Tuesday, 17 November 2026

MALLI I MËRGIMTARIT

- Tregim -

nga Spiro XHAVARA :

Athunë, Greqi 

 


 

Që nga jashtë derës dëgjoheshin zëra. Brënda bisedohej me zë të lartë. Në moment kujtova se dikush fliste në telefon. Në ato vite telefoni im ishte i vetmi në pallat dhe gjithë të ikurit jashtë vendit merrnin aty të afërmit e tyre. Kjo më kishte krijuar edhe kënaqësi edhe, pse ta fsheh, pak shqetësim, sidomos kur të ikurit telefononin pas lënies së punës, në një kohë kur tek ne kishte kaluar mesnata. Të bëje korierin në këtë orë e sidomos jashtë pallatit, sigurisht kishte rëndesën e vet. Sidoqoftë kënaqësia që u shërbeje njerëzve dhe i ndihmoje në këtë fillim të vështirë emigracioni ishte më e madhe dhe shpesh me shumë emocione.

Kur hyra brënda, u çudita, pasi pranë telefonit nuk pashë asnjë njeri. Nëna, babai dhe ime shoqe kalonin dorë më dorë një copë letër dhe seç thoshnin midis tyre

- Ç’është? -i pyeta pa u ulur.

S’munda ta fsheh shqetësimin, të cilin kisha kohë që e ndrydhja brënda vetes. Ata dhe familja e vëllait, që banonte katër-pesë pallate më tej, në se jo tek unë, tek kush tjetër do ta gjenin sigurinë e qetësinë. Në se dhe unë do ta shfaqja ankthin si ata, atëhere ose të gjithë do të ishim çmëndur, ose do të kishim vënë kujën e madhe. Vëllai kishte gjashtë muaj që ishte nisur për jashtë dhe prej asaj dite s’kishte ardhur asnjë lajm ku kishte përfunduar, nëse ishte e si ishte. As tek familja e shokut, me të cilin ishin nisur bashkë, s’kishte ardhur asnjë sinjal. Ata vinin pyesnin tek ne e ne tek ata gati përditë dhe asgjë, asgjë. Shqetësimi dhe padurimi kishin arritur kulmin, ata tani kishin copëzuar gjumin tonë, na futnin në ëndrra të frikshme dhe na kishin nxirë poshtësytë.

- Është një telegram, - iu dha më parë babait të fliste. Pa shihe dhe ti - ma zgjati si të thoshte: “Na e spjego, të lutem, se ne nuk kuptojmë gjë”.

Ia rrëmbeva nga duart. Atë çast frymëmarrja m’u duk se kishte ndaluar.

“Vëllanë e ke mirë.

Vëllezërit Halimaj,T...Vlorë”

- Hopa, - e hodha përpjetë telegramin dhe u lëshova drejt tyre,

duke i përqafuar të tre së bashku. Po kjo është një mrekulli, është mirë, dëgjuat, është mirë, ohoo...! Pa u shkëputur mirë nga përqafimi, ndjeva faqen të më lagej nga ca lotë rënë vetvetiu nga sytë e nënës. Apo qenë të babait, apo mos vallë të gruas? As që mora vesh, ndoshta nga të gjithë bashkë, atë çast edhe mua më ishin njomur sytë. U shkëputa dhe rrugën për tek kunata e bëra gati me vrap, pastaj po kështu deri tek familja e shokut të tij. Atë moment do të doja të trokisja në gjithë

dyert e qytetit e të gjithë qytetarët e mi të merrnin

pjesë në gëzimin tonë.

Të tria familjet atë ditë iu përkushtuam gëzimit të një shprese të sapolindur.

Por,...Dikush brenda meje, s’e dallova dot qartë kush qe, ndonjë copë meraku i mbetur, apo ndonjë syth parandjenje që kërkonte të çelte, në mes të gëzimit, filloi të më pyeste. ”Po mirë, në cilin vënd është, pse s’thonë dhe numrin e telefonit, që ne ta marrim dhe të bindemi që është mirë...Vërtet pse nuk e thonë? Pastaj ç’janë këta vëllezër Halimaj nga ky fshat i padëgjuar i Vlorës? O zot!”. Netë përpara, përmes shqetësimit e hamendjeve, diç dremisja dy-tri orë, këtë natë gëzimi gjumi s’më ra fare në sy. Më duhej të besoja se dhe gëzimi të zë.

E nesërmja do të më gjente qysh herët në këmbë, duke lënë ca porosi të punës në telefon e duke u përgatitur për në Vlorë.

