Sunday 14 May 2023

DHJOZMA(Mentha spp.)

nga : Koço MOSKO

Boston, Ma - SHBA

 Më kujtohet se ….

Në kopshtet me ujë të fshatrave tona, kryesisht në ledhet e tyre, ose aty te hyrja, tek shtegu i kopshtit, rritesh një bimë që e quanim dhjozmë ose dhjozmovoll. Në vështrim të parë, sikur nuk kujdesej njeri për këtë bimë, por rritesh vetë. Në fakt qe krejt e kundërta, kopshtarët kujdeseshin që këtë bimë ta kishin patjetër në kopshtet e tyre, sepse për ta ishte një bime barishtore shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme, e gjente një përdorim të gjerë në gatimet e ndryshme të shumllojëshme në kuzhinën tradicjonale shqiptare. E freskët përdorej si ushqim. Shpesh kultivohej si lule edhe në vazo lulesh e vendosej ne oborret, dritaret ose çardakët. Është një bimë aromatike dehëse e këndshme, me shije qetësuese të mentolit, mentes. Dhjozma është barishte shumvjeçare që përhapet në mënyrë agresive në teritore të reja, po të mos marrësh masa e ta ndalosh. Përhapet 10,2 cm. në muaj, por edhe më shumë.  Nganjëherë për arat e mbjella konsiderohet si bar i keq e kërkon shumë punë për ta luftuar. Bagëtitë nuk e hanë. 

 

Nënat, gjyshet tona i kushtonin një rëndësi të veçantë kësaj erëze.  Nuk dihet sa i lashtë është kultivimi dhe përdorimi i saj në trevat tona, sepse dhjozma e ka origjinën në Mesdhe.  Së bashku me borzilokun, sherebelin, rigonin, etj trdicjonalisht të parët tanë e kanë përdorur për qëllime kulinare, mjekësore e zbukurimi.  

 

Gatimet me dhjozmë marrin nje shije të veçantë. Në kuzhinat tona dhjozma si erëz ka përdorim të gjerë e të lashtë.  E freskët përdoret si ushqim, e përzier me lakra të egra, bëhen sallata, ose në gatime të ndryshme të saçit si: lakrorët, byrekët dhe qollopitat e ndryshme.   Në këto rraste këputej direkt nga kopshti, në pranverë, para lulëzimit.  Si erëz dhe për të përgatitur çajra  mjekësore përdorej e thatë.. Këputesh degë, thahej në hije, shkoqesh bëhej fletë –fletë  e ruhej në vende të thata. Erëz përdoret: për qofte, pashaqofte, gatimet e ndryshme me perime, tavë me oriz, birjan, përgatitjen e papares, japrakut(serma), arapash, petullat, përsheshin e gjelit të detit, gatimet me të brendëshmet e bagëtive., etj. 

 

Për qëllime mjekësore përdorej e thatë në forme çajrash, lengje dhe pelte ose salcëra. Tradicjonalisht  sipas M. Demirit dhe P. Kokalarit[1] në Shqipëri lëngu i përfituar nga zierja e gjetheve është përdorur prej shumë kohësh: kundër diaresë dhe shqetësimeve  të stomakut, qetësimin e sistemit nervor, kundra astmës, si dezinfektues dhe qetësues kundra majasellit, sëmundjeve të mëlçisë, verdhezës e largimin e gazrave, për të ndihmuar tretjen e ushqimit, heqjes së barkut, marrjes së mendëve. Si çaj nuk duhet të tepërohet e të përdoret shumë, deri në 1-2 filxhan kafeje.  Shpesh disa, një gjethe dhjozme e përtypin dhe e mbanin në gojë. Kjo shërbente për të përmirësuar higjenën e gojës dhe për të zbardhur dhëmbët. 

 

Përgatitja tradicionale e çait të dhjozmës sipas P. Kokalarit etj. 

