udhë maçe e Linae, një maçe zabërhane, motake e gjezdis tërë fshatin, derë me derë. Nuk duhej të mbodhisesha akoma. Duhej të shkoja edhe nga ara për të qastruar ujin dhe të mirja ca zarzavate: Lovidhe, domate, manxane dhe piperka. Kisha mbjellë një spore 

Të vjetri thoshnin: “Borxhi me të dhënë dhe udha me të ecur”


Vazhdon...


 

Tuesday 12 July 2022

HISTORIA DHE RRUGA PATRIOTIKE E FSHATIT SELCKË


nga: Koço MOSKO
Boston, MA - SHBA


Fshati Selckë ështe i fundit në vargun e fshatrave të Lunxhërisë që zenë vend si një gjerdan floriri mbi gjoksin e malit me të njëjtin emër. I fundit thuhet kur fshatrat e kësaj krahine fillojnë t’i numurojmë nga veriu, por po t’ia fillojmë numurimin nga jugu, Selcka del fshati i parë i Lunxhit. Është një fshat me histori të lashtë dhe me tradita të shquara patriotike shqiptare. Në shekuj u ka qëndruar okupatorëve të huaj me një stoicizëm të paparë lunxhot, për të mbrojtur traditat dhe zakonet e të parëve, e mbi të gjitha për të ruajtur me dashuri gjuhën e bukur shqipe. Në kujtimet e tij aktori Andon Pano “Artist i Merituar” ka shkruar: “Në fshatin Selckë flitej një gjuhë shqipe e ëmbël”. 

 

Kjo nuk ka qenë fare e lehtë, por është arritur përmes një përplasje të vazhdueshme për jetë a vdekje midis shqiptarizmës dhe okupatorëve  të pashpirt dhe rrymave të mbrujtura me mendësi shovene, hipokrizi megallomane që shfaqeshin shumë egërsisht, madje nganjëherë përfundonin tragjikisht. Një shembull i rrallë edhe për historinë botërore të arsimit, siç thotë Ismail Kadare, janë vëllezrit nga ky fshat Pandeli dhe Koto Sotiri, të cilët u martirizuan për alfabetin, librat dhe shkollat shqip. Por jo vetëm këta. 

 

Selicjotët e kanë dashur dijen dhe shkollimin. Sipas studjuesit Beduli ka të dhëna se shkolla e fshatit u ndërtua që në vitin 1811. Shkolla kishte 4 klasa të fillores dhe tre klasa plotore të shatëvjeçares. Në vitet 1880 ra një zjarr dhe u dogj e gjithë shkolla.  U dogj dhe biblioteka që kishte shumë libra shqip. Nuk ka të dhëna se sa e madhe ka qenë kjo shkollë. Në vitin 1894, me kontributin e emigranteve të Stambollit, mbi ato themele u ndertua shkolla që është dhe sot. Në këtë shkollë deri në vitin 1912, kur u shpall Pavarësia mësohej greqisht, por asnjëherë nuk u la pas dore mësimi i gjuhës shqipe. Mësohej fshehurazi nga autoritetet osmane. Këtë e faktojnë librat, dëshmitë gojore dhe këngët popullore. 


Sapo fillon fshati, aty ndënë Kishën e Shën Nikollës, është një vend që quhet “Varri i Hoxhës”. Aty ishte varri i Hoxhë Myftar Ali Kallaratit, i cili rreth viteve 1840 kthehej nga Stambolli për të sjellë libra shqip. U sëmur rëndë dhe vdiq në Selckë. Fshati e varrosi me nderime të mëdha. Eshtrat e tij i tërhoqën pjestarë të fshatit Kallarat në vitin 2007.  Për këtë Hoxhë flasin dy këngë. Njëra qëmtuar e regjistruar nga mbledhësi i apasionuar i folklorit lab, Fatos Mero Rrapaj. Në këngë thuhet: 

Patriotët ven e vijnë,

Plot me vilva mbushur gjinë.

Ç’thonë për Myftar Alinë,

Dyzet ditë nga Stambolli

Rruga mbarësi s’i solli.

La pas Sarajet e ngjolit,

Hyri fshtatrave të Pogonit,

Vate në një fshat të thellë,

Nga katër male mbështjellë.

Kur vdiq Hoxha dhe dha xhanë,

Tre këmbana për të ranë,

Bënë nder si për babanë.

