Friday 20 December 2019

Fjalë të Urta dhe Shprehje për Punën nga Treva e Gjirokastrës


1.   1. Levizni o këmbë e duar, të hani bukë e lakruar.
2.   2. Puno si rrop, e rro si Zot.
3.   3. Puna të bën njeri.
4.   4. Kush ka mbjellë do të korrë.
5.   5. Po punove, çoç fitove.
6.   6. Dangër - dung këmbore madhe qumështi gjysëm okare.
7.   7. Nuk bëhet vreshti me urata po me kazma e lopata.
8.   8. Fjalëshumë e punë pak.
9.   9. Mos i shiko gunën po shikoi punën.
1 10. Punën e sotme mos e lër për nesër.
1111. Kush s’punon dheut i rëndon.
1  12. Nuk bëjnë të gjitha mizat mjaltë.
1  13. Sa kam qejf për arë, aq paça qe e farë.
1  14 Mbollën të tjerët hëngra unë, do mbjell unë që të hanë të tjerët. 
1   !5. Kush rri ndënë pemë i ha dhe kokrrat.
1   16. Puna të nxjerr faqebardhë.
11 17. Kalliri me bukë e mban kokën poshtë, ndërsa ai pa kokrra e mban lart.
1   18. Puna e rinisë jorgan i pleqërisë. 
19. -Korrë e shirë e tok në lëmë. 
20. -Lesh në lemë. 
21. -Sit e mos gatuaj..
22. -Punon si në anë të lumit.
23. -Pemën pa kokrra se qëllon njeri me gurë.
24.  -Burri me thes e gruaja me gjëlperë në një shteg dalin.
25. -Ç’ja sheh syri ja bën dora.
26. -Ugari i janarit, vlagu i beharit.
27. -I punuari me mend i qëndruari në vend.
28. -Kali i mirë shton tagjinë.
29. -Ndihme o Perëndi; tundu të të ndi.
30. -Nuk nxirret dhjamë nga pleshti.
31. -S’bie ngahera lumi kucura.
32. -Në arë s’gjykon vetëm fara por dhe ara.
33. - Puna të nxjerr faqebardhë.
34. - Peshku në lumë, tigani në zjarr.
35. -Kush mëngoi bloi.
36. - Kë zë dielli pa larë, nuk i vete puna mbarë.
37.-Kullote dhinë të të mbushë kusinë.
38.-Gurë, gurë bëhet kalaja. 
39.- Dy kunguj në sqetull nuk mbahen.
40.- Kush kërkon gjen.
41. - Kali i botës të lë në rrugë.
42. Po nuk qajti fëmija, nuk i jep nena sisë. 
43. - Nga e thëna në të bërë është në mes një det i gjerë.
44.- Nuk i varen ujkut mëlçitë në qafë.
45. - Nuk bëhet stan me lepuj.
46. - Mos mëso ustanë, po merri zananë.
47  -       S’të shkon kot moti, kur të jesh i zoti.

48     - Puno sa të jesh i ri, se kur të plakesh s’të bën dobi.

49    - Punove, gëzove.

MMe i rendë bishti se sqepari

i tI tregon babait arat.



