Thursday, 29 April 2021

ISMAIL BEKA, GJERMAN PËR PUNËN DHE KORREKTESËN

  - Disa “copëza” kujtimesh, në vend të buqete me lule-

                                                       nga  Fuat MEMELLI

Boston, MA

 

Ismail BEKA

Është bërë zakon që kur njerzit ndahen nga jeta, fliten fjalë të mira, edhe për ndonjë që nuk i ka merituar. Për Ismailin, është krejt ndryshe. I diplomuar si inxhinier mekanik,  për 42 vjet punë në  ndërmarje të sistemit të bujqësië, në ministri dhe së fundi menaxher i projektiy të  GTZ-së gjermane në Shqipëri, që më pas u quajt GIS ( këtu punoi 22 vjet), la pas emrin e tij të nderuar. La pas një mori punësh dhe projektesh të realizuar në zona të ndryshme të Shqipërisë. Diku kam lexuar se një pasion i vërtetë, është ai që digjet brenda shpirtit tend e nuk shuhet. I tillë ishte pasioni i Ismailit për punën. Me shpirtin e tij fisnik, me dëshirën për të ndihmuar,  la pas  dashurinë për njerzit. Sejcili që e ka njohur nga afër, ruan plot kujtime të bukura  për të. Disa “copëza” kujtimesh, do shpalos edhe unë.

E njoha Ismailin para afro 40 vjetësh. E mbaj mend të qeshur dhe që nxitonte kur ecte, për të mbaruar sa më shumë punë. Ai kishte bërë të vetën traditën e punës dhe korektesës gjermane, vend të cilin pas Shqipërisë  e deshte aq shumë. Jo se u bë i tillë nga që punoi me gjermanët. Këto cilësi i ka patur edhe më parë, i ka patur në shpirtin e tij. Si gazetar i fushës së bujqësisë, e kisha intervistuar disa herë Ismailin. Fliste qartë dhe me kopetencë, pasi i njihte mirë problemet. Ai më përgjigjej në çdo kohë që e kërkoja. Kjo ka ndodhur jo vetëm me mua, por edhe me shumë gazetarë të tjerë që kanë trokitur në zyrën e tij. Më ka ndihmuar edhe në raste të tjera. 

Në ministri kishte ardhur një ftesë për të marrë pjesë në një festival filmi dokumentar në Berlin, në kuadrin e "Javës“së gjelbër” që zhvillohet aty çdo vit në janar. Përgjegjësi i këtij sektori në ato vite, njeriu poliglot për gjuhët e huaja, Sali Metani si dhe Ismaili, ishin dakort që të shkoja, por duhej paguar bileta e avionit si dhe hoteli, që  nuk përfshiheshin në ftesë. Në ato vite të para të tranzicionit, ishim të etur pë të parë botën. Ismaili u interesua më shumë se do interesohej për veten e tij. Bisedoi në gjermanisht( ishte ndoshta i vetmi në ato vite në ministri që e zotëronte gjuhën gjermane) me organizatorin e festivalit. Duke i shpjeguar kushtet e vështira të Shqipërisë në ato vite të para të tranzicionit, gjermani u bind. Me ndihmën e Ismailit,  për here të parë në jetën time mora pjesë  me një dokumentar në një festival ndërkombëtar.

Një rast tjetër i  mbështetjes së Ismailit, ishte për realizimin e filmit dokumentar para 20 e ca vjetësh, me titull  “Në rrjedhën e Bunës”. U drejtova te ai  dhe e miratoi menjëherë kërkesën. Së bashku me Ilir Buçpapën që ishte me kamera, u nisëm drejt Shkodrës ku na priste Ahmet Osja. Me një varkë të vogël, që drejtohej nga një peshkatar i njohur i zonës, xhiruam që te liqeni i Shkodrës ku e ka burimin Buna, në fshatrat për rreth Bunës, deri në derdhjen e saj në Adriatik. Doli një dokumentar i bukur, për të cilin gjithashtu i jam mirënjohës Ismailit. Sa shumë specialistë, fshatarë, biznesmenë, etj, i janë atij mirënjohës për mbështetjen që i ka dhënë! Ai i mbylli vitet e punës me një projekte të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit malor në zonat veriore të vendit. Nuk po flas gjatë për këtë, pasi më mirë se unë e njohin këtë kontribut banorët e atyre zonave, të cilët i janë thellësisht mirënjohës. Ai është nga të parët që ka mbështetur zhvillimin e turizmit në zonat malore.  Në kujtimet e tij për vitet e punës, Ismaili veçon ndihmën që i ka dhënë banorëve të Thethit për zhvillimin e turizmit si dhe vlerësimin  me dëshmi “Mirënjohje” nga komuna e Shalës.

Nga një ngjitje në male

Për herë të fundit e takova Ismailin para dy vjetësh kur ndodhesha në Tiranë. Ishte me bashkëshorten e tij, Besën  si dhe me Shpresa Shkallën, prodhuesen e njohur te vajit të ullirit. Pimë kafe dhe biseduam gjatë te lulishtja “ Një Maji”. Besa më dhuroi librin e saj me poezi. Bëmë edhe fotografi, e cila ishte e fundit me Ismailin.

 Ai ndrroi jetë në një spital të Berlinit, ku kishte shkuar për kurim nga një sëmundje e pashërueshme, por nuk ia doli, megjithëse deri në fund ishte optimist, siç ka qënë gjithë jetën. Ikja e tij e parakohëshme në moshën 66 vjeçare, la pas dhimbjen e thellë te gruaja e tij, Besa, te dy fëmijët, Ada dhe Andi që ecën në gjurmët e prindërve dhe u bënë njëri më i mire  se tjetri. La pas dhimbjen te të afëmit, te shokët dhe miqtë e tij të shumtë, shqiptarë dhe gjermanë. 

Besa, shoqja e tij e jetës, duke folur për Ismailin ( theksoj se ata ishin një çift model), thotë se ai nuk ishte sëmurur kurrë. Nuk kishte pirë as edhe një aspirinë dhe s’kishte munguar një ditë në punë. Kishte qef ngjitjen në male. Edhe para se të diagnostikohej me sëmundjen e rëndë, ishte në malin e Korabit me një grup miqsh. Nuk kishte marë as rrogën e parë pasi doli në pension vitin e kaluar. Kishte në dorë një projekt të rëndësishëm për Tiranën. Kishin në plan të bënin disa udhëtime me Besën.  Së shpejti do të festonin edhe përvjetorin e njohjes , por ja që Zoti e mori pranë. 

Ai u varros në Tiranë. Megjithëse ishte kohë virusi, në përcjelljen e tij morën pjesë shumë njerëz. Po kështu edhe në shtëpi nuk rreshtin vizitat. Janë këto shprehje të dashurisë e respektit të njerëzve, që ai i deshte dhe e donin. Ka shumë për të folur për të. Më vjen keq që televizionet tona, nuk thanë pak fjalë për Ismail Bekën, për këtë “gjerman” të punës dhe korektesës. Por ja, më kërkoi të shkruaj diçka për gazetën “Agrobiznes” gazetraja e njohur, Etleva Xhajanka dhe unë shkrova disa rradhë, por ai meriton shumë më tepër. Le të jenë këto “copëza” kujtimesh, si një buqetë me lule për Ismailin , të cilën nuk munda ta vendos aty ku  prehet.

Me familjen në Gjermani

Nga veprimtaritë me GTZ

Vlerësime nga GTZ-ja


No comments:

Post a Comment