Ishte një ditë fundshtatori e nxehtë. Kisha kaluar me këmbë tre fshatra, pas Vlorës, kur po afrohej mesdita. Përpara më doli një e përpjetë thikë, ku në majë të bregut dukeshin ca shtëpi të baraslarguara nga njera - tjetra. U ngjita me një frymë,...por as ato nuk ishin shtëpitë e T...Tek shtëpia e parë thirra, nuk mund të ecja dot më, buzët më ishin bërë shkrumb. Një nuse e re që doli në derën e hapur, tek e cila mund të ngjiteshe pas pesë shkallësh guri, më ftoi brënda.

- Faleminderit, - i them - jam për rrugë, po mundët një gotë ujë.

Ajo u fut përnjëherësh brënda dhe doli me një kanë me dhallë në njerën dorë e me një shishe uji e një gotë në dorën tjetër.

- A i njihni vëllezërit Halimaj në T... ?- e pyeta pa llogaritur që më parë duhej pyetur për të e familjen e saj

- Po si nuk i njohim - nuk e mori për keq ajo nxitimin tim,- ja ku e kanë shtëpinë, në atë fund kodre sa ngjit përruan, ku fillon edhe fshati i tyre. Pardje janë kthyer nga jashtë shtetit.

Përgjigja e nuses së re, më tepër nga dhalla e uji i ftohtë, ma hoqën vapën si me dorë. E falënderova dhe u nisa gati duke rendur në të tatëpjetën që të çonte në shtëpinë e tyre. Më në fund kisha mbritur në T...

E ëma e vëllezërve Halimaj, një grua plakë për nga thinjat dhe rrudhat e pakursyera mbi fytyrë, por e mbajtur mirë, më priti me përqafim në krahët e saj, si një të njohur të vjetër. Pastaj dërgoi dy nipërit dhe një mbesë të vogël të thërrisnin prindërit e tyre. Djemtë erdhën me radhë. Në fillim Kadriu e Selimi e pastaj Ismeti. Zunë vendet pranë qoshesë, ata të tre në njërën anë, unë dhe e ëma e tyre përballë. Të tre me radhë, duke filluar nga më i madhi, Selimi, më pyetën gjithë respekt.

- Si jeni, zotrote, vetë, prindërit, gruaja e fëmijët, mirë?

Pastaj pyeti Kadriu në mënyrë të njëllojtë e në fund Ismeti po kështu.

- Domethënë e ke marrë telegramin - pyeti e pohoi

njëkohësisht e ëma plakë.

Unë pohova me kokë, pa dhënë hollësira, për t’ua lënë atyre fjalën. U end një heshtje e vogël, e cila jo vetëm që m’u duk e gjatë, por edhe krejt e panevojshme. Sigurisht ata patjetër që kishin diçka për të më thënë, që s’kishin si e shkruanin në telegram.

Nga dera e hapur një vajzë e vogël, mbase as tri vjeçe, që mbante vazhdimisht një gisht në gojë, erdhi e u ul në prehrin e vëllait të vogël. Unë u zgjata, ia hoqa doçkën nga goja dhe ia putha, duke tërhequr mbi vete i kënaqur vështrimin e saj ëngjëllor.

- Dëgjo, ore mik, ne ua bëmë telegramin që t’u

qetësojmë, paçka se vëllanë tuaj nuk e njohim dhe nuk e kemi parë.

Ai fliste qetë dhe sigurisht atë moment qetësie të tij s’kish si ta vinte re që mua dy rryma nervash më përshkuan dy anët e fytyrës e u përqëndruan tek sytë, të cilët ishin gati të dilnin nga vëndi prej habisë. ”Mos vallë kam rënë në kurth?” ishte i pari mendim që më erdhi atë moment në kokë. Apo mos vëllai im ka rënë në kurthin e këtyre e tani, që ta lirojnë, kërkojnë...? Në ato kohë të vështira që kalonim, mos vallë duhej që njera nga viktimat të isha unë, apo vëllai im?

Ndërkohë hynë në dhomë tri nuset e vëllezërve Halimaj, duke më takuar secila me radhë e duke më pyetur me të njëjtën mënyrë renditjeje si më parë dhe burrat e tyre. Pastaj ato dolën të tria njera pas tjetrës e në minutë rihynë secila me një tabaka në dorë. E para, që duhet të ishte dhe më e madhja me glikotë dhe ujët, e dyta me gotat e rakisë dhe e treta me kafetë.

Ismeti,i vogli, befas më vuri re që mua gati m’u derdh kafeja e mezi arrita ta shpëtoja nga duart që më dridheshin. Ai i ra me bërryl vëllait tjetër e ky vëllait të madh. Selimi ngriti kokën dhe u çudit kur më pa dyll të verdhë në fytyrë e me një çurg djersësh të ftohta mbi ballë. E la filxhanin përdhe, sa e nisi për ta gjerbur.

- Or mik, - m’u drejtua, - mos nuk je mirë? Këtu je në shtëpinë tënde e na thuaj, mos u druaj. Dhe u nis drejt meje të më fërkonte damarët e qafës, krahët e duart. I bëra shënjë të ndalonte, sidoqë në atë të nxehtë fundshtatori, ndjeja mornica nëpër trup.

