Sunday 26 July 2015

Dafina (Laurus nobilis L.)


Dafina, shija e gatimeve dhe “doktor” i kuzhinës shqiptare
Një kurorë me gjethe dafine, fat të mirë u sjell:
poetëve, guzhinjerëve, studiuesave dhe mbretërve
( C. Dille & S. Belsinger)
            Që kur arrita të shijoja e të kuptoja mjeshtërinë e gatimit nga duart e nënës, shikoja se brenda të gjitha gjellëve që gatuante, ajo u hidhte dy-tri gjethe dafinë. Isha në gjendje të dalloja gjellët ku ishin hedhur gjethe të tilla, nga shija dhe aroma e tyre. Gjellët që kanë brenda gjethe të dafinës, marrin një shije e aromë të veçantë, ashtu siç u jep një shije të veçantë vanilja ëmbëlsirave. Madje kisha vërejtur, nëse dikujt i binte në pjatën e tij një gjethe, ai e mirrte me dorë nga bishti dhe e lëpinte me kujdes, që mos t’i priste buzët, sepse i ka anët të mprehta si sharrë. Gjethja e dafinës u jep gjellëve një aromë unike, të këndëshme dhe përmirëson shijen e tyre.  
Përdoret në supëra, turshi, pastërma, tavë me peshk, me pulë, gatimet me lëng të mishrave e perimeve, atyre që piqen në furrë apo në saç, sallameri, etj. Përjashtohen kryesisht ato gatime që gjethet mund të digjen gjatë përgatitjes. Në fillim kujtoja se kjo ishte një teknikë gatimi e krahinës tonë por,më vonë mësova se kjo mënyrë gatimi ndeshet tek të gjithë shqiptarët, madje dhe në popujt e tjerë të Mesdheut. Është një mënyrë gatimi unike e vendeve mesdhetare që po përhapet me shpejtësi në gjithë Botën. Kinezët që janë të shquar në përdorimin e erëzave të shumta në guzhinën e tyre, nuk flitet se e kanë përdorur gjerësisht në lashtësi gjethen e dafinës. Përdorimi i gjetheve të saj si erëz në gatimet e ndryshme në vendet mesdhetare, e ka zanafillën që në Prehistori. Është përdorur për mijëra vjet dhe nuk është çështje zakoni apo rutine por, ajo e përmirrëson vërtet dukshëm shijen e gjelleve.
            Në fshat nuk kishte pemë të shumta të dafinës. Ato ishin gjithësej nja dy-tre rrënjë në kopshtet dhe në kishë. Në gërxhet e malit, në xhepa të vegjël rritej edhe spontanisht. Mbaj mend që fshatarët shkonin aty për të mbledhur gjethe kur kërkoheshin në treg.
           Nëna zakonisht degëzat me fletë dafine i mirrte Ditën e Dafinës në kishë, ose nga dafina e një gjitoni në një kopsht ndënë shtëpinë tonë dhe i ruante për gjithë vitin në konizmën, ose atje ku mbante edhe ushqimet e tjera, për t’ju dhënë aromë si dhe për t’i mbrojtur nga insektet e ndryshme. Nuk harronte asnjë vit që të siguronte fletët e dafinës por, kur nuk kishte i mirrte në çdo kohë. Sipas kulinarisë bashkëkohore, gjethet e dafinës për një aromë e shije të mirë te gjellët, arrihet tri ditë pasi ato janë këputur. Pra, duhet të jenë të freskëta ose të ruhen në frigorifer për disa javë. Për këtë arsye, do të ishte mirë për ata që mirren me gastronomi, sidomos në zonat rurale, ku janë dhe kushtet, të kenë në kopshtet e tyre një apo dy rrënjë dafine. Në këtë mënyrë, përveçse mund të sigurojnë gjethe relativisht të freskëta, është e rëndësishme të theksohet se gjethet e dafinës së kultivuar, e kryejnë më mirë këtë funksjon. Gjethet e disa llojeve të dafinave të egra, janë shfaqur edhe shumë helmuese.            
Një dafinë në fshatin Selckë, Gjirokastër
            Dafina në gatimet e ndryshme ka dhe një veti tjetër interesante e shumë të dobishme për shëndetin e njeriut. Sipas të dhënave të mjekësisë popullore, shërben edhe për të luftuar disa infeksione që mund të mbartin gatimet ose sëmundjet që mund të zhvillohen ose t’i bëjnë keq organizmit të njeriut. Kjo është edhe objekt studimi i mjekësisë bashkëkohore.
            Ka studime që tregojnë se vaji i nxjerrë nga gjethet apo frutat e dafinës, ka veti narkotike (stimuluese), antibakteriale, antivirale dhe antikërpudhave patogjene, të cilat të mbartura në ushqime apo gatime, mund të shkakëtojnë pasoja serioze për shëndetin e njeriut. Në lashtësi dafina është përdorur ashtu si hudhra, për t’u mbrojtur nga epidemitë e ndryshme. Ende tek shqiptarët ruhet tradita e finjosjes së rrobave ose enëve të guzhinës me dafinë, që do të thotë dezinfektim apo larje me ujë të valuar të enëve, ku brenda hidhen gjethe të dafinës.  Gjethet e saj vendoseshin edhe ku ruheshin frutat e thata, veçanërisht fiqtë e stafidhet për t’i mbrojtur nga insektet e ndryshme. Disa e përdornin gjethen e dafinës edhe atje ku mbanin orizin e miellin pë të mos u prekur nga dëmtuesit, si dhe në biblioteka në mes të faqeve të librave (kjo e përdorur nëpër kisha  e manastire), u jipte një erë të mirë dhe i mbronte nga dëmtimet nga mola. 
            Gjethet dhe frutat e dafinës me një përgatitje të posaçme (receta të ndryshme), në mjekësinë popullore janë përdorur që në kohët e lashta për luftimin e disa sëmundjeve ose përmirësimin e shëndetit të njeriut si: ndihmojnë në tretjen e ushqimit, stimulojnë oreksin, për të luftuar sëmundjet e bronkitit dhe parandalimin e gripit, kollës së mirë, kundra disa sëmundjeve kanceroze, për të lehtësuar dhimbjet nga reumatizma dhe spazmat e astmës, mungesës së menstruacioneve, për abortime, për trajtimin e histerisë, dhimbjes së barkut, nxitjes së urinimit, ndihmës për djersitjen, mënjanimin e erës së keqe të këmbëve, trajtimin e çregullimeve të mëlçisë, dhimbjeve të veshëve, puçrave në fytyrë, rrudhave, ekzemat, hipertensionin, etj.(P.Kokalari, etj. 1980; S. Belsinger, 2009).   
           Nuk kemi  shkrime që të na tregojnë se sa i lashtë është përdorimi dafinës në gastronominë shqiptare por, të dhënat gojore, feja, folku i shqiptarëve, flasin shumë. Sipas këtyre të dhënave, në lashtësi Kulti i Dafinës tek shqiptarët është unik. Gjatë periudhës së Antikitetit e në vazhdim, ka  zëvëndësuar Kultin e Lisit, Dodonën e Lashtë Pellasgjike. Dafina nga kjo periudhë u bë Perëndia e shqiptarëve, sepse para së gjithash ishte një bimë shpëtimtare, veçanërisht ndaj epidemive dhe sëmundjeve të pashërueshme të njerëzve e kafshëve si dhe mbronte prodhimet ushqimore gjatë ruajties nga dëmtues e patogjenë të ndryshëm. 