Përgatiti: Koço Mosko

Tuesday 12 November 2019

NGA KUJTIMET E SKORESË

- Në korrikun e vitit të largët 1968 -

nga: Petro  MEJDI
Rafina, Greqi
Petro MEJDI
--Fragmente nga proza e gjatë "Ξυπόλυτος στα αγκάθια - Ματομενα μάτια ποδαριον" -- " Zbathur mbi gjëmba - Çoke të gjakosura këmbësh " --
Ku tregohet :
Bari për dy ditë në kopenë e dhive të kooperativës, shkelmi i kalit në ballë që në mëngjesin e parë, dëbimi nga kopeja, dhe HISTORIA e përpjekjes së dështuar për arratisjen në Greqi i një çifti skorjadhitësh të sapo martuar, e cila ka lidhje dhe me shkelmin e kalit mbi ballin tim.
Prolog 
Më thiri dikush se më kërkonte Ngjeloja, brigadieri i fshatit. Duke shkuar për në qëndër pëshpërita gati më zë: Μονον στα Πατουλια, στα γιδια, να μην με στιλή!
-- Vetëm në Patulia, tek dhitë, të mos më dërgojë!
Ai po vinte drejt shtëpisë tonë. Kjo më la të kuptoj, se do të më çonte me ndonjë " mision". Po ku ta fantazoja atë që më tha: Θα πας στην Παρά στα Πατούλια, στα γιδια για μερικές μέρες.
- Εμενα βρικες , i them.
 - Αυτη τη φορά δεν θέλω γκρινια. Θα πας στη θέση του Παντό Τελιου, πέθανε ο Βάγιος στο ρεπαρτι, στο Δυραχειο. –
- Do shkosh në Para, në Patula, tek dhitë.
- Mua gjete?!
- Këtë rradhë nuk dua grindje. Do shkosh në vënd të Pando Telos, i vdiq vëllai, Vajua, në repartin ku shërbente, në Durrës.
Nuk kisha si t'i kundërshtoja. Ishte një rast i veçantë, bile kishte ndodhur në ushtri. Pastaj doja që ta kisha mirë me brigadierin, që të mos humbisja "vendin e punës", u çoja bukën traktoristëve, një punë e gjetur si me mik për mua, për të ecur nuk e kisha problem, isha dhe jam këmbëshpejtë, rëndësi kishte për mua që në mbremje të isha në fshat, nuk doja të humbisja emisionet e Radio Tiranës "Teatri në mikrofon", radioreportazhet e Agron Çobanit dhe Dhimitër Dishnicës, përrallën e Vera Zhejit dhe radiopostën, filmin e vetëm që vinte në fshat dhe estradën e Gjirokastrës. Ndaj nuk ia bëja dy fjalën e brigadierit.
Futa në një trastë një bukë dhe një lugë dhe pas 30 minutash isha në Para. Ata hanin me lugë druri, mirë kosin, por qumështin nuk e haja dot pa u laturisur si fëmijët e vegjël.
Intermexo 
Vdekja ime të më çonin në atë vënd. Patulat janë poshtë malit të Burretos, gati në metrat e parë të malit. Pogonitët e dinë, por e dhe zagoritët e kanë parë nga larg atë vënd, kur, pasi kalojnë stacionin pyjor, (sot nuk i ka mbetur asnjë gjurmë ) dhe kanë ngjitur ato kthesat e së përpjetës, që atje duket Para, e cila dikur, para ndoshta dy shekujsh, ka qenë fshat, një lagje, historia thotë se banorët u vendosën në Poliçan. Duke e parë malin e Burretos nga fshati, na çudiste një pyll gati në mes të tij, i cili rrinte në të gjitha stinët i gjelbër. Kjo në sajë të një shkureje, që në fshat i thonë zelenia. Dhitë nuk ngjiten kurrë atje, se gjethja e zeleniasë është e hidhur. Buretoja i rri kërcënueshëm mbi kokë atij vendi ku ishte nomeja, qielli zvogëlohej dhe kështu dhe rrezet e diellit zgjasnin pak. Erret më herët dhe në dimër ajo copë tokë, midis lisave, nuk ngrohej. Kur perëndonte dielli unë kisha zili Skorenë përballë dhe ndiqja perëndimin e diellit, se si hija e mbrëmjes dhe e natës, i ngjitej përpjetë fshatit, deri në Nëmërçkë.
Kapitull pa emër 
Gjithë rrugës, asaj rruge të tatëpjetë gjer tek te lumi, më kapluan mendimet për Vajon. Nuk duhet ta kem parë asnjëherë në fshat, ose e kisha parë, por nuk e mbaja mënd. Isha nxënës në fillore, kur vajzat e mëhallës tjetër, ishin mbledhur në dritaren, nga ku midis degëve të manit të Rizos, dukej pak udha tej në Jorganu(στου Γιωργάνου). Pëshpërisnin diçka midis tyre, diçka të fshehtë. Dikush hyri në klasë dhe tha: U lirua nga burgu Ollga, gruaja e Vajo Telos. Vajzat, Leta, Eleni, Kaliopi, e ndonjë tjetër, të cilat e kishin gruan e dajos të porsa liruarën nga burgu, sa dëgjuan atë që foli, e lanë dritaren. Ato përfituan nga që Jermanoi po vononte të fillonte orën e mësimit dhe vrapuan për në shtëpinë e nënës së Ollgës.
Me ardhjen e së burgosurës në fshat u hap prapë historia e tyre, aq vite e tulatur .Skorjadhitët ishin të mësuar që t' u shmangeshin bisedave të tilla të rezikëshme.
Nga kronika e pashkruar e fshatit..
Nga bisedat me zë të ulët në rrugë dhe në shtëpi mësova dhe historinë e çiftit që bënte burg diku, shumë larg fshatit tonë. Ishte viti 1960. Ata nuk kishin mbushur akoma një vit martesë dhe, kushedi se cili nga ata e hodhi i pari idenë për t'u arratisur. Ndoshta gruaja, Ollga. Ajo kishte njërëz në Greqi e Amerikë. Përfytyro një çift të ri që në vend të bisedojnë për fëmijën që do të sillnin në jetë, diskutonin se si të arratiseshin. E morrën vendimin. Nuk patën besim tek askush. Kishin dëgjuar nga të tjerët për shtigjet dhe lëvizjet e kufitarëve. Ndoshta e kishin zbuluar planin tek e ëma plakë. U nisën natën. Kur po kalonin vendin nga ku fshati nuk do të dukej më, kthyen kokën, bënë kryqin dhe nxituan. Gjithë rrugës deri në kufi shikonin për herë të fundit vendet ku kishin punuar, apo kishin ndonjë kujtim të veçantë. Një komb iu mblodh në grykë. Djaloshi i kapi dorën e nuses së re për t' i dhënë kurajë. Kishte lënë pas në fshat nënën, të vetme. U fshehën në një gëmushë, nga ku mund të vëzhgonin vendin dhe lëvizjet e kufitarëve. Ata u strukën pranë njeri- tjetrit. Ishin çaste të një ankthi të madh. Herë herë gruas i dukej sikur zëmra ishte gati të dilte nga kraharori. Me gjithëse i njihnin këto vende dhe shtigje më mirë se çunakët kufitarë të ardhur nga larg,  por tani ata ishin zotër të atij rrrypi toke. Jeta e tyre tani varej nga një gardh, nga një përrua, nga një e përpjetë dhe pas dhjetë - pesëmbëdhjetë minutash do ta shikonin Nëmërçkën nga fshati i parë grek, Stavroshqadhi( Σταυροσκιαδι) .
