Poezi nga Julia GJIKA


Julia GJIKA

 PER TË LËNË NJË EMËR

Fushat janë dritaret e pranverës
Fushat janë shumë më tepër
se kopshtet me trëndafila të verës.
Fushat janë mbrekullia e botës, janë
lulëzimi në shekuj i duarve njerëzore.
Era, që kreh flokët e fushave të blerta
dhe shpërthen boçen e bardhë të pambukut,
shëtit e vallzon me grunjërat e verdha,
e lirë, në liri të vërtetë, në liri pa hile fushave.
Fushat mbajnë kokën lart nga drita
Fjongot e diellit mbështjellin ëndrra.
Për të lënë një emër, Njeriu e filloi nga fushat.
E ndoqi Paqja dhe Bolleku.
Më parë kish zgjedhur Farën,
të këndonin fushat,
të mos i turpëronte korrja.
Për të lënë një emër,
Njeriu sfidoi çastin ironik,
për të mos i zënë syri njerës të zemëruar,
që grinden me leckat e trupit.
Për të mos ndeshur fytyra të pikëlluara,
prindër që heqin të zitë e ullirit nga bijtë.
Ose anasjelltas.
Njeriu vizatoi me ngjyra pikante tablonë e jetës.
Rëndësi i dha estetikës, që në çdo kohë kërkohej..
Njeriu i zgjedhur , 
për të lënë një emër pas
ka përpara luftën vetmohuese.
Të të mbështjellë Flamuri i Kombit s'është e lehtë,
Pas fush betejash të përditëshme.

Julia Gjika


No comments:

Post a Comment