Saturday, 1 May 2021

BIODIVERSITETI, SHKENCA BUJQËSORE DHE RELIKTET BIMORE

 nga: Koço MOSKO

Specialist i Mbrojtjes Bimëve

Boston , MA - SHBA

 Ruajtja e biodiversitetit është detyrim yni moral që t’u lemë pasardhësve një mjedis po aq të pasur sa kemi trashëguar nga paraardhësit tanë.
• Bimët bujqësore që kanë jetuar dhe evoluar në mijëra vjet, mund të zhduken shumë shpejt, na duhet një kohe shumë e gjatë të krijohen përsëri.


Pjesa më e madhe e popullsisë së Globit, pas Luftës së Dytë Botërore, vuante nga mungesa e ushqimit dhe varfëria. Shkenca agronomike, me ndihmën dhe kontribuotin e kapitalit, ndërhyri fuqishëm për të siguruar një prodhimtari të lartë nga bimët bujqësore dhe kafshët produktive. Kjo u arrit duke prodhuar lloje farërash të reja me prodhimtari të lartë, veçanërisht në drithëra buke si grurë, misër, oriz, por dhe në perime dhe pemë frutore, etj. U përmirësuan ndjeshëm teknologjitë e kultivimit duke  përdorur gjerësisht plehrat kimikë e pesticide. U përmirësua dukshëm ujitja e tokave, dhe mekanizmat bujqësorë. Kjo ndërhyrje nga shkenca dhe dora e njeriut, bëri që në pak kohë të katër- pesë fishohet prodhimi i drithërave të bukës, perimeve dhe frutave. Në vitet 1980 prodhimi bujqësor mori hov të paparë. Me të drejtë ky ndryshim galopant u quajt “Revolucjon i Gjelbërt”. Tashmë bujqësia kishte marrë karakterin e një industrie komerciale. 

 

Kompanitë e fuqishme ndërkombëtare të prodhimit të farërave dhe fidanëve të cilat u krijuan për të shitur produktet e tyre e për të rritur vazhdimisht të ardhurat, filluan që t’u bëjnë presion kultivuesve të bimëve, fermerëve, për të tërhequr e mbjellë farërat e fidanët e tyre, sepse ato ishin të çertifikuara, me rendiment të lartë, rezistente ndaj dëmtonjësve të bimëve, etj. Gjithashtu produktet e tyre kishin një rezitencë më të mirë ndaj dëmitimeve mekanike gjatë magazinimit dhe trasportit. Edhe sot, në disa pjesë të botës, është e paligjshme të shitet fara e kultivarëve që nuk renditen si të aprovuar për qarkullim e shitje.

 

Më kujtohet se nga fundi i viteve 1970-të, edhe pse Shqipëria bënte pjesë formalisht në kampin socialist, dolën vendime të posaçme të Qeverisë, mandje dhe të Komitetit Qendror të Partisë së asaj kohe, që i detyronin ekonomitë bujqësore të mos prodhonin farëra vendase. Kjo nuk u prit mirë nga disa specjalistë të bazës dhe u bë një farë rezistence e heshtur, por në atë kohë ishte e vështirë që të kundërshtoje e të mos zbatoje këto vendime që vinin nga lart. Pas viteve 1990 bujqësia shqiptare, për shkak të largimeve masive nga fshati, pësoi një tkurrje të jashtëzakonshme. Llojet e farërave lokalë, vendase, veçanërisht ato të perimeve, të krijuara nga mjeshtrat vendas, për disa breza, pothuajse u zhdukën dhe u zëvendësuan me farëra apo fidanë të kompanive komerciale, sidomos nga vendet fqinje. Si rrjedhojë humbi shumë germplasmë bimore e rrjedhimisht dhe vlera ushqimore, shëndetsore si dhe shijet tradicionale. Dihet, bimët e kultivuara, ashtu si kafshët shtëpijake, jetojnë në simbiozë të ngushtë me njeriun. Ato nuk mund të egzistojnë e të pasohen nga brezi në brez pa kujdesin e tij.

