Saturday, 20 September 2025

SI U MUAR LEJET NGA SULLTANI PËR HAPIEN E SHKOLLAVE SHQIP?


 

Së pari dëshiroj të sqaroj se cilat ishin rrethanat  në Stambollin e viteve 1870-1880. Si Pandeli Sotiri e shtiu në dorë lejet personale apo fermanët nga Sulltan Abdul Hamiti i II-të për hapjen e shkollës shqip. Ai mori një leje për veten e tij dhe një për vëllain, Koçon.

 

Vëllezërit Frashëri ishin shumë të interesuar për këto leje, por nuk mund t’i realizonin, sepse Porta e Lartë i quante turq muslimanët shqiptarë dhe nuk ua lejonte shkollat shqip, përveç kësaj, pas shtypjes e persekutimit brutal të veprimtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pas vitit 1881, kjo bëhej edhe më e vështirë, deri edhe e pamundur. Në revistën “Drita”- “Dituria”e cila dilte në shqip, vëllezërit Frashëri  shkruanin me pseudonime për të mos rënë në sy nga autoritetet turke. Sami Frashëri do të shkruante në atë kohë: Pushteti që do të shkruajnë shqip të krishterët, po nuk do që të përzjehen muslimanët, të cilët i kanë të tyre e s’duan t’u ndihenë. (39)

 

Le të sqarojmë disa zhvillime që kanë ndodhur në atë perudhë në kryeqendrën e Perandorisë, në Stambol.  Në Stambollin e viteve 1800 kishte një komunitet shumë të madh lunxhiotësh dhe miq të tyre, llogariteshin rreth 50 mijë vetë.  Çfarë thonë kronikat e kohs nga të huajtë për lunxhiotët e Stambolloit?

 

Albanologu Johann Georg von Hahn (1811-1869) në librin e tij “Studime Shqiptare” f. 42-43, shkruan për lunxhotët: 

Disa familje në tri fshatra të Lunxhërisë dhe dy fshatra të Rrëzës, janë mjeshtër për ujësjellsat e kanë qenë në Stamboll prej kohësh që nuk mbahen mend, esnafët e tyre për ndërtimin e rrjeteve hidraulike, ndaj gëzojnë privilegje të ndryshme përmes fermanesh perandorake. Lunxhëriotët e ushtrojnë zanatin e tyre thuajse pa përjashtim në Stamboll.” dhe vazhdon më poshtë: “…. Epirioti është si rregull njeri mjaft i gjallë dhe i kursyer, ndaj fiton jashtë vendit të tij me lehtësi aq sa të jetojë në njëfarë mirëqenie. Ndaj dhe në këto fshatra punëtore shikon shumë shtëpi qytetare, ndërsa banorët mbajnë rroba fabrike ngjyra-ngjyra. Tregtarët e këtyre krahinave kanë bërë ndërkohë pasuri të madhe”. (40)

 

Në studimet e tij Prof. dr. Zija Shkodra(1925-2002) ka evidentuar se: 

“Shkolla popullore e ndërtuesave lunxhiotë e specializuar në fushën e ndërtimeve ujore, mirrej më shumë me ndërtimin e çesmave të banjove publike, ujësjellsave mbi harkada, çisternave me ujë, puseve, kanaleve ujitëse të bujqësisë, etj. Në Perandorinë Osmane lunxhiotët gëzonin privilegjin e kësaj mjeshtërie që e mbanin me ferman (dekret) sulltanor të trashëguar brez pas brezi, qoftë në Stamboll ashtu dhe në qytetet kryesore të Perandorisë”.

 

….  Ndërsa kronikani turk E. Çelebi(1611-1682) në veprën e tij madhore 10 vëllimshe të titulluar “Udhëtime” duke na përshkruar një parakalim publik të organizuar në Stamboll rreth viteve 1640 në mes grupeve zejtarë përmend edhe shumë shqiptarë, ndër të cilët edhe ujësjellësit lunxhiotë, që parakalonin para Sulltanit me kazma e lopata nëpër duar që thërrisnin me zë të lartë “Po, e hapim këtu gropën, jo po e hapim atje”. Më poshtë shkruan; “Këtë mjeshtëri të çuditëshme që veshtirë e arrin mendja e njeriut, e ushtron vetëm bashkësia e shqiptarëve”.(41)

 

