Monday 25 September 2017

MËMA - Novelë nga KOÇO KOSTA

Koço KOSTA
Është natë dhe pallati ndodhet fare përskaj korridorit të luginës. Diku pranë dherave të sheshta të kësaj lugine, këtu tek mbaron rrjedha e malit, janë çelur themele dhe është ngritur edhe një pallat tjetër. Në katin e tretë të këtij pallati banon familja ime: unë, gruaja dhe dy fëmijët.
Emisionet televizive kanë reshtur dhe përjashta është terr i thellë.
Gruaja dhe fëmijët flenë matanë. Në skajin e majtë të tryezës ime shoqe lë gjithmonë një pjatë të bukur të hershme. Në pjatë janë vizatuar zogj që këndojnë bujshëm. Në krahun e djathtë, tek jam ulur, bubullon soba.
Është stinë dimri. Është natë e ftohtë. Nëpër luginë vrapojnë erëra të ngricëta. Ulërijnë si kope të xhindosura. Sikur diku larg, te shtabi i vet madhor t’i kenë thirrur, t’i kenë kritikuar ashpër për ngathtësi dhe, pas kësaj, vetë këto erëra të jenë sulur, sakaq, përjashta nëpër fushëtirën e ngrirë të luginës. Dhe tani ulërijnë.
Dhe unë ende rri e mendohem i përkulur, i vetëm mbi tryezën e punës. Në ballkon, para dy vjetësh, kam sajuar një qoshe dhe kam mbjellë një hardhi. Kujdesem për të dhe në pranverë e veçanërisht në verë ajo harbohet. Degët e holla pa gjethe, me sythet e mbyllura zgjaten mbrapa shpinës sime, matanë kuadratit të xhamave dhe heraherës çukitin me nervozizëm, sikur të thonë: Ne mërdhijmë, po, mërdhijmë! Çele … të ngjitemi diku qosheve të dhomës e të ngrohemi pakëz!
Është erë nervoze dhe ato vazhdojnë të ngatërrohen e çukitin! Çukitin!
Disa herë jam behur i mbërthyer nga një shqetësim i menjëhershëm. Por ulërima e erës godet ende më me tërbim dhe edhe më keq përzihen përdredhjet skelektike të hardhisë, dhe një çast tjetër më duket sikur hardhia, me ata gishtërinj të çuditshëm ngjyrë dheu, troket me ngulm në dritare.
Sikur të mos jetë hardhia?! Sikur … më flet mua dhe më  ngre të zgjohem nga dremitja!
Befas më kujtohet Mëma. Ajo është në Fshat, atje matanë luginës, në kodër. Pranë shtratit të saj, tej murit nën pullaz, është një pemë dhe druri i dardhës tani sigurisht që s’ka gjethe. Dardhën e mundon era: e fërkon, e godet pas gurëve të bardhë të ftohtë. Dhe Mëma, ka gjasë të jetë zgjuar dhe shikon në errësirë. Me sytë e mallit prej Mëme ajo çjerr të zitë e natës dhe përqas pjellat e saj që ndodhen larg.
Unë ndodhem larg. Ndodhem këtu në qytet, në katin e tretë të një pallati dhe kam grua, dhe kam dy fëmijë, dhe jam i gëzuar e me plot halle. Më dhemb pak zemra pikërisht tani. Diçka m’u mpi. Kujtimi për Mëmën më sëmbon rëndshëm, krejt ndryshe. Sa herë që e dalloj atje larg, ndiej një mall e një dëshirë kaq të madhe, që vetëm një brengë di ta mbajë: Brenga e zemrës sime.
Kur vjen këtu tek unë e ndiej se gëzohet, po shquaj gjithashtu se diçka kërkon! Këtë nuk e flet, po kuptohet.
Mëmka ime! Ti nuk e sjell dot tërë Fshatin, punët që të presin atje, me vete! Ti nuk mund ta gjesh atë këtu! Ndaj unë përsëri shqetësohem, ndaj zemra ime prapë sëmbohet. Ç’të bëj unë me ty?!
Dhe, kur ndodhesh këtu, kur do të ikësh, ti pas kësaj, ngrihesh herët në mëngjes e kërkon të ngjitemi Tek Agjencia.
Ashtu bëjmë. Ashtu. Paguajmë biletën dhe presim. Që andej do të niset për të kaluar nëpër Fshat ajo makinë korrierë, me të cilën do të udhëtosh Ti, Mëmë!
Bënte ftohtë edhe atë mëngjes! Bënte shumë ftohtë. E ndieja se po më ngrinin majat e gishtave brenda në këpucët me lëkurë derri. Dridhesha aq sa më dukej sikur do të më binin dhëmbët. Nuk doja që ta pikaste Mëma, po s’mundesha dhe lëvizja sikur kërkoja se prisja të shfaqej dikush. Dhe çuditesha se si ajo qëndronte pa lëvizur mbi këmbët e holla me çarape të zeza. Çuditesha! Ajo është 86 vjeç, e rrudhur dhe e mpakur. Shamia e zezë ia mbulon krejt flokët e bardhë dhe unë, biri i saj, s’e përfytyroj dot pa shami. Pa atë shami! Jo vetëm kaq: Koka e zbuluar e Mëmës më hap papritur një humnerë tronditëse.
Këtë shqetësim shpirti im e ka provuar tepër rrallë.
Atë mëngjes, e vështrova drejt, sikur ta përpija, që të ngopesha me mëmësi, që, përgjithmonë, ta kisha me vete thellë, brenda në gjoksin tim.
Ja, sonte e vështroja me sytë e kujtesës: më dukej sikur ai shtati i brishtë i saj më ndillte udhën për në Fshat. Ai qe shtegu. Pikërisht ai.
Ti ke ftohtë, tha Mëma. Ti ke ftohtë, tha përsëri ajo.
Nuk kam ftohtë, thashë.
Po nuk dëgjoi ç’thashë unë. Supet e vogla, të përhumbura diku midis rrobave të shumta të zeza të veshura njëra mbi tjetrën, u përpoqën ende që të ngrinin mure përskaj lugut të tharë të gjoksit. Ajo bëri dridhje nga një brengosje e çuditshme.
Atëherë nuk ike mirë, tha pastaj. Nuk foli më, po heshti. Vërente përbrenda vetes. Ndërsa mua më mbetej t’i shkoqitja mirë ato të folura eliptike të saj. E kuptova se përsëri tha diçka për atëherë, kur unë u largova fundimisht nga Fshati. Atëherë kur mora gruan dhe u vendosa në qytet. Në Fshat, në shtëpi, ngelën vetëm vëllai dhe Mëma. Dhe disa sende: shtëpia, kopshti i vogël, gomari, lopa, viçi dhe dhjetë dele e pesë dhi. Kaq. Ngelën gjithashtu brigjet, rrëketë, shpellat, drurët. Mbeti klithma madhore e fëmijërisë sime, gjurma e gjyshit, e babait dhe kupa e qiellit që më ngrohu sëpari. Në atë ndarje apo ikje, në të vërtetë, s’pati asgjë poetike. Përkundrazi, unë u trishtova sikur m’u ça zemra, se m’u duk sikur ndahesha së gjalli me Mëmën, me gjithçka: Me Fshatin tim, pra.
Kaq.
Më vonë vëllai u martua. Ende pa hyrë nusja e vëllait në shtëpi, më dërguan dymbëdhjetë kilogramë lesh. Me atë lesh ne bëmë qilim dhe gruaja ime është tepër e kënaqur.
Vëllai tani ka lindur djalin e parë. Ne shkojmë shumë mirë me nusen e vëllait, po Mëma ende nuk nxiton ta ngjisi kunatën time në relievin e familjes sonë. Ende! Kurse nusja e vëllait…
Të pimë edhe diçka, i thashë atë mëngjes Mëmës dhe i tregova Klubin.
Mërdhih, prandaj, tha ajo. Ti mërdhih! Kurse mua më ngroh rroba e leshtë.
Nga mënyra si e lëvizi nofullën volake, kuptohej se Mëmën time e kishin braktisur tërë dhëmbët. Kuptohej gjithashtu se ajo po zemërohej.
Nëpër grykën që më dukej sikur fërshëllente po më ngjitej kolla. Bëra përpjekje ta ndalja po s’munda.
U  kolla si një i sëmurë.
Të duhen çorape leshi, tha Mëma. Ajo foli sikur belbëzoi.
Të duhen çorape leshi dhe fanellë leshi!
Mërmëriti këto dhe më hetoi me sy. Pas kësaj, sikur të fliste përsëri me vete, tha:
– Je i mpakur, i dobët! Shoh djem të mëmave që i shpoi shëndeti! Ti sikur digjesh përbrenda, o djalë!
Më shikonte drejt, sikur të kërkonte një shteg për të parë atje ku digjesha…: Pse digjesh, o bir?!
Shikimi i saj u tret në pikëllim.
– Atëherë nuk ike mirë! Nuk ike mirë nga Shtëpia e Fshati. Duhej të ishte ndarë gjë e plaçkë e katandi!
– Unë kam nga të gjitha, – i thashë.
– Po çarape leshi s’ke! Në paç tjetër gjë me bollëk, zgjatja vëllait. Sipas dëshirës, sipas zemrës. Po çarape leshi s’ke!
Heshti. Sytë e saj më shikonin drejt. U tremba se ajo bën zemërime të befasishme.
Kjo Mëmë është e pangopur në kujdesje, thashë me vete.
Lëviza me njëfarë kujdesi dhe ngjita shkallët e ulëta të Klubit Te Agjencia. Xhamat e tij ishin të veshur me avull të trashë. Lexova orën: Edhe njëzet minuta, pa të vinte makina me të cilën do të arrinte Mëma në Fshat.
Unë e kisha merak udhëtimin e saj.
– Tani s’jam unë zot në atë shtëpi, – tha ajo. Ajo ndodhej fare pranë meje.
– Ty të kemi Mëmë, – thashë.
– Edhe yt vëlla s’është zot më vete. Është hisetar; vetë i dytë, siç ke hisetarë ti në kalanë tënde këtu në qytet, tek ke ngritur folenë.
E shikova drejt, se mos dalloja ndonjë të çarë midis kunatës dhe Mëmës.