Mite, tradita, fe, folk, histori, hulumtime         

Apollo dhe Dhafne. nga A. Pollaiuolo, 
1470. (National Gallery, London)

Mitet e lashta për dafinën e kanë zanafillë në qytetin e Delfit, rreth 3500 vjet më parë, ku përshkruhet si bima që adhuronte Perëndia Apollo. Në këto mite, thuhet se Apollo si shigjetar i zoti, ishte mbrojtës i Delfit. Ai përshkruhet si një Zot i muzikës, poezisë, profecisë, mbrojties së kafshëve, mjekësisë dhe shërrimit të njerëzve nga sëmundiet. Apollo gjithashtu është parë në mitet e lashta dhe si një Perrëndi, që mund të sjellë murtajën ose sëmundie vdekjeprurëse. Ky ra në dashuri me  Dhafne, një Nifë e lumit Peanus, kur u qëllua për vdekje me shigjetë në zemër nga Erosi. Hyjnesha Dhafni, ndjente neveri për Apollonin, madje ajo nuk dashuronte asnjë tjetër. Dëshironte të ishte e lirë, të merrej me vrapime dhe eksplorimin e pyjeve. Apollo e ndoqi për shumë kohë por, nuk mundi që ta zinte. Atëherë ai thiri në ndihmë Erosin dhe Dhafne ndjeu që tani rrezikohej. Ajo thirri në ndihmë babanë e saj, i cili hapi një gropë në tokë për ta fshehur. Si të gjitha Perënditë e tjera, për t’a mbrojtur nga Apollo, ai e transformoi të bijën në një bimë dafine. Këmbët e Dhafnes u transformuan në rrënjë dhe krahët në degë. Apollo u habit edhe nga bukuria e pemës. Ai e dashuronte prandaj edhe kështu, u mundua që t’a përqafonte por degët e dafinës i largoheshin.
            Që nga ajo kohë Apollo dafinën e konsideroi si bimën e tij, pasi mendonte se ajo do t’i shërbente civilizimit njerëzor për të arthmen. U kujdes që të jetë e gjelbër gjatë gjithë vitit dhe t’i mbajë larg kafshët dhe gjithë krijesat që mund t’i bënin keq asaj. Dafina, siç dihet, nuk preferohet nga kafshët si ushqim dhe ëshë rezistente ndaj sëmundjeve e dëmtusve. Apollo vendosi që rreth kokës së tij të mbante gjithmonë një kurorë me gjethe dafine. Sipas këtij miti, që atëhere gjethet e dafinës janë kosideruar si një simbol i Perëndisë Apollo.  Në lojrat që zhvilloheshin në Delfi(1400-800 PK), çdo katër vjet fituesave për nder të Apollonit, u vendosej në kokë një kurorë me dafinë. Kurora me dafina u bënë të modës në Greqinë e Lashtë gjatë Antikitetit për të kurorëzuar fituesit e lojrave olimpike. 
            Dafina u kthye në një bimë simbol të triumfit e të fitores. Më pas kjo traditë u zhvillua nga romakët, me kurora triumfale, ose lavdie, të cilat u vendoseshin gjeneralëve fitimtarë dhe perandorëve të Romës së Lashtë. Gjatë Mesjetes, poeti Dante Aligeri(1265-1321), nga piktorët parqitet me një kurorë dafine rreth kokës, që do të thotë se ishte një poet i shkëlqyer, më i miri. Mark Twain, la amanet që me vdekjen e tij(1910), në arkivol t’i vendosej vetëm një kurorë dafine. 
            Termi “Laureat” dhe termi “Bachelor” ose “Laurea”, rrjedhin nga kjo traditë, që do të thotë se personat që fitojnë këta tituj janë më të mirët, kanë triumfuar në fushat e tyre dhe meritojnë kurora me dafinë. Çmimi më i lartë “Nobel Laurete” që jipet sot në në fushat e artit, shkencës, politikës, etj., me fjalën “Laurete” nënkuptohet në mënyrë figurative se personi që ka fituar këtë çmim, ka fituar një kurorë dafine. Gjithashtu në shumë vende të Botës, në universitete ose kolegje kur diplomohen studentët, ende vendosin kurora ose kryejnë ceremoni me kurora dafine. Nga degëza dafine përgatiteshin gjithashtu kurora të dafinta gjatë ceremonive të vdekjeve ose për të përkujtuar në ditët e festave të rënët dhe dëshmorët, duke u vendosur edhe lule, shirita e zbukurime të ndryshme.