Dhe mu në këto momente kur ëndërronin për jetën në vendet e reja, nëpër botë, si do të përqafoheshin me të afërmit, në atë heshtje u dëgjuan hapa, që e dhe pse të hedhura me taktikën ushtarake të një kufitari, ata i dëgjuan. Djaloshi me mustaqe spic të zëza, i bëri shënjë vajzës në krahë që as frymë të mos merrnin. Dhe nuk ishin hapat e një njëriu. Ata, kufitarët, befas, u shfaqën para tyre. Ishte e kotë që të rezistonin. Tytat e pushkëve i kishin tashmë thuajse mbi kokat e tyre. Mirë që nuk na lëshuan ndonjë qen, mendoi nusja e re. Të dy mendonin se kur t'i çonin në fshat, kush duronte vështrimet dhe fjalët e hedhura ndaj tyre, se sidoqoftë, tani ata ishin armiq dhe, siç e donte zakoni, ndaj armiqve nuk duket të ketë mëshirë e keqardhje.
Në mbrëmje, në vënd që të ishin në shtratin e ngrohtë bashkëshortor, fjetën në birucat e ftohta dhe me lagështi të kalasë së Gjirokastrës, tek "shtatë penxheret". Ai ishte një djalosh trim. I mori të gjitha përsipër vetë. Lehtësoi pozitën e gruas.
Dhe ishte aq i ri. Kreu dënimin dhe shpejt e shejt e thirën në Degën ushtarake. Po mbushte moshën 28 vjeç dhe do të kalonte afati i shërbimit ushtarak. E dërguan një një repart pune në zonën e Durrësit. Dhe një ditë korriku të vitit 1968, ndodhi dhe tragjedia. Ai mbytet duke bërë not në një rezervuar. Ndoshta në ato çaste deshpëruese, në ato çaste të mbrame,për të, ai do të ketë menduar për vajzën në bark të nënës, e cila nuk do tanbihte kurrë të jatin. E vetmja dëshmi nga kalimi i tij nga kjo jetë është kjo një vajzë e bukur, e cila tani është nënë dhe gjyshe e lumtur.
Në Patula, ose në Hijen e Mallkuar 
Duke menduar për atë fatkeqin, nuk e kuptova se si kishte mbaruar gjithë ajo e përpjetë nga lumi i Skoresë deri në hyrje të Parës, në kishën gati të shëmbur të Shën Minait. Sa hidhje sytë nga Patulat, vendin në këmbët e malit ku ishte nomeja e vjetër e dhive, një nome që ishte dhe dimërore, se në krah ishin stallat, të kapte një trishtim me atë hijen e zezë, dhe të mendosh se ende kishte disa orë ditë. Po në mbremje sa e errët do të ngjajë. Ndoshta toponimi grek Patula, që don të thotë fund, patos, në fund, ndoshta duhet thënë ndryshe. Atij vendi do t' i shkonte më për shtat një toponimi, Hija e Mallkuar, ose Hija e Zezë.
E kuptova nga zilet që tufa po vinte. Natyrisht, anash, në fund, por dhe midis dhive ecnin qentë, mbrojtësit e tyre.
Tani dhe dita e punës për mua filloi. Mblodha shkarpa, ngava dhitë gjatë mjeljes dhe hëngra, u gëzova kur më hodhën në një tas kos.
Nata ishte e ftohtë. U mbështolla dhe ktheva fytyrën nga lindja, nga fshati, dritat e të cilit, e dhe pse nuk dukeshin, i shquaja në hapësirën qiellore të fantazuar si një rreth mbi fshat, dritën e zbehtë të llambave të rrugëve. Poliçani, po, ai dukej si një qytet i vogël, me të gjithë hapësirën e vet, nga këmba e Nëmërçkës deri poshtë, në fushën dhe pyllin e Goricës. Nata në anë të një pylli ka jetën e vet. Kënga e fundit e zogjve, kënga e gjinkallave dhe e bulkthëve e ndonjë cinxëri, ndonjë mëllenjë a pëllumb i egër, kuijta e ndonjë dhelpre, trokthi i ndonjë turme derrash të egër që vraponin për në fushën e Skoresë dhe arrat pranë lumit të Hllomosë, lehjet e qënve tanë dhe vrapin e tyre në thellësi të pyllit, ndonjë zile nga dhitë grindavece, që trembnin diçka që i bezdiste, tingulli i çangave dhe të bërtiturat e rojeve të fushës, që trembnin, ose që e bënin këtë ritual panvarësisht në kishte apo nuk kishte derra në misër. Dëgjoheshin dhe krisma pushkësh andej nga Metoqi, nga ajo tokë midis pyllit dhe kufirit dhe duke medituar për gjithë këto, më zuri gjumi, një gjumë i thellë, nga i cili më zgjoi tundja në supe e Xhoxhit, djalit të xhaxhait. Po, po, sa shpejt! - mendova nëpër gjumë, nuk kisha fjetur as dy orë.
- Shkelmin i kalit në ballë dhe dëbimi nga tufa- 
Mëngjesi ishte i lagësht dhe i freskët. Sandalet u lagën dhe këmbët rrëshqisnin brenda tyre. Kur lëvizja në atë terren të pjerrët çoket e këmbëve fërkoheshin dhe telat e kthyer të sandaleve të Beit, gërvishnin njeri tjetrin, dilte pak gjak, a thua se ndonjë infermier u kishte bërë ndonjë vaksinë, se në kohën e fëminisë tonë vaksinat bëheshin me të gërvishur.
Dita po afronte. Nga Papingu përballë u derdhën rrezet e ngrohta të diellit të ditës së re. Fillova të ngrohesha. Dielli na falte borxhin që na kishte nga pasditja, kur tek ne në Patula ikte shpejt.
Ngisja dhitë. Ata , të tre milnin. Dëgjohej ajo zhurma karakteristike e qumështit kur bie në vedër, në fillim me forcë, aq sa dëgjohet dhe tingulli i teneqesë dhe duke u mbushur zhurma bie, por bëhet më e ëmbël, më me muzikalitet.
Duke ngarë dhitë u shpalla në heshtje një konkurs. Kush milte më shpejt. Ishin të gjithë të shpejtë, unë u shikoja fytyrat vetëm kur kthenin trupin përgjysëm bashkë me njerën dorë të hedhur pezull për të kapur dhinë e rradhës. Ishin të gjithë me mbiemrin Mejdi, xha Toli, Xhoxhi, kushëri i parë, dhe Jorgua, që për çudi, e dhe pse shumë më i madh se unë, i takonte të më thërriste xhaxha, pasi unë dhe babai i tij Nasho Mejdiu, ishim kushërinj të dytë. Fakti që ishin të gjithë të tyret dhe që flisnin të njejtën gjuhë.(Ata midis tyre flisnin vllahisht, mua më flisnin në greqisht. E dinin që sido që të më flisnin, unë në greqisht do t' ua ktheja), pra ky fakt, se ishin të tyret, i kishte vënë në mendime ata të kryesisë, sidomos brigadierin e blektorisë, se ata mund të vinin dorë në mish dhe në qumësht. Deklaronin më pak keca. Dhe në shumë kope ata të kryesisë dërgonin dhe ndonjë të besuar ose kandidat partie.Thuhej se ata bënin më shumë kacekë me njango, orle, aty nga shtatori kur qumështi pakësohej dhe e kishin të ligjshme që të mbushinin kacekët për dimër.