– S’është puna atje, – tha ajo. – S’është…, po dua të jem në rregull; të jem me nder. Nusja e Fshatit ngre jetën e saj tani dhe mua më takon të gatitem për tjetër pajë. Mendja ime s’duhet të komandojë më; s’më takon! Ja, ta zëmë se i them të ngremë dy okë lesh deleje e të ta dërgojmë ty që të vishesh me çorape e fanellë. Që të vishesh në lesh tani në dimra. Ja, ta zëmë se ajo thotë mirë, o mëmë, zgjedhim dy okë lesh, i pastrojmë, i llanaritim, i tjerrim dhe ia dërgojmë. Po në qëlloftë ndryshe?: Po në marrtë vrap e të sillet nëpër dhomat e shtëpisë bramp, brumb, të fshijë e të lëvizë sendet me fshesë e gjunjë? Ç’të bëj unë pastaj?! Bijë bote është, biro! Apo të gërnjepsem e t’i hedh fjalët në dhé! Të dal nëpër sokakët e fshatit?! Unë me të do jetoj. Mbase të thotë mendja që të iki e të vij te ti. Dhe pastaj, kur të më vijë ora, të vdes?Po ç’të lë, pa? T’ju lë të përçarë?! Jooo, kështu s’bëhet, derman! Ndaj s’e bëmë tamam kur ike përngaherë. Po … Mirë, e pi dhe një kafe, veç e bluajnë keq, e lënë koqerakoqera.
E zurbi kafen me ëndje dhe dyshime që ia shikoja në sy.
Edhe pak minuta dhe do të ndaheshim. Ajo do të udhëtonte drejt djalit tjetër, drejt Fshatit.
Fliste diçka dhe kujtohej të vështronte me sy të mprehtë nga xhamat e veshur.
Edhe atje, tani që po kujtoj këto, sigurisht që era rrëshqet nëpër plloçat e shtëpisë dhe nata ka ulur supet dhe laget apo plevitet nga dëbora.
Kujtoj këtë Mëmë, Mëmën që s’ka të dytë. Mundohem ta zotëroj të gjithën duke e përfytyruar. Ajo ma mbush kabinetin e punës me një bukuri si të një virgjëreshe. E përfytyroj me kujdes, me etje, me dëshirë të pangopur. Në mishrat, fjalët, gropëzat, hijet, zemërimet dhe buzëqeshjet ka lëshuar burimin e saj të dëlirësisë. Ajo ka fytyrë shumë të fisme: Fytyrën e Mëmës. Sikur të qe mbledhur ekipi më madhor i Poetëve më të talentuar e më të ndershëm i të gjitha Kohëve të Botës dhe të kishin ngritur Mëmën: Triumfin, gëzimin më të pafajshëm. Dhe Fshatin aq të bukur: Jetën.
Dhe shekullin tim!
Këëëtë!
I
Disa dimra më parë, në një xëcllëk të tillë të egër u ndodha pikërisht atje. S’isha martuar ende. Atëherë Mëma ishte 80 vjeç. Qe natë, frynte erë dhe kërcitnin drurët përjashta nëpër kopshte.
Mua m’u prish gjumi dhe ndieja të ngjethur. Isha i mbuluar me jorgan e velenxë, po përqark ndieja ca frikëra të stisura, sigurisht. I përfytyronte mendja ime. Desha t’i flisja vëllait në kthinën ngjitur, por ai gërhiu dhe e ndjeva se po shlodhej në gjumë. Në dhomën tjetër dëgjova zhurmë.
Vajta matanë. Drita qe ndezur. Mëma ishte ngritur përgjysmë në shtrat! dhe thurte me shtiza! Thurte çarape leshi!
Oh, ka ca gjëra të hidhura, tepër të rënda, të papranueshme për njeriun. Po janë të vërteta, dhe e vërteta vjen, s’fshihet. Si mund t’i fshihja atëherë të 80 vjetët e lodhur të Mëmës sime! Si mund t’i nxija unë flokët krejt të bardhë të saj!
Ishte mesnatë dhe errësira qe tërhequr nëpër qoshe, dhe shaminë e zezë tradicionale s’e kishte te kryet. Në kokë ishin borërat e viteve të moshuara. Ishin flokët e rrallë të zbardhur.
Unë ndenja pranë saj dhe një hop mendova të sillesha sikur isha zgjuar që të kërkoja diçka nëpër dhomë. Që të mos e vështroja drejt Mëmën e plakur, fytyrën e saj tërë rrudha, qafën e hollë nëpër të cilën i tundeshin fragmente lëkure. Që të mos i shihja veshët e brishtë, aq të tejdukshëm! Dhe gropat e syve, dhe flokët e drojtur të bardhë, të ngatërruar me mundimin e madh për të mbajtur gjallë ende dy bishtaleca të thurur, bishtaleca të ardhur nga rinia. Dy bishtaleca si dy rrëkeza të zbardhura që po shternin. Që po thaheshin.
Dhe kafkën tepër të ngushtë!
Mëma thurte, dhe kërcinjtë, me kockat e duarve, i dilnin përpara, dhe gishtat i lëviznin sikur t’i thoshin diçka, sikur me ta të bënte dialog. Ajo qe e heshtur dhe e ndiente shumë poezinë e punës.
Në dhomën e saj gjithçka ishte e thjeshtë aq sa çdo gjë mund ta kapje me dorë palëvizur pothuaj.
Nuk foli. Shpirti im u trazua dhe unë u hutova krejt. Nuk kërkova asgjë nëpër dhomë, por u ktheva me rrëmbim si i çmendur, dhe gjunjët m’u vranë në dysheme, pranë Shtratit të Mëmës. Sëbrendshmi më pushtoi një ndjenjë rrëqethëse, e llahtarshme. Goditëse.
Kërkova duart e gjata në prehrin e saj dhe doja të qaja. Brenda në gjoks kërcente diçka.
Nuk guxoja të qaja. Ta puthja dhe të qaja. Mëmën! Lërmë, Mëmë, të të puth e të qaj! S’di pse!… S’i shpjegon dot tërë gjërat shpirti! Pikërisht nga kjo doja ta tulatja kryet te gjoksi i saj dhe … Dhe të qaja. A do të ma lejonte Mëma këtë? Ajo… hallemadhja ime shekullore!
Dëshpërimi im ato minuta s’kishte hije. Ai qe tkurrje,  mëshirë. M’u duk i tëri si çasti i gremisjes absolute. Më dridheshin tërë nervat. Zemra kishte pritur këtë grim që të shkretohej. Dhe shpirti njëherësh m’u bë si oqean i pikëlluar. Doja të lotoja me hidhërim.
Atëkohë, befas, përjashta në terr krisi diçka: dritat diku bënë masë dhe u fikën.
Unë rrëmbeva pëllëmbët e fishkura të Mëmës dhe i puthja me ethe. Pastaj buzët e mia kërkuan gushën e saj dhe ngelën atje.
Ajo s’bzante. Më trazonte flokët e shprishur dhe më fërkonte lehtë te damarët në qafë nga prapa. Unë… Mundohem e vuaj mbi … Dritat u ndezën. Ngrita kokën dhe e pashë në gropat te sytë. Ajo rregulloi pëllëmbën e dorës së djathtë dhe me gjurmët e mollëzave të tyre fshinte me kujdes lotët e nxehtë që më buronin nga sytë.
– Pi cigare, – tha Ajo e heshtur.
Heshtja e Saj m’u duk sikur mbahej ende e mbyllur si një britmë e mbytur.
Unë kisha shumë turp të më thoshte: Ç’ke? Pse qan? Pse bën kështu?
Nuk më tha asgjë nga këto.
Ajo më tha: Je burrë.
Se mërmëriti: Pi cigare!
Mora paketën dhe ndeza cigare.
– Hidh atë pallto krahëve, – pëshpëriti.
Unë hodha krahëve një pallto të madhe të leshtë, po të përdorur prej vitesh. Ajo pati qenë e Babait. U kolla dhe m’u duk sikur nën pallton e vjetër dëgjova kollën e tij.
– Ai pinte duhan të dredhur, – tha Mëma.
Ai, thoshte Mëma për Babain tim, për burrin e saj të jetës, për atë, varrin e të cilit tani nëpër të errët e lëpijnë erërat e ftohta.
– Ngrihej natën dhe dridhte duhan. Nuk e ndizte me shpirto, po me masat e me eshkë. Eshkën e gjente vetë. Paçka: Ti u rrite burrë, tani!
Zëri i Mëmës sikur ndërroi. U bë disi i rreptë, pa përkëdhelje, pa përlagie lotësh. Ai qe zë mëme e babe sëtoku.
U ktheva mënjanë dhe fshiva sërish sytë dhe faqet. Doja t’i harroja ata lot! Ndërkohë Mëma kishte arritur të hidhte shaminë e zezë në kokë dhe atëkohë ngjante tamam: Pa atë behje të lemerishme të bardhësisë që thërret vde…
– Tani u bëtë burra, – tha Mëma. – Burri duhet të dijë shumë gjëra.
Heshti. Unë e vështrova drejt dhe dallova se Ajo qe bërë e egër. Aq e egër!
– Burri duhet të dijë se zë short, martohet me të, pjell fëmijë, rrit, plaket dhe vdes.
Ajo më drodhi me shikimin e saj pa asnjë lëshim. Tundi kokën: Ej!
– Ç’kujton?
Lotët e mi u thanë në rrënjë.
– Kur lindet njeriu, gëzohemi, po, kur i vjen vdekja, ai duhet të ikë e jo të lemeriset. Ç’kërren nga frika?
Më shikoi prapë drejt dhe sërish tundi kokën sikur të më thoshte: Vëre gishtin tregues në tëmth dhe mendohu një çikë më shumë!
Ky m’u duk një veprim tepër i vrazhdë i dashurisë amësore.
– Do 1indet një njeri? Njerëzia sigurisht e presin dhe përgatiten. Ka edhe vdekje që priten. Atëherë të ngulemi e të vdesim pa turp. T’i shohim në sy gjërat. Nuset, o djalë, bëjnë Pajën e Martesës, bëjnë një punë të mirë, një punë jete. Por unë, si e moshuar, që e hodha e e tërhoqa gjer në këto vite jetën; unë, që tani po shkas këtej, duhet të vë në sënduk Pajën tjetër, atë Të Vdeklës. Që të iki si mëmë e mirë. Që ju dhe nuset të mos meroheni për atë që s’ju takon, për atë që unë mundet ta gatit vetë. Se akoma më punojnë këmbët e duart.
Lëvizi me rrëmbim dhe u shfaq me një forcë tjetër, sikur ajo të qe Mëma e tërë Botës. Mori një arkë të gjatë dhe e tërhoqi nga nënshtrati. Ajo lloj valixheje qe me kapak dhoge të pazdruguar.
– Përderisa akoma s’keni prurë nuse në shtëpi, unë ja, ta them: Këtu po e lë Pajën e Ikjes sime. Kemi ardhur, do të ikim. Këtë të fshehtë do ta dinin ato, po ju akoma s’po rregulloheni dhe nën këtë çati t’ia bëjë fëmija ciu! Paçka! Dhe vajzën e kam larg, në fshat tjetër. Dhe ju, sido që të ndodhë, mundohuni të nderoni veten si fëmijë të mëmës e të atij Babe me emër. Dhe bëni zakonet e mira. Unë kam borxh që të iki e veshur, e mbathur. Prandaj më sheh që po bëj çorape të gjata me lidhësa gjer në gjunjë. Ndaj po gatit lesh që të bëj fanellë e ç’më duhet. Kështu, jo se ndjellim vdekël dhe se e duam atë, po, në ardhtë dhe në s’e përzënçim dot, të mos na lerosë me turp. Apo …