            Në folkun shqiptar si dhe të popujve të tjerë mesdhetarë janë shprehjet: “Mos fli mbi dafina”, “fle mbi dafina”, “E ka gjatur rrugën të shtruar me dafina”, që do të thotë se është i vetkënaqur nga lavdia që ka arritur, ose lavdia e një tjetri dhe nuk bën përpjekje të tjera. Këto shprehje që sot janë të përhapura pothuajse në të gjithë popujt e Botës, e kanë origjinën që nga lashtësia, e lavdisë që fitohej kur kurorëzohej me një kurorë dafine. 
            Në lashtësi, çdo pjesë e dafinës si: rrënjët, trungu, degët, fletët, frutat janë konsideruar si të magjishme, si mbrojtëse të njerëzve nga të gjitha rreziqet, natyrorë e artificialë. Priftëreshat e Delphit, përtypnin dafinë para se të bënin një profeci. Vendosja e gjetheve të dafinës ndënë jastëk, do të sillte ëndra parashikuese për të arthmen. Gjithashtu magjistarët, shtrigat apo djajtë,  nuk mund të dëmtonin e t’u bënin keq personave që mbanin me vete gjethe dafine. N. Culper(1616-1654),botanist, fisikant, herbarist dhe astrolog anglez, ka thënë : “Dafina është një pemë e Diellit me shënjën e Luanit dhe i kundërvihet të gjitha magjive e të këqiave të tjera që mund té kërcënojnë njeriun”. Një pemë dafine do të sillte fat në familje por, dhe nga tharja e saj, pritej një fatkeqësi e madhe. Thuhet se mbjellja e bimëve të dafinës afër shtëpive, mënjanon goditjet e rrufeve. Mbreti Tiber(Perandor, vitet 14-37) i cili kishte frikë nga rrufetë, bëri dhe një dyshek me dafina. Perandori Nero (37-68) kur murtaja shpertheu në Romë, shkoi me vrap ndënë një pemë dafine, etj.. 
            Feja ka qenë ajo që mitet e kultet, i ka shfrytëzuar në dobi të doktrinës së saj. Një nga këto bimë që shfaqet dukshëm kjo dukuri, është dafina, ku vërtetohet më së miri kjo lidhje. Në besimet fetare thuhet se dafina mbron botën nga djalli(shtrëmbëruesi) dhe satanai(armiku). Dafina simbolizon paqe, urtësi, qetësi, pendimin, shpengim fizik dhe moral. Në traditën e krishtere, hyrja e Krishtit në Jeruzalem sipas Biblës u kremtua me palma. Në Evropë palmat i ka zëvendësuar dafina, sigurisht kjo ka ardhur nga adhurimi i këtyre njerëzve ndaj kësaj bime që në periudhën Antike. Kishat gjatë kremtimit të shënjtorëve të saj, zbukurohet me degë të dafinës. Një javë para ngjalljes së Krishtit, kremtohen “Java e Dafinës”, “E Shtuna e Dafinës” dhe “Dita e Dafinës”, ku besimtarëve u shpërndahen degëza dafine(degëzat e fitores, të ngadhnjimit) të cilët i mbajnë në duar për të  përshëndetur triumfin e Krishtit mbi vdekjen. Besimtarët në përfundim të ceremonisë, degët e dafinës i marrin në shtëpitë e tyre dhe i vendosinin në konizmat që mbaheshin në një kënd të dhomës. “Uji i bekuar” thuhet se mirrej nga burimet dhe i filtruar në gjethe dafine, me të cilin priftërinjtë ortodoksë spërkatnin audiencën. Manastiret dhe kishat gjatë mesjetes, shqueshin për mbjelljen e bimëve të dafinave. Këto ndikuan edhe për shërndarjen e dafinës para dhe gjat Mesjetës në Evropë.
            Në një këngë të vjetër ku bëhet fjalë për manastirin e Spilesë në Saraqinishtë, Gjirokastër, thuhet: 
Atje lart në Manastir,
Dafinë e bukur ka mbirë,
Një dafinë dhe një ulli,
I kanë fletët një lloi…etj.
            Pra dafina edhe nga populli është përshkruar si një zonjë e bukur. Në një këngë që këndohej jo vetëm nga të krishterët por edhe nga muslimanët, të paktën që nga periudha e Mesjetës e deri në kohën tonë, në vargjet e saj, për mendimin tim, thuhen shumë.  E çuditëshme është se sa bukur e kanë konservuar  shqiptarët historinë e tyre. Kënga që këndohet sot e muzikuar, është deformuar pa të drejtë. Për sa kohë ne nuk do t’i njofim vlerat tona, vështirë është të na i njohin të tjerët. Ja se çfarë thuhet në vargjet origjinale të saj: 
Më e mirë se ty moj, nuk ka njeri,
Moj Dafo-Dafina, moj Parashqevi.
Gjoksi yt i bukur, mbushur me  stoli
Moj Dafo-Dafina, moj Parashqevi…etj. 