Pasi kulluam qumështin në bidona, xha Toli më thotë: Shko merr kalin, do të çosh qumështin në baxhon e Poliçanit. Unë u gjalërova. Shpëtova nga kullota, thashë me vete. Dhitë të lodhin. Do të ktheheshim prapë në darkë. Mjelja e drekës bëhej diku pranë kullotës. Kush duronte aq orë, kush duronte mizat e pyllit dhe pushin e rrepeve të lumit, i cili, na bënte të tështinim dhi dhe njerëz. 
Ku ta gjeja që të shkoja në Poliçan, në kryeqytetin tonë. Aty të kulloste syri, ushtarë, oficerë, barrinj nga malet, vajza të bukura, makina të fermave dhe të ushtrisë, gjithë ato dyqane. Po të kishe ndonjë para të shkoqur me vete mund të blije ndonjë ingranazh ose ca karamele të gjata, me vija përdredhëse të kuqe.
Vrapova të marr kalin. Zilja që tundej gjatë kohës kur ai zgjidhte barin më orientoi. M'u para këmbëve të mia pashë një thupër thane, ishte errët, duket kishte kohë aty. Kali ngriti një herë kokën kërcënueshëm, por fjalët e mia përkëdhelëse e zbutën. Ngrita dorën si për t' i thënë "drejt strungës". Ai para, unë pas tij në atë të përpjetë. Dëgjova zërin e njerit prej barinjve, kujtova se më thiri mua për të nxituar dhe i rrashë kalit tek vithet. Ai ktheu kokën, tundi bishtin, por nuk shpejtoi ecjen. Fillova të fëshkëllej një melodi dhe, në një pjesë rruge shumë të pjerrët, pas saj dukej strunga, i rrashë kalit në vithe dhe nuk e ndjeva se i kisha rrënë me me forcë nga sa doja. Ai, u trëmb, ndoshta nuk e priste këtë goditje, që në fillim me shikonte pak me dyshim, nuk më njihte, dhe më godet në ballë. Ata të tre me të dëgjuar ohu-n tim vrapuan. Në atë kohë kisha vënë dorën në ball, më vendin ku më goditi kali. Dora m'u gjakos .
 - Ti na su po, thiri xha Toli duke më kundruar ballin, htipiete to allogo stin anifora.Ti glitoses kalla, isun poli konda.( Ç'të të them, a goditet kali me thupër në të përpjetë?; Shpëtove paq, të goditi nga afër. 
A po totes pu ton idha, po u thodhte të tjerëve Jorgua, me një zë të trembur ku dallohej dhe zëmërimi, ipa mesamu: Afron mas estile o Ngjelos. Dhen thimaste persi ti mas ekame.Ton stillame me ta skuliqarika, ihe pari vivlio mazitu, dhjavaze që ta ehase (Që kur e pashë thashë me vete. Këtë na dërgoi Ngjelua. U kujtohet ç' na bëri vjet. E dërguam me ato që kishin zënë krimba, kishte marrë një libër me vete, lexonte dhe i humbën dhitë ). Kur tha këto fjalë mua m'u duk sikur goja m' u mbush me erën e kreolinës, ai ilaçi që lyenin dhitë që kishin zënë krimba.
Gjatë kohës kur ata po më bënin biografinë time si bari, në ballin tim ishte formuar një gungë mavi në të kuqe.
Ata i trëmbi kjo.
- Pare to sakuli qe fije, dhen kanis esi ja ta jidhja.(Merr trastën dhe ik, nuk bën ti për me dhi.) Në vënd që të më mërziste, kjo që tha xha Toli, mua më bëri të haroj dhimbjet. Pas pak hodha trastën krahaqafë dhe bëra poshtë. Duke rrëshqitur, ndoshta nga zhurma e këmbëve të mia, njeri nga qëntë e kopesë lehu, bëri disa hapa drejt meje, dhe më të të dëgjuar " na, na, Balo, ella edho" qeni vrapoi drejt vathës. Të bukur përcjellje, mendova, as qëntë nuk më duan këtu, dhe ata më ndjekin.
Epilog
Qëndrova për të marrë veten mbi digën e dheut, të rezervuarit, i cili, që kur kishte mbaruar si i tillë, nuk u mbush kurrë, nuk ujiti veçse pak kohë. U fol për një sabotim, por nuk dëgjuam që të dënohej njeri. Hodha ca guralecë, të cilët binin duke ngritur një flluskë ujë.
Nuk do të kthehesha shpejt në fshat.Do shkoja vonë, që të justifikoja kthimin para kohe tek ata të shtëpisë.Ishte mesi i korrikut dhe kishin filluar të piqeshin dardhat e shartuara tek Livadhjat, përtej lumit çava kaçka , bëra kolidrus.Ai vënd , Skorea , është i bekuar , thuajse në çdo stinë nuk të lë pa ngrenë gjë,që nga qershitë , deri në dimër me mollët thartiçka e ftonjtë, po të marrësh një përrua në nëntor do të shqepesh me arra të thata , të rëzuara nga era dhe furtunat dhe të mbuluara nga gjethet ngjyrë kafe .
Kur arrita pranë kishës së Aj Minait, ktheva dhe një herë kokën nga Patulat. Tani, ashtu të lara nën dritën e rrezeve të diellit, nuk m'u dukën dhe aq të keqia, aq jo miqësore, aq të errëta. Më zuri një pendesë, ç' m'u desh që i rrashë kalit në vithe me atë thuprën! Tani do isha në fushën e Poliçanit. Dhe më mori malli për kthimin. Do të bëja qef mbi samar të kalit, duke fyshkëllyer.
Dhe nuk u ktheva më në Patula si bari. Në vitet e studimeve kam shkuar vetëm në kohën e korrjeve, afroja duaj tek makina shirëse.
Por gjithë kjo kishte marrë fund. Po ngjitja të përpjetën, pas saj ishte Vodica, do pija ujë të ftohtë. Kalova pranë konizmës, në fakt, vendit ku ishte konizma, tashmë e rrëzuar nga rinia e fshatit.
Më dukej vetja se ai dezertori italian i romanit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur " të Kadaresë, të cilin e kisha lexuar atë verë kur kullotja dhitë e zgjebosura dhe i humba i haruar pas leximit të romanit, në gjysmën e dytë të ditës i kërkoja. Gjithë kohës me digjte fyti nga era e kreolinës. Kur kalova tek mulliri mbi lumë e kujtova përsëri ushtarin dezertor pa emër, që punonte tek mulliri i shqiptarit. M' u duk se për një çast ishin të gjitha aty, të pa lëvizura nga koha: dhe trokashka e mullirit, dhe pahu i miellit, dhe mullisi dhe ushtari. Mungonte vetëm Kristina. Atë e kishin marrë natën me kuaj disa krushq.