 

Historia e ushqimit njerëzor është e lidhur me teknikat e kultivimit të bimëve e mbarështrimit të bagëtive, në përputhje me Natyrën, mjedisin e ndryshimet klimaterike. Në pjesën më të madhe të kësaj historie, ndryshimet kanë qenë të ngadalta, në një marrëdhënie paqësore me Natyrën, ndërsa në njëqind vjetët e fundit kanë ndodhur ndryshime shumë të shpejta në sistemet tona ushqimore, në një shkallë të tillë siç paraardhësit tanë kurrë nuk mund ta imagjinonin. Që nga fillimi i viteve 1900, si rrjedhojë e përqëndrimit dhe globalizmit, është vlerësuar se fermerët kanë humbur rreth 75 përqind të larmisë së kulturave bujqësore që ata kultivonin në shekuj. Sot 75 përqind e ushqimit në botë gjenerohet nga pothuajse vetëm 12 bimë dhe 5 specie shtazore. 

 

Shkenca bujqësore, biologët, kanë dhënë alarmin për rrezikun që shkakton kjo mënyrë zhvillimi e bujqësisë. Ata thonë se paksimi i bimëve dhe i germplasmës bimore, krijon probleme të mëdha dhe serioze për sigurimin e burimeve ushqimore të njerëzimit në vazhdimësi. Paksimi i burimeve gjenetike të bimëve do të na çojë pa tjetër përballë të papriturave të pakëndshme e serjoze për kultivimin e bimëve ose sigurimin e ushqimit për popullatën, sepse do të na gjejë të papergatitur ndaj ndryshimeve klimaterike, infeksioneve nga organizmat patogjene, dëmtuesit e bimëve si dhe nga katastrofat natyrore të paparashikuara.

 

Në këto rrethana lindën dhe u bë e nevojshme ndërmarrja e disa programeve për zhvillimin e bujqësisë. Në shumë vende të botës, veçanërisht në Europë dhe Amerikën e Veriut, duke filluar nga mesi i shekullit të kaluar, u investuan miliona dollarë për të krijuar bankat gjenetike për llojet e bimeve të rrezikuara. Bankat gjenetike të farërave ofrojnë një burim të llojeve të farërave të qëndrueshme për t'i bërë ballë ndryshimit të klimës lokale dhe katastrofave natyrore. Bëhet fjalë për ruajtjen e kloneve apo ekotipeve të bimëve në një rajon të caktuar, landracat që janë përzgjedhur gjatë një kohe të gjatë në breza. Sot në botë, në rreth 1300 banka gjenetike ruhen rreth 6 milion kampione gjenetike të llojeve të bimëve të ndryshme. Banka Gjenetike ështe krijuar edhe në Shqipëri me VKM 447, 3.9.1993

 

Një tjetër nismë për të ruajtur vetitë e mira ushqyese dhe ato shëndetësore si dhe sjelljes paqësore me mjedisin, është ajo e krijimit të bujqësisë biologjike, pa kimikate. Edhe kjo nismë lindi në mesin e shekullit të kaluar dhe ka marrë një hov të madh në shekullin e 21-të. Sot në botë kjo bujqësi, sipas IBB Durrës, zë rreth 1,5 përqind, kultivohen rreth 72,3 milion hektarë ku përfshihen 3.1 milion kultivues dhe ka një tendencë rritje prej 1-1,6 përqind në vit. Prodhimet e kësaj bujqësie pëlqehen masivisht. Fillesat e kësaj bujqësia në Shqipëri janë në vitin 1997. Banka gjenetike, së bashku me bujqësinë bio janë masa të efektshme, por ato nuk e përballojnë dot rrënimin e diversitetit biologjik dhe vetive të mira të bimeve që vijnë nga ndryshimet rrënjësore dhe të shpejta në teknikat e kultivimit të bimëve që kanë ndodhur gjatë shekullit të fundit.

 

 Një mënyrë e thjeshtë, mjaft efikase, por edhe shumë e vjetër për të ruajtur diversitetin bimor, është edhe trashëgimia bimore familjare.  Trashëgimia bimore ose “Reliktet Bimore” (Heirloom Plants) janë bimë që trashëgohen nga një gjeneratë në tjetrën, pra, brez pas brezi.  Ashtu si reliktet familjare që mund të jenë përshembull paisjet e një dëshmori të rënë në luftë, ose sende të vjetra me vlerë e antika si orë, kuti ari, bizhuteri të ndryshme etj.që ruhen në familje në breza, ashtu janë edhe farërat e bimëve dhe klonet e pemëve frutore. 