            Kjo këngë, shumë e vjetër, këndohej në dasma nga gratë e vajzat, kur stolisej nusja. Këtu nuk bëhet fjalë ose i këndohet një nuseje me emërin “Dafinë” apo “Parashqevi” por, në kuptimin më të thjeshtë, vjershëtori anonim, me një metaforë e personifikon vajzën që bëhet nuse me bimën e dafinës dhe “Shën Parashqevinë”, ose “Shën e Premten”. Grekët i thonë “Shën Parashqevi”, ortodoksët shqiptarë i thonë “Shën e Premte”. Në këngët e Jugut të Shqipërisë, shpesh për rimim të vargjeve përdoren dhe fjalë greke, madje dhe turke. Njëkohësisht jo pa ndikim është edhe fakti se në kishat e Jugut liturgjitë kishtare për një kohë të gjatë bëheshin greqisht. Dafina në mite dhe Shën e Premtia në hisorinë kishtare, kanë shumë të përbashkëta e janë të lidhura me Perëndinë Apollon.
            Sipas historisë kishtare, Shën e Premtia ishte një vajzë me emërin Parashqevi, që lindi në Romë nga dy prindër grekë dhe pas vdjekjes së prindërve u kthye në një bamirëse. Ajo e u martirizua ose i prenë kokën për besnikërinë ndaj besimit të saj para tempullit të Apollonit. Por, me këtë nuk janë dakort historianët, madje edhe në dekumentet kishtare thuhet se kjo histori nuk është shumë e saktë, sepse nuk është marrë nga dekumentat origjinalë por, e kopjuar nga ato greke. Në dekumentat fetarë hidhen dyshime e thuhet se kjo shënjtore mund ta ketë origjinën nga ndonjë Kult Parakritian.  Origjina e shënjtores, Shën e Premte është e dyshimtë, e errët(R. Elsie, 2000), disa e bëjnë edhe një shënjtore me origjinë shqiptare. Në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë, quhet Shën Prenia(Prenda, Prena) dhe është shpallur, konsiderohet e adhurohet nga besimtarët si “Zonja e Bukurisë”. Emra njerëzish "Prëmto" apo "Premte" ka dhe ne Jug të Shqipërisë në besimin ortodoks.
            Shën e Premtia ose Shën Prenia, është një shënjtore martire nga më të adhuruarat ndër shqiptarët. Kishat për nder të saj, zenë vendin e tretë për nga shtrirja në trevat shqiptare, pas Shën Marisë dhe Shën Nikollës. Eshtë interesant fakti që kishat Shën e Premte apo Shën Prenia, edhe sot adhurohen kudo nga shqiptarët edhe atje ku nuk ka besimtarë të fese së krishtere. Në disa punime të studjuesave dhe historianëve shqiptarë, thuhet se Shën e Premtia mund të jetë pasardhëse e hyjneshës së lashtë dardane, pa emër (M. Zeqo, E. Shukriu, 2011). Shqiptarët nga që e adhuronin shumë këtë hyjni, e mbartën në fenë e krishterë me emërin “Perëndia”. Pra Hyjnesha Dardane në periudhën kristiane ishte “Perëndia” e shqiptarëve të cilës ata i faleshin ditën e premte, si dita e Perendisë nga ku ka rrjedhur dhe emëri i kësaj dite të javës në gjuhën shqipe. (Perëndia-Perënia-Prenia-e Premte). Kjo ndoshta edhe për t’ju kundërvëne asmilimit turk që këtë ditë e quan të “Xhuma”(e Perëndisë). Në fshatin tonë ka një kishë “Shën e Premte”, “Monument Kulture” e cila ka shërbyer për të shëruar njerëzit nga sëmundiet e ndryshme. Aty edhe festohej e mbaheshin kuvende.          
Hyjnesha Dardane(majtas) dhe Shën e Premte(djathtas)
           Përfundimisht mund të themi se adhurimi shënjtores Shën e Premte nga shqiptarët, mund të ketë ardhur nga lashtësitë edhe si rrjedhojë e kultit të dafinës, Nimfës Dhafni. Vjershëtori anonim, duke i përmendur së toku, ndoshta pikërisht këtë ka dashur të na tregojë në vargjet e këngës së mësipërme. Sigurisht për t’a vërtetuar plotësisht, kërkohen ende studime të tjera të plota. Shqiptarët e quajnë “Shën e Premte”, Greket Shen Parashqevi(Αγία Παρασκευή), italianët, Shën Veneranda(Saint Veneranda), etj. Tingëllon pak si e çuditeshme kjo, kur nëqotëse ka egzistuar kjo Shenjtore, natyrish që një emër duhet të kishte.