Një lugë supe me dhjozme të thatë(M. piperata) zhytet ne dy gota ujë të valuar (300 gr.) Ena mbulohet me kapak dhe lihet për tu ftohur për 5-10 minuta. Duke e tundur here pas here çaji kullohet, ëmbëlsohet sipas deshirës me sheqer ose me mjaltë dhe pihet. 

 

Në fshatrat tona të krahinës së Lunxhërisë, por dhe në fshatrat përreth, ndoshta edhe me gjerë, nuk kishte një kopësht, oborr, çardak apo dritare pa një bimë dhjozme të kultivuar. Përse i kishte tërhequr kaq shumë kjo bimë misterjoze këta banorë që në kohëra që s’mbahen mend!? Le ta shohim!  

  

M. piperata                                                                  M. arvensis

Llojet e dhjozmave
 Sot në botë janë mbi 60 lloje dhjozmash, nga këto 15 lloje janë hibride, me shije e veti të veçanta të cilat ndodhen të kultivuara, si barëra të këqia nëpër ara ose si bimë të egra. Në Shqipëri janë veçuar kryesish këto lloje : 

 

1. Mendra e pulegë e egër( M. pulglum L.) Ritet ne toka djer me lagështirë 

2. Mendra e kultivuar, me kallëz (M. spicata L.) 

3. Mendra erëmirë e kultivuar dhe natyralizuar (M. suavoelens Ehrh.)

4. Mendra gjethevogël(M. microphylla C. Koch.) Rritet anës rrugëve

5.  Mendra gjethegjatë (M. longifolia Huds.) Rritet në vende me ujë.

6.  Nenexhiku (Mentha piperita L) E kultivuar, është hybrid  kryqezimi midis M. aqustika dhe M. pulegim

7. Mendra e ujit(Mentha aquatica L.) 

8. Mendra e arave (Mentha arvensis L)

9. Mendra e kuqe(M. didyma)

10. Medra e blertë(M. viridis L.)

11. Medra kaçurele(M. crispa L.) etj. 

 

Ne Evropë e Shqipëri sipas disa të dhënave janë rreth 25 lloje dhjozmash  e më shumë. Duhen kryer studime për të evidentuar e veçuar specifikat dobiprurëse të tyre. Midis tyre ka dhe që mund te jenë dëmprurëse.

 


Disa veti dobiprurëse

 

Të gjitha llojet e dhjozmave janë bimë mjaltëse shumë të mira. Ka të dhëna se një lule e saj gjat 24 orëve jep 0,42 mg. nektar.[2]  Mjalti i dhjozmës është i një cilësie të mirë. Ka një aromë të vçantë, nuance menteje, sipas llojeve të dhjozmës. Mesatarisht i ëmbël e kristalizohet lehtësisht.  Dhjozma në kopshtin tuaj ka dhe funksone të tjera të dobishme. Nuk duhet të ketë kopësht ku mos të jetë mbjellë pak dhjozmë. Si bimë barishtore mjaltëse e mirë tërheq, ose është antraktante edhe për shumë insekte të tjera polenizuese e dobiprurëse që ndihmojnë dukshëm në polenizimin e bimeve të tjera. Njëkohësisht është dhe një bimë repelente, frikësuese për shume vizitorë të padëshiruar në kopësht, siç janë disa insekte dëmtuese të bimëve.   Është me të vërtetë nje barishte shumvjeçare magjike  dhe nuk kërkon të investosh shumë punë.  Pra mund të themi me bindje se dhjozma ndikon në krijimin e një ekosistemi të dobishëm në kopështije. 

