Sunday 26 March 2023

Nga promovimi i ribotimit te librit Albumi të Imzot Nolit.

Nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë u promovua në Kishën " Saint George" të Bostonit ribotimin i librit poetik ALBUMI të Imzot Fan Nolit.

me Sami Milloshin



me Fuatin dhe dy rapsodët vellezrit Delia

me Kryeredaktorin e gazetes "Dielli" dhe Sami Milloshin

Kryesia e Shoqates Vatra 

Kryeredaktori i gazete "Dielli" Sokol Paja





                                                                
Vëllezrit rapsode Delia kengë për Fanolin

AROME E BEFSHME KUJTIMESH NE NJE MIKPRITJE PYLLTARI

                                              Meditim

     


nga: Dr. Selman MËZIU
Firence, Itali

Nuk dua të shkruaj për bokërrimat në arkitekturën peisazhistike shqiptare. Që fatkeqësisht është shtuar. Ato nga ngjyra dhe pamja përbëjnë një peisazh fantazmë. Natyra dhe njeriu në kundërshti midis tyre, shformuan moralisht njeriun dhe pyllin nga pamjet e funksionet e tija të shumëfishta. Tani dua të shkruaj për miqësitë, kujtimet, punën e pylltarëve dikur si shërbetor fanatik të ekosistemeve pyjore.  Ato veladoni i gjelbërt i ka shoqëruar nga do, në hapsire e kohë zgjatje. Shpirti mikëpritës dhe pigment i gjelbërt ju ka zbukuruar jetën e ju ka skalitur karakterin. Të dy u takuan në një qytet e vend, ku në flamur kanë gjethen e një druri si pëllamba e dorës e gjelbërt, pastaj, pigmenti e kthen atë, në të kuqëluar.  Duke u shfaqur me një bukuri joshëse. 

        U përqafuan përmallshëm pedagogu, ish dekani i Fakultetit të Pyjeve, Bajram Xheko dhe pylltarin pensionist Nazmi Berberi, në Toronto, Kanada 04.01.2023. Nuk mund të ndaheshin nga përqafimet e ngrohta edhe pse  faqeve ju rreshqitnin pikat e lotit të mallit. Kafen do t’a pimë në shtëpinë e Bajram Xhekos, i tha profesori. Ishte përgjigja e një pyetje që i bëri Nazmiu.  Sapo arritën atje tavolinën e gjetën të shtruar. Kuptohet edhe me gotat mbushur me raki rrushi shqipërie. Eh po, është traditë. Eshtë bujari që shoqëron në brezni shqiptarin qoftë ky, gjirokastrit, tiranas, dibran, krutan, matnjan  etj. E kjo ndodh, te kushdo i syrgjinosur si një ortek malli, dashurie për njerëzit, vend lindjen, shoqerinë, miqësinë, shkrepat e maleve, vijat e lumenjt  që përshkojn kodrina e fusha.

             Biseda vraponte në kohë, në këte mëngjez klorofil gjelbërt.  Ajo u përplas edhe maleve e shkoi natyrshëm pa u ndjere në thellësitë e viteve. Aty u ul e lëshoi rrezatimet joshëse të profesionit tonë sy gjelbërt të pylltarit në vitin 1964, këtu e 59 vjet ma parë. Kur profesori kishte takuar babain e inxhinier Nazmiut, Halil Berberin në Bizë të Martaneshit.  Atëhere teknik pyjesh  me dy vjet shkolle, por me shpirt ngjyer në kremin e të gjelbërtës të ahishteve të Bizës. Ku ai kishte drejtor e koleg  pylltarin e kohëve të arta Irfan Çelën. Kujtonte  profesori kështu natyrshëm, me plotë ngrohtësi, por të treguar me shkulma malli, dashurie, duke i sjellur këtu në Kanadanë, shtetin verior të kontinentit amerikan, ku gjelbërimi është bëre njësh me  vyrtyrtin. Pra nuk priten ato harbutçe si në shqipëri. Ku prona është tre formëshe. Ku djegja e druve të zjarrit është lluks. Ndërsa inxhinieri mbarështron pyllin, projekton e preventivon para se t’i zbatoj me korrektësi, sipas rregullave, ligjeve të shtetit të tyre demokratik.

         Vetë Nazmiu shkolluar ne Fakultetin e Pyjeve në vitet 1974- 1979, pasues i profesionit të babait duke e mbështjellur atë  me dashuri, me pasion, vullnet. Sigurisht jetoi e punoi intensivisht me plote kënaqësi e pasion me frutet e punës se tij. Pyllezimet e reja, ripërtritjen e ahishteve, përmirësimine dushqeve me ricungime e ju gezua vrapimit të lepurit, këngëve joshëse të bilbilave, aromës së fresket që sillnin pyjet.  Nazmiu trasmetoi ato vyrtyte deshira të babait dhe çoi përpara amanetet e babait të kolegëve të tij. Ato i ruan si fotogtrafitë e babait me Tahir Alushin, që në vitin 1959 dhe pastaj me pylltarin vigan me mustaqe Martaneshasin Hysen Biçakun e një grup tjetër pylltarësh që në vitin 1962. Relike të tilla muzeale të  pylltarisë shqiprae që të shpurpurisin mendimet.  Bashkësia e këtyre ngacmimeve reale nuk e lenë pa shprehur me entuziazëm e mall as ish pylltarin e pedagogun e silviskultures Bajram Xheko sot në dhe të huaj në moshën 87 vjeçare. E si të mos rrjedh mjalt nga goja për punën plotë pasion e zell për ish studentët pregatitur nga ai e  kolegët e respektuar, profesorët Llazar Treska, Mihallaq Katron, Anesti  Postolin, Ramadan Ballën, Kristo Qendro, Panajot Koçin etj etj. 