Monday 4 November 2019

A MUND TË BËJMË SHKENCË NË FUSHËN E PYLLTARISË?

nga:  dr. Selman MËZIU
Firence, ItalI


            Nuk janë kushte të përshtatshme për të bërë shkencë?  Nuk ka kurrfarë investimi në këtë fushë? S’kemi ende në shqipëri një celulë sado të vogël shkencore për të udhëhequr këto ndërmarrje serioze? Duke i përtypur njërën pas tjetrës me mokrrën e mendeimeve pyetjet e mësiperme, pa u thelluar e analizuar të gjitha fijet e nervaturës do të përgjigjeshim: Jo, e pamundshme.
            Në mbrëmjen e datës 26 tetor fillova të vështroi me vëmendje disa fotografi plotë profesionalizëm të një pylli të djegur pishe të zezë, te vendi i quajtur Guri Kopil në Zavalinë, Elbasan, të bëra nga inxhinier Preni Bardhi.  Pamja ishte rrënqethëse, skeletet e pishave me gjithë degë më shumë se 15 metra lartësi, të djegura, të zituara, të zhuritura, të thara, të pa afta të kryejn  funksione biologjike, me  një  shtresë barishtore, fieri, barërash e shkurrëzash, kishin pushtuar sipërfaqen e ish pyllit të dikurshëm.
            Situata të tilla tani ma në  gjithe sipërfaqet pyjore, ose më mirë ish pyjet madheshtore kolon gjelbërta të aheve, pishnajave, bredhave që nga maja e Zepës, Munella, Lura, Biza e Tiranës,  Librazhdit, pishnajat e Korçës dhe të Kolonjës, në Krastën e Krujës e të Elbasanit, në malin e Tomorrit, në krahinën e Zagorisë, në siperfaqet me shkurrre të Vlorës, Sarandës, Tiranës, Fierit, Lezhës etj. janë të pranishme me shumë pak ndryshime biotope dhe  biocenoza të ndryshme. Ku tanima nuk mund të shkruajm, kryejm eksperimente mbi rritjen vijuese e mesatare të grumbujve pyjor, apo mbi ndryshime fitosociologjike të ekosostemeve pyjore, tipologjinë e pyllit, etj. etj. sepse qindra e mijëra hektar pyje janë zhdukur plotësisht duke u kthyer në livadhe ose ku grryerjet kanë shkatërruar plotësisht shtresën biologjike, duke e kthyer atë në tokë skeletike, të varfër, të pa mundshme për të lindur e zhvilluar bimësia, me prerjet banditeske pa udhëheqje teknike ose me djegjet e përvitshme . ‘’Vendi (Shqipëria S.M) vlerësohet të ketë humbur 170 km2 pyje që nga viti 1990 me sipërfaqen e tij pyjore te v. 2015 në 7,715 km2, në rreth një çerek të sipërfaqes së vendit.,, (Banka botërore. Inxh. M. Metaj)
            Këto situata tanima njihen nga shumë inxhinier pyjesh që janë të punësuar pranë Axhensive të Zonave të Mbrojtura, etj. si Fatmir Brazhd, Astri Çeka, Islam Laçaj, Eduard Rrodhe, Bedri Ormeni, Haki Balliu, Gjergj Dedaj, Abdulla Diku, Ilmi Gjana, Blerant Lushaj, Imer Mena, Shkelqim Mane, Joan Allamani, Vullnet Tafa, Bekim Qosja etj. të cilët e pasqyrojn punën e tyre duke na dhanun situata të ndryshme silvobiologjike të grumbujve, ekonomive pyjore, ose peisazheve  shumë planshe e të shumë llojshme. Këto foto, të shumtën e herës të pashoqëruara me kurrfarë përshkrimi, stacional, silvikulturor apo dentrologjik, janë mangësi në interpretime teknike, shprehin mefshtësine ose paftësine për të zbuluar situatën bioekologjike, në një moment të caktuar, për një tip pylli të pasqyruar etj.
            
               Lind një pyetje tjetër: Një inxhinier ose teknik pyjesh, a duhet të jetë një vëzhgues pasiv, shëtitës dëfryes apo një zhbirues i dukurive bioekologjike të ekosistemit pyjore, studiues i dinamikës të zhvillimit të pyllit? Në nivelin e zhvillimeve profesionale, shkencore e teknologjive të komunikimit, të pasqyrimit, të informacioneve shkencore, duhet që vetë keto inxhiniera ose grupe, të rizgjohen, të marrin guximin me inisiative edhe bashkëpunim, të hartojn metodika të thjeshta.  Me objektiv kërkimesh në fushën e  dentrometrisë, silvoteknikës, tipologjisë pyjore, vlerës treguese te bimëve  barishtore, potencialit ushqyes të tokës pyjore, shkallës së grryerjeve pas zjarrve, ripërtritja pas tyre  dhe përsëritjes e zjarreve, (Vitet 2007, 2012, 2017 zjarre të fuqishme) suksesionit bimor etj. etj.
            Duke përdorur materialet të gjetura në kompiuterin, disiplinat e shkencave të studiuara në Fakultetin e Shkencave Pyjore e materiale të tjera të studiuesve të mëparshëm mund dhe duhet të fillojm nga puna duke ngritura siperfaqe prove eksperimentale të përhershme. Shënimi i sipërfaqeve prove 100 meter katrorshe ose më shume le t’a kryejm kufizimin, fundja edhe me tre gur siç shënoheshin kufijt e pronësive në nje kohë. Pastaj në një fletore të shenohet situata vegjetative, matjet biometrike etj. etj. Keto sipërfaqe ose blloqe eksperimentale, le t’i emërtojm me inxhinierat e teknikët e pyjeve, që kanë kontribute të shumta në atë zonë ose krahinë sipas dëshirës. Bie fjala ne ekonominë pyjore të Parkut Kombëtar Lurë ose ‘’Lura e  I,, t’i shënojm këto me emrin e Inxhininer Ibrahim Doçi, ose të teknikut Murat Tollja etj., kështu mund të shënohen edhe blloku eksperimantal i sipërfaqeve provë për një eksperiment të caktuar.
            Pse vallë të mos shfrytëzojm profesorët tanë të nderuar, duke u konsultuar e ngritur skeletet e metodikave e pastaj në punë e sipër duke i pasururuar me kshillimet e Prof. Vezir Muharremi, Prof. Thimaq Lako, Prof. Vath Tabaku, Prof. Arsen Proko e dhjetra e dhjetra të tjerë.  E keto matje, vëzhgime fenologjike apo shkallë dëmtimesh nga prerjet, sëmundje fitopatologjike të diskutohen në mbledhjet që kryejn AZM në perudha të ndryshme të vitit.
            Le të rikthehemi në situatën silvobiologjike të ngastrave te Guri Kopil në Zavalinë, Elbasan,  po të kufizojm disa sipërfaqe provë, pesë, dhjetë me nga 100 metra katërore, të kryejm rilevimet floristike, numrimin e filizave, të shkurreve e drurëve të ndryshme e më pas sa herë që të shkojm të mos kënaqemi duke bërë fotografi peisazheve pyjore dhe vetes, por, të kryejm një seri matjesh, numrimesh, vlerësimesh e vezhgimesh  të situatave biosilvike të sipërfaqeve provë.  Këto eksperimente do të shtyjn kureshtjen tuaj dhe të të tjereve për të  thelluar studimet e  nxjerrun përfundime mbi dinamikën e zhvillimit biologjik të florës e faunës apo shkaqeve të erozionit ose rritjen dimamike te fililizave pas djegjes nga zjarri  etj. etj. Duke ndjekur këto eksperimente krijohen  mundësi e besimi tek investitorët e huaj për të zgjeruar, thelluar e modernizuar matjet në këto eksperimente dhe një kumt bazë per vazhdimësin e marrjes me shkencë dhe perfundime serioze në fushën e prodhimit dhe  shtatore te bindshme për politikbërsit.
            E vetmja mënyre për t’iu larguar punës rutinë, mënyrë që iu ushqen juve në levizjet fizike e në dëshirën për të rifreskuar njohuritë e marra në disiplinat shkencore pyjore si dhe për të lanun pas sipërfaqe të përhershme provë në lidhje me dinamikën e zhvillimit të gjallesave, të trashsisë së humuesit e asaj biologjike, dinamikave te rritjes se filizerise, imshtajës,  trungishtes së re, të mesme në një grumbull pyjor apo për një lloji të caktuar të pyllzuar, të ripertritur, sipërfaqe të ricunguar etj.
            
