Thursday 30 April 2020

DRUGDHENDESI I TALENTUAR GJIROKASTRIT, ANASTAS PETRIDHI

Gdhendjet në dru me motive bimore 

Dyqani i A. Petridhit në pazarin karakteristik të Gjirokastrës
Anastas PETRIDHI
Shqiptarët gjithmonë i kanë dashur bimët, kanë jetuar me to në një bashkëjetesë paqësore shembullore, nga më të veçantat në planet. Shkrimtarë, poetë, artistë, piktorë, skulptorë, përpunues të metaleve, të veshjeve popullore, etj. kanë gdhendur, shkruar, kënduar e qëndisur punime me motive të bukura bimore. Kjo dashuri për bimët vjen që nga lashtësitë. Këtë e dëshmojnë skulpturat dhe mozaikët e shumtë të zbuluara në qendrat arkeologjike në Butrint, Antigone, Durrës, Pogradec e gjetkë.

Kohët e fundit më ra në sy një drugdhendës duarartë e i talentuar gjirokastrit, me origjinë prindërore nga Lunxhëria. Ai quhet Anastas Petridhi. Drugdhendja për Anastasin është një dhunti, talent, është një pasion së cilës i ka kushtuar gjithë jetën e tij dhe atë të familjes. Mjeshtra kaq pasionantë e me dashuri për drurin dhe bimët, nuk i takon shpesh. Aktiviteti i Anastasit ka lidhje edhe me origjinën e tij lunxhiote. Dihet, mjeshtra të tillë nuk kanë munguar në këtë trevë që nga lashtësitë. Po cila është jeta e Anastasit? 

Lindi në Gjirokastër në vitin 1960. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare Anastasi e kreu në fshatin Prongji. Babai i tij, Jorgua, ishte mesues dhe drejtor në shkollën 8- vjeçare të Prongjisë, kishte marrë me vete edhe familjen e tij. Më pas mbaroi edhe shkollën e mesme për gjeollogji-miniera në Prrenjas me rezultate të larta, me një mesatare 9, 3. Nuk mundi që të ndiqte shkollën e lartë si disa shokë të tij për kushtet që ishin atëhere.

Pas shkollës, punoi me zell e ndërgjegje si teknik në minierën e Memaliajt. Në vitin 1985 me hapjen e Ndërmarrjes Artistike në Gjirokastër u punësua në repartin e gdhendjes së drurit së bashku me mjeshtra të tjerë druri. Në vitin 1991, si një pjesë e mirë e shqiptarëve, emigroi në shtetin fqinj, në Greqi. Atje, në qytetin e Agrinjos hapi një dyqan me punimet e tij në dru. Shpejt u bë i njohur për punët e tij në gjithë zonën përreth e më gjerë. Gdhendte ikona për kisha dhe mobilje për shtëpi private. Punoi për gdhendjen e ikonostaseve dhe ikonave në shumë kisha e tempuj në Greqi. U shqua për artin e mjeshtërinë e tij të veçantë. Kriza e atyre viteve që filloi të ndihej në ekonomi, pllakosi shtetin fqinj dhe vështirësoi edhe tregëtimin e punëve prej druri të Anastasit. 

Në vitin 2003 ai vendosi të kthehet së bashku me familjen në qytetin e tij, Gjirokastër. Së pari, në Gjirokastër, afër shtëpisë së tij, hapi një punishte dhe më vonë edhe një dyqan në pazarin karakteristik të qytetit ku ende ushtron mjeshtërinë e tij me pasion, si një mjeshtër e drugdhendës i talentuar. Realizoi restaurimin e brendshëm të shumë shtëpive karakteristike gjirokastrite në qytet, por edhe në fshatra si Lazarat e gjetkë, si  edhe në njësitë tregëtare si në resortin e Kërcullës, hotel “Gjirokastra”, hotel “Argjiro”, shtëpinë karakteristike të shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare e shumë e shumë të tjera.

Dorën e tij e ndesh në plot vepra artistike, si tavanë, musandara, harqe, dyer e dritare. Dyqani i tij në Pazarin Karakteristik të Gjirokastrës, vetëm me punimet e tij në dru, është një aset i vyer për qytetin muzeal i cili tërheq vëmendjen e turisteve të shumtë, por dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Anastasi tregon se kur ambasadori SHBA-së  John Withres me gruan e tij vizitoi dyqanin, bashkëshortja e ambasadorit u fiksua tek dy pëllumba të gdhendur në dru të cilët dukeshin si të gjallë. Ai ia fali me plot dëshirë e vullnet si një mikeshë e gjithë shqiptarëve, por Ambasadori nuk pranoi që t’i merrte falas, por këmbënguli t’i paguajë me vlerën e tyre të ekspozuar. 
Vizitë e Ambasadorit Japonez 
Tani, pas pandemisë së COVIT-19, gjendja ekonomike, edhe në qytetin jugor është vështirësuar dhe investimet janë thjeshtuar. Në Gjirokastër turistë vendas ose të huaj aktualisht nuk ka më dhe nuk dihet se si e sa do të zgjasë kjo krizë pandemike. Që të mbijetojnë këto biznese me vlerë, duhet që dikush të mendojë për vështirësitë me të cilat ato përballen dhe të ndihmojë që ato të rezistojnë. Biznese të tilla që tregojnë vlerat e trashëgimisë kulturore dhe traditat tona artistike, mendoj se duhet të financohen me qëllim që ato të mos falimentojnë përfundimisht. Ato janë vlera kombëtare.







Përgatiti:
 Koço MOSKO 
Boston, MA, SHBA
Prill, 2020

No comments:

Post a Comment