      Në këte 87 vjetor të ditëlindjes dua t’i kujtoi pofesorit se çfarë më shkruante ai atë ditë: ‘‘Ndejtëm një copë herë të mirë bashkë me të (Inxh. Nazmi Berberi)  dhe me djalin e tij, dhe donim akoma të bisedonim e të kujtonim ngjarje, vende dhe njerëz të kohërave të shkuara. Nostalgjia n'a mbante peng. U ndjeva i gëzuar dhe i nderuar nga vizita e tij për të cilën e falenderova.,,  Por a është vetëm ky takim qe shkruan e i ka lenë përshtypje atij?  Profesori ka qenë dhe është i lidhur si levorja e njome me drurin me problemet social politike e pyllltarise shqiptare. Ai duke shkruar me një thellësi mendimi shkencor me njohuri të gjëra të kulturës, profesor Bajrmi ka shkruajtur në shtypin shqiptar edhe  ka botuar librin ‘’Pylltaria shqiptare ndërmjet të djeshmes e të sotmes.,, Duke e goditur me forcë politikën më shumë se tridhjetë vjeçare  diskreminuese, nihiliste, shkatrrimtare hiroshimiane të arit të gjelbert. Sigurisht edhe hedhjen në udhë të madhe të mijëra pylltarëve e zëvendësiur me farmacist, karrocjera, murator si njerëz të zellshëm të partisë në pushtet, sot të Partisë Socialiste.

        Ai sot më 26 Mars 2023  mbush plotë 87 vjet si shërbetor i mrekullueshëm, si arkitekt i ekosistemit pyjor shqiptar dhe profesor  e shkencëtar i Silvikultures shqiptare edhe pse si shumë pylltar inxhiniera e teknik pyjesh, zgjodhi udhën e syrgjinosjen nga gjëndja e randuar që u krijua nga politkanët shqiptar, pas viteve ’90. Kështu plotë shëndet, optimist si avangardë e luftëtarëve për të mbrojtur pyjet e pylltarët shqiptar nga politik bërsit e gabaur dhe varrmihësit e shkencës e natyrës së gjelbërt i urojm edhe një shekull të ndritur.  

   26.03. 2025                                              Ish studenti Selman Meziu

 





Saturday 25 March 2023

MANASTIRI I UNGJILLËZIMIT VANISTËR, GJIROKASTËR, VITI 1582

..."Sipas mbishkrimit kuptojmë se narteksi i kishës është pikturuar fillimisht prej ikonograf Janit nga katundi Qestorat në vitin 1758."...


nga  Andre LLUKANI 
Tiranë 

Andre LLUKANI
Manastiri i Ungjillëzimit është rreth një orë mbi fshatin Vanistër të Dropullit. Në qendër të manastirit është kisha e Ungjillëzimit, ndërsa konakët janë në anën jugore. Manastiri është i rrethuar me mure. Kisha e manastirit i është kushtuar Ungjillëzimit të Hyjlindëses dhe kremton më 25 mars. Të ardhurat vjetore të manastirit kanë qenë 100 lira. Sipas Porf. Pirro Thomos kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal, me përmasa të brendshme 6.60x3.70 m. Kisha është ndërtuar me gurë shtresorë, me vendosje të rregullt. Në anën perëndimore është hajati pa tavan, i cili mbulohet me çati druri. Tamburi i kishës është tetëfaqësh dhe i zbukuruar. Muratura e tamburit është me radhë gurësh të alternuar me radhë tullash. Ajo përfundon me një kornizë prej katër radhë tullash, të vendosura në formë dhëmbësh sharre. Altari ka apsidën e madhe, dy nike rrethore për protezisin dhe një nike tjetër për diakonikonin. Apsida kryesore është trefaqëshe, me nike me harqe tullash. 


Kisha e Ungjillëzimit është ndërtuar: επ έτους Ζ y (7090=1582) “në vitin 1582”. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur mbi një tullë të murosur në apsidë jashtë kishës. Mbi portën perëndimore, në narteksin e kishës është ky mbishkrim: + Ανιστορί(θη) καί έκαλλοπίσθη ό θοίος καί πάνσεπτος ούτος / οίκος τής οίπεραγίας ένδόξου καί αηπαρθένου μαρίας δη έ/ξόδου τού κηρ Μιχάλη Δημητρήου έκ πόλεος Αργιροκάστρου, άρχηπετατεύ/ον οίπο τού θεοφηλες(τ)άτου έπησκόπου Δρ(υ)ινο(υ)πόλεος Κηρ Μητροφάνους οίγουμενευ/ον Οίοάκημ οίερομοναχ(ου) κ(αί) Νικδήμου οιέρομονάχου, Δανιήλ οιερομονάχ(ου), νικιφόρου ίερο/δηάκόνου, δηά χιρός καμού τού άμαρτολού Ιω(άννου) έν χόρας κεστοράτες – 1758 29 μηνί.......“U pikturua dhe u stolis kjo shtëpi e hyjshme dhe e gjithënderuar e së Mbishenjtës, së lavdëruar dhe gjithmonë virgjëreshës Mari, me shpenzimet e zotit Mihal Dhimitri nga qyteti Gjirokastër në kohën e peshkopatit të peshkopit shumë perëndidashës të Drinopojës, zotit Mitrofan, kur ishte igumen jeromonak Joakimi dhe jeromonak Nikodhimi, jeromonak Danieli, jerodhiakon Niqifori. Me dorën time, të mëkatar Janit në katundin Qestorat-1758”. 


Sipas mbishkrimit kuptojmë se narteksi i kishës është pikturuar fillimisht prej ikonograf Janit nga katundi Qestorat në vitin 1758. Por afresket e tij nuk shquhen për cilësi të lartë artistike. Afresket e dy zonave të para të narteksit i ka pikturuar Mihaili nga Linotopi në vitin 1617. Ky fakt vërtetohet nga një mbishkrim që gjendet mbi portën e narteksit të kishës: .....άρχιερατεύοντος τού θεοφειλεστάτου έπισκόπυ κύρ Ματθέου Ιωανήνον ίστορήθη δε διά χειρός καμού τού άμαρτολού Μιχαήλ έκ τής κώμης Λυνοτοπίου τής καστορίας – έτη Ζ Ρ Κ Ε (7125=1617). Ιωαννικιος Δακον. “….në kohën e peshkopatit shumë perëndidashësit Mattheut të Janinës. Pikturuar me dorën time të mëkatarit Mihail nga Linotopi i Kosturit, viti 7125 (=1617), Janiqi Dhakon”.