               Inxhinier e teknik pyjesh duke braktisur fjalën e huazuar (Monitorim) kushedi sa nga ku të marrë, duke punuar sejcili me matjet e vëzhgimet e thella për dinamiken e zhvillimit të bimësisë e gjallesave të sipëfaqeve të prera barbarisht, të djeguara, edhe në parqet kombëtare, kemi të drejt të shprehim besimin e plotë, në riorganizimin, në rigjallërimin e veprimtarisë tuaj inxhinierike e teknike në pylltari, të energjive të ngrira, duke besuar që ashtu  si nata nuk mund të jetë e tillë pa yjet dhe hanën. Gjithashtu dita, pa diellin me lëvizjen e gjithëçkje mbi tokë, pra gjallesave, nuk mund të punojn e zhvillohet ekonomia pyjore pa punën tuaj shkencore të ditëve të sotme. Pra nevoitet një shtyse drejt shkencës, përparimit, riorganizmit më parë të armatës së pylltarëve e pastaj t’iu kërkojm llogari politikanëve dhe strukturave organizative e ligjëvënse. ( Fotot nga Ing. Preni Bardhi.)

Firence 31.10.2019                                  Dr. Selman Meziu


    

Saturday 26 October 2019

PËR MALEN E MALEVE, MALE DILON

nga:  Ksenofon DILO
Firence, Itali

Ksenofon DILO
Të rrosh , a të mos rrosh...
Thoshte Shekspiri në veshin e Hamletit.
Të qeshësh a të qash...

Them unë dhe thërras që të më dëgjojë bota e të më ...përgjigjet
Në shtëpinë tonë, si dhe e kam thënë shpesh kishte një vlerë të konsiderueshme puna dhe kjo ishte e saj në shkallën sipërore kur mendohej se babai im, Mihal Dilo , punonjes nga te paret e veterinarise në vëndin tonë , i mirë dhe i palodhur kudo ku e kërkonte nevoja. Ai vërsulej e nuk kursehej të jepte maksimumin , duke i dalë së keqes përpara e duke e smbrapsur atë. Kishte emër të mirë e të nderuar dhe kjo e kënaqte por gjithashtu e shtynte të bënte edhe më mirë punën e tij dhe të ishte sa më korekt gjithmonë , në çdo gjë. 

Kishte rënë një sëmundje e rrezikshme në gjënë e gjallë që godiste shqerrat dhe humbjet qenë të konsiderueshme. Por Malja ishte aty ku ishte bërthama e së keqes e punonte natë e ditë pa u çlodhur Problem i madh qeveritar . Humbja e gjësë së gjallë ishte me të vërtetë diçka shqetësuese për qeverinë. Kontratat me jashtështetit, qingjat e shijshëm në tavolinat e tyre...
Thirrën dy specialistë rusë. Rusia atëhere ishte “vëllai jonë i madh”, e për këtë duhej të na ndihmonte..

Të dy specialistët erdhën e morrën kontakt me gjendjen dhe panë se në krye të detyrës me rezultate tepër të kënaqëshme ishte Mihal Dilo. Të habitur dhe të befasuar njëkohësisht me punën e tij të mrekullueshme ata kuptuan se nuk ishte e nevojshme prania e tyre sepse veterineri në fjalë, ishte në gjendje jo vetëm ta përballonte të keqen por dhe mënyrat që përdorte ishin shumë të avancuara dhe më efekt se të tyret. Shkuan në Tiranë dhe folën me një konsideratë të lartë për Male Dilon e thanë se ishte një hero i vërtetë që duhej dekoruar e shpërblyer për punën e tij gjeniale. Kishte aty tek flisnin edhe nga ata që e dëgjuan fjalën e tyre e e përhapën atë. Male Dilo do të dekorohet për punën e tij shembullore. Të gjithë prisnin dekorimin e bile disa kishin menduar një festë të cilën e meritonte veterineri i talentuar e i papërtuar. 
Mihal(Male) Dilo

Dhe .. erdhi!Dekorimi? do të pyesë dikush gjithë kureshtje
Jo more jo! Pushimi nga puna erdhi, Me ç’motivacion?Kurrë nuk u mësua. Male Dilo, ai që kishte punuar pa u lodhur, që kishte derdhur jetën dhe kishte vënë zemrën në themel të një pune të ndershme pothuaj 30 vjeçare të ndërgjegjëshme, pushohet nga puna më 1953. Pasuan pothuaj 20 vjet pa punë. Vitet iknin, po afrohej dita që mbushin moshën për pension. Kërkoi dhe i thanë se nuk i takonte pension. Pse? Malja e ngriti në gjyq çështjen dhe gjyqi i përpiktë e me një besnikëri e devotshmëri akute tha se nuk i takonte pension sepse...sepse ... i duhej edhe një DITË punë 

Deri tani kemi arritur në :të qash apo të qeshësh!. Tani filloni si të doni, të qeshni a të qani, sepse i miri Male, sado që kërkoi, sado që tha se pranonte çdo lloj pune të bënte për të plotësuar atë NJË ditë të vetme, që të merrte pensionin që i takonte, nuk mundi kurrë të gjente një vend e të kryente NJË ditë pune që t’i shënohej për të plotësuar ditët e pensionit të tij. E kështu nuk ju dha kurrë pensioni! Përse? por sepse të gjitha ishin të llogaritura. Sepse një mendje djallëzore të njëjtën gjë bëri edhe me të tjerë, ashtu mendonte se mund të këputte e të përulte njerzit e mirë e të ndershëm, t’i bënte ata të kërkonin e të shndroheshin në lipsarë...... 

Jo vetëm që nuk u përkul Male Dilo por këtu ku të vjen të vesh ulërimën, ai i qetë tha me një zë që kumboi gjithashtu i qetë. -Kështu e desha jetën unë...Dhe kështu , ai , i palodhuri, i miri, gojëëmbli Shqipja krahëshkruar e Zagorisë dhe gjithë qarkut të Gjirokastrës iku nga kjo botë si një fisnik i vërtetë...Varrin e tij e hapëm ne familja , sepse varrmihësit nuk pranuan të hapnin varr për të deklasuarin. Pllakën e varrit e solli nëna natën për gjith natën sepse as pllakë nuk kishte për atë që ishte zemra e madhe e të gjithëve për të gjithë, gjithmonë!Eh o Zot!Më mbaj dorën e edhe mendjen se nuk dua të blasfemoj!