 

Dhjozma ka një aromë të veçantë që shumica e njerëzve e pëlqejnë, por disa kafshë dhe insekte nuk e pëlqejnë këtë erë e largohen. Shërben për to si repelente, frikësuese. Era e dhjozmës bën që të largohen: mushkonjat, milingonat, minjtë, drerët, merimangat, buburrecat, krymbat e lakrës, morrat e bimëve, çimkat, hundëgjatët, krahëbardhat, etj. Dhjozma për këtë qëllim mund të jetë një bimë e mirë shoqëruese për panxharin, brokolin, lakrën e Brukselit, lulelakrën, patëllxhanin, domaten, lakër jeshile, kohlrabi dhe sallatat marule, etj.  
Kujdes! Duhet të shmangni mbjelljen e dhjozmës afër majdanozit ose kamomilit.

 

Nëse dëshironi të parandaloni mushkonjat pa spërkatje kimike, për nje përdorim të shpejte, nese keni mundesi merrni një ose dy degëza ose gjethe dhjozme, fërkojeni në lëkurën tuaj të ekspozuar për të larguar mushkonjat. Tjetër, disa gjethe të shtypura i hedhim në një enë me ujë të valuar, i lemë aty për 12 orë. Kullohen në garzë, përzihen në pjesë të barabarte me alkol e fërkojme trupin ose e hedhim në shishe me spraj e përdoret sipas nevojës. 

 

Për të parandaluar përhapjen e milingonave në shtëpi vendosen disa degë dhjozme aty ku miligonat po përpiqen të hyjnë.  Gjithashtu mund që të bëhen spërkatje me vajin esencial të dhjozmës të përzier me ujë në prevazet e dritareve dhe vendet e tjera ku dalin milingonat. Dhjozma e tharë në sirtarë të kuzhinës mund të largojë tenjat dhe buburrecat. Minjtë nuk e duan  erën e mentes. Por nuk mjafton që ata të largohen plotësisht nga shtëpia juaj, prandaj duhen përdorur edhe mjetet e tjera.

 

Nga gjethet e dhjozmës me anë të distilimit me avull sot veçohet vaji dhjozmës, Mund të përdoret: për dhimbje koke, dhimbje muskujsh, dhimbje kyçesh dhe kruajtje. Në aromaterapinë, vaji i dhjozmës promovohet për trajtimin e kollës dhe ftohjes, reduktimin e dhimbjeve, përmirësimin e funksionit mendor dhe reduktimin e stresit. Me dhjozmë përgatitet dhe një lloj salce që përdoret për tu dhenë gatimeve të ndryshme shije të veçantë. 

 


Historia, Origjina dhe Shpërndarja:

Dhjozma  e ka origjinën në rajonet e Mesdheut, është njohur dhe përdorur që nga kohërat më të hershme. Daton té paktën rreth 1500 vjet Para Krishtit. Përdorej si ushqim dhe si bimë medicinale.  Arkeologët kanë zbuluar gjethe të thata dhjozme 3000-vjeçare në dhomat e brendshme të piramidave egjiptiane. Disa varietete, të lloit  si Menta spicata mendohet se u futën në Evropë nga Egjipti Lashtë dhe Toka e Shenjtë. Më pas u shprndanë edhe në Evropën veriore dhe atë qendrore gjat Perandorisë Romake. Nga egjyptianët e lashtë ështe përdorur kryesisht kundra dispepsië, sëmundjeve të stomakut. Hebrenjtë e lashtë mbulonin dyshemetë e sinagogave me dhjozmë në festa të veçanta për shkak të aromës së saj të këndshme dhe qetësuese që shpërndahesh në mjedis.. Dhjozma përmendet edhe në Biblë nga Fariseu. 

 

Në mitet e lashta thuhet se Perendia Hedes kishte një lidhje jashtëmartesore me një nimfë të quajtur Minthe. Kur gruaja e Hedesit, Persofoni  mësoi për pabesinë e burit të saj, ajo nga xhelozia e ktheu Minthën në një bimë të zakonshme, të rritej si një barishte e keqe, vazhdimisht nën këmbë. Hades kur e morri vesh me mundësitë që kishte,  ndryshoi pak mallkimin. Ai i la Minthe të ishte një bar, por i dha një aromë të ëmbël e qetësuese. Në Greqinë e lashtë besohej se bari me erë të fortë kishte fuqi fenomenale. Atletët fërkonin me gjethe pjesë të rudhura ose të mavijosura të lëkurës së trupit, pas larjes për të rritur forcën e tyre. Përdorej edhe në ritet funerale. 