Mihail Lintopi ka realizuar skenën "Gjyqi i fundit" në murin lindor të pjesës së eksonarteksit. Në kthinën këndore ai ka relizuar me mjeshtëri skenën "Tallja", ku figura kryesore është Krishti, i veshur me mantel dhe me një kurorë me gjemba mbi krye. Pranë tij janë çifutët duke e tallur. Përbri Krishtit paraqitet një ndërtesë me ballinë, e cila tregon pallatin e Pilatit. Gjashtë muzikantë të ndarë tre e nga tre luajnë në daulle, lahutë, llautë, zumare dhe llullak. Përballë Krishtit qëndrojnë dy djem, të cilët i përulen Atij në shenjë nderimi, ndërsa dy valltarë kërcejnë duke tundur shamitë. Sipas studiuesit Konstandinos Giakumis në pikturimin e kishës së manastirit të Vanishtës, Mihail Linotopi ka përdorur karakteristikat e shkollës epirote. 


Sipas Porf. Pirro Thomos në anën veriore gjenden ndërtimet ndihmëse të manastirit: kulla dhe stera e ujit. Kati përdhes i konakëve përdorej si katua. Në katin e dytë ishin qelitë ku banonin murgjit. Mbi portën shtjellohet një çardak në formë ballkoni, prej të cilit shihet e gjithë lugina e Dropullit. Stera e ujit është në ndërtesën në formë kulle. Në pjesën e poshtme të sterës është një çezmë, e cila shërbente për furnizimin me ujë. Mbi sterën është ndërtuar një kat i dalë me konsol në anën ballore. Kati i sipërm ka dritare të mëdha. Ndërtesa tjetër është përdhese. Ajo përdorej për kuzhinë. Kisha e manastirit të Ungjillëzimit është shpallur monument kulture në vitin 1963.

 


Monday 20 March 2023

JETA VDES, ATJE KU VDES PYLLI

( Me rastin e 21 Marsit Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve)

 "Pylli është dashuria ime, ai është një tempull hyjnor, i gjallë plot jetë , ku dhe ateistët më kokëfortë fillojnë dhe besojnë në egzistencën e Zotit. Pa dëshirën dhe vullnetin e Tij, nuk mund të krijohen këto mrekulli. Nëse deshiron ta takosh Zotin, vetëm në këto mjedise të krijohet ky privilegj."



nga: Kristo KAURI
Sarandë

Kur hap “portën” gjigante të pyllit, një ndjesi e bukur e ëmbël të pushton. Ndjen ngadhnjim, krenari dhe madhështi.. Kur je ne pyll, fillon pastrimi i trurit dhe i zemrës, lemë jashtë tij pasionet e këqia, zemërimin, stresin, ankthin, xhelozinë dhe përpiqemi të përjetojmë çdo moment.

 

Çdo gjë këtu ka jetë dhe kjo jetë të befason. Një jetë që është produkt i energjisë diellore, dhe e gjen në dru, në kurorë, në tokë dhe nën tokë. Këtu çdo qenie “ha diell”, jeton nga dielli, ngrohet me diell, merr frymë nga dielli dhe i përulet magjishëm diellit.

 

Këtu jeta, dashuria, miqësia, bukuria, poezia, muzika, miqësia, madhështia..... marrin një kuptim dhe një përmasë tjetër.

 

Vazhdoj rrugëtimin nën mbretërinë e drurëve, dhe magjia e tyre me shoqëron në çdo hap. Drurët nuk nxitojnë, nuk vrapojnë siç bëjnë njërëzit, ato rritën ngadalë, shumë ngadalë dhe kjo dukuri i shoqëron gjithë jetën.

 

Ja le të shikojmë shumëzimin dhe shtimin e tyre. Është mistike ato i marrin masat një vit me përpara. Halorët pothuaj frutifikojnë çdo vit, ndërsa fletorët kanë një programim tjetër, ato frutifikojnë 1-3 vjet.

Kur fara bie në tokë në vjeshtë, llogjikisht duhet të rrenjëzojë, por nuk ndodh një gjë e tillë. Po të çelin menjëherë do të përballën me dy probleme. Ato nuk do të përballojnë ngricat e dimrit dhe do të vdesin, dhe një pjesë e madhe e tyre nuk do t’i shpetojnë ngrënjes nga kafshët.. Këte përiudhë ka mungesë të thëksuar ushqimi.

 

Ky fenomen i përvitshëm dhe për shumë shekuj, ushtroi presion mbi fletorët. Duket sikur drurët për të mbijetuar, për t’ju përshtatur situatave dhe sfidave, filluan të merren vesh me njëri- tjetrin.


Drurët në përgjithësi i kanë të dya llojet e luleve, si femërore dhe ato mashkullore. Për përmirësimin e racës së tyre, përmirësimin dhe evolimin e llojit që të durojnë më mirë sfidat, nuk duan që të pllenohen me lulet e të njëjtit lloj, dhe me ato që ndodhen shumë pranë. Jo vetëm nuk duan, por janë programuar dhe këmbëngulin që ta pengojnë një gjë të tillë. Ato nuk i çelin përnjëherësh të dy llojet e luleve, por ruajnë një interval kohor midis tyre. Vetë rrugëtimi në miliona vite i ka detyruar të bëjnë një veprim të tillë. Drurët që pllenohen me lulet e të njejtit lloj, ose me drurët shumë pranë, humbasin shumëllojshmërinë, cilësitë, dhe bëhen shumë të ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe nuk përballojnë konkurencën.

 

Drurët vërtet nuk kanë tru, por të befason ruajtja e ekuilibrit, dhe përllogatitjet që bëjnë në administrimin dhe shpërndarjen e fuqisë dhe energjisë së tyre. Ato i bëjnë llogaritë mirë që të plotësojnë të gjitha nëvojat e tyre. Një pjesë të energjisë, të ushqimit, e përdorin për të zhvilluar trungun, degët, gjethet, rrënjët, që ato të rriten dhe të forcohen, të mbajnë peshën e borës, t’i rezistojnë forcës së erës, të përballojnë konkurencën.... Druri mendon për çdo gjethe të tij që t’i ushqejë dhe ato të gjitha së bashku, e ndihmojnë drurin që të ngopet me ajër, të marrë frymë lirisht, dhe proçesi i fotosintezës të bëhet në mënyrë perfekte.

 

Një pjesë të rezervave i mban dhe i përdor në momentet e vështira, për të përballuar sulmet e armiqve. Ato i mbajnë dhe i ushqejnë mirë ushtarët mbrojtës, insekticidet, aromat, enzimat, taninin.... Një ushtri e stërvitur dhe e ushqyer mirë, është në gjendje që të përballet me çdo situatë.