Ajo foli dhe e kishte bindjen sikur po jepte mendimin e urtë. Dhe vërtet, në fjalët e saj të qarta kishte vetëm urtësi. Mendimi i saj qe i pjekur. Ajo ka mendje me një logjikë të përfunduar. Nuk i njeh trillet. Nuk u nënshtrohet atyre dhe asnjëherë s’e ka përmendur emrin e shenjtë të Jezu Krishtit.
Është qenie telurike, qenie tokësore e vërtetë Mëma ime. Dukej sikur tani ndodhej ashtu e mënjanuar atje në Fshat, ngaqë ne fëmijët jetonim larg. Por ajo, megjithatë, gjente forcë te vetmia e saj, te depoja e përvojës së gjatë. Nuk është fantazmagorike. Është e tëra në botën tonë.
Gjithashtu ajo ka hijen e një përralle të madhe që dërgon ëndrra të bukura dhe të zgjon virtyte.
– Fjalë e plakut, trari i pragut, – mezi mërmërita.
Ajo s’i afroi te mendja e vet këto fjalë, më duket.
Dhe sikur më tha: Cuk, s’shkojnë në golën tënde.
Oxhaku përsipër çatisë ulerinte vajtueshëm dhe nata ime u tha, u bë pikëllim pa lot. Diçka dija nga Paja e Vdekjes, po jo, kurrsesi s’doja ta shikoja, të ndodhesha pranë saj. Që Mëma ime të ishte plakur dhe tani të mbyllej e vetme në dhomë, dhe gishtërinjtë e saj të përtharë të bënin atë lloj Paje (!), dhe mendja e lodhur nga mote e mote e Mëmës sime të porosiste tani (?!) për Pëlhurën e Bardhë, për …
Oh, po, sakaq, pikërisht sonte, në këtë natë tjetër, këtu në qytet, që ndodhem larg saj, më duket e tmerrshme që makineria e trurit tim përqas mendime të këtilla! Ç’domethënë kjo? Mëma ime s’i ka rënduar askujt! Përkundër. Asaj duhet bërë këngë për jetën. Ajo vetë, në njëfarë heshtjeje, me shumë dinjitet, end me kujdes pjesën tjetër të jetës dhe e tjerr me merakun që poema e saj të përfundojë pa lënë asnjë bezdi për të tjerët që do të vazhdojnë të gjëllojnë mbi tokën e bukur. Vazhdon të bëjë detyrën, vazhdon të respektojë ligjin e madh të jetës: gjithçka me mund, me dinjitet, sipas një riti të ardhur e të menduar në mugëtirë të tërë shekujsh.
Befas gishtat e saj u zgjatën që mbrapa dhe lënduan xhamin e dritares. U drodha i tëri! Ngriva!
Në xham trokitën dhe, kur lëviza kryet, duke regëtirë sëbrendshmi, u përballa… me perden! Me perden! Mënjanova atë dhe vështrimi im humbi në errësirë.
Nëpër terrin e ngrictë frynte erë. Era tundte degët e hardhisë, dhe degët e hardhisë trokitnin te xhamat e dritares. Jo, gishtërinjtë e rrudhur të Mëmës sime s’janë bisqe hardhish, që të lëndojnë me kujdes xhamat e studios ku punoj. Është hardhia e zhveshur nga dimri.
Ftohtë, ftohtë, thoshte lakuriqësia e degëve të saj. Ftohtë!
Ashtu më dukej mua, që rrija e punoja në studio i vetëm, që ndenja e meditova aq gjatë atë natë. Atë natë që s’po gdhinte.
Kërciti dera dhe në suazën e hyrjes përballë qëndroi shtati i ngrohtë i sime shoqeje.
– Këtu është ngrohtë, – tha ajo.
– Këtu është ngrohtë, po përjashta ngrin, – thashë.
– Uuu! – ia bëri ajo dhe hyri e tëra brenda.
Dera u mbyll ngadalë me ankim.
– Po gdhihet, – tha.
– Kujtoja Mëmën, – thashë. – Kujtoja…
– Kjo erë që ulërin, kjo natë e gjatë dimri të shpie në kujtime.
Ajo hodhi dru në sobën vertikale dhe u ul pranë meje. Unë lëshova kryet. Ndjeva aromën karakteristike të kurmit të saj. Ajo lëshoi krahun në qafën time dhe bariti buzët dhe mjekrën nëpër flokët e mi. I njihja gjestet e brishta femërore të gruas.
– Kujtove Mëmën?
– Mëmën, – thashë.
Sytë e saj prej gruaje u bënë pellg. Ajo ka dashuri pa fjalë. Ne duhemi shumë dhe bëjmë sëbashku atë që ëndërrojmë, po prapë na duket pak. Kemi, gati, një pangopësi të dashur njerëzore ndaj njëritjetrit.
– Pse qan? – thashë. E ndjeva që më regëtiu kombi i grykës, po s’doja të përlotesha në prani të saj.
– Ajo jeton mirë, po se si më vjen! Edhe mua se si më vjen!
Kështu tha gruaja dhe vazhdonte të belbëzonte:
– Më dhimbset. Besomë; e di sa më dhimbset! Më thirri një ditë dhe më tregoi….
– Pajën e Vdekjes, – i thashë.
– Po, – tha.  – Dhe nuk e do vdekjen, nuk e do. Po në një moshë kaq të thyer … Ajo e di…. Mendje esëll! Dikush duhet ta dijë, më tha një ditë. Që të mos turpërohemi. Vdekja është e ligë, po ja që e kemi borxh. Njeriu i shkretë rron pranë e pranë me të. Kështu që s’duhet ta gënjejë veten e të hiqet apo të besojë sikur s’i takon atij vetë. Ndaj, o bijë, kur të arrijë dhe të mos kemi ç’të bëjmë, të mos na gjejë me turp. Vdekja ka vdekjen… Ja, kështu. Besomë: kur vjen ajo këtu, unë dua të jem njëqind herë e më e mirë, të mos e mërzit.
– Ti je e mirë, – thashë.
Përjashta dëgjohej fërshëllima e xhindosur e furtunës. Gruaja më puthi fort dhe ca çaste s’donim t’ia dinim ç’bëhej përjashta.
Pastaj e ndjeva sërish se si era lehu edhe një herë dhe se si, befas,  humbi sikur ta kishin qëlluar për vdekje.
Mos flini, sikur na thoshte ai terr i ngjeshur me këngën e furtunës.
Fli sa flenë Burrat në të tilla kohë, sikur thoshte zëri i Mëmës.
Matanë perdeve, në kuadratet e qelqta të xhamave u projektuan krahët e hollë të kërleshur të hardhisë. Kolla ime pakëz e thatë prishi qetësinë e studios. Ime shoqe më fërkoi dejtë që zbresin te qafa. Kështu më fërkon Mëma. Ajo nga e cila vij. Vendi prej të cilit rrjedh uji. Ajo diçka e cila qëndron mbi të tjerat. Ajo e cila qëndron në krye.
Diçka e dashur dhe e shenjtë: Burim, Gurrë, Amë.
II
Përsëri filloi të zbriste borë me përtesë. Ajo kishte nisur vonë pasmesnate dhe dita qe gdhirë plot me lule. Dhe përsëri shkundej dëborë dhe sërish reshtte.
Ishte dimër. Një dimër që ngjante tepër madhështor. Natën kishte punuar me nxit dhe tani dëbora vazhdonte të ulej në heshtje të rëndë, duke rënë sikur s’përfillte askënd. Prania e saj kishte prishur shumë intimitete. Andaj, në mëngjes, kur u zgjuan, njerëzit kishin arsye të hutoheshin. Ajo i kishte pushtuar në gjumë nga të tëra anët. Gjithkund.
Kisha mënjanuar njërën fletë të perdes dhe shikoja i përhumbur përjashta. Kur shkundet borë, kur bie dëborë që zbret kështu ngadalë me flokët e saj, kur ulet qetë, butë dhe vazhdueshëm, të duket sikur aty në dhomën jote je i shkëputur nga e gjithë bota. Sikur edhe vetë ekziston ndryshe dhe koha ecën ngadalë.
Rrugët e qytetit, lulishtet dhe veçanërisht shtëpitë me çati ishin bërë të bukura. Krejt ndryshe, jashtë çdo standardi, ose njëfarë uniformiteti më se i pritur. I dashur.
Atje përjashta një fshatar me veshje të krahinës sonë po ngjitej për në qytet. Burri qe mbërthyer lart mbi samarin e kalit dhe shumë dëndur hapte këmbët që ta qëllonte kafshën te barku me thembra. Por ai vetëm sa bënte sikur do ta godiste. Kali vetë, shpesh, dukej sikur do të kafshonte frerin. Se qe i ri dhe s’e mbante vendi. Megjithëse duhej të çante borën.
A qe ftohtë përjashta? Se brenda në dhomën time bënte ngrohtë dhe unë i kisha të vakëta duart.
Ushqeva prapë sobën dhe dy herë rresht thirra time shoqe që sëbashku të soditnim përjashta, që brenda xhamave. Sa afroje fytyrën te qelqet e dritareve, të godiste lëbyria nga ndriçimi i beftë. Degëzat e mardhura, të shtrira të hardhisë, ishin dubluar dhe sikur kishin frikë mos shembej dëbora.
Atje përjashta në rrugët fëmijët qëllonin me toptha bore, paçka se ajo i spërkaste.
Natyra vazhdonte të kthehej në një park të bardhë natyror.
M’u kujtua Fshati, Mëma pranë kllanikut dhe zjarri me dru lisi që kërciste. Edhe atje në Fshat ulej dëborë dhe pirgjet e saj rriteshin, kurse maçoku i shtëpisë në anën tjetër të vatrës rrinte ashtu maçokshe dhe vazhdimisht mbyllte sytë për gjumë me një shprehje qesharake rëndësie dhe intrige. Dhe sa u shkon heshtja që përhap dëbora atyre brigjeve me gorrica, sfaka, gjineshtra dhe me atë kope të pambaruar shpellash në rrethinat e fshatit!
Ime shoqe më pickoi dhe unë u përmenda.
Vazhdonim të rrinim mbështetur nga përbrenda në dritare dhe një çast më shkoi ndër mend sikur unë dhe ime shoqe qëndronim ashtu që të përgjonim kur të shfaqeshin Shpresat e Botës.
Atje përjashta gjithsesi gjithçka qe magjepsëse. Ditë të tilla ngacmojnë për të ringjallur të kaluarën. Dëbora veçanërisht më prek.
Jashtë qe bërë ndriçim i bukur dhe të rinjtë, që luanin dukej sikur gumëzhinin, sikur nëpër ta, të ishin tërë zogjtë dhe fërkimi i bisqeve të ngrohura.