 

Sipas Plinit(PK 23- 79) grekët dhe romakët e përdornin shumë dhjozmën. Ata e  hidhnin  në ujin e banjës dhe parfumet. E përdornin gjithashtu edhe në salca e verëra. Romakët zienin dhjozmën në një çajnik gjatë banketeve si aromatik për tavolinat e tyre për të uruar mirëseardhje të ngrohte mysafirëve. E perdornin gjithashtu për të bërë kurora. Romakët e muarr dhjozmën me vete drejt marshimit te tyre në Evropë dhe Britani. Në shekullin  e tetëmbëdhjetë, dhjozma u bë e njohur në Evropën Perëndimore si një ilaç popullor për të përzierat,  të vjellat e mëngjesit, infeksionet e frymëmarrjes dhe çrregullimet menstruale. Dhjozma u rendit për herë të parë në Farmakopenë e Londrës në 1721. Në kohët moderne ajo shfaqet në Farmakopenë Bimore Britanike si një ilaç për dhimbje barku të zorrëve, gazra, ftohje, të vjella në mëngjes dhe dhimbje menstruale. Me zbulimet e mëdha dhjozma kaptoi oqeanin dhe u perhaps edhe në Kontinetn Amerikan e përfundimisht në të gjithe botën. Në Amerike ishin edhe llojet vendase.  Dhjozma ritet sot kudo, përveç rajoneve të ftohta ku toka qëndron e ngrirë gjatë gjithë vitit. 

 

Kultivimi  

 

Dhjozma sot përdoret më shpesh në farmaceutikë e kozmetikë. Gjithashtu është një nga shijet e erëzat më të njohura që ekzistojnë sot në botë. Përdoret në çdo gjë, nga çamçakëzi te biskotat çokollata, karamelet  dhe ëmbëlsirat e ndryshme, pa përmendur këtu një mori produktesh që nuk janë të destinuara për t'u ngrënë si: kolinosi, sapunët, parfume, medikamente pa recetë dhe shumë të tjera.

 

Mbjellja dhe prodhimi i dhjozmës sot  eshte e destinuar kryesisht për të prodhuar vajin e dhjozmës që ka një përdorim komercial, hyn në shumë produkte të industrisë ushqimore, farmaceutike, etj. Sot në botë mbillen rreth 67 mijë hektar. Në strukturën e mbjelljeve vendin kryesor e zë dhjozma japoneze(Mentha arvensis var, piperassens). Prodhohet gjithësej për një vit rreth 24 mije ton vaj të dhjozmës. Prodhuesit kryesorë jane: SHBA-të, India, Kina, Brazil e Franca.  Në Shtetet e Bashkuara prodhohen rreth 70 përqind të prodhimit botëror të dhjozmës, mbillen rreth 22. 300 ha. (viti 2017) . Kultivimi i saj është i përqëndruar kryesisht në shtetet veriperëndimore në: Oregon, Uashington dhe Idaho. 

 

Vjelja dhe rendimenti: Preferohet që të korret në fazën e fillimit të lulëzimit. Nëse gjethet e poshtëme të bimëve zverdhen dhe fillojnë të bien, korrja mund të bëhet më herët. Mund të merren dy korrje në vit, e para në qershor dhe e dyta në shtator. Rendimenti i kulturës është 100-125 kv/ha barishte të freskëta, në një kosë,  që përmban 0,4 deri në 0,75% vaj. Dhjozma e kultivuar mirë mund të japë një rendiment të lartë, 480 kv/ha njomishte të freskët në dy korrje. Rendimenti  mesatar i dhjozmës është 200-250 kv/ha. 

