Thursday 16 August 2018

MIK ME TË MËDHEJTË.

nga Thanas HODA
Çikago, SHBA

Thanas HODA
Maksuti kishte qenë kryetar koperative për disa vjet. Tokat fshati i kishte fushore, dhe me pak blegtori e pemtari, si të thuash e siguronin bukën. Por ajo që e bënte kryetarin të dëgjuar dhe me autoritet tek fshatarët, ishin bëmat e tij, "miqësia" me të mëdhejtë e udhëheqjes! 

Kryetari, në të vërtetë, kishte një djalë polic, diku aty afer Tiranës. Megjithatë, kur e pyesnin dashamirësit, ai ulte pak zërin, si me konfidencë, u thoshte se djali ishte në shërbim tek të mëdhejtë! Kur mbaronin punët e shumta të vjeshtës, prodhimet futeshin brenda në depot e koperativës, e nën shirat e mërzitëshme të vjeshtës, nxirrej rakia, kryetari se nga zhdukej për ca kohë! Kur kthehej në fshat, i mblidhte si klloçka zogjtë rreth vetes, e ashtu shtruar-shtruar, tregonte të rejat, takimet interesante, të ngrënat e të pirat me ata që të tjerët i kishin parë vetëm në fotografi!

- Ç'tu themë, vëllezër! Sa vajta në Tiranë, të shikoja djalin, se nga e morri vesh Kadriu. Dërgoi e më morri që atë natë në shtëpi. Po del fjala e përhapet sa del nga goja, e jo për mua që më njohin të gjithë! Hjade, hajde si ma shtroi! - e kryetari vazhdonte t'u tregonte dëgjuesve të mrekulluar hollësitë e dollive me Kadrinë! 
- Kadriu ngriti shëndetin tuaj dhe e piu me fund! E piva dhe unë! Si të mos e pija për ju? .....Kur fap hyri në derë Hysniu! 
- Paska ardhur Maksuti! U bëftë mirë! 
- Po pse, o Kadri, nuk na thua, po ta marrim vesh nga te tjerët? -E kështu kryetari, tregonte se si çak njeri e çuk tjetri, i pinë ca gota nga e "uruara" e koperativës! 
-Nesër mbrëma jeni nga unë, nuk dua llafe.

- Hysniu u ngrit te ikte se vajti vonë! Kur fap, dera! Ishte Memeti! 
- Ja BabaZoto! Ja çirakët e Koshtanit! U ngritëm të gjithë në këmbë!
- More Kadri, bravo të qoftë, si ka ardhur Maksuti e nuk na thua!? Po edhe ne e duam, e jo vetëm Ti! Unë e kam timin e Ti ma more!- Dhe kryetari vazhdonte të tregonte rreth takimit kaq të papritur me udhëheqsit, por gjithmone sipas psikologjisë së fshatit ! 
- Nuk e di ç'plan kini bërë ju, por nesër mbrëma u pres nga unë, dhe mbaroi kjo punë!  - dhe Maksuti imitonte tonin e ashpër të kryeministrit nga Corrushi! 
- E kështu, gëzuar ai, e gëzuar ata, shëndeti filanit e shëndeti i tjetrit, hanin e pinin sipas zakonit të vjetër!
- E mbusha gotën edhe unë.
 -Këtë do ta pimë për shokun Enver, u thashë, unë do ta pi me fund, ju sa të doni! Dhe e ktheva! Kur troket përseri dera! Hyri i Madhi!

Kësaj radhe Maksuti u ngrit si me sustë në këmbë, duke tundur kokën ngadale, me dorën e vendosur mbi ballë e sytë gjysëm të mbyllur, për të përforcuar kështu madhështinë e atij takimi me të madhin e partisë! Dhe po kështu vepruan edhe bashkëbiseduesit e tij që deri pak çaste më parë, qëndronin të ulur këmbëkryq nga të gjitha anët! Ata gjithë sy e vesh ., si të hipnotizuar, ngazëllenin nga gëzimi dhe mrekullia e padëgjuar ndonjëherë në ato anë, që për fatin e madh të tyre, e dëgjonin jo nga të tjerë, por nga goja e vetë kryetarit! 
- Pa shih, pa shih, kush na ka ardhur! - imitonte tani kryetari zërin e ëmbël të Komandantit! 
-Po pse o Kadri? Të huaj jemi ne? Ka ardhur Maksuti e nuk dimë gjë! Edhe neve na ka marrë malli, se vamë kaq kohë që nuk e kemi parë! 
-Po si je o Maksut? Si është populli? 
-Hajde gëzuar! Nesër mbrëma, do llafosemi më shtruar tek une! 

E kështu Maksuti tregonte hollësitë e darkave të tjera tek shtepitë e udhëheqjes tek Blloku, dollitë, gëzimet, urimet dhe premtimet për vizita në bazë së afërmi! 
Vitin tjetër kryetari me miq të shumtë, i ngarkuar rëndë si kokoshi i plakës, nisej për vizita dhe sebepe drejt Tiranës......., dhe të gjitha shkarkoheshin në shtëpinë e djalit polic që të kalonte dimrin ngrohtë me të mirat e fshatit!

Marrë nga Libri : 
“RRUGËT JETËS MË SHPIEN NË LABOVË ( E perpunuar ) 

No comments:

Post a Comment