Monday 3 August 2020

Intervistë me zonjën “Revista Bujqësia Shqiptare”

(me rastin e 90 vjetorit të lindjes së saj)



 Prof. Ass. Dr. Enver ISUFI 

(en.isufi@gmail.com )

 Instituti të Bujqësisë Biologjike 

Durrës 

 

Si lindi kjo intervistë?

Nga Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë mua  mu kërkua të  shkruaj një artikull për Revistën Bujqësia  Shqipare  me rastin e 90-vjetorin të daljes  së numrit të saj të parë. Kjo  edhe  dëshira   për të nxitur rifillimin e botimit të saj sepse kjo revistë nga viti 2006 nuk botohet më.

Kjo intervistë  nga Shoqata  e Gazetarëve të Bujqësisë  u vlerësua  si artikulli më  i mirë  i vitit 2012. Me këtë rast  shoqata  më akordor çmimin që mbanë emrin e veterinarit legjendar Vasfi SEMIMI. Ky person ka qenë prej 18 vite portjer i skuadrës së fotbollit Fenerbaçe  të Turqisë, anatarë  i redaksisë  së  revistës prestigjoze  të veterinarisë  austriake, autor i shumë artikujve shkencorë e publicistikë. Dekada  më parë ka botuar   një libër për Kosovën. Dr.Semimi  i kaloi vitet  e fundit të jetës  si petagog në Fakultetin e Veterinarisë, Tiranë. Një  njeri  i rrallë  dhe një intelektual me aftësi të dalluara  profesionale  në  shumë  fusha  të shkencës  dhe jasht saj. Çmimi  që  mu dha  nën emrin e Tij ishte  një stekë  e lartë  për mua, ndaj u ndieva  i nderuar kur ma akorduan. Edhe  sot ende  Revista Bujqësia  nuk botohet. Një veprim i pashpjegueshëm  dhe i pa pargjegjëshëm. Një vend tipik bujqësor nuk ka një revistë kombëtare për bujqësinë!!!!

.........................................................................................................................................

INTERVISTA

Me rastin e 90 vjetorit të lindjes së zonjës Revista Bujqësia (RB) shkova në shtëpinë e saj për marrë një intervistë.

- Mirë se ju gjej zonja Bujqësia ...

- Urdhëroni brenda, tha ajo. 

Unë u prezantova, po ajo m’u përgjigj se më njihte ...

- Të njoh, tha, do të të bind që të njoh, madjè kam edhe një vërejtje për ju, por do ta them në fund ...

Ndërsa po më përgatiste një kafe e një gotë raki, unë po i hidhja një sy shtëpisë së saj të madhe. Të gjitha faqet e murit ishin me panorama të mëdha, me peizazhe nga zona të ndryshme bujqësore të Shqipërisë. (Menjëherë m’u kujtua panorama me plantacion kafeje andej nga Afrika, që sot e shikon në kafenenë e Ministrisë së Bujqësisë !!!). Një bufe e madhe ishte mbushur me shishe vere, rakie, vaj ulliri; të gjitha nga kultivarë me emra vendas. Në qoshen tjetër tre manekinë kishin veshur kostume kombëtare nga Veriu, Jugu dhe Shqipëria e Mesme. Në anën tjetër, në mur, ishte shkruar: “Shqipëria është e vogël, sa një zog bilbili, i cili nuk ka shanse të dalë në treg për mishin, po për zërin e tij. Dielli, uji, klima, ushqimi i shijshëm, kultura dhe gjuha e veçantë, janë zëri specifik i vendit tim, Shqipërisë. Le ta ruajmë këtë zë të çmuar”!

E. I: - Zonja Bujqësia . unë ju kisha në mendje si më të vjetër, po ju dukeni fare e re ...

R. B: - Faleminderit, kështu është, po kjo nuk duket vetëm tek unë, kështu ndodh me gjithë sojin tonë. 

E. I: - Ju lutem, mund ta shpjegosh pak më gjatë pse ndodh kjo? 

R. B: - Revistat serioze ngjajnë me artistët, jo me sportistët. Artistët, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë përtërihen, ndërsa tek sportistët sa më shumë kalojnë vitet, forca sportive e tyre venitet.