– Ua! – u çudit ime shoqe dhe pëllëmba e vogël, e ngrohtë, i mbeti e hapur nën pulovër, poshtë këmishës sime, te kraharori, që herëherë ia bënte kërr, kërr.
Eh! Kërr, kërr!
U kolla. Mbase s’do të isha kollur, po të mos kisha pyetur vetveten me mend nëse isha kollur sot apo jo. Unë kam organizëm të ndjeshëm dhe kur qëllon të më ngacmojë kolla, s’dëshiroj që Mëma ime të ndodhet diku pranë. Ajo tani është atje në Fshat, ndanë kllanikut dhe ashtu, se për çfarë nget mendimet e veta! Ngacmon e ngacmon trungun që lëshon gaca përqark. Kur njerëz të ndryshëm: cilëtdoqofshin, shkojnë me shërbim në Fshatin e saj, ajo del dhe i pyet për mua. Një aktor teatri i qytetit më njihte dhe, kur shkoi për shfaqje në katund, kërkoi shtëpinë e Mëmës sime dhe i çoi një pako me llokume. Ajo i tha që të ulej të kuvendonin, por ai e ngacmoi kur e pyeti se cilin nga djemtë donte më shumë. Eh! ia kishte bërë ajo. Kishte shtrirë duart përpara, pat nderur pëllëmbët,  hapi gishtat dhe shikonte atje. Eh! lëngoi. I largëti, kishte mërmëritur. Kur luajnë violitë në radio apo televizor, s’di o djalë, pse më kujtohet ai i qytetit dhe zë e qaj. Me vaj a me gëzim qoftë muzika.
Pastaj ajo kishte ngritur vështrimin, e shikoi drejt dhe i tha: Kollet?
– Motra! – klithi befas ime shoqe.
Para oborrit të pallatit, me shpinën të kthyer përgjysmë nga fasada e apartamentit, qëndronte motra ime. Të vetmen motër që kam. Ajo rrinte ende dhe shikonte ata që goditeshin me topa bore. Nuk lëvizte. Sikur të qe munduar deri aty që të shihte vetë si bënin në qytet luftë me topa bore. Ajo lëshoi një piskamë dhe u mundua të mbrohej. E qëlluan përsëri dhe ajo vërejti përqark e hutuar dhe e trembur njëherësh. Por… e gëzuar, sikur përnjëherë t’i kishte bujtur fëmijëria e mërguar.
– Ej! – thirri një gjashtëmbëdhjetëvjeçar. Ai e nxori trupin që pas një muri dhe iu drejtua dikuj atje tej që s’dukej.
– Budallë, – tha gjashtëmbëdhjetëvjeçari. – Pse qëllon fshataren?
Ime shoqe trokiti xhamin. Trokiti e gëzuar, si fëmijë gjashtëvjeçar.
Motra lojti kryet e hutuar, na dalloi, dhe hutimi i saj njëherësh u bë gaz. Ajo diç tha, diç tregoi, po ne s’pamë njeri.
Motra po vinte: Ngjitej me tërë bujarinë dhe bukurinë e saj.
Në korridor ime motër dhe ime shoqe kërcitnin buzët nga puthjet.
– Si dole në këtë borë? – i thamë.
– Kjo është borë për lodër, – tha. Ajo qeshte.
– Ke qenë në Fshat te Mëma?
– Mirë qenë, – tha, – Isha para një jave. Mirë ishin të tërë. Edhe atë nuse e kemi të mirë. Të dyja nuset i kemi flori.
Motra brofi dhe përqafoi e puthi përsëri gruan time. Gruaja u skuq, ndërsa motra u përlot. Pastaj motra afroi një si çantë apo diçka si trastë jeshile që e kishte sjellë nga Fshati dhe futi duart në grykën e saj.
– Gjithsesi në fshat gjendet diçka, – tha ajo.
Ajo nxori një tufë lesh deleje. Leshi i deles ishte i palarë: Dhe porositi: Që nëse dikush prej nesh do të ftohej në gjoks, duhej ta ngrohnim dhe ta vinim nën kanotjerë, në dërrasën e kraharorit.
Pastaj motra i zgjati gruas një shishe arançatë me raki të parë.
– Këtë për t’u fërkuar, – tha ajo. – Për të zbutur damarët.
Ajo përmbysi trastën dhe mbi qilimin e kuzhinës krrokarisën frutat e arrëve. Në një lahuri pat mbështjellë diçka të cilën s’e hapi, por e futi përsëri në trastë.
– Si ishte Mëma? – i thashë.
– Këtej e ka mendjen, – tha.
– Kur vjen këtu, mendjen e ka andej, – thashë.
– Mosha, – tha motra.
S’fola. As ime shoqe. Fëmijët numëronin kokrrat e arrëve.
– Ajo punon me mendjen e saj, – tha motra. – S’ndërron!
– Nuk ha dialektikë, – thashë. Para syve të mi vezulloi qartë tërë fiziku i Mëmës. Gjithsesi, shtati i saj qe i zhdërvjellët dhe ajo bënte lëvizje të hijshme aq të ngrohtë nëpër dhomë.
Ime shoqe sepse qeshi dhe mua më iku imazhi i Mëmës.
– Nusen e fshatit e shikon me dyshim, – tha.
– Pse! – mërmëriti ime shoqe.
– Ashtu i bëhet, ashtu i shkruan mendja! Megjithëse …
Motra qeshi me vete dhe tundi kokën.
– Ajo më kërreu nga shtëpia në këtë ditë me borë. – tha. – Ta dini, ajo më dërgoi këtu sot.
Dikush qëllonte derën e jashtme me grushte: Bam, bam! Bam!
Brenda hynë dy shoqe të motrës që kishin ardhur nga fshati sëbashku.
– Si do e lëmë, kur do ikim? – thanë ato.
Gruaja ime i zvarriti për t’i gostitur.
Unë ndenja fare pak në kuzhinë dhe u ktheva në kabinetin e punës. Dhe lëvizja nëpër të ashtu kuturu. Sakaq gruaja dhe motra kishin ç’të thoshin.
Matanë dëgjoheshin biseda me zë të lartë. Zhurmërima e çrregullt e bisedës së tyre me siguri dëgjohej në hyrjen mbi ne dhe poshtë, te hyrja tjetër. Por, pas një çike, bisedat e tyre u shuan në timpanin e veshëve të mi.
S’di sa kishte kaluar, kur ndjeva se kërciti dera e kabinetit dhe ngrita kokën.
Ishte motra. Ajo më shikoi drejt, vërejti përqark, më pyeti në kisha ftohtë, pastaj tha: Uuuj, sa ngrohtë është këtu, dhe hyri e tëra brenda në dhomë. Shtyu derën dhe mbetëm vetëm përballë njëritjetrit.
U ngrita nga tryeza dhe u ulëm në kolltukët. Heshtnim duke u shikuar. Ishim motër e vëlla.
– Ç’kemi? – i thashë. Motra kishte flokë të shndritshëm ngjyrë gështenje dhe pa asnjë thinjë.
– Mëma! – tha dhe fytyra e saj donte të ndërronte, të bëhej me gaz.
– Ç’të tha Mëma?
– Sot në borë më nisi për këtë udhë! Në fillim të javës isha atje dhe u betua: Për këtë baltë! Që deri të dielën të isha këtu. Dhe unë erdha sot, këtë të shtunë.
E shikova drejt: Pse?
Ajo ngriti pakëz lart atë biçim çante jeshile, nxori prej saj lahurinë e lidhur, përgjoi te dera e mbyllur dhe e zgjidhi.
– Këtë fanellë leshi ke porosi ta veshësh në mish. Amanet nga Mëma! Ja dhe një palë çorape të gjata me gjalma. Të bardhë!
Kaq tha ajo dhe m’u duk sikur s’do të fliste më.
Këto s’janë për mua, – thashë dhe u drodha. E tërë qenia ime zbriti në terr dhe regëtiu tmerrshëm, dhe gjoksi përbrenda u mbush me pikëllim.
Motra u skuq e u zbardh. Qerpikët e saj u përpëlitën dhe ajo me siguri kërkonte pakëz burrëri nga unë. Në fytyrë i vraponin ca shtangie.
– S’je i vockël, je baba me fëmijë tani, – mërmëriti.
– Këto janë nga Paja, – thashë dhe u ngrita në këmbë. Në kokën time lëvizën xhindët, frika, tmerri. Akoma më keq: dheee … mbja!
– Unë nuk jam keq, – thashë. – Nuk jam keq dhe ju më lodhni shpirtin kështu, më mundoni me këto përkujdesje.
– Mos! – belbëzoi motra. – Mos … Mëmë, ç’t’i themi!
– Të mos i merrje.
– Punë që s’bëhej.
– Gjithashtu tmerrohem sa kujtoj që kjo fanellë e leshtë dhe këto çorape të leshta të bardha e të gjata gjer te gjunjët janë bërë që Mëma jonë të vishet kur …
Tunda kokën me rrëmbim dhe mbulova fytyrën me pëllëmbët. Sakaq, lehtëlehtë, ndjeva shuplakën e motrës në sup.
U pamë fytyrë më fytyrë. Sytë e saj ishin gjithashtu të lagur dhe të shqetësuar. Por ajo qeshi. U mundua të bëhej e qeshur, të dukej.
– Për kokën tënde! – tha.
Heshtje. U ulëm të dy në të njëjtin kolltuk.
– Aman! – psherëtiu motra.
– Pse më mundoni! – thashë. Nuk fola, po rënkova.
– Dëgjo, – tha motra. – Asaj i punon një mendje që s’i shqitet: «Vëllezëria nuk ndajtën plaçkën», thotë. «Tani që erdhi Nusja e Fshatit, s’di ç’të bëj». Ja, kështu i thotë mendja. Se ti je edhe larg Fshatit dhe asaj i duket sikur mbete jetim. Vetëm, po të jesh Mëmë, kupton sa ndihet gjakësia për pjellat. Mëmë!
– Unë s’jam i vogël.
– E po atëherë dije se Paja e Vdekjes në njëfarë udhe bëhet gati në të moshuarit. Këta libra ç’thonë?! Nuk shkruajnë se vjen sahati që vdes? Njeriu me mend në kokë duhet ta njohë vdekjen. Dhe jo vetëm në të tjerët. Merr vesh!
– S’dua të dëgjoj, s’dua! – thashë. Unë fola…, me nervozizëm.
– Po të qe gjallë Babai, do të të thoshte jazëk, lepur!
Ajo bëri përpjekje të fliste me zemërim, po sytë e saj jo, kurrsesi s’u ngjanin syve të Babait kur xhindosej nga inati.
U bë heshtje e rëndë. Motra vështronte përhumbur dhe, befas,  qeshi me zë të lartë. Unë e kuptoja: ajo e lëshoi atë të qeshur pas një përpjekjeje të mundimshme.
– Ç’të mos qesh, – tha.
E shikova drejt.
– Ky zakon është lënë kështu që nga të vjetrit, – tha ajo.
Unë përhumba vështrimin dhe mendja ime atë kohë shkroi: Edhe të vjetrit dinë diçka. Mendja ime shkroi një padrejtësi, ndaj mendova me kujdes. Dhe fola:
– Të moçmit dinin më shumë sesa mund të besojmë ne për ta.
– Çfarë?
Motra më nguli vështrimin si me frikë.
– Kështu ka thënë Ballance.
E motra lëvizi kryet dhe më vërente me sy të shqetësuar. Unë u shkëputa atëherë nga mjeku Ballance që të mos ngjallja ndonjë keqkuptim të dyshimtë te motra.
Ajo tha:
– Ku i vete mendja Mëmës! «Moj vajzë, – më llafosi, – Moj vajzë! Kjo është e hojmë.» Thotë kështu për Nusen e Fshatit. «Djali atje në qytet më kollet dhe unë dua t’i them kësaj këtu që t›i bëjmë dy palë çorape leshi dhe dy fanella. Është i mpakur, i dobët! Sikur ka marrë zjarr e digjet përbrenda ai djalë! Ia ke ndier kollën ti?» Nga këto më thotë. I fola dhe i thashë për ty që s’kollesh, i thashë që je pranë mjekëve, por ajo në të sajën: psherëtin e të këput. Se të ka larg. Eh, mos qofsh Mëmë, sidoqoftë!
Motra heshti. Shikoi përqark, u ul përsëri te kolltuku përballë, qeshi dhe tha:
– Bëje zemrën të gjerë! Nuk qan hall e të thuash që do na bëjë maskara! Radhën e parë deshi të ma mbushte trastën me lesh që ta merrja fshehura dhe të ta bija ty!
– Pupu!
– Ç’ne! As ia afrova. Mos bëj të tilla gjëra, – i thashë.
– Ç’po na gjen! – mërmërita i alarmuar.
Motra qeshi me diçka që s’e kishte thënë. Ajo është më e moshuar se unë. Tani ka nisur të mendohet që të fejojë djalin e dytë.
– Ku i punon mendja! – foli gati me vete.
– «Dëgjo, më tha: Kemi lindur, do vdesim. Edhe Pajën e Sëndukut do të vijë ora që ta bëjmë. E ç’do të thuash?»
Ajo tundi kokën dhe u qesh përsëri. Ajo kërkonte me ëh që në dhomë dhe në shpirtin tim të sundonte gazi, e qeshura.
Motër, qesh, moj, qesh! Qesh, po të lutem, de, mos e përmend si bukë e djathë atë Pajën e … Të lutem!
– «Vajzë,» më tha Mëma, «të tëra i kam gatitur për Ditën e Ikjes, po Kësaj të Fshatit akoma s’i kam dëftuar. U menduaç e u menduaç dhe më polli mendja djallëzi: Nis e thur çorape të gjata me lesh të bardhë.
Thur çorape e thur fanellë dhe kësaj Nuses së Fshatit këtu patjetër që i thotë mendja se unë punoj me fill leshi që të plotoj Pajën e Sëndukut. Prandaj, merr këto çorape, merre këtë fanellë dhe gjer në të sosur të javës, Për këtë baltë!, t’ia shpiesh djalit atje. Se këtë këtu në të leshta e kam. Hë, bijë! Mbase i bie edhe në qafë që mendoj si ligsht për nusen këtu, po s’ka gjë: s’i bëj keq, jo. Dhe thuaj Nuses së Madhe të Qytetit që t’i bëjë prapë fill këto çorape e fanellën e t’ia donatisë sipas rregullave të tyre. Unë s’u mbaj vesh, unë prapë do vazhdoj këtë punë: kështu, sikur akoma s’kam përfunduar Pajën e Sëndukut. Mëma duhet të rëndojë mirë dhe drejtësisht mbi dhé. Unë do ta furnizoj edhe Atë të Qytetit, nuk e lë sa të më punojë këmba e dora.» – Thuaj tani, si të bëja unë? Si t’ia ktheja?!
– Sa e egër që je, o Mëmë!
– Në dashuri! – belbëzoi ime motër.
Lëvizja nëpër dhomë dhe doja me çdo kusht të shuaja vegimin e jetës shekullore. Ishte ende herët që të përgatitesha për të. Vdekje! Ti je dobësi e njerëzve! Përjashta!
Mënjana krahët dhe shikova jashtë. Përjashta lëvizte jeta. Qenia ime thirri Mëmën. U afrova në mes të dhomës. E tërë hapësira u mbush me sytë e dashur e të gjallë të Mëmës që vështronin si duar të zgjatura.
Duar të zgjatura që thërritnin.
Tërhoqa karrigen dhe u përkula përmbi tryezën e punës. Në krye, përballë ishte fotografia e Mëmës. Fytyra … shamia e zezë … me rrudhat. Dhe faqet e ftikura, me borërat e flokëve, me belbëzimin amësor, me lashtësinë, me fuqinë e habitshme që e shfaqte befas, duke tundur gishtin tregues: «Ji burrë!… »  Me rrufetë, që i mbante strukur diku thellë nëpër humbëtirat e saj. Antigona e Sofokliut mbulon vëllanë me dhé: Që shpirti i tij të mos vuajë. Megjithëse mbreti pat urdhëruar ta linin të pambuluar. Që ai të vuante. O mbret! Po Bota ka bërë Mëmë, Motër, Grua, Bijë. Ka bërë Femër. Ti shkrofëtin dhe vringëllin kamxhikun, po Antigonën s’e zë gjumi. Se i Vëllai lëngon. Ndaj ajo del dhe turret, dhe mbulon të Vëllanë me baltë. Që shpirti i tij të mos vuajë. S’u ngrit ndienja e logjika hamletiane, po ndienja e brendshme Femërore. Kjo ndjenjë s’u shty nga logjika. Dhe…. Dhe Mëma ime më vështron e tëra si duar të zgjatura. Tërë mëmësi. Ajo u shfaq nga trojet e veta dhe sytë e mi u gozhduan në fytyrën e dashur, në ato vise.
Befas trupi im u drodh ndryshe, krejt ndryshe. Sikur ndieja se po lëshohej bushtra e urrejtjes mbi një pjesë të kurmit madhor të Mëmës.
Ca vite më parë isha në fshatin Suraj të Kukësit. Do të shkruaja për tokat.
Për dherat, më tha një katundar.
Traktoristët po shpyllëzonin një parcelë katërhektarëshe.
Tokë e mirë, i thashë katundarit nga Suraj.
Ai vështroi poshtë, ngriti kryet, shikoi matanë dhe mërmëriti:
Po.
Ai vërente ende matanë.
Mund të mos i hanim fasulet të veja, tha ai.
Unë përpëlita qerpikët.
Çfarë?! e pyeta.
Mund t’i hamë fasulet me mish. Mundet, bre!
Dhe se ç’shkrofëtiu.
Mëma ndjeu dhe lëvizi njëherësh. Ajo doli nga fotografia, u shkund dhe zbriti në syprinën e tryezës: Ajo…
Gruaja ime shtyu derën dhe na tha të shikonim nga dritarja. Unë u shkunda që të vija në realitetin e gjërave. Motra lëshoi kapakun e rëndë të një albumi.
U afruam te dritarja. Atje poshtë, në anë të xhadesë, kishte ndalur një kamion dhe shoferi i mshonte pandalur borisë. Ishte Makina e Fshatit.
Gruaja dhe ime Motër dolën përjashta. Atje poshtë zbriti nga makina nusja e vëllait! Unë arrita të dëgjoja ç’tha:
Merreni këtë çantë, se nxitoj. Do kthehem.
Pastaj u ngjit në kabinë me të shpejtë dhe në motor bubulliu gazi.
Pas dy orësh erdhi nusja e vëllait. Ajo na përqafoi e malluar e tërë zhurmë. Unë, ime shoqe dhe Motra u gostitëm me nga një pastë të gjatë me shkumë të ngrirë. Djali dhe vajza po matnin çollatat dylekëshe. Mbi tryezë në kuzhinë ngelën edhe katër pasta:
Nusja e vëllait do të punonte me rrogë shteti si centraliste në Fshat. Prandaj ishte aq e gëzuar dhe atë gëzim s’e fshihte.
Pas një çike, brofi dhe tha se duhet të ishte gati se mund të zbriste Makina e Fshatit dhe do të ikte.
– Pa eja, – më tha mua dhe më tërhoqi si fëmijë. Më nxori në korridor, pastaj hymë në kabinetin e punës. Aty u dyndëm të gjithë sa ishim në apartament.
Kunata tha:
– Zhvishe xhaketën!
Unë s’doja të kollesha, po ngaqë u kujtova se s’isha kallur, fap u kolla.
– Hiqe, – tha.
Ajo hapi çantën kafe dhe nxori një golf të leshtë të bardhë…
– Pa vishe!
Ngriva si pikëçuditëse e mprehtë.
Ajo po më vishte sikur të isha fëmijë.
– Ëhë, mëngët duhen një çikë më të gjata. Mirë, kjo e pati. Tjetrën do të ta rregulloj. Të kam nisur edhe një fanellë të leshtë mishi. Do të të bëj dy që t›i veshësh në mish. Do të të kompletojmë. Pa ulu! Ngjate këmbën?
Kunata mati putrën e këmbës sime me pëllëmbë dhe shpejt e shpejt nxori dy palë çorape të leshta.
– Të bëjnë, – tha e lehtësuar.
E shikova drejt: Sytë i kishte të ngjitur rrëzë hundës. Qe tërë sinqeritet dhe e dashur sikur gjithë jetën të kishte lëvizur brenda familjes sonë. Unë dridhesha nga njëfarë mallëngjimi.
Përjashta thërriste boria e Makinës së Fshatit. Në dhomën e punës, në korridor dhe tej hyrjes së apartamentit u bë zhurmë. Unë dëgjova kunatën që tha se Mëma ishte mirë, po jepte një mijë porosi për mua, që të mbrohesha nga të ftohtët e lig dhe të mos e harroja Fshatin! Fshaaatin!
Shikoja nga lart. Ajo kërceu në kabinë me shkathtësi dhe tundi pëllëmbën me kallo, dhe makina iku. Dhe sikur iku edhe ajo përtëritje që sa filloi.
Atje në hapësirën pa çati nisi përsëri të shkundej dëborë.
Ne hymë brenda si të goditur.
– E?! – thashë unë.
– Do t’ia themi dhe ajo do qeshë, – tha Motra për Nusen e vëllait.
Isha i sigurt se në shpirtin e Motrës rëndonte diçka tjetër. Por ajo donte të më lehtësonte mua së paku. Rrofsh, o Motër!
Gruaja na propozoi të hanim drekë. Do të haja drekë me të, me Motrën dhe fëmijët. Po të kishte qëndruar së paku edhe ajo, Nusja e vëllait. Ja, kështu do të çmalleshim dhe do të kishim më pak lëndim.
Djali ngrinte potere se ngulmonte të dilte përjashta të luante me borë.
Gjirokastër, 1983
By  | September 25, 2016