 

Reliktet Bimore janë krijuar e ruhen nga një familje, disa familje, ose nga një zonë e caktuar, për shkak të vetive të tyre të vyera ushqimore. Ato, duke u përshtatur me kushtet klimaterike zhvillojnë cilësi unike adoptuese me mjedisin dhe veçoritë klimaterike. Këto bimë janë shumë të rëndësishme dhe jetike për mirëmbajtjen e resurseve gjenetike të bimëve dhe diversitetin bimor në mbarë botën. Ky term ka lindur rreth viteve 1980 si domosdoshmëri për të konservuar përvojën e çmuar shumvjeçare të familjeve tradicionale. Reliktet bimore, pavarësisht se mund të kenë ngjashmëri, ato në të vërtetë mund të konsiderohen varietete të ndryshme. Relikt bimor mund të jetë një drufrutor, një bimë perimore, një lule, por edhe drithëra buke, etj. Sot në njësitet tregtare të ushqimeve në Europë, Amerikën e Veriut e Australi gjithmonë e më shumë vihet re shfaqja e këtyre produkteve bujqësore tradicionale.

 



 Para industrializimit të bujqësisë, në botë duke filluar nga shekulli i 16-të e deri në fillimet e shekullit të 20-të, kishte  katalogje që përshkruanin këto lloje të shumta farërash e bimësh. Në rrethin e Gjirokastrës, kishte një larmi shumë të madhe varjetetesh e lloje perimesh, pemë frutore, lule, etj. Në këtë rajon, sipas një raportimi të ish Degës së Farërave, në vitin 1950, kishte rreth 200 lloje farërash lokale të bimëve të arave, një pjesë e mirë e tyre ishin Relikte Bimore të disa familjeve, mjeshtrave bostanxhinj të talentuar, të trashëguar në breza. Mund te permendim familjen Qape me mjeshtrat Pano e Mihal Vasili (Qape) në Dhoksat për llojet e fameshme të domateve të Dhoksatit, erëzave e barbunjave, speca, patellxhane, etj. Disa nga këto farëra thuhet se i ruan ende mjeshtri tjetër Vasil Çuçi. Një mjeshtër shumë i talentuar, qe la emër në rrethin e Gjirokastrës po i  kësaj familje, ishte dhe Koço Kosta (Qape) me bostanet e tij tek Mulliri i Babait në Mashkullorë, Picar, Çepunë, etj. .

 

Mjeshtra të talentuar që e kishin trashëguar aktivitetin e bostanxhiut në breza kishte edhe në zona të tjera. Nje markë e veçantë ishte lloi i misrit “mashkullora”, “qepa e kuqe e Suhës”, krijuar nga mjeshtrat vendas, “jonxha e Dropullit”, “pjeprat e Goranxisë”, etj. Mjeshtri Apostol Naka nga fshati Skore i Pogonit me llojet e veçanta shumë të shijshme të domateve “Sanjollas”, kujtohet edhe sot. Varietetet e shumta të dardhëve të Suhës, ku mund të permendim mjeshtrat e frutikulturës në këtë fshat si Telo Dhima, Peço Çaro, Filip Shollo, etj. Nuk mund te lemë pa përmendur bostanxhinjtë e Labovës së Kryqit për “domatet-mollë” të Labovës si Foto Didili e Nasho Garo, “bamja pesëkëndëshe e Nepravishtës”, evidentuar nga agronomi Abedin Çiçi. E kush nuk i di në atë trevë barbunjat shumë të shijshme, kungujt që ruheshin për dimër dhe erëzat në fshatrat Krinë, Tranoshishtë, që ende besoj se ruhen. Shembuj të tillë janë të shumtë në gjithë Shqipërinë. Këta shembuj janë një thesar kombëtar, të tillët duhet t’i gjurmojmë dhe t’i evidentojmë, të mos i humbasim. Nga të dhënat e fundit mësojmë se disa familje i janë kthyer zanatit të vjetër dhe i kanë ripërtrirë traditat në disa lloje bimësh të trashëguara. 

 

Përfundimisht lidhjet tona me natyrën janë shumë të ngushta. Bostanxhinjtë që përmendëm më lart, me shumë pasion e talent kultivuan bimë jo vetëm me një shije interesante e vlera të larta ushqimore, por edhe të shëndetëshme. Tani të gjithë kemi respekt e nostalgji, sepse këta specialistë popullorë, pasionantë, krijuan jo vetëm bimë të dobishme, por edhe të përshtatura për kushtet mikroklimatike të Gjirokastrës, duke luftuar streset e bimëve nga thatësira e tejzgjatur, kushtet specifike të tokës, rezistencës ndaj infeksioneve prej organizmave të ndryshme infektive, fitoparazitare e dëmtonjësve të tjerë bimorë.