 

Në fund çfarë mbetet nga rezervat ushqimore, druri i përdor për riprodhimin e tij. Në momentin kur lulëzojnë pllenohen dhe janë në orgji, siç çdo qenie e gjallë e humbasin vigjilencën ndaj sulmeve të armiqve. Në çdo moment ekzistojnë insekte, bakterie, kërpudha që presin për të goditur atje ku hallka e zinxhirit është më e dobët.


Në fazën e lulëzimit, pllenimit, në se druri sulmohet dhe rrezikon jetën e tij, ai nuk e ndalon këtë proçes magjik që të mirret me armiqtë, ai është i vendosur që të sigurojë vazhdimësinë.

 

Ja shikoni këtë lis gjigant mbi 30 metra lartësi. Gjatë gjithë jetës së tij mbi 400- vjeçarë, do të prodhojë me miliona fara (lëndë ), dhe vetëm njëra prej tyre do të këtë fatin që ta zëvendësojë. Të gjitha të tjerat tashmë e dinë fatin e tyre, do t’i hanë kafshët, shpendët ,ose do të bëhen humus dhe ushqim për të ndihmuar farën e vetme që do të sigurojë vazhdimësinë.

 

Lis në Pyllin e Parës, Pogon (Foto Th. Naka) bb

Kur nga mosha e tejpjekur rrëzohet dhe vdes druri mëmë, bijat që ndodhen poshtë saj pësojnë shok. Ato njësoj si njerëzit kur humbasin njeriun e tyre të shtrenjtë, çorjentohen, alarmohen dhe vriten shpirtërisht nga humbja.. Duan kohë që të rimarrin veten dhe të përshtaten pa ndihmën e nënës, duan të paktën 3-10 vjet.

 

Më tërheq vëmendjen një ah që ka mbirë poshtë pishës, dhe i ka dalë asaj sipër, duke e nenshtruar atë plotësisht. Kur një zog e merr farën e ahut dhe e fsheh atë në rrënjët e pishës, kjo farë në pranverë rrënjëzon dhe rritet pa zhurmë. Rrënjët e ahut futen në zgavrat e rrënjëve të pishës dhe në mjediset e lira, dhe thithin rezervat ushqimore që i nevojiten. Kështu ai zhvillohet shpejt dhe në disa vite pushton hapësirën dhe krejt pishën. Karakteristikat biologjike të ahut, e bëjnë që ai të jetë i veçantë dhe i pakonkurueshëm nga llojet e tjera. Pisha mund të vazhdojë kështu për disa vite, duke luftuar për të mbrojtur shtëpinë e saj, por në fund do të dorëzohet. Në mjedise pyjore, në bashkësi dhe në habitatin e tij, ahu është ai që bën ligjin dhe i nënshtron të gjitha llojet, ndërsa në vendet e hapura është ai që nënshtrohet nga llojet e tjera.

 

Ecim në brendësi të pyllit dhe ajri i pastër që thithim, ngjyrat, peizazhet shndrrohen në mendim, në meditim, në energji, poezi në ngrohtësi.... Njerëzit që u vjen i ftohti nga thellësia e shpirtit, nuk e përjetojnë këtë magji... Ata janë të dënuar nga Zoti të qëndrojnë të ftohtë dhe që nuk do t’i shijojnë kurrë këto emocione në jetën e tyre.

 

Pylli është dashuria ime, ai është një tempull hyjnor, i gjallë plot jetë , ku dhe ateistët më kokëfortë fillojnë dhe besojnë në egzistencën e Zotit. Pa dëshirën dhe vullnetin e Tij, nuk mund të krijohen këto mrekulli. Nëse deshiron ta takosh Zotin, vetëm në këto mjedise të krijohet ky privilegj.

 


Në çdo moment në çdo stinë, ka diçka të re, asnjë herë njeriu nuk shikon të njëjten pamje dy herë. Nuk mjaftojnë sytë për të parë dhe kuptuar këtë botë mistike, duhen dhe sytë e shpirtit të zemrës. Truri dhe miliardat e qelizave të trupit, zemra dhe shpirti , nuk duhet të gjendën në kohën e shkuar, as në të ardhmen, ato duhet të përjetojnë momentin, të tashmen.

 

E admiroj pyllin, ai nuk është i zhurmshëm dhe i mërzitshëm si qyteti, nuk është i ndotur, ai është i heshtur, me një heshtje magjike, një heshtje që shpalos dhe të tregon shumë gjëra. Për ta zbuluar më mirë, edhe levizja jonë duhet t’i bashkohet kësaj heshtjeje, kësaj harmonie, këtij ritmi, kësaj muzike dhe poezie.

 

Ne pylltarët shumë herë në pyll, nuk ndjekim ku na shpie shtegu, rruga.. Për ta kontrolluar dhe monitoruar me mirë, krijojmë shtigje dhe monopate të reja, të pashkelura, të vështira..

 

Pylli i ngjan një supermarketi gjigant natyror, tejet i pasur dhe i mbushur me prodhime e rezerva. Këtu gjen gjithçka, gjen lëndën e drurit, drutë e zjarrit, qymyrin, kafshët, shpendët, farat, frutat, gjen ujin, mjaltin, bimët mjekësore, gjen ajrin e pastër, gjen lulet., kërpudhat, peizazhin.... Është një thesar i vërtetë ku shumica e tij ndodhet i kyçur me dry... Për ta marrë duhet gjetur çelësi magjik, çelësi që nuk lëndon, që nuk vret, duhet gjetur çelësi i vërtetë dhe jo ai kopil, duhen gjetur njerëzit e duhur, pylltaret e pasionuar, të përgjegjëshëm që dinë t’i përdorin këto çelësa dhe dinë të administrojnë këto thesare. 


Po largohem sot nga pylli, largohem për të qëndruar gjithë jetën pranë tij. Ka shumë mënyra për të hyrë dhe komunikuar me të, ka shumë porta, shumë drejtime për t’u futur, por vetëm një rrugë dhe një mundësi të vetme për të qëndruar gjithmonë pranë tij..  Ajo është dashuria, respekti dhe nënshtrimi ndaj ligjësive te tij , është bashkëpunimi dhe dëgjimi i zërit dhe i simfonisë së Tij.

 

Duke e përshendetur për t’u riparë shumë shpejt, me vjen ndërmend pylltari pasionant Adalbert Stifter që tha : 
“ Pylli është fati ynë ! Mbrojtja dhe përkujdesja për të do te thotë: T’i shërbesh jetës. Jeta vdes atje ku vdes pylli.”