Veç një gjë do të doja të mësoja , ata që kishin shpirtin e djallit, vallë ç’kënaqësi ndjenin kur nxirrnin nga skutat e errta të mendjes së tyre të tilla ide që bënin të dilte në pah kafshëria e tyre, harbutëria e sidomos injoranca e tyre shtazore. Malja jetoi , punoi e vdiq me nder si ai askush tjetër. Por për mjeranët që kishin thurur intrigën e rronin nën hijen e saj, kam frikë se aty ku kanë shkuar janë mbështjellë nga gjëmba të mprehtë e të shtrëngueshëm . Përse i mendoj në këtë pozicion? Por sepse edhe këtu, në jetë , ata nga të tilla gjemba ishin të mbështjellë, ose më saktë gjemba ishin që donin të shponin e të ngatërronin botën të gjithë, kurse aty ...shpojnë vetvehten. Lanet paçin e vuajtja e tyre e pambarim le të sjellë në mendjen e tyre ato që kanë bërë në të gjallë. A thua njëherë të njohin pendimin?
Ksenofon M. DILO




Friday 18 October 2019

NJË JETË SI PRUSH DUSHKU

 Portret

nga: dr. Selman MËZIU
Firence, Itali           
Selman MËZIU
            E dua tej mase. E njoh mirë dajen tim. Nuk peshohet me flori.  Jeta e tijë kishte nis siç formohet orteku. Ajo ishte mbushur me dhimbje. Që e thernin në shpirt. Që e mpakën fizikisht. Ai që i vogël u rrit si krimbi në gur. Nana mbeti e vetme. E kishte një djal për rmall. Si dritën e synit. Burrin ia vrau gjaksori në Xharxhisht. Aty ku bari rritej e lulëzonte pa pushim. Aty ku delja e lopa kullosnin të lirshme. Ku kusiat mbusheshin me qumështin që avullonte. Ndihesh aroma e luleve e barëra malesh. Nën erën e freskët të bjeshkëve shkëmbore gëlonte jeta baritore e malsorëve. Ku dielli lindte e falesh me bukuri të rrall. Ai dhe vetem ai iu ngrohte zemrat e ngjallte shpresat. Tre lule, u rritën si në bjeshk. Ato, motrat, zemër mira e shpirt dlirtave iu erdhi mosha për martes. E ashtu u ba sipas zakonit, dullaku në kok e krushqia i çuan te burrat.
            Ai filloi shkollën. Nuk kishte abetare. As bishta e maje penash. Jo shkruanin me thengjillat e dushkut marrë në voter të oxhakut. Ose lluksi i madh ishte kur një laps mësuesi e priste me frushk në tre copa. Shkamat prej drrase ishin karriket e atëhershme. Pse jo, ulur kam kryq mbi lëkura delesh. Zyberi arrriti rezultate të mira. Ai dhe e motra e vogël filluan të japin mësim, më të vegjëlve. Ishte koha kur shqiptarët ishin analfabet. I dhan bursë studimi në bullgari për inxhinier pyjesh, por ia përdrodhën varfanjakut të Çidhnës së poshtme. 
            Ai dhe motrat, Nazja, Zarja e Liha, hanin përshesh me kos. Buka e misrit e mbuluar me kosin e deles, mbushte lugët e drujta dhe barkun e fëmijëve të Nilk Matreces. E ardhur nga një fis i vnjeshëm e me za të Sinës. 
            Por, një ditë prej ditësh policia e arreston. Jeta e tij njomzake hyri në çeli. Ishte e ngusht. Me lagështi. Një erë mbytëse të shtërngonte në fyt.  Pa drita. Një sup e hollë orizi ku shikohesh fytra dhe kokrrat e tij notonin në ujë. Muaj të tanë pa u rruajtur. Pa lamun shtatin. Trupi u hollua duke i  mbetun vetëm kockat. ‘’Uji më dukesh në fyt kur kalonte, se ai fryhej. Shkonim edhe në punë. Me kazma me bishta që të gjakosnin pllamën e dorës. Pyesja veten- tregon Zyberi- a do të dal i gjallë. Nana më takonte shpesh, më sillte ushqime. Ajo ishte tretun si qiriu. Vetëm qante. Lotët sa një grusht i shqisnin faqeve. Burrnesh ishte. Por dhimbja të ligshton, të dobson, të përgjëron.,,
            U lirua nga burgu. Me shpirt të dhunuem prej vuejtjeve. Me trupin e pakët e kamët si shkopinj. Sa shkoi në shtëpi. E këputi kolli. Ai ishte i thatë. Mushkritë i dhimbnin bashkë me fytin. Dhimbja e torturonte pa kufi. Zyberi, i riu me plotë enrgji po fikej. Doktori i dha menjehere fletën e shtrimit. Në sanotariumin e Tiranës. Fytyra e verdhë, sytë e skuqur, vetullat të ramuna posht e duart si karthia i trembën mjekët. Filloi rregjimi i rreptë me ilaçe e ngrënjen e përzgjedhur. Nana e ndiqte pas duke i çuar gjalp deleje e mjalt nga bletët e shtëpisë.  Ajo nuk i hoqi shpresat. Një ditë djali do te më shërohet, mendonte nën za.
            Edhe pse u deshën vite, daja Zyber më se fundi e kaloi vorrin për së gjati. Por, jo, se këtu mbaroi lufta për jetën. Jo, se pikërisht  nana nuk i jepte ajkën e qumshtit, hojet e mjaltit e mishin e freskët në çdo stinë. Ai filloi bari në bjeshkë verës. Dimrit në kasolle i ushqente me bar nga  mullarët ose në stan, korrun në pllai, me gjeth dushku, shkoze, jonxhe dhe kashtë misri. Mushkat  i ndërronte çdo pesë gjashtë vjet. Patkonjt, thumbat i bante në farkën e tij.  Barin e kosiste me qejf, e tokte vetë kosën.  Kosharin të thurur me thupra frashni e bani të ri. Në vjesht e mbushte plotë me kalli misri.
            Një ditë prej ditësh nana i thote: ‘’Tani biri im, mbarove ushtrinë të ka ardhun mosha me u martu, me u fut në rradhë me moshatarët e tu.- Mire  nanë, - I përgjigjet Zyberi, 
-  fjala jote asht ligj për mua. Dasmën  e bani të madhe.  Kuptohet ishte djal deshiri.  Nusja e tij Xhibe Bucja nga Zall Dardha, fytyr kuqe si molla, trupin si cung lisi. E zonja si nga fisi i saj, sa nuk shahesh. Filluan të lindni zogjt. Po e vërtet, kështu i thonë nga anët tona.  Të shpesht si qershitë në degë. Të pashëm si mollat në pemë.  Punët për nanë Xhiben e gjyshen ishin kaq shumë sa nuk merrshin frymë. Fëmijët, blektoria, ara, punët e shtëpisë.  