Kur ia hoqën xhamadanë,

Dualën librat shqipe radhë.

Ndërsa kënga tjetër për këtë Hoxhë thuhet në fshatin Selckë, flet mbi varrimin e tij.  Në këtë këngë thuhet: 

“O i ziu babasheh,  

Ke fëmijë apo nuk ke?

S’kemi ç’të bëjmë dhe ne, 

të përcollëm si babanë, 

Për ty tri kambana ranë.”

 

Librat shqip nga Stambolli selicjotët i binin edhe vetë fshehurazi. Ka shumë gojëdhëna e histori që tregonin pleqtë.  Në fshat thuhej kjo këngë:

 

Siko Dhimadhi kur vije, 

Në Selckë dilje lëminje, 

Ç’bëhej në Stamboll e dije,

Kokën në trastë e vije

Për sebep të ca vivlije, 

Qysh bëje kur dilte ujku,

Pastaj të qepej dhe cfurku. 

Mbi dy fundoma sënduku

Shqiponjën se zë dot turku.

 

Një libër nga këto prurje nga Stambolli që i kishte shpëtuar edhe djegies së bibliotekës, të cilën e kam arritur edhe unë, është libri i Dhjatës së Vjetër; botim i vitit 1849, e ruante prifti i fshatit Papa Stefan Thanati. Pra, gjatë kësaj periudhe në Selckë jo vetëm që mësohej gjuha shqipe në shkollë por edhe meshohej shqip në kishë, sigurisht fshehurazi nga autoritetet osmane. Në këtë mjedis u lindën, u rritën e u mbrujtën me shqiptarizëm patriotët martirë të rilindjes sonë kombëtare, vëllezrit Pandeli dhe Koço Sotiri. Ata kryen shkollën plotore në fshat, vazhduan një nga shkollat e mesme më të mira të  Stambollit në gjuhën frënge, siç ishte shkolla e mesme e Gallatës, së bashku me patriotin tjetër nga Krina, Janko Minxha. Më pas shkuan në Vienë, Austri ku kryen studimet e larta.  Shkolla fillore e Selckës duhet të shpallet shkolle Muze. Kjo eshte e vërteta e shkollës së fshatit Selckë dhe jo ato gënjeshtra që shkruajnë skeptikët, qofshin dhe figura publike e që hiqen si patriot apo pseudohistorianë.  

 

Pas shpalljes së pavarësisë në fshat u bënë përpjekje që shkolla të ishte vetëm shqip. Por tani ishte greku i cili bënte presion që kjo shkollë, tashmë fillore të ishte greqisht duke dërguar edhe mesues grekë. Në vitin 1917 me largimin e ushtrisë greke shkolla u hap në shqip pas debatesh të ashpra me mesueset greke të cilat nuk dëshironin të largoheshin.  Ato financoheshin prej vëndit të tyre. Tani shkolla u ndodh para vështirësive financiare, për mësonjës dhe fonde. Ndërsa deri në atë kohë fshatarët e mbanin shkollën me shpenzimet e veta. Me ardhjen e qeverisë së Ahmet Zogut, rreth viteve 1923, Pleqësia e fshatit me anë të një letre, i kërkonte kësaj qeveria të sapokrijuar të mbështeste shkollën financiarisht për të mos ngelur fëmijët të parsimuar. 

 

Selcka ka nxjerë shumë mësues, do të kemi rast t’i radhitim e përshkruajmë një nga një. Mbi të gjithë shquhet gjuhëtari dhe sintaksollogu brilant me famë kombëtare Prof. dr Thoma Dhima.  Sipas historikut dhe librit “Selcka e Lunxhërisë” prej vitit 1918 deri në vitin 1932, kanë qenë mësonjësit sipas kësaj radhe: 1. Mësuesi me mbiemër Cano nga Libohova. 2. Me mbiemër Garuli nga fshati Zhei, Zagorie. 3. Vasil Dede nga fshati Selckë. 4. Astrit Mata??? 5. Në vitet 1928 - 1932 mësues ishte Peço Stani nga fshati Sheper i Zagories. Shquhej për aftësi të larta pedagogjike dhe njohës i mirë i Rilindjes.  Kemi dhe një foto të këtyre viteve, por nuk e dimë emërin e mësuesit. 

