Saturday 26 October 2019

PËR MALEN E MALEVE, MALE DILON

nga:  Ksenofon DILO
Firence, Itali

Ksenofon DILO
Të rrosh , a të mos rrosh...
Thoshte Shekspiri në veshin e Hamletit.
Të qeshësh a të qash...

Them unë dhe thërras që të më dëgjojë bota e të më ...përgjigjet
Në shtëpinë tonë, si dhe e kam thënë shpesh kishte një vlerë të konsiderueshme puna dhe kjo ishte e saj në shkallën sipërore kur mendohej se babai im, Mihal Dilo , punonjes nga te paret e veterinarise në vëndin tonë , i mirë dhe i palodhur kudo ku e kërkonte nevoja. Ai vërsulej e nuk kursehej të jepte maksimumin , duke i dalë së keqes përpara e duke e smbrapsur atë. Kishte emër të mirë e të nderuar dhe kjo e kënaqte por gjithashtu e shtynte të bënte edhe më mirë punën e tij dhe të ishte sa më korekt gjithmonë , në çdo gjë. 

Kishte rënë një sëmundje e rrezikshme në gjënë e gjallë që godiste shqerrat dhe humbjet qenë të konsiderueshme. Por Malja ishte aty ku ishte bërthama e së keqes e punonte natë e ditë pa u çlodhur Problem i madh qeveritar . Humbja e gjësë së gjallë ishte me të vërtetë diçka shqetësuese për qeverinë. Kontratat me jashtështetit, qingjat e shijshëm në tavolinat e tyre...
Thirrën dy specialistë rusë. Rusia atëhere ishte “vëllai jonë i madh”, e për këtë duhej të na ndihmonte..

Të dy specialistët erdhën e morrën kontakt me gjendjen dhe panë se në krye të detyrës me rezultate tepër të kënaqëshme ishte Mihal Dilo. Të habitur dhe të befasuar njëkohësisht me punën e tij të mrekullueshme ata kuptuan se nuk ishte e nevojshme prania e tyre sepse veterineri në fjalë, ishte në gjendje jo vetëm ta përballonte të keqen por dhe mënyrat që përdorte ishin shumë të avancuara dhe më efekt se të tyret. Shkuan në Tiranë dhe folën me një konsideratë të lartë për Male Dilon e thanë se ishte një hero i vërtetë që duhej dekoruar e shpërblyer për punën e tij gjeniale. Kishte aty tek flisnin edhe nga ata që e dëgjuan fjalën e tyre e e përhapën atë. Male Dilo do të dekorohet për punën e tij shembullore. Të gjithë prisnin dekorimin e bile disa kishin menduar një festë të cilën e meritonte veterineri i talentuar e i papërtuar. 
Mihal(Male) Dilo

Dhe .. erdhi!Dekorimi? do të pyesë dikush gjithë kureshtje
Jo more jo! Pushimi nga puna erdhi, Me ç’motivacion?Kurrë nuk u mësua. Male Dilo, ai që kishte punuar pa u lodhur, që kishte derdhur jetën dhe kishte vënë zemrën në themel të një pune të ndershme pothuaj 30 vjeçare të ndërgjegjëshme, pushohet nga puna më 1953. Pasuan pothuaj 20 vjet pa punë. Vitet iknin, po afrohej dita që mbushin moshën për pension. Kërkoi dhe i thanë se nuk i takonte pension. Pse? Malja e ngriti në gjyq çështjen dhe gjyqi i përpiktë e me një besnikëri e devotshmëri akute tha se nuk i takonte pension sepse...sepse ... i duhej edhe një DITË punë 

Deri tani kemi arritur në :të qash apo të qeshësh!. Tani filloni si të doni, të qeshni a të qani, sepse i miri Male, sado që kërkoi, sado që tha se pranonte çdo lloj pune të bënte për të plotësuar atë NJË ditë të vetme, që të merrte pensionin që i takonte, nuk mundi kurrë të gjente një vend e të kryente NJË ditë pune që t’i shënohej për të plotësuar ditët e pensionit të tij. E kështu nuk ju dha kurrë pensioni! Përse? por sepse të gjitha ishin të llogaritura. Sepse një mendje djallëzore të njëjtën gjë bëri edhe me të tjerë, ashtu mendonte se mund të këputte e të përulte njerzit e mirë e të ndershëm, t’i bënte ata të kërkonin e të shndroheshin në lipsarë...... 

Jo vetëm që nuk u përkul Male Dilo por këtu ku të vjen të vesh ulërimën, ai i qetë tha me një zë që kumboi gjithashtu i qetë. -Kështu e desha jetën unë...Dhe kështu , ai , i palodhuri, i miri, gojëëmbli Shqipja krahëshkruar e Zagorisë dhe gjithë qarkut të Gjirokastrës iku nga kjo botë si një fisnik i vërtetë...Varrin e tij e hapëm ne familja , sepse varrmihësit nuk pranuan të hapnin varr për të deklasuarin. Pllakën e varrit e solli nëna natën për gjith natën sepse as pllakë nuk kishte për atë që ishte zemra e madhe e të gjithëve për të gjithë, gjithmonë!Eh o Zot!Më mbaj dorën e edhe mendjen se nuk dua të blasfemoj!

Veç një gjë do të doja të mësoja , ata që kishin shpirtin e djallit, vallë ç’kënaqësi ndjenin kur nxirrnin nga skutat e errta të mendjes së tyre të tilla ide që bënin të dilte në pah kafshëria e tyre, harbutëria e sidomos injoranca e tyre shtazore. Malja jetoi , punoi e vdiq me nder si ai askush tjetër. Por për mjeranët që kishin thurur intrigën e rronin nën hijen e saj, kam frikë se aty ku kanë shkuar janë mbështjellë nga gjëmba të mprehtë e të shtrëngueshëm . Përse i mendoj në këtë pozicion? Por sepse edhe këtu, në jetë , ata nga të tilla gjemba ishin të mbështjellë, ose më saktë gjemba ishin që donin të shponin e të ngatërronin botën të gjithë, kurse aty ...shpojnë vetvehten. Lanet paçin e vuajtja e tyre e pambarim le të sjellë në mendjen e tyre ato që kanë bërë në të gjallë. A thua njëherë të njohin pendimin?
Ksenofon M. DILO




No comments:

Post a Comment