 

Një ngastër me dhjozmë në SHBA

Etimologji

Dhjozma në Shqipëri ka shume emëra dialektorë sipas krahinave. Më të zakonëshmet janë: Dhjozmë, Mendrë, Nenexhik dhe Mente. Në fjalorin e gjuhës shqipe thuhet Nenexhik, por dhe Dhjozmë e Mendër e butë. Këta emra pak ngjasojnë me emërat që përdoren për këtë barishte shumvjeçare në lindje apo dhe në perëndim.   Unë në shkrimin tim e kam quajtur me emërin dhjozmë, që i thonë në anët tona.  Dhjozmos (δυόσμος) i thonë edhe në gjuhën greke. Por kam përshtypje se Dhjozmos i thonë në Greqinë e Veriut, që është e trazuar me shqiptarë e grekë. Në gjuhën greke përdoret edhe fjala Menta (μέντα) gjithashtu kjo fjale “Mente” përdoret edhe në gjuhën shqipe. Për etimologjinë e këtyre fjalëve nuk kemi studime dhe nuk kam ndonjë mendim.  Por ka të dhëna interesante e te sigurta jo vetëm  nga stjuduesit bimorë, por dhe gjuhëtarë që origjina e fjalës "Mentha"  në gjuhen greke dhe atë latine rrjedh nga  gjuha shqipe të vjetër, ose pellazgjishtja.

 

Studjuesit thonë se fjala Mentha(Mint) rrjedh nga latinishtja e transmetuar kjo fjalë nga gjuha greke Mintha “μίνθα”, μίνθη, (minthē) ose μίντη (mintē) që do të thotë "mente. Gjithashtu mitet e lashta thonë se ishte një nimfë(Minthë), e dashura jashtëmartesore e Hedes, që Perëndeshat Persofoni ose Demetra  nga xhelozia e kthyen në bimë barishtore me të njëjtin emër, Mintë. . Studjuesit konkuldojnë se kjo fjalë rrjedh përfundimisht nga një rrënjë proto-indo-evropiane, gjuhë e zhdukur  ose me origjinë  sanskritisht -mantha, mathana. Shume e besueshme është gjithashtu se fjala “Minthë” të rjedhi edhe nga gjuha Pellazge, si një nga gjuhët më të vjetra në Mesdhe. Studjuesit gjuhësorë shqiptarë mund dhe duhet që ta argumentojnë e të hedhin dritë. 

 

 

Dobitë mjekësore 

Bimët medicinale me përbërjet e tyre kimike gjithmon kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve për shkak të ndikimit të tyre të konsiderueshëm në shëndetin e njeriut. Shkenca së pari studjon për t’i vërtetuar hap pas hapi shkencërisht ato veti që njerëzit kishin zbuluar qysh në kohëra të lashta. Ndër bimët mjekësore, dhjozma(specia Mentha) shfaq veti të shumta të dobishme për shëndetin e njeriut. 

 

Kohët e fundit disa studjues, grup autorësh, në 26 Shkurt 2021 në “National Librari of Medicin - National Center for Biotechnologi  Information”  kanë botuar online një studim të gjatë. Ata kanë sjellë argumenta se: Lloje të ndryshme të dhjozmave karakterizohen nga përmbajtja e një diversiteti të gjerë kimik.  Një sërë përbërjesh kimike që ndodhen në këtë bimë mund të përdoren në farmakologji si: Antioksidant, Antibakterial, Antifugal & kundra kërpudhave njëqelzore(Gjinia Saccharomyces),  Antivirale dhe Antikancer.