Lunxhiotët, zagoritët, përmetarët, lebërit, pogonitët, ose kryesisht Shqipëria e Jugut, kishin një komunitet shumë të madh e të fuqishëm në atë periudhë në Stamboll, e ishin të lidhur ngushtësisht njeri me tjetrin. Ata kishin një rol të dorës së parë, në Perandorinë Osmane të trashëguar që nga Perandoria Bizantine.  Ata ishin mjeshtër të vërtetë dhe ekspertë të pazëvëndësueshëm në disa drejtime si: kopshtarë, ndërtues, rrobaqepës, këpucarë, kulunxhi, guzhinierë, pastiçerë, por edhe intelektualë të zotë si mjekë e farmacistë, mësues, ushtarakë e biznesmenë shumë të fuqishëm.  Nga fshati Selckë kishte disa familje shumë të pasura si Lenajt, Zervajt, Zekajt, Dukajt, Sotirajt, e të tjerë. Nga krahina e Lunxherise kishte, madje bankierë që ishin në gjendje të financonin jo vetëm Portën e Lartë, por edhe projekte në Evropë. Të gjithë këta: zanatçinj, biznesmenë e intelektualë, sigurisht që kishin krijuar lidhje të shumta  dhe miqësirat e e tyre me Portën e Lartë, madje dhe me vetë Sulltanin. Një nga këta, i cili shquhej në atë kohë, ishte edhe Koto Duka nga Selcka, kushëri i Pandeli Sotirit, që kishte lidhje  shumë të ngushta me Sulltanin Abdyl Hamtin e II-të, nëpërmjet sekretarit personal Arap Izzet Pasha të cilit i shkonte çdo të premte në shtëpinë e tij.  Koto Duka mbahet mend për të gjithë lunxhiotët se zgjidhte çfardo halli që kishin bashkëkrahinasit e tij me Portën e Lartë. (42) Koto Duka i bente vizitat në  fshatin e tij Selckë, me nje eskortë prej 20 ushtaresh të vendosur nga Porta e Lartë.

 

Lunxhiotët dhe të tjerët që kishin krijuar një farë mirëqenie pasi ndërtuan  shtëpite e tyre, ta themi me plot gojën luksoze, me dy-tre kate, ndertuan kishat e krojet,  tani i kishte ardhur radha arsimimit, shkollave. U shquan fillimisht filantropët Vangjel Zhapa(1611- 1682), Nderi Kombit dhe Kostandin Zhapa(1814- 1892)  nga Labova e Zhapës të cilët ngritën shkollën për fshatin e tyre  dhe financuan shumë shkolla të tjera në disa fshatra në jug të Shqipërisë.

Me financimin e Kristaq Zografit(1820-1892), bankier i parë dhe i thesarit Sulltanit në Stamboll, në vitin 1874 u hap shkolla e mesme greqisht në fshatin Qestorat. Në Stamboll u ngritën shoqëri të shumta filantropike që financonin shkollat nëpër fshatrat e tyre, etj. 

 

Tani kishte ardhur një kohë tjetër.  Ishte era e Rilindsave Naimjanë dhe e Pandeli Sotirit. Lufta bëhej jo vetëm për të hapur shkolla, por ato duhet të ishin në gjuhën e bukur amtare, të ishin shqip.  

Pandeli Sotiri e njihte mirë Stambollin, sepse kishte kaluar adoleshencën e tij atje. Njihte mirë rrymat politike e shoqërore që sundonin në këtë qytet të stërmadh. Sigurisht bashkepunoi me bashkëkrahinasit e tij dhe ata duhet Të jenë përpjekur për mundësuar një takimin ballë përballë me Sulltanin Abdul Hmitit e II-të. Perveç këtyre Pandeli Sotiri duhet ta kete njohur fizikisht nga afer Sulltan gjat femijérisë e adoleshencës.  

 
Nuk kemi asnjë të dhënë të dokumentuar për takimin e Pandeliut me Sulltanin. E vetmia dëshmi ështe abetaria  që ju dhurua Sulltanit.

Këto që po shkruaj janë të dhëna gojore që na i ka pohuar mësonjësi i shkollës fillore të fshatit, i ndjeri Petro Paskali. Ai merrej shumë me jetën e vëllezërve Sotiri. Organizoi seminare me muzeologun Lefter Dilo(1914-1990), vendosi pllakata, bëri lapidare përkujtimorë, ngriti edhe një muzeum. E kam ndihmuar edhe unë për këtë muzeum të vogë fshati në fund të viteve 1960. Më pas për muzeumin punoi dhe profesor Thoma Dhima(1952- 2016), por të gjitha materialet janë zhdukur. U shkruan edhe në historikun e fshatit që u hartua në atë kohë nga intelektualët e fshatit. Po e tregoj ashtu si e mbaj mend.

 

Sipas këtyre të dhënave thuhet se Sulltani e priti me mirësjellje Pandeliun, por edhe duke e kundërshtuar, duke i thënë se ju jeni orthodoksë e jeni grekë, greqishtja është gjuha juaj, çfarë kërkoni?  Pastaj ju nuk keni as alfabet dhe as abetare.  Kuptohet që Pandeliu ishte një erudit e orator i klasit të lartë. Ai e bindi Sulltan Abdul Hamitin e II-të me fakte për lashtësinë dhe fisnikërinë e popullit shqiptar, i tregoi dhe një abetare që kishte marrë me vete. Sulltani u befasua dhe i tha se dëshironte edhe ai ta mësojë gjuhën shqipe. I kërkoi një abetare. Sulltami ishte me origjine shqiptare dhe dinte pak shqip. Pandeliu, pasi mori dy lejet (fermanët), një në emërin e tij dhe tjetrin në emër të vëllat, Koços, i premtoi Sulltanit se do ta keni dhe ju një abetare. I përgatitën një abetare të veçantë. Kjo abetare doli tani së fundmi dhe u paraqit në muzeun e Portës së Lartë, ku thuhet se iu dorezua Sulltanit nga një punonjës, sigurisht një nga ata që kishin lidhje të ngushta dhe ishin tepër të interesuar për kulturën.

 

 

 

 Koco Mosko 

 Me disa permirësime marrë nga Libri "Udhëtim në shpirtin Lunxhiot" Tiranë 2022

No comments:

Post a Comment