Studjuesi  A. Hasanas kumton se: Prende (#Pridita) është hyjnesha e dashurisë dhe bukurisë në mitologjinë shqiptare. Pra, ajo është e ngjashme më Venusin e mitologjisë romake dhe Afroditën e mitologjisë se lashte. Ajo është gruaja e Perëndit, zoti i bubullimës në mitologjinë iliro-shqiptare Kështu ajo lidhet edhe me mitologjinë ilire.

Gjithashtu Prende vazhdoi në kulturën shqiptare në fjalën shqipe “premte.” Lidhja e saj me mitologjinë ilire dhe praninë e saj të mirë në mitologjinë shqiptare mbështesin një vazhdimësi mitologjike ilire-shqiptare.
Kisha Shen e Premte ne Povelçë të Fierit ndërtuar gjat shekullit XIII. Pavaresisht rënimit gjat periudhës komuniste banorët përreth besojnë se aty ka fuqi hyjnore duke e frekuentuar si vend pelegrinazhi.


Në dasmat shqiptare kur nusia stolisej mblidheshin dhe i kendonin grate dhe vajzat,
ashtu si dhe dhendrit. Pikturë "Dasma shqiptare" nga Paja Jovanoviç(1859-1957)
Një shtatore e Hyjneshës Dhafne, shumë e adhuruar nga shqiptarët në kopshtin e
Pallatit Mbreteror (Pallati Brigadave) në Tiranë
Etimologji, onomastikë
               Emri latinisht Laurus nobilis, i vendosur nga Lineu, do të thotë “Gjelbërim fisnik” ose "dru fisnik". Në këtë emërtim sipas gjuhëtaréve përzihet dhe gjuha shqipe.  “Laurus” rrjedh nga gjuha kelte, që do të thotë e gjelbërt. Shumë gjuhëtarë italianë e të tjerë mendojnë se  "laurus"vjen nga fjala “dru”, “drau”. Pra: “dru” ose “drau”- “daurus”- “laurus”, që në shqip nuk ka nevojë për përkthim.  “Nobilis” vjen nga gjuha latine që do të thotë fisnik.
               Për etimologjinë e emërit dafinë në gjuhën shqipe, gjuhtarët e huaj e paraqitin si të huazuajtur nga gjuha latine apo dhe gjuhët e tjera. Prof. Çabej, ngul këmbë se kjo fjalë rrjedh nga shqipja e vjetër. Duke u mbeshtetur mbi të dhënat historike për dafinën, ato të bëjnë të dyshosh se kjo fjalë rrjedh nga shqipja e vjetër ose pellazgjishtja. Që nga lashtësitë e deri në kohën tonë, dafina është përdorur nga shqiptarët për të përgatitur finjë(dezinfektant apo sapun) për të finjosur(dezinfektuar ose larë) rrobet apo enët e guzhinës, veçanërisht në rrastet e shfaqjes së epidemive si murtaja, etj. Finjosja zakonisht bëhej me hi por, edhe me ujë te valur, ku brenda ishin hedhur  gjethe dafine(fjalori shqip) ose për dezinfektim të sigurtë bëheshin të dyja bashkë në një interval kohe. Shkenca sot e ka vërtetuar plotësisht se dafina e kryen më së miri këtë funksjon, ndoshta edhe më mirë se hiri.
            Pra, mund të dyshojmë se fjala dafinë rrjedh nga fjalët kuptimplote në gjuhën shqipe “dha-finjë”, bima që na dha finjën(dezinfektantin ose sapunin) për finjosjen(dezinfektimin ose larjen) e rrobave, enëve të guzhinës, plagëve e çdo gjëje tjetër, ndaj sëmundjeve infektive epidemike të rrezikshme e të pashërueshme, si e vetmja mënyrë për atë kohë për të mënjanuar katastrofat, vdekjet masive. Trajta e kësaj fjale në gjuhën greke, “dha-fni(δάφνη)”, është më afër kuptimit në gjuhën shqipe. Pra, dha-finjë - dhafni(δάφνη) – dafinë. Nuk besoj se në gjuhët e tjera do të ketë një shpjegim kaq bindës e të argumentuar.
            Në onomastikën shqiptare, emëri “dafinë” përdoret si antroponim, emër njerëzish të gjinisë femërore. Përdoret gjithashtu si toponim ose mikrotoponim i shumtë në të gjitha trevat shqiptare si: “Dafina”,  “Honi dafinës”, “Bregu dafinës”, Gjiri "Dafinas", fshati "Dafinet"në Kosovë, etj.
"MONUMENT NATYRE". Dafina. Fshati Cercke - Leskovik, 2010. nga A*J*
Dobitë e dafinës
            Siç kemi përshkruar gjerësisht edhe më lart, vlerat e dafinës në gastronomi, për luftimin e sëmundjeve, apo për përmiresimin e shendetit të njerezve, sipas praktikës së mjekësisë popullore, janë unike dhe të pazëvendësueshme. Këto vlera njerëzimi dhe shqiptarët në veçanti, i kanë zbuluar të paktën që 3-4 mijë vjet më parë. Sot në laboratorët e shkencës moderne mjekësore, po punohet me intesitet për t’i evidentuar e vërtetuar edhe shkencërisht e klinikisht këto vlera. Dafina prej shumë kohësh është përdorur si erëz në gatimet e ndryshme. Efektet e saj në shëndetin e njerëzve, e përdorur në këtë mënyrë sipas disa studimeve janë: për sëmundjet kardiovaskulare, tensionin e gjakut, kolesterolin, diabetin, ulçerat, sëmundjet neurodegjenerative, migrenën, alzhimer, arthrit, parkinson, antioksidant, anti bakterial(MRSA), etj.
            Zbulimet e reja, kryesisht në vendet ku kjo bimë gjëndet e natyralizuar, janë shumë të shpeshta. Për të marrë informacion, duhet të ndjekësh botimet periodike. Për një njohje të thjeshtë mbi vetitë dobiprurëse të ekstrakteve të nxjerra nga gjethet, frutat, apo recetat e ndryshme të përgatitura me pjesë të bimës, i kemi permbledhur në një paragraf, duke qëmtuar traditat e mjekësisë popullore mijëravjeçare, si dhe disa gjetje apo studimet e kufizuara shkencore të mjekësisë moderne. Për të gjitha efektet dobiprurëse të dafinës të përshkruara më poshtë, janë kryer studime por, jo gjithmonë të plota e të mjaftueshme. Efektet e dafinës të publikuara deri tani janë:
            Për të nxitur abortimet, për të mënjanuar efektet e dëmshme të alkolit, qetësuese për dhimbjet(analgjezik), antibakteriale, kundër epilepsisë(anticovulsant), antifugal, anti-inflamator, antimikrobial, antioksidante, antiseptike antivirale, stimulim të oreksit, kundra artritit, mbrojtjen e lëkurës(astringent), çregullime të koagulimit të gjakut, kancerit të gjirit, bronkitit, fryrjeve nga gazrat e stomakut, stimulant për sistemin qendror nervor(CNS), qarkullimin e gjakut, dhimbjeve të barkut, kundra zbokthit, nxitin djersitjen, kundra helmimeve(detoxification), diuretik, dhimbjes se veshit, provokon të vjella(emetik), normalizon menstruacionet(emmenagogue), kundra epilepsisë, problemeve të të ushqyerit, çibanëve, nxit prodhimin e qumështit(galactagogue), çregullimet gastrintestimale, kundra hepatitit, përmirëson sistemin imunitar, herpes simpleks virus-1, për nivelin e sheqerit në gjak, histerinë, gripin,  për mushkonjat, insekticid, leuçeminë, kundra bakterieve rezistente(MRSA), dhimbje koke migrenë, narkotike-stimuluese, kundra gjëndjes së ankthit, kundra infeksioneve ndaj paraziteve, ulçerës së stomakut, tuberkulozit, ndrydhjeve të muskujve, shërimin e plagëve.
            Nga studimet e shumta të mjekësise moderne po veçojmë disa më tipiket:
1.     Vrasëse e bakterieve. Studimet e shumta anembanë Botës, kanë vërtetuar se ekstraktet e nxjerra nga gjethe apo fruta te dafines, janë shfaqur vrasese ndaj infeksioneve të bakterieve të ndryshme si: Staphylococcus aureus. Kjo bakterie mund te shkaktojë sëmundje të ndryshme të lekurës, çibanë, mahisje, etj. Po kështu është vërtetuar se ekstrakte të gjethes së dafinës, janë vrasëse ndaj Escherichia coli dhe Salmonella typhimurium, të cilat shkakëtojnë diarrenë dhe probleme të tjera serioze për shendetin e njeriut. Trajtimi në sallameri me ekstrate të dafinës, bën që të ruhen për një kohë më të gjatë si rjedhojë e vrasjes së disa bakterieve, etj. 
2.    Vrasëse e kërpudhave. Në një studim laboratorik, është vërejtur se ekstaktet e dafinës kanë penguar rritjen e Phytophpthora infestans dhe mikotosinave si A. niger, A. fumigatus, P. verrucosum, etj., të cilat shkaktojnë sëmundje në kraharor, mushkëri, etj. 
3.    Antikanceroze.Shumë studime kanë treguar se ekstrakte të nxjera nga dafina, kanë frenuar formimin e qelizave te disa kancerëve të ndryshëm deri në masën 98% .
4.    Anti-leuçimi. Në një studim in vitro, (costunolide dhe zaluzanin D) të izoluara nga dafina, kanë frenuar sëmundjen e leuçemisë.
5.    Efekte neuromuskulare Në një studim tek kafshët, vai i nxjerrë nga gjethet e dafinës, ka ndikuar në qetësimin e përçusave neuromuskularë, gjë që mund të lidhet me përmbajtjen në vaj të Cineolit, Eugenolit dhe methyleugenolit.
6.    Për hipertensionin. Eshtë provuar se një përbërës ethanolik që ndodhet në gjethet e dafinës, frenon rritjen e tensionit.
7.    Ka veti antioksidante. Në studime është vërtetuar se gjethja e dafinës përmban antioksidante që ndihmojnë për të mbajtur në ekuilibër radikalet e lira. Antioksidantët e ruajnë trupin e njeriut nga shumë sëmundje edhe ndaj atyre kronike, etj.
            Gjethet dhe frutat e dafinës si dhe vai i nxjerrë prej tyre, përdoren në industrinë farmaceutike, kozmetikë, parfumeri, për përgatitjen e sapunit, në mjekësi, etj. Prej vait të dafinës, është përgatitur sapuni më vjetër në botë “Alepo” që dhe sot është një nga më të kërkuarit. 
            Druri dafinës është i fortë, i rëndë, me ngjyrë të bardhë deri në të murme dhe nuk çahet kollaj. Përdoret për pregatitjen e orendive në kabinete dhe zbukurime té ndryshme ashtu si druri i arrës, si dhe veglat të punës, skulptura, etj. Digjet mirë e çliron nxehtësi si dhe një aromë të këndëshme.
            Bima e dafinës mbillet edhe si shkurre ose dru zbukurues. Kjo në vendet mesdhetare me klimë të butë, është një nga bimët më të mira për të krijuar bordura gjithmon të gjelbërta e forma zbukurimi estetike e të bukura. Mund të mbillet në kopshte, parqe, rrugë por dhe rreth shtëpive të banimit.  Gjithashtu mund të mbillet në toka të thyera kundra erozionit ose për t’i pyllëzuar. Shëtitja në një pyll me dafina, është mjaft e shëndetëshme. Në qoftë se futesh në një pyll të tillë, të lehtësohet frymëmarrja dhe ndjen arromën tërheqese e mahnitëse të kësaj bime. E ndjen veten sikur ke marrë ilaç me aparat të frymëmarrjes(inhaler). Dafina cilësohet edhe si një bimë e mirë për bletët, për përmbajtje poleni dhe nektari. Kohët e fundit në Shqipëri ka filluar kultivimi i dafinës për prodhim gjethesh e frutash. Ky lloj biznesi duhet nxitur sepse Shqipëria ka kushte të përshtatëshme, është mjaft dobiprurës dhe ka përfitime ekonomike

