Wednesday 8 April 2020

KOHA PËR NJË “PATRIOTIZËM TË GJELBËR”

Përshtatja e bujqësisë shqiptare në situatën e jashtëzakonshme 
 globale e shkaktuar nga  Virusi, COVID -19. 
Mendime nga  Prof. Ass. dr. Enver Isufi, Instituti për Bujqësinë Biologjike, Durrës

Intervistoi : Enver SHEHU
gazetar, TV APOLLON
FIER


Enver Shehu – Pyetje:  si e vlerësoni këtë situatë të pazakontë globale  e cila është  shkaktuar nga sëmundja  virusale  COVIT 19   dhe si duhet të përshtatet bujqësia jonë kësaj emergjence?
Enver Isufi -Po është  e vërtetë që kjo sëmundje nuk ka prekur njerëzit e një ose disa komuniteteve, por ka vënë para rrezikut jetik  të gjithë njerëzimin, të gjithë banorët e globit
Tani është koha të gjejmë zgjidhje të shpejta  dhe jo të bëjmë  si ai babai me fëmijën e tij në liqen.
E. Shehu, Si është ajo fabul?
E. Isufi. Një fëmijë  kishte hyrë në një rezervuar  uji për t'u larë  dhe pasi hyri thellë gati po mbytej dhe thërriste ndihmë, ndihmë!.
Babai rrinte në breg the e kërcënonte nga larg fëmijën duke i thënë; sa herë të kam thënë mos hyr në liqen, sa herë të ka këshilluar nëna jote, të rraha  një ditë kur hyre pa leje !! 
Fëmija nga  ana e tij thërriste  atje në ujë: - baba, eja më shpëto se po  mbytem, pastaj më rrih sa të duash.
Pra jemi në kohë kur duhet të shpëtojmë njerëzit nga sëmundja  dhe nga kriza ushqimore.
Kjo është e domozdoshme,  se mbasi të mbarohen rezervat tona dhe të botës, në mos  nuk do ketë krizë ushqimore globale, me siguri do të ketë rritje ҫmimesh, prandaj nuk duhen shumë filozofira nga erdhi  dhe si erdhi virusi, por si të zgjidhim problemin e sotëm dhe për vitet që vijnë. 
Kjo situatë ka nxitur instiktet e  vetëmbrojtjes.
Personi po mendon për  vetëmbrojtjen e tij, kryefamiljari për vetëmbrojtjen e familjes,  dikush për mbrojtjen vetëmbrojtjen  e komunitetit, vetëmbrojtjen e vendit dhe të shtetit, kjo sepse rreziku  është real, të cilin po  e përjeton si të tillë e gjithë bota.
Të gjithë janë në kulmin e frikës, vetëm natyra jo.
E. Shehu, Çar doni të thoni me këtë ?
E. Isufi. Vetëm natyra dhe mjedisi  ndihet shumë më të relaksuara.
Janë në festë dhe me pushime:  pyjet, kafshët, bleta, ujrat, ajri, mineralet nëntosore, kafshët e detit, madje edhe klinikat  dhe spitalet e traumeve nuk kanë pasur  pacientë  të aksidentuar në rrugë  dhe në punë.
Paksimi në maksimum i veprimtarisë së njeriut e ka lehtësuar natyrën.
Do behën studime  edhe për këtë aspekt gjatë krizës, por  sidomos pasi kjo të kaloi.
Është një moment kur njerëzimi dhe politika globale ti bëjë një analizë vehtes dhe të dizinjojë  strategji të reja më të qëndrueshme dhe miqësore si për paqën ndaj natyrës  dhe për paqën sociale në përgjithësi.
Njeriu e ka menduar  dhe mendon se ka ardhur mbi glob  për të  sunduar dhe jo për të jetuar si pjesë e ekosistemit të madh natyror