  

Veç sa përmendëm më lart, ka edhe shumë bimë të krijuara në shekuj si: lloje të ndryshme kumbullash, dardhësh, varietete të ndryshme rrushi si “Debina”, razakitë e shumëllojshme, etj. të cilat pothuajse janë zhdukur, ose janë në zhdukje. Duhet shumë kohë për të krijuar të tilla vlera, sepse atyre po kaq kohë u janë dashur për t’i krijuar, një kohë shumë e gjatë. Brezi ynë ka përgjegjësi ndaj gjeneratave që vijnë më pas, për këto bimë që po humbasin e zhduken, ndaj duhet bërë diçka sa nuk është vonë, në dobi të sigurisë ushqimore. Bimët tradicionale dhe drufrutorët tradicionalë kanë një impakt të madh e të padskutueshëm në përgjithësi për shëndetin e popullit, por edhe për agroturizmin elitar që duam të zhvillojmë në të ardhmen.

 

Përvoja dhe mësimet që po merren nga pandemia Covid-19 tregojnë se duhet të mendojmë për një aplikim të zgjuar e të integruar të teknologjiive të kultivimit të bimëve, për vazhdimësinë e jetës. Kjo është e vështirë, sepse çdo gjë sot varet edhe nga tregu, por është me shumë dobi të bësh diçka që t’u shërbejë brezave, sesa të rrish në vend numro e të mos bësh asgjë. Në kushtet e rrënimit të biodiversitetit, ndryshimeve klimaterike, ne duhet të mendojmë në një mënyrë te re sesi mund të përdorim burimet natyrore, arritjet e shkencës dhe përvojën pozitive të krijuara në shekuj nga njeriu, sidomos nga kultivuesit e apasionuar. Për një ekonomi të gjelbërt kërkohet një lloj ndryshimi në sjelljen dhe ndjeshmërinë njerëzore ndaj botës bimore. Është domosdoshmëri.

 


 Boston MA - Priil, 2021

5 comments:

  1. Shkrim i specialistit te mirefillte, duke e pasqyruar me pervojen shume vjecare e studimeve te bera ne kete fushe. Sjell edhe traditen e kultivuesve te perimeve, bostaneve te zones Gjirokaster. I vlersoj dhe i lexoj me kenaqsi shkrimet e Kocos.A.M.

    ReplyDelete
  2. Artikull i jashtëzakonshëm nga një personalitet i shquar i bujqësisë shumëdgshe; mënçuri dijetari e mendimtari i lindir dhe rritur midis gjelbërimit jetik; është studim që sintetizon madhështin e kultivimit të specieve bimore që nga lashtësia e Qytetrimit Botëror para çudisë së "Kopshteve të Varura të Babiloisë", e deri në epokën tonë me arritjet e sofistikuara të hibrideve me rendimente të larta, dhe kjdesin e shkencave gjenetike e bujqësore për ruajtjen e kodit gjenetik shekullor në farat e konsoliduara. I uroj mikut tim ideor Kotandin Mosko, mbarësi dhe vetëm marësi në punën e tij studimore për pemët frutore dhe drusore shumë të rëndsishme për një Tokë të gjelbër të teknologjisë gjithënjë në përsosje dhe kuptimit shkencor të funksionimt të proceseve që zhvillojnë bimësinë,bazën e zhvillimit të jetës së gjithëanshme, sidomos të shoqërinë njerëzore e orientuar për t'a bërë, sterenë dhe detin mjedis jetësor, model në Galaktikë, Njeriun si Jashtëtokësor për planetet me shoqëri analoge në sistemet planeare të yjeve të tjer. Urime!

    ReplyDelete
    Replies
    1. Faleminderit prof. Vedati.

      Delete
    2. Vras gjithënjë mëndjen për gjelberimin tërësot të Tokës për t’u bërë planet model i mjedisit jetësor “Për Njeriun dhe nga Njeriu”, Vetë Njeri Tokēsor e JashtëTokësor, si banor i një planeti në miliarda planete të sistemeve planetare të yjeve në Udhën e Qumeshtit.

      Delete