E. I: - Tani që ju kam kaq pranë, më sollët në mëndje vargjet e këngës labe për martirët: “Ç’është kjo punë kështu me ju, vitet tutje, ju tëhu”.

R. B: - Faleminderit, kjo është e vërtetë. “Bota nuk do ishte sot kaq e mirë, nëse çdo komb nuk do kishte martirë”, edhe bujqësia kudo në botë nuk do ishte kaq e mirë po të mos kishte revista e shtyp bujqësor . Për këtë punën e moshës time më bukur e keni thënë ju, zoti Isufi, me rastin e 80 vjetorit tim.

E. I: ‘ Çfarë kam thënë për ju zonja Bujqësia, pasi këtë çast s’më vjen në mend?

R. B: - Unë ruaj gjithçka në faqet e mija. Ja, po ta kujtoj: “Sa më shumë kalojnë vitet, flokët e autorëve të shkrimeve do të thinjen, ndërsa flokët e Revistës Bujqësia sa më shumë do kalojnë vitet, flokët e saj do të nxihen”.

E. I: - Kjo nuk më kujtohet, po të faleminderit që e ruani endè në faqet tuaja. Po, meqë jemi këtu, ç’mund të “kujtosh” tjetër nga jeta jote 90 vjeçare; çfarë të ka kënaqur më shumë e çfarë të ka mbetur peng?

R. B: - Kam pasur fatin të jem dëshmitare e tre epokave historike: Mbretërisë, Socializmit dhe Demokracisë. Kam mbijetuar në luftë, kam jetuar në paqe. Kam qarë e kam qeshur, po më gjatë kam qeshur se kam qarë, e qeshura më ka shtuar jetën. 

Nga koha e mbretërisë mbaj mend varfërinë dhe peizazhin e keq të bujqësisë, po ama edhe bukurinë e pylltarisë dhe blegtorisë. Mbaj mend se ajo periudhë kishte dëshirë dhe patriotizëm të madh, ishte kohë kur unë sapo kisha lindur si revistë.

Kohën e socializmit e mbaj mend me bujqësi të madhe, me peizazh bujqësor evropian, shumëdegësh e profesionale, por me interes të vogël nga shërbëtorët e saj. Me prodhim vërtetë të madh, po xhepi i prodhueseve dhe i të gjithë neve bëhej gjithnjë e më i vogël. Bujqësia ecte si mbi një biçikletë më rrotën e prodhimit shumë e madhe dhe rrotën e të ardhurave për njerëzit shumë të vogël. Kuptojeni vetë se si ecte kjo lloj biçiklete. Më kujtohen rrugët me baltë, ku qetë e punës dhe buajt kanë vuajtur ashtu si dhe njerëzit, ndërsa gratë më shumë nga të gjithë ne. Por, duhet thënë që më mbante gjallë prodhimi, peizazhi, serioziteti i punës, profesionalizmi, etiketat “made in Albania” lufta për mbijetesë. 

Sot në periudhën e demokracisë ndihem shumë e lirë, vërtetë nuk kam stres psikologjik, por kam strese të tjera. 

 E. I: - CILAT JANË KËTO STRESE? 

R. B: - Po, ja, peizazhi bujqësor, prodhimi endè i vogël bujqësor, mjedisi dhe pyjet, lumenjtë e liqenet janë denatyruar. Kam shkruar në faqet e mija një vjershë për pyjet e lumenjtë, por po të kujtoj vetëm dy rreshtat e fundit”:

“Kur shqiptarët pyjeve dhe lumenjve t’u kërkojnë falje,

Shqipëria ka shpresë për një rrugëdalje”

Biçikleta ka ndryshuar pozicionin e rrotave ... rrota e parë është e vogël, sepse e vogël është bujqësia dhe ferma dhe e madhe rrota e interesit, sepse bujqësia është pronë private e interesi më i madh. Tani e mendoni vetë si mund të ecë kjo biçikletë. Biçikleta e parë na rrëzoi me kokë përpara, ndërsa kjo e sotmja po na rrezikon të rrëzohemi me kokë pas.

E. I: - Kur do barazohen rrotat e kësaj biçiklete, pra interesi madh i privatit të shprehet në bujqësinë e madhe private?