Wednesday 13 September 2017

Bujqësia dhe zonat rurale: Disa reforma dhe mekanizma që përshpejtojnë zhvillimin e tyre.

nga: Prof. Ass. dr. Enver Isufi
            ibb-Durrës.
           en.isufi@gmail.com ( www.ibb.al)


Enver ISUFI
Buxheti
            Nga publikimet  zyrtare pranohet   se bujqësia  jep nga 18-21 % të GDP-s  dhe mer prej saj  1,5-2 %  të GDP-s . Shumica  e pasojave  pse bujqësia  jonë është në këtë gjendje vjen nga ky buxhetim i ulët.
            Për  ta bërë më të kuptueshme   këtë  gjendje  edhe për fermerët , po përshkruajmë një bisedë  në formë fabule  zhvilluar mes babait dhe  djalit të tij të vetëm. E thirri babai djalin dhe i  tha“Kur  të martoj ty këtë vjeshtë  do të bëj një dasëm që nuk e ka bërë njeri tjetër në Tiranë“. Do të  ftoj 300 veta   dhe do zgjedh lokalin më  të bukur.
-Mirë  i tha djali. Babai me këtë  premtim mbushi të gjitha kafenetë e Tiranës, saqë  shokët  e babait filluan ti drejtohen djalit.
-Babai  na ka thënë  se në dasmën tuaj do ta bëjë namin. Një ditë   djali i u drejtua njërit  prej tyre.
-Po  a  e dini ju  se  sa lekë më ka dhënë mua  babai për këtë dasëm ?
-jo i u pergjegj ai. -Babai më ka dhënë vetëm 1000 Euro. - E kuptova, tha shoku i babait  se sa dasëm e madhe  do jetë dasma juaj.
          Tani të kthehemi tek bujqësia. A mund të ketë bujqësi të madhe  me  një buxhet 1-2 % të GDP-s. Pse ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur se politika ka menduar vetëm për momentin Momenti ka  qenë  dhe është me tregun  plot,  produktet i blemë  edhe më lire duke i importuar  jasht vendit dhe politika nuk shikon shqetësime. Tregu vërtetë është plot, por është dëmtuar rëndë përpektiva. Bujqësia  është ende  e dobët, jo konkuruese, të rinjtë lënë fshatin,  lënë edhe vetë Shqipërinë. Nuk ka produkt më të shtrejtë   se sa  vetë forcat tona shkencore  dhe ato të punës që largohen nga vendi. Këto forca nuk i kompenson asnjë diferencë çmimesh të domateve  dhe specave që na vjen nga jasht Shqipërisë. ”As osmanët, as lufta, as komunizmi nuk i sollën kaq dëme rënies së  popullsisë shqiptare se sa periudha post ’90-ta” ( marë nga artikull i shkruar  nga Blerina Hoxha i shpehur me tekst, shifra  dhe grafiqe, në revistën, Monitor, 2017) .

Baza materiale me në krye naftën
           Baza  materiale  e bujqësisë    sot thirret me termin në anglisht “inpute“  janë të shumta, por më  me peshë  në zhvillimin e bujqësisë  dhe zonave rurale/fshatare  është  energjia, pra nafta.
 Të ketë përgjatë   autostradës  Tiranë –Durrës, Tiranë - Shkodër ,Durrës - Vlorë  mbi 80 pika për shitjen e karburanteve   dhe shumica  e tokave janë të pa përdorura  për prodhim, kjo s´ka lidhje  me ligjet e ekonominë  së tregut „ që   kur shtohet prodhimi  i naftës  logjikisht pritet të ulet çmimi  i saj “
               jeshë një  vend prodhues i naftës  dhe  bujqësia  ta blejë atë   më shtrejt  se  sa vendet ballkanike  që nuk prodhojnë naftë, kjo nuk kuptohet ndryshe  vetëm se  me rënien e Shqipërisë    një vend  me status  kolonial ose gjysëm kolonial, por i pa shpallur. Ajo që ka  ndodhur me  naftën , lipset  të xhirojmë  serinë  e dytë të filmit “Gjeneral Gramafoni”.
            Të keshë  sot kaq shumë mjete bujqësore në shitje    dhe rreth tyre toka të jetë e pa punuar, kjo është e dhimbëshme dhe   përsëri shkak është  i çmimi i lartë i karburanteve për bujqësinë.

Infrastruktura  fizike e bujqësisë
           Shqipëria para  viteve 1990  trashëgojë një bujqësi të madhe, me  infrastrukturë bujqësore gati perfekte (parcelimi, terracimi,kanalet kullues  e vaditës, rezervuarët  e ujit, hidrovorët kullues   etj,  por tani  parcelimi  është  kthyer në parcelim kopështesh  dhe baçesh. Vërtetë  infrastruktura rrugore gjithnjë  e më mirë  po bëhet, por këto rrugë të asfaltuara në zonat fshatare  duken si një zinxhirë    bukur të  qepur në një bluzo të grisur. Majtas  dhe djathtas ka toka të pa punuara  me ferra  e shkurre.
            Gjendjen e kanaleve  tashme  e dimë të gjithë se si është. Kjo llojë infrastrukture  nuk po e  lejon  bujqësinë tonë të përdori përparësitë  e ekonomisë private  të tregut. Dje kishim bujqësi të madhe  me interesim të vogël për prodhuesit, sot kemi një intersim të madh, por  me bujqësi të vogël. A do ta mundi  dot bujqësia  e kioskave marketingun e supërmarkatave të mëdha. Kjo është sfida jonë .
            Rregullimi hap pas hapi i kësaj infrastrukture do ndihmonte në rritjen e frutëshmërisë  së bujqësisë. Për gjetjen e  mekanizmave  real se  si mund të  përshpejtohet ky proces i zmadhimit fermave asnjëherë nuk është diskutuar seriozisht.
            Pjesë  e kësaj  janë  edhe rishikimi i rezervuarëve të vjetër  të ujit për ujitje(kemi trashiguar  mbi 600 të tillë), por  që duhen inspektuar gjendja aktuale  e tyre dhe masat  tekniko dhe financiare për rikthimin e tyre në potencialet e veta ujëmbajtëse. Të tjerë basene mund  dhe të tjerë hidrovorë  mund të ndërtohen gjithashtu.