Fitokimikatet që rrjedhin nga dhjozma kanë veti antikancerogjen kundër llojeve të ndryshme të kancerit të njeriut si: qafës së mitrës, mushkërive, gjirit dhe shumë të tjerë. Ato kanë veti gjithashtu kundër mbipeshës, antimikrobik, anti-inflamator, antidiabetik dhe efekte kardioprotektive. Këto përbërje kimike që gjënden tek dhjozma kanë  potencialit të lartë antioksidues, i kombinuar me toksicitet të ulët dhe efikasitet të lartë ndaj këtyre sëmundjeve. Le të shohim disa dobi të dhjozmës për shëndetin e njeriut.

 

1. Trajton dispepsinë

Gjethet e dhjozmës ndihmojnë në përmirësimin e sistemit të tretës duke stimuluar enzimat tretëse. Vaji i mentes ka veti antiseptike dhe antibakteriale për të lehtësuar dispepsin, infeksionet e stomakut, etj. Vepron si një ilaç antispazmatik për shkak të pranisë së metanolit.

 

2. Përmirëson çregullimet në sistemin tretës

Çrregullimet e zakonëshme të sistemit të tretjes mund të shkaktojnë dhimbje stomaku, kapsllëk, diarre, fryrje dhe dispepsi. Trajtimi kryesor dhe i rëndësishëm për për këto siptoma është ndryshimi i dietës, por disa studime kanë treguar se vaji i dhjozmës mund të jetë mjaft i dobishëm. Vaji i dhjozmës përmban një përbërës të quajtur mentol, i cili jep efekte relaksuese në muskujt e aparatit tretës.

 

3. Përmirëson aparatin  e frymëmarrjes

Gjethet e dhjozmës rekomandohen për pacientët me astmë, pasi ajo vepron si një relaksues i mirë dhe lehtëson kongjestionin e gjoksit. Konsumimi i përditshëm i gjetheve të mentes mund të japë një efekt qetësues për pacientët astmatikë.

Dhjozma është e njohur gjithashtu për pastrimin e hundës. Mentoli mund ta bëjë frymëmarrjen shumë më të lehtë. Gjithashtu lehtëson irritimin e shkaktuar nga kolla kronike

 

4. Për higjenën e gojës dhe dhëmbëve. 

Nëse keni ngrënë hudhër dhe goja mban eren e saj, përtypni nje gjethe dhjozme për të larguar erën e hudhrës.. Gjethet e dhjozmës mund të ndihmojnë në freskimin e frymëmarrjes tuaj menjëherë për shkak të pranisë së vetive mikrovrasëse.

Ekstrakti i gjetheve të dhjozmës mund të ndihmojë në pastrimin e dhëmbëve. Mentol që përmban pasta e dhëmbëve, shpëlarës goje ose çamçakëz mund të ndalojë rritjen e baktereve në gojë dhe të mbajë zgavrën tuaj orale të pastër.

 

5. Përmirëson veprimtarinë e trurit

Gjethet e mentes janë tonifikuese të trurit. Sipas studimeve të ndryshme, konsumimi i dhjozmës mund të rrisë vigjilencën dhe funksionet njohëse. Gjethet e dhjozmës mund të përmirësojnë kujtesën dhe vigjilencën mendore.

 

6. Rrit imunitetin

Dhjozma është plot me vitamina dhe antioksidantë për të përmirësuar imunitetin tuaj. Këto vitamina me bazë bimore ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave tuaja nga dëmtimi. Gjithashtu, gjethet e dhjozmës mund të parandalojnë formimin e tumorit duke frenuar disa enzima.

 

7. Kundra stresit dhe depresionit

Dhjozma është një pjesë përbërëse thelbësore e aromaterapisë. Era e fortë dhe freskuese e saj mund të ndihmojë në mposhtjen e stresit dhe rinovimin e mendjes. Duke thithur aromën e mentes, mendja juaj qetësohet menjëherë.

Mund të shtoni pak dhjozmë në çajin tuaj, të përdorni ekstrakt menteje në avullues ose të bëni një banjë me dhjozmë për lehtësim të menjëhershëm nga stresi dhe depresioni.