Ngrohja globale  e shkaktuar kryesisht nga keqpërdorimi i natyrës nga njeriu,  janë shkaqet kryesore që edhe natyra po reagon për mbrojtjen e vehtes, por ndryshe nga natyra, asaj mund  t'i dëmtohet bukuria, por aspak mbijetesa, njeriut i  rrezikohet mbijetesa.                  
Tani ti përgjigjemi pyetjes tuaj.
Objektivi kryesor i bujqësisë tonë  është sigurimi i sasisë  dhe cilësisë  së prodhimit bujqësor dhe blektoral.
Kjo do të zgjidhë :
1. Sigurimin e sasisë  së ushqimit për popullsinë, për të krijuar sa më shumë pavarësi ushqimore.
2. Shtimi i eksportit për të fituar burime financiare.
3. Kufizimi i importit duke kursyer burime financiare.
4. Diversifikimi i grupeve të interesit  në menaxhimit e prodhimit  bujqësore
E. Shehu. Çfar taktika  dhe strategji  duhet të bëjmë që të sigurojmë vazhdimësinë  e prodhimit bujqësor ?
E. Isufi. Fillimisht le të bëjmë një përshkrim të grupeve të interesit që meren me bujqësi .
Sot ka  disa grupime kresore  të prodhimit bujqësor
Grupi i parë i prodhuesëve  janë ato  të cilët  për kushtet e Shqipërisë mund ti quajmë prodhues të  mëdhej,  të cilë prodhojnë për tregun e vendit dhe për eksport.
Grupi i dytë  ai i prodhues të mesëm, gjithmonë për kushtet  e Shqipërisë  të cilët mbi 50 % e prodhimit e ҫojnë në tregun vendas                     
Unë propozoj që të diversifikohen grupet e prodhuesëve,  ose me fjalë të tjera të shtohen grupet e interesit  si më poshtë :
Unë mendoj se duhet të rrisim dhe të kristalizojmë edhe disa grupe të tjera të interesit, të cilat deri më  sot ose janë të dobëta ose nuk ekszitojnë fare.    
Këtu do të përmendja fermerët shumë të vegjël  të cilët janë ata që prodhojnë për konsumin familjarë  dhe rreth  20 %  e shesin në treg.
Bahҫet fshatare të cilat nuk dalin në treg. Ato të cilat kanë   qoftë nga 300 -500 metra  (pra nën sipërfaqen e një fermeri të vogël)
Këto dy grupe duhet të nxiten të  punojnë tokën  dhe të mbjellin  për  nevojat e veta  produkte të tilla  si; perime, fruta, fasule, patate, perime të dyta gjethore, presh, qepë,  spinaq sallatra, hurdhara, erëza guzhine,  etj.   kjo për nevojat e veta familjare .                                          
Kopështe dhe  bahҫet në qytete.
Kjo është bujqësia qytetare, ose  siҫ quhet  bujqësia urbane. (kërkoni në internet në adresën “Urban agriculture” do të shikoni  se ҫfar mrekullish bëjnë banorët e qyteteve atje për prodhime bujqësore të freskëta.  
Podhohen perime  në ҫdo cep toke bosh, në  taraca e  oborre, ballkone, të cilët  kanë madhësi të mjaftueshme.
Kopështe në fshat të menaxhuara nga banorët e qytetit.
Kjo tokë u jepet bonorëve nga qyteti dhe ata i menaxhojnë vetë. Shteti, pushteti lokal  u jep  toka  në përdorim  deri në një një periudhë të caktuar  3-5 vjet.
Kjo sipërfaqe të merret  sipas dëshirës së qytetarëve dhe kjo  mund të jetë 2-3 dynym. Këto prodhojnë për nevojat familjare. Ajo sasi produkti  që u tepron ja shesin fqinjëve ose në treg.  Në qytete  e Europës këta quhen “Hobby garden
E. Shehu: Si mund të nxiten këtë mikropodhues të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale?
E. Isufi: -Duke  i dhënë fidana dhe farëra falas ose  me gjysëm ҫmimi.
- Duke i ndihmuar me asistencë teknike. Specialistë të bujqësisë të ngrenë shoqata të prodhimit të vogël familjar.
- Këto trajnohen me kurse  dhe asistencë teknike edhe nga agronome në pension.
- Ndihmohen me vegla të thjeshta bujqësore ( bela, lopata, kepa, plasmas, dhe inpute  me gjysëm ҫmimi  ose  ato mundet  ti blenë vetë. 