Origjina dhe kultivimi
           Dafina sipas disa studimeve, konsiderohet një bimë drunore arkaike, nga më të vjetrat e planetit tonë, e periudhës së dinosaurëve. Thuhet se me bimë të tilla ishte mbuluar kontineti gjigand i zhdukur Genduana(Gondwana), mbi 185 milion vjet më parë. Shumica e bimëve të asaj periudhe, janë zhdukur për shkak të ndryshimeve klimaterike, ndërsa dafina është një nga speciet  e rralla të bimëve që kanë mbijetuar.  E harruar që prej  asaj kohe, u shfaq papritur në agim të qytetërimit, për t’i shpalosur njerëzimit dobitë e saj të shumta.
            Në familjen "Dafinore" ose" Lauraceae" bëjnë pjesë shumë specje bimësh që gjenden të shpërndara në të gjithë Botën por, specia Dafina Mesdhetare(Laurus nobilis L.) e ka origjinën nga brigjet veriorë e jugorë të Detit Mesdhe dhe Azia e Vogël. Në këto territore, rritet ende spontanisht në xhepa të veçantë, në honet dhe gërxhet shkëmbore të maleve por, dhe e kultivuar për qëllime komerciale e si bimë zbukuruese. Vendase dafina është në: Turqi, Greqi, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë, Kroaci, Slloveni, Itali, Francë, Algjeri, Libi, Marok, Tunizi, Qipro, Izrael, Liban e Siri.
            Dafina në këto teritorre përmendet që në periudhën biblike. Në lashtësi rreth 4 mijë vjet më parë, në vendet e lindjes(Siri) është nxjerrë prej saj një ekstrakt vajor për parfum dhe sapun. Grekët dhe romakët e lashtë e kanë përdorur si kurora për fituesit e lojërave olimpike dhe luftëtarët. Empedocles(490-430 Para ER) filozof grek, e klasifikonte dafinën si një bimë mbi të gjitha bimët. Romakët nga një ekstrakt të nxjerrë nga frutat, bënin sapunin dhe një ilaç për veterinarinë.
            Në periudhën Paleokristiane, dafina u shpërnda nga romakët nëpërmjet kishave dhe manastireve në të gjithe Evropën. Në Angli ka hyrë gjatë shekullit të XVI dhe në vitin 1993 nga Shoqata  Mbreterore e Hortikulturistëve ka marrë çmimin  “E Merituar për Kopshtarinë”. Gjëndet e kultivuar në parqet, kopshtet e rreth shtëpive si bimë zbukuruese. Sot dafina rreth Mesdheut, gjithashtu kultivohet për fletët e saj për qëllime komerciale në: Turqi, Algjeri, Marok, Spanjë, Itali, Francë, Portugali, etj. Turqia konsiderohet një nga kultivuest më të mëdhej të dafinës sot në Botë. Sipas të dhënave të FAO-s , në vitin 1996 Turqia prodhoi 6763 ton fletë dafine. Prodhimi gjethes së dafinës ka ardhur duke u rritur, si rrjedhojë e rritjes së kërkesave.
            Në kontinentin Amerikan dhe Australi, nuk ka të dhëna të sakta për dafinën  mesdhetare se kur është futur për herë të parë. Sipas të dhënave, kjo bimë ka ardhur që me emigrimet e para në këto kontinente, e kultivuar për të marrë fletën për gatime dhe për zbukurim. Kushte të përshtatëshme ka gjetur në jugë të SHBA-ve dhe Amerikën Qëndrore. Kultivohet në Kaliforni, Oregon, Meksikë, etj. Për qëllime komercjale kultivohet edhe në Indi e Rusi, ndërsa për qëllime zbukurimi është e shpërndarë e kultivohet në të gjithë Botën.

