PËR NJË LIBËR SI AMANET

- Pak rradhë për librin " Udhëtim në shpirtin lunxhiot " të mikut tim Koço Mosko .

nga: Sami MILLOSHI

Boston, SHBA

- Pak rradhë për librin " Udhëtim në shpirtin lunxhiot " të mikut tim Koço Mosko .
Libri i Koço Moskos, është nga ata libra që mund ta quash edhe si libër për amanet. E them këtë sepse nuk ka gjë më të shenjtë se sa meraku për të përcjellë në brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë, rrënjët e historisë sonë, traditat , zakonet dhe kulturën në përgjithesi.
Koçoja ia ka dalë më se miri ta realizojë këtë me librin e tij. Ia ka dalë sepse është fokusuar në Lunxheri, në Selckën ku u lind dhe ku mori mësimet e para.
Selcka është e famshme se ka nxjerrë burra me famë si Pandeli Sotiri dhe Koto Sotiri që hapën shkollat e para shqipe në Shqiperi.
Përmes nje studimi të rrallë, ndoshta më i ploti gjer më sot, autori na zbulon portretin e plotë të Mëuesit të Popullit Pandeli Sotiri si pishtar i diturisë me hapjen e Mësonjëtores së Korçës.
Me fakte të reja autori zbulon kalvarin e mundimeve të Sotirit. Por, për fatin e tij të keq , këtij heroi të dritës, sot pas 150 vjetësh, gjithë çfar ka bërë ia kanë shperblyer duke ia rrafshuar jo vetëm shtepine, por edhe një memorial ku kishte nje pllakë që deshmonte se ku ishte lindur Pandeli Sotiri. Arsyeja? Bashkia e Dropullit paska dashur të bëjë " unazën e fshatit". ( Shihni ju lutem faksimilen qe kam zgjedhur nga libri ne fjalë).

Do të shkëputem pak nga libri dhe do të komentoj nje foto tjetër që shoqëron këto pak rradhë. Është fotoja që dëshmon memorialin e masakrave serbe me 1913 në krahinën e Lumës. Edhe ky memorial, siç e pohon shkrimtari Rexhep Shahu është zhdukur...


Kushdo mund ta bëjë lidhjen se pse zhduken këto memoriale të historise shqiptare, ne Jug dhe në Veri të Atdheut. Çdokush mund ta marrë me mend se kush fshihet realisht pas këtyre akteve makabre. Por, në të njejtën kohë, kushdo mund ta vëreje se,edhe pse heshtin zyrat e shtetit shqiptar,kurrë nuk kanë munguar burra si Koço Mosko, apo Rexhep Shahu që e ngrejnë zërin. Ata si patriotë të vërtetë e dijne fort mirë se sa rendesi ka udhëtimi në rrënjët e shpirtit shqiptar, që ai të mos zhbëhet nga armiqtë shekullorë të Kombit shqiptar.
Libri i Koço Moskos është një mozaik ku mpleksen studimi i mirëfilltë , kujtimet ,hulumtime për zakone e tradita dhe , më në fund nje tufë artikujsh të divulguar për natyrën e bukur dhe bimësine shqiptare.
Të mos harrojmë, autori Mosko është profesor i bujqësise. Kështu që, edhe artikujt për natyrën shqiptare , në thelb janë porosi për ruajtjen e traditave tona dhe për zhvillimin e tyre në kushtet e globalizmit.
Nuk dua të zgjatem me shumë , por ia vlen të them se libri është gjithashtu plot kolorit gjuhësor dhe shprehimësi lunxhiote që autori i ka ruajtur me fanatizëm edhe këtu në Boston. Unë jam me fat që këtë kolorit gjuhësor e dëgjoj shpesh në takimet miqësore me Koçon.
Lexuesi do të ndjehej shumë mirë pas leximit të ketij libri, si pas një terapie që përterin mallin dhe dashurinë për VENDLINDJEN...



No comments:

Post a Comment