            Babait të shtatë fëmijëve i duhesh me punue, ma fort, pa me pushue një minut. Me u dashuru me natyrën. Me e njohur atë cep më cep, shkurre më shkurre, zabel më zabel. Me njoft prodhimet e saja. Me i vumun ato në shërbim te vetes e familjes. Vetë ai filloi të përdori zdrukthin., tesken, mistrine.  Të bahej mjeshtër i bamjes se shekave, vozave, bucelave, sofrave, dyerve dritareve etj. Të njifte drunin, dobitë, fortësinë, cilësitë, përdorimet.  Shtëpisë i duheshin tava për bukën, shporta, kosha, ai dinte t’i thurte me thuprat e lajthise të shenjeve, te zbardhura ose jo. Eshkën për farkën e pregatiste me djegjen e drurit të dushqeve ose dëllinjave. Në shtëpi deri vonë nuk përdorni çibrit për të ndezun zjarrin, por, eshkën dhe unurin. Ndriçimin me çiri, kandil ose kunja pishash deri në vitin njëmijë e nandëqind e shtatëdhjetë e një.
            Mendja e Zyberit ishte femër, gjithe kohërat e plleshme. Ai nuk lodhesh pse bante pesembëdhjet ore pune. Dilte nga shtëpia kur hana e yjet dukeshin qart në qiell kurse kur kthehesh rrezëllonin rilindjen me shkëlqim. Kujdesesh për bletët, për kingjat, viçat për qenin që e runte tek stanet në bjeshkët e pllaut. Ai bante lugjet për të pimun ujë blektoria, por, edhe krojin prej druri lajthie ose thane për të pirë e freskuar bariu.  Jo jeta nuk mabaronte me kaq, ai njihte si një botanist i mirë bimët aromatike, mjeksore sherebelën, trumzën, kokrrat e dëllinjave të murrizit të cilat i mblidhte dhe njihte teknologjite e tharjes e përpunimit.  Këto gjendeshin në pyje, livadhe, brinja, bjeshkë, atje ku që i vogël kishte kullotur dhitë, dhente, lopët... Kjo pune lindi kur blektoria u tufëzua. Zyberi i lindur me njëzet gusht 1930, fatmirësisht udhëton për  nantëdhjetë vjetshin, nuk pin ilaçe farmacie as me gjilpana nuk e shpon trupin, derën e siptailit nuk e din nga është. Ai përdor çaijin e malit, kokrrat e murrizit, kaçat, lulet e blinit apo langun e thanve etj., kur  semuret ose e kap gripi.
            Femijët filluan të rriteshin. Kishte jetuar të kaluarën me njëmijë e një sakrefica por e kuptonte dhe pregatiti të arrdhmen e fëmijëve duke i çuar nëpër shkolla profesionale e universitete.  Ndërsa vete vazhdonte jetën me njëmijë e një zanateve. Djepet ku përkundeshin fëmijët, nipërit e mbesat i bante vet, biles edhe me gdhendje me motive natyrore, gjethe, lule, fruta, bisqe etj.  Shtrungën në pllaj e vathën e thurte vete me hunj e thupra. Ku i priste me të zgjedhur e trasportonte mushka e cila ishte bashkëvuajtëse, shoqerueseja e përhershme dhe besnike. 
            Askujt nuk i shkonte ndërmend se do të ndodhte shpopullimi i fshatit. Sa filloi levizja studentore  ku sistemi socialist po dridhesh me mure e themele,  ishte ndër të parët që kufizoi tokën në kodër Kamëz dhe ndërtoi vetë shtëpinë e parë. Une nuk iu besoja syve dhe më dhimsesh kur me hunj, teneqe, hekura kufizonte tokën dhe flinte jasht e më pas  në shtëpinë e ndërtuar e projektuar vetë.  Tani aty ngrihen shtëpi dy, tre katështe të djemëve të tije acgan.
            U rrokullisën orteqe jete mbi këtë njeri të fortë si çeliku. Të papërteushëm e të sakreficës. Që u dashurua pas familjes, nanës, tokës, misrit, grurit e theknës, duke u gëzuar kur i shinte në lam me mushkën e tij. Ai mbillte rrrushin, mollën, ftonjt i priste e pregatiste reçel,  uthull thanash bante gjithashtu. Krenari, kokuluri në punë, askujt, kurr, nuk i shtriu dorën. Zyberi ose Beli i thirrin bijtë e tij, kur ulesh në krye të vendit fliste pak, në kohën e duhur. Ai me diplomaci e zgjuarsi e njihte mirë udhën se ku duhet të godiste me fjalën që thoshte.  Shpesh më rikujtonte shprhjen: Plumbi shpon mishin, trupin, fjala godet shpirtin. Të gjashtë djemtë  dhe vajza tani e gëzojn me nipër e mbesa, me punën e familjet e tyre që janë shpërndar nëpër botë siç thotë ai: Si dhitë e veles.
Zyberi me djalin në parcelat që ka mbjellë me sherebel (Salvia oficinalis)
            Ai nuk ka lexuar shume libra. Por kjo nuk ban fatkeqësi për mbarvajtjen e jetës. Zyberi lexoi me kujdes, shkronjë për shkronjë, rrokje për rrokje, fjalë për fjalë, librin e jetës. Ai nuk u përgjum, nuk ju hap goja, nuk dremiti mbi atë, por e mësoi shkëlqyer,  e zbatoi në praktikën e përditshme. Ai u ba vetë heroi kryesor i këtij libri, një hero i gjallë, i pazashëm, i thjeshtë, me duart plot kallo, me fytyrën e hequr  e dy sy që i shkelqejn. Zyber Krrashi është sot gjeograf i mirëfillt, se njeh gjithë toponomistikën e çidhnës, botanist se njeh bimët, mjek popullor se shëron veten dhe të tjerët, mjeshtër i dhjetra zanateve. Për rininë e sotme ky plak pothuajse nantëdhjetë vjeçar i papërkulshëm, është si ato burimet e shtigjeve të maleve e bjeshkëve, që shuajn etjen e gjithe udhëtarëve. Këto janë margaritarët me shkëlqim të gjelbërt për rininë e fshatit edhe pse nuk e mposhtën as sakerficat e panumurta në udhëkalimin jetë, as nga forcat e natyrës. Prushi i druve të lisit lëshon mjaft nxehtësi, shuhet me shume ngadal në thengjij të fikun, mbulue me pak hi.
  Firence 08.10. 2019                                    
Selman Meziu