Infrastruktura    Shkencore dhe Këshilluese
            Dy dekadat e fundit u krijua  një koncept primitiv  për heqjen nga fjalori temin „shkencë“ dhe „kërkim shkencorë“, kjo vetëm e vetëm për të justifikuar reformat e gabura dhe shkatërrimtare që u zbatuan  për shkencën e të gjitha niveleve  deri në Akademinë e Shkencave.
            Nivelin e një dege të ekonomisë  e përcakton  niveli i shkencor që zbatohet në të. Pa u zgjatur  në këtë  temë  do doja  të theksoja idenë   se  ka rëndësi  që shkencën t´ja përshtasim nevojave praktike  dhe jo godinave aktuale, tarafeve për punësim, termave  të bukura  që përdoren. 
                                                                      
Organizimi i ri i shkencës dhe zbatimit  nevojitet të sigurojë  katër  nivele kryesore .
            Niveli parë  , Universitetet  dhe  Akademija  Shkencave / publike  dhe plus ato   private  që do kenë të njëtin nivel shkencorë  dhe laborotorik). Këto kryejnë studime të thella ose  siç i quajmë studime bazë, fundamentale. Ndikimi i tyre në ekonomi e shoqëri   është afatgjatë, i thellë, i gjërë ,gjithëpërfshirës. Edhe titujt e botimeve duhet ti përgjigjen këtij niveli.
            Niveli i dytë Institutet/ Stacionet/ Qendrat       mbulojnë disiplinat e veçanta (Mirëadministrimi tokave  dhe të ushqyerit shkencorë të bimëve , Mbrojtja integruar dhe biologjike  e  bimëve, Perimikultura, Pemtaria/  Mjeksia  veterinare  dhe Zooteknia ,Siguria Ushqimore.)
Këto institute,stacione apo qendra bëjnë studime të zbatueshme  në nivel bashkie, qarku  dhe vendi. Këto studime duhet që brenda 1-3 viteve të kenë dhënë  ndikimin pozitiv direkt  në nivel ferme. Edhe titujt e botimeve duhet ti përgjigjen këtij niveli.
            Niveli  i tretë Drejtoritë  e Bujqësisë  që do jenë pranë  Bashkive. Këto mund të kenë  edhe emrin “Grupi i Bujqësisë  Qëndrueshme dhe Këshillimit Bujqësor”Këto bëjnë studime për potencialin e zhvillimit që kanë  komunat dhe Njesitë Administrative,bëjnë demonstrime fushore për zbatimin e tyre    në nivel ferme  me praninë  e fermerëve, rritësëve të kafshëve, informojnë fermerët mbi kohën e  shfaqjes së sëmundjeve  dhe insekteve dëmtues, krijonë fermat model ku zbatohen praktikat e mira bujqësore , saktësojnë  statistikat , të cilat  ende  kanë  kaq shumë mangësi  etj . E gjithë veprimtari  e  përvojë është lënda parë për një  këshillim bujqësorë të frutëshëm  në zonat përkatëse.

            Niveli katërt  Niveli i tretë  që përmendëm më sipër komunikon me ekspertët e terrenit  dhe me fermat e mëdha me ndikim në treg. Punët në këtë nivel  bëhen gjithnjë  e më konkrete, gjithnjë  e më afër  prodhuesëve  dhe përpunuesëve.
Kur të gjitha nivelet komunikojnë me njëri tjetrin  sipas rënditjes,  rriten kontaktet  e forcave krijuese  dhe zbatuese, gjë që  çon në përsosjen e programeve të kërkimit dhe cilësisë  së tyre shkencore. Forumet shkencore  si konferencat, sympoziumet, kongreset duhet të përcaktohen  që të zhvillohen periodikisht  dhe jo spontanisht. Këto forume  bëjnë të mundur  kompaktësimin e forcave shkencore të  të gjitha niveleve dhe institucionalizon debatin shkencorë  dhe pavarsinë  e secilit nivel kërkimi e zbatimi.
Këto katër nivele duhet të kenë statusin e vet  ligjorë     fuksionimit  dhe komunikimit.

            Pra një ligj integral mbi shkencën dhe zbatimin në bujqësi  është i nevojshmë    të përdagitet në përputhje  me zhvillimet dhe kërkesat  e reja. Këto ligje  duhen hartuar me synimin e përafrimit të tyre me rregulloret  e BE-s ku ne po synojmë të bashkohemi. Kur themi se dijenitë  shkencore janë inpute  me vlera monetare  ashtu si  mallrat e tjera, ato si  çdo mall, kanë të njëjtën rrjedhje  në treg si të gjitha mallrat.

·                         Tregu i  madh  me  shumicë  i  mallrave (në këtë rast supermarkatat e mëdha të mendimit  e kërkimit janë  Universitetet  dhe Akademitë)
·      Minimarketet  ( në këtë rast institutet  e disiplinave përkatëse)
·      Dyqanet( në këtë rast bërthamat  e  specialistëve pranë bashkive)
·      Kioskat (në këtë rast  ekspertiza e komunave, si agronome, veterinarë, inxhinierë pyjesh, zooteknikë  që janë direkt në kontakt me fermerët për ti ndihmuar ato për zbatimin e teknologjive të hartuara nga nivelet më të larta të kërkimit  dhe këshillimit bujqësor.
         Pra  edhe“ shitja“  e trurit  ka kanalet e veta  të marketingut .
Është  ky shkaku pse  duhet menduar për një  organizim logjik të  këtyre institucioneve. Nëse  ato nuk lidhen  në atë mënyrë që të komunikojnë pa sforco dhe të  ndihmojnë njëri tjetrin, reformat nuk do të jenë funksionale.
Ashtu si të gjitha mallrat që paketohen për  në treg, edhe produktet e shkencës  dhe  zbatimit  duhet të „paketohen“
         Paketimi i arritjeve shkencore, mendimeve , ideve, praktikave inovative realizohet   në formën e  botimeve  përkatëse. Të tilla janë që nga artikujt, fletëpalosjet, broshurat, revistat shkencore  dhe  ato praktike, librat, vidiot prifesionale, filmat shkencorë, faqet e  interneti etj). Kurrë nuk kemi pasur më  shumë shtëpi botuese  e kaq shumë letër e informacion   se sa  kemi sot, por kurrë nuk kemi pasur më pak botime  shkencore  dhe zbatuese  në fushën e bujqësisë se  sa  kemi sot. Paradoks, por është fakt.
         Medja elektronike    është një formë tjetër  e “paketimit  të dijeve si mall për treg” Televizioni  Publik Shqiptarë (TVSH)   duhet mbështetur për më  shumë  programe  për bujqësisë dhe zhvillimit rural. Mediat elektronike private rajonale   duhen mbështetur gjithashtu. Po si mund të kontribojnë  ato për zhvillimin e bujqësisë  dhe civilizimin e fshatit ? Le të vendosen në dispozicion të  pesë televizioneve lokale  dhe  private rreth 50-60 mijë  Euro në vit.
         Për një  emision 30 minuta  të paguhej  rreth  1000 Euro. Cdo televizioni lokal ti kërkohej që të aplikonte te televizioni shqiptarë (TVSH)  për 10 emisione  në vit . Televizionet të paraqesnin tematikën, me skenaret përkatëse. TVSH-ja  me një grup ekspertësh bazuar në tematikën dhe skenaret më të mirë  të përgjedhte  televizionet fituese . Pra  do kishim në një   vit 50 emisione  më shumë  për bujqësinë dhe zhvillimin rural/civilizimin e zonave fshatare.

Qendra  e Informacionit  dhe Edukimit Bujqësor .
         Prania  e këtij institucioni  do ishte  me shumë dobi. Këtij  institucion i ngarkohet  botimi i  revistës  “Bujqësia  Shqiptare” (e cila që nga viti 2006 nuk botohet) ,do të botonte buletinin e shkencave bujqësore, filmat   bujqësorë , libra, broshura    do të përgaditeshin nga institucionet shkencore bujqësore  dhe nga vetë  kjo qendër etj. Kjo qendër të kishte shtypëshkronjën e saj.

Sistemet  e bujqësisë  me  standartet përkatëse
         Sistemet e bujqësisë dallohen mes tyre nga baza materiale që  përdorin si  dhe qëndrimi që ata mbajnë  ndaj mjedisit. Pesha  që zënë në përqindje sistemet e bujqësisë   varen nga vetë zhvillimi  i vendit. Në vendet e  BE-s  dominon bujqësia  integruar  dhe ajo biologjike, në vëndet e pazhvilluara dominon sistemi konvencional  dhe ai me inpute në sasi  minimale.
(Shqipëria  futen tek grupi i dytë  i  vendeve ku dominon bujqësia konvencionale  dhe ajo me përdorimin në sasira  minimal të inputeve)
         Vendi jonë  duhet të ketë objektivat e veta   se  sa përqind  do të  zejë secili sistem  bujqësie për katër ose tetë  vitet që vijnë.
-Sistemi  me inpute  të pakta: Ferma përdor pak plehra , pak pesticide. Ky sistem krijohet nga pamundësia  e investimeve  në bujqësi. Prodhimi është cilësor, por  me pakicë.
-Sitemi bujqësisë konvencionale-ku  përdorimit  inputeve është në sasira të mëdha. Përparësi ka sasia  dhe jo  cilësia  e prodhimit.Inputet   shpesh kanë  cilësi jo të mirë   për shëndetin dhe mjedisin. Ky sistem vjen drejtë kufizimit.
-Sistemi Integruar( baza materiale kryesisht pesticidet, plehrat, bio-rregullatorët) farërat  janë    cilësore.
- Sitemi bujqësisë  biologjike,  përdor  një listë inputesh që bazohen në standartet kombëtarë  dhe të BE-s  të provuara  si shumë miqësore  me shëndetin e njerzëve  dhe mjedisin).
         Bujqësia  miqësore  (bujqësia Integruar dhe ajo biologjike) na garanton jo vetëm një ushqim të shëndetëshëm për popullsinë por na shmang   katraurën mjedisore.
Katraura urbanistika na ndodhi pikërisht se nuk ishim të përgaditur për ta parandaluar. Jemi ende  në kohë për ta parandaluar këtë rrezik të ardhëshëm në fushën e bujqësisë .
         Në këtë kuadër  duhet të ketë  objektiva për  standartet si  HASAP, Global GAP, dhe   standartin Bio. Franca  dhe Gjermania kanë marë objktiva kombëtare  që pas 5 viteve 20 %  e prodhimit të jetë prodhim biologjik.