Veçoritë botanike e biollogjike.
            Dafina bën pjesë në familjen Lauraceae që  përbëhet nga rreth mbi 3000 specie të ndryshme(klasifikimi kësaj familje ende diskutohet), të përmbledhura në 67 Gjini bimore. Bimë me rëndësi ekonomike në këtë familje janë bima e kanellës(Cinnamomum sp.), bima e kamforës(Cinnamomun camphora L.) dhe avokado(Persea americana Mill.).
            Bima e dafinës si një bimë e gjelbër gjithvjetore, pëlqen klimën e ngrohtë mesdhetare, toka të shkrifta e të pasura. Mund të rritet edhe në tokat e varfëra por jo në toka argjilore e të rënda.  Në Shqipëri rritet spontanisht në honet dhe gërxhet e maleve si në Konispol, Sarandë, Bregdeti Himarës, Gjirokastër, Tepelenë, etj. Në Jug të Shqipërise rritet dafina gjethegjërë ndërsa në kodrat e Shqipërsisë së Mesme rritet një lloj dafine gjethengushtë.
Gjëndet si shkure dhe si dru(zakonisht e kultivuar) që harrin deri në lartësinë 20-25 m. Vendosja e gjetheve është e alternuar me bisht 1-2 cm. dhe llapën 8-20 cm. Eshtë një bimë dioike, lulet janë një seksore, të vogla në trajtë ombrelle të vendosura në sqetullat e gjetheve. Çelin në muajt mars-prill. Fruti bërthokël në formë elipsoidale me ngjyrë të zezë. Bërthama me ngjyrë të bardhë e cila përmban shumë vaj. Fruti piqet në muain tetor.           


Veçoritë Agroteknike
            Dafina kultivohet zakonisht me farë. Në gjysmén e dytë të Nëntorit ose në pravere në muain Mars-Prill. Mbjellja ne vendin e përhershëm behet në muajtë nëntor-dhjetor ose fillimi pranverës, me gropa 30x30x30 cm. dhe distanca bima nga bima 1x1 m. Në parcelat e mbjella kryhen punimet, pleherimet me pleh organik, prashtijet për ta mbajtur të pastër nga barishtet e këqia, ujitje, etj. Dafina  mbillet dhe me lastarë ose kamzat që dalin nga trungu në fund të verës. Kjo është mënyra e mbjelljes nga shqiptarët dhe të tjerët gjat shekujve. Për mendimin tim mbjellja e dafinës me farë përbën një problem jo të vogël. Si në të gjitha pemët e tjera pasardhësit qe vine nga fara nuk kane vetitë prindërore. Zakonisht janë me më pak veti të mira në shërbim të njeriut. Prandaj mbjelljet e reja, per t'i konservuar këto veti duhet të bëhen me copa të marra nga prindër të provuar. Bimët e dafinës së kultivuar kanë ardhur si rjedhojë e një seleksionimi të gjate popullor. Në të kundërt kjo bimë do të degjeneroje dhe do të humbasë vetitë e krijuara në shekuj. Aq me keq kur fara vjen nga jashtë Shqipërisë e shitet për qëllime komerciale. Kjo u vërtetua me sherebelën. Për të patur supermaci në treg, në cilësitë e kësaj bime duhet të mendohet e të mbillet me copa duke perzgjedhur mirë bimët prindërore, ndoshta dhe të egrat, me ritje spontane. 
            Jane vrejtur dhe sëmundja si: kalbëzimi trungut, kalbëzimi i bardhë, njollosja e gjetheve dhe bloza. Ndaj këtyre sëmundjeve duhen të mirren masa parandaluese dhe higjeno-sanitare. Në rrast infeksjoni të rënde mund të ndërhyet me lëng bordolez ose zineb.
            Kur dafina kultivohet për gjethe vjelja e tyre kryhet në periudhën Nëntor-Shkurt. Hiqen1/3 e gjetheve, gjethet e reja nuk duhen hequr.

Pergatiti

K. Mosko
Korrik, 2015

Literatura.

1.      “The Mythology of Plants”- A. Geisecke, 2014
2.      “Flora eskursioniste e Shqiperisë”  M. Demiri-Tiranë,
3.      “Bimët e egra të dobishme e të demshme të vendit tonë” M. Demiri-Tiranë, 1979
4.      “Bimët mjekesore në familje” P. Kokalari,etj.- Tiranë, 1980
5.      M. Zeqo “Hyjnesha Dardania” - Peisazhe të fjalës, 2011
6.      Robert Elsie- “The christian Saints of Albania” Balkanistica13 (2000), pp. 35-57.
7.      Fjalori Enciklopedik Shqiptar.
8.     International Conference on Food, Biological and Medical Sciences (FBMS-2014) Jan. 28-29, 2014 Bangkok (Thailand)
9.     © 2009 The Herb Society of AmericaBay an herb society of America guide
10.   Food and Nutrition Sciences, 2014, 5, 97-106
11.  “Duke's Handbook of Medicinal Plants of the Bible” By James A. Duke
12.   “Non-wood Forest Products from Temperate Broad-leaved Trees”-By William M. Ciesla. Food and Agriculture Organization of the United Nations- Rome, 2002
13.   BioMed Research Internatinal. Volume 2014 (2014), Article ID 520464, 10 pages
17.   http://www.fiestanutrition.com/ns/DisplayMonograph.asp?storeID=3270415D02BF44A686AB699EA2E0A82D&DocID=bottomline-bayleaf
18.   “Biotechnology of Fruit and Nut Crops” edited by Richard E. Litz
19.   USDA-ARS-Germplasm Resources Information Network (GRIN)
20.  Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë – “E Shtuna e Llazarit dhe e Diela e Dafinës”
21.  Robert Elsie-“DENDRONYMICA ALBANICA, A SURVEY OF ALBANIAN TREE AND SHRUB NAMES” [Published in: Zeitschrift für Balkanologie, Wiesbaden, 34, 2 (1998), p. 163-200.]
22. V. Orel - "Albanian Etymological Dictionary" -1998