 

Friday 17 March 2023

NGA KUJTIMET E SKORESË


1.    Ndërzimi artificial.

( Thuajse të gjithë burrat e kësaj historie më vonë rranë në burg, tekniku i ndërzimit ndoshta jo .)

2.    Triori.

(Triori i vogël i sopiqotit, ishte ndoshta puna e fundit e bërë privatisht në vitet e socializmit .)

3.    Patatet kineze.

(Natyrisht ngjyra e patateve nuk kishte asnjë lidhje me baletin kinez " Detashmenti i kuq i grave ".

 

nga: Petro  MEJDI

Athinë, Greqi


Ndërzimi artificial

Ndoshta do ta kisha haruar atë ditë të fëminisë së largët në Skore, po të mos ndodhnin ato që ndodhën. E mbaj mënd shumë mirë. Duhet të ishte gusht. Vajta pas babait në Halikarja, mbi fshat, aty ku merr e përpjeta e shpateve që të çojnë në Nëmërçkë. Në fillim ndënja vetëm. Hodha nja dy gurrë mbi një arrë dhe duke i goditur i hapa nja 3 - 4 që rranë në tokë. Lëngu i lëkurës së gjelbërt të karidhjave, kaçkave ( siç u thonë andej nga anët e Përmetit) më pikluan bluzën. 

 

Ndaj dhe i lashë të tjerat. Iu afrova tendës së mbuluar me fier (vrahlla). Të gjithë ata burra ishin të njohur, veç njerit, që me sa duket duhet të ishte specialisti gjirokastrit i asaj që po shikonin sytë e mi me shumë habi. Më tërhoqën vëmëndjen ca epruveta, ca hinka, ca si pjesa e fundit e një shiringe, një tub llastiku,  deshë të mëdhenj, me brirë të frikshëm, të cilët turfullonin dhe kishin marrë pozicion sulmi, gati - gati si atëhere kur ndeshen midis tyre dhe bëhen terë gjak e brirë të thyer, dele që blegërinin nga frika, ndoshta mendonin se do t' i therrnin. Por jo! Ai veprim ishte shumë i shkurtër dhe ato, pasi shpëtonin nga ajo mengene duarsh, dilnin nga tenda e hapur gati duke vallzuar. Ndoshta gëzimi nga fekondimi, ndoshta nga që shpëtuan nga thika, ndoshta, ndoshta se do të bëheshin përsëri nëna.

 

E dhe këto mund t'i haroja, po të mos qe ai fjalor ( Në klasën e katërt kisha ngrenë dru vënçe nga Jermanoi për një fjalë të tillë, të cilën, burra të mëdhenj e thoshnin pa të keq). Dhe jo vetëm kaq, por ngacmomin njeri- tjetrin me aq fjalë ( të ndaluara), na thoshnin në shkollë, (vomolloga, atahta llojia ), për të cilat Jermanoi na porosiste se nuk duhet t'i përdorim), dhe qeshnin, disa nga e qeshura me gjithë shpirt, që të mos binin, mbështeteshin në murin prej purtekash dhe veshur me fier.

 

Më aktivi ishte T.D. Në fakt i thoshte me lezet dhe kur i thoshte qeshte bashkë me të tjerët që i dëgjonin, bile, ata, përgatisnin fytyrën për të qeshur që më parë, se e dinin fjalorin e T- së, ndërsa disa i thoshnin duke shkrirë së qeshuri: 

-       Na se pari o dhjavollos ore T , poso orea ta les!( Të marrtë dreqi or T, sa bukur i thua !)Por T. nuk e vazhdonte më historinë kur i vëllai, pasi kishte qeshur dhe ai pak i rezervuar, e shikonte me fytyrë të ngrysur dhe T. heshtëte.

-       Stamatiste, akui qe o mikros( Ndaloni se na dëgjon dhe i vogli .)"

"O mikros " isha unë, me pantallona të shkurtra e me tiranda të kryqëzuara, me fytyrën e kuquremtë në të zeshkët nga dielli dhe kokën e qethur, me sandale, të cilat i kishte bërë cangari ( këpucari ) i fshatit, Nasho Bei, i karfoste rrypat me tel në anë të shuallit dhe kur anët e telit ngriheshin, më gërvishnin ta matia podharion, çoket e këmbëve, të cilat, thuajse gjatë gjithë beharit e deri vonë në vjeshtë i kisha të gërvishura dhe me gjak, vizatoheshin në atë mënyrë çoket, sa që të krijohej përshtypja se ndonjë infermier më kishte bërë ndonjë vaksinë. Në kohën e fëminisë time vaksinat bëheshin me një age, duke të gërvishur .

-       Dhen kseri aftos ti leme emis, ( Nuk di ai seç themi ne ) iu hodh T, më aktivi në romuze, alla tha ta mathi otan erthi i ora. 

( Do i mësojë kur t'i vijë koha ). Atëhere u binda se ata vërtet po bënin shkaka të turpëshme .Isha i vogël për të kuptuar tërësisht, pse ata burra të martuar, baballarë të shokëve të mi, qeshnin aq shumë me historitë dhe ngacmimet që i bënin njeri - tjetrit dhe fjalët e T- së. Dhe i gjithë muhabeti gazmor frymëzohej nga ajo që bënte tekniku me delet dhe deshët e racës. 

 

Ata heshtën për një çast dhe unë dola .Sa pa bërë disa hapa T filloi prapë,  por këtë rradhë me sa duket ka ngacmuar xha Kitën, Kita Markon. E kuptova nga zëri dhe nga shprehja " me demek" , shprehje të cilën e thoshte vetëm ai në fshat, sa që midis nesh i thoshnim" o Demekos". Diçka të rreptë i thoshte T- së xha Kita, komshiu im. Kur isha brënda nuk merrte pjesë në bisedë dhe as qeshte. Ika tutje në arën e korrur e të shkelur nga bagëtia i shoqëruar nga e qeshura e poterëshme e thio Koçit, e Koço Poçit. E njoha atë të qeshur, vetem ai qeshte kështu. Tani që i kujtoj shumica e atyre burrave që qeshnin atë ditë aty në tendën me fier, në ditën kur ndërzeheshin delet, më vonë shkuan në burg. Dhe xha Stoli, ai që bënte djathin, dhe vëllai i T - së, dhe xha Kita, dhe thio Koço Poçi dhe Miçi Kondolloli. Dhe dy xhaxhallarët e mi, barinj dhe ata.Një shtet që trembej nga disa barinj , shumica analfabetë! Naryrisht, lista është më e gjatë. Ne përmëndëm ata që u ndodhën tek tenda atë ditën e ndërzimit artificial.