 

8. Kundra dhimbjeve gjatë ushqyerjes të fëmijëve me gji

Nënat që ushqejnë me gji fëmijët zakonisht përjetojnë dhimbje të thithkave, të cilat mund ta bëjnë ushqyerjen me gji të dhimbshme dhe të vështirë. Provat zbuluan se përdorimi i vajit esencial të mentes është i vlefshëm në lehtësimin e dhimbjeve dhe shëron dhimbjet në thithkat e plasaritura.

 

9. Ndihmon në humbjen e peshës

Gjethet e dhjozmës luajnë një rol thelbësor në humbjen e peshës në mënyrë të shëndetshme. Ato nxisin tretjen dhe metabolizmin për të ndihmuar në humbjen e peshës. Çaji i mentes është një pije e shkëlqyer freskuese pa kalori për të nxitur humbjen e peshës.

 

10. Përkujdesje lëkure

Dhjozma është një ilaç i lashtë për trajtimin e problemeve të lëkurës si puçrrat dhe shenjat e ndryshme. Vetitë e fuqishme antibakteriale, antifungale dhe anti-inflamatore të gjetheve të mentes janë efektive në trajtimin e akneve dhe ul inflamacionin dhe skuqjen që lidhen me shpërthimet e akneve.

Gjethet e dhjozmës përmbajnë acid salicilik të lartë dhe vitaminë A e cila kontrollon sekretimin e vajit të sebumit në lëkurë dhe ndihmon në kurimin e akneve. Ekstrakti i gjetheve të dhjozmës është i dobishëm për trajtimin dhe parandalimin e akneve. Përmbajtja në to e mentolit dhe antioksidantëve natyralë shërbejnë si pastrues, tonik, astringent dhe hidratues i mrekullueshëm për lëkurën. Gjethet e dhjozmës tonifikojnë dhe zbutin lëkurën e thatë dhe të kruajturat.

 

11. Flokë të shëndetshëm

Ekstrakti i gjetheve të dhjozmës është një burim i shkëlqyer i karotinës dhe antioksidantëve që nxit rritjen e flokëve dhe parandalon rënien e tyre. Vetitë e fuqishme antimikrobike dhe antifungale të gjetheve të mentes përdoren për të larguar zbokthin, morrat e kokës, etj. Mund të aplikoni pastën e gjetheve të mentes të përzier me lëng limoni në skalpin e flokëve dhe ta lini të qëndrojë për 30-40 minuta dhe t'i shpëlani flokët mirë.

 

12. Ndihmoni për të lehtësuar sëmundjen e mëngjesit

Dhjozma është një ilaç i shkëlqyer për të trajtuar të përzierat. Është gjithashtu efektiv për trajtimin e të përzierave që ndodhin në të vjellat e mëngjesit.

 

13. Ndihmon në lehtësimin e alergjive

Studimet e fundit të kryera në vitin 2019 kanë vërtetuar se dhjozma përmban 53 përbërës të veçantë që kanë veti anti-alergjike. Kjo do të thotë se konsumimi i dhjozmës mund të ndihmojë në një farë mase në trajtimin e llojeve të ndryshme të alergjive.

 

14. Me përmbajtje të lartë ushqyese

Faktet ushqyese të dhjozmës thonë se ajo mund të sigurojë gjithashtu një dozë të shëndetshme të ushqyerjes së ekuilibruar. Dy lugë dhjozme:  përmbajnë 0,4 gram proteina, 0,9 gram karbohidrate, 0,8 gram fibra dietike, 1,5 mg vitaminë C, 22,4 mg kalcium, 6,8 mg fosfor dhe 51,5 mg kalium, etj. 