Shkolla fillore e Selckës në vitet 1920

Në vitin 1933 deri në vitin 1941 në Selckë erdhi mësuesi më jetgjatë, që punoi si mësonjës i shkollës fillore për afro një dhjetvjeçar, i porsadiplomuari në Normalen e Elbasanit, Koço Sevo.  E nderpreu punën për shkak të luftës dhe u rikthye përsëri ne Selckë pas Luftes së Dytë Botërore në vititet 1945 - 1946. Mësues Koço Sevua mbeti në kujtesën e shumë brezave selicjotësh. Ai kujtohej me dashuri e respekt për shumë kohë. Pavarësisht shkëputjeve, Koço Sevo asnjëherë nuk u nda nga fshati Selckë. Ai i deshte shumë fshatarët siç dhe ata e deshën dhe e respektonin pa kushte. 

 

Koço Sevo me fshatarë të fshatit Selckë, ish nxënës të tij,
në vitin 1974 ne një aktivitet përkujtimor
par Mesuesin e Popullit Pandeli Sotiri 

Po kush ishte mësuesi Koço Sevo? 


Koco Sevo, ulur, me një
mik të tij nga fshati Selckë

Ridhte nga një familje intelektuale fisnike gjirokastrite.  Babai i tij me profesion ekonomist ishte edhe përgjegjës i Doganës Kakavie gjatë Mbretërisë. Koço lindi në vitin historik 1912 në lagjen Pazar i Vjetër.  Mbasi kreu shkollën plotore në Gjirokastër, fitoi një të drejtë studimi për në Normalen e Elbasanit, ku gjatë viteve të kësaj shkolle u shqua edhe si atlet. Koço Sevo ishte atdhetar, ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin e Shqipërise nga nazifashistat. Kundërshtoi hapur këte pushtim në mbledhje të ndryshme të organizuara nga qeveria kuislinge, si dhe kapitenin e ushtrisë greke për Gjirokastrën.   

 

Pas luftës ka qenë drejtor në shkollën “Drita”, me vonë punoi inspektor arsimi në Delvinë dhe Përmet. U dekorua me urdhërin e punës të klasit të parë. Në 1958 kthehet në Gjirokastër. Punoi si mësonjës në shkollën “Koto Hoxhi”, dhe më pas drejtor në shkollën “29 Nentori” dhe ushtrimore. Doli në pension në vitin 1966. Ndërroi jetë në vitin 1987.

 

Fshati Selckë ndodhet në mes të tri krahinave me tradita e kulturë të lashtë; Pogonit, Zagories dhe Lunxhërsë ku bën pjesë tradicionalisht.  Me këto krahina ka pasur lidhje të shkëlqyera e vëllazërore në shekuj, jo pak po mbi dy mijë vjet. Asnjëherë nuk mbahet mend të ketë patur probleme e divergjenca, por mbahet mend për respekt të ndërsjelltë, shembullor. Me këto krahina kemi patur lidhje të ngushta, krushqi e miqësira të shumta. Me Pogonin dhe Zagorien kemi pak a shumë edhe tradita kulturore të njëjta ose shumë të ngjajshme. 

 

Gjatë Mbretërisë, fshati Selckë ka qenë administrativisht me Libohovën. Pas luftës për shkak të afërsisë, i është bashkangjitur krahinës së Pogonit. Me reformën territorial, e ashtuquajturës rilindje iu bashkua artificialisht Bashkisë Dropull!?  E habitëshmë kjo reformë e rilindjes.  Fshati Selckë të quhet Dropull e të hyjë në minoritet!?? Asnjerit nuk i kishin shkuar në mendje këto çudira të kësaj qeverie.  As Pogoni, mendoj unë, nuk do ta deshte këte gjë, të quhet Dropull. Tjetër çfarë imponon politika e ditës. Kanë filluar të greqizojnë tabelat, preteksi në dy gjuhë.  Kjo për mendimin tim eshtë një ofezë dhë fyerje e rëndë për historinë patriotike të fshatit tim të lindjes, Selckë. 

 

Fshati Selckë aktualisht është drejt shpërbërjes. Nuk e di nëse do t’i rezistojë kohës. Nevoja për ndonjë investimtë vogël, mungesa e rrugës dhe e ujit e kanë bërë të pabërballueshme jetesën në këtë fshat malor.  Selcka është një fshat historik për gjithë Shqipërinë. Aty është vendlindja dhe rrënojat e shtëpisë së martirëve të Rilindjes sonë Kombëtare. T’i kujtojmë një nga një: Varri i Hoxhës, shkolla ku u brumosën me atdhedashuri Pandeli e Koço Sotiri dhe figurave të tjera të shquara që i kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë, Kisha Monument Kulture e Shën e Premtes, së bashku me Kroin e Madh unik ne lloin e vet, kisha me hisori interesante shumë e vjetër e Shën Gjergjit, rrënojat e një garnizoni ushtarak nga koha e Mbretit Pirro, me shtëpi komode e shumë interesante e shekullit te 17-të.  Ndodhet aty ujvara e famëshme, Varri Nuses, Guri i Kordhës si dhe dhe shumë veçanti të tjera kulturore e natyrore.  

 

Selcka, siç e mendoj unë, shkon drejt zhdukjes, shtëpitë po i përpin mali.  Duhet që emigrantët dhe shteti të verë dorë e të ndalin shkatërimin. Për ironi te fatit sot nga Selcka janë me origjinë ose te lidhura ngushtë me këtë fshat një ministre dhe tri deputetë të spektrit politik të majtë e të djathtë. Nuk po i përmend emrat, por lypset të lobojne si fillim për rrugën si dhe të ndërtohet shtëpia e Pandeli Sotirit, dhe një shtatore e tij. Ndryshe ky fshat me këtë histori brilante shqiptare do harrohet e do të thuhet ndonjëherë se u zhduk edhe një fshat nga krahina e Dropullit. 

 

Foto të shkollës fillore të fshatit Selckë në vitet 1930 me Mësues 


Koço Sevo. 





Koço Mosko

 

Tuesday 5 July 2022

PYLLËZIMI I KODRËS TE LIQENI

Kujtime

        "Netëve me hënë, kur shkonim andej me shokët e klasës, na mahniste duke shndritur si argjend një bimë barishtore me shtëllungë në majë, e përhapur në të gjithë sipërfaqen e kodrës."


nga: Frederik  STAMATI

Tiranë  


Frederik STAMATI

Ende pa nisur punimet për ndërtimin e digës së liqenit artificial të Tiranës, filloi pyllëzimi i kodrës në fund të bulevardit. Kodra pas Universitetit ka qenë fare e zhveshur nga drurët, vetëm bar dhe shkurre. Por bar dhe shkurre ka qenë edhe në majën e saj. Netëve me hënë, kur shkonim andej me shokët e klasës, na mahniste duke shndritur si argjend një bimë barishtore me shtëllungë në majë, e përhapur në të gjithë sipërfaqen e kodrës. Kurse lugina mbrapa, ku ecnin nja dy përrenj të mekur, kishte një fushë të vogël, ku shkonim herë- herë e luanim futboll...

 

Kam qenë nxënës në shkollën "10 Korriku", kur për herë të parë shkuam për të hapur gropa për mbjelljen e drurëve. Ishte e dielë, paradite. Nuk u zhvillua asnjë ceremoni. Morëm kazmat dhe lopatat. Normën e kishim dy gropa për shoq. Por për ne, si nxënës të fillimit të shkollës unike, - kështu quhej atëherë shkolla shtatvjeçare, -ishte shumë. Natyrisht që nuk e arritëm, por askush nuk tha ndonjë fjalë. Aksioni vazhdoi disa vjet. Në nëntor të vitit 1957, kur isha nxënës i klasës së nëntë, shkuam disa herë per të vazhduar pyllëzimin e kodrës. Normën e kishim dhjetë gropa për person, por mezi hapëm nga pesë.

 

Drurët e mbjellë zunë dhe u rritën shpejt. Ata ishin pisha, akacie...Në hijen e tyre edhe shkoja ndonjëherë gjatë studimeve universitare, për të mësuar i qetë. Madje, një herë gdhenda në trungun e një druri emrin tim. E kam kërkuar vite më vonë, por natyra kishte bërë të vetën, duke e shëruar atë si një plagë. 



Sa herë që kaloj andej, më kujtohen ato ditë, për të cilat brezi i sotëm nuk di asgjë. Dhe atje nuk ka as edhe një lapidar përkujtimor për punën që bëmë ne për pyllëzimin e parkut dhe për ndërtimin e digës së liqenit. A është kjo një shpërfillje, frikë, apo mohim i qëllimshëm ?



marrë nga fb, 5 korrik, 2022