 

Nuk e mbaj mënd sa kohë zgjati kjo metodë ndërzimi. Më vonë sollën deshë race, u jepnin dhe qumësht të freskët  Për mua është një nga kujtimet më të çuditëshme nga mosha e fëminisë. Nuk isha më shumë se 6 vjeç.




Triori

Ishim duke luajtur tek oborri i kishës, natyrisht, kriftokuti, (kukamshefthi) kur dëgjuam zërin e një shoku që na thërriste, ishte një e thirur pas një vrapimi dhe ai zë me gulçima në fillim na trëmbi.

Po na thërriste që nga muri i sallës së leximit. Ai nuk u fut në lojë, hidhte gurë mbi sheftelanë, kajsinë stambollite, të Flenxuros, e vetmja pemë e tillë në Skore, ndoshta në të gjithë Pogonin. Ajo ka vite që është tharë ,por na ka marrë shumë orë nga lojrat tona të asaj kohe. Shoku na thotë më zë të mekur: 

-       Ellate na dhite kati sto spiti tu Koço Paspali.(Ejani të shikoni një gjë tek shtëpia e Koço Paspalit.) Kujtuam se kishte zbuluar ndonjë furik pulash. Të tillë furiqe gjenim nëpër lofata, nëpër mullarë dhe në kasollet e kashtës, por nuk i tregonim, i pinim vezët, ose i këmbënim tek dyqani i fshatit me llokume sovjetike dhe biskota. 

Lamë lojën dhe vrapuam për tek shtëpia e pa banuar e Paspalëve, e cila ishte nja 150 m nga kisha, por ne i ramë shkurt duke kaluar në ca ngushtica midis shtëpive.

Nga disa metra larg vinte një zhurmë, herë si tik- tak, herë si gërvishje. Kur u futem " në hollin " e shtëpisë së Paspalit( Po, ngjante me një holl. Ajo ishte një shtëpi e padjegur nga dy bombardimet në të dy Opeacionet e gjermanëve kundër partizanëve. Shtëpitë arhondika të Skoresë kishin një arkitekturë moderne, në krahasim me shtëpitë e thjeshta të fshatit Më e bukura ishte shtëpia e Shutit.)

Një burrë flokbardhë ishte ulur tek pezuli (në prak), dhe me njerën dorë rrotullonte një manivelë, dhe vetë ajo rrotullonte dy si kosha, si kusi të stërmëdha alumini, të gjëra, të rrumbullakta, të cilat në fillim na ngjanë me centrifugen, me të cilën, e dhe atë e lëviznin me dorë, nxirrnin mjaltin nga tellarot, nga hojet. Ato vinin të rrumbullakta, të fryra dhe kur pamë vrimat mbi sipërfaqen e tyre, na gjanë me një drimoni gjigand ( shoshë). Mbulesa e teneqenjtë ishte gjithë vrima dhe me një dalje për së brëndëshmi. Bënte një zhurmë nanuritëse që të ndillte gjumë. Poshtë atyre boshteve që rrotulloheshin, sopiqoti kishte vënë korita, brënda të cilave, gjatë rrotullimit binin me madhësi të paracaktuara nga teknologjia, ato mbusheshin me kashtëra, egjër(ερα , ιρα ), kokra të zeza si të thjerzës, ose të rumbullakta si të urovit, kokra, të cilat ngjanin me të grurit, por të vyshkura, dhe në njerën grumbullohej fara e pastër gjithë shëndet e grurit kokëmadh me vijën ndarëse e të dukëshme në mes. Dikush tha : " Ine o sporos ja tu hronu" ( Është fara për vitin tjetër). Ne, pasi morrëm guxim, vinim pëllëmbën mbi sipërfaqen me vrima dhe atëhere na dridhej gjithë trupi.

Sopiqoti na vështronte, rrotullonte manivelin dhe balli i mbushej me bulëza djerse. E la manivelin dhe pas disa rrotullimesh triori ndaloi. Ne kujtuam se do të na dëbonte,

-       -   Ella edho esi vllahe, fenese o megaliteros ( Dhe vërtet kisha hedhur shtat herët), ja pare to heruli qe ferto jiro.( Pa eja këtu ti, merre dorezën dhe rrotulloje ) U çudita si më njohu. 

Me sa duket, më kishte parë në Sopik, kur kam shkuar ndonjëherë me kinemanë lëvizëse me babain, i cili, e merrte kinemanë të ngarkuar mbi mushka nga Poliçani në Skore dhe të nesërmen e çonte në Sopik. Pas disa dështimeve për të gjetur ritmin dhe kohën e lëvizjes së manivelit, ai, triori, filloi të rrotullohet. 

-       Tha fate katharo katharjo, dhen tha methisete apo tin era, na thoshte sopiqoti.( Do hani bukë të pastërt gruri, nuk do të deheni nga egjëra.) 

Këto që tha më kujtoi një shtëpi në fshat, ku disa pjesëtarë kishin ngrenë bukë me egjër dhe rrinin shtrirë, se u merreshin mëndtë.

Nuk e mbaj mënd mirë vitin, por, triorin sopiqoti më duket se e kishte privat. Duke rilexuar " Historinë e P.P të Shqipërisë" mësova se qeveria kishte lënë të paktën deri në 63 -në disa profesione dhe zanate që të ushtroheshin privatisht. I tillë, privat ka qënë dyqani i Jani Rexhos në fshat, me sa duket dhe triori i tillë do të ishte.

Ja pra nga viti në vit në Pogon po ngjitej " industria". Në fillim traktorët, makinat e SMT- së, kinemaja, koriera e famëshme, më vonë dunavat  (makinat shitëse që i vinte në punë një rryp transmisioni i cili lidhej me një zetor) dhe, më vonë motokorset e vogla, të cilat mbushën fshatin me spango, dhe në fund kombajnat "Fochstrit ". Të gjitha këto për ne ishin si një përrallë.

