nga agronomi: Bajram ASLLANI
Prishtinë, Kosovë
| Bajram ASLLANI |
Vjeshta është një periudhë e rëndësishme për kujdesin e bimëve dekorative dhe pemëve frutore në kopsht. Në këtë stinë, puna përqendrohet në plehërim, mbrojtje ndaj sëmundjeve e dëmtuesve dhe përgatitje kundër ngricave.
Plehërimi artificial dhe organik
Plehërimi në vjeshtë ka për qëllim forcimin e rrënjëve, rritjen e rezistencës ndaj temperaturave të ulëta dhe përmirësimin e strukturës së tokës.
1. Plehrimi organik,
Komposti dhe plehu i stallës i kalbur janë burime të mira të lëndëve ushqyese. Ato nxisin aktivitetin mikrobiologjik, përmirësojnë aftësinë e tokës për të mbajtur ujë dhe e pasurojnë atë me materie ushqyese.
Për bimët dekorative dhe pemët frutore, rekomandohet sasia prej 3–5 kg për bimë, duke e përzier lehtë me dheun rreth rrënjëve.
2. Plehrimi artificial(kimik) –
Rekomandohen formulime me më pak azot dhe më shumë fosfor e kalium, si p.sh. NPK 5-10-15, 8-16-24 ose 10-20-30. Këto ndihmojnë zhvillimin e rrënjëve dhe përgatitin bimët për dimer.
Sasia e rekomanduar e plehut për bimë:
· Bimët dekorative: nga 50–300 g. për bimë, në varësi të madhësisë
· Pemët frutore të reja: 100–150 g. për pemë
· Pemët e mëdha: 200–300 g. për pemë
· Pishat: 200–250g për bimë, të shpërndarë rreth bazës jashtë trungut.
Pas shpërndarjes së plehut, nëse nuk është e mundur të bëhet inkorporimi në dhe, është mirë të ujiten për të ndihmuar tretjen dhe depërtimin e elementeve ushqyese. Plehrat përzihen lehtë me dheun për të siguruar kontakt të mirë me rrënjët dhe për të shmangur djegien e tyre
Mbrojtja ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve
Në vjeshtë, sëmundjet
kërpudhore e bakteriale mund të mbeten aktive në tokë dhe në pjesët e bimëve.
Po ashtu, insektet dhe merimangat mund të dëmtojnë rrënjët, degët dhe gjethet.
Masat parandaluese janë më efektive se
trajtimet e vonuara.
1.
Fungicidet:
Oksid kloruri i bakrit dhe sulfati i bakrit janë më të përdorurit në këtë
periudhë. Ato ndihmojnë në parandalimin e kërpudhave dhe infeksioneve të tjera.
2. Insekticidet dhe akaricidet:
Abamectin është efektiv kundër merimangave dhe disa insekteve që dëmtojnë gjethet. Imidacloprid përdoret kundër larvave dhe dëmtuesve që prekin gjethet.
Për pishat, trajtimet bëhen vetëm kur vërehen dëmtues specifikë, për të mos prishur ekuilibrin biologjik të tokës.
Aplikimi bëhet në mëngjes ose pasdite, kur temperatura është mbi 5°C. Trajtimi i trungut rrit efektivitetin, sidomos te pemët frutore dhe pishat.
Mbrojtja nga ngricat
1. Mulçimi:
Një shtresë prej 5–10 cm me
bar të thatë, kashtë ose gjethe të thata rreth bazës së bimëve ruan lagështinë
dhe nxehtësinë e tokës, duke mbrojtur rrënjët nga ngricat.
Mbështjellja e bimëve me agrofoli me densitet 30–40 g/m² krijon një mikroklimë të qëndrueshme rreth bimëve, lejon dritën dhe ajrosjen, duke reduktuar humbjen e nxehtësisë. Te pishat, vendoset mbi rrënjët e reja ose rreth trungut për t’i mbrojtur nga ngricat e hershme
***
Vjeshta është periudha kyçe për të forcuar dhe mbrojtur bimët dekorative, pemët frutore dhe pishat. Plehërimi i duhur, trajtimet parandaluese dhe masat mbrojtëse ndaj ngricave sigurojnë që bimët të hyjnë të forta në dimër dhe të nisin pranverën me energji të re.
No comments:
Post a Comment