- Ndihmohen me tuba vaditëse,  me tuba plastike për sistemin ujitje, plasmas për mikro serra, plehra, teknika kompostimi të plehrave organike.
- Bujqësi e biznesit jo bujqësor.
Biznesmenë  që deri më sot nuk janë marë me bujqësi mundet të marrin toka me qera dhe të prodhojnë për tregun vendas  dhe për eksportin.
Ky mund të jetë një burim i prodhimit të madh, sepse ato mund të menaxhojnë sipërfaqe të mëdha toke.                                    
 - Bujqësia  e komunitetit . 
Ngritja  e bujqësisë së komunitetit nën menaxhimin  e Njesive Administrative  dhe  Bashkive. Në tokat shtetërore zgjidhen parcela të mëdha për ti futur në prodhim.
Këto struktura pajisen edhe me mekanikën  bujqësore të komunitetit. Këto punësojnë edhe punëtorë  dhe agronomë, me kohë të plotë ose me kohë të pjesëshme
E. Shehu: Çfar mund të mbillen në këto toka ?
 E. Isufi: Po, pyetje e drejtë. Edhe në këtë drejtim duhet diskutim mes specialistëve. Unë mendoj se këto njësi  mund të prodhonin misër, fasule, patate dhe jonxhë për të ndihmuar blegtorinë  e komunitetit të cilët kanë pak tokë. Familjet e ndihmuara me ushqim për blegtorinë, tokën e tyre që e kanë caktuar për forogjere  e mbjellin me perime. Si bimë të dyta mund të mbillen perime gjethore si lakra, lule lakra, brokël, presh, qepë, etj.
Në këto njësi të prodhimit bujqësor për komunitetin punësohen punëtor  dhe specialist bujqësie. 
Këto njësi prodhimi të kenë  edhe mekanikën  bujqësore të komunitetit.                    
Shkollat të ngrenë kopshte, serra dhe parcela prodhimi  për prodhimin e produkteve. Ato tokën  ose mund ta kenë veta ose  e marrin në përdorim nga  komunat përkatëse.
E.Shehu. Po në lidhje me sistemet e bujqësisë, kujt duhet me i dhënë përpasi ?
E. Isufi: Kjo është një pyetje shumë me vend.
Na duhet të shtojmë sipërfaqet e  bujqësisë biologjjike  dhe bujqësisë Integruar, Global GAP, të rritet sipërfaqja e bujqësisë së ҫertifikuar në përgjithësi.
Kjo na jep këto përparësi;
- Rrisim sigurinë ushqimore për konsumatorin tonë.
- Rrisim shancet për eksport.
- Nxisim agrotuirizmin.
- Ruajmë mjedisin nga mbetjet kimike të dëmshme për njerëzit dhe biodiversitetin. Kemi rrastin ta bëjmë këtë kthesë.
- Rrisim rolin e shkencës aplikuar në Shqipëri.
- Rrisin rolin e shërbimit Këshillimor në bujqësi.
E. Shehu: Cilat burime të tjera mund të përdoren më mirë se deri tani?
E. Isufi -Disa prej tyre mund të jenë.
- Prodhim peshku  në rezervuaret e ujit  dhe basenet  për prodhimin e peshkut.
- Rritja e patave dhe rosave  ku ka burime uji.
 -Prodhim  vezësh dhe mishi nga pulari të vogla 
Këtu privatët dhe shteti mund të gjejnë pika bashkëpunimi për të lehtësuar punët.
E. Shehu: Po në fushën e investimeve cilat mendoni se janë më të dobishme?
E. Isufi: Mendoj se janë këto:
- Të shtohen kapacitetet ftohëse  dhe frigoriferike.
- Të shtohen kapacitetet e përpunimit industrial të frutave dhe perimeve.
- Të zgjerohet përpunimi familjarë i perimeve  dhe frutave.
- Duhet të vendosen mjete për përpunimin e plehut organik, si një rezervë e madhe për ushqimin e tokes dhe bimëve, sepse deri më sot po menaxhohet mirë.
E. Shehu. Po medja elektronike  dhe ajo e shkruar a ka nevojë të rimodelohet ?
E. Isufi -Po ka. Medja  bujqësore  duhet ti përshtatet  kushteve të  reja. Zgjerimi i rrjetit të televizioneve publike, kjo situatë nuk e ka gjetur në befasi, por  duhen hapur rubrika bukëdhënëse  siҫ janë;
- Këshillimet për bujqësinë e vogël.
- Vidiot e zbatimit praktik.