 

Efektet anësore  
Kujdes: Gjethet e dhjozmës janë përgjithësisht të sigurta për konsum, megjithatë personat me refluks gastroezofageal, urthi, duhet ta minimizojnë konsumin pasi mund të shkaktojë acarim të stomakut. Vaji i mentolit nuk rekomandohet tek fëmijët për t'u përdorur lokalisht pasi mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje.

Informacionet që përfshihen në blogun “Bota Bujqësore” janë vetëm për qëllime didaktike njohëse dhe edukative.  Nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë shërbimin dhe trajtimin mjekësore nga profesionistë të kujdesit shëndetësor

 


 


Veçoritë biologjike, botanike dhe agroteknike

Dhjozma hyn në familjen Buzore. Latinisht, Lamiaceae ose Labiatae. Bimët e kësaj familje kryesisht janë bimë shumëvjeçare: barishtore, shkure dhe rrallë si bimë kacavjerëse.  Rriten spontanisht në natyrë, të kultivuara dhe si bimë dekorative. Familja përbëhet nga 236 gjini dhe 7200 specie. Kjo familje përmbledh shumë bimë aromatike të njohura dhe me vlera të larta mjekësore si: Dhjozma(Mentha, 60 specie ),  Sherebela (Salvia, me 900 specie), Çai i malit(Sideritis, 300 specie),  Borziloku(Ocimum. ( 160 specie), Rigoni( Origonum, 50 specie), Rozmarina(Rosmarinus, 20 specie), Hithra(Urtica, 100 specie), Trumëza(Satureja60 specie), Barbletja( Melisa, 30 specie e), etj.  

 

Lulet e dhjozmës janë simetrike dypalëshe me ngjyra te ndezuara, Të pasura me nektar. Lulet zakonisht janë të grupuara në majë në formë kalliri. Shumica e specieve në familjen Metha kanë lule biseksuale, që përmbajnë organin femëror, pistilin dhe atë mashkullore thekët. Lulëzon nga korriku në shtator. Frutat janë si arra të vogla me një farë. Shumica e specieve kanë gjethe të vendosura në mënyrë të kundërt, zakonisht me katër anë në seksion kryq. Gjethet janë elipsoidale me ngjyrë të gjelbërt. Në anën e poshtëme rreth nervit kryesor kanë qime. Kërcelli i drejtë harrin lartësinë 30-60 cm.

 

Lloje e ndryshme të dhjozmave rriten në të gjithë botën, me përjashtim  të rajoneve shumë të ftohta, ku toka qëndron e ngrirë gjatë gjithë vitit. Pëlqen toka me lagështi dhe pak hije, gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, në klimë të nxehtë. Nëse nevojat për lagështi nuk i plotësohen, ajo do të thahet dhe përsëri nga rrënjët do të riprodhohet kur kushtet bëhen të favorshme. Dhjozma përhapet në mënyrë agresive dhe mund të bëhet dëmtuese në disa kopshte.  Prandaj gjat mbjelljes në kopshte mund të bëhet brenda një kornize që të mos ketë mundësi të përhapet.

 

Kërkon toka mesatarisht të pasura të pershkueshme, ajri të mos jetë i thatë, të ketë lagështi normale. Në kopshte dhe vazo lulesh shumezimi i saj bëhet né ményrë vegjetative me copa bimesh me gjithe rrënjë, por mund té kultivohet edhe me fidana për sipërfaqe me të mëdha. Mbjellja béhet në vjeshtë ose heret në pranverë sipas zonave klimaterike. Distanca 30 cm midis rreshtave dhe 20 cm midis bimëve. Kryhen shërbimet agroteknike si shkriférimi i dheut, ujitje, pastrami barërave të këqia etj.

 



[1] “Bimët mjekësore në familje” P. Kokalari etj. Tiranë 1980

“Bimet e egra të dobishme e të dëmshme té vendit tone” M. Demiri. Tiranë, 1979

[2] M. Demiri- “Bimët e egra të dobishme të vendit tone” Tiranë, 1979

No comments:

Post a Comment