R. B: - Unë mendoj relativisht shpejt dhe do ta shpjegoj më poshtë. 

E. I: - Mirë, zonja Bujqësia. por infrastruktura rrugore është përmirësuar pakrahasimisht me të kaluarën, ju vetë kujtuat torturat e rrugëve me baltë të para 20 viteve ... 

R. B: - Kjo është e vërtetë; ai që nuk e sheh këtë nuk dëshiron të shohë, po për të shprehur shqetësimin tim unë kam botuar një vjershë në faqet e mija.

E. I: - Si është titulli i vjershës zonja Bujqësia?

R. B: - Ajo titullohet “Infrastruktura rrugore dhe bujqësia” ...

Infrastruktura rrugore po bëhet e shpejtë dhe e mirë

Përshkon fushat e kodrat, krejt si një zinxhir

Por majtas e djathtas ka tokë të braktisur ...

I bie vlera një zinxhiri të bukur

Në një xhaketë të grisur ...

Toka e pa punuar më shqetëson shumë. Sa më shumë tokë e pa kultivuar, më pak faqe do ketë revista ime. 

E. I: - Mos do të thotë kjo se je bërë pesimiste?

R. B: - Absolutisht jo, përkundrazi, jam shumë optimiste shumë më e rinuar shumë më energjike se më parë.

E. I: - Ku buron kjo energji zonja Bujqësia?

R. B: - Tek liria që gëzojmë sot, e cila do t’i plotësojë të gjitha këto mangësi. Jemi të lirë për të punuar, për të bërë atë që duam, për të fantazuar pa kufi. Më mirë të shëtisësh me këmbët e tua ose me biçikletën që e nget vetë, se sa me makinë, po me duar e këmbë të lidhura. Në 100 vjetorin tim bujqësia jonë do të jetë krejt ndryshe. 

Tani do të ndërrojmë vend dhe bisedë, zoti Isufi, eja pas meje, më tha. Unë e ndoqa pas dhe përpara na u shfaq një pamje interesante. Pas shtëpisë së saj ishte një shesh ndërtimi me shumë godina: ishte 3 - 4 ha fushë.

E. I. - Çfarë është kjo, zonja Bujqësia?

R. B: - Eja në këtë studio, më tha. Studio ishte një dhomë e madhe me shumë monitorë të mëdhenj plazma në mure dhe një tavolinë mbi të cilën ishte një maket me madhësinë e një dhome. Në maket godinat në formë vilash mbanin emrin e sektorëve të ardhshëm; sektori i revistës, i librit shkencor, i filmit shkencor e divulgativ, zhvillimi rural, agroturizmi, shkolla e gazetarëve të bujqësisë dhe fare qartë dukej një ndërtesë e gjatë, që parashihej të quhej “Muzeu i gjelbër”. Fusha parashikohej me koleksione pemësh, rrush, ullinj vendas, etj. Një vend i posaçëm ishte lënë për ullinjtë shekullorë, si dhe një parcelë ku do të mbilleshin ullinj në kujtim të personaliteteve të bujqësisë. 

- Ky është maketi i Akademisë së Përhapjes së Mendimit, Ideve e Praktikave të bujqësisë së së ardhmes”, më tha. Ndoshta e quajmë Institut, nuk e di, do të konsultohemi të gjithë për këtë ...

E. I: - Dmth kjo do jetë qendra e marketingut të mendimit të përparuar në bujqësi? 

R. B: - Po, shumë mirë e gjete fjalën “marketing i dijeve”, po jo vetëm të bujqësisë, më gjerë ...

Në çast, zonja Bujqësia u kujtua dhe vazhdoi: - Tani le të kthehemi tek ajo që të thash në fillim se unë prej vitesh të njoh ty. Mori pultin, ndezi monitorin, hapi një program, klikoi germën “E” dhe doli emri im; kërkoi “Mbrojtja e bimëve” dhe dolën të gjithë artikujt e botuar me emrin tim në 30 vite; klikoi “Foto galeri” dhe dolën të gjitha fotot e mia, që kur isha i ri e deri sot. Unë u shokova. Klikoi “Instituti i Mbrojtjes së Bimëve” dhe u shfaqen shumë emra të nderuar, si L. Kodheli, A. Stani, B. Çelo, T. Kaltani, M. Prifti, A. Kapidani, A. Papingji, L. Isufi, etj., etj. Të gjithë kanë botuar në revistë tha ...