Nuk e pamë më në fshat as triorin, as sopiqotin. Me sa duket ndonjë vendim tjetër i qeverisë i kishte ndaluar. Pastaj erdhi korenti, në fillim nga centrali i fshatit, aty nga 1966. Pastaj erdhën triorët e mëdhenj të UMB- së së Durrësit. Por ai triori i vogël, të cilin e prekëm me dorë dhe e rrotulluam me manivelin e tij dhe ne djemtë e fshatit, nuk e haroj kurrë.

Triorat që prodhonte UMB Durrës


Patatet kineze 

(Kishin një ngjyrë të kuqe të zbehtë, të trëndafiltë në të verdhë, me nuanca drejt së kuqes, një ngjyrë e papërcaktuar, si vetë maocedunideja,  nuk kishin asnjë lidhje ideologjike me baletet kineze "Lindja është e kuqe " dhe "Detashmenti i kuq i grave")

 

Si të rritur në fshat kishim parë dhe kishim ngrënë patate, dhe në gjellën me mish, por dhe të pjekura, kur i mbulonim me prush e hi në buhar (vatër). Ishim në pushim të mësimit, kur nga rruga që të sjell nga Poliçani, hynë në fshat shumë mushka të ngarkuara me kasona, arka. Kaluan në krah të shtëpisë së Badove, një shtëpi dhe ajo nga arhondikat,  kaluan përpara rradhës së disa ndërtesave rradhë dhe të ulta, njeri ishte dyqani, το μαγαζί, i cili ndrronte emër sipas shitësve, në supkoshiencën time ka mbetur, kur na thoshnin: 

-     Pijene stin Cija tu Bei na paris zahari ( Shko tek Cija Bei të blesh sheqer), dhe tek mani i kuq, i cili nuk është më, por përsëritet shpesh në biseda si toponim dhe mbahet mënd për kurorën dhe manat e kuqe, morrën të përpjetën për tek depoja e kooperativës. I mbaj mënd kështu, se ne, kureshtarë siç ishim, lamë lojën dhe vrapuam për të parë.

 

Që larg ndrisnin ca shirita alumini që i mbanin të mbyllura arkat, deri atëhere ato i kishim parë të ngarkuara nëpër thasë, shkëlqenin kur mbi to binin rrezet e diellit. Kujtuam se kishte ardhur ndonjë kurbetlli për fare, ose do të ishin arka me fishekë. Ndoshta për në postën e Sopikut. Kërshërinë na e zgjidhi dikush që tha: 

-       Ine patates apo tin Kina tu Mao Ce Dun. Ine koqines.( Janë patate nga Kina.Janë të kuqe) Fjala e fundit na bëri më shumë kureshtarë.


Pak amballazhimi, pak largësia, që nga Kina vinin ato, dhe më shumë ngjyra, bënë që të shkonim t'i shikonim në vend. Karvani i mushkave u shkarkua tek shtëpia e Paspalit tjetër, e Nasho Paspalit, i cili si u arratis me gjithë familjen, ishte vendosur në Amerikë, pra shtëpi e braktisur si disa në fshat, të cilat i administronte kooperativa. Erdhi dhe një herë në mes të dimrit me dëborë, mori dy fëmijët dhe gruan dhe iku.

 

I pamë arkat nga afër. Zverdhonin dhe zbardhnin dërrasat, dy nuanca druri, dhe ndrisnin shiritat e zingatos( ndoshta i tillë ishte ai metal). Kur u hapën arkat, cipa mbështjelëse do të na zbulonte ngyrën e vërtetë, kur dikush preu në copa një patate të madhe. E bëri prerjen në atë formë, që në çdo copë të kishte të paktën një të thelluar, që duhet të ishte sythi, i cili me të takuar lagështinë e tokës së punuar e plehëruar krijonte formën e sythit. Ai e dinte se si duhej, ishte agronomi. Dhe vërtet zhardhoku i patateve ishte i kuq, në ngjyrën e një panxhari të vogël. Disa thoshnin se nuk hahen, disa thoshnin se janë me ilaçe. Ndoshta i thoshnin këto që të mos vidheshin. Megjithatë, pas hezitimeve të para, ato dhe i poqëm dhe gjellë i bëmë në fshat. U mbollën nëpër arat e brigadave të Skoresë, por u panë dhe në kopshtet private. Ristelat e gjera të dërasave i shikoje nëpër katoje, qilare, ose të ngulura për të zënë ndonjë të çarë në dyshemetë e shtëpive, dhe ata shiritat e ndritshëm, i pamë në gardhet dhe ovorotë e druve.

 

Kishte tani dhe fshati ynë diçka kineze. Sjellja e tyre shoqërohej dhe me propagandën për Kinën motër të Mao Ce Dunit. Nuk e mbaj mënd se si shkoi rendimenti i tyre. Si na iku dhe kurioziteti për ngyrën e tyre, si u mësuam dhe me shijen e tyre pak të veçantë, si u lodhëm së drejtuari dhe luajtur me shiritat e hollë të metaltë që ndrinin, i haruam fare. Më vonë haruam dhe vetë Kinën e madhe të Maos, kur na thanë se nuk e kishim më, as motër, as aleaten e madhe.




 

 

Monday 6 March 2023

ÇELJA E MËSONJËTORES SË PARË SHQIPE NË KORÇË

nga: Koço MOSKO

Boston, MA - SHBA

Hapja e shkollës shqipe në Korçë është një vepër monumentale e përpjekjeve titanike nga të gjithë Rilindësit. Pas pesë shekujsh në errësirën otomane, po jo vetëm kaq, se dhe romakët e ndalonin shkrimin shqip, Kombi shqiptar merr frymë, jeton, u ngrit sërish në këmbë, nga errësira doli në dritë. Shqiptarët sfiduan shekujt dhe nga thellësia e tyre nxorën gjuhën shqipe, xhevahirin më të shtrenjtë, armën e mbijetesës së tyre. Bazën teorike - pedagogjike të shkollës e përpunuan Naimi, Samiu, Jani Vretoja, etj, me tekstet e librave, që hartuan ata vetë. Edhe Pandeliu ka dhënë ndihmesën e tij në hartimin e teksteve shkollorë. 