- Jo, asgjë, asgjë - mezi nxorra nëpër dhëmbë - vetëm s’po kuptoj si është e mundur që të mos e njihni vëllanë tim dhe telegrami...

Ata e kapën menjëherë fillin e tronditjes sime, vëllai i mesëm iu hodh të madhit me një ton të ashpër, e të pazakontë në anët e tyre e sidomos në prani të mysafirit.

- Po spjegoje, more mikun, ç’ja bie vërdallë e vërdallë se e çmënde, nuk e sheh që është bërë si meiti?

Selimi i zënë në faj padashur, më mori kokën mes krahëve të tij, u përkul, më mbajti të përqafuar për disa minuta, duke përsëritur disa herë “Më fal, më fal, vëllaçko, më fal!”. Pastaj u ul tek vëndi i tij.

- Si është puna, more djem, -i pyeti e jëma, që s’kishte kuptuar gjë nga momenti i debulesës sime.

- Miku të më falë, nënë, - foli Selimi - se ka ardhur këtu të marrë vesh ç’bëhet me vëllanë e tij dhe ne akoma s’i kemi thënë asgjë.

Pastaj m’u drejtua mua:

- Dhe prapë do më falësh, or mik, se u keqkuptuam dhe faji është i imi. Të thashë se vërtetë nuk ta njohim vëllanë, po kjo s’ka fare rëndësi, ne dimë që ai është mirë, dimë ku është, dimë dhe telefonin që ju ta merrni e të flisni. Do më pyesësh pse s’ta shkruam telefonin në telegram? Ke të drejtë të pyesësh, edhe ashtu mund të bëhej, po ne deshëm që ti të vije këtu, ishim të sigurtë që do të vije dhe të lidhemi në shoqëri, të bëhemi miq.

- Po, të keqen, kështu, - nëna m’i mbante duart në mes të të sajave.Se kemi të njëjtin hall. Kështu si ju tani, për tre muaj rresht nëna s’kishte haber për të tre këta dhe unë e di ç’është kjo pritje e pambaruar për një nënë! E beson që këto rrudha më kanë mbushur fytyrën brënda atyre muajve të mallkuar? Unë e di si e prisja një lajm, deri sa erdhi Qazimi nga Skrapari e më tha që djemtë i ke mirë. Nga ajo ditë jemi bërë miq, vemi e vimë. Ja, nesër të tre djemtë me gratë e tyre do të venë në fshatin Grevë të Skraparit tek Qazimi. E di ku bie Greva,...diku prapa malit të Tomorrit. Po ç’rëndësi ka, mikun, po e do, vete e gjen dhe në fund të botës.

Nëna më kishte rrëmbyer të tërin e më kishte qetësuar pa e kuptuar as vetë me kuvendin e rrjedhshëm e të ëmbël që nxirrte nga goja e saj. Selimi nxorri nga xhepi i këmishës një copë letër dhe ma zgjati mua.

- Ja ky është numri i telefonit, ku mund ta marrësh vëllanë tënd. Është numri i afendikoit, Niko Dalas e thonë, tek ky rrinë të dy me atë shokun e tij. ...Një mbrëmje, para se të niseshim, afendikoi ynë na mori në kafenenë e fshatit të na qeraste. Ishte burrë i mirë, por ne u kthyem se bëhemi gati për të mbjellat e kemi punë. Afendikoi i vëllait tënd, dmth ky Niko Dalasi, ishte shok me atë tonin dhe sapo mori vesh që ne ktheheshim në Atdhe, na u lut t’iu lajmëronim për çka u thamë. Ne kemi punuar në një fshat, por pa mundur të takoheshim e të njiheshim. Janë pa dokumente, siç ishim edhe ne e s’dilnin dot gjëkund. Edhe pazarin për ushqime na e bënte afendikoi.

Copa e letrës me numrin e telefonit më rëndonte në dorë. Jo nga fotografia e vëllait, që m’u shfaq në çast përmes numrave që nxinin në letër, por nga malli i tij. Më rëndonte vërtetë si një gur i lëmuar deti, se ishte mall mërgimtari.

Zgjidhja më erdhi shpejt e shpejt nëpër mënd. E kisha gjetur ku ta shkarkoja peshën e mallit të tij, që gjithmonë duhej ta llogarisje dyfish, përzier edhe me mallin tonë të ndezur. E, pra, e ula peshën e mallit në prehrin e nënës së vëllezërve Halimaj si një gur prove për miqësinë e sapolidhur. A do të kishte garanci më të madhe për qëndresën e kësaj miqësie se sa malli i pashuar i mërgimtarit e malli i përlotur i nënave?

 

(Marrë nga libri "Katarakti i puthjeve")