- Ajo më pa dhe më pyeti pse po hutohesha?

- Nuk e prisja, më emocionove, më trullose, iu përgjigja. 

- Zoti Isufi, dashuria ime më e madhe janë njerëzit që më kanë mbajtur gjallë, gazetarët e bujqësisë, redaktorët, operatoret, shkencëtarët, menaxherët, botuesit, financuesit e deri tek lexuesit e prodhuesit e mi të dashur. 

- Tani tha, do të klikojmë germën “A”.

U shfaqen qindra emra, po mua më mbetën në mendje Abedin Çiçi, Andon Ikonomi, Adem Deliu, Argjir Prifti, Aleko Xoxe, Alfred Xhomo, Ago Nezha, etj.

Klikoi “Perimet” dhe qindra emra u shfaqën, por më mbetën në mendje pak prej tyre, Hysen Çobani, Bajazit Habibi, Avni Oktrova, Llazar Haxhinasto, Astrit Balliu, etj, etj.

Klikoi “Ulliri” e po kështu, u shfaq lista e gjatë ... Nevruz Kafazi, Resmi Osmani, Hajri Ismaili, Dhimitër Panajoti, Fadil Thomai. 

Klikoi “Gazetarët e revistës”. Del një listë e gjatë, po unë mbaj mend një pjese prej tyre, sidomos ata të 40-50 viteve te fundit: ... Faik Labinoti, Ilo Kosta, Koço e Kristo Stillo, Vangjel Llazari e Jorgo Çoka, Pjerin Vata, Pasho Baku e Veli Hoxha, Ballkiz Halili, Milto Ferro e Fiqri Shahinllari, Ago Nezha, Jani Gusho e Fuat Memeli, Xhevdet Bashllari e Selim Hoxha, Arjana Qatipi, Mira Qato e Margarita Kristo ... Lista vazhdonte, po unë u ndala edhe tek fotoreporteret, qe e ilustronin çdo shkrim me foto të nivelit të lartë teknik për kohën e në ballë të tyre spikaste emri i të paharruarit Ndoc Kodheli ...  

Pra, zonja jonë e madhe, Revista Bujqësia, ishte duke dixhtalizuar të gjithë veprimtarinë e saj. Ajo kishte nostalgji për të gjithë ata që e mbajtën gjallë deri sa u bë 90 vjeç.. 

Para se ndahesha, ajo me këshilloi t’i takoja e ti përshëndesja të gjithë. 

E. I: - Zonja Bujqësia më the në fillim se pate një vërejtje për të më bërë 

R. B: - Ju keni ca kohë që nuk shkruani më në faqet e mia. Mos harro se shkollën e parë të të shkruarit e ke bërë te kjo revistë. Të gjithë shkencëtarët këtu e kanë filluar shkollën e të shkruarit. Shkrimet tuaj janë të dobishme, ato i japin revistës profesionalizëm e autoritet. Zini miq të rinj, po mos i harroni të vjetrit. 

Ajo kishte të drejtë dhe unë vendosa ta botoj këtë intervistë, duke respektuar edhe këshillën e kësaj zonje të nderuar 90 vjeçare. 

Zonja Bujqësia më la porosi që t’i dërgoj përshëndetje agronomit të nderuar Dhori Laci. Atë kam moshatar, të tjerët janë shumë më të rinj se unë, tha duke qeshur. 

- Po i thashë, pa tjetër. Unë mbaj lidhje me Dhorin, të cilin e thërras ”Dhori Shekulli”. Nxora mësime nga kjo zonjë e madhe. Ajo ishte shumë e përkushtuar të respektonte të kaluarën e bujqësisë me bashkëpunëtorët e saj, po edhe shumë e përkushtuar për modernizimin e saj në të ardhmen. Më inspiroi kjo intervistë dhe thashë me vete, mund të jesh i vjetër e je fare i ri, ashtu si mund të jesh i ri, me flokë të zeza, po me mendje e zemër të thinjur. 

Urime e jetë shumë të gjatë zonja e nderuar ”Revista Bujqësia” ..

--Faleminderit   tha  Ajo.

 

No comments:

Post a Comment