 

Kjo shkollë do të ishte kombëtare e laike, shkollë për të gjithë shqiptarët: myslimanë e të krishterë, të varfër apo të pasur, fshatarë e qytetarë, vajza e djem, së toku. Kjo ngjarje do të përbënte një eveniment të shënuar për të gjithë shqiptarët. Lajmi për hapjen e saj në Korçë mori dhenë, patriotët shqiptarë, të gëzuar, me letra lajmëronin  njëri-tjetrin, kudo ku ndodheshin e jetonin, në të katër anët e botës. Patrioti Efthim Marko do të shkruante: “Mësojmë se shkolla u çel, se pema që u mboll dy vjet përpara, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla”. 


Së toku, myslimanë e të krishterë, në ditën e parë të shkollës, çfarë gëzim i papërshkruar për nxënësit, prindërit e qytetarët e tjerë korçarë, të cilët morën pjesë në këtë ditë të shënuar gëzimi e krenarie për gjithë shqiptarët. Ndërtesa ku u çel Mësonjëtorja u fal nga vëllazëria Terpo. Pandeliu, së bashku me vëllanë e tij, Koçon, sollën ato ditë në Korçë 150 abetaret e para, të cilat iu dhanë falas nxënësve.

 

Ditën e parë të shkollës ishin 35 nxënës, deri në fund të vitit të parë u bënë 60. Ilo M. Qafëzezi e përshkruan kështu atë ditë: “Nxënësit e parë ishin nga shtresa të ulëta, çirakë dyqanesh, zanatçinj, kallajxhinj, nxënës gunëbardhë me shishanet në supe, nxënës me dolloma, me veshje prej shajaku, me opinga me xhufka, të etur për të mësuar gjuhën amtare. Nga ana tjetër Pandeliu me atë buzëqeshjen qe e karakterizonte atë ditë, në fjalimin e shkurtër frymëzues, që mbajti tha: Ju e keni më të lehtë nga nxënësit e shkollave të tjera se ju do mësoni gjuhën që flisni në shtëpitë tuaja45. 

 

Në ditën e parë të shkollës, kur ra zilja në orën 8.00, mësues e prindër në oborrin e shkollës ishin të betuar për të mbrojtur fëmijët, sepse armiqtë e shqipes ishin zotuar të mos lejonin të fillonte mësimi e të hapej shkolla. Pandeli Sotiri, Koço Sotiri, Risto Vodica, ishin të gjithë të armatosur, por çdo gjë shkoi mirë e bukur  atë ditë. Vëllai i Pandeli Sotirit, Koço Sotiri, ishte jo vetëm mësues i shkollës, por dhe badigardi i vëllait të tij dhe Mësonjtores. Ai e shoqëroi një vit vëllanë, se situata në Korçë nuk ishte e mirë, ishte e komplikuar, prandaj u vonua një vit edhe hapja e shkollës në Pogradec. Shumë vite më vonë, në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, Çerçiz Topulli shoqëronte vëllanë e tij, Bajo Topullin në këtë kongres. Eh, sa kohë të vështira për shqiptarët, sakrifica për të mësuar gjuhën e tyre. Por shqiptarët nuk u ndalën që nuk u ndalën ... 

 

Në dëshmitë e nxënësve të Mësonjëtores së Korçës, Pandeliun e kujtojnë si njeri të mirë, diturak, orator dhe erudit, që dinte shumë gjuhë të huaja. Ata mburreshin me mësuesin e tyre para shokëve të shkollave të tjera të Korçës. Pandeliu, për sharjet, presionet dhe kërcënimet që u bëheshin nxënësve të tij nga antishqiptarët, u shkonte në shtëpi dhe i qetësonte. I këshillonte të mos mërziteshin dhe se kjo situatë do të kalonte shpejt. Polikseni Luarasi, ish-nxënësja e Pandeliut, kujton se ai vinte shpesh në shtëpinë e tyre: “Mua më deshte shumë e më përkëdhelte dhe më thoshte shpesh: Jemi nga një vend, nga Gjirokastra me vulë”. Ajo kujton dhe të vetmen vjershë, që ka lënë Pandeliu, se krijimtarinë tjetër, që mund të kishte, ia dogjën ose ia grisën, kur shkuan xhandarët turq për kontroll ose për ta arrestuar në shtëpinë e tij në Stamboll. Polikseni kujton se si Pandeliu na tregonte shumë vjersha të tij. Të dielat, në një sallë mblidhte fëmijët dhe u mësonte vjersha e këngë shqip, ftonte dhe prindërit t’i dëgjonin kur recitonin e këndonin fëmijët e tyre. Sytë e tyre mbusheshin me lot gëzimi. Një nga këto vjersha është edhe kjo: 


Vëllezër shqipëtarë. 
Lidhuni me dashuri, 
Erdhi koha e mësimit. 
Të fitojmë dituri. 


Mos mënoni, mos mënoni 
Punën tuaj mos harroni

Epni sot me dorë plot

Në mos mbjellçi, s’korrni dot. 


Pandeliu dhe shkolla shqip, që ai drejtonte, shpejt e fitoi besimin dhe admirimin e gjithë qytetarëve korçarë. Mësonjëtorja u bë një çerdhe atdhetarizmi dhe model i mirë për shkollat e tjera. Kjo ishte e gjitha meritë e drejtorit të saj, Pandeli Sotirit. Ai ishte njohës i mirë i mendimit filozofik, letrar, shkencor e pedagogjik francez46. Fëmijët korçarë filluan të largohen nga shkollat turke e greke dhe të frekuentojnë Mësonjëtoren shqip. Duhet theksuar këtu se Pandeliu, me shkollën e tij, po u merte nxënësit shkollave të tjera greke e turke. Në fund të vitit të dytë Mësonjëtoren e ndiqnin 200 nxënës, por vitin tjetër mund të bëheshin edhe 400. Ndaj, drejtuesit e këtyre shkollave, të shqetësuar, po luftonin, me intriga e presione, si dhe të ndërhynin tek autoriteteve vendase e turke dhe klerit ortodoks, që kjo shkollë, me drejtor Pandeli Sotirin, të mbyllej, sepse përbente rrezik që këto shkolla të mbylleshin. ...


Nga dita e parë e Shkollës së Pare Shqipe në Pogradec, hapur nga Koto Sotiri,
vëllai i Mësuesit Popullit Pandeli Sotiri më 14 Mars  1887. ( pikturë nga A. Kostandini)


Shkëputur nga libri "Udhëtim në Shpirtin Lunxhiot"  Tiranë 2022