Inovacionet  në bujqësi.
         Ka  shumë studime të aplikueshme  që mund të futen direkt në prodhim. Institutet  dhe Universitetet   kanë studime të tilla. Instituti Bujqësisë  Biologjike p.sh, ku unë punoj ,ka tre  praktika të tilla inovative.
-Përdorimi i feromoneve në vreshta për mbrojtjen e rrushit nga tenja  shmang 100 % përdorimin e insekticideve  në vreshtë.(Në Gjermani  dhe Zvicër  50 %  e vreshtave  trajtohet me këtë metodë  plotësisht miqësore
 -Kemi në koleksioniet tona 10 kultivarë hardhie  dhe 10 kultivarë molle  që janë rezistent ndaj sëmundjeve kryesore. Me këto kultivarë  pakësojnë 50-80 % sasinë dhe insekticideve dhe fungicideve në vreshta  dhe në prodhimin e mollëve.
- Pajisjet elektronike për progmozimin e sëmundjeve , gjithashtu janë  shumë të efektëshme
         Instituti jonë  aparatura të tilla i përdor prej shtatë vitësh, por kjo metodë nuk nxitet nga shteti që të jetë   kudo perdorur nga fermerët.Pikërisht këto  inovacione  duhet të jenë me përparësi e  subvencioneve  në bujqësi.


Politikë shtetërore për përdorim të inputeve cilësore
          Ide inovative  do të ishin  edhe  mekanizmat  për të sjellë në Shqipëri inpute me cilësi të lartë  për prodhimin dhe mjedisin ( pesticide, plehra kimike, farërara)
         Subvencionet  e studiuara do  të ishin  një mekanizëm i mirë  për të  importuar këto lloje inputesh.
         Kur themi subvencione  të inputeve  do të kuptonim këtë llojë komunikimi  të shtetit me operatorët privat “p.sh. të nderuar   tregëtarë dhe  fermerë ;”përdorëni  në mbrojtjen e bimëve  feromonet çorientuese  të insekteve dhe preparate biologjike, sepse diferencën e çmimit  mes tyre dhe inputeve konvencionale me cilësi të dobët mjedisore e kompeson  shteti”
        Institucionet shkencore në këtë mynyrë orientojnë  edhe kërkimet, pra testojnë paraprakisht  në kushtet e Shqipërisë pikërisht inputet me perspektivë, i ofrojnë biznesit   dhe vetë Qeverisë lista  të studiuara  të inputeve ,të cilat  meritojnë regjistrohen dhe  subvencionohen pjesërisht nga shteti.
         Shembull:  Siç  përmendmë më sipër Instituti Bujqësisë Biologjike  ka një përvojë  15 vjeçare   përdorimin  e  feromone çorientuese  në mbrojtjen e prodhimit të rrushit  nga tenja ,duke menjanuar plotësisht insekticidet konvencionale. Nëse shteti  subvencionon 80 mijë  Euro në vit (gjysmën e kostës  së feromoneve)   menjanohen insekticidet në 1000 ha vreshtë.  ë
         Po me këtë  llogjike:po të subvencionoheshin disa  fidanishte private     prodhonin  fidana të hardhisë  dhe mollës nga kultivarët rezistent ndaj sëmundjeve ( që ne i kemi këto kultivarë në koleksionet tona), për tre katër vite mund të mbillnim 1000 ha vreshta  dhe 1000 ha mollë  më kultivarë  që do konsumonin 50 % më pak fungicide  se sa  kultivarët  e zakonshëm.
        Kjo strategji  e stimulimit  të inputeve cilësore, mbështet zhvillimin e bujqësisë  së qëndrueshme, objektiv    e gjejmë si angazhim deri te Kushtetuta  e Shqipërisë
 ( Për Zhvillimin i Qëndrueshëm  i  Bujqësisë   dhe Mjedisit)
         Në zbatim të kësaj strategjie shteti bën planin e  sipërfaqeve  të vreshtave, ullishteve, perimeve, mollës  etj që do të  trajtohen me inpute miqësore.Kjo na çon në angazhimin kombëtarë se  sa përqind  do zejë bujqësia Integruar  dhe ajo Biologjike pas pesë  ose 10 viteve të ardhëshme ?
       Sasia   e sipërfaqes  së bujqësisë  së mirë  do të rritej vit pas viti, gradualisht sipas fuqisë  së shtetin.Kjo strategji  zgjeron  nga viti në vit  edhe  numrin dhe sasinë  e produkteve të çertifikuara  me standartet HASAP, Global G.A.P  , ISO  dhe ato Bio.Këto mekanizma financiare të bëra  në bujqësi  dhe blegtori, do ti kursejnë shpenzimet  e sektorit të mjeksisë, sepse ushqimi shëndëtshëm, është masë parandaluese  për sëmundjet humane  dhe veterinare.Këtë përfundim e gjejmë edhe në literaturën e vendeve të zhvilluara. Na duhet të kemi brenda vehtes një ego pozitive që p.sh pas  10 viteve  të kemi arritur që tek konsumatori  Europian e më gjërë    qarkollojë opinioni:”Doni të   konsumoni ushqim të shishëm dhe të shëndetëshëm, këtë  e gjeni në Shqipëri” 
          Sot ende konsumojmë  ushqim të mirë. Pyetja shtohet :nga varfëria sepse skemi buxhet për  blerë sasira të mëdha  inputesh),apo nga mençuria  e zbatimit të praktikave  shkencore bujqësore.

Partneriteti i shtetit më institucionet  private. 
         Është një rezervë tjetër  e madhe që nuk është përdorur sa duhet.Shpesh organizatat jo fitimprurëse  dhe jo qeveritare shteti i shikon si konkurente  dhe jo si partnerë. Është një numër i madh ekspertësh në këto organizata, institute, fondacione  që shteti duhet ti integrojë  në zbatimin  e  politikave bujqësore kombëtare.

 Marketingu bujqësor
         Shtimi i pikave të grumbullimit, të ruajtjes  në sistemet  e ftohjes , sistemi i tregëtimit të produkteve lokale janë tashmë të mirëpritura. Na duhet të  kemi supermarkata  me mbishkrimet psh “Prodhime  nga Shëngjergji” Prodhime  nga zona Baldushkut, Ndroqit, Ishmit, Luginës së  Vlorës , Kallmeti,  Puka, etj,  etj. Ky llojë idendifikimi e bën më të prekshëm më të besueshëm më të kontrollueshën e deri  më nostalgjik prodhimin vendas.
         Një  makinë  e madhe  e tipit maune    me mbishkrimin „Perime të Freskëta nga Divjaka“  që çdo ditë vjen në Tiranë  do ta bëntë  më të besueshëm  prodhimin vendas  dhe  vetë  promovon tij. Për eksportin nevojiten të tjera organizime që përfshijnë  përzgjedhjen e  kultivarëve, paketimin, etiketimin çertifikimin, studimin e tregut etj.

Siguria Ushqimore
         Kjo është një temë  e gjërë, por na bie në sy që ajo fokusohet kryesisht në  kontrollin e produkteve të gatëshme  dhe më pak  në tërë zinxhirin e prodhimit .Siguria ushqimore përfshinë  të gjitha hapat që bën produkti , që nga fusha  e deri  në pjatën tonë.
         Pra  fillon me farërat cilësore, higjenën  e tokës  higjenën e ujit, cilësinë  e plehrave  dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve(PMB), cilësinë  dhe kriteret shkencore të përdorimit  të tyre, përfshinë mjetet  e punës, magazinimin, paketimin dhe ruajtjen  deri sa vjen në treg.Pra siguria ushqimore përfshinë  si pastërtinë  sipërfaqësore  ashtu edhe  përmbajtjen  në brendësi  e produkte. Një mollë  ose  domate  e bukur  e larë  mirë, e ruajtur mirë , por që në brendësi ka mbetje kimike, hormoniale, nitrate, nitrite , metale të rënda  e tjerë, nuk  është  e sigurtë për konsumatorin. Vetëm një organizim zinxhirë  i institucioneve që përmendëm më  sipër mbullon të gjitha hapat që përshkon produkti  deri  në tavolinën tonë të ushqimit.

Mbashteja  financiare nga shteti
         Na duhet një diskutim më i thelluar  se si skemat  të jenë  sa më nxitëse.
Dekadën e fundit defekti më i madh ka qenë moszbatimi, pra  mos kalimi  pagesave  tek fermerët  se  sa defektet  e skemave.

Bujqësia integruesia më  e madhe  e Shqipërisë  në rajon.
         Bujqësia  jonë  me eksportin e produkteve dhe agroturizmi me “ importin” e konsumatorëve  si turistë, është  mekanizmi më i fortë  i integrimit të Shqipërisë  në rajonin  e Ballkanit  kontinental . Zonat shqipfolëse  bujqësia  i lidh jo vetëm shpirtërisht, por  edhe  ekonomikisht.
Është fati madh që  bujqësia  shqiptare në të shumtën e saj është bujqësi mesdhetare. Sfida  jonë  është  rritja  sasisë, cilësisë, konkurueshmërisë. Këto janë  edhe thelbi i reformave të kërkuara në këtë sektor.
 Reformat  janë  si syzet optike;numri i madh të shqetëson, me numrin e vogël nuk shikon.
“Nuk blihen  syze optike pa u vizituar, nuk zbatohen   reforma pa  u studiuar”

……………………………………………………………………