- Modele të përpunimit të frutave  dhe perimeve ne familje.
- Demonstrimet e shembujve  të mirë,  etj.
 Pra  të gjithë këto grupime të reja mund të ndihmojnë në shtimin e volumit prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
Kjo përvojë fillon e testohet në praktikë  dhe me kohë vazhdohet me modelet me të mira.
- Është koha të filloi botimi i revistës "BUJQËSIA SHQIPTARE".
- Si dhe mund të botohen revista për grupet e tjera të interesit në bujqësi
- Mendoj se shteti duhet të mbështesë disa televizione private, të cilët të rrisin numrin e programeve dhe prodhimeve televizive që mbështesin bujqësinë. Këto televizione le të aplikojnë me projekte  dhe shteti i mbështet ato televizione, të cilët ofrojnë projekte më të dobishme për bujqësinë, ushqimin dhe mjedisin e komuniteteve të cilët këto televizione mbulojnë.
E. Shehu. A mendon se importi i produkteve bujqësore mund ta mpijë pjesmarjen masive në prodhimin bujqësor?
E. Isufi - Po, ky është një shkak pse vendet e vogla po braktisin bujqësinë.  Ushqimet tona vijnë nga vendet e mëdha, të cilat subvencionojnë bujqësinë e tyre shumë më tepër sesa  vendet siҫ është Shqipëria. Ky është edhe shkaku kryesor i largimit popullsisë së vendit, drejtë vendeve të industrializuara.
Por besoj se do kemi më  shumë liri të blemë atë që duam dhe kur e duam, si dhe do eksportojmë  atë që duam dhe kur e duam.
 Besoj kjo do jetë pjesë  e negociatave të institucineve kombëtare me ato ndërkombëtare, dhe nuk dihet se  si do vendoset, sepse janë vendime që nuk i mer dot vetëm Qeveria  Shqipatre, sepse janë marveshje të firmosura, por nëse pas kësaj krize, nuk do të ketë mekanizma  për mbrojtjen e produkteve vendase, krizat ushqimore do riciklohen. Prodhimet lokale, prodhimet vendase, janë kursime të mëdha  për transportin, marketingun e tj. Një kilogram mish në vendet perendimore bën 2000 km rrugë  derisa të vijë deri tek konsumatori. Pra mbështetja e prodhimeve lokale janë edhe më ekonomike edhe më ekologjike, edhe më etike. Pra bota demokratike le tu lejë më shumë demokraci edhe vendeve të vogla në bujqësi dhe blegtori. Nuk ka demokraci nëse  jep më  shumë para për ushtri se  sa për bujqësi. Qeveritë shqiptare duhet të shtojnë dukshëm buxhetin për bujqësinë. Është sektori që jep më shumë kontribut  në buxhetin e përgjithëshëm  (rreth 20 %)  dhe mer më pak se 2 %. Kjo situatë ka 30 vite kështu. Besoj se tani  do të ndryshojë.
Nëse Qeveria shqiptare do të mobilizohet si për në këto momente siҫ është mobilizuar për mjeksinë, bujqësia  shqiptare fluturon përpara.
Një bujqësi e shëndetshme, rrit një  popull të shëndetshëm
Investimet që bëhën për bujqësinë  e shëndethsme i kursen tek parandalimi i sëmundjeve humane. Unë situatën e shikoj se do prodhojë shumë më tepër  optimizëm dhe do mobilizojë energji të reja tek të gjitha shtresat e popullsisë.
 Dua ta mbyll me këtë  thirrje, është koha për një “Patriotizëm të Gjelbër” i cili është përtej jo thjeshte për bujqësinë dhe ushqimin. Një shembull të madh  Shqipëria e dha  në mobilizimin e të gjitha strukturave shetërore , private, vullnetare, civile, në mbrojtje të shëndetit të popullsisë, ta shtrimë edhe këtë përvojë  edhe  në bujqësi dhe mjedis. 
E. Shehu: Faleminderit për mendimet që dhatë.
E. Isufi. Faleminderit juve, cili jeni gazetari që keni shkruar dhe xhiruar shumë emisione për bujqësinë dhe për fshatin në përgjithësi. Ju më keni vënë edhe mua në punë me emisionet e shumëta që kemi realizuar bashkë

No comments:

Post a Comment