Sunday, 24 July 2022

NË MULLI

Rrëfenja siç i tregon Kako Dhoqina  

nga: Koço MOSKO
Boston, MA- SHBA

U ngrita pafeksur, që menatë. Duhej të ormisesha. Ai, në ato jetë, gërhiste apo nuk gërhiste. Hodha dy grushta me ujë në surrat te muslluku të më hapeshin sytë dhe rrëmbeva mushkën nga katoi, e nxora në hajat. Hoqa kataranë dhe e hapa derën e hajatit damballa. Lopa, bishkora kishte dalë nga vendi saj, mirë që s’ma çpoi me bri Gjosën.   I vura kapistrën dhe samarin mushkës, shtërngova fort palldëmin të mos më vaisej barra andej këndej udhës, dhe ngarkova bereqetin. Në anë të mëngjër kallamboqin dhe nga ana tjatër grurin. 

 

Kisha bërë qollopitë të grinjë, mbusha dy pagure me dhallë, dhe fllackën me ujë, buzë të ftohtë në thollo. Kisha zier dhe dy kokove. Eshtë një ditë e tërë e do jetë xhuxhulla sot. Do piqet buka në diell. Trastën e vura në kaptellin e parmë  të  samarit e i shkova tërkuzën rreth, fllackëm te kaptelli i pasmë. Morra edhe sakavicën, çallën e kalistirin se më duheshin për në arë.

 

Kisha harruar pisusin e kafesë tek pezuli i portës, moj korbë. I dhashe njadi lugë kafe djedarkë Zonjës së Kunjae se i qe sosur,  e shpura lart, e vura në sergjenin e magjirjosë. Ngrihesh ai e nuk e gjente te vendi e marroset, më marros dhe mua, do më hiqte tepelekun e kokës.  Nuk u bë i gjallë akoma. Kishte rënë i dambllosur për gjumë. Ishte bërë dunup nga rakia që kish pirë dje në qindi me atë turitharin e Kodashae. Kush ja pa hairin rakisë?... Eh, sa vëra ka muri aq halle ka burri! 

 

Kurr dola tek porta e madhe, moj motër, një qen andej, u pre, u pre, gam e gam. Kushedi çfar xudhira bëhen natën. Këto punët e natës, si historitë e plakës! Janë dy monoqitarë që i vinë vërdallë një beronje atje, ama drënjë është. Ai mustaqemiu, syunjuri i Lekae dhe një shebek i Gjinae që e merr era kur ecën udhës. Kështu duket si një gjuturum, sa e heq udha, por i ka të thella moj korbë. Thëngjill i mbuluar. Pale, ka dhe dorë thonë. Se ka çpuar dot ajo kakthara e mustaqemiut se e bën mos ta lajë as lumë, as prrua. Ështe një uthullirë ajo që mos të mbiftë në derë. Po dhe ajo, si buçe e Pilos kur ka trivazin. Eh, çtë thotë i ziu njeri. Keq me burrë e keq pa burrë, keq pa martuar kurrë. 

 

Papo s’na linte dhe zebi jonë, na shurdhoi duke gamalitiur majë ovorojeve, i hodhi bazamakët e ovoroit ne shesh. Kalonte në udhë maçe e Linae, një maçe zabërhane, motake e gjezdis tërë fshatin, derë me derë. Nuk duhej të mbodhisesha akoma. Duhej të shkoja edhe nga ara për të qastruar ujin dhe të mirja ca zarzavate: Lovidhe, domate, manxane dhe piperka. Kisha mbjellë një spore 

Të vjetri thoshnin: “Borxhi me të dhënë dhe udha me të ecur”


Vazhdon